E shtune, 09.11.2024, 12:27 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Prend Buzhala: Pavdekësia e Shkrimtarit (II)

E merkure, 10.07.2024, 07:27 PM


PAVDEKËSIA E SHKRIMTARIT, II

(Libri "Identiteti evropian i shqiptarëve" i Ismail Kadaresë (2006), si testament nacional)

Nga Prend BUZHALA

I Pavdekshëm Kadare do të mbetet edhe me temën jetike të identitetit evropian të shqiptarëve  që e ka trajtuar në letërsinë e tij dhe në esetë e në shkrimet e tij diskursive. Meqë debati për identitetin tonë u hap sidomos pas viteve '90 të shekullit që e lamë pas, si një koncept kompleks dhe i ndërthurur, që gërsheton dhe elemente historike, kulturore, gjuhësore dhe shoqërore dhe që e bëjnë popullin shqiptar të veçantë dhe të dallueshëm nga të tjerët; meqë u sulmuan nyjat e kryesore të këtij identiteti, Kadare nuk kishte se si të mos dilte me veprën e tij "Identiteti evropian i shqiptarëve" (2006), të cilin mund ta lexojmë si testament nacional.

.Sa të shurdhër do të kishim mbetur pa trajtesën e Kadaresë! Kur Identiteti kombëtar bëhet burim polemikash, na dalin në sipërfaqe shumë faktorë të ndërliqshëm të së kaluarës e të së tashmes.

1.

Interpretimi i historisë kombëtare është sa i ndërliqshëm, po aq edhe i nxitur nga ideologji e qarqe të jashtme, sidomos për figura e ngjarje historike që janë kujtesë dhe elemente të identitetit kombëtar; gjithnjë me përpjekjen që ato të rishikohen apo të ripërcaktohen, si trajtë e revizionizmi historik pa pasur fakte të reja dhe pa prodhuar perspektiva të reja kombëtare e historike. Këto interpretime ranë dhe po bien në kundërshtim me qasjet tradicionale që janë esenciale për identitetin kombëtar. Polemika nxitën edhe ngjarjet e periudhat e mbarsura me krime, ashtu skundër nxitën edhe trajtimi i figurave historike, për t'i sfiduar ato me një raconalizëm tipik antihistorik.

Në rastin dhe kontekstin shqiptar, interpretimet e ndryshme të historisë prodhuan polemika të mprehta, që nxitën edhe tensione politike, ideologjike, kulturore, por edhe fetare. Këso tensionesh u ngritën me debatet për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, pushtimin otoman, për Luftën e Dytë Botërore, si dhe për periudhën e komunizmit, me përpjekjet për t'i rishikuar dhe ripërcaktuar këto periudha. Madje, identiteti kombëtar dhe ai fetar ende nxisin këso tensionesh, sidomos nga mediat e nga disa qarqe ideologjike antikombëtare që me çdo kusht duan të prodhojnë zhurmë e kaos.

Të gjitha këtyre "pikave të nxehta" iu dha përgjigje të thuktë Kadare te vepra e tij, ashtu sikundër iu ka dhënë edhe te zhanret tjera letrare e joletrare. Shqiptarët kanë një traditë të gjatë të bashkëjetesës fetare, por përpjekjet për ta ripërcaktuar rolin e fesë në identitetin kombëtar, prodhuan polemika, sidomos kur kombit shqiptar i atribuohen dy identitete e dy qytetërime. Përkitazi me këtë interpretim, Kadare thotë:

"Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa."

Interpretimet e tilla mbi rëndësinë e identitetit fetar dhe kombëtar dhe marrëdhëniet midis tyre, e përçanë opinionin publik. Sado që këto polemika janë pjesë e rëndësishme e procesit të vazhdueshëm të ndërtimit të identitetit kombëtar, ato çojnë në tensione që e detyrojnë kombin shqiptar të ballafaqohet me sfida artificiale.

2.

