Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (44)
E merkure, 24.09.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (44)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
VALDETE RIFAT JASHARI
(27.
7. 1983 – 5. 3. 1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Lufta
e zhvilluar në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 nuk mund të përshkruhet thjesht si
një luftë e zakonshëm apo si një përballje e rregullt ushtarake sipas modeleve
klasike të luftës konvencionale. Ajo ishte një përplasje asimetrike dhe e
jashtëzakonshme, që doli përtej kornizave të zakonshme të strategjisë dhe
taktikës ushtarake të njohur deri atëherë.
Në
të vërtetë, kjo luftë përfaqësonte një kontekst krejtësisht specifik historik
dhe politik. Ishte një përpjekje e popullit shqiptar të Kosovës për të thyer
prangat e një sundimi të gjatë, të dhunshëm dhe të strukturuar mbi robërinë dhe
diskriminimin kombëtar dhe mohimin e të drejtave më themelore. U zhvillua jo
midis ushtrive të mirëpajisura dhe të balancuara, por midis një force
shtetërore të madhe, të pajisur me makineri të rëndë lufte dhe me kontroll të
plotë institucional, dhe një lëvizjeje çlirimtare që buronte nga populli, e
përbërë kryesisht nga vullnetarë, luftëtarë të mobilizuar shpirtërisht dhe të
lidhur fort pas idealit të lirisë.
Në
këtë kuptim, lufta nuk kishte kufij të qartë fronti, nuk i bindej rregullave të
luftës konvencionale dhe shpesh zhvillohej në terren të vështirë, në forma
guerile dhe me taktika të përshtatura sipas kushteve dhe rrethanave të veçanta
lokale. Luftëtarët e UÇK-së u përballën me një armik që kishte epërsi të
dukshme në teknikë dhe në logjistikë, por ata mbështeteshin në përkrahjen
popullore, në njohjen e terrenit dhe në një vendosmëri të pathyeshme morale dhe
kombëtare.
Kjo
ishte një luftë e motivuar jo vetëm nga nevoja për mbijetesë fizike, por edhe
nga aspirata për dinjitet kombëtar dhe të drejta njerëzore, një luftë për të
rimarrë në dorë fatin historik dhe politik të vendit. Prandaj, çdo përpjekje
për ta përkufizuar brenda modeleve klasike të luftës së armatosur do të ishte e
mangët dhe do t’i mohonte karakterin e saj të vërtetë, një luftë çlirimtare,
popullore dhe thellësisht e drejtë, që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës
dhe ndikoi në mënyrë të thellë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Një
nga aspektet më të dhimbshme dhe tragjike të luftës në Kosovë gjatë viteve
1998–1999 ishte mungesa e plotë e rregullave dhe e respektit për normat dhe
konventat ndërkombëtare të luftës. Në vend që të ruhej një minimum humaniteti
edhe në mes të përplasjes së armatosur, u shfaq një egërsi sistematike dhe e
pamëshirshme ndaj popullatës civile, që përbën një nga faqet më të zeza të asaj
periudhe.
Kjo
nuk ishte një luftë midis dy palëve të barabarta që respektonin Konventën e
Gjenevës apo parimet themelore të të drejtës humanitare. Përkundrazi, ajo
karakterizohej nga një strategji e përllogaritur e terrorit dhe e frikësimit,
që kishte për synim shkatërrimin e strukturës sociale shqiptare dhe nënshtrimin
e plotë të popullit të Kosovës.
Fëmijët,
më të pafajshmit dhe më të pambrojturit e shoqërisë, nuk u kursyen aspak. Shumë
prej tyre u vranë në mënyrë të pamëshirshme, duke lënë plagë të pashlyeshme në
ndërgjegjen kolektive. Gratë, shumica prej të cilave nuk kishin mbajtur kurrë
armë në dorë, u bënë objekt i dhunës seksuale të organizuar – një krim lufte i
përdorur si mjet për poshtërim dhe thyerje morale të komunitetit shqiptar. Po
ashtu, pleqtë dhe plakat – simbol i mençurisë dhe i trashëgimisë së brezave – u
masakruan pa mëshirë, së bashku me të rinjtë që sapo nisnin jetën. Nuk u kursye
askush dhe nuk u njoh asnjë kufi njerëzor.
