Përjetësi » Kadare
Gjovalin Shkurtaj: Veprat e Ismail Kadaresë – jehonë madhështore e gjuhës shqipe
E diele, 14.07.2024, 08:05 PM
Veprat e Ismail Kadaresë – jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe vlerave etnokulturore e shpirtërore të kombit shqiptar
Nga
Akad. Gjovalin Shkurtaj
1. Prelud:
Më
1 korrik, kur mësova se Ismail Kadareja u nda prej nesh, ashtu siç isha në një
bar duke pirë kafen e mëngjesit, mora celularin dhe nisa në adresën e
akademikëve një shfrim të pikëllimit të
ligjshëm për Njeriun e Madh të letrave shqipe:
“Kjo
ditë e parë e muajit korrik erdhi me një kumt aq trishtues: qenka ndarë së
gjallësh Ismail Kadareja, poeti, shkrimtari, mendimtari dhe akademiku ynë, pak
të thuash më i lavdishmi i ditëve tona.
Natyrisht,
pikëllimi e dhimbja janë të mëdha, por duke parafrazuar Migjenin, do të thoshim
se është “dhimbje krenare”, është dhimbje për atë që na përfaqësoi e na bëri
krenarë në botën e letrave, duke u lexuar veprat e tij në mbarë hapësirat e
shqiptarisë, po edhe duke u përkthyer veprat e tij në frëngjisht e në shumë
gjuhë të botës.
Nuk
është sot rasti të përsërisim vlerësimet meritore për gjuhën e stilin e Tij,
për të cilat edhe është shkruar e do të shkruhet prapë, por le ta bashkojmë sot
dhimbjen e madhe me bindjen se burra si Isamil Kadareja i vijnë rrallë një
kombi të vogël dhe se ai, ashtu si Nënë Tereza, me emrin e lavdinë e tij e bëri
të madhe gjuhën shqipe dhe i la emër të madh Shqipërisë, u la krenari të
pavdirë Shqipërisë e kombit shqiptar.
I
qoftë e lehtë mbi shtat lëndina e Atdheut, për të cilin ai i bëri dhe malet të
mendohen dhe sot, pa dyshim, fushat dhe malet e Shqipërisë kanë rastin të
lëshojnë jehonë vajtimtare.
Durrës, 1 korrik 2024
2. Për gjuhën dhe prurjet
ligjërimore në veprat e Ismail Kadaresë është shkruar jo pak, edhe unë, në
rrjedhë të moteve, kam folur e shkruar artikuj e studime mirëfilli për prurjet
e kahet e fjalëkrijimit të tij. Po lejohem të përmend disa pika nga trajtimet e
mia për gjuhën e Kadaresë, të botuara në librin “Kadareja dhe fjala shqipe”
(bashkautor me Tefik Çaushin) dhe te librat e mi: “Pesha e fjalës shqipe” (UFO
Press, 2009) etj..
1.
Veprat e Kadaresë si jehonë madhështore e gjuhës shqipe dhe e kombit shqiptar.
2.
Gjuha shqipe dhe jetësia e saj në vizionin artistik të Ismail Kadaresë.
3.
Koncepti i Kadaresë për gjuhën si njësia themelore dalluese e kombit.
4.
Prurjet leksikore e togfjalëshat e shqipes së hershme e krahinore me vlerë
pohuese dhe fisnikëruese.
5.
Fjalë të përdorura me mëtime mirëfilli gjuhëpastruese: – ndajfoljet me -shëm:
ankthshëm, frikshëm; emrat me -najë (bornajë, sherrnajë, grunajë)etj.
Disa
vlerësime më të veçanta.
Kadareja
është i lidhur me shqipen e shqiptarinë si Anteu mitik me tokën. I nisur prej
një mjedisi si Gjirokastra, me pak tokë e shumë gurë, ai do të bënte pikërisht
“kronikën në gurë” të Atdheut të vet.
Gurët,
malet e ushtima e tyre do të ishin qysh në fillim të shkrimtarisë së tij “baza
e nisjes”së tij. Ashtu si Naimi, që e niste poemën e vet me vargun “O malet e
Shqipërisë…” edhe Ismail Kadareja metaforën më të fuqishme do të kishte
malet:”Përse mendohen këto male…”Dhe ai, si një mal i lartë, do të ngrihej mbi
të gjithë brezin e vet, duke na lënë aso
veprash që, pa dyshim, Shqipërinë e vogël e bëri të madhe, gjuhën shqipe e vuri
krahas gjuhëve më të lexueshme dhe prej saj, opusi letrar i Kadaresë do të botohej,
së pari, në frëngjisht në Francë, pastaj edhe në mbi 40 gjuhë e vende të tjera
të botës.
Nuk
kam qenë mik a shok i Kadaresë. Mund ta kem takuar tri a katër herë, në raste
tubimesh letrare dhe, në vitet e fundit, në Akademi, kur iu dha çmimi i karrierës.