Vepra e Kadaresë paraqet periudha të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, duke u përqendruar në marrëdhëniet tona me Evropën dhe me transformimin dramatik nga një izolim i gjatë i regjimit komunist në integrimin dhe bashkëpunimin me institucionet euroatlantike. Shqipëria komuniste kishte një qëndrim të egër anti-evropian, ku marrëveshjet me Evropën ishin të pamundura dhe të dënueshme. Kadare theskon se mosmarrëveshja ishte parimi themelor i regjimit, që shprehej përmes represionit dhe izolimit total. Në dhjetor të vitit 1990, me rënien e komunizmit, filloi një epokë e re. Slogani "E duam Shqipërinë si Evropa" simbolizonte dëshirën për ndryshim dhe integrim evropian. Kadare veçon edhe dy intervenime të NATO-s: më 1997 (në Shqipëri) dhe më 1999 (në Kosovë). Intervenimi i NATO-s me armë dhe forca ushtarake për të pajtuar shqiptarët, ishte një akt i jashtëzakonshëm që tregoi angazhimin e Evropës për të ndihmuar Shqipërinë në kohë krize. Një aspekt i rëndësishëm është se populli shqiptar pranoi pa rezistencë praninë e trupave të huaja, duke treguar dëshirën e tyre për paqe dhe bashkëpunim me institucionet euroatlantike. Ndërhyrja e NATO-s për ta  çliruar Kosovën nga regjimi serb, nënvizohet si një veprim simbolik i rëndësishëm. Ky akt tregoi përkushtimin e Evropës ndaj shqiptarëve dhe përforcoi lidhjet e tyre me kontinentin. Kësisoj, Kadare thekson Rigjetjen e Evropës së Humbur: se shqiptarët ndiheshin evropianë dhe e pranuan ndihmën e Evropës si një shenjë të rigjetjes së identitetit të tyre evropian.

Ky tekst zhdrivillon marrëdhëniet e Evropës me Ballkanin që kanë qenë gjithmonë kundërthënëse, por në rastin e Shqipërisë këto marrëdhënie kapërcenin çdo përfytyrim. Në mes të kësaj euforie evropiane, qeveria e parë demokratike bëri një lëvizje të papritur dhe të kundërthënëse, duke dërguar një delegacion në Xhedah dhe duke e anëtarësuar Shqipërinë në Ligën Islamike që është një devijim nga pritshmëritë për integrim evropian. Edhe pse opozita e majtë bëri njëfarë zhurme kundërshtuese, ajo nuk e rishqyrtoi anëtarësimin kur erdhi në pushtet. Kjo u interpretua si një përpjekje për të mjegulluar akuzat për filogreqizëm dhe për të përfituar nga ofertat joshëse të Dubait.

Ndërsa Shqipëria përpiqej të ndërtonte një strategji të qartë politike dhe të arrinte konsensus për integrimin në Evropë, lindën dilema filozofike dhe hamendje mbi identitetin kombëtar dhe kulturor të vendit. U shtruan pyetjet thelbësore shqetësuese: “A jemi evropianë apo jo?” dhe “Është Shqipëria Lindje apo Perëndim?” Këto hamendje e vinin në dyshim thelbin e identitetit kombëtar shqiptar. Teksti  Kadaresë  paraqet debatet që u ngritën, veçanërisht pas fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Shqiptarët ndiheshin të ndarë midis identitetit të tyre evropian dhe atij islamik. Kishte zëra, pra, se i përkisnin qytetërimit islamik po aq sa atij të krishterë, se shqiptarët nuk duhej të shtiheshin si tërësisht evropianë.

Shqiptarët kanë përjetuar periudha të vështira dhe traumatike në historinë e tyre, s me pushtimin otoman, ashtu edhe me periudhat e pavarësisë së kufizuar. Këto periudha kanë lënë pas shpërngulje masive dhe traumat e popullsisë në Kosovë, duke formuar një kontekst të rëndësishëm për kuptimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Kadare nuk i reshtet qëndrimet se fokusimi tek faktorët fetarë si kriter për identitetin kombëtar, e kufzon integrimin evropian për shqiptarët dhe prodhon kompleksitetin dhe diversitetin e identitetit shqiptar, duke e bërë atë më të ngushtë dhe më paragjykuar. Këto interpretime ndikojnë në konsolidimin e një kuptimi të përbashkët të identitetit kombëtar dhe të qasjes ndaj tij në një kontekst europerëndimor.

Të shumta, pra, janë edhe pengesat që ne ia vëmë vetvetes në këto integrime eurperëndimore.

Teksti i Kadaresë thekson se identiteti kombëtar shqiptar nuk është gjysmak apo i shtirë, por i qartë dhe i pandashëm. Ky argument bazohet në historinë e gjatë të Shqipërisë dhe lidhjet e saj të hershme me kulturën evropiane, si me gjuhën e historinë, ashtu edhe me trashëgiminë kulturore. Ai na dëfton se gjeografia e Shqipërisë dhe historia e saj para sundimit otoman, e tregojnë qartësisht përfshirjen e saj në kontekstin evropian. Përshkrimet e qyteteve të vjetra si Durrësi, Shkodra dhe Berati, lidhjet ekonomike dhe ushtarake me vende të tjera evropiane dhe gjurmët arkeologjike tregojnë për praninë e saj në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e tekstit i kushtohet Skënderbeut, i cili përmendet si një mit evropian dhe simbol i heroizmit kombëtar. Skënderbeu është një prej figurave historike më të shquara dhe të respektuara në historinë evropiane. Ai është përhapur në një spektër të gjerë veprash historike dhe artistike, duke e vënë atë në krye të luftës kundër ekspansionit otoman në Ballkan. Kjo e bën atë jo vetëm një hero kombëtar për shqiptarët, por edhe një simbol universal i rezistencës së ndërgjegjes evropiane kundër pushtuesve.

Kadare këtë e thekson, për ta kuptuar rëndësinë e këtij personaliteti historik si shpërblim evropian për kontributin e tij ndaj mbrojtjes së Shqipërisë dhe qytetërimt evropian kundër sundimit otoman. Në këso rastesh, nuk ka se si të mos ligjrojë edhe për zhvillimin e letërsisë së hershme shqiptare, me autorë si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, për të na dëshmuar se shqiptarët kanë pasur një trashëgimi të pasur kulturore që është pjesë e kontekstit evropian. Në këtë mënyrë, Kadare na fton ta kuptojmë më thellë identitetin shqiptar dhe si ky identitet është integruar dhe ndikuar nëpërmjet historisë dhe kulturës në kontekstin evropian. E, pra, identiteti kombëtar shqiptar nuk është gjysmak apo i shtirë, por i qartë dhe i pandashëm. Ky argument bazohet në historinë e gjatë të Shqipërisë dhe lidhjet e saj të hershme me kulturën evropiane, duke përfshirë gjuhën, historinë dhe trashëgiminë kulturore.

3.

Gjuha shqipe, si një element themelor i identitetit, ka qenë një forcë e përbashkët e bashkimit kombëtar, e cila ka shërbyer si mbështetje për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit shqiptar nëpërmjet shekujve. Diku tjetër Kadare thekson se ne jemi KOMB I GJUHËS.  Gjuha shqipe është identifikuar si elementi kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar, pavarësisht ndarjeve fetare. Pushtimi osman, sipas autorit, solli një fazë të egër të nënshtrimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve. Pushtuesit osmanë ndaluan kishat dhe shkollat, duke ndaluar praktikimin e gjuhës shkrimore. Në këtë kontekst, gjuha shqipe u identifikua si një element i rrezikshëm për perandorinë osmane. Megjithatë, edhe pse shqiptarët u ndanë në besime të ndryshme fetare, gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar qëndruan të pandryshuar dhe të unitetit nën këtë ndarje fetare.