Përveç
humbjeve njerëzore, synimi ishte edhe shkatërrimi i çdo gjëje që kishte vulë
shqiptare: shtëpi, shkolla, objekte fetare dhe kulturore, monumente historike.
Ky shkatërrim i planifikuar nuk ishte rastësor, por pjesë e një strategjie të
pastrimit etnik që synonte të zhdukte praninë dhe kujtesën shqiptare nga ato
troje.
Në
këtë kuptim, lufta në Kosovë nuk ishte vetëm një konflikt ushtarak, por një akt
i rëndë barbarie që sfidoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe mbetet një dëshmi e
gjallë e nevojës për drejtësi dhe kujtesë historike. Për të kuptuar dhe për të
vërtetuar qartë natyrën e dhunshme dhe çnjerëzore të luftës në Kosovë, nuk
nevojitet të kërkojmë shumë shembuj të shpërndarë apo të largët. Mjafton të
ndalemi tek një nga ngjarjet më të fuqishme dhe më tronditëse të asaj kohe –
epopeja e lavdishme dhe tragjike e familjes Jashari në Prekaz.
Ky
akt qëndrese nuk është vetëm një fragment i dhimbshëm i historisë sonë të re,
por një pasqyrë e qartë dhe e pamohueshme e brutalitetit me të cilin përballej
populli shqiptar në përpjekjen e tij legjitime për liri dhe vetëvendosje. Në
këtë rast, përmasat e dhunës nuk u kufizuan vetëm në përballje të armatosura
mes luftëtarësh, u shënjestrua një familje e tërë – burra, gra dhe fëmijë –
duke u masakruar pa dallim dhe pa mëshirë.
Masakra
ndaj familjes Jashari nuk ishte një incident i izoluar apo një teprim i
rastësishëm ushtarak, por një ilustrim i zhdërvjelltë i një strategjie të
planifikuar terrori dhe zhdukjeje. Ajo tregoi qartë se çfarë lloj makinerie
shtetërore dhe çfarë ideologjie të egër represive kishte përballë populli
shqiptar, një forcë që nuk hezitonte të përdorte metodat më çnjerëzore për të
shtypur çdo zë lirie dhe për të thyer vullnetin e një kombi të tërë.
Heroizmi
i familjes Jashari, që zgjodhi të mos dorëzohej përballë rrethimit dhe armëve
të rënda, simbolizon sakrificën më të pastër dhe më të ndritur të këtij ideali.
Të jetosh dhe të vdesësh për lirinë, edhe kur çmimi është vetë jeta e të
dashurve më të afërt.
Përmes
këtij shembulli të vetëm, bëhet e qartë për çdo vëzhgues të paanshëm se populli
shqiptar nuk po kërkonte asgjë më shumë se një të drejtë themelore, të jetonte
i lirë dhe i barabartë në vendin e vet. Dhe po bëhet gjithashtu e qartë se
çfarë lloj monstruoziteti dhe dhune sistematike duhej të kapërcente për të
realizuar këtë aspiratë të ligjshme.
Beteja
e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mbetet një nga
ngjarjet më monumentale dhe njëkohësisht më tragjike të historisë sonë të re
kombëtare. Është një kapitull i veçantë në kujtesën tonë kolektive, ku krenaria
për qëndresën heroike ndërthuret me dhembjen më të thellë për humbjet e
pësuara. Për tri ditë të tëra, familja Jashari u përball me një rrethim të
hekurt dhe një agresion të pamëshirshëm shtetëror, duke luftuar me vendosmëri
të pashoqe për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe njerëzor të shqiptarëve të
Kosovës.