Pra, kam qenë lexues dhe studiues e vlerësues i veprave të tij, sidomos i gjuhës dhe i konceptit të tij për rolin e shqipes si
tipari themelor përbashkues e njësues i kombit shqiptar; natyrisht kam qenë e
jam edhe adhurues i mjeshtërisë së tij
në njohjen, prurjet dhe përzgjedhjen e fjalëve e figurave, krahasimeve e
metaforave aq të mahnitshme e origjinale, si dhe të ndihmesave të tij të
pakundshoqe si fjalëkrijues e fjalëfisnikërues krejt i veçantë.
Kam
folur e shkruar për Kadarenë, jo pak në rrjedhë të viteve, artikuj, studime dhe
një libër “Kadareja dhe fjala shqipe” (bashkator me Tefik Çaushin).
Nuk
është rasti t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar, sepse janë dhe në librat e
mi të botuar “Ta duam e ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur” dhe “Pesha e fjalës
shqipe”. Do të theksoj se, kur ikin nga kjo jetë burra të mëdhenj si Ismail
Kadareja, botës së letrave (kritikëve, studiuesve, mësuesve dhe pedagogëve të
shkollave të larta e, mbi të gjitha, atyre që drejtojnë shtetin e institucionet
arsimore e kulturore, u bie detyra të veprojnë si bujqit mbas korrjeve të
begata:
Të
shtrojnë pyetjet: Çfarë na la? Çfarë të bëjmë me gjithë atë prodhimtari
shkrimore të madhe, të larmishme e të gjithnduershme: poezi, poema, balada,
prozë të shkurtër, tregime e novela, ese dhe sprova; prozë të gjatë, romane me
teamtikë të rëndësishme nga e shkuara dhe e sotmja e popullit tonë, vepra të
ripunuara e të përpajnuara në ribotimet e viteve të fundit etj..
Si
bujqit e mirë që, së pari, ndajnë e lënë në ruajtje farën; ndajnë kokrrat më të
shëndetshme për t’i mbjellë. Ndajnë drithin e bukës së përditshme dhe, duke e
shoshur e hedhur me kujdes, heqin dhe çdo grozhël a kllogjër që duhet lënë
mënjanë.
Për
mua, si “gruri i farës” dhe si “drithi i bukës” do të mbeten modeli i shkrimtarisë
dhe përzgjedhja e temave të shkrimtarisë nga Kadareja. Mbeten me vlerë të
pavdirë puna me gjuhën e vlerësimi për shqipen e shqiptarinë, pohimi i vlerave
dhe i jetësisë së shqipes si gjuhë pjellore e jo si “gjuhështerpë”, njohja dhe
pohimi i hireve të shqipes si gjuhë e një populli që është në anën e diellit e
në kundërvënie me hënën.
Le
të kujtojmë strofën kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:
“Si dritë e plotë ai
shtjellej
Me re dhe erë mbi Atdhe,
Një emër Gjergj e kish
si diellin,
Tjetrin si hënën,
Skënderbe.”
Motivin
e kundërvënies, Kadareja e ka zgjeruar më tej e më shquarazi te poezia “Gjuha
shqipe”. Aty, osmanët, bartësit e simbolit hënë, kundërshtarët e diellit u
hodhën në sulm të tërbuar, por kështjellat shqiptare më të forta nuk i pushtuan
kurrë. Këto kështjella janë “kështjellat e sintaksës” shqipe, janë palca e
gjymtyrët e gjuhës që mbeten të
pathyeshme.
Mua
si gjuhëtar, më ka ngazëllyer qëndrimi i drejtë i Ismail Kadaresë për gjuhën e
sotme letrare shqipe. Ai, disa herë, ka gjetur rastin dhe ka shprehur qartë e
prerë se gjuha shqipe e njësuar, ashtu si e kemi sot, është vepër me vlera të
mëdha kombëtare; ajo është farkuar e njësuar si fryt i një pune më se
shekullore të brezave të tërë të shkrimtarëve
dhe mendimtarëve përparimtarë të kombit
shqiptar. Kadareja, ashtu si gjithë krijuesit më të shquar shqiptarë të sotëm,
brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë, i mëshon pikërisht
përgjegjësisë gjuhësore të shkrimtarit.
Për
të gjitha këto, jam i bindur se Kadareja ynë i ka merituar të gjitha epitetet
dhe atributet e një mjeshtri të madh të
fjalës shqipe. Jehona e veprave letrare të Ismail Kadaresë është, në të
vërtetë, jehonë madhështore e gjuhës sonë
të ëmbël e të pavdekshme.
Ismaili
u nda sot prej nesh, por vepra e tij na mbetet
përjetë si pasuri e pavdirë e trashëgimi kombëtare për Shqipërinë dhe
shqiptarët.
Durrës, 3 korrik 2024
exlibris.al