Po kështu, si argument shërben edhe Kongresi  Manastirit, kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, Kongres që shpalli alfabetin latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhe ky akt ishte një kumt i qartë i evropianizmit shqiptar.  Po kështu, edhe ngjarjet që vazhdojnë me pavarësinë e shpallur më 28 nëntor 1912, ku flamuri i ri kombëtar shqiptar me shkabë dykrenore u ngrit, shënon një kthesë historike të lirisë së një pjese të Shqipërisë. Në këtë kohë, Evropa e njohu simbolin shqiptar si një pjesë e trashëgimisë historike të saj, e cila kishte rrënjë të thella në botën romako-bizantine. Fatkeqësisht, autoritetet evropiane nuk e mbështetën këtë frymë të lirisë dhe evropianizmit të shqiptarëve me një kujdes të mjaftueshëm, siç do të dëshirohej më vonë. Kjo prodhoi një pasiguri dhe mungesë të plotë të mbështetjes nga ana e Evropës në kohën e pavarësisë së parë të Shqipërisë.

Po ashtu, vë në dukje, se, pavarësisht nga ndarjet fetare, identiteti kombëtar shqiptar ruajti unitetin thelbësor dhe mbeti i pandryshuar, duke u përpjekur të kapërcejë ndarjen fetare dhe të mbetet i lidhur me atdheun dhe gjuhën e përbashkët. Në këtë kuptim, historia jonë nën pushtimin osman, shërben si një dëshmi e rëndësishme e qëndresës dhe rezistencës së identitetit kombëtar.

Debati mbi përpjekjet për ta integruar shoqërinë shqiptare në kontekstin evropian, si dhe përgjigjet kundër ndërhyrjeve osmane, thekson kontrastin dhe sfidat që shoqëria shqiptare ka përballur në ruajtjen e identitetit të saj. Ndikimit  i madh i pushtimit osman në historinë dhe zhvillimin e shqiptarëve, ka sjellë ndalimin e shkollave dhe kulturës shkencore për një periudhë të gjatë.

4.

Teksti e diskuton një çështje të ndjeshme: se si Rilindja Kombëtare u përpoq ta evropianizonte Shqipërinë. Rilindja Kombëtare shqiptare kishte një qëllim të qartë evropianist, duke u përpjekur të ndikonte në strukturat sociale, ekonomike dhe politike të vendit nëpërmjet adopimit të modeleve dhe vlerave evropiane. Ky synim ishte një reagim ndaj shekujve të sundimit otoman, ku Shqipëria ishte izoluar dhe kishte përjetuar një prapambetje të dukshme në raport me Evropën. Ky synim historik ndikoi në strategjitë dhe politikat e mbretit Zog për ta përforcuar identitetin kombëtar dhe për ta integruar vendin në kontekstin evropian. Sipas tekstit, Mbreti Zog I, që dinte mirë sfidat dhe rreziqet e identitetit kombëtar të Shqipërisë, adoptoi një strategji të qartë për të përforcuar identitetin kombëtar dhe për të integruar vendin në kontekstin evropian. Ai ndërtoi ura lidhëse me fuqitë evropiane, si një mënyrë për të siguruar mbështetje dhe për të forcuar pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Nga burrat e shtetit, mbreti Zog ishte një ndër ata që më së shumti u shqetësua nga një përsëritje e mundshme e haxhiqamilizimit. Përpjekjet e tij, shpeshherë të dëshpëruara, për një shtet shqiptar evropian, binin ndesh me fytyrën reale të Shqipërisë. Shqipëria ishte e vonuar. E përveç vonesës, ajo kishte një pengesë tjetër. Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo traditë mund të strehohej pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit. (Parazitë të shumtë do t’i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin.)”

Ëndrrat jugosllave për ta kontrolluar dhe për të ndikuar në Shqipëri, u realizuan përmes politikave dhe veprimeve të ndërmarra nga udhëheqësit komunistë si Enver Hoxha. Së këndejmi, Kadare praqet përpjekjet nga vende fqinje, veçanërisht të Jugosllavisë, që nga Lufta e  Parë Botërore për ta dobësuar identitetin shqiptar duke shfrytëzuar diferencat fetare dhe kulturore në Shqipëri. Kjo strategji ishte e përqendruar në zbehjen e identitetit kombëtar shqiptar për ta kontrolluar më lehtë popullsinë (favorizimin e komuniteteve myslimane, në mënyrë që të ndaheshin nga identiteti kombëtar dhe të ndjekin një identitet fetar më të ngushtë, që do ta bënte më të lehtë kontrollin e tyre dhe influencën e tyre). Jugosllavia dhe shtete tjera përpiqeshin të përhapnin një imazh të ndryshëm për identitetin shqiptar nëpërmjet të propagandës dhe politikave që favorizonin një identitet të përbashkët jugosllav mbi identitetin kombëtar shqiptar.

