E merkure, 11.12.2024, 01:09 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Vasilij Tjuhin: Kadareja të mos botohet edhe pas njëqind vjetësh!, deklaronin kategorikisht në KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik

E diele, 21.07.2024, 06:53 PM


Përktheu nga rusishtja: Bujar Hudhri - exlibris.al

Marrë nga portali “Gorkij”

Më 1 korrik 2024 u shua në Tiranë Ismail Kadareja, shkrimtar shqiptar, autor i mbi 80 librave të përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës, laureat i pothuaj të gjitha çmimeve të rëndësishme letrare ndërkombëtare (përveç “Nobelit”, ku ishte i nominuar dhjetëra herë dhe nuk e mori dot). Ishte 88 vjeç.

Në Shqipëri u shpall zi dyditore, u ulën flamujt në gjysmështizë, u krijua komision shtetëror për ceremoninë e varrimit, ditën e 3 korrikut, në orën 13:00, kur i gjithë vendi ngriu në një minutë heshtje. Kështu i varrosin presidentët.

Pas viteve ’90, shumë herë përfaqësuesit e të gjitha partive politike në Shqipëri donin ta bindnin që të bëhej president, por ai ka refuzuar kategorikisht. Disa javë para vdekjes u takua me të presidenti i tanishëm me bashkëshorten. E vizituan në kafe “Juvenilja”, ku zakonisht kalonte kohën e lirë me miqtë.

Kadareja ishte për Shqipërinë më shumë se president. Presidentë ka shumë. Kadareja ishte vetëm një.

Përse nuk njihej Kadareja në Rusi

Kur Kadareja u shpall fitues i çmimit inaugural “Man Booker International”, duke lënë pas në shortlist Márquez-in, Kundera-n, Grass-in, Lem-in,  Updike-un, Spark-un, Lessing-un dhe klasikë të tjerë të gjallë, një nga blogerët tanë letrarë shprehu një mosbesim të qartë: E kush na qenka ky Kadareja, më i preferuar se Márquez-i? Vërtet në atë vend të vogël ballkanik paska shkrimtarë të nivelit botëror? Mos ka ndonjë prapaskenë politike? Ndonjë çështje dite?

Më pas, si u njoh më afër me krijimtarinë e Kadaresë, e pranoi se ishte ngutur me dyshimet dhe shkroi: Jo, ky Kadareja është i duhuri. Keqardhje që te ne njihet aq pak.

Shkrimtar i njohur botërisht, laureat i çmimeve prestigjioze letrare, librat e të cilit botohen në dhjetëra vende, po përse në Rusi ishte kaq pak i njohur?

Në vitin 1989, në revistën “Inostrannaja Literatura” u botua romani i tij më popullor “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  më pas doli edhe një roman tjetër, që nuk ra në sy në kohërat e stuhishme të fillimit të viteve ’90, edhe disa tregime gjatë njëzet viteve po në këtë periodik dhe deri në fillim të vitit 2020 u kufizua vetëm me këto botime. Dhe bëhej fjalë për një shkrimtar të lidhur ngushtësisht me Rusinë, që zotëronte mrekullisht rusishten, që kishte studiuar në Institutin e Letërsisë “Gorki”. Në Moskë doli libri i parë i Kadaresë i përkthyer jashtë shtetit: përmbledhja me vjersha “Lirika” (1961), redaktuar dhe pajisur me parathënie nga David Samojllov. Del, pra, që duhej ta njihnin te ne qysh prej vitit 1960, por ndodhi krejt e kundërta: deri në fund të viteve ’80 emri i tij në BRSS u ndalua heshturazi dhe ia arritën që të harrohej. Më vonë, për shumë arsye, asgjë nuk ndryshoi.

Tradhtari

Në vitin 1985, njerëz të informuar dhe të lidhur me sektorin ideologjik të KQ-së së PKBS-së, deklaronin kategorikisht se Kadarenë nuk do ta botonin edhe pas njëqind vjetësh. Shkaku ishte i thjeshtë: ai studioi te ne në Institutin e Letërsisë,  pastaj botoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, në të cilin, duke shfrytëzuar njohuritë e marra, “përhapi thënie të pavërteta për rendin shoqëror dhe shtetëror sovjetik”. Faktikisht, kjo quhej tradhti. Por kohërat ndërrojnë më shpejt se ç’mund ta marrësh me mend.

Tashmë në vitin 1987, në revistën “Inostrannaja Literatura”, Çingiz Ajtmatov nisi të shqyrtojë seriozisht mundësinë e botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pa marrë parasysh kundërshtimet e organeve partiake dhe në vitin 1989 ky roman u botua. Tirazhi i revistës ishte në atë kohë pothuaj gjysmë milioni ekzemplarë. U duk se Kadarenë tashmë publiku që lexonte do ta njihte dhe ai me siguri do të zinte vendin e tij midis autorëve të huaj që ishin bërë popullorë në Bashkimin Sovjetik. Por ndodhi që BRSS-ja u shpërbë, filluan vitet e turbullta ’90. Madje, i përkthyer dhe i botuar me ngut, romani antisovjetik “Dimri i vetmisë së madhe” (në rusisht i përkthyer me titullin “Dimri i ashpër”), për të cilin ai ishte futur në listën e zezë të KQ-së, nuk tërhoqi kurrfarë vëmendjeje. Në fillim të viteve ’90 ishin në kulmin e tyre botimet më sensacionale, njëra pas tjetrës hiqeshin tabutë e dikurshme, kurse libri i botuar i një autori shqiptar jo aq të njohur, për më tepër me një kopertinë gri të errët jo aq tërheqëse, nuk mund të binte në sy. Si fenomen letrar thjesht nuk e vërejtën, kurse për mesazhin e tij antihrushovian tashmë askush nuk ishte i interesuar.

Në fund të viteve ’90 filluan problemet me Serbinë dhe Kosovën, dhe Kadareja ishte shqiptar. Pastaj Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Gjithë kohën Kadareja nuk ishte në rendin e ditës te ne, ishte në fazë të kundërt me tendencat në zhvillim. Procesi letrar më së shumti varet nga lidhjet personale, prania në shfaqjet publike, interesi i botuesve. Botuesit nuk donin të rrezikonin. Disa adhurues të letërsisë frënge, që e konsideronin Kadarenë shkrimtar francez (jo pa bazë), kur vinin në Rusi, sinqerisht habiteshin: si kështu, ndoca shkrimtarë të rendit të dytë apo të tretë ishin popullorë në Rusi, botoheshin me tirazhe të stërmëdha, i ftonin për të folur në salla koncertesh, shkruanin me entuziazëm në kronikat mondane apo me skandalet që kishin lidhje me këta libra, kurse për Kadarenë, shkrimtarin e rendit të parë, librat e të cilit ishin në raftet e librarive të të gjithë botës midis Joyce-it dhe Kafka-s, shumë në Rusi as që kishin dëgjuar?

Nëse e nisim me Homerin

Kadareja ka lindur në vitin 1936, në qytetin përrallor të gurtë, Gjirokastër, në mbretërinë e Shqipërisë, ku sundonte mbreti me emrin Zogu i Parë (megjithëse Zogu, sado e çuditshme, është mbiemri, kurse mbretin e quanin Ahmet), i cili e quante veten pasardhës të princit mesjetar Skënderbeg, heroi që kishte udhëhequr një nga kryqëzatat, por edhe të Aleksandrit të Madh (aspak jomaqedonas, sikurse ta shpjegon çdo shqiptar: përderisa nëna e tij ishte nga Epiri, Aleksandri ishte ilir dhe ilirët ishin paraardhësit e shqiptarëve).

