Kulturë
Kadri Tarelli: Kavaja kujtoi madhërisht luftëtarët vullnetarë
E hene, 13.10.2025, 06:58 PM
“Më quani si të doni, unë s’jam e pa fe.
Më parë e çmoj Kombin dhe në të bëjë be”.
Zylfie
Gërvalla.
KAVAJA, KUJTOI MADHËRISHT LUFTËTARËT VULLNETARË
Në luftën për
mbrojtjen e Shkodrës.
(Tetor 1912 –
Prill 1913)
Nga
Kadri Tarelli
Në ditët e para
të muajit, më: 02, të vjeshtës së dytë, 2025, u mbajt kuvendi historik, me temë:
"Sakrificat, trimëritë dhe heroizmi i pashembullt i vullnetarëve të
trevës së Kavajës dhe i të gjithë popullit të kësaj treve, në luftën për
mbrojtjen e Shkodrës, (tetor 1912 - prill 1913).
Nderoi me
pjesëmarrje Presidenti Alfred Moisiu.
Organizator dhe
drejtues i këtij kuvendi të rrallë, ishte z. Nexhmi Haveriku.
Referuan me
radhë: historiani Xhaferr Xhihani, autor i
librit për Luftën e Shkodrës, Ramazan Hushi, shkrimtar-studiues, Muharrem Shqarri, Studiues; Dr. i shkencave
gjuhësore, Durim Çaça poet dhe studiues, Xhevahir Xherri historian, dhe poeti Allaman Hoxha.
Në takim
përshëndetën edhe disa personalitete të jetës shkencore, artistike dhe
historike të Kavajës. Mes tyre po përmend: Maksim Kona, Astrit Berati, Abedin
Krasniqi, Shefik Myftiu, Fiqeret Fosa, Azem Ajdini, Genc Gjylsheni me detyrë
n/kryetar i Bashkisë Kavajë.
Në fillim të
këtij shkrimi, përmenda fjalën “Kuvend i rrallë”, jo vetëm për nga rëndësia,
përmbajtja dhe vlera, porse nga kohëzgjatja e pa pranueshme, dhe e pa imagjinueshme
e “Harresës” apo mosdashjes, për një ngjarje kaq madhore të ndodhur 112 vjet më
parë, siç është e njohura “Lufta e Shkodrës”, ku shkuan shumë vullnetarë nga
trevat shqiptare, nga Kavaja, Shijaku, Tirana, Kruja, Dibra, Mati, etj, etj.
Isha i
pranishëm dhe ndoqa me shumë vëmendje kumtesat, ashtu edhe përshëndetjet, ku
ndjehej krenaria dhe përgatitja serioze e atyre që mbajtën kuvendin, duke nderuar
kumtin e atdhetarizmit të popullit të trevës së Kavajës.
Me shokët, kur
diskutoj për këtë ngjarje, (unë e quaj ngjarje madhore në historinë dhe jetën e
qytetit të Kavajës), me shaka u them, se edhe në këmbë do të shkoja nga Durrësi
në Kavajë, që të isha i pranishëm. Shakaja ka një të vërtetë të madhe: Qofsha i
gabuar, por është e para herë që publikisht shtrohet për njohje, pjesëmarrja e
jo pak, por rreth 500 vullnetarëve, djem të rinj, dhe që, 168 prej tyre dhanë
jetën duke luftuar heroikisht në mbrojtje të Shkodrës, ose më saktë në mbrojtje
të territoreve shqiptare nga ushtria pushtuese Malazeze.
Nuk dua të hyj
në histori, sepse nuk mund të matem me studimet aq serioze të historianëve studiues
Kavajas. Nuk dua të hyj edhe në analizë politike të kohëve që kaluam, pasi janë
tre sisteme shtetërore. Monarkia, Diktatura komuniste, dhe “Demokracia”, (i
thënçin). Por vetiu lind pyetja, që shpon e dhemb sa herë që kujtohen ngjarje
të tilla: Si është e mundur që të harrohet ose bëhet sikur harrohet, një
ngjarje kaq e madhe që bën krenar çdo shqiptar, jo vetëm kavajasit....?
Nëse nuk janë kujtuar
individët apo grup individësh, siç ndodhi në Kavajë, Shijak, Krujë ........! Po
Shkodra pse ka heshtur, mos ka lajthitur.....!? Si mund të harrohet një luftë
kaq e madhe, ku ka me qindra, mos me mijëra të vrarë, dëshmorë dhe qytetarë të
thjeshtë që u përfshinë në vorbullën e luftës, të bombardimeve dhe urisë së
jashtëzakonshme që mbuloi qytetin e rrethuar? Po institucionet shtetërore,
Akademia, instituti i Historisë, me forca intelektuale të shumta, të
mirënjohura e të paguara, si dhe pse kanë heshtur deri më sot......? Kështu kur
hapet gryka e thesit me pyetje, ato nuk kanë fund. Pa fund janë dhe përgjigjet,
por askush nga ne nuk i ka dëgjuar, që të qetësohet, të gëzohet apo të
trishtohet.
Jam në dije se
ka disa botime rreth kësaj ngjarje, por vetë kaq. Problemi mbetet te një grup i
ngushtë këndonjësish të pasionuar pas shkrimeve historike. Po masa e qytetarëve
ku është, si mund ta kujtojë e përjetojë atë ngjarje kur nuk ka një monument,
pllakë përkujtimore, memorial? Mbase një veprimtari siç ishte kjo e sotmja, apo
ku di unë tjetër......!? Fantazia shkon larg.......! Cili nga ne nuk do të
mburrej nëse shikon emrin e dëshmorit të familjes së tij, të shkruar në një
pllakat të vendosur në një vend të dukshëm në qytet.....!? Kanë kaluar katër
breza, por gjaku i të rënëve dhe rrënjët e gjithsecilit nuk harrohen. Vjen një
ditë që dikush ngre zërin për drejtësi dhe histori.
Çuditë e
historisë sonë janë pafund. Kujtojmë dhe nderojmë ngjarje jo shumë të qenësishme,
cikërrima të historisë lokale, madje jo kombëtare. Mirë bëjmë. Edhe ato janë
pjesë e zinxhirit të ngjarjeve të kohës. Ndërkohë “harrojmë” Luftën për mbrojtjen
e Shkodrës........! Mjafton të analizojmë shumë pak rrethanat e asaj kohe:
Lufta Ballkanike ishte në kulmin e saj, territoret e Shqipërisë ishin në
rrezik, jo vetëm si pushtim nga fqinjët, por diskutohej si do të ndaheshin dhe
kush do të merrte llokmën më të madhe. Shteti shqiptar nuk ishte formuar, ende
duheshin edhe mjaft dit që të shpallej “Mëvetësia”.
Vini re një
hollësi fare të thjeshtë: Grumbullimi dhe nisja e vullnetarëve u bë në mes të
muajit, tetor, 1912. Pra afro një muaj e gjysmë para se të shpallej Mëvetësia e
Shqipërisë, më: 28, të vjeshtës së tretë, 1912, dhe vazhdoi deri në prill 1913.
Me një fjalë, ne nuk kishim as shtet dhe aq qeveri, që të bënte këtë mobilizim
forcash. S’besoj se ka shembull më të ndritur.....! Më pas, - A kishte fuqi kjo
qeveri e re, me shtrirje të cunguar territoresh, në kushtet e pushtimit të
vendit? Cila ishte baza juridike, ekonomike dhe ushtarake që të vepronte? Në
këtë zallamahi rrëmuje, doli edhe problemi madhor i Shkodrës! Atdhetarizmi
shkëlqeu.
Mjafton vetëm
kaq që ne të ngazëllehemi e të krenohemi si askush tjetër. Rreziku kombëtar dhe
thirrja e dheut që lëngonte, u dëgjua nga zemrat e shqiptareve. Kambana e
alarmit ndezi prushin e fjetur nën hi. Vullnetarët kavajas u nisën për luftë
dhe lufta ka ligjet e veta. Aty shkon për të vdekur..! Pavarësisht motivit
madhor, siç është mbrojtja e truallit, mëmëdheut dhe kombit.
Ajo që u
theksua nga të gjithë folësit e nderuar, ishte se dëshira për të mbrojtur
Shkodrën, nuk pyeti se çfarë fe e besim i ke, je i Krishter apo Myslyman. Në
luftë shkuan si vëllezër të një gjaku, jo për fe, por për atdhe dhe ranë
dëshmorë, duke vaditur tokën e Arbrit. Kështu që askush nga institucionet
fetare, veç nderimit, nuk ka pse t’i afrohet kësaj ngjarjeje madhore. Po
përmend disa nga dëshmorët e rënë në luftë, të gjithë djem të rinj, nga fshati
e qyteti: Vath Mersin Reçi, Muhamet Idfrizi, Daut Babamusta, LLazar Mihal Kona,
Andon Thanas Papa, Fejzulla Dabulla, Muhamet Idrizi, Mustafa Ali Krantja,
Bajram Mullaliu, Adem Berati, Shaban Thartori, etj, etj.
Është e
vërtetë, (sipas studiuesve), se në organizimin e kësaj veprimtarie madhore u
shquan disa figura, si Sheh Hamid Kraja, etj, por vetë kaq. Ishte shpirti i tij atdhedashës, mendja e ndritur që
kishte përqafuar idetë e Rilindësve. Ai jetonte dhe kuptonte kohën, ndaj
ndihmoi me sa mundi grumbullimin e vullnetarëve. Dhe, ishte po kaq e vërtetë,
se nuk pati asnjë klerik, që të ngrinte zërin kundër vullnetit të vullnetarëve
kavajas. Ndryshe do të tregohej me gisht.
Muharrem Shqarri,
në kumtesën e tij me titull: “Sheh Hamid Kraja – shprehës i virtyteve të larta të popullit të qarkut
të Kavajës për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve kombëtare”, shprehet: Ai që në
fjalët e para thekson: “Kur përmendim togfjalëshin, “Atdhetarët e Kavajës”,
nënkuptojmë banorët e saj, myslimanë e të krishterë, pa dallim besimi apo sekti
fetar.
Më tej autori
Muharrem Shqarri, vazhdon: Një vlerësim i hershëm për rolin atdhetar dhe ndihmesën që dha Sheh
Hamidi në dobi të kombit, pasqyrohet në një dokument që ruhet në Arkivin Qëndror
të Shtetit:“Sadoqë fetar (Sheh), i ndjeri ishte njeri me parime moderne dhe
idenë kombëtare e ka përqafuar qysh në kohërat e errëta të sundimit Osman. Ka
qenë anëtar i Klubit të “Itilafit”, vendimeve të të cilit nuk ka mungur për t’i
dalë zot me guxim. Shqiptar i flakët e atdhetar i deklaruar,…”.
Besoj se kaq mjafton për të formuar një ide të
plotë e të saktë, për disa nga figurat atdhetarte, që u përfshinë në ato
ngjarje të mëdha, ku luhej fati i mëmëdheut dhe kombit. E gjitha e përmbledhur
në këto pak rreshta:
“Lufta për mbrojtjen e Shkodrës shprehu
edhe njëherë karakterin atdhetar të popullit të Kavajës. Menjëherë u krijua një
komision nga burra që u dëgjohej fjala dhe që ishin gjendur në krye të popullit
në situata kritike. Një ndër anëtarët e atij komisioni ishte edhe kleriku Sheh
Hamid Kraja. Komisioni propagandoi dhe organizoi mobilizimin e luftëtarëve
kavajas për mbrojtjen e Shkodrës. Krahas thirrjes që i bëhej popullit për të
dalë vullnetarë për mbrojtjen e qytetit verior, thuhet se komisioni dhe
atdhetarë të tjerë ndihmuan edhe materialisht familjet e luftëtarëve që
niseshin drejt Shkodrës”.
Edhe sot e
kësaj dite, askush nuk mund të mohojë, apo të harrojë traditën atdhetare e
kombëtare. Mjafton të kujtojmë dëshmorin Indrit Cara, bir i Kavajës, i cili la
Londrën dhe u kthye në vendlindje, me qëllim për t’u rreshtuar në luftën për
liri të tokës Dardane. Luftë që bënin vëllezërit tanë në Dardaninë e pushtuar
nga forcat ushtarake Serbe. Çdo shqiptar mburret me veprimin e tij. Një
shembull i madhërishëm që përhap veç atdhedashuri e Shqiptari. Një model
shenjtërimi, si të gjithë dëshmorët që ranë në atë luftë të shenjtë.
Në përfundim të
këtij shkrimi, më duhet të jap vlerësimin tim, si qytetar dhe njohës i
historisë. Në këtë udhë gjykimi, i rëndësishëm është mendimi i përbashkët i të
gjithë personaliteteve që folën në kuvend:
Së pari: të
gjitha kumtesat të përmblidhen në një botim libri, për t’i shërbyer kohës dhe
brezave.
Së dyti: të
ngrihet një monument, memorial apo pllakat ku të përjetësohet kjo ngjarje
madhore, si simbol i përpjekjeve të popullit të Kavajës, për atdhe e bashkim
kombëtar.
Të gjitha janë
të realizueshme, mjafton dëshira dhe vendosmëria e burrave të fisme, të
qëndrueshëm e të besës në fjalën e dhënë.
Urime dhe mirë
u pjekshim në veprimtari të tilla shkencore e atdhetare. Kombi ka nevojë të
njohë dhe të nderojë historinë. Dhe për më tepër, ata që e shkruan historinë me
gjak e sakrifica.
Kadri Tarelli
Durrës, më: 08, të vjeshtës së dytë, 2025.