Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (37)
E marte, 09.09.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (37)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
MERVETE SALIH MAKSUTAJ
(10.4.1978
– 4.12.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Burimi
dhe fshatrat përreth tij përfaqësojnë një hapësirë të mbushur me histori të
lavdishme dhe me tradita të thella atdhetarie. Ky truall nuk është thjesht një
njësi gjeografike në hartën e Kosovës, por një djep i krenarisë kombëtare ku
brez pas brezi janë formuar trima të fort, të përkushtuar dhe të gatshëm për
t’i shërbyer dhe mbrojtur atdheun me çdo çmim. Nga këto anë kanë dalë burra dhe
gra të shquara, trima dhe trimëresha që nuk e kursyen veten kur kombi e vendi
ishte në rrezik. Ata u rreshtuan me vendosmëri në mbrojtje të lirisë dhe
dinjitetit kombëtar, duke u bërë jo vetëm shembuj frymëzimi për bashkëkohësit,
por edhe figura të skalitura në kujtesën historike si mbrojtës të përhershëm të
kauzës shqiptare.
Tradita
e kësaj treve është ngjizur në ndërgjegjen kolektive si një testament i gjallë
për brezat e ardhshëm – një kujtesë e vazhdueshme se dashuria për tokën dhe
popullin nuk është vetëm ndjenjë, por edhe detyrim, dhe se liria nuk fitohet pa
sakrificë dhe vendosmëri. Kështu, Burimi dhe fshatrat e tij nuk kanë qenë vetëm
vatra familjare, por edhe kështjella morale të identitetit kombëtar, ku është
farkëtuar shpirt i pathyeshëm i rezistencës dhe i përkushtimit ndaj atdheut.
Në
gjirin e kësaj toke me histori të pasur dhe tradita të forta atdhetare u lind
dhe u rrit vajza 20-vjeçare, sypatrembur dhe e vendosur, Mervete Salih
Maksutaj. Ajo ishte produkt i një mjedisi ku dashuria për atdheun dhe ndjenja e
përgjegjësisë për mbrojtjen e tij kultivoheshin që në fëmijëri, duke e
përgatitur për një rrugë që do të kërkonte guxim të jashtëzakonshëm dhe
sakrificë të madhe. Gjatë përpjekjes sime për të hulumtuar mbi biografinë dhe
veprimtarinë e saj, më bëri përshtypje fakti se deri tani nuk mungojnë të
dhënat e pasura dhe të larmishme për jetën e saj. Në fakt, hasja në një mori
shkrimesh të botuara, në artikuj të kujdesshëm dhe në emisione dokumentare që i
janë kushtuar asaj, që më dhanë mundësinë të kuptoj më mirë jo vetëm faktet
biografike, por edhe thellësinë e karakterit dhe vendosmërisë së saj.
Këto
burime, pa rënë në kurthin e ekzagjerimeve, kanë arritur të portretizojnë me
besnikëri jetën e saj të shkurtër, por të mbushur me intensitet dhe domethënie
të jashtëzakonshme. Ato e kanë paraqitur Merveten si një figurë që u përfshi me
shpirt të plotë në rrjedhat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke
përfaqësuar me dinjitet dhe guxim brezin e ri që zgjodhi të mos nënshtrohej,
por të luftonte për lirinë dhe të ardhmen e popullit të vet. Nëpër këto rrëfime
dhe dëshmi del qartë se historia e Mervete Salih Maksutajt nuk është vetëm një
jetë e prerë në mes nga dhuna e pushtuesit, por një akt i lartë i ndërgjegjes
dhe i dashurisë për atdheun. Ajo mbetet një shembull i gjallë i idealizmit dhe
i sakrificës, i një rinie që e jetoi jetën me intensitetin e një beteje të
drejtë dhe të domosdoshme për liri dhe dinjitet njerëzor. Mervete Salih
Maksutaj lindi më 10 prill të vitit 1978, në një familje të njohur për bujarinë
dhe traditat e saj të thella shqiptare. Fëmijërinë e nisi në fshatin Orrobërdo,
një vend ku rrënjët e historisë dhe krenaria kombëtare ishin të gjalla në çdo
rrëfim dhe në çdo përkujdesje familjare.
Që
në moshë të vogël, ajo u rrit e ushqyer me rrëfimet për trimëritë e Bardh
Isufit, Salih Hoxhës dhe të shumë burrave të tjerë të shquar nga gjiri i
familjes dhe i fisit të saj – figura të cilat i shërbenin jo vetëm si shembuj
për t’u admiruar, por si udhërrëfyes moralë dhe frymëzues për të ardhmen.
