Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Revolucioni me ngjyra
E diele, 26.10.2025, 05:57 PM
REVOLUCIONET ME NGJYRA
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Revolucioni
me ngjyra – Në komunikimin e përditshëm ky term nuk ka ndonjë
konotacion pozitiv. Në shkencat politike apo në politikologji, me këtë term
përshkruhet ndërrimi i regjimeve dhe i rendit
shoqëror që i përfshijnë në fillim të shekullit XXI ish-shtetet sovjetike.
Disa autorë i përfshijnë në këtë grup edhe ngjarjet e 5 tetorit të viti 2000 në
Jugosllavi.
Qëllimi i
revolucioneve me ngjyra ka qenë ndërrimi i pushteteve postkomuniste, demokratizimi i shoqërisë si dhe
vendosja e një sistemi politik liberal të stilit perëndimor. Ndryshimet udhëhiqeshin
prej forcave opozitare të cilat protestonin kundër regjimeve autoritare,
korrupsionit, kufizimit të lirive njerëzore dhe qytetare.
Pretekst i drejtpërdrejtë për shpërthimin e
protestave kryesisht kanë qenë rezultatet e zgjedhjeve për të cilat mendohej se
janë falsifikuar. Karakteristikë e këtyre revolucioneve ka qenë: rezistenca
joviolente, pjesëmarrja e madhe e organizatave civile dhe joqeveritare, përdorimi
masiv i internetit si mjet komunikimi dhe
mobilizimi të publikut, mbështetja ndërkombëtare etj.
Revolucionet me ngjyra që ndonjëherë janë quajtur
edhe revolucione në ngjyrë, emrin e kanë marrë prej luleve që i kanë përdorur demonstruesit gjatë protestave jo të dhunshme,
për të theksuar simbolikisht dallimin që ekziston midis tyre dhe dhunës apo
represalies që i përdorur aparati shtetëror.
Në vitin 2003 në Gjeorgji u bë revolucioni i trëndafilave. Në vitin
2004 u bë në Ukrainë revolucioni i
portokalltë. Në vitin 2005 u bë në Kirgizi revolucioni i tulipanëve.
Edhe pse këto revolucione përgjithësisht
konsiderohen të suksesshme, regjimet që erdhën në pushtet në këtë mënyrë, nuk qëndruan gjatë. Në anën tjetër,
kritikuesit kinse thonë se në revolucionet
me ngjyra implikohen faktorë të huaj të cilët në këtë mënyrë dëshirojnë të
shtrijnë ndikimin e vet. Për këtë arsye termi sot ka edhe konotacion negativ.
* * *
Revolucionet
e ngjyrosura ose revolucionet me ngjyra është emër për një sërë ngjarjesh në
vende të caktuara të Evropës Lindore, përkatësisht të Euro-Azisë gjatë të
cilave, në periudhën e viteve 2000-2005, me mbështetjen e ShBA-së, regjimet
autoritare u zëvendësuan nga qeveri
liberale demokratike dhe properëndimore. Kah mesi i viteve 2000 ishte
përhapur mendimi se ato paraqisnin një valë
tipike revolucionare, d.m.th. ishin vazhdim i revolucioneve të vitit 1989, por ajo
valë për shkak të ngjarjeve të mëvonshme, me kalimin e kohës u ndërpre.
Me
revolucione me ngjyra, në kuptim të ngushtë, nënkuptohen ngjarjet në territorin
e ish-BRSS-së:
- Revolucioni
i Trëndafilave në Gjeorgji në vitin 2003;
- Revolucioni
i Portokalltë në Ukrainë në vitet 2004-2005;
- Revolucioni
i Tulipanëve në Kirgizi në vitin 2005.
Në një
kuptim më të gjerë, këtyre revolucioneve u shtohet edhe Revolucioni i Pesë Tetorit në Republikë Federale të Jugosllavisë i
viti 2000, pikërisht për shkak të rrethanave dhe metodave të ngjashme që çuan
në ndërrimin e pushtetit apo për shkak të mendimit të përhapur se ai u shërbeu
si shembull revolucioneve në ish-BRSS.
