| E merkure, 19.11.2025, 06:58 PM |

VARGJE LAPIDAR PËR
GJENERALIN SHPËTIMTAR
Nga Bedri TAHIRI
Faleminderit gjeneral Wesley Clark: “Këtu
kemi njerëz që luftuan për lirinë e tyre, njerëz që nuk pranuan shtypjen.
UÇK-ja nuk është organizatë terroriste!
Profecia
e një poeti
Poetët i paraprijnë historisë. Ata u ngjasojnë orakujve që
parashikojnë! I tillë është edhe i palodhuri, shkrimtari e studiuesi Xhemail
Ali Peci.
Kur po e përcillja
gjeneralin amerikan të NATO-s, Wesley Clark, duke
dëshmuar, aq bindshëm e aq realisht në Hagë, në mbrojte të Hashim Thaçit dhe
udhëheqësve tjerë të UÇK-së, të cilët, padrejtësisht po mbahen në paraburgim,
në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare,
para vetes kisha librin e mikut time të çmuar, shkrimtarit e studiuesit
mendjehollë, z. Xhemail Ali Peci “POEMË PËR GJENERALIN KLARK”.
KLARK- Një gjeneral i
madh që përherë e thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Edhe më shumë se
Gjeneral: NJERI i drejtësisë!
Dje dhe sot. Në luftë
e në paqe.
Në luftë veproi me
avionët e tij mbrojtës, dhe sot, në paqe, njësoj, me argumente dëshmon për pafajësinë
e atyre që po mbahen në Hagë dhe luftën tonë çlirimtare!
“Ne nuk do të hyjmë
në shekullin 21, me tmerret e shekullit 20”- pati thënë Gjenerali!
Dhe, Gjenerali
meriton MIRËNJOHJE!
Këtë akt fisnik, para
të gjithëve e bëri largpamësi Xhemail Ali Peci!
Burrërinë,
sinqeritetin, shpirtbardhësinë, trimërinë, vendosmërinë e pathyeshmërinë e këtij gjenerali shpëtimtar, më mirë e më
herët se të tjerët e zbuluar poeti me intuitën e tij krijuese e me syrin e
shqiponjës, kur, këtu katërmbëdhjetë vjet më parë, në vitin 2011, botoi vargjet
e tij brilante të brumosura me qumësht ambrozi, të futura nën një çati me emrin
“POEMË PËR GJENERALIN KLARK”, botuar nga MAB në
Tiranë.
Autori,
para vargjeve, si hyrje, ka vënë mendime të mençura të njerëzve të mëdhenj, duke
nisur me të madhin Bill Klinton kur tha:” Luftën e kemi fituar ne, paqen duhet
ta fitoni ju...Falni, por mos harroni”!
Ndërkaq, Gjeneralit
amerikan Klark, kur ka dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq, në Hagë, më 16 e
17 dhjetor 2003, pos tjerash pati thënë:
“Rreth 350.000 deri në 400.000 njerëz u detyruan
të largohen nga shtëpitë e tyre, nga fundi i verës dhe fillimi i vjeshtës më 1998, sipas shënimeve të
vëzhguesve tanë. NATO-ja nuk ishte atje, unë nuk kisha qasje të drejtpërdrejtë
në zinxhirin komandues të zbulimit, kështu ato shënime i morëm nga burime të
tjera. Pra, ishte e qartë se problemi i madh në verë dhe në vjeshtë të vitit
1998, ishte shkaktuar nga aktivitetet e ushtrisë dhe policisë serbe. Një
shqiptar erdhi tek unë dhe më tregoi se, nga malet që drejt Kosovës, ata i
kishin parë forcat serbe duke shtënë kundër fshatrave në rrethin e Drenicës,
dhe kjo ishte herët në prill të 1998-ës. Prandaj këto nuk janë veprime normale
që i takojnë karakterit të policisë. Dhe këtu qëndron esenca e gjitha asaj, për
të cilën po flasim. Ka pasur përdorim të tepruar të forcës, parashihej të
përsëritej viti 1945...I akuzuari na tha se edhe në vitin 1945 në Drenicë kemi vrarë shqiptarë!”...
Libri “POEMË
PËR GJENERALIN KLARK” është një lapidar përjetësie e nderimi për Njeriun e
madh, për Gjeneralin që dje luftoi me armë për të shpëtuar një popull
liridashës nga një agresor i egër e sot po e mbron me fakte një drejtësi të
mohuar nga një gjykatë e padrejtë!
Poema paraqet një perlë të veçantë në letërsinë tonë moderne.
Është një spërndritje e stërholluar
vargjesh të larmishme, me përmbajtje të thelluar kombëtare e historike, me
mesazhe falënderimi e mirënjohjeje, ku është shkrirë një erudicion i paparë
krijues, është një margaritar që shkëlqen për jetë e mot!
Autori i
kujdesshëm me një afsh zemre skalit vargje të fuqishme, ku shpërthejnë e
shpërfaqen ngjarje e ngjarje nga historia jonë, mbushur me dhimbje e krenari,
duke i grupuar në 18 pjesë, prej nga po shkëpusim ca fragmente:
***
Në mesnatë të thellë,
në hartën e Ballkanit
plak,
në zemër të Europës
e në tokat e
shqiponjës,
në tokat pikuar gjak,
hienat rreth e çark,
në tokën që shekujve
si zemrat tona
pak nga pak
pikon shi e pikon
gjak,
gjithë vaj dhe kujë,
klithma dhe kurme në
prag:
Gjeneral Klark,
Gjeneral Klark.
***
Në fytyrën pa gjumë,
tek gjaku shkon lumë,
me katër yje mbi supe
ku i shkelë këmba
mbijnë lule,
në kapelë po katra,
gjumë nuk shtie në
sy,
se krahët ndehtë
prapë e gjatë,
si vdekja vet e
ftohtë nata,
mbi Europë
shtrëngata,
mbi Kosovë
ndeshtrasha,
një popull në zjarr,
në lot, në gjak,
mes shpresës dhe
ankthit thërriste,
mes gjëmës dhe
gjakut,
mes thikës dhe lakut:
Rrufepritës e
Rrufeflakërues,
Gjeneral Klark,
Gjeneral Klark!
* * *
Me foshnjën në gji,
me plagët la në gjak
Gjeneral Klark,
Gjenral Klark.
E peri i jetës veç sa
nuk këputet,
si Peri i Ariandës,
në fillet e shekullit
të ri.
Me plagët në trup me
trupin la në gjak,
një popull me moshë
biblike,
thërret si thërriste
Theofan Stelian Noli:
O Marathonomak,
Gjeneral Klark,
Gjeneral Klark.
Rreth e rrotull
kullon gjak,
ditë për ditë e natë
për natë,
pikon shi e pikon
gjak,
Gjeneral Klark,
Gjenral Klark.
Mbi Europë
shtrëngata,
mbi Kosovë
ndeshtrasha,
një popull në zjarr,
në lot, në gjak,
mes shpresës dhe
ankthit thërriste,
mes gjëmës dhe
gjakut,
mes thikës dhe lakut:
Rrufepritës e
Rrufeflakërues,
Gjeneral Klark,
Gjeneral Klark,
Gjeneral Klark...
***
Edhe njëherë, Faleminderit
Gjeneral Klark!
Për dje e për sot!
Të lumtë pena e artë
e gjithmonë të punoftë mendja, krijues ynë i palodhur Xhemail Ali Peci!