Në
këtë betejë epike, të gjithë anëtarët e familjes Jashari, të vendosur në Kullën
e tyre që u bë simbol i pavdekshëm i rezistencës, dëshmuan trimëri dhe
vendosmëri të jashtëzakonshme. Në qendër të kësaj qëndrese qëndronte Adem
Jashari – figura legjendare e luftës çlirimtare – i cili, së bashku me vëllain
e tij Hamzën, babain Shabanin dhe të gjithë Jasharët e tjerë, refuzuan të
dorëzoheshin përballë forcave shumëfish më të mëdha të armikut.
Por
kjo betejë nuk kishte vetëm një çmim simbolik, se ajo u pagua me jetën e 59
dëshmorëve, pjesëtarë të lagjes Jashari dhe miqve që atëherë ndodheshin në
kullë dhe që vendosën të ndanin fatin e tyre. Humbjet ishin të rënda dhe të
dhimbshme, një sakrificë e madhe që goditi veçanërisht familjen e Shaban
Jasharit. Nga kjo familje, mes atyre që dhanë jetën për lirinë, ishin: Shaban
Murat Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban
Jashari, Feride Ramadan Jashari, Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari,
Hidajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball
Rifat Jashari, Selvete Hamzë Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari,
Lirie Hamzë Jashari, Blerim Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë
Jashari, Fitim Adem Jashari dhe Kushtrim Adem Jashari.
Beteja
e Prekazit mbetet një dëshmi madhështore e vendosmërisë për të mos iu nënshtruar
asimilimit dhe dhunës, një akt i pastër i flijimit për liri që do të mbetet
përherë frymëzim për brezat që do të vijnë. Prekazi u bë kështu jo vetëm një
vend i sakrificës, por edhe një simbol i pathyeshmërisë dhe i ndërgjegjes
kombëtare shqiptare.
Dëshmitë
dhe të dhënat historike mbi Betejën e Prekazit tregojnë qartë se kjo ngjarje
nuk ishte thjesht një akt qëndrese burrash të armatosur, por një akt i
përgjithshëm familjar dhe kombëtar, ku të gjithë – pa dallim moshe apo gjinie –
morën pjesë me guxim dhe vendosmëri të rrallë. Një nga figurat më prekëse dhe
njëkohësisht më të ndritura të kësaj sakrifice të jashtëzakonshme është pa
dyshim edhe Valdete Jashari, vajza e vogël e kësaj familjeje heroike.
Edhe
pse ende në moshën e fëmijërisë, Valdetja dëshmoi një trimëri të
jashtëzakonshme, duke e fituar me të drejtë dhe me nder vendin e saj në altarin
e pavdekësisë kombëtare. Përkundër moshës së njomë, ajo u përball me rrethimin
dhe sulmet brutale me një dinjitet të jashtëzakonshëm, duke e mishëruar në
mënyrën më të pastër dhe më prekëse heroizmin familjar të Jasharajve.
Hyrja
e Valdetes në faqet e lavdisë kombëtare nuk është thjesht një episod emocional
apo një kurorëzim simbolik. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj që përfaqësonte
Beteja e Prekazit, një akt të përgjithshëm vetëflijimi për lirinë, ku askush
nuk u tërhoq dhe ku edhe fëmijët më të vegjël u bënë pjesë e historisë, duke u
shndërruar në simbole të pastërta të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
Kështu,
Valdete Jashari nuk mbetet thjesht një viktimë e pafajshme e dhunës barbare,
por ngrihet në kujtesën kolektive si vashëza trime, një emër që përfaqëson
heroizmin e brezit më të ri të shqiptarëve dhe amanetin e pashlyeshëm të gjakut
të derdhur për liri. Prania e saj në altarin e lirisë është një thirrje e
përhershme për ta çmuar dhe për ta mbrojtur lirinë me të njëjtin guxim dhe
vendosmëri që treguan Jasharajt në ato ditë të marsit 1998.
Valdete
Jashari lindi më 27 gusht 1983, në Prekazin e Ulët të Skenderajt, një vend që
do të bëhej simbol i pavdekshëm i qëndresës kombëtare. Ajo ishte bija e Rifat
Jasharit dhe Zarife Bahtir-Jasharit, pjesë e një familjeje me traditë të njohur
atdhetarie dhe sakrifice.