Mësuesja dhe udhëheqësja e parë shpirtërore e Mervetes ishte gjyshja e saj –
një grua e urtë dhe e fortë që i mbante të gjallë kujtimet dhe mësimet e
historisë familjare. Ishte pikërisht gjyshja ajo që i rrëfente me pasion dhe
kujdes historitë e përpjekjeve heroike të burrave të shtëpisë dhe të mbarë
trevës së Podgurit, veçanërisht betejat në rrethinën e Novi Pazarit gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Këto tregime nuk ishin thjesht ndalesa nostalgjike në
të shkuarën, por mjete të fuqishme për të zgjuar tek vajza e re kureshtjen,
vetëdijen historike dhe ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare. Që në fëmijëri,
Mervetja u dallua për përgatitjen e saj serioze dhe ishte e gatshme të niste
rrugën e dijes në klasën e parë të shkollës fillore, të cilën e përfundoi në
Banjë të Burimit. Megjithatë, kjo fazë e parë e arsimit nuk ishte e lehtë,
sepse ajo dhe shokët e saj u përballën me realitetin e hidhur të pushtimit.
Administrata serbe kishte ndaluar funksionimin e ligjshëm të shkollës shqipe.
Përballë
këtij ndalimi dhe mohimi brutal të të drejtave më elementare, ajo nuk u
dorëzua. Arsimin e mesëm e vazhdoi në kushte krejtësisht të jashtëzakonshme, në
një prej atyre shtëpive-shkolla që ishin kthyer në simbole të rezistencës
kulturore dhe gjuhësore shqiptare, në fshatin Vrellë. Në këto kushte të
vështira dhe të pasigurta, të mbushura me rrezik dhe mungesa materiale,
Mervetja shfaqi të gjithë seriozitetin dhe karakterin e saj të fortë. Ajo u
dallua si një nxënëse shembullore – e sjellshme, punëtore dhe e përkushtuar.
Ishte e qartë se për të arsimi nuk ishte vetëm një e drejtë, por një detyrim i
shenjtë për të mbrojtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Kështu, vitet e
saj të formimit nuk u përcaktuan vetëm nga librat dhe mësimet e shkruara, por
edhe nga betejat e përditshme për të mësuar në gjuhën e nënës dhe për të
ruajtur frymën e gjallë të një kombi që nuk pranoi të nënshtrohej.
Për
Mervete Maksutajn dhe familjen e saj, shtatori i vitit 1991 shënoi një nga
plagët më të dhimbshme dhe më të thella të shkaktuara nga pushtuesi. Në atë
muaj fatal, ata u goditën rëndë nga tragjedia që rëndoi mbi shumë familje
shqiptare në Kosovë. Enveri, vëllai i madh i Mervetes, u vra mizorisht pasi
ishte thirrur dhe mobilizuar me dhunë në radhët e ushtrisë jugosllave – një
makineri shtetërore që përdorte të rinjtë shqiptarë si mish për top për
qëllimet e saj represive. Ky akt i pamëshirshëm i regjimit nuk ishte vetëm një
vrasje fizike, por një tentativë për të gjunjëzuar shpirtin e familjes dhe për
të mbjellë frikë e nënshtrim. Për Merveten, kjo humbje nuk ishte thjesht
dhimbje familjare, por një kthesë e fortë që do të formësonte më tej bindjet
dhe angazhimin e saj. Në atë kohë, urrejtja e saj ndaj pushtuesit kishte
arritur pikën më të lartë dhe më të kristaltë.
Pamja
e arkivolit të vëllait të saj, i kthyer në shtëpi jo si bir, por si dëshmi e
dhunës shtetërore dhe e padrejtësisë historike, ishte një moment kulmor për të.
Aty, mes lotëve dhe dhimbjes që ia rrëqethte shpirtin, Mervetja nuk u mjaftua
me vajtim. Përkundrazi, përpara trupit të pajetë të vëllait të saj, ajo bëri
një betim solemn – një premtim të shenjtë që nuk do ta linte hakun e tij të
shkonte huq. Ky premtim nuk ishte një shpërthim i çastit, por një vendim i
thellë moral dhe një akt i ndërgjegjshëm i angazhimit të saj për t’u rreshtuar
me çdo kusht në përpjekjen për liri dhe drejtësi. Ishte pikërisht aty, para
arkivolit të Enverit, që Mervetja shndërroi dhimbjen në vendosmëri, pikëllimin
në kurajo dhe dashurinë familjare në përgjegjësi kombëtare – duke hedhur
themelet e rrugës që do ta çonte drejt angazhimit të saj të plotë në luftën
çlirimtare.
