Përjetësi » Kadare
Ndue Ukaj: Gëzuar, mjeshtër, atje lart, në ato lartësi qiellore, ku jetove përherë
E marte, 28.01.2025, 06:58 PM
Ndue Ukaj:
Ka
disa hapa që i bëjmë në jetë dhe prej tyre marrin formë e kuptim udhët e jetës.
Ka disa hapa që lënë gjurmë të pashlyeshme dhe nuk harrohen kurrë. Momenti kur
nisemi për një udhë të re dhe braktisim një të vjetër. Ose momenti kur lexojmë
një libër magjeps dhe na hapet një botë e re, e panjohur, prej së cilës nuk
duam të shkëputemi asnjëherë.
Në
udhët e artit të gjuhës, pra letërsisë, kam hyrë i magjepsur, veç tjerash prej
fuqisë që ka liria në të, një liri që duket e padukshme, por që ka peshë të
madhe dhe këtë e kam gjetë më mirë se kudo, në veprën e Kadaresë. Që në rininë
time të hershme, kur na mbërtheu ndjenja e të qenit pa atdheu, unë e lexova
librin “Kronikë në gur” dhe atë frazën “- Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç' do
të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në robëri."
Dhe
ashtu, i mbështjellë me petkat e robërisë e dhunës, petka të egra si gjemba në
trup, lexoja dhe fitoja njëfarëlloj lirie shpirtërore. Në fillim ishte e çuditshme, pastaj u bë një
alternativë e pashmangshme, e paçmueshme. Dhe vërtet, liria e që më jepte
letërsia, ndërkaq, u bë më e madhe se pesha e robërisë, fundja, ishte një
mundësi ideale për t’i heqë barrierat e mëdha të jetës dhe për të qëndruar i
palëkundur në kampin e atyre që e mbronin lirinë.
Unë
besova në këtë forcë, atëherë, dhe kur e fituam lirinë fizike, më rastisi të
bëja edhe hapa me Ismail Kadarenë. Hapat që kam bërë me të kanë vulosë diçka të
pashlyeshme në zemrën time, për çka e
kujtoj me shumë dashuri.
I
frymëzuar prej veprës së tij kam bërë hapa që më kanë shpie në botën magjepse
të artit, duke fituar që herët, një atdhe paralel. Një atdhe që me kënaq
përditë, më jep gëzim, forcë e lumturi, lumturinë e leximi e të krijimit, për
çka i jam mirënjohës përjetë Ismail Kadaresë dhe veprës së tij madhështore.
Sot
është ditëlindja e Ismail Kadaresë, e para pa të në këtë botë. Dhe e ndiej
peshën e humbjes së tij, por jam i lumtur që kam bashkudhëtuar me veprën e tij
përgjatë viteve dhe kujtoj me gëzim disa takime e momente fantastike me të.
Gëzuar,
mjeshtër, atje lart, në ato lartësi qiellore, ku jetove përherë.