Valdete
Jashari ndoqi shkollimin fillor në Skënderaj, ku shquhej për rezultate të
shkëlqyera dhe përkushtim të rrallë ndaj mësimeve. Ajo nuk ishte thjesht një
nxënëse e zellshme, ajo dallohej për mençurinë, seriozitetin dhe ndershmërinë
që e karakterizonin në çdo hap. Në marrëdhëniet me shokët dhe shoqet e klasës
ishte e dashur dhe e respektuar, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe të
ngrohtë rreth saj.
Kur
Kosova nisi të përjetonte periudhën e saj më të trazuar dhe të dhunshme, me
shpërthimin e luftës çlirimtare, Valdetja, si një bijë e denjë e familjes
Jashari, nuk mund të qëndronte indiferente. Ajo tregonte ndërgjegje të
jashtëzakonshme për moshën e saj të re. Shpesh, në biseda me shokët e klasës, u
fliste hapur dhe me pasion për nevojën e përgatitjes dhe të vendosmërisë për të
dalë përballë sfidës së madhe të mbrojtjes së atdheut. Fjalët e saj nuk ishin thjesht
frymëzuese, por bartnin seriozitetin e një edukate të thellë atdhetare dhe të
një ndërgjegjeje të formuar që herët.
Ajo
të binte në sy për një maturi dhe mençuri që nuk përputhej me moshën e saj,
duke u bërë një model i vërtetë mes bashkëmoshatarëve. Përveç kësaj, Valdeten e
përshkruante një modesti e natyrshme dhe një dashuri e thellë për atdheun, që
nuk ishte e zhurmshme, por e qartë dhe e ndershme në çdo gjest të saj.
Valdetja
u formua dhe u rrit në të njëjtën frymë që karakterizonte gjithë fëmijët e
kësaj treve të përvuajtur dhe krenare – një mjedis i ngarkuar me sfida
historike, ku idetë e lirisë, të rezistencës dhe të përkushtimit kombëtar nuk
ishin thjesht fjalë të mësuara në libra, por pjesë e përditshmërisë dhe e
identitetit. Në këtë kuptim, jeta dhe formimi i saj ishin pasqyrë e një edukate
të pandërprerë që përgatiti brezat e rinj jo vetëm për të ëndërruar për lirinë,
por edhe për ta fituar dhe mbrojtur atë me çdo çmim.
Valdetja
u rrit në një mjedis të ngarkuar me tension dhe vetëdije të lartë kombëtare.
Ashtu si vëllezërit dhe motrat e saj, ashtu si kushërinjtë – bijtë e Hamzës dhe
Adem Jasharit – edhe ajo u formua që herët në dijeni të plotë për misionin e
familjes së saj. Ajo e dinte se babai i saj, Rifati, xhaxhallarët Ademi dhe
Hamza, gjyshi Shabani dhe e gjithë familja e madhe Jashari ishin të vendosur në
mënyrë të palëkundur për rezistencë ndaj pushtuesit serb.
Një
prej përvojave më të forta dhe më të rrezikshme ishte ngjarja e 30 dhjetorit
1991. Atëherë, Valdetja ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç – një moshë e njomë, kur
zakonisht fëmijët e gjejnë ngushëllimin në lojë e fantazi, por për të nuk
kishte vend për pafajësi të tilla. Po atë ditë, milicia serbe, e mbështetur nga
forcat ushtarake, kishte ndërmarrë një rrethim të plotë të kullës së Jasharajve
në Prekazin e Ulët.
Ky
episod mbeti i pashlyer në kujtesën e saj të re, skena tronditëse të rrethimit
dhe të përplasjes së armatosur, kur babai i saj, Rifati, së bashku me Ademin
dhe Hamzën, rezistuan tërë ditën, duke mos pranuar kurrë të dorëzoheshin
përballë forcave të pushtuesit. Ajo i pa me sytë e saj ato momente të
jashtëzakonshme që formësuan jo vetëm identitetin e saj personal, por edhe
ndërgjegjen kolektive të familjes Jashari si vatër e pashuar e qëndresës dhe e
idealeve të lirisë.
Edhe
pse ende në moshë fare të re, Valdete Jashari ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë
edhe e ngjarjeve të rënda dhe dramatike që shënuan përshkallëzimin e dhunës në
Prekaz. Një nga episodet më të rëndësishme dhe formuese për të ishte rrethimi i
dytë i kullës së familjes Jashari, i ndërmarrë nga forcat serbe më 22 janar të
vitit 1998.
Në
atë ditë të ftohtë janari, Valdetja nuk ishte një vëzhguese pasive e një krize
të largët, ajo i pa nga afër të gjitha. Ishte dëshmitare e qëndresës së
pathyeshme të gjyshit të saj Shabanit, të vendosmërisë së xhaxhallarëve Adem
dhe Hamzë Jasharit dhe të guximit të kushërinjve që, pa ngurrim, mbajtën
pozicionet dhe refuzuan dorëzimin. Për një vajzë të re si Valdetja, këto skena
nuk ishin thjesht ngjarje të jashtme, por mësime të drejtpërdrejta mbi
dinjitetin, sakrificën dhe përgjegjësinë ndaj atdheut.
Në
këtë mënyrë, Valdetja nuk ishte thjesht një fëmijë që u rrit në kohë të
vështira – ajo u rrit si pjesë e një familjeje që kishte bërë zgjedhjen e vet
historike, të mos i përkulej kurrë dhunës dhe të mos pranonte kurrë robërinë.
Ky formim i hershëm, i mbushur me shembuj të gjallë heroizmi dhe sakrifice,
shpjegon më vonë edhe qëndrimin e saj të palëkundur në marsin e vitit 1998, kur
do të bëhej pjesë e pavdekësisë në altarin e kombit.
Ajo
pa me sytë e saj çmimin e rëndë të kësaj rezistence. Po atë ditë, kur sulmet
dhe tensioni paralajmëronin se beteja e madhe po afrohej dhe se gjaku shqiptar
do të derdhej edhe më shumë, plagë të rënda morën edhe Iliriana dhe Selvetja –
dëshmi e prekshme se dhuna serbe nuk kursente askënd, as gra, as fëmijë, as të
rinj.
Kjo
përvojë e dytë e rrethimit nuk ishte vetëm një ngjarje që e traumatizoi
Valdeten, por edhe një përgatitje e dhimbshme shpirtërore për atë që do të
vinte. Ajo formoi tek ajo dhe tek të gjithë Jasharajt bindjen se mbijetesa dhe
nderi i familjes, i fshatit dhe i krejt Kosovës nuk mund të mbroheshin ndryshe
veçse me vendosmëri dhe flijim.
Në
këtë kuptim, janari i vitit 1998 nuk ishte vetëm një muaj i ftohtë i
kalendarit, ishte një prag i zjarrtë i historisë, një paralajmërim i qartë se
beteja për mbijetesë dhe për liri do të kërkonte gjithçka, madje edhe jetën e
më të rinjve dhe më të pafajshmëve si Valdetja. Dhe ajo e kuptoi këtë realitet
jo përmes librave apo rrëfimeve, por duke e përjetuar në mënyrën më të
drejtpërdrejtë dhe më të dhimbshme.
Ashtu
si çdo anëtar i familjes Jashari, edhe Valdete Jashari ishte rritur dhe formuar
në një traditë të thellë atdhetarie dhe të përkushtimit ndaj çështjes
kombëtare. Edukimi i saj nuk ishte një proces i zakonshëm shkollor apo
familjar, por një formësim i vazhdueshëm moral dhe patriotik, i ngjizur në
frymën e rezistencës dhe të sakrificës për mbrojtjen e tokës amtare.
Në
këtë mjedis, ideali i lirisë nuk ishte një nocion abstrakt apo një fjalë e
zbrazët – ishte një detyrim i përditshëm, një virtyt që përcillej nga brezi në
brez, nga gjyshi te babai e xhaxhallarët, e që me po aq seriozitet i instalohej
edhe më të rinjve si Valdetja. Ajo e kishte kuptuar qartë që në moshë të vogël
se të qenit pjesë e familjes Jashari nënkuptonte jo vetëm krenari, por edhe
përgjegjësi të madhe, të ishe gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur nderin dhe
lirinë e atdheut.
Dhe
kur erdhi koha e madhe e provës – ato ditë marsi në Prekaz – Valdetja nuk
tregoi aspak luhatje apo frikë. Qëndresa e saj nuk ishte një rastësi, por
shprehje e drejtpërdrejtë e edukatës dhe përgatitjes që kishte marrë. Ajo e
dëshmoi me të gjithë qenien e saj se ishte bijë e denjë e kësaj familjeje
emblematike, duke mishëruar në mënyrën më të pastër dhe më të ndritshme tiparet
që e bënë emrin Jashari sinonim të sakrificës, guximit dhe dashurisë për
atdheun.
Përmes
vendosmërisë së saj të patundur dhe gatishmërisë për t’u flijuar, Valdetja
vërtetoi katërçipërisht se ishte pasardhëse autentike e një tradite atdhetarie
të rrallë, një pinjolle e denjë e trungut Jashari, që nuk u përkul kurrë
përballë dhunës dhe padrejtësisë. Në këtë mënyrë, ajo e përjetësoi mesazhin se
liria kërkon sakrificë dhe se dashuria për atdheun nuk njeh moshë apo
përjashtim.
Më
5 mars 1998, familja Jashari kishte zënë pozicionet e saj të fundit në Kullën e
Rezistencës në Prekaz, duke dhënë një mesazh të qartë dhe të vendosur ndaj
forcave policore dhe ushtarake serbe se nuk do të lejonin që ushtria pushtuese
të kalonte mbi trupat e tyre të gjallë, dhe asnjë serb nuk do të hynte e të
ndynte pragun e shtëpive shqiptare pa u përballur me qëndresë të pamëshirshme.
Ishte një deklaratë e fundit, e qartë dhe e paekuivokë e refuzimit ndaj
nënshtrimit dhe dhunës, një qëndrim që mishëronte moralin e pathyeshëm të kësaj
familjeje simbolike.
Në
ato orë dramatike, të mbushura me shpërthime armësh dhe jehonën e rënkimeve të
plagëve, Valdete Jashari ishte e ngujuar brenda kullës, krah për krah me nënën
e saj, Zarifen, me motrat Hidajeten dhe Igballen, si dhe me vëllezërit e saj,
Igballin dhe Bashkimin. Ajo ishte gjithashtu me të gjithë kushërinjtë e
kushërirat e saj, të cilët ndodheshin nën një rrethim të hekurt dhe
vdekjeprurës, të vendosur nga forcat serbe që synonin të shuanin zërin e lirë
shqiptar me çdo mjet.
Valdetja
ishte ende një vajzë e re, e sapo hyrë në pragun e adoleshencës, kur vendosi me
vetëdije të mbetej në kullë, duke mos pranuar të largohej as të dorëzohej. Ajo
la pas babain e saj të dashur, Rifatin, dhe vëllezërit Bashkimin e Muratin, si
dhe motrën Ilirianën – të gjallë, por të mbartur kujtimin e saj dhe dhimbjen e
humbjes.
A
mund të vriten vallë engjëjt? Kjo është një pyetje që shpon ndërgjegjen dhe
prek thellësisht shpirtin, sidomos kur përballemi me histori të tilla të
jashtëzakonshme sakrifice. Në vdekjen e atyre që japin jetën për atdheun dhe
për më të dashurit e tyre, përzihet në mënyrën më të ndërlikuar dhe më prekëse
dhimbja më e madhe me krenarinë më të thellë.
Sepse
është një dhimbje e pamasë të shohësh të rënët, të ndjesh boshllëkun që lënë
pas, të kuptosh se jeta e tyre, me gjithë ëndrrat e paplotësuara dhe
buzëqeshjet e shkurtra, është ndërprerë brutalisht. Çdo vdekje e tillë është
plagë e hapur në trupin e një populli, një kujtim i përhershëm i një
padrejtësie që nuk mund të harrohet.
Por,
njëkohësisht, ka në të edhe një dritë të pastër dhe një madhështi morale që nuk
shuhet. Sepse ata që bien për atdheun, ata që zgjedhin të sakrifikojnë gjithçka
për lirinë dhe të mirën e më të dashurve të tyre, nuk shuhen kurrë vërtet. Ata
e tejkalojnë vdekjen, duke u bërë pjesë e pavdekësisë kombëtare dhe të kujtesës
sonë të përbashkët.
Në
këtë mënyrë, dhimbja nuk është vetëm vuajtje personale, por edhe një gur
themeli mbi të cilin ngrihet krenaria kombëtare. Është një përkujtesë se liria
nuk është e dhënë, por e fituar me gjak e sakrificë, dhe se idealet më të mëdha
shpesh paguhen me çmimin më të lartë. Në çdo akt të tillë flijimi, populli gjen
frymëzim për të ecur përpara, për të nderuar të rënët duke mbrojtur vlerat për
të cilat ata dhanë jetën.
Prandaj,
kur mendojmë për ata që u ndanë nga jeta për atdheun, kuptojmë se edhe pse
vriten trupat e tyre, shpirti i tyre nuk shuhet kurrë. Engjëjt që ranë për
lirinë tonë mbeten të gjallë në kujtesën tonë, shembuj të pavdekshëm të
dashurisë më të pastër dhe të sakrificës më të lartë që njeh njerëzimi.
Jeta
e Valdetes mbetet një nga kujtimet më të paharrueshme të asaj epopeje të
përgjakshme, jo vetëm për familjen e saj por për gjithë kombin shqiptar. Sepse
ajo u nda nga kjo botë në lulen e rinisë, duke mos përjetuar kurrë ato gëzime e
ëndrra që i takonin një fëmije të moshës së saj. Por largimi i saj nuk ishte i
kotë, ajo u shndërrua në një lulëkuqe të lirisë së Kosovës, një simbol i pastër
i sakrificës që ushqeu dhe i dha kuptim lirisë sonë, duke lënë pas një amanet
të përjetshëm për ta ruajtur dhe çmuar atë me çdo kusht.
Literatura:
1. Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit,
Prishtinë, 2018
2. Bardh Hamza& Faik Hoti, Jasharët,
Prishtinë 2003
3. https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
4. Bedri Tahiri, Adem Jashari legjendë e
legjendave, Prishtinë 2008
5. Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
6. Bedri Tahiri, Drenica djep i trimërisë,
Prishtinë 2008
7. Jakup Krasniqi, Flijimi për lirinë,
Prishtinë, 2011
8. https://www.radiokosovaelire.com/valdete-rifat-jashari-27-7-1983-5-3-1998/
9. https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB
10. https://telegrafi.com/keta-jane-59-deshmoret-e-rene-ne-betejen-e-familjes-jashari-dokument/
11. https://sq.wikipedia.org/wiki/Rifat_Jashari
12. https://sq.wikipedia.org/wiki/Rifat_Jashari
13. https://www.dukagjini.com/rifat-jashari-i-kam-dhene-56-familjare-por-i-kam-fituar-8-milione-shqiptare/
14. https://shqiptarja.com/tag/109567
15. https://www.youtube.com/watch?v=Maggl33gv0M
16. https://zeri.info/aktuale/396653/ne-sulmin-ndaj-jashareve-u-vrane-gruaja-dhe-kater-femijet-e-rifat-jasharit-rrefimi-per-ta/
Familja Jashari e
Prekazit ka marrë shumë mirënjohje, falënderime e dekorata nga të gjitha
instancat shtetërore të Kosovës e Shqipërisë. Për aktin heroik të kësaj
familjeje, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner kishte theksuar
se po të kishte çmim Nobël për rezistencë, çmimi i tillë pa dyshim do t’i
takonte familjes Jashari.