E merkure, 19.11.2025, 11:23 PM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Vargje lapidar për gjeneralin shpëtimtar

E merkure, 19.11.2025, 06:58 PM


VARGJE LAPIDAR PËR GJENERALIN SHPËTIMTAR

Nga Bedri TAHIRI

Faleminderit gjeneral Wesley Clark: “Këtu kemi njerëz që luftuan për lirinë e tyre, njerëz që nuk pranuan shtypjen. UÇK-ja nuk është organizatë terroriste!

Profecia e një poeti

Poetët i paraprijnë historisë. Ata u ngjasojnë orakujve që parashikojnë! I tillë është edhe i palodhuri, shkrimtari e studiuesi Xhemail Ali Peci.

Kur po e përcillja gjeneralin amerikan të NATO-s,  Wesley Clark, duke dëshmuar, aq bindshëm e aq realisht në Hagë, në mbrojte të Hashim Thaçit dhe udhëheqësve tjerë të UÇK-së, të cilët, padrejtësisht po mbahen në paraburgim, në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare, para vetes kisha librin e mikut time të çmuar, shkrimtarit e studiuesit mendjehollë, z. Xhemail Ali Peci “POEMË PËR GJENERALIN KLARK”.

KLARK- Një gjeneral i madh që përherë e thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Edhe më shumë se Gjeneral: NJERI i drejtësisë!

Dje dhe sot. Në luftë e në paqe.

Në luftë veproi me avionët e tij mbrojtës, dhe sot, në paqe, njësoj, me argumente dëshmon për pafajësinë e atyre që po mbahen në Hagë dhe luftën tonë çlirimtare!

“Ne nuk do të hyjmë në shekullin 21, me tmerret e shekullit 20”- pati thënë Gjenerali!

Dhe, Gjenerali meriton MIRËNJOHJE!

Këtë akt fisnik, para të gjithëve e bëri largpamësi Xhemail Ali Peci!

Burrërinë, sinqeritetin, shpirtbardhësinë, trimërinë, vendosmërinë e pathyeshmërinë e këtij gjenerali shpëtimtar, më mirë e më herët se të tjerët e zbuluar poeti me intuitën e tij krijuese e me syrin e shqiponjës, kur, këtu katërmbëdhjetë vjet më parë, në vitin 2011, botoi vargjet e tij brilante të brumosura me qumësht ambrozi, të futura nën një çati me emrin “POEMË PËR GJENERALIN KLARK”, botuar nga MAB në Tiranë.

Autori, para vargjeve, si hyrje, ka vënë mendime të mençura të njerëzve të mëdhenj, duke nisur me të madhin Bill Klinton kur tha:” Luftën e kemi fituar ne, paqen duhet ta fitoni ju...Falni, por mos harroni”!

Ndërkaq, Gjeneralit amerikan Klark, kur ka dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq, në Hagë, më 16 e 17 dhjetor 2003, pos tjerash pati thënë:

“Rreth 350.000 deri në 400.000 njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, nga fundi i verës dhe fillimi  i vjeshtës më 1998, sipas shënimeve të vëzhguesve tanë. NATO-ja nuk ishte atje, unë nuk kisha qasje të drejtpërdrejtë në zinxhirin komandues të zbulimit, kështu ato shënime i morëm nga burime të tjera. Pra, ishte e qartë se problemi i madh në verë dhe në vjeshtë të vitit 1998, ishte shkaktuar nga aktivitetet e ushtrisë dhe policisë serbe. Një shqiptar erdhi tek unë dhe më tregoi se, nga malet që drejt Kosovës, ata i kishin parë forcat serbe duke shtënë kundër fshatrave në rrethin e Drenicës, dhe kjo ishte herët në prill të 1998-ës. Prandaj këto nuk janë veprime normale që i takojnë karakterit të policisë. Dhe këtu qëndron esenca e gjitha asaj, për të cilën po flasim. Ka pasur përdorim të tepruar të forcës, parashihej të përsëritej viti 1945...I akuzuari na tha se edhe në vitin  1945 në Drenicë kemi vrarë shqiptarë!”...

Libri “POEMË PËR GJENERALIN KLARK” është një lapidar përjetësie e nderimi për Njeriun e madh, për Gjeneralin që dje luftoi me armë për të shpëtuar një popull liridashës nga një agresor i egër e sot po e mbron me fakte një drejtësi të mohuar nga një gjykatë e padrejtë!

Poema paraqet një perlë të veçantë në letërsinë tonë moderne. Është një spërndritje e  stërholluar vargjesh të larmishme, me përmbajtje të thelluar kombëtare e historike, me mesazhe falënderimi e mirënjohjeje, ku është shkrirë një erudicion i paparë krijues, është një margaritar që shkëlqen për jetë e mot!

Autori i kujdesshëm me një afsh zemre skalit vargje të fuqishme, ku shpërthejnë e shpërfaqen ngjarje e ngjarje nga historia jonë, mbushur me dhimbje e krenari, duke i grupuar në 18 pjesë, prej nga po shkëpusim ca fragmente:

***

Në mesnatë të thellë,

në hartën e Ballkanit plak,

në zemër të Europës

e në tokat e shqiponjës,

në tokat pikuar gjak,

hienat rreth e çark,

në tokën që shekujve

si zemrat tona

pak nga pak

pikon shi e pikon gjak,

gjithë vaj dhe kujë,

klithma dhe kurme në prag:

Gjeneral Klark, Gjeneral Klark.

***

Në fytyrën pa gjumë,

tek gjaku shkon lumë,

me katër yje mbi supe

ku i shkelë këmba mbijnë lule,

në kapelë po katra,

gjumë nuk shtie në sy,

se krahët ndehtë prapë e gjatë,

si vdekja vet e ftohtë nata,

mbi Europë shtrëngata,

mbi Kosovë ndeshtrasha,

një popull në zjarr, në lot, në gjak,

mes shpresës dhe ankthit thërriste,

mes gjëmës dhe gjakut,

mes thikës dhe lakut:

Rrufepritës e Rrufeflakërues,

Gjeneral Klark, Gjeneral Klark!

* * *

Me foshnjën në gji, me plagët la në gjak

Gjeneral Klark, Gjenral Klark.

E peri i jetës veç sa nuk këputet,

si Peri i Ariandës,

në fillet e shekullit të ri.

Me plagët në trup me trupin la në gjak,

një popull me moshë biblike,

thërret si thërriste Theofan Stelian Noli:

O Marathonomak,

Gjeneral Klark, Gjeneral Klark.

Rreth e rrotull kullon gjak,

ditë për ditë e natë për natë,

pikon shi e pikon gjak,

Gjeneral Klark, Gjenral Klark.

Mbi Europë shtrëngata,

mbi Kosovë ndeshtrasha,

një popull në zjarr, në lot, në gjak,

mes shpresës dhe ankthit thërriste,

mes gjëmës dhe gjakut,

mes thikës dhe lakut:

Rrufepritës e Rrufeflakërues,

Gjeneral Klark,

Gjeneral Klark,

Gjeneral Klark...

***

Edhe njëherë, Faleminderit Gjeneral Klark!

Për dje e për sot!

Të lumtë pena e artë e gjithmonë të punoftë mendja, krijues ynë i palodhur Xhemail Ali Peci!

Galicë, 18 nëntor 2025



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx