E merkure, 15.10.2025, 11:26 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (1)

E merkure, 15.10.2025, 06:58 PM


Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (1933-2025) nga Bekajt e Trieshit - Malësi (1)

Njohja ime me bijën e denjë të familjes së famshme Ivanaj

Nga Gjekë Gjonaj

Si nxënës i shkollës fillore "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu", në fshatin Stepoh të Trieshit, dëgjova për herë të parë për familjen e famshme Ivanaj. Trieshianët e moshuar   thonë se familja Ivanaj ishte një familje e madhe me rreth 50-70 anëtarë. Mësuesit e mi, përfshirë edhe babanë tim, në bisedat e tyre për këtë familje veçuan vëllezërit Martin dhe Mirash Ivanajn (Ujkaj), duke mos  e harruar as  Nikollë Ivanajn.  Trieshianët atëherë, sot dhe gjithmonë mburren, krenohen dhe e lavdërojnë këtë familje nga Bëkajt e Trieshit, e cila u detyrua të shpërngulej në Podgoricë rreth vitit 1882. Babai i Martin dhe Mirash Ivanajt, Dodë Ivani, së bashku me vëllain  Lekën, u shpërngulën me familjet e tyre në Podgoricë rreth vitit 1882, sepse pushtuesit turq i përndoqën politikisht dhe i dënuan me vdekje.

Është e rëndësishme të theksohet fakti se, megjithëse vëllezërit Ivanaj lindën në Podgoricë, ku filluan të mësonin gjuhën sllave, në mungesë të arsimit në gjuhën amtare, dhe më vonë në këtë gjuhë, ata vazhduan arsimin e mesëm në Beograd, sepse në Mal të Zi nuk kishte një nivel të tillë arsimimi, dhe i përfunduan studimet universitare në Romë (Itali). Ata kishin njohuri nga prindërit e tyre për traditat, zakonet, doket dhe cilësitë më të larta shqiptare-besnikërinë, burrërinë, guximin, bujarinë dhe ndershmërinë, sipas  Kodit të Lekës  (Kanuni i Lekë Dukagjinit). Familja e tyre, në rrethana të pafavorshme për shqiptarët, arriti të ruante mjaft mirë rrënjët, identitetin shqiptar, veshjet origjinale kombëtare dhe gjuhën.

Takimi i parë në Tiranë në vitin 2003

Nuk e kisha menduar kurrë se do të kisha mundësinë të takoja Drita Ivanajn, vajzën e Martin Ivanajt, kryetarit të parë të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë me kulturë perëndimore, dhe mbesën e Mirash Ivanajt, dy figura të shquara në themelimin dhe konsolidimin e sistemit të arsimit ligjor në Shqipëri, të cilët patën një fat të hidhur, si dhe fatin e vetë familjes së madhe Ivanaj. Ky nder dhe privilegj u bë i mundur nga miku im i ndjerë, Dr. Lukë Gjokaj, i cili ka  lidhje gjaku me këtë familje. Ndërsa po bisedonim ngrohtësisht në ordinacën  e tij mjekësore në Tuz, ai më informoi se Drita Ivanaj do të organizojë një konferencë kulturore me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Prof.dr. Mirash Ivanajt në Tiranë, më 22 shtator 2003, duke më ftuar në këtë konferencë.

Lajmi dhe ftesa e tij ishin një surprizë, një kënaqësi dhe një nder i veçantë për mua, diçka që më preku shumë dhe më solli përsëri te njohuritë e pamjaftueshme që kisha për familjen Ivanaj, veçanërisht për znj. Dritë, për të cilën dija shumë pak dhe nuk e kisha parë kurrë. Mendova sa i lumtur jam që do t’i shtrëngoj dorën atë ditë dhe  ta përqafoj me gjithë zemër e shpirt, si një motër, dhe t’i them se jam vëllai juaj nga Trieshi, i cili është krenar dhe  mburret   me  ju dhe familjen tuaj, e cila bëri gjithçka për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Ky mendim u ndërpre nga Dr. Luka, siç e quanin malësorët, duke më thënë se nëse doni, do të shkojmë së bashku në këtë aktivitet në Tiranë, ku znj. Dritë më ftoi. Ia thashë këtë me kënaqësinë më të madhe dhe e falënderova për ftesën dhe nderin që më bëri.

Mëngjesin e 22 shtatorit 2003, mbërritëm në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku Fondacioni Ivanaj, me seli në Tiranë dhe Nju -Jork, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Akademinë e Shkencave, Arkivin e Shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare, organizoi një konferencë kulturore, mbështetur nga Fomndacioni “ Mirash dhe Martin Ivanaj”. Përpara ndërtesës së Muzeut Historik Kombëtar, takuam dhe u njohëm me disa figura të shquara të arsimit dhe kulturës shqiptare. Takimi  më i veçantë dhe mbresëlënës ishte me intelektualin e shquar durrsak  Pjetër Filip Arbnorin (1935-2006), një nga figurat më të respektuara dhe të vlerësuara post-komuniste të kombit shqiptar, i cili u persekutua politikisht gjatë regjimit komunist (1944-1990)-shkrimtar, deputet dhe kryetar i Kuvendit të Republikës  së Shqipërisë gjatë periudhës së brishtë të demokracisë. Gjatë një bisede të shkurtër me të, shfrytëzova rastin për ta informuar se jam  stërnipi i Prekë Calit, piramidës së kufijve të Shqipërisë, për të cilin shkrova një monografi modeste, të cilën, siç më tha ai, veç e kishte lexuar dhe e mbante në bibliotekën e tij.

Në ndarje, z. Arbnori, i kërrusur  nga pleqëria, hapi çantën e librave  që mbante në dorën e djathtë dhe më dhuroi  librin “ Nga jeta në burgjet komunite” (studime historike 1992). Sapo hymë në sallën ku mbahej konferenca, znj. Drita Ivanaj na përshëndeti me një buzëqeshje. Ajo përmes përkthyeses znj. Pertefe Leka,  na falënderoi për pjesëmarrjen tonë dhe të  një numri simbolik  trieshanësh të tjerë, kryesisht nga fshati Bëkaj, duke na thënë me mirësi: ”Mirë se keni ardhur!  Trieshianët janë vëllezërit e mi. Edhe pse nuk kam lindur në Triesh, meqenëse jetoj jashtë Shqipërisë, nuk i kam harruar kurrë rrënjët e mia. Trieshanët, pavarësisht faktit që për fat të keq nuk i njihja, ishin gjithmonë në kujtesën time dhe i doja. Ndihem e lumtur që më në fund vizitova vendlindjen e paraardhësve të mi, fshatin Bekaj, pas shumë vitesh dhe rrënojat e kullës Ivanaj (Ujkaj).”

Konferenca u hap nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Luan Memushi, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, z.. Ylli Popa. Folësit që folën për personalitetin e madh të kombit, ministrin e Arsimit në Shqipëri, një burrë shteti shembullor, drejtorin dhe reformatorin e shkollës së mesme shtetërore në Shkodër, trashëgiminë letrare të Mirash Ivanajt dhe fondet arkivore të vëllezërve Ivanaj ishin: Uran Butka, Dr. Shaban Sinani, Prof. Iljaz Goga, Dr. Nevila Nika dhe Dr. Kaliope Naska. Drita Ivanaj e mbylli konferencën me një përshkrim të shkurtër të jetës së saj, që nga fëmijëria deri në realizimin e ëndrrës së saj të kahershme, që ishte krijimi i Fondacionit Ivanaj. (vazhdon)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kristinë Oroshi: Liza Llesh Moli – Heroina që mbrojti pragun e shtëpisë Hysen Ibrahimi: Faruk Spahija – Kontributi dhe Sakrifica në Shërbim të Lirisë së Kosovës Hysen Ibrahimi: Kontributi i Gani Azemit në promovimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës Ramiz Selimi: Smajl Maliqi, veprimtar dhe humanist i palodhur! Lekë Mrijaj: Homazh në nëntëvjetorin e kalimit në amshim të don Gjergj Gjergji-Gashi Gjon Keka: Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shembull për imitim Klajd Kapinova: Besa, guximi, mikpritja dhe bujaria shqiptare e familjes me tradita të Ded Kol Mirit Dedvukaj (1953-2025) Jusuf Buxhovi: Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit – komplot kundër rezistencës institucionale Gjekë Gjonaj: Veprimtaria shkencore e Dr. Martin M. Bojaj Asllan Dibrani-Luani: Profesor Blerim Latifi – Intelektual evropian dhe luftëtar i lirisë Sevdail Hyseni: Nazim Hajdini – Nga fronti i luftës te misioni qytetar për të ardhmen Dorian Koçi: Gjeologu shkencëtar polak Stanislaw Zuber dhe kujtesa jonë kolektive Gjon Keka: Rrënjët e Skënderbeut nuk mund t'ia shkul asnjë fanatizëm i verbër fetar Hysen Ibrahimi: Dhjetë vjet pa akademik Mark Krasniqin Don Fran Sopi: Shën Nënë Tereza, drita që lindi 115 vite më parë Sadbere Emshiu: Nue Oroshi – Enciklopedia e gjallë e kujtesës Shqiptare Avzi Mustafa: Jetoi me muzikë dhe iku si një këngë e lehtë Rejhane Rexhepi: Lamtumirë Imran Murati – një jetë e lidhur me idealin e lirisë Nue Oroshi: Kujtesë për atdhetarët e mirëfilltë të Shqipërisë Etnike Dorian Koçi: Musine Kokalari dhe lufta për liri intelektuale në Shqipërinë e pasluftës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx