Kulturë
Hivzi Muharremi: Frymëzime jete - ndërthurje e ndjenjës dhe konceptit
E hene, 13.10.2025, 06:55 PM
FRYMËZIME JETE NDËRTHURJE E NDJENJES DHE KONCEPTIT
Në
qytetin piktoresk të Pogradecit u hap ekspozita e piktorit, Haxhi Kastrati në
Galerinë e Arteve. Para një numri të konsiderueshëm të vizitorëve, dashamirëve
të artit dhe piktorëve vendor. Nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit e bëri
hapjen e ekspozitës së artistit, ndërsa unë si kurator i ekspozitës e
prezantova artistin me ciklin e veprave të fundit, “Zogjët e lirisë” punuar
gjatë viteve 2023 – 2025.
Nga
Prof. Dr. Hivzi Muharremi
Piktori
akademik Haxhi Kastrati para dashamirëve të artit në Pogradec prezantohet me 40
vepra të reja artistike një ekspozitë që përfaqëson kulmin e krijimtarisë së
tij gjatë dy viteve të fundit (2023–2025). Këto vepra, të titulluara “Zogjtë e
lirisë”, janë fryt i një krijimtarie të pandalshme dhe një përkushtimi të
thellë ndaj artit, që ka karakterizuar jetën dhe veprën e tij që nga hapat e
parë në pikturë.
Piktori
Haxhi Kastrati, një emër tashmë i njohur jo vetëm në skenën artistike të
Kosovës por edhe në atë shqiptare dhe ndërkombëtare, ka ndërtuar një karrierë
të qëndrueshme dhe të pasur në rrjedhën e dekadave. Ai është një krijues i cili
me një përkushtim të jashtëzakonshëm i është qasur artit që prej fillimeve të
tij, duke mos reshtur kurrë së eksploruari e zhvilluari gjuhën e tij vizuale.
Gjithmonë i lidhur shpirtërisht me vendlindjen dhe natyrën që e rrethon, ai
është mishëruar me pamjet, motivet dhe frymën e Alpeve Shqiptare, të cilat kanë
mbetur boshti i pandryshueshëm i veprës së tij artistike.
Krijimtaria
e tij është një sintezë harmonike mes kujtesës vizuale dhe emocionale, ku
natyra, drita, ngjyrat dhe forma shndërrohen në simbolikë shpirtërore. Në
ekspozitën e hapur në galerinë e qytetit të Pogradecit, një nga qendrat më të
gjalla kulturore të juglindjes së Shqipërisë, Kastrati paraqitet me punime që
përfaqësojnë një cikël të rëndësishëm të zhvillimit të tij stilistik dhe
estetik.
Cikli
më i fundit, “Zogjtë e lirisë”, i realizuar në teknikën e akrilikut gjatë
viteve 2023–2025, është një dëshmi e freskët dhe e fuqishme e shprehjes
ekspresive të artistit. Peizazhet e Bjeshkëve të Nemuna, format e natyrës së
egër, struktura e relievit dhe larmia e florës dhe faunës shndërrohen në një
univers piktural ku ngjyra dhe drita janë protagonistët kryesorë.
Ngjyrat
e përdorura në këto vepra janë të ngrohta, të pasura dhe të përzgjedhura me
kujdes për të krijuar kontraste të forta emocionale dhe vizuale. Autorit i
intereson jo vetëm kompozimi formal, por edhe ndërthurja e ndjenjës dhe
konceptit në mënyrë që të krijojë një përvojë të gjithanshme për shikuesin. Në
to dominojnë ngjyrat e kuqe, okër, blu dhe nuancat që e lidhin veprën me
elementet e natyrës, por që njëkohësisht bartin një simbolikë të fuqishme të
lirisë, shpirtit dhe individualitetit.
Në
këtë cikël, Kastrati shpërfaq dy elemente kryesore që kanë qenë gjithnjë pjesë
thelbësore e opusit të tij: ngjyrën dhe dritën. Ai përdor ngjyrën jo vetëm si
mjet estetik, por si një gjuhë emocionale për të komunikuar thellësinë e
ndjenjës dhe reflektimit filozofik mbi natyrën dhe jetën. Drita, nga ana
tjetër, nuk është thjesht një element teknik, por një simbol i shpresës, i
frymëzimit dhe i shpalosjes së së bukurës.
Në
veprat e këtij cikli vërehet një trajtim i veçantë i dritës dhe hijes, që
shprehet përmes përdorimit të formave gjeometrike dhe strukturave të rafinuara
kompozicionale. Kjo qasje e bën veprën jo vetëm një peizazh i bukur për syrin,
por edhe një reflektim mbi ndjeshmërinë njerëzore dhe lidhjen e njeriut me
natyrën.
Zhvillimi
artistik i Haxhi Kastratit është ndarë në katër faza kryesore stilistike që
dëshmojnë për kapacitetin e tij për të eksperimentuar dhe evoluar:
Faza
e parë Realizmi (1974–1978): Një periudhë e ndikuar nga shkolla klasike e
artit, me përqendrim në përshkrimin e besueshëm të realitetit.
Faza
e dytë Ekspresionizmi Fantastik (1979–1981): Një qasje më imaginative dhe
simbolike, ku realiteti transformohet në figura mitike dhe metafora të
fuqishme.
Faza
e tretë Ekspresionizmi Abstrakt (1985–2000): Një periudhë e pjekurisë artistike
ku forma dhe ngjyra shndërrohen në gjuhë të pastër emocionale.
Faza
e katërt Ekspresionizmi Ekspresiv (2000–2025): Faza më e fundit, ku artisti
arrin një sintezë të të gjitha përvojave të mëparshme, duke zhvilluar një stil
unik dhe të identifikueshëm.
Haxhi
Kastrati ka qenë një pjesëmarrës aktiv në jetën kulturore të Shqipërisë dhe më
gjerë. Ai ka ekspozuar në qytete të ndryshme të vendit si Tirana, Fieri,
Berati, Shkodra, Korça, Saranda etj., ndërsa në skenën ndërkombëtare ka qenë
pjesë e bienaleve prestigjioze të vizatimit, pikturës, skulpturës dhe grafikës,
si dhe i shumë kolonive artistike. Është laureuar me disa çmime të rëndësishme
në Kosovë dhe jashtë saj, çmime që dëshmojnë jo vetëm për cilësinë e lartë të
veprës së tij, por edhe për kontributin e vazhdueshëm në artin bashkëkohor
shqiptar.
Në
përmbyllje, ekspozita “Zogjtë e lirisë” është më shumë se një shfaqje
pikturash është një rrëfim i thellë
vizual për natyrën, shpirtin dhe përpjekjen njerëzore për liri dhe identitet.
Ajo fton shikuesin në një dialog të heshtur me tablotë, një dialog që zgjat
edhe pasi ekspozita mbyllet – njësoj si jehona e zogjve që fluturojnë lart mbi
majat e Alpeve Shqiptare.
Pogradec, 10.10.2025