“Ëndrra jugosllave po njëmendësohej nëpërmjet Enver Hoxhës. Dhe ndodhi ajo që pritej, Evropa e harroi Shqipërinë. Me duar të lira tashmë, jugosllavët iu turrën identitetit shqiptar.”

Interpretimi i tillë ofron një vizion kritik të ngjarjeve historike dhe strategjive politike që kanë formuar identitetin dhe rrugën e Shqipërisë në kohët moderne.

5.

Te pjesa e gjashtë bëhet një analizë e historisë së ndërliqshme të Shqipërisë dhe Ballkanit gjatë shekujve të fundit, duke përfshirë periudhat e Rilindjes Kombëtare, komunizmit nën Enver Hoxhën, dhe sfidat e identitetit kombëtar shqiptar nëpërmjet presionit të vendeve fqinje, sidomos Jugosllavisë.  Në fund të tekstit, përmendet lufta e Kosovës dhe mbrojtja e popullsisë shqiptare nga pushtuesi serb. Kjo periudhë përcaktoi një moment kyç për identitetin kombëtar dhe për marrëdhëniet me Evropën dhe botën perëndimore. Lufta e Kosovës u shndërrua në një ngjarje e rëndësishme morale dhe strategjike, ku Evropa dhe SHBA-ja mbrojtën popullsinë shqiptare pa kërkuar ndryshime fetare, duke e paraqitur atë si një luftë për liri dhe kundër agresionit etnik. Porse Evropa atlantike po emanciponte vetveten, duke u përballur me sfida të reja dhe duke ndryshuar paradigmat e mbrojtjes së të drejtave dhe lirisë në një kontekst global.

Kadare reflekton një këndvështrim të thellë historik dhe politik për rolin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Ballkan me marrëdhëniet e tyre me Evropën dhe botën e gjerë nëpërmjet periudhave të ndryshme historike.

Te pjesa e fundit struktura tekstuale përfshn: kontekstin hyrës, ekzaminimin kritik të sfidës perspektivën historike, reflektimet mbi identitetin dhe integrimin dhe përfundmin.

Fillimisht, teksti vendos kontekstin e kohës së shkruar (viti 2006) dhe identifikon çështjet kryesore që do të shqyrtohen, duke përfshirë ndërgjegjësimin e vazhdueshëm të shqiptarëve për marrëdhëniet me Evropën. Diskutimi vazhdon me një analizë kritike të sfidave dhe problemeve të brendshme në Shqipëri, me fenomene si korruptimi politik, tensionet fetare, dhe ndjenjat antievropiane të disa segmenteve të shoqërisë shqiptare. Autori ndërton një perspektivë historike duke rikujtuar mbështetjen e Evropës për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet 1997-1999 dhe rolin e saj në promovimin e emancipimit dhe demokracisë në rajon.

Teksti na ofron reflektime mbi identitetin e kombit shqiptar dhe përpjekjet për t‘i përballuar sfidat e integrimit me Evropën. Përmendet se pengesat për këtë integrim duhet të adresohen brenda shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

. Gjithashtu, përmendet mungesa e kujtesës politike dhe korruptimi i politikanëve, duke ndikuar në ndjenjat antievropiane të disa qarqeve të shoqërisë.

„Në kohën e tanishme, viti 2006, çështja e raporteve të shqiptarëve me kontinentin nënë, është ende në zhvillim e sipër. Të ndërgjegjshëm për një pjesë të gjërave, shqiptarët paraqiten po aq të pandërgjegjshëm për të tjerat. S’është fjala vetëm për mosmirënjohjen që shfaqet aty-këtu. Për qirinjtë e shuar fill pas kapërcimit të tmerrit dhe për nervozizmin kundër katedrales, që askush nuk ua kërkoi si shpërblim për asgjë. E bashkë me katedralen, murmurima e panjerëzishme kundër Rugovës të porsaikur, që me funeralin e tij i bëri një shërbim të fundit Kosovës. (Ka gjasë që prania e fuqishme evropiane në këtë mort të ketë rizgjuar ca demonë të vjetër.)“

Më tutje , duke  zhdrivilluar qëndrimet atdhedashëse, sidomos të shqiptarëve  myslimanë kundër turqve otomanë, që ishin në vijën e parë, thekson se  „feja e njëjtë me pushtuesin, nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Kështu, Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé.“ Shqiptarët myslimanë ishin përfshirë aktivisht në rezistencën kundër pushtimit osman, edhe pse ata ndoqën të njëjtën fe si pushtuesit. Kjo situatë nuk i pengoi ata të mbajnë idenë e tyre për liri dhe pavarësi.

„E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë.”

Pavarësisht se shqiptarët ndoqën fe të ndryshme, ata nuk u pajtuan kurrë me ideologjinë e shovinistëve fqinj dhe mbajtën gjithmonë të ndezur flakën e lirisë kombëtare.

Nëse pranohet fakti se shqiptarët për gjysmën e tyre i përkasin edhe qytetërimit lindor, atëherë kësisoj, sipas autorit, pranohet NGADHËNJIMI I VONUAR TË SHTETIT OSMAN në gadishullin ballkanik, ku shqiptarët ishin një nga popujt që u prekën më së shumti nga ky ndryshim, edhe pse nuk u ndryshuan nga konvertimet apo pushtimet. Kjo nuk do të thotë që identiteti kombëtar shqiptar u ndryshua nga pushtimet ose konvertimet, duke nënvizuar se kombet mbeten të pandryshueshme në këto aspekte.

6.

Qëndrim kritik Kadare mban ndaj, siç thotë ai, një nostalgjie të përkeqësuar për otomanizmin në Shqipërinë e sotme, e cila shihet si një gjë poshtëruese dhe fantazma e Haxhi Qamilit që shpesh paraqitet në kulturën dhe historinë shqiptare. Autori kritikon vendosjen e një shtatore otomane në Tiranë, e cila u shpall si themelues i qytetit, si një fyerje për kryeqytetin dhe historinë shqiptare. Kjo veprimtari konsiderohet simbol i korrupsionit politik dhe moral, duke distorcuar historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit: “Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet.”

Ideja se Shqipëria si një vend ndërmjetës Lindjes dhe Perëndimit, është një klishe e gabuar dhe e dëmshme për identitetin kombëtar shqiptar.

Fokusimi autorial në historinë dhe identitetin shqiptar, refuzona interpretimet që shpërdorin këtë identitet për qëllime politike apo ideologjike të caktuara. Kritika që i bëhet korrupsionit dhe moralit të errët në politikën shqiptare, ishte një pengesë për zhvillimin e vendit drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqendrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA - Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik.”

Është thelbësor kjo pjesë teksti, një si amanet brezash:

“Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre që mban emrin shqiptar. Programi i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat, strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit. Ky është thelbi i idesë evropiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Evropian, ai që ndryshe quhet Evropa e Kombeve. Ne nuk e kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë.”

Pra, teksti pohon se misioni i shqiptarëve është mbrojtja e interesave të vendit të tyre, Shqipërisë, dhe të popullit shqiptar. Teksti përshkruan historinë e Ballkanit si një zonë që ka përjetuar ndikimin e madh të Perandorisë Osmane.

Ballkanit. Interpretimi kadarean përmend një evolucion paralel të historisë, ku në planin e jashtëm, Perandoria Osmane ishte një forcë dominuese që shkaktoi shkatërrime dhe ndryshime të mëdha në rajon, ndërsa në planin e fshehtë, ajo pësoi humbje dhe rënien e saj gradualisht.

Është amaneti i rikthimit në Evropë dhe i identitetit evropian të shpiptarëve. Mu ashtu siç mbetën vargjet testamentore të Naimit: “Jak' o dit' e uruar! /Që lind nga perëndon...”

3 korrik 2024



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora