Përjetësi » Kadare
Mehmet Kraja: Kadare - një vit më pas
E marte, 01.07.2025, 04:59 PM
KADARE – NJË VIT PAS
Nga Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Para një viti, lajmi
për ikjen në amshim të Ismajl Kadaresë na tronditi, na bëri të ndiheshim disi
të braktisur, të përfshirë në një ndjenjë humbjeje dhe zbrazësie që nuk do ta
plotësonim aq lehtë. Kjo ndodhte ngase për të gjithë ne Kadare kishte marrë
atributet jo të një miti, siç mund të thonë disa, por të një argumenti që na i
bën të ditura, na i kujton dhe na i rikujton të vërtetat e amshueshme për
qenësi të mëdha identitare dhe tej identitare. Kadare ishte personifikim, ishte
simbol, i tillë do të mbetet deri skajet më të ladrgëta të memories sonë
kolektive. Është e pamundur të ndryshohet ky imazh, sado kohë që të kalojë:
Kadare është ai guri i qemerit që mban traun e shtëpisë së përbashkët.
Për ne në Kosovë ikja
e Kadaresë kishte një kuptim më specifik, sepse ai ka qenë mbështetja
këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë për Kosovës në më shumë se 50 vitet e
shkuara.
Pavarësisht nëse kjo
mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë
histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të
viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të
ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të
madhe shqiptare.
Zëri i Kadaresë në
mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të
depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me
rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish,
studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë
edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të
luftës për çlirimin e Kosovës. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të
vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe
tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e
kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për
krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte
nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë
integrues.
Në këtë angazhim të
gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i
përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me
një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas
here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të
përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës.
Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se
mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe në
opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të
shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.
Vepra letrare e
Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse
jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët.
Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i
paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë
dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë
qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i
qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.