Urrejtja
e Mervete Maksutajt ndaj pushtuesit nuk ishte më një ndjenjë e fshehtë apo e
zbutur me kalimin e kohës – ajo kishte arritur kulmin, duke u bërë një forcë e
brendshme që e shtynte drejt vendimeve të mëdha dhe të pakthyeshme. Çdo ditë që
kalonte pa qenë e radhitur në mal, pranë luftëtarëve të lirisë, ishte për të e
gjatë dhe e padurueshme. I dukej se çdo orë që vononte angazhimin e saj në
radhët e ushtrisë çlirimtare ishte një padrejtësi ndaj vetes, ndaj popullit dhe
ndaj atdheut që vuante nën peshën e pushtimit dhe poshtërimit. Ky ishte një
vendim që nuk erdhi papritur apo nga një shpërthim emocional i çastit. Ishte
produkt i një procesi të gjatë dhe të vetëdijshëm, gjatë të cilit Mervetja nuk
qëndroi kurrë duarkryq. Ajo nuk pranoi të ishte thjesht një spektatore e
vuajtjeve dhe sakrificave të të tjerëve, por kërkoi me ngulm dhe përkushtim
rrugën për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje çlirimtare. Përpjekjet e saj për të
gjetur mënyrën e inkuadrimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishin të
vazhdueshme dhe plot vendosmëri. Nuk u mjaftua me fjalë apo dëshira, por veproi
në mënyrë të organizuar dhe të ndërgjegjshme. Ky rrugëtim i saj drejt
angazhimit të drejtpërdrejtë u mundësua edhe falë lidhjeve të forta të besimit
dhe të gjakut që kishte me bashkëfshatarin e saj, Nazmi Muzliaj – një burrë i
njohur për karakterin e tij të pathyeshëm dhe përkushtimin ndaj çështjes
kombëtare.
Nazmiu,
i cili do të binte si dëshmor në fushën e nderit në korrik të vitit 1998, nuk
ishte për Merveten thjesht një bashkëfshatar apo i afërm, por një frymëzim dhe
një shok ideali. Ata të dy dalloheshin për veprimtarinë e tyre të hershme, jo
vetëm në fshatin Orrobërdo, por edhe në tërë rrethinën, ku emrat e tyre
përmendeshin me respekt për guximin dhe angazhimin e palodhur. Në këtë mënyrë,
për Merveten rruga drejt malit dhe drejt radhëve të UÇK-së nuk ishte një
arratisje, por një kthim i natyrshëm tek vetvetja dhe tek amaneti i gjeneratave
të tëra që kishin mbrojtur me gjak këtë tokë. Ishte një zgjedhje që mishëronte
jo vetëm urrejtjen ndaj pushtuesit, por edhe dashurinë e pakufishme për Kosovën,
për dinjitetin dhe për të drejtën e saj të patjetërsueshme për liri dhe krenari
kombëtare. Falë lidhjeve të saj të vendosura dhe të qëndrueshme me Ushtrinë
Çlirimtare të Kosovës, në verën e vitit 1998 Mervete Maksutaj ndërmori hapin
vendimtar drejt angazhimit të drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare. Ajo u nis
për në fshatin Gllogjan, një vatër tashmë të njohur dhe të konsoliduar të
rezistencës shqiptare, i cili ishte kthyer në një bazë të fuqishme të
organizimit ushtarak të UÇK-së.
Gllogjani
nuk ishte thjesht një vend i zakonshëm, por një simbol i mobilizimit dhe i
vendosmërisë për të qëndruar përballë pushtuesit me strategji të mirëpërgatitur
dhe me vullnet të pathyeshëm. Për Merveten, shkuarja atje ishte një akt i
vetëdijshëm dhe i motivuar thellësisht – një konfirmim i bindjes së saj se
ishte e gatshme të linte pas çdo siguri personale për t’u bërë pjesë e
pandashme e këtij fronti të nderit dhe të sakrificës. Me mbërritjen në
Gllogjan, ajo u prit dhe u vlerësua nga komanda e UÇK-së për zonën, e cila pa
tek ajo potencialin dhe vendosmërinë e një luftëtareje të bindur dhe të
përgatitur për sakrificë. Ishte pikërisht kjo komandë që i dha rekomandimet e
nevojshme për të vazhduar rrugën e saj drejt një tjetër qendre të rëndësishme
të organizimit ushtarak. Fshati Shqiponjë (i njohur më parë si Jabllanicë e
Dushkajës). Shqiponja ishte po ashtu një nga pikat ku ishin vendosur dhe
strukturuar njësite të ndryshme të UÇK-së, duke shërbyer si hapësirë për
trajnim, koordinim dhe mobilizim. Ky itinerar – nga Gllogjani në Shqiponjë –
nuk ishte një udhëtim i thjeshtë gjeografik, por një shtegtim simbolik drejt
angazhimit të plotë në luftën çlirimtare.
Kulmi
i këtij rrugëtimi të vendosur arriti më 11 korrik 1998, kur Mervetja u
inkuadrua zyrtarisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo iu bashkua
Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, një njësi me tradita të lavdishme dhe me
reputacion për disiplinën dhe trimërinë e luftëtarëve të saj. Ky akt i
inkuadrimit nuk ishte vetëm formalitet ushtarak, por shprehja më e qartë e përkushtimit
të saj për t’i shërbyer çështjes kombëtare me armë në dorë. Për Merveten, kjo
ishte një ditë premtimi të madh – një betim i heshtur dhe solemn se do të ishte
në ballë të betejës për t’ia kthyer Kosovës lirinë, dinjitetin dhe krenarinë e
nëpërkëmbur ndër vite. Në betejat e zhvilluara nga Brigada 132 gjatë verës dhe
vjeshtës së vitit 1998, Mervete Maksutaj u dallua si një luftëtare e
jashtëzakonshme, duke treguar një trimëri të admirueshme dhe një shkathtësi të
rrallë në përballjet e drejtpërdrejta me forcat pushtuese. Ajo nuk ishte
thjesht pjesëmarrëse pasive në radhët e UÇK-së, por një figurë aktive dhe e
guximshme që mori pjesë në shumë aksione sulmuese kundër policisë serbe në
territore të ndryshme të Rrafshit të Dukagjinit.
Emri
i saj lidhet ngushtë me disa prej vendeve ku lufta zhvillohej më ashpër si:
Broliq, Çallapek, Bellacerkë, Jabllanicë e Gjakovës dhe të tjera. Kudo ku
shkeli këmba e saj, ajo dëshmoi vendosmëri dhe gatishmëri për të marrë përsipër
përgjegjësi të mëdha. Një moment veçanërisht i paharrueshëm dhe i ngarkuar
emocionalisht ishte sulmi i organizuar mbi postbllokun policor serb në fshatin
Çallapek, më 15 shtator 1998 – një datë e rëndë për të, pasi përkonte me
përvjetorin e rënies së vëllait të saj të dashur. Nuk ishte rastësi që atë ditë
Mervetja gjendej në krye të njësitit të saj, duke udhëhequr me shembullin
personal dhe duke u bërë frymëzim për të gjithë shokët e armëve. Ishte mënyra e
saj e veçantë për të nderuar kujtimin e vëllait, duke ia kthyer dhimbjen në
forcë dhe betimin e dikurshëm në vepër konkrete.
Ndërkohë,
vjeshta e vitit 1998 ishte një fazë e re e rëndësishme për Ushtrinë Çlirimtare
të Kosovës, veçanërisht për Zonën Operative të Dukagjinit, e cila kishte marrë
një orientim të qartë strategjik për zgjerimin dhe konsolidimin e organizimit
ushtarak. Komanda e Zonës punonte intensivisht për të shtrirë rrjetin e njësive
të UÇK-së edhe në pjesën verilindore të Rrafshit të Dukagjinit, përkatësisht në
territore të caktuara të komunës së Burimit dhe të Klinës. Në këtë proces të
rëndësishëm dhe delikat, Mervetja u angazhua drejtpërdrejt, duke vënë në
dispozicion jo vetëm forcën e saj fizike dhe guximin, por edhe mençurinë dhe
aftësitë organizative. Kontributi i saj në këtë përpjekje nuk ishte i vogël. Ai
u kurorëzua me sukses, duke rezultuar në formimin e Brigadës 133 “Adrian
Krasniqi” – një njësi e re luftarake që do të vazhdonte betejën për liri me të
njëjtën vendosmëri dhe idealizëm që Mervetja mishëronte në çdo hap të saj.
Kështu,
jeta e Mervete Maksutajt nuk ishte vetëm një histori personale trimërie, por
pjesë integrale e një organizimi të madh dhe të strukturuar që kishte për synim
të çlironte Kosovën dhe t’i kthente popullit të saj dinjitetin e nëpërkëmbur.
Pas krijimit të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Mervete Maksutaj ia përkushtoi
me tërë energjinë dhe vendosmërinë aktivitetin e saj ushtarak brenda zonës së
përgjegjësisë së kësaj brigade. E kalitur tashmë në përballje të shumta, ajo
nuk ishte më thjesht një luftëtare e re që mësonte, por një ushtare e rryer dhe
e vendosur, me përvojë të vyer nga betejat e mëparshme, e gatshme të
përballonte çdo sfidë që kërkonte mbrojtja e atdheut. Në këtë fazë të luftës,
Mervetja mori pjesë në një sërë aksionesh të guximshme kundër forcave pushtuese
serbe. Ajo nuk njihte frikë as kompromis përballë armikut dhe asnjëherë nuk
ngurroi të merrte pjesë në sulme të drejtpërdrejta apo të përmbushte detyra të
vështira, duke dëshmuar gjithnjë një përkushtim të palëkundur dhe një trimëri
të admirueshme që frymëzonte edhe bashkëluftëtarët e saj.
Një
nga misionet më të ndërlikuara dhe të rrezikshme që ndërmori ishte ai i 4
dhjetorit 1998. Atë ditë, Mervetja kishte marrë përsipër një detyrë me rëndësi
të veçantë dhe me rrezik ekstrem. Organizimin dhe drejtimin e përpjekjes për të
liruar disa bashkëluftëtarë të saj që ishin zënë nga trupat serbe pas plagosjes
në betejë dhe ishin mbajtur nën roje të rreptë policore në Spitalin e
Përgjithshëm të Pejës. Ky mision nuk ishte një ndërmarrje e zakonshme
luftarake, por një akt i lartë human dhe moral, një dëshmi e solidaritetit të
thellë mes luftëtarëve të UÇK-së. Ai tregonte qartë se për Merveten dhe shokët
e saj, liria nuk ishte thjesht një betejë për territor, por një betejë për
jetën dhe dinjitetin e secilit prej tyre. Mes të plagosurve që ajo synonte të çlironte
ishin edhe emra të njohur të rezistencës, si Afërditë Zekaj, Naim Lushaj dhe të
tjerë – bashkëluftëtarë që përfaqësonin vlerat dhe shpirtin e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës.
Ky
angazhim i Mervetes për të shpëtuar shokët e plagosur nga duart e armikut nuk
ishte vetëm një akt trimërie individuale, por edhe një dëshmi e qartë e frymës
së pathyeshme të solidaritetit që mbizotëronte në radhët e UÇK-së. Ajo dëshmoi
se ideali i lirisë dhe i humanizmit nuk ndaheshin asnjëherë, edhe në kohën më
të errët dhe më të dhunshme të historisë. Kështu, veprimtaria e Mervete
Maksutajt në brigadën 133 nuk ishte thjesht luftë e armatosur kundër
pushtuesit, por edhe një akt i vazhdueshëm i humanizmit dhe i përkujdesjes për
shokët, duke e bërë figurën e saj një shembull të ndritshëm të luftës
çlirimtare dhe të humanizmit shqiptar.
Besnik
Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dhënë një dëshmi të
vyer dhe thellësisht prekëse në një emision televiziv, ku ka rrëfyer me detaje
për aksionin e guximshëm sabotues që ndërmori Mervete Maksutaj së bashku me
shokët e saj në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Ky tregim i drejtpërdrejtë
dhe i gjallë shpalos jo vetëm ashpërsinë e luftës urbane, por edhe heroizmin e
pashoq dhe sakrificën sublime të Mervetes. Sipas kujtimeve të Besnikut, më 4
dhjetor, rreth orës 11 të paradites, ata kishin hyrë në spitalin e Pejës në
kushte atmosferike të vështira – mot i ftohtë, me shi që rëndonte edhe më shumë
tensionin e misionit të tyre. Ishte një ndërmarrje e rrezikshme, ku çdo hap i gabuar
mund të paguhej me jetë. Ndërsa përparonin brenda korridoreve të spitalit, një
polic serb u doli befas përpara. Besniku tregon se u detyruan të qëllonin
menjëherë mbi të, duke e rrëzuar në tokë. Në atë çast, gjithçka u kthye në një
skenë të ethshme lufte, ku koha dukej se ngushtohej dhe çdo vendim duhej marrë
me shpejtësi dhe qartësi të jashtëzakonshme. Ata filluan të vraponin për të
fituar pozicion dhe për të shmangur zjarrin e armikut, dhe Besniku kujton sesi
i kishte thirrur Mervetes të vraponte në mënyrë zig-zag, një teknikë që
përdorej për të shmangur qitjet e drejtpërdrejta.
Në
ato çaste dramatike, ai ktheu kokën dhe dalloi që Mervetja nuk ishte më pranë.
E pa të shtrirë përtokë. Pamja ishte e rëndë dhe tronditëse. Një polic serb
kishte marrë pozicionin e qitësit të saktë, sikur të ndodhej në poligon
stërvitor, duke shtënë mbi të me revolen e tij me një qetësi makabre. Ai
përshkruan sesi reagoi në çast, duke e marrë në shenjë dhe duke e eliminuar
policin armik për të ndalur zjarrin vdekjeprurës. Por krimi tashmë ishte bërë.
Kur u kthye për t’u afruar, e pa qartë se Mervetja ishte e shtrirë në tokë, pa
lëvizur. Pranë kokës së saj ishte formuar një pellg gjaku – një dëshmi e
heshtur dhe e tmerrshme e asaj që kishte ndodhur. Besniku tregon me një dhimbje
të ndjerë sesi nuk kishte mundur ta prekte më, i ndërgjegjshëm për realitetin e
hidhur që ajo kishte ndërruar jetë. Në atë kaos, me plumbat që fluturonin në të
gjitha drejtimet, ai ishte detyruar të merrte vendimin e vështirë për të
vazhduar betejën, duke qëlluar mbi policët serbë për të mbrojtur jetën e të
tjerëve dhe për të përfunduar misionin e nisur.
Ky
rrëfim rrëqethës i Besnik Shalës nuk është thjesht një kronikë lufte – ai është
një dëshmi e gjallë e sakrificës dhe trimërisë së Mervete Maksutajt. Ajo nuk ra
në një betejë të zakonshme, por gjatë një misioni human e heroik për të liruar
shokët e saj të plagosur nga duart e armikut. Vdekja e saj, e dhimbshme dhe
madhështore njëkohësisht, mbetet një kujtesë e përhershme e çmimit të lirisë
dhe e betejës së përbashkët të një populli për dinjitet dhe çlirim. Para se të
ndërmerrte aksionin vendimtar për lirimin e bashkëluftëtarëve të saj të
plagosur dhe të mbajtur nën arrest, Mervete Maksutaj kishte treguar një kujdes
dhe mendjemprehtësi të jashtëzakonshme. Ajo nuk u hodh verbërisht në këtë
ndërmarrje të rrezikshme, por kishte parapërgatitur terrenin me kujdes të madh.
I kishte njoftuar paraprakisht shokët e saj të plagosur për planin që po
përgatitej, duke i këshilluar të qëndronin në gjendje gatishmërie, të
ndërgjegjshëm për mundësinë e shpëtimit dhe për nevojën e bashkëpunimit në
çastet më vendimtare. Ishte një ditë kur Mervetja, e vendosur dhe e pamposhtur,
ngjeshi mbi trup armët e saj – bombën e dorës dhe revolen – dhe u nis drejt
aksionit që do të mbetej i paharruar për nga guximi dhe heroizmi.
Me
vendosmëri të admirueshme, ajo sulmoi rojën policore që ruante hyrjen kryesore
të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës. Ky veprim i parë, i befasishëm dhe i
vendosur, i hapi rrugën për të depërtuar më tej, drejt korridorit të katit të
dytë, aty ku ndodheshin të shtrirë e të ruajtur me kujdes të plagosurit e saj.
Në korridoret e spitalit, Mervetja nuk hezitoi asnjë çast. Ajo sulmoi me bombë
dore, duke shkaktuar panik dhe dëme te forcat policore, dhe më pas vazhdoi me
zjarr të drejtpërdrejtë nga revolja e saj. Ishte një betejë e vërtetë, e
zhvilluar në hapësira të ngushta dhe nën tension të jashtëzakonshëm – një akt i
pastër trimërie dhe vendosmërie ku ajo nuk mendonte për veten, por për misionin
e saj të shenjtë. Pikërisht falë këtij aksioni të vendosur dhe të guximshëm,
disa prej të plagosurve të arrestuar arritën të çanin prangat e robërisë dhe të
dilnin nga Spitali – një shpëtim i jashtëzakonshëm që u bë i mundur nga
sakrifica dhe vendosmëria e Mervetes.
Dëshmitarët
që më vonë panë gjurmët e shpërthimeve dhe gjakun e mbetur në korridoret e
spitalit rrëfyen një pamje të qartë të asaj që kishte ndodhur, aty nuk kishte
qenë një përplasje e zakonshme, por një dyluftim i vërtetë, ku Mervetja kishte
arritur të vriste disa policë serbë. Ky aksion mbetet një nga faqet më të
ndritura të rezistencës shqiptare dhe një shembull i pavdekshëm i shpirtit të
pathyeshëm të Mervete Maksutajt – një luftëtare që, në çdo hap, provoi se liria
fitohet vetëm me guxim, vendosmëri dhe sakrificë të pashembullt. Megjithatë,
edhe pse kishte arritur me vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm të
depërtonte brenda ndërtesës së Spitalit të Pejës, të çante rrethimin e
brendshëm dhe të lehtësonte arratisjen e disa prej bashkëluftëtarëve të saj të
plagosur, Mervete Maksutaj nuk e kishte mbaruar ende betejën e saj të fundit.
Ndërsa po tërhiqej me shpejtësi, duke u përpjekur të merrte drejtimin
strategjik të Grykës së Rugovës për të shpëtuar, armiku – tashmë i alarmuar dhe
i ndërgjegjshëm për efektin e sulmit të saj – kishte organizuar një pritë
tjetër më të rrezikshme.
Ishte
një manovër tipike e forcave pushtuese, që në gjendje paniku dhe hakmarrjeje
kërkonin të pengonin me çdo kusht tërheqjen e saj dhe ta kapnin të gjallë, për
ta përdorur si trofe të propagandës dhe frikësimit. Në ato momente vendimtare,
teksa ajo përpiqej të çante përmes këtij rrethimi të dytë dhe të siguronte
daljen drejt terrenit më të mbrojtur të Grykës së Rugovës, fati dhe rrethanat e
pamëshirshme e tradhtuan. Vetëm disa dhjetëra metra larg udhëkryqit të Spitalit
– një hapësirë fare e shkurtër që ndante jetën nga liria – një plumb i armikut
e goditi për vdekje në ballë. Aty, në tokën e lagur nga shiu dhe gjaku i saj,
Mervetja ra në fushën e nderit, duke refuzuar deri në fund të binte e gjallë në
duart e pushtuesit. Ishte një akt i fundit i krenarisë dhe qëndresës – një
vdekje heroike që i mohoi armikut mundësinë ta përdorte si peng ose si mjet
propagande për të demoralizuar të tjerët.
Ironikisht,
pikërisht atë mbrëmje, aparati propagandistik serb, i ndjerë i turpëruar dhe i
lënduar nga guximi i saj, e shndërroi këtë aksion të jashtëzakonshëm çlirimtar
në një “sulm të paparë terrorist”. Mediat e pushtuesit përshkruan me tone
alarmuese dhe të frikësuara atë që kishte ndodhur – duke pranuar në mënyrë të
tërthortë se veprimi i Mervetes kishte tronditur rëndë vetëbesimin e forcave
serbe, i kishte ekspozuar si të cenueshëm dhe kishte shpërndarë frikë në radhët
e tyre. Në të vërtetë, aksioni i Mervete Maksutajt nuk ishte as “terrorist” e
as i pamatur, por një demonstrim i qartë i trimërisë shqiptare dhe i
vendosmërisë për të mos u dorëzuar kurrë. Ishte një dëshmi e gjallë se edhe në
kushte të pabarabarta, forca e idealit dhe dashuria për lirinë mund të
shndërrohen në armë më të fuqishme se çdo arsenal pushtuesi.
Heroizmi
i Mervete Maksutajt, plotësisht i denjë për emrin dhe misionin e një
pjesëtareje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri jehonë të veçantë në ato
ditë të vështira dhe vendimtare për fatin e kombit. Sakrifica e saj nuk ishte
një akt i izoluar apo i harruar në kaosin e luftës, por u shndërrua menjëherë
në një simbol të gjallë të qëndresës dhe përkushtimit për atdheun. Ky akt
trimërie u kthye në shembull të shkëlqyer të flijimit për idealin më të madh –
lirinë e vendit – dhe njëkohësisht u bë model frymëzimi për ndjenjën e thellë
të sakrificës dhe solidaritetit njerëzor. Ajo dha jetën e saj për të shpëtuar
shokët e plagosur, duke dëshmuar se në themelet e luftës çlirimtare nuk ishte
vetëm urrejtja për armikun, por mbi të gjitha dashuria për njeriun dhe për
shokun e armës.
