Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Trikotazh
E hene, 27.10.2025, 05:55 PM
Trikotazh
Nga
Edison Ypi
Pse
për shqiptarët Hirësia e tij Leshi tashmë ka hyrë në çdo skutë dhe është bërë
proverbial: Bukë, e krypë, e zemër, e mushkëri, veshkë, shpretkë, pankreas,
prostatë, nuk ndodhi kot apo rastësisht, ka një histori.
Historia
e leshit shqiptaresk zë fill te plakat me furkë e shtiza në dorë që tjerrin e
thurin triko dhe çorape leshi ndërkohë që vigjëlojnë zjerjen e groshës në
kusi'.
Pas
gjysheve hallemëdhaja erdhi Trikotazhi i famshëm që thurte vetëm triko leshi
për tu mbështjellë shqiptarët të mos mërdhifnin.
Që
me lesh mund të thuren, veç trikove, edhe bluza, jelekë, çorape, deri dhe
mbathje dhe kanotjera të leshta të modeleve dhe ngjyrave nga më të ndryshmet,
madje që leshi mund të shërbente edhe për modë dhe pasarela, këtë çudi
shqiptarët e mësuan vonë.
Si
dhe ndërmarrjet e tjera që u shitën për skrap, edhe Trikotazhi "si llaç e
tulla", u zhduk, u vodh, u shit për skrap.
Por
Trikotazhi "si zeje", si zanat për tjerrje dhe thurje leshi, nuk u
braktis, nuk u harrua, u sëmur, rënkoi, por mbeti, nuk vdiq.
Më
vonë, leshi dhe thurjet e leshit, u rivlerësuan duke i dhënë Trikotazhit vendin
që meritonte në hierarkinë e marrëzive historike.
Mpleksja
e leshrave natyralë si leshi i deles, ariut, dhelprës, devesë, me leshra
artificialë si akriliku që bënte xixa nga ngarkesat elektrostatike kur e
çvishje trikon në errësirë, edhepse shkartisja e leshit me akrilik la
përshtypjen e hidhur të modifikimit genetik të leshrave njësoj si të frutave, i
dhanë hov të paparë biznesit të leshit.
Me
tu dashuruar me thurjen e leshit, shqiptarët tradhëtuan zejet e tjera.
Trikotazhi
i vjetër u zëvendësua plotësisht nga mizëria e leshnajave leshpunuese.
Në
pak kohë, ndodhi diçka që nuk mundën ta parashikojnë as fallxhoret më në zë të
katundeve të Myzeqesë dhe Mallakastrës.
Shqiptarët
u bënë të gjithë leshpunuesa.
Nisën
t'i falen Perëndisë së Leshit.
Leshi
e zbriti floririn nga froni i mbretit.
Sot,
sa më tepër të zërë goja lesh, sa më i aftë për thurje leshi të jesh, aq më
pasur, i fuqishëm, i pushtetshëm je.
Të
gjithë me furkë në dorë si gjyshet e qëmotit, s'po bëjnë asgjë tjetër veçse po
tjerrin e thurin pafund lesh.
Tani
këtu me lesh thuret gjithçka: Politika, propaganda, ekonomia, ligjbërja,
drejtësia, administrata, diplomacia, rendi, të gjitha.
Me
lesh këtu bëhet kultura, arti letërsia poezia, teatri, kinematografia.
Tani
leshi i lavdishëm dhe i kudondodhur po
lumturon të gjithë; Qytetarë, katunarë, paqësorë, sherrëxhinj, demokratë,
komunista, të sinqertë, hileqarë, hajduta, kriminela, të gjithë.
Përveç
leshit të dhisë që është lesh qimeshkurtër dhe me 'të nuk mund të thuret asgjë,
me lesh deleje, lesh mëndafshi, lesh deveje, lesh lini, lesh partiak, lesh
pushtetar, lesh opozitar, Shqipëria është plot.
Po
kanë sukses leshrat tradicionalë si i famshmi Lesht e Currit dhe lesht e
hamamit të cilëve çmimi u ka vajtur kacafiu.
Sukses
të madh po kanë gjithashtu leshrat e sloganeve "Leshi çan bllokadën",
dhe "Jeta pa lesh si martesa pa seks".
Trikotazhi
i kohës së qepës para leshpunuesave të sotëm duket si një gjerman dhjeracak
përballë një partizani trim.
S'po
lënë qen, mace, maçok, ujk, dhelpër, ari,
pa e qethur e pa e rruar për tu marrë leshin.
Janë
bërë studime, janë mbrojtur diploma, janë marrë tituj shkencorë, janë mbajtur
konferenca, kongrese, sympoziume me bankete me qofte të vogla që i merr i fut
në gojë me krruajtëse dhëmbësh, por askush s'e ka gjetur dot pse shqiptari
përndizet kaq shpejt nga leshi i zi i deles së bardhë, më vrullshëm se batuti i
thatë, më fort se demi para cohës së kuqe.
E
gjithë Shqipëria është shdërruar në një leshnajë ku me leshin e duhur dhe
tezgjahun e përshtatshëm shqiptari jo vetëm po thur triko e çorape për dimër, por
edhe po qeth e vjedh e tjerr, edhe nam, karrierë, pasuri, pushtet.
Në
varësi të llojit, sasisë dhe cilësisë të leshit që ke në gojë, sot mund të
thurësh ligjërata, të mbash fjalime, të bësh fushata, dhe plot marifete të
tjera.
Libra
leshi, muhabete leshi, ide leshi, ëndërra leshi, kulturë leshi, art leshi,
shpresa leshi, e ardhme leshi, ngado të hedhësh sytë.
Mes
leshrave të shumtë dallohen leshrat që mbajnë nga dy celulara, pesë pasworda,
shtatë dashnore, dhjetë rrjeta sociale.
Ka
kaq shumë leshra dhe leshpunuesa, sa ka ardhur koha kur lesh hamë, lesh pimë,
lesh veshim, lesh mbathim, lesh llafosim, lesh udhëtojmë, lesh blejmë, lesh
shesim, lesh fitojmë, lesh dashurojmë.









