Faleminderit
Hysen Ibrahimi: Faruk Spahija – Kontributi dhe Sakrifica në Shërbim të Lirisë së Kosovës
E premte, 03.10.2025, 06:54 PM
FARUK SPAHIJA – KONTRIBUTI ATDHETAR DHE SAKRIFICA E TIJ JETËSORE ISHTE NË SHËRBIM TË LIRISË SË KOSOVËS
Nga
Hysen Ibrahimi
Nesër
më 3 tetor 2025 është përvjetori i njëzetë i ndarjes nga jeta, përkujtojmë
figurën e Faruk Spahisë, një intelektual dhe aktivist i shquar, i cili me
veprimtarinë e tij politike dhe shoqërore u rendit në ballë të proceseve për
pavarësinë e Republikës së Kosovës, me një përkushtim të veçantë ndaj qytetit
të Mitrovicës dhe gjithë rajonit. Spahija, i njohur për intelektualizmin, sjelljen
e tij të qytetëruar dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, ishte
bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Gjatë
viteve ’90, në periudhën e shtypjes sistematike serbe ndaj shqiptarëve të
Kosovës, Faruk Spahija zhvilloi një veprimtari të dendur organizative dhe
atdhetare. Në takimet e rregullta me veprimtarët e LDK-së në Mitrovicë, ku
përfshihej edhe Spahija, theksohej domosdoshmëria e koordinimit me mërgatën
shqiptare. Përmes këshillave të tij dhe të intelektualëve të tjerë, si Prof.
Dr. Latif Berisha, u krijuan ura bashkëpunimi me mërgatën, veçanërisht në
Suedi, me qëllim sensibilizimin e opinionit evropian për gjendjen e rëndë
politike, arsimore, shëndetësore dhe humane në Kosovë.
Veprimtaria
e Spahisë dhe bashkëveprimtarëve të tij përfshinte organizimin e ndihmave
financiare për shkollat shqipe, hapjen e shkollave në mërgatë për ruajtjen e
gjuhës amtare dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Këto iniciativa kishin rol të
jashtëzakonshëm në mbështetjen e popullatës shqiptare, e cila po përballej me
represion, dhunë dhe përpjekje për shpërngulje të dhunshme nga regjimi serb, si
pjesë e politikës së kolonizimit të Kosovës.
Kontributi
i Faruk Spahisë duhet të trajtohet si një pjesë e rëndësishme e historisë së
lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij nuk ishte e motivuar nga përfitime
personale, por përkushtuar tërësisht idealit të lirisë dhe pavarësisë së
Kosovës. Për këtë arsye, institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti
Komuna e Mitrovicës, kanë detyrimin moral dhe historik që të kujtojnë dhe
nderojnë pa ndërprerje sakrificën dhe veprimtarinë e tij.
Vdekja
e parakohshme e Faruk Spahisë ndodhi në një periudhë kur Mitrovica kishte
nevojë të madhe për kontributin e tij, veçanërisht në kohën kur mërgata arriti
të binjakëzonte Komunën e Mitrovicës me Komunën e Hässleholm-it në Suedi, si
dhe në nisma të tjera për krijimin e bashkëpunimeve ndërkomunale në fusha të
ndryshme.
Kujtimi
për Faruk Spahinë, ashtu si edhe për të gjithë ata që kontribuan për lirinë e
Kosovës, mbetet i përjetshëm.