Në një
kuptim akoma më të gjerë, revolucion me ngjyra është konsideruar edhe Revolucioni i cedrave* në Liban, në
pranverë të vitit 2005.
Shënim: Cedër, bot. - Dru halor i lartë me kurorë
si piramidë, me hala të ashpra, të gjelbra në të hirtë e të mbledhura tufë, që
bën boçe rrumbullake ose vezake dhe që përdoret për orendi dhe në ndërtim.
* * *
Me shpërbërjen e
Bashkimit Sovjetik, në vendet që e përbënin atë e që morën rrugën e pavarësisë,
filloi të ndodhë ajo që u quajt “revolucion
me ngjyra”. Liderët që i morën në dorë frenat vinin nga aparatet e vjetra
dhe dinin se si funksionojnë mekanizmat e pushtetit. Atyre nisën t’u bashkohen grupe
qytetarësh të brezave të rinj të cilët u bashkuan me qytetarët që përfaqësonin
interesa afariste, financiare dhe komunikimi - të ndryshme.
Në vende si
Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, çdo gjë çoi në paraqitjen e synimeve "properëndimore", si të thuash
difuze, pa një përkufizim ideologjik të qartë. U grumbulluan shumë lëvizje
qytetare apo politike. Ato nuk kanë qenë të përkufizuara me pozita politike të
strukturuara. Janë identifikuar me anë të
ngjyrave. Në Ukrainë e kemi “revolucionin
e portokalltë”. Ithtarët e
ndryshimeve politike në këtë vend aprovuan ngjyrën e portokalltë të cilën e
përdorte në veshjet e veta në flamurin e vet partia politike kryesore që ishte
në opozitë.
Ndikimi i
revolucioneve me ngjyra ishte i ndryshëm. Shumica e tyre ndodhën në hapësirën
post-sovjetike, siç ishte Revolucioni i
Trëndafilave në vitin 2003 në Gjeorgji, Revolucioni
i Portokalltë në vitin 2004 në Ukrainë ose Revolucioni i Tulipanëve në vitin 2005 në Kirgizi. Në vitin 2000
“revolucion” pati edhe në Jugosllavi, kur më 5 tetor ra nga pushteti Slobodan
Milosheviqi.
Revolucionet me
ngjyra u përhapën edhe në pjesë të tjera të botës. E kemi Revolucionin e Kaltër në Kuvajt, Revolucionin e Cedrave (Cedar
Revolution) në vitin 2005 në Liban, Revolucionin e Gjelbër në vitin 2009 në
Iran, Revolucionin e Shafranit në
Mianmar në vitin 2007, Revolucionin
Pititas në Bolivia në vitin 2019.
* * *
Kishte të tillë që
thanë se shprehja revolucion me ngjyra është
një "fjalë e tmerrshme" që e
përdor këto ditë regjimi serb për ta frikësuar popullin e vet. Kryetari i
Serbisë, Aleksandar Vuçiqi dhe kukullat
e tij mediatike, shprehjen e lartpërmendur shpesh e përdorin në publik. E
përdor dendur edhe miku i Vladimir Putinit, Milorad Dodiku i Republikës
Serbe, i shpallur në ShBA person i padëshiruar.
Termin revolucion me ngjyra Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët
e tij e përdorin kur i komentojnë protestat e studentëve që filluan pas
tragjedisë në Novi-Sad, kur si pasojë e rënies së strehës në stacionin
hekurudhor humbën jetën 16 veta. Me fjalë të tjera, protestat që i tronditën
themelet e pushtetit të Vuçiqit, ai dhe satelitët e tij i quajtën “revolucion me ngjyra i dështuar”. Nuk duket
kund se protestat kanë dështuar, pavarësisht në janë revolucion ose jo.
Shembja
e strehës së Stacionit hekurudhor të Novi-Sadit ndodhi më 1 nëntor 2024 në orën
11 e 52 minuta. Si pasojë humbën jetën 14 veta, midis tyre edhe tre fëmijë. Njëri prej fëmijëve ka qenë
6-vjeçar. Pas një kohe vdiqën edhe dy të tjerë.
