Përjetësi » Kadare
Sabri Hamiti: Triumfi i artistit
E diele, 07.07.2024, 06:52 PM
Triumfi i artistit
Nga
Sabri Hamiti
Shpjegimi
mund të gjejë arsye vetëm në rrethanat politike dhe kulturore shqiptare. Ismail
Kadare në aktin krijues letrar është një i rebeluar i metodës sepse në anën
tjetër ai ende formalisht, me shkrim, mbron Realizmin Socialist në Shqipëri si
metodë krijuese. E thënë me gjuhën e letërsisë këtu kemi triumfin e artistit
sepse askush nuk mund ta mohojë që zëri i tij artistik të jetë bërë jehonë e
identitetit shqiptar në botën e jashtme
Ismail
Kadare ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër. Ka kryer liceun në qytetin e
lindjes, pastaj ka bërë studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës.
Më
1958 shkon në Moskë për studime letrare në Institutin e Letërsisë Botërore
“Maksim Gorki” (1958-1960). Kthehet në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve
shqiptaro-sovjetike më 1960.
Ka
punuar disa vite si gazetar në të përjavshmen letrare “Drita”, dhe më pas ka
qenë shkrimtar në profesion të lirë.
Ka
qenë deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë në tri legjislatura
(1970–1982).
Në
vjeshtën e vitit 1990 Ismail Kadare largohet nga Shqipëria komuniste dhe merr
strehim politik në Francë. Rikthehet në atdhe në vitin 1992, mbas ndryshimeve
demokratike në vend. Mëpastaj ka jetuar edhe në Paris edhe në Tiranë.
Botimi
i parë letrar i Kadaresë është përmbledhja me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954),
si 18 vjeçar, dhe vijon me vëllimin tjetër “Ëndërrime” (1957). Bëhet i njo¬hur
me vëllimin poetik “Shekulli im” (1961); janë të njohura edhe vëllimet “Motive
me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Më vonë ka botuar vëllime me poezi të
zgjedhura duke shtuar dhe poezi të reja.
Frymëzimet
dhe ëndërrimet më vonë plotësohen me motive dhe shtresime të kohës. Vepra e tij
poetike shquhet për figuracion origjinal dhe rol emancipues në poezinë shqipe
të kohës.
Veprat
letrare më të rëndësishme të Ismail Kadaresë janë të shkruara në trajtë të
prozës së shkurtër, tregimit, novelës dhe të romanit. Ai, sidomos, u dallua në
formën e romanit, për t’u bërë romancieri më i rëndësishëm i letërsisë shqip¬e.
Romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), është vepra që ia
siguroi famën letrare, më parë në Shqipëri e mëpastaj edhe në gjuhë të tjera.
Romanet e tjera të dalluara janë: Kështjella (1970), Kronikë në gur (1971),
pastaj Muzgu i perëndive të stepës (1978), Kush e solli Doruntinën (1979),
Prilli i thyer (1980) dhe Pallati i ëndrrave (1980). Kadare romanet e tij,
qoftë të trajtave të afreskut, qoftë të trajtave të zgjidhjes së enigmës, i ka
ribotuar më vonë edhe në variante të dyta, trajta që prekin edhe çështje të
motiveve, e sidomos të regjistrit gjuhësor e stilistik. Ky është nivel i
rikrijimit që është dëshmuar me argumente në librin e tij eseistik “Ftesë në
studio” (1990). Në syzime të veta të
mëvonshme autori ka theksuar që shquan dorëshkrimet e veta të hershme në prozë
(“Qyteti pa reklama”, fundi i viteve ‘50, dhe “Përbindëshi”, dorëshkrim i
hershëm, botuar më 1991). Romani “Çështje të marrëzisë” (2004) lidhet si
reminishencë me atmosferën e moteve të rinisë së hershme dhe të vendlindjes së
autorit. I këtij orientimi apo më parë i kësaj atmosfere është vepra e tij e
mëvonshme “Kukulla” (2015), e cila karakterizohet me kryqëzimin e fiksionit me
faksionin në mënyrë të re, duke ruajtur edhe çrëndomtësimet e hershme për të
krijuar përmes nanës amëzën e habitatit fundamental letrar të autorit.
I
pajisur me talent të jashtëzakonshëm, që në moshën jomadhore (që na e kujton
pak Rembonë), dhe i kulturuar letrarisht deri në nivelin e diturakut me moshë
(që na e kujton pak Gëten), Ismail Kadare shfaq daimonian dhe egon krijuese që
nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh. Kjo paraqitet në trajtë letrare dhe në
formë konceptuale të eseut. Në këto ese, Kadare shfaqet simbas Kadaresë. Në
librat “Eskili ky humbës i madh” (1990), “Ftesë në studio” (1990), “Ardhja e
Migjenit në letërsinë shqipe” (1991), “Dialog me Alain Bosquet” (1996), “Dantja
i pashmangshëm” (1995), “Hamleti princ i vështirë” (2006), “Identiteti europian
i shqiptarëve” (2006), lakohet trazimi universal letrar e kulturor me letërsinë
identitare, duke u nisur nga “arqipelagu homerik” (term i vetë atij) dhe
rrjedha e tij kohore deri në të tashmen, për të rimarrë temat e vjetra në kohët
e reja. Shkrimtari modern dhe bashkëkohor njëherazi mbështetet te letërsitë e
tjera si te “Vajza e Agamemnonit” (2000), “Pasardhësi” (2004), që ngjiten në
kanonin kulturor e letrar perëndimor dhe mbështetet në monumentet e identitetit
kulturor nacional, siç duket në veprat: “Kush e solli Doruntinën” (1979),
“Prilli i thyer” (1980), apo edhe vetë “Kështjella” (1970). Procesi i rinimit
letrar të komunikimit të kohëve të larguara nga njëra-tjetra prek mënyrën e
thurjes së tekstit, prek nivelin e moralitetit letrar dhe ligjërimin letrar që
e njeh idiomën, por e tejkalon me shprehje të reja mbështetur në fjalëformimin
origjinar të shqipes.
Përfundimisht,
Ismail Kadare me këtë koncept krijues don të arrijë te gjendja e shpjegueshme e
identitetit kulturor shqiptar në gjirin e kulturave perëndimore. Ky mund i
pafund krijues këtij autori i sjell meritën të jetë në rrjetin e shkrimtarëve
të kanonit perëndimor të Harold Bllumit.
Duhet
të kihet në vëmendje që koleksioni i parë i veprave të zgjedhura të Ismail
Kadaresë në shqip është botuar më së pari te “Rilindja” e Prishtinës në vitin
1980. Parathënia e koleksionit është bërë nga Ibrahim Rugova, i cili veprën e
këtij shkrimtari e cilëson që në titull: “arti i dhembjes universale”. Është
viti kur Kadare vjen në Prishtinë në promovim dhe pritet me entuziazmin e
paparë për një shkrimtar bashkëkohor. Një shkrimtar identitar nuk mund të mos
prekej nga dashuria deri në adhurim për gjakimin e lirisë në Kosovë. Drama e
mëtejme edhe e përgjakshme e Kosovës, në vitet në vijim, e provuar nëpër
ankthin ekzistencial, do të bëhet temë letrare dhe përtejletrare e Kadaresë në
veprat: “Krushqit janë të ngrirë” (1981), “Tri këngë zie për Kosovën” (1999) dhe
“Ra ky mort e u pamë - ditar për Kosovën” (2000). Është koha kur Kadare
letërsinë për çështjen e Kosovës e përkthen edhe në veprim kulturor, duke
promovuar autorë të Kosovës (Qosja, Rugova), dhe në veprim politik e diplomatik
për statusin e saj.
Ismail
Kadare e ka fituar statusin e shkrimtarit të madh nacional në kohën e
diktaturës komuniste. Në të njëjtën kohë, me përkthimin e vrullshëm të veprave
të tij, më së pari në frengjisht, rrufeshëm e ka fituar po ashtu statusin e
shkrimtarit të madh shqiptar më së pari në kulturën frenge me veprat “Gjenerali
i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”. Kjo gjuhë ka marrë
statusin e amëzës letrare edhe për përkthimin e veprave të tij në gjuhë të
tjera të mëdha. Ky shkëlqim i rrufeshëm i shkrimtarit shqiptar vetvetiu e ka
bërë zërin e tij të pushtetshëm, edhe duke mos pasur pushtet politik real në
diktaturë. Është një fenomen i veçantë kulturor në letërsitë e quajtura të
Lindjes. Shpjegimi nuk mund të jepet me një fjalë zbuluese eureka! Shpjegimi
mund të gjejë arsye vetëm në rrethanat politike dhe kulturore shqiptare. Ismail
Kadare në aktin krijues letrar është një i rebeluar i metodës sepse në anën
tjetër ai ende formalisht, me shkrim, mbron Realizmin Socialist në Shqipëri si
metodë krijuese. E thënë me gjuhën e letërsisë këtu kemi triumfin e artistit
sepse askush nuk mund ta mohojë që zëri i tij artistik të jetë bërë jehonë e
identitetit shqiptar në botën e jashtme.
Një
parantezë. “Triumfi i artistit” (Le triomphe de l’artiste, 2017) është libri i
fundit i Cvetan Todorovit që është botuar në Paris mbas vdekjes së autorit.
Todorovi këtu studion fatet e artistëve në Rusi në mes viteve 1917-1941. Në
kapitullin “Epilog”, të shkruar si dëshmi fatale, përshkruan dënimet me vdekje
– pushkatim – të artistëve të famshëm të kohës.
Libri
i fundit i Kadaresë, “Kur sunduesit grinden” (2018), trajton raportin e
Pasternakut me Stalinin në variante, që është mbështetur thjesht në një
telefonatë që Stalini i bën Pasternakut lidhur me mendimin e tij për kolegët
shkrimtarë. Sprovë e rëndë nga e cila pëson edhe vetë Pasternaku. Libri i
Kadaresë është tmerrësisht autorefleksiv si shkrim i tij i fundit, madje edhe
krejtësisht personal. Edhe këtij Enver Hoxha i bën një telefonatë në zyrë (sa e
gjatë dhe e tmerrshme pritja fatale për të dëgjuar çka do të thoshte
diktatori). Frika është e dyfishtë:
çfarë do të thoshte diktatori nëse do t’ia pëlqente punën apo nëse nuk do t’ia
pëlqente. Prandaj, logjika e frikësimit diktatorial në këtë rast (kur grinden
sunduesit: diktatori e artisti) nuk funksionon. Triumfon artisti.
Një
meritë për zbulimin e veprës së vet para botës vetë Kadare ua jep përkthyesve
të shkëlqyeshëm të veprës së tij, së pari në frengjisht, Jusuf Vrionit dhe Tedi
Papavramit, Dejvid Bellosit dhe Xhon Hoxhsonit në anglisht, duke mos harruar as
përkthyes të tjerë në gjuhë të tjera.
Ismail
Kadare në botën shqiptare moti e ka statusin e shkrimtarit nacional, duke u
bërë lëndë e studiuar në të gjitha nivelet e shkollave, deri në Universitet. Në
letërsinë shqipe vepra e tij ka kohë që ka ndjekësit kadareistë. Në vitet e
fundit statusi i letërsisë së tij ka nisur të ngritet në këtë nivel në disa
universitete të jashtme, duke u bërë materie e studimeve të brendshme, me
tendencë për të pasur ndjekësit e tij edhe në kultura të tjera, status që në
Francë e kanë arritur më parë Milan Kundera dhe Danilo Kish. Kur pohohet kjo
merret parasysh venerimi i studiuesit të famshëm Rolan Bart, që pohon se vlerë
kanonike marrin veprat të cilat kalojnë nëpër mësimet në Universitet. Çmimi më
i dashur për shkrimtarin e gjallë duhet të jetë ai i lexuesit, të cilin
shkrimtari ynë e ka fituar edhe nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë edhe nga
Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Në anën tjetër, sot Kadareja nuk mungon në
asnjë enciklopedi serioze ku trajtohet kultura dhe bota shqiptare.
Shumica
e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës,
duke e bërë shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë. Ka qenë në listën e
ngushtë të kandidatëve për Çmimin “Nobel”. Është fitues i shumë çmimeve
ndërkombëtare, ndër të tjera:
- Në vitin 1992 mori çmimin Prix botëror Cino
Del Duca.
- Në vitin 2005 mori çmimin Man Booker
International.
- Në vitin 2009 mori çmimin Princi i Asturias
për letërsinë.
- Në vitin 2009 mori Çmimin e madh të
letërsisë në Tiranë.
- Në vitin 2015 mori Çmimin e Jerusalemit.
- Në vitin 2020 Çmimin Ndërkombëtar Neustadt
për Letërsinë.
Në
vitin 1996 u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe
Politike të Francës.
Në
vitin 2023, Presidenti francez Emanuel Macron i dha Ismail Kadaresë urdhërin e
Oficerit më të lartë të Legjionit të Nderit.
Ka
marrë titullin e lartë “Dr. Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, ka marrë
titullin e lartë “Dr. Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës dhe nga
universitete të tjera në botë.
Ismail
Kadare ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga
viti 1991, që na bën nder të veçantë.
Koha.net