Kulturë
Stefan Martiko: Universi poetik i krijueses Armela Hysi
E hene, 17.11.2025, 06:55 PM
Universi poetik i krijueses Armela Hysi
Nga
Stefan Martiko
Me
të marrë në dorë librin “Amazonë prej reje” të Armelës, nga poezia në poezi,
verifikoja edhe një herë atë ç’ka aq shpesh ia kisha përsëritur vetes dhe të
tjerëve: Isha para një zbulimi të një universi poetik. Ndaj u binda më shumë
dhe tani po shkruaj këtë hyrje, si të hap një portë ku të tjerët do të hynë pa
u mëdyshur. Kjo poete e vrulleve të brendshme, e shpërthimeve që turbullojnë
mendimin dhe të vënë në provë intelektin, ishte partnerja ime në poezi. Ishte
një zbulim i mrekullueshëm në një kohë që unë mendoja se poezinë e saj do t’a
fitonte përmes prirjeve të saj që nuk do të ishin kurrë aksidentale. Ajo është
e vetmuar në këqyrjen e botës përreth, e shikon atë përmes një intelekti
dyshues, pohimi dhe mohimi të vazhdueshëm, e prek sëmundjen e jetës aty ku ajo
lufton për t’i shpëtuar vdekjes. Kjo poete e re vigjëlon format e një poezie,
ndoshta ende të pashfaqur, që Armela Hysi nuk ka ende statusin që i takon në
poezinë shqiptare, por është plot të ardhme. Unë e dua poezinë e saj, sepse pas
shumë leximeve kam arritur t’a kuptoj, ia kam bërë autopsinë me një ndjenjë
tmerri, por si triumf të logjikës njerëzore që gjen forca për të përballuar të
keqen. Kjo poezi mendimtare të vë në dyshim, të detyron t’i rikthehesh, të
vërtetosh, të përjashtosh, të mbledhësh numrat që ndoshta s’do të të japin
kurrë shumën e dëshirueshme, por e shoh përherë si një triumf. Ne nuk dimë
asnjëherë ku na përgjon një shpërthim i nëndheshëm, por duhet të jemi gati për
t’a pritur. Kështu e përjetova unë poezinë e Armelës dhe dua të shoh edhe më
tej përmes vështrimit të saj të ngulmët një horizont tjetër të poezisë. Ne po
shkallmojmë diçka brenda vetes për të pohuar se ç’ka na pret përpara nuk është
një rastësi, por ishim vetë ne që dërgojmë zbulues inteligjentë të mendjes
sonë, për të njohur territoret e reja të mendit njerëzor.









