Përjetësi » Kadare
Sadik Bejko: Një rilexim i librit “Shekulli im” të Ismail Kadaresë
E marte, 28.01.2025, 06:57 PM
Një rilexim i librit “Shekulli im” të Ismail Kadaresë
Nga
Sadik Bejko
Në
çdo moshë ka libra që u kthehemi e u rikthehemi jo një herë. Rileximi e mban
gjallë kujtesën mbi librat më të mëdhenj të njerëzimit ndër kohëra.
Ndonjëherë
rikthehemi dhe për nostalgji, a për një çudi që mund të kemi provuar dikur në
leximin e një libri.
Më
poshtë do të flas për rileximin e librit “Shekulli im”, poezi dhe poema të
vitit 1961 nga Ismail Kadare.
Në
një kohë kur nga të gjithë flitet për prozën e tij, po i rikthehem një libri që
mbase nuk e mban mend gjithkush. E kam blerë atë kur isha nxënës në vitin e
tretë të shkollës së mesme në Elbasan. Kishte një kapak kuq e zi, që tani nuk
është më. Janë grisur dhe dy tre fletët e fundit. Por në mbi 60 vjet atë nuk e
kam ndarë nga biblioteka ime. Më 1961 kam bërë dhe një fotografi me këtë libër,
foto që s’më kujtohet si e kam humbur.
Libri
ka 43 poezi dhe katër poema, më të shumtat janë shkruar në vitet 1958-60, gjatë
viteve kur studionte në Institutin Gorki, në Moskë. Më shumë se gjysma janë
poezi dashurie. Poema e fundit, “Rrugëve të Moskës” është një kolazh me poezi
për dashurinë. Dy poezi “Komunizmi” dhe “Razliv” (për Leninin) janë vjersha
drejtpërdrejt politike. Me një tematikë që afron nga ajo politike janë dhe
katër nga pesë poemat e librit: “Shënime për brezin tim”, “Shekulli XX”, “Paqen
do ta imponojmë”, “Vdekja e turistit”, 'Ëndërr industriale”.
1.
Arti i poezisë
Veç
nostalgjisë, ky libër më jep dhe të dhëna mbi atë se si ka evoluar arti i
shkrimit të poezive nga Ismail Kadareja. Dhe jo vetëm ndryshimet tematike, por
edhe ato stilistike e të poezisë së tij.
Poezia
‘Pizhamet dhe aeroportet’ përfundon me këto vargje:
Mos
më ler kurrë, o moj botë e madhe!
Mbi
pistat e pizhameve të mia,
Të
ulen aeropanët!
Pas
dritares sime të varen në tela
E
të tunden nga era
Kanatjeret
e reve;
Në
portollampën e abazhurit tim
Të
montohet dielli.
Në
këtë poezi dhe në gjithë librin ndjehet rebelimi tronditës, brutaliteti i një
të riu, i një autori që e ndjen forcën, titanizmin e talentit të tij.
Vetëndjerja se ai ka prekur në botën e madhe të artit, është si e thënë pak
hutueshëm, e pashpjeguar, prapë ajo shoqërohet me thirrjen që dielli le të
montohet në abazhurin e tij. Ai tashmë do t’i përkiste një bote të ndritshme,
planetare. Autori e ka parandierë se bota e madhe e artit do të ishte jeta e
tij, e ardhmja e tij. Siç ndodhi.
Çfarë
ka ndodhur me këtë libër?
Në
një poezi të vitit 1956, “Në tavolinën e studimit”, Kadareja student
universitar i vitit të tretë pranon se është nipi, trashëguesi i “të vjetërve
famullitarë”, i Budit, Bardhit, Bogdanit. Poezia është e shkruar më një varg
11-rrokësh që të çon edhe më shumë te kultura klasike e etërve famullitarë të
cilët ai atëherë na thotë se “i lexon çdo natë”.
Kjo
poezi ndër të tjera dëshmon se Kadareja e zotëronte teknikën e vjershërimit
klasik që në fillimet e tij. Papritur tani në librin “Shekulli im” ai pranon që
vjershërimin e tij e udhëheqin Majakovski, Uitmani, Migjeni.
Rrugës
në pjekshi Migjenin, Majakovskin apo Ullt Uitmanë
“Salut!”
u thoni dhe ktheni me ta nga një gotë birrë.
(Shekulli
im, Përcjellje e vargjeve, faqe 4).
Autori
e ndien dhe është i përgatitur për atë që rruga e artit është e vështirë: Udha
ka diell, ujqër dhe natë, vetëtima të rrema lavdie, netë me ulërima çakalli.
Veç
pengesave të tilla tokësore janë dhe armiq të tjerë fare të pamëshirshëm:
konkurenca me autorë në përmasa ndërkombëtare dhe përballja me… kohën.
Do
të kini fat në udhëtimin botës tejembanë, apo ujqërit e shkretëtirat do t’u
shqyejnë, goja plot rërë, vdekur në varre të panjohur nën tufane. Ndaj vargjet
i mëson të jenë trima të marrë, të shtegtojnë me kokën lart, të fortë të
patrembur, të dlirë. Në betejën me kohën i nxit të ikin më larg dhe skelete të
gjymtuar, të sakatuar, le të ikin më larg, për atë çka vdes, mëkati le t’i
mbesë autorit…
Kjo
përcjellje vargjesh sot tingëllon, si përcjellje për gjithë trashëgiminë e tij
në prozë e në poezi. Kjo trashëgimi u vu në garë në kohëra dhe në hapësira pa
fund, brenda e jashtë Shqipërisë.
Por
si erdhi të ai poezia?
“Babai”
dhe pse nuk ia lexon poezitë, pi nga hidhërimi në një klub plot tym se po
kritikojnë poezitë e të birit.
“Poezia”
vjen fare papritur: qyteti me kalldrëme të gurtë… nëna i shkruan letra pa pikë
e pa presje, i riu është i hapur ‘citta aperta’ për shumë dëshira…. Por, më së
fundi, tani ai e ndien se poezia (letërsia) është stacioni i tij i fundit.
Programin
e tij të mënyrës se si duhet shkruar poezia e shpall kryesisht te dy vjersha:
“Poezija e deklasuar” dhe “Fjalët e rimuara”.
Thirrja
për hapje rruge është e ashpër dhe plot ironi e sarkazëm: “Hapeni udhën poetë
të poezisë së deklasuar”…
Cilët
janë këta? “Fis i demoduar i poetëve” thurin vargje psherëtimash me kilometra,
si hekurishte të vjetra. U tmerrohen formave të reja, gatuajnë poezi me fjalë
të zgjedhura, rima të zgjedhura, poetë bimorë, luleshqerrakë, poetucë të mjerë
ku “Fjalët e rimuara ç’i ha vreri/ kur s’u pajtohet karakteri, kur… “zënë në
flagrancë rimën me ndonjë asonancë"…, ndaj “Rimë ku kalle kokën, të rënçin
rrokjet…”.
Për
këta poetë bimorë në qyteti i ri industrial do të ketë dhe një “Ofiçinë të
riparimit të soneteve të demoduara”.
Poetëve
të demoduar që pijnë me prostituta honoraret e dashurive të pastra, autori u
kundërvihet: “…si kujtim nga vajzat mbaj/jo një lule të tharë,/a një frazë
albumi plot psherëtimë,/po numurin e saktë të telefonit/me shifra të
përcaktuara mirë”. (Shekulli im, fq 85).
Poezia
më poshtë, me detaje të gjalla nga jeta, me vargje eliptike, të lira, të
ashpra, me fjalë të gjuhës së përditshme ishte shembull i kundërvënies ndaj
artit demode me fjalë e tema poetike në vetvete:
Fëminia
Fëminija
ime me gishtat lyer me mellan.
Në
mëngjes këmbanat,
Myezini
në muzg.
Koleksione
paketash e pullash të vjetra
Shkëmbimi
i një Ceyloni
Me
dy Luksemburg.
Kështu
iku ajo
Kohë
e fiminisë
Vrapoi
duke ngritur pluhur pas një lopi lecke,
Top
lecke
Nga
leckat e thinjura të Shqipërisë.
Shekulli
im, fq 25.
Me
këtë libër poezia e tij shkëputet në stil nga veprat e tij të mëparshme dhe do
të jetë edhe më konceptuale në vazhdimet e saj. Do të priret nga sintezat. Nga
vargu i lirë. Një teknikë që nuk ishte fare e panjohur në letrat shqipe. Me
këtë teknikë ‘të rinjtë’ u kundërvunë me ‘të vjetrit’ në vitet ‘60 dhe politika
e kohës u tha “afirmohuni më vargun tuaj”. Dhe… të rinjtë Kadareja, Agolli, Arapi
“fituan”.
Një
poemë si “Përse mendohen këto male” që nuk i shmangte mesazhet propagandistike,
afirmimin e partisë komuniste si shpëtuese e Shqipërisë, nuk u pranua dhe nga
një autoritet i studimeve si Shuteriqi, i cili në rininë e tij kishte shkruar poezi
me prirje që e vinin afër simbolistëve.
Arësyeja
e mospranimit ishte artistike: poema nuk përtypej për artin e saj. Që në
vargjet e para të poemës jepet tabloja e maleve që janë aq të zymtuar në
mendime përballë një muzgu të frikshëm. Një malësor ecën me pushkën e gjatë dhe
një intelektual me mendimin “në kokë diku”. Mendimi dhe pushka i përplasen
muzgut, për ta ndalur.
Mendimi
teorik mbi poezinë i asaj kohe nuk ishte i përgatitur t’i pranonte
abstraksionet e kësaj natyre.
Më
tej në këtë poemë vjen imazhi i malësorit me një pushkë të ngulur në kolonën e
tij vertebrale, si një vazhdim që shtatin ia bënte më të gjatë, por që jetën ia
shkurtonte. Këtu Kadareja veç sintetizon atë malësor që në poemën e Fishtës
“Lahuta e Malcisë” vizatohet konkretisht.
2.
Poetizimi mitik i qytetit, i industrializmit
Prirja
për nga një poezi e futurizmit, e surealizmit, e mitizimit të qytetit si
realitet që emancipon dhe iluminon mjediset po më shumë ndërgjegjen shoqërore,
pirja nga një mistikë e industrializmit dhe e apoteozës së metalit, të
radarëve, të lazerit, të energjisë atomike, ashensorëve, televizorit, metrove,
aeroporteve planetare, trolejbuzëve u vu re për herë të parë te lënda poetike e
librit “Shekulli im”, 1961.
Ky
është një libër unikal për nga prurjet në gjuhë dhe për nga idetë që përçojnë
nga një shoqëri e lirisë së njeriut të epokës së shkencës dhe të
industrializimit. Ky “ëndërrim” do të sillte një shoqëri të lartësuar, të
shkëputur nga një qytetërim bujqësor plot me kanune mesjetare drejt një njeriu
me liri individuale e deri… te pranimi i çvirgjërimit të femrës para martese,
pranimi i abortit, i lindjes së fëmijës jashtë martese, pra, drejt një lirie të
plotë edhe të jetës seksuale.
Fjalët…
që s’kanë paragjykime,
që
bëjnë dashuri
Me
njëra tjetrën si t’u teket
Se
s’është më kot shekulli XX.
(Shekulli
im, faqe 55).
Shqipëria
ndërkohë ishte vendi ku fëmijët luanin me topa lecke, shoqëri thellësisht
patriarkale, puritanisht e rreptësisht komunisto-feudale.
Liri
kërkohet për vargun, për rimën, për gjuhën, për figurën e për fjalën.
Në
këtë libër ka aq shumë terma nga jeta urbane, nga pejsazhet e modernes, sa në
kohë nuk i gjeje as në prozën e as në publicistikën e ditës. Është një libër që
dhe sot mund të zgjonte kureshtjen për atë rebelim të shëndetshëm ndaj një
shoqërie shqiptare të prapambetur, shoqëri që ende i punonte tokat me buaj, që
ende në kryeqytetin e saj, Tiranën, nëpër rrugët në vend të makinave vozisnin
pajtonët ku mbreheshin kuaj e transportohej me qerre të tërhequra nga qetë.
Dehja
poetike dhe fantazmagoria e shprehjes së çlirët, e thirrjes për daljen te një
shoqëri e emacipuar, nuk ishte domosdoshmërisht thirrje për afirmimin e një
shoqërie komuniste.
Shënojmë
se me redaktime disa nga këto poema Kadareja i ka përfshirë në librin e tij me
poezi të zgjedhura Vepra 7, Poezi dhe Poema, Onufri, 2008. E ashtuquajtua poema
sintezë e periudhës së realizmit socialist, frymëzuar nga Majakovski, Uitmani,
jo gjithmonë dha poezi të arritjeve më të mira të autorëve që e ushtruan. Madje
shpesh ato janë të një nivel të ulët estetik.
Pavarësisht
nga çfarë ndodhi me këtë strukturë të artit, me poemën sintezë, të braktisur
nga autori në ecurinë e tij të mëtejshme poetike, në këto poema vjen një
vetëdije e viteve ’60 të shekullit që shkoi, vetëdija e një kohe kur mendohej
se shkenca dhe teknologjia do të ndryshojnë të ardhmen e njerëzimit.
3.
Poetika me dritë, spontane, rinore e dashurisë
Në
libër flitet për jetë dashurore ku “miliona dashuri ndahen, takohen miliona”.
Jepen skicime portretesh të vajzave moskovite, të cila Kadareja nuk i hiqte nga
kujtimet edhe në bisedat e fundit me miqtë.
Poema
e fundit “Rrugëve të Moskës” sjell vazhdimësinë e temës së dashurisë: një i ri
në një qytet të madh, në shoqëri me vajza të bukura që japin e marrin dashuri
lirshëm, shpengueshëm në gjerësinë e pamasë të një metropoli… që është i hapur
dhe për të huajin nga Shqipëria e largët.
Poezitë
e dashurisë janë të mbështetura mbi fakte reale, disave prej vajzave autori u
vë inicialet e emrave. Në botimin e veprës së zgjedhur ai i ka botuar poezitë
duke plotësuar emrat, mbiemrat, inicialet. Në këtë jetë dashurore gjithëçka
është e shpejtë dhe e shkurtër. Atë që e ke sot, mund ta humbësh nesër. Kjo
klimë përkohësie përjetëson te subjekti lirik rrjedhën e pandalshme të kohës,
fikson çastet, takimet, ndarjet, fragmentet kohore me të dashurën e radhës.
Fytyra
jote mermer nën të puthurën e parë
Dhe
befas më rëndove në gjoks
Më
rëndove për jetë
Si
statujë e bardhë.
Autori
në sipërfaqe gjasme qesh me ndarjet, humbjet e dashurisë nga aq shumë të
njohura, por thellë- thellë ato si situata shpirtërore mbeten, gdhendin në
kujtesë fragmentet e një lumturie efermere dhe… autori i shndërron në poezi.
Poezi të shkruara si në ecje e sipër, derdhur thjesht e shpejt në një grusht
fjalësh të ngjeshura. Vargje të tejdukshme si akuarelet: “Pikat e shiu na
feskonin të puthurat” Poeti e zhdramatizon ndarjen: nesër iki. Një cigare, një
limonatë, tunelet na gëlltën si gojë harrimi.
Vajza
shpejt atë do ta zëvendësojë me një djalë tjetër…
Asgjë
e jashtëzakonshme
Veç
ndonjë natë
Gishtat
e ndonjërit do të pleksen në flokët e tu
Me
të largëtit gishtat e mi me kilometra të gjatë.
(Edhe
kur kujtesa).
Poezitë
më të mira sjellin jetë, atmosferë, ndjeshmëri që nuk kanë qenë të njohura më
parë në poezinë shqipe.
Poetizohet
situata e një çifti të përqafuar, të përgjumur …një mollë e kafshuar përgjysmë
mbi komodinë.
Kjo
gjysmë mollë… atij do t’i mungojë në një kohe tjetër, kur të jetë qetësuar në
shtëpi, me grua, me komfort… larg në vendin e tij.
Vjen
një mitizim absolut i dashurisë së lirë, dashuri të cilës i mjafton vetvetja,
çasti kur ajo përmbushet pa kohë e pa hapësirë tjetër, pa të nesërme a të
ardhme…
Jemi
katër sy’ një buzëqeshje./jemi një kinoafishe e dashurisë që ka marrë era,/
jemi dy libra me fletët e bardha të grisura/lexuar nga të tjerë…
S’po
të premtoj fejesën …
Dhe
as martesën
Me
ditët e mërzitshme si pizhame.
Poema
“Rrugëve të Moskës”, 1958-60, Rigë-Tiranë.
Freskia,
befasia e ndërrimit të situatave të çojnë te një moshë e pasioneve të vrullshme
që këmbehen, mbulojnë njëra-tjetrën. Krasitjet, lëniet përgjysmë, humbjet,
ndarjet… bien si thyerjet nga stuhitë e pranverës që i shpërthejnë e i harlisin
më shumë bimët e njoma. Është një moshë djaloshare 22-24 vjeç që nuk e pranon
dhembjen
Në
poezitë e mëpasme, në ato të periudhës së fundit të shkrimtarit, në poezi si:
Mall, Kristal, Në studion dimërore, Pas darke, etj, skalitja metrike e
vargjeve, ndërtimi klasik i strofave, materia poetike luksoze është e ngjeshur
dhe ndjeshmëria e humbjes, e dhembjes humnerojnë në pakthim, në brengosje që i
mbetet e pandarë qenies.
4.
Modernia brenda formave të klasikes
Po
pikërisht në këtë libër, libër manifest të çlirimit nga format klasike të
poezisë, vijnë dhe disa balada, të cilat të prijnë nga një gjuhë e rreptësisë
skrupuloze, nga një optikë e tragjikes që të çonte te autorët e përjetshëm të
klasikes.
Baladat
e Ismail Kadaresë japin një çelës për atë se si format e poezisë klasike mund
të martoheshin me ekspresionin stilistik të modernizmit, të pardoksit surreal:
herë mërzia zbardh/ herë nxin mielli. Në baladën “Këngë e millonait” nën një
ritëm të shpejtuar e plot muzikalitet, brenda vargjeve të rregullta
gjashtërrokëshe, vjen historia e trishtuar e dashurisë së pafat të millonait që
bluan miellin me të cilin do bëhen bakllavatë, pitet në dasmën e të dashurës së
tij: Mes trokashkave/ të duket sikur/i gërnetës vaji/mu në gjoks t’u ngul./Hedh
atje tani/dhëndri një shaka,/qeshje e vjehrrës/ thikë: ha ha ha!
Te
balada “Ikja e Moisi Golemit” vjen një përfytyrim sa klasik shekspirian aq dhe
modern e kinematografik. Makbethi vrau gjumin, Moisi Golemi vret ndërgjegjen që
e ndjek prapa dhe ia kap frerët e kalit që të mos i jepet rrugës së tradhtisë.
Balada
“Varrimi i Skënderbeut” me të vdekurin e hedhur jashtë varrit, me kockat që u
grabitën nga otomanët, jep imazhin e një të pavarosuri të përjetshëm. Atë nuk e
mbante varri, ndaj hidhet prapë mbi kalë në fushat e luftimeve. Kockat i
mbillen nëpër kontinente, në dete, shkretëtira, lumenj, male atje ku vdiqën ata
që i mbajtën në qafë si hajmali. Një mistikë e vdekjes së shpërndarë në
gjeografi e në kohëra, një pasvdekje, një mosvdekje.
Te
balada e mëvonshme për Ali Pashë Tepelenën imazhi “të shtrinë Ali Pasha, të
shtrinë” nuk domethënë të shtrinë në tokë, të vranë, por dhe një tërheqje gjer
në shqyerje më dysh e qenies fizike dhe e staturës së figurës së tij historike
(lavdi dhe mizori), e personalitetit të tij, një përmasë që mund t’ia jepte kjo
lloj vdekjeje, ky zgjatim motor në dy kontinente, trupi në Europë e koka në
Azi. Imazh mitik, gati shekspirian.
Kjo
ishte teknika e ruajtjes së jashtme të formës klasike, por me inovacione të brendshme,
teknikë e lëvruar mjeshtërisht tek poezia e Boris Pasternakut.
Kjo
prirje e modernes brenda formave të klasikes mori kryet e vendit në krijimet e
periudhës së fundit të Kadaresë. Shembull, ndër shumë të tjera është poema e
tij “Tirana në dimër” (2005) ku vargu 11-rrokësh strofa katërshe japin kllapinë
e në jete të hallakatur dantealigershëm të Tiranës së tranzicionit të sotëm.
Dikur
e kam lexuar librin “Shekulli im” i mekur nga risitë e befasitë, në formë e në
përmbajtje, por e lexoj dhe tani mbas gjashtëdhjetë vitesh dhe prapë e përjetoj
si një çudi letrare për kohën.
Ka
shumë që sot mendojnë se Kadareja nuk ka qenë gjë si poet. Mendoj se Kadareja
veç prozator i nivelit boëror, është dhe poet, poet me prurjet e veta krejt
origjinale në poezinë shqipe, poet me shumë novacione për kohën e tij.
Rileximin e poezisë së tij nuk e bëj vetëm për nostalgji.