Në shkollë Ismaili i ri hyri kur tashmë sundonte mbretëria italiane, ku në vitin 1939 iu bashkua dhunshëm Shqipëria së bashku me Etiopinë dhe në tekstet shkollore poeti kombëtar i Shqipërisë (dhe i Etiopisë) ishte Dante. Qysh në bankat e shkollës Kadareja u njoh mrekullisht me letërsinë klasike, lexonte Homerin, Eskilin, Shekspirin.

Ismaili e mbaroi shkollën tashmë në pushtetin popullor dhe shkruante hartime për krijimtarinë e Majakovskit, po ashtu për Gorkin, Shollohovin dhe shkrimtarë të tjerë sovjetikë. Poeti i ri studioi në Universitetin e Tiranës. Botoi dy vëllime poetike: “Frymëzime djaloshare” (1954) dhe “Ëndërrimet” (1957). Pas përfundimit me sukses të Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tiranës, ai u nis për në Moskë.

Moskoviti i viteve gjashtëdhjetë

Mund të duket paradoksale, por udhëtimi për stazh pasuniversitar në Moskë, kryeqytetin e BS-së, qendrën e komunizmit botëror, solli një përfundim krejt tjetër me atë që, mbase, kishin llogaritur ata që e çuan Kadarenë pikërisht atje. Atij i eci që ata nuk e kuptuan qysh në fillim. Në epokën hrushoviane të shkrirjes së akujve Moska nuk ishte aspak gri apo e mërzitshme, sikundër kanë dëshirë ta paraqesin kinoregjisorët hollivudianë. Kurse Instituti i Letërsisë ishte një qendër e mendimit të lirë, liberalizmit, me një fjalë, gjithçka që më vonë u quajt disidencë. Moskovitët e lexonin me etje “Inostrannaja Literatura”, shkrimtarët më popullorë te publiku i gjerë ishin Hemingway dhe Remarque (portretet e amerikanit me mjekër vareshin në muret e apartamenteve të njerëzve të thjeshtë), kurse tek intelektualët – Sartri dhe Kafka.

Pikërisht me përkthimet në rusisht Kadareja u njoh me letërsinë bashkëkohore të Europës, SHBA-së dhe Amerikës Latine. Studentët e Institutit të Letërsisë lexonin edhe librat samizdat dhe në romanin “Muzgu i perëndive të stepës” Kadareja përshkruan se si ndeshi në auditorin e zbrazët një pirg me letra të shtypura me makinë shkrimi, ku lexoi një mbiemër të çuditshëm: Zhivago. Duke shfletuar tekstin e shtypur me makinë, Kadareja nuk pati interes dhe e la atë po në auditor. E dëgjoi përsëri këtë mbiemër në mbledhjen e përgjithshme të studentëve, ku po diskutohej për dënimin e Pasternakut. Në krah të tij ishte ulur një vajzë duke qarë, të cilën e mori për mbesën e shkrimtarit. Në fakt, ishte Irina, bija e Olga Ivinskajas, së dashurës së Pasternakut. Me Irinën u takua pastaj vetëm në shekullin XXI, në Paris.

Modernisti sovjetik

Kur David Samojllov, një njeri që kishte pasur probleme në jetë me pushtetin ndaj u tregua tepër i kujdesshëm, kur përgatiti për botim librin me përkthime të poezive të autorit të ri shqiptar. E quajti të domosdoshme ta paralajmëronte në parathënien e shkruar nga ai për ndikimet moderniste dhe avangardiste në krijimtarinë e Kadaresë. Ishte i bindur që kjo mund ta dëmtonte poetin, por nuk e rishkroi parathënien dhe e këshilloi Kadarenë të hiqte dorë nga botimi i librit. Poeti i ri pranoi me ngazëllim të quhej modernist dhe nuk pranoi të hiqte dorë. Studiuesit e letërsisë le të analizojnë se cilat poezi në këtë vëllim kanë ndikim nga Majakovski dhe cilat nga avangarda perëndimore, por gjithsesi ishte një fillim i shkëlqyer.

Nuk dihet se si do të ishte fati i mëtejshëm i krijimtarisë së tij, por pikërisht në kohën që Kadareja studionte në Institutin e Letërsisë ndodhi ndërprerja e marrëdhënieve Shqipëri-BRSS. Kadareja ishte i detyruar të kthehej në atdhe, i cili, përkundrejt pritjeve të shërbimeve inteligjente, pas shkëputjes nuk u kthye drejt Perëndimit, por në Lindje, në krah të Kinës, në konfliktin politik në lidhje me vlerësimin e figurës së Stalinit dhe më tej, pas shkëputjes edhe nga Kina, përfundoi në izolim të plotë.

Arratisja në BS, një përpjekje e dështuar

Situata në Shqipëri ishte aq ndrydhëse për autorin e ri (modernist dhe avangardist) sa, madje, mendoi të arratisej. Nuk zgjodhi Perëndimin. Zgjodhi Lindjen – Bashkimin Sovjetik. Në Moskë kishte të njohur, zotëronte përsosmërisht rusishten dhe prej aty, hamendësonte se si i huaj do ta kishte shumë të lehtë nëse domosdo i vinte rasti për të shkuar në Perëndim.

E planifikoi arratisjen në vitin 1962, kur ishte i ftuar në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve në Helsinki. Historia e arratisjes së dështuar është rrëfyer imtësisht nga fjalët e tij prej bashkëshortes së Kadaresë, Helenës, në librin e saj të kujtimeve, “Kohë e pamjaftueshme” (2011). Para se të nisej ai ua dha dorëshkrimet për t’i ruajtur miqve besnikë, u dha lamtumirën përgjithmonë atdheut dhe së fejuarës, pa i ndarë me askënd planet e tij. Në qoftë se dikush do ta dinte, atëherë në kohën e hetimit do ta konsideronin si bashkëfajtor.

Në kthim nga Helsinki, delegacioni shqiptar bëri një ulje në Pragë dhe  pas njëzet e katër orësh do të fluturonte për në Tiranë. Atëherë Kadareja iu drejtua ambasadës sovjetike me kërkesën për strehim politik dhe u paraqiti bashkëpunëtorëve të habitur të ambasadës librin e botuar në Moskë, ku dukej qartë portreti i tij. Ambasada, si u ndesh me këtë rast të jashtëzakonshëm, pavarësisht disa vonesave burokratike, e mori të arratisurin shqiptar dhe e strehoi në një hotel në Pragë, me një emër të fshehtë, që të nesërmen ta dërgonin në Moskë. Historia e mëtejshme na kujton një libër të Dostojevskit. Dhoma konspirative e ofruar nga ambasada ruse ishte aq ngushtë sa një varr. Pasi kishte vendosur i bindur që të arratisej, Kadareja s’dihet pse u kthye në hotelin ku ishte akomoduar delegacioni shqiptar dhe fjeti atje. Pastaj, duke llogaritur gjithë kohën se në cilin çast do të ishte më e përshtatshme që të shkëputej nga delegacioni shqiptar, shkon së bashku me të gjithë në aeroport dhe madje duke iu afruar shkallëve, ende përfytyron që të kthehet tani dhe t’ia mbathë. Kur avioni u ngrit, ai mori frymë i lehtësuar: tani nuk varej asgjë prej tij dhe nuk mund të merrte kurrfarë vendimi. Arratisja për në BS nuk ndodhi.

Shqiptari më i njohur në botë

Romani i parë i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një ngjarje letrare. Pasi e përktheu Jusuf Vrioni në frëngjisht, Kadareja u bë i njohur në gjithë botën. Franca u bë për Kadarenë porta për në botën perëndimore. Shumica e përkthimeve të veprave të Kadaresë nuk bëhej nga shqipja (sepse nuk kishte përkthyes të kualifikuar nga shqipja), por nga frëngjishtja. Luajti rol edhe fakti që Shqipëria nuk e kishte nënshkruar konventën e së drejtës së autorit. Ashtu sikundër edhe në BRSS, në Shqipëri përkthenin dhe botonin kë të donin, pa u trembur nga penalizimet.