Rikonstruksionin e stacionit hekurudhor e kanë kryer
kompanitë kineze China Railway International dhe China Communications
Construction Company (CCCC).
Kjo
tragjedi u bë shkas për shpërthimin e protestave studentore dhe të qytetarëve.
Protestuesit e akuzojnë pushtetin e Vuçiqit për korrupsion të madh dhe rënien morale të shoqërisë serbe.
Pushteti tenton ta
delegjitimojë protestën duke thënë se pas tyre qëndrojnë "armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të Serbisë", qendrat
sekrete të fuqishme, magnatët serbë, shtetet fqinje të Serbisë, Sorosi, fuqitë
evropiane dhe ShBA-ja.
Agjencia austriake e
lajmeve APA thotë se trysnitë për të
cilat flet Vuçiqi e që ardhkan nga anë të ndryshme, ndoshta kanë të bëjnë edhe
me sanksionet e ShBA-së kundër Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), e cila
është degë e kompanisë ruse Gazprom.
Kina dhe Rusia pohojnë
se pas shumë revolucioneve me ngjyra qëndron dora e ShBA-së. Nëpërmjet CIA-s
dhe organizatave joqeveritare siç është Instituti i Shoqërisë së Hapur i Xhorxh
Sorosit*, Uashingtoni mbështet
ndryshime politike në vendet që i përkasin zonës ruse të ndikimit me qëllim që
nëpërmjet “grushtit të shtetit të butë”
t’i bëjë aleatë.
Shënim: Xhorxh Sorosi (George Soros, ka
lindur në Budapest më 12 gusht 1930 me emrin György Schwartz,. Është
investues amerikan dhe veprimtar politik me prejardhje hebraike-hungareze.
* * *
Agjencia kombëtare austriake
e lajmeve APA raporton se në mbrëmjen e 23 tetorit të vitit në vazhdim, në një
paraqitje në kanalin televiziv pro-qeveritar Pink, Vuçiç deklaroi se kundër Serbisë është duke u zhvilluar një luftë serioze hibride.
Ai nuk dha hollësi se
çfarë nënkuptonte me shprehjen “luftë
serioze hibride”. S’ka dyshim se me shprehjen e sipërthënë ai u referohet
protestave studentore dhe qytetare që janë mbajtur në gjithë Serbinë. Sipas
Vuçiqit, brenda një viti në Serbi janë mbajtur "mbi 25.000 tubime kriminale, të paregjistruara dhe të
paligjshme".
Më 22
tetor 2025 Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë me të cilën dënon fuqimisht
polarizimin politik dhe represionin shtetëror në Serbi. një vit pas tragjedisë
në Novi-Sad. Deputetët e PE-së kërkojnë hapa ligjorë gjithëpërfshirës dhe
transparentë në mënyrë që personat që janë përgjegjës për shembjen e
konstruksionit të stacionit hekurudhor të dalin para drejtësie.
Parlamenti
Evropian mbështet të drejtën e studentëve dhe qytetarëve serbë për të
protestuar në mënyrë paqësore dhe kërkon në Serbi përgjegjësi dhe reforma
demokratike. Sipas vlerësimit të deputetëve, guximi qytetar, përcaktimi për
protesta joviolente dhe angazhimi i të rinjve për ndryshime, janë një prej
kushteve të përparimit të Serbisë në rrugën drejt BE-së.
Kohët e fundit,
institucionet evropiane Vuçiqi i ka sulmuar me një gjuhë të ashpër. Më 23 tetor
të vitit në vazhdim ai i quajti eurodeputetët “gënjeshtarë patologjikë” dhe “tejet
të sëmurë”. Megjithëkëtë, ai shpreson se Serbia mund të bëhet anëtare e
Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, ndonëse në këtë proces, Beogradi vite me
radhë nuk ka bërë kurrfarë përparimi.