Të
nesërmen e rënies së saj heroike, Mervetja u përcoll për në banesën e fundit me
nderime të larta në varrezat e fshatit të lindjes, Orrobërdë. Edhe pse lufta
ende vazhdonte, dhe rreziqet ishin të pranishme kudo, ceremonia e varrimit të
saj mblodhi një numër të madh qytetarësh nga vise të ndryshme të Kosovës. Të
pranishëm ishin jo vetëm bashkëfshatarë dhe familjarë, por edhe bashkëluftëtarë
të saj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndanin me të jo vetëm betejat,
por edhe idealin dhe amanetin e lirisë. Ky varrim i denjë dhe solemn ishte një
akt i respektit dhe mirënjohjes kolektive për një vajzë që kishte treguar me
gjakun e saj se sa peshonte fjala “atdhe” dhe sa i shenjtë ishte obligimi për
të mbrojtur jetën dhe nderin e bashkëluftëtarit. Pas përfundimit të luftës, mbi
varrin e Mervetes në Orrobërdë u ngrit një përmendore që sot shërben si një
monument i përhershëm i kujtesës dhe nderimit. Kjo përmendore nuk është vetëm
një gur i ftohtë, por një dëshmi madhështore e veprës së saj, një ftesë e
heshtur për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë. Në krah të përmendores së
Mervetes qëndrojnë të përjetësuar edhe figurat e tjera të familjes dhe të
bashkëluftëtarëve të saj, vëllai i saj dëshmor, Enveri, i cili kishte rënë më
herët në shërbim të atdheut, si dhe shokët e saj të armës, Nazmi Muzliaj dhe
Arton Zogaj. Kjo varrezë e vogël është shndërruar në një vend të shenjtë
pelegrinazhi kombëtar, ku brezat e ardhshëm mund të përulen përpara historisë
së tyre të gjallë dhe të marrin mësimin më të madh, se liria fitohet vetëm me
sakrificë, trimëri dhe dashuri të pakushtëzuar për vendin dhe njerëzit e tij.
Sot,
pranë Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, aty ku Mervete Maksutaj zhvilloi
aksionin e saj heroik dhe dha jetën, është ngritur lapidari kushtuar asaj – një
shenjë konkrete dhe e prekshme kujtese që e lidh përjetësisht emrin e saj me
atë vend që u bë dëshmitar i guximit dhe flijimit të saj. Madje është propozuar
që vetë Spitali i Përgjithshëm i Pejës të mbajë emrin e Mervetes, si një nderim
i denjë për sakrificën dhe heroizmin që ajo shfaqi aty, duke e kthyer atë
hapësirë të dhimbjes në një simbol krenarie kombëtare. Kujtimi i saj është
përjetësuar edhe përtej vendit të rënies. Emrin e Mervetes e mbajnë sot me nder
edhe rrugë të rëndësishme – një në qytezën e Banjës dhe një tjetër në
kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Këto janë më shumë se tabela apo emërtime
formale. Ato janë dëshmi të gjalla të mirënjohjes kolektive, shënues simbolikë
të vendit ku përditshmëria e shqiptarëve lidhet me kujtimin dhe vlerat që
Mervetja mishëroi.
Në
kohën kur ndërmori aksionin e fundit, Mervetja ishte e veshur me rroba civile.
Ishte ky karakteri i natyrshëm i luftës guerile urbane – një betejë e fshehtë
dhe e rrezikshme në zemër të qytetit, që kërkonte maskim dhe zgjuarsi për të
depërtuar në strukturat e armikut. Por edhe në këto kushte, ajo nuk e kishte
braktisur kurrë identitetin e saj të luftëtares së Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, me vete mbante medaljonin identifikues të UÇK-së, si një dëshmi e
qartë e asaj që ishte dhe për çfarë luftonte. Ky medaljon i gjetur në trupin e
saj pas rënies, sot ruhet me përkujdesje dhe respekt të madh nga motra e saj,
Elfetja – një relikt e shenjtë që bart mbi vete jo vetëm emrin dhe mbiemrin e
Mervetes dhe datëlindjen e saj, por edhe ato tri shkronja të shenjta për çdo
shqiptar të asaj kohe- UÇK. Mervete Maksutaj nuk ishte vetëm një luftëtare e
armatosur – ajo ishte shëmbëllimi i vajzës shqiptare të kohës së saj, një
figurë që përçonte optimizëm, jetë dhe forcë morale. Shpirti i saj rrezatonte
gjithmonë energji pozitive dhe besim tek e ardhmja. Ajo adhuronte artin e
