E premte, 08.11.2024, 09:34 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Blerim Latifi: Ismail Kadare - Dy kataklizmat e Kosovës

E hene, 08.07.2024, 06:55 PM


Prof. Blerim Latifi:

Janë shkruar mijëra libra për dramën e Kosovës të vitit 1999. Por asnjëra prej tyre nuk e kapë thelbin tragjik të kësaj drame ma fuqishëm se teksti i Kadaresë në fund të librit të tij "Ra ky mort e u pamë". Krahasimi i spastrimit etnik të Kosovës me kataklizmën gjeologjike të saj në parahistori, e bën këtë tekst të paarritshëm  nga të tjerët, në çdo pikëpamje të shprehjes letrare.

Dy kataklizmat e Kosovës

Nga Ismail KADARE

Njëzet vite më parë, gjatë vizitës sime në Prishtinë, mësova se ajo rrafshirë e gjërë paskësh qenë dikur e mbuluar nga ujërat. Pastaj kur erdhi koha e zbrazjes, një pjesë të ujërave e mori Deti i Zi, nëpërmjet Danubit, një pjesë Deti Egje nëpërmjet Vardarit dhe pjesën tjetër deti Adriatik, nëpërmjet Drinit të shkumbëzuar.

Kam përfytyruar atëherë se si bashkë me valët iknin peshqit, molusqet, ngjalat, gjarpërinjtë, përbindshat e ujit. Mbaronte kështu parahistoria e këtij trualli, dramë e natyrës, për t'i lënë vendin një drame më të egër, asaj të njeriut.

Kur erdhi pra ora e njeriut, ora e zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët e vet, dy nga hullitë e mësipërme, ajo që çonte drejt Maqedonisë dhe ajo tjetra drejt Shqipërisë, sikur të shkërbenin rrjedhat e moçme, u mbushën përsëri, këtë herë me vargje të shpërngulurish. Rrjedha e tretë, ajo e Danubit, u zëvendësua nga një kah i pamundur për ujërat, por i mundur për njerëzit: drejtimi i Malit të Zi.

Kështu, nëpërmjet tri grykave deshën të zbraznin Kosovën. Dhe ndodhi pastaj ajo që e dimë të gjithë: brenda një stine, shqiptarët jetuan një mrekulli të gjëmshme:  ranë e u ngritën përsëri si në javën e Krishtit.

Përmes tri grykave që e zbrazën, Kosova u mbush përsëri. Një lëvizje e kundërt, nga ato që rrallëherë ndodhin në botë dhe që quhen "kthim i fatit", ndaloi vdekjën e një populli.

Shekuj më parë, në ag të qytetërimit, një ndeshje e kënduar prej Homerit ndihmoi për zgjimin e ndërgjegjës së botës antike. Tri mijë vite më pas, Kosova, si asnjë luftë tjetër, e trandi krejt njerëzimin modern.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora