Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare: Identiteti evropian i shqiptarëve
E diele, 07.07.2024, 08:00 PM
Identiteti evropian i shqiptarëve
Nga Ismail Kadare
Në shkurt
të vitit 2006, kryekomisioneri i Këshillit të Evropës, Baroso, fluturoi me
avion për në Tiranë, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shqipërisë së vogël me
kontinentin e madh evropian.
Disa vite
më parë fjala “marrëveshje” e përdorur për Evropën, do të ishte fatale në
Shqipëri, madje aq fort, saqë do të çonte në burg ose në pushkatim cilindo. Për
Evropën ishte e përshtatshme vetëm një fjalë, ajo e kundërta me marrëveshjen,
pra “mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshje e plotë, e palodhshme, e përjetshme.
Ky ishte
urdhri numër një i kohës. Programi i pandryshueshëm komunist. Thënë ndryshe:
verdikti kundër Shqipërisë.
Në
dhjetor të vitit 1990, ky verdikt u shkel me këmbë e u thye. Fjalët “e duam
Shqipërinë si Evropa”, ishin të parat që gjëmuan në trajtën e një himni, e një
programi të ri. E bashkë me to, disa javë më pas, shtatorja e njeriut më
antievropian që kishte njohur ky vend, u thye e u zvarrit gjithashtu.
Që nga
ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore
për shqiptarët.
Më 1997,
kur për turpin tonë, shteti shqiptar ra, ishte Evropa që na u gjend në
fatkeqësi. S’na erdhi ashtu siç e kishim pritur: me viza, para dhe, Zoti e di
çfarë, por me armë dhe topa, për të na pajtuar me njëri-tjetrin. Përpara se
Evropa me NATO-n të merrnin këtë vendim të madh, disa herë u ngrit dyshimi se
mos shqiptarët e ndërkryer, ashtu të armatosur siç ishin, të qëllonin trupat
ndërhyrëse.
Për fat
të mirë, kjo nuk ndodhi. Midis marrëzisë, populli shqiptar e bëri së paku një
gjë të mençur. Në vendin ku mosprekja e kufirit prej çizmes së ushtarit të
huaj, ishte kthyer në mit, asnjë armë, qoftë edhe për zakon, nuk u shkreh
kundër ushtrisë euroatlantike. Ishte hera e parë që në historinë shqiptare
ndodhte një gjë e tillë. Ajo ishte një dëshmi e madhe: dëshmi prekëse, se atë
ushtri që po zbarkonte nga deti dhe nga ajri, shqiptarët e quajtën si të tyren.
Vetvetishëm
midis kaosit, pa retorikë integruese, pa u shtyrë prej askujt, shqiptarët
treguan qartë se ndiheshin evropianë. Ata nënshkruan kështu një akt monumental:
rigjetjen e Evropës së humbur.
Dy vite
më pas, si një përgjigje e mirëkuptimit, ndodhi e pabesueshmja. E njëjta ushtri
euroatlantike, me avionë, raketa e bombardime, ndërhyri për çlirimin e
Shqipërisë së jashtme, Kosovës.
U duk
sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund
për popullin e braktisur.
2
Nëse
marrëdhëniet e Evropës me më trillanin e tre gadishujve të saj jugorë,
Ballkanin, mund të thuhej se ishin kundërthënëse, ato me shtetin e vogël
shqiptar, e kapërcenin çdo përfytyrim.
Përpara
se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e
tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë.
Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike.
Opozita e
majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë,
ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar
anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E
para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i
interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i
saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata
të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën.
Kur u duk
se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë
politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye
disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e
kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në
anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë
politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin.
Ishin ca
hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse
hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është
Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë
Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu
edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
U dukën
si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente
shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata
që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt,
përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian?
Sa më
shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej,
aq më
S’ishte
mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e
s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionerit evropian Baroso,
ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u
shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë
deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja. Thelbi i shkrimit të tij
“Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, është përpjekje për të treguar se
shqiptarët vetëm përgjysmë i përkasin qytetërimit evropian. Sipas Qosjes
shqiptarët s’kanë pse të shtiren si evropianë, ngaqë ata “i takojnë qytetërimit
islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”.
I
turbullt, i cekët dhe i pasaktë, akademiku bie në kundërshtim me veten dhe
shkrimet e tij të mëparshme ku ai me të drejtë, ka qenë ithtar i vendosur i
tezës se atdheu është një, e fetë janë tri, pra, nuk janë fetë ato që
kushtëzojnë identitetin por tjetër gjë. E megjithatë, kur vjen puna për të
vërtetuar evropianizmin e munguar shqiptar, Qosja përdor pikërisht fjalët
“islamik” dhe “i krishterë” thua se një shqiptar i krishterë mund të jetë
evropian, por një shqiptar mysliman, kurrsesi!
Por
keqkuptimet në shkrimin e Qosjes nuk janë vetëm këto. Përveç nervozizmit të
papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e
hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë
Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime spikat diçka e errët dhe e
rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar.
Muzika
ngjan si e njohur.
Askush
nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një
komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë
se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti
evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk
është larg dëbimit nga Evropa.
Ky nuk
është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë
në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë
hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë.
Këto
shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një
kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të
zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej
etheve shoviniste.
Në këtë
përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej
tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga
Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere.
Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të
tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë.
Gjithë
strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen
e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”,
domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër
se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.
Ne e dimë ç’ndodhi. Evropa dhe SHBA-ja nuk ranë në kurth dhe kjo është një nga aktet më të ndritshme të qytetërimit perëndimor.
3
Përpara
se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të
hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të
tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me
radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë
gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që
s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar
“E duam Shqipërinë si Evropa?” Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa,
por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?” Shkurt mos jemi ata që
s’jemi?
E gjithë
kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave
të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla,
ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të
tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as
për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese.
Letrat e
Shqipërisë janë të qarta.
Populli
shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh
mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush
nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë.
Gjeografia,
gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i
atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa
herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas
saj
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane.
Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi,
Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e
ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë
janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike
greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e
mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një
tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht
grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer
në ditët tona.
Gjergj
Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e
ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari
një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për
të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj.
Emra të
mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e
tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në
Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara.
Në
kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj
Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të
shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në
prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të
turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj.
Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Evropës do të ishin më pas tepër të kursyera për ta.
4
Ishte e
natyrshme që krahas kësaj historie filoevropiane, e kundërta e saj do të
rrugëtonte paralelisht me të: kundërevropianizmi. Ai ishte i pashmangshëm
sidomos gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Programi kryesor i perandorisë,
misioni i saj i shpallur ishte pushtimi dhe shkatërrimi i Evropës mbarë. Merrej
me mend se sa e egër do të ishte kjo perandori me trojet e porsapushtuara të
kontinentit armik.
Dhe
egërsia nuk vonoi. Pas nënshtrimit fizik nisi ai shpirtëror. U lanë në këmbë
kishat, por u ndaluan shkollat dhe gjuha e shkruar. Me sa duket qysh atëherë u
kuptua se kishat, duke qenë dyllojëshe, katolike dhe ortodokse, ishin më pak të
rrezikshme se gjuha, e cila ishte një. Shumë shpejt një besim i ri, do t’u
shtohej të parëve, feja myslimane me xhamitë e saj. Por gjuha do të ishte prapë
një, ashtu siç ishte identiteti i popullit.
Ky i
fundit, qysh atëherë, natyrshëm e zuri vendin e vet mbi tre besimet kryesore të
shqiptarëve. Qëllonte që brenda një familjeje të gjëllinin përbri besimi
katolik dhe mysliman, të ndarë midis vëllezërve. Nisur nga kjo, s’duhej ndonjë
filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti,
ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një. Kishim pasur një atdhe për të
tre besimet dhe kjo s’do të ndryshonte, dhe kjo s’mund të ndryshonte kurrë.
Nostalgjikët
e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë
kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të
mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të
kapur përmasat e së keqes.
Shqipëria,
ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i
saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i
padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit
dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet
e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e
martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
Lufta për
zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme
dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të
tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia
dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i
përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej
murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë
dygjuhëshe shqiptaro-latine.
Gjatë
kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me
qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos
asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e
morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte
thellësisht e pamoralshme.
E
paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme
tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin
tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal,
por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej,
madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta
paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për
homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme!
Por kjo
punë ishte më e ndërlikuar. E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të
madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne i
dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato
gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne
prapë shtiremi se nuk i kuptojmë.
Mjafton
njëfarë përqendrimi në këto tekste e këto melodi, mjaftojnë dëshmitë e shkruara
të kohës, për të kuptuar se cili është thelbi i kësaj nënkulture, të futur
kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor. “Çunat e vegjël”, adoleshentët,
dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e
moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër,
ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme.
Ende nuk
dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me
asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një
program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin
veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e
lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër
kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me
programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë
burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë
që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.
Pas
tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur
shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte
shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse
identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të
fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
Por nuk
ndodhi ashtu.
Fill pas
ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në
vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si
mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe
klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam
robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin
shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur.
Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht.
5
Nga
burrat e shtetit, mbreti Zog ishte një ndër ata që më së shumti u shqetësua nga
një përsëritje e mundshme e haxhiqamilizimit. Përpjekjet e tij, shpeshherë të
dëshpëruara, për një shtet shqiptar evropian, binin ndesh me fytyrën reale të
Shqipërisë. Shqipëria ishte e vonuar. E përveç vonesës, ajo kishte një pengesë
tjetër. Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për
ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo traditë mund të strehohej
pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit. (Parazitë të shumtë do t’i
ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të
fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin.) Por jemi ende në fillim të
shekullit.
Faik
Konica, qysh pa u përmbysur perandoria, u drejtoi një thirrje “muhamedanëve
shqiptarë”. Thirrja ishte profetike: otomanët po rrëzoheshin, ç’do të bënin
myslimanët shqiptarë?
Konica
dhe gjithë mendjet e ndritura të kohës e kuptonin se çështja e myslimanizmit
shqiptar, ishte në të vërtetë çështja e ekzistencës së Shqipërisë. Vetëm me të
krishterët Shqipëria nuk mund të bëhej. Ndaj programi i një Shqipërie
evropiane, ishte i pandarë nga ai i një myslimanizmi kombëtar e njëherësh
evropian.
Shqiptarët
ishin familjarizuar ndërkaq me idenë se identiteti shqiptar, duke qenë një,
qëndronte vetvetiu mbi të tre besimet e tyre. Të tre ata ishin njëlloj të
ligjshëm dhe çdo fryrje e njërit në dëmtim të tjetrit, do ta prishte
drejtpeshimin historik. Pra do të kishte tre përbërës të një identiteti dhe jo
një identitet i ndarë më tresh.
Natyrisht që kjo çështje e zgjidhur parimisht e filozofikisht, gjatë kohës kur ende Shqipëria nuk ekzistonte si shtet më vete, paraqitej më e ndërlikuar në kushtet e pavarësisë.
Mbreti Zog, i cili u ndesh me të, do ta kuptonte se një shtet
shqiptar në Evropë nuk mund të mbahej në këmbë jashtë zakoneve të kontinentit:
aleancave, traktateve e gjeostrategjisë, me fjalë të tjera, jashtë kushtëzimit
evropian. Për ta përshtatur vendin me këto zakone të reja, ai e quajti të
ngutshme nxjerrjen e ligjeve dhe dekreteve që rregullonin marrëdhëniet e të tre
besimeve me shtetin. Merrej me mend që një vend të rëndësishëm do të zinin
çështjet e besimit mysliman. Ndër to, kryesorja ishte ndarja e tij me çmërsin e
shtetit të perënduar osman. Kështu ai nxori dekrete që disa herë u dukën tejet
të guximshme e të parakohshme, si ai për ndalimin e qylafit turk për burrat,
ose të ferexhesë për gratë. Dekreti i tij më befasues ishte ai i ndryshimit të
lutjes në gjunjë. Duke u nisur nga një nyje e Kanunit të moçëm, që ndalonte
rreptësisht rënien në gjunjë të burrave, e që një burrë të gjunjëzuar e quante
të vdekur moralisht, mbreti, nëpërmjet Bashkësisë Islame, urdhëroi myslimanët
shqiptarë të faleshin këndej e tutje pa e ulur dinjitetin shqiptar, domethënë
në këmbë!
Dhe ashtu
u bë. Mund të dukej se mbreti Zog, në përpjekje për krijimin e “myslimanit
evropian”, po kryente ca bëma që mund të dukeshin donkishoteske. Por s’ishte
fare ashtu. Në të njëjtën kohë afërsisht, sado e habitshme të dukej, në Turqi,
në bërthamën e ish-perandorisë së rroposur, po përparonte ideja e një “Turqie
evropiane”.
Po
vërtetohej ideja e rilindësve se myslimanizmi shqiptar nuk do të ishte pengesë
për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.
Ndërkaq,
në hapësirën shqiptare, që kishte mbetur jashtë kufijve shtetërorë, po ndodhte
një zhdrivillim i kundërt. Rrethet shoviniste në vendet fqinje, kryesisht në
Jugosllavi, e kuptuan shumë shpejt se mund ta shfrytëzonin myslimanizmin kundër
identitetit shqiptar. Si vende të krishtera që ishin, do të ngjante e
logjikshme që ato të përpiqeshin të dobësonin myslimanizmin te shqiptarët. Por,
për një paradoks të madh, ato bënë të kundërtën. Dukej qartë se ajo që i
shqetësonte ata nuk ishte myslimanizmi, por identiteti shqiptar. Ndaj në mënyrë
të ethshme shpresonin që me anë të fesë t’i merrnin frymën identitetit.
Strategjia
e tyre ishte afatgjatë. Sa më shumë që shqiptarët të ngjanin jo si shqiptarë me
besime të ndryshme, por thjesht si myslimanë pa komb, aq më të huaj do të
dukeshin në sytë e Evropës. Dhe kështu, Evropa, e mësuar me zakonin e mbrapshtë
që popujt myslimanë t’i përftonte më lehtë si koloni, se sa si popuj sovranë,
të tillë do t’i përftonte dhe shqiptarët, gjersa t’i harronte.
Shqipëria
zyrtare ndërkaq ishte pengesë për këtë harrim. Mbreti Zog sikur ta ndiente të
keqen, vazhdonte me dëshpërim evropianizmin e ngutshëm të vendit. Por një
ngjarje e beftë do të ndërlikonte gjithçka: pushtimi italian.
Nga
dëshpërimi dhe zia si një ngushëllim i papritur do të ishte bashkimi i Kosovës
me Shqipërinë. Por hareja për këtë s’do të vazhdonte gjatë. Pushtimin fashist
do ta zëvendësonte diktatura komuniste, më saktë një diktaturë dyfishe;
shqiptare dhe serbe, e para mbi vendin amë, e dyta mbi Kosovën.
Procesi i
evropianizimit jo vetëm u ndërpre, por urrejtja kundër Evropës, u bë baza e
strategjisë komuniste. Kjo urrejtje ishte dhurata më e çmuar që komunizmi
shqiptar u bëri jugosllavëve. Shqipëria u nda përsëri nga Evropa, këtë herë
edhe më tragjikisht.
Më
1947-ën, Enver Hoxha, të vetmen “sprovë historike” që shkroi ia kushtoi
himnizimit të Haxhi Qamilit. Urrejtja kundërevropiane u shkri me atë
kundërshqiptare si trupi me hijen e vet.
Ëndrra
jugosllave po njëmendësohej nëpërmjet Enver Hoxhës. Dhe ndodhi ajo që pritej,
Evropa e harroi Shqipërinë.
Me duar
të lira tashmë, jugosllavët iu turrën identitetit shqiptar.
6
Rretheve
shoviniste në Jugosllavi dukej se iu erdhi dita. Armiqësimi i Shqipërisë
komuniste me Evropën ishte argumenti më i mirë për ta, për t’i paraqitur edhe
shqiptarët e Jugosllavisë si kundërevropianë.
Thelbi i
strategjisë jugosllave mbetej i pandryshuar: të tkurrej, të shkonte drejt
tretjes shtati i këtij populli, që edhe pa këtë, ishte mpakur pa pushim. Ai nuk
po e kapërcente dot shifrën fatale, një milion, në kohën që popujt e tjerë
ishin katërfishuar e disa herë tetëfishuar.
Pra,
thelbi mbetej statusi i gjymtuar i Shqipërisë. Njëfarë gjenocidi i ftohtë, i
vazhdueshëm. Pyetja, a ka shqiptarë normalë, thënë ndryshe shqiptarë që ishin
vërtet shqiptarë, kishte përgjigje mohuese. Nga jugu, nga rrethet shoviniste
greke vinte ideja e mbrapshtë se ortodoksët në Ballkan, përveç sllavëve, ishin
të gjithë grekë, pra rrjedhimisht nuk kishte, madje nuk mund të kishte
shqiptarë ortodoksë. Ata që hiqeshin të tillë, nuk ishin veç grekë, që
rastësisht kishin mbetur brenda kufijve të Shqipërisë dhe që flisnin gjuhën
shqipe, natyrisht përkohësisht!
Të dehur
nga kjo ide, jugosllavët po josheshin nga një neps edhe më i madh: t’i
shkëputnin kombit të vjetër, një copë më të madhe: myslimanët. Ndryshe nga
mënyra greke, që kujtonin se marrëzinë e tyre mund ta arrinin me ca shpallje e
ca mallkime shkronjash, si dikur, sllavët e kuptonin se procesi do të ishte i
gjatë dhe i mundimshëm. Meqenëse s’dukej asnjë shpresë se shqiptarët do ta
zëvendësonin identitetin e tyre me atë sllav, e vetmja mënyrë mbetej ajo e
tërthorta, përdorimi i një identiteti të tretë.
Pas
heqjes së ortodoksëve dhe myslimanëve, trupit skeletik të kombit, nuk do t’i
mbetej veçse pakica katolike, e vetmja për të cilën ndonjë fqinj tjetër, ta
zëmë Italia, nuk po tregonte ndonjë padurim gllabërimi. Por pakicës, sado
rrënjëse të ishte do t’i gjendej zgjidhja. E bashkë me të do të përfundonte
kështu problemi shqiptar.
Për të njëmendësuar ëndrrën e tyre makabre, jugosllavët kishin nevojë për përvojën otomane.
Kështu qysh në vitet ’50, ata filluan programin e shpërnguljes me
dhunë të shqiptarëve drejt Turqisë. E bënë këtë si një test në sytë e Evropës
dhe të kampit socialist, pa u shqetësuar prej askujt, madje as prej atij që
hiqej si miku i shqiptarëve e që në të vërtetë ishte armiku i tyre më i madh,
Stalinit.
Zëvendësimi
i gjuhës shqipe prej turqishtes po nxitej edhe më fort, e bashkë me të,
pakësimi i shkollave për shqiptarët. Politika e vjetër osmane: mjaft i keni
xhamitë, s’ju duhen shkollat, po përparonte si në ethe. Krahas gjuhës, i gjithë
ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se
më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë
otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeve të kohës si kudo,
por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend.
Jugosllavia,
kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të
padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak
evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë. Kështu, kur të vinte çasti
fatal, që ajo e përgatiti me aq kujdes, t’i thoshte Evropës, se ajo nuk po
zhbënte një popull normal të këtij kontinenti, por një nënpopull.
E gjithë
kjo ethe shkombëtarizimi shoqërohej nga propaganda për rrezikun e krijimit të
një pyke të myslimanizmit në brinjët e Evropës. Parashikoheshin skenarë
ogurzinj me trekëndësha islamikë, me qendra terroriste, fundamentaliste, me
xhihad version ballkanik etj., etj.
E gjithë
kjo në pritje të çastit fatal, kur rebelimi shqiptar do të shpërthente. Ai
rebelim do të paraqitej si luftë për islamin, e jo si luftë për liri. Si luftë
kundër krishterimit serb e jo kundër krimit serb. Shkurt, si luftë kundër
qytetërimit evropian, në emër të një tjetër qytetërimi.
Nuk ishte
e lehtë për shqiptarët e Kosovës t’u shmangeshin këtyre kurtheve. Por ata ia
dolën dhe kjo ishte një meritë e tyre e jashtëzakonshme. Ata i treguan gjithë
botës se luftonin në radhë të parë për liri. Dhe prapë për liri. Ata i treguan
Evropës se s’kishin asgjë kundër krishterimit serb, e aq më pak atij evropian,
ngaqë krishterimi ishte gjithashtu besim i tyre, vëllam i vjetër i
myslimanizmit, madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav.
Në çaste
të vështira, popujve u ndriçohet mendja në mënyrë të ethshme. Një shekull më
parë, në ag të shkëputjes nga osmanët, Rilindja Shqiptare e flakëroi mendimin
shqiptar, duke hedhur idenë e harmonisë fetare në interes të lirisë e të kombit.
Një shekull më pas, kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte
shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra-mijëra të
rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e
krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të
treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara
sllavëve.
Gjëmimi i
bombave sipër Jugosllavisë ishte njëkohësisht një lajm i madh. Një lajm nga ata
që i vinin Shqipërisë një herë në një mijë vite, e Evropës vetë, një herë në
shekull. Ishte lufta e parë e Aleancës Atlantike, e njëkohësisht e para luftë
për shkaqe morale, në kontinent. Dhe s’ishte vetëm kaq. Ishte hera e parë që
koalicioni i madh euroatlantik, që identifikohej së shumti si krahu i armatosur
i qytetërimit të krishterë perëndimor, kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e një
populli me shumicë myslimane, kundër një tjetri që kërkonte të përligjte krimin
pas kryqit. Evropa dhe SHBA-ja nuk i kërkuan popullit shqiptar as ndërrim feje
dhe asgjë tjetër të kësaj natyre. E mbrojtën ashtu siç ishte, shqiptar në radhë
të parë, trefetarësh pastaj. Me këtë luftë, që ndiqej ditë pas dite e orë pas
ore nga mbarë planeti tokësor, Evropa atlantike po emanciponte, veç të tjerash,
vetveten.
Të gjendur
befas në qendër të historisë evropiane, a mund të thuhet se shqiptarët i kapën
përmasat e asaj që po ndodhte?
Vështirë
të thuash “jo”, por po aq vështirë të thuash “po”.
7
Në kohën
e tanishme, viti 2006, çështja e raporteve të shqiptarëve me kontinentin nënë,
është ende në zhvillim e sipër. Të ndërgjegjshëm për një pjesë të gjërave,
shqiptarët paraqiten po aq të pandërgjegjshëm për të tjerat.
S’është fjala vetëm për mosmirënjohjen që shfaqet aty-këtu. Për qirinjtë e shuar fill pas kapërcimit të tmerrit dhe për nervozizmin kundër katedrales, që askush nuk ua kërkoi si shpërblim për asgjë.
E bashkë me katedralen, murmurima e
panjerëzishme kundër Rugovës të porsaikur, që me funeralin e tij i bëri një
shërbim të fundit Kosovës. (Ka gjasë që prania e fuqishme evropiane në këtë
mort të ketë rizgjuar ca demonë të vjetër.)
Është
folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas,
është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që duke
mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për
politikanë të korruptuar, që ashtu si mafia tmerrohen nga ligjet e demokracisë
e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane
në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot
nostalgjikë, në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë
të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve, në vende, disa herë të
cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet, e
me të cilat s’na lidh asgjë.
Të gjitha
këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër
dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë, dinakërinë e tyre e kujtojnë për
zgjuarsi.
Është e
kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes
një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të
ndihen keq në familjen e sotme të popujve.
Problemi
i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb
mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten.
Raportet
me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dyfytyrësi. Mesazhi i Evropës më
1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët ashtu siç ishim, me
atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë
popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia.
Trillet,
nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona
të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të
kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta.
Pengesat
që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë, t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i
kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga
fetë, e sidomos nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë.
Është
thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke
mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që
na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë, e, në
tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj.
Një
shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një
katolik, e po aq sa një ortodoks.
Në
acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në
vijën e parë. Feja e njëjtë me pushtuesin, nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë,
ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën,
ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda
ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé.
E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata.
Papa Kristo
Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e
mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e
lirisë.
Rexhep
Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin
fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo
keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se
gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i
vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i
vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne.
Në qoftë
se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo,
për fat, nuk është kurrsesi ashtu.
Siç u tha
më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet.
Nostalgjia
e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e
habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi
Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu
ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse
themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për
historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë
mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet.
Bashkia e
Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë
arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si
keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë
mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga
postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme.
Kjo
shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të
errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë kinse themelues. Emri i
Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai.
Klisheja
krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç
midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe
një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e
vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të
vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”.
Ideja e
përhapur andej-këndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë
historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis
Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat e historisë shqiptare,
kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për
mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.
Ide të
tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i
botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë.
Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, iu
vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh.
Janë
këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare.
Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe
Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të
gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos
mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta
politikanë, që, në vend që të përqendrohen në çështjet e ngutshme madhore
përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe
statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk
kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se
si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në
kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA - Iran, për energjinë
bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në
rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik.
Misioni i
shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e tyre, është një dhe i
pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe
i popullit të tyre që mban emrin shqiptar.
Programi
i çdo populli të qytetëruar është ky dhe vetëm ky. Miqësitë, aleancat,
strategjitë, kanë lidhje me të dhe vetëm me të. Ky nuk është etnoegoizëm. Kur
çdo popull në mënyrë të natyrshme, njerëzore e demokratike e kryen këtë mision
ndaj vetes, ai e ka kryer atë ndaj gjithë njerëzimit.
Ky është
thelbi i idesë evropiane, fundaja mbi të cilën ngrihet Bashkimi Evropian, ai që
ndryshe quhet Evropa e Kombeve.
Ne nuk e
kemi shpikur Shqipërinë, ashtu siç kanë dashur të na mbushin mendjen disa. Ne
nuk e kemi shpikur as ngulitjen e saj në Evropë, siç kanë dashur të na mbushin
mendjen ca të tjerë. Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bën më pak
evropian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë.
Në
mbyllje të kësaj sprove, le të përpiqemi ta shohim atë që ka ndodhur, nga një
kamera e largët, nga ato që të japin mundësi t’i skajosh gjërat në një tablo sa
më të përgjithshme.
Është një
kontinent që shekuj më parë është quajtur Evropë. Është një gadishull jugor i
saj, ai më i ndritshmi dikur, dhe më i errëti pastaj, me emrin Ballkan. Ishte
një perandori që u shfaq përbri, perandoria osmane, me një program e një ëndërr
të mbrapshtë: të zhdukë nga faqja e dheut Evropën. Ndodh kacafytja e madhe
midis të dyve. Gjatë saj, perandoria e re i shkul së vjetrës gadishullin
ballkanik, djepin e qytetërimit të saj. Pesë shekuj më pas, gadishulli në
fjalë, në mes të të cilit ndodhet Shqipëria, shpëton nga kthetrat e osmanëve.
Perandoria e tyre bie. Kthimi i Ballkanit te kontinenti nënë është i gjatë, i
mundimshëm.
Dhe ja
epilogu: popujt e Ballkanit, janë vënë në radhë përpara Portave të Evropës.
Përbri, është Turqia, bërthama e dikurshme e perandorisë së tmerrshme. Për pesë
shekuj ka kujtuar se popujt ballkanas, pasi ia ka zhvatur Evropës, po i çon si
trofe, drejt kontinentit të vet. Por ç’po na shohin sytë? Një gjë tejet të
pabesueshme. Ka vërtet një trofe, por jo ashtu siç është kujtuar. S’janë popujt
ballkanas që Turqia po i çon si robër drejt Azisë, por përkundrazi, janë ata,
që po sjellin si trofe një hanëme të vjetër: Turqinë.
Natyrisht
që Turqia nuk është robinë, në kuptimin e mirëfilltë. Natyrisht që ajo po e
kërkon vetë, madje me këmbëngulje të pranohet në Evropë. Natyrisht që ajo,
ndërsa lëshonte kërcënime e mallkime kundër Evropës, fshehtazi joshej prej saj.
Dhe ky ka qenë ngadhënjimi i madh i Evropës.
Ana e
fshehtë e historisë, shfaqet këtu në formën më tronditëse. Pyetja: kush u thye
prej kujt, ngrihet me gjithë peshën e saj.
Dy
rrjedha të historisë kanë ecur paralelisht. Në atë të jashtmen, perandoria
osmane, godiste, fitonte, robëronte. Por në një rrjedhë të brendshme, të
fshehtë, ajo goditej, humbte, robërohej.
Popujt e
Ballkanit bashkërisht ishin aktorët e kësaj lufte. Ishin ata që, vit pas viti e
shekull pas shekulli, bashkë me energjinë e tyre, bashkë me zyrtarët e lartë,
gjeneralët, guvernatorët dhe aventurierët, që ia dhanë pa kursim, i ngjitën
perandorisë joshjen evropiane. Historia e pushtuesit të pushtuar, si në rastin
e Romës me Greqinë, në njëfarë mënyre u përsërit.
Rrjedhimisht,
asnjë nga popujt e Ballkanit nuk u thye. E aq më pak shqiptarët. Nëse ka pasur
për ta një fat historik të paracaktuar, ai është i ndryshëm nga ai i
ndërmjetësit.
Popujve ballkanas, e midis tyre shqiptarëve, pa e ditur as ata vetë, madje pa e ditur as Evropa, fati u caktoi të jenë komando të Evropës, mu në qendër të botës osmane. Si të tillë ata kanë qenë përherë, ndonëse me dhembje, në rrënjët e Evropës. E qenia me dhembje nuk është kurrë një mungesë, përkundrazi.