Një nga përkthyesit më të njohur të veprave të Kadaresë në anglisht, David Bellos, duke u justifikuar, madje, ka shkruar një artikull të tërë se si duhej të merrej me një punë të pamenduar ndonjëherë, me ripërkthim (retranslating) të librave të Kadaresë nga frëngjishtja dhe jo nga shqipja, që ai nuk e zotëronte. Situata dukej pa rrugëdalje. Kadareja duhej ripërkthyer. Shqip pakkush dinte. Sido që të ishte, në vitet 1970 dhe 1980 Kadareja u bë shqiptari më i njohur në botë (pas Enver Hoxhës, kuptohet), prodhuesi i produktit kulturor që eksportohej, burimi i valutës së fortë dhe për hir të kësaj mori disa privilegje, që shqiptarët e thjeshtë s’mund t’i kishin, si mundësia për të udhëtuar jashtë shtetit.

Intervistë e Vaisilij Tjuhinit me Kadarenë për gazetën “Sankt-Peterburgskie Vedomosti”

Përse Kadareja nuk është Sollzhenicin

Në epokën e re, kur Kadareja nominohej për çmimin e radhës, fillonte një fushatë për diskreditimin e Kadaresë në qarqet letrare europiane (që përbëhej kryesisht nga shkrimtarë të nderuar nga vendet e ish-kampit socialist, por kishte edhe mjaft shqiptarë). Pjesëmarrësit e saj argumentonin se ai nuk mund të pretendonte autoritet moral, pasi gjatë sundimit të Hoxhës gëzoi të gjitha përfitimet, botoi, udhëtoi jashtë vendit dhe nuk ishte aspak i përfshirë në luftën politike kundër regjimit diktatorial. E akuzuan se nuk ishte si Sollzhenicini. Ai i pranonte qetësisht këto akuza. Po, ai nuk ishte Sollzhenicini. Ai merrej me krijimtari letrare dhe letërsia ishte për të lufta më sublime dhe më e rëndësishme.

Konfrontimi i hapur me regjimin më të ashpër në Europë mund të çonte në vetëm një gjë: ekzekutimin, ose, në rastin më të mirë, dënimin me pesëmbëdhjetë vjet. Atëherë askush nuk do ta dinte se ai ishte një shkrimtar i shquar dhe nuk do të kishte mundur të shkruante asgjë. Në fund të fundit, që Kadareja kishte të drejtën me vete dëshmon qoftë ai fakt që librat e shkruar prej tij në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, edhe sot e kësaj dite, përkthehen dhe ribotohen në të gjithë botën.

Të shkruash në kushtet e një diktature totale

Nuk mund të thuhet kurrë që jeta për Kadarenë ishte e lehtë. Rrethanat përcaktonin kushtet e ekzistencës dhe Kadareja shfrytëzonte mundësi të tilla, si: duke shkruar romane me temë historike, duke zotëruar gjuhën e Ezopit, mësoi si të kapërcente censurën. Romani “Pallati i Ëndrrave”, veprimet e të cilit zhvillohen në Perandorinë Pseudoosmane fillimisht doli para lexuesit me disa kapitujt, prej të cilëve përgjithësisht asgjë nuk ishte e qartë, dhe me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, në një vëllim me tregime dhe novela. Pas një viti autori e botoi tekstin e plotë të romanit dhe censura nuk funksionoi, sepse u mendua se bëhej fjalë për ribotim, madje nuk e lexuan me vëmendje fare. Pastaj u zhvillua plenumi i KQ-së, akuzat nga tribunat e larta, kërcënimet, ndalimi i librit dhe tërheqja e tij nga të gjitha libraritë. Por kaluan veçse dy javë nga momenti i daljes dhe i gjithë tirazhi prej njëzet mijë ekzemplarësh u shit krejt.

Dorëshkrimet e romaneve “Vajza e Agamemnonit”, “Qyteti pa reklama” dhe “Hija” u nxorën nga Shqipëria fshehurazi nga botuesi i tij francez sikur të ishin përkthime nga gjermanishtja dhe u vendosën në një kasafortë të një banke në Paris, me kushtin që të botoheshin në rast të një vdekjeje të papritur të autorit, për çfarëdo shkaku (duke përfshirë aksident automobilistik apo helmim nga ushqimi). Subjekti i romanit “Piramida” ka lidhje me ndërtimin e piramidës së Keopsit, por në shumëçka të kujtonte situatën në Shqipëri. Dorëshkrimin autori e fshehu te miqtë e tij besnikë para se të arratisej për në Francë. Kjo ndodhi në vitin 1990, kur emri i Kadaresë u shfaq në listën e përfaqësuesve të inteligjencies, e cila ishte në shënjestër të Sigurimit.

Kavalieri, akademiku, klasiku

Pasi mori nënshtetësinë franceze, Kadareja mund të botonte gjithçka që nuk mundi të botojë më parë dhe tashmë kishte mundësinë të shkruante ato që s’mund t’i shkruante më parë. Në shumë vende e konsiderojnë si autor francez dhe për këtë ka një arsye të fortë, sepse të gjithë librat e rinj dilnin pothuaj njëkohësisht në frëngjisht. Kadareja u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike, i dekoruar me Urdhrin e Legjionit të Nderit të të gjitha shkallëve. E kaloi jetën midis Parisit dhe Tiranës si dhe në vilën e tij buzë detit Adriatik. Por librat i shkroi në shqip dhe mbeti shkrimtar shqiptar.

Bilanc

Në vitin 2010 Kadareja erdhi në Moskë dhe foli para studentëve të Institutit të Letërsisë. Rezultat i këtij udhëtimi, në shumëçka i kushtëzuar nga nostalgjia e viteve të rinisë, ishte libri i fundit i shkrimtarit “Kur sunduesit grinden” (2018), një akord final i krijimtarisë së tij. Pas këtij libri Kadareja deklaroi se nuk do të shkruante më dhe e mbajti fjalën.

Është edhe më mbresëlënëse që libri i fundit i autorit me famë botërore i kushtohet letërsisë ruse dhe shërben si një lloj qendre organizuese për të gjitha veprat e tij “ruse” – përmbledhja me poezi “Lirika”, romanet “Muzgu i perëndive të stepës” dhe “Dimri i vetmisë së madhe”, disa tregime, skenari “Sorkadhet e trembura” sipas të cilit Yuri Arabov realizoi filmin “Gjirokastra”.

Në vitin 2021 nisi kthimi i Kadaresë në Rusi – doli përkthimi i “Pallatit të Ëndrrave” dhe vetë autori ka shkruar se ky roman është përkthyer në vende të ndryshme, por asnjë botim nuk i ka ngjallur kaq emocion sa ky version rusisht.

Pavarësisht jetës së gjatë dhe të vrullshme, në diçka vijoi të mbetet moskoviti i viteve gjashtëdhjetë, student i instituti të letërsisë me emrin Gorki.

Çfarë mund të lexojmë nga Kadareja

Për ata që nuk e zotërojnë gjuhën shqipe (pra, shumica e lexuesve) mbetet vetëm një alternativë – ta lexojnë Kadarenë në frëngjisht. Pikërisht në këtë gjuhë është përkthyer pothuaj krejt vepra e tij dhe nga frëngjishtja librat e tij përkthehen në gjuhët e botës. Në anglisht është përkthyer afërsisht një e treta e opusit të tij.

Në rusisht mund të lexohen veprat që tashmë janë botuar: “Lirika”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, disa tregime në “Inostrannaja Literatura”, “Pallati i Ëndrrave”.

Së afërmi do të dalin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (një përkthim i ri, i bazuar në botimin e fundit të veprës së tij të plotë); “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi”, në një vëllim; disa kapituj nga “Kur sunduesit grinden” do të botohen në “Inostrannaja Literatura” në nëntor të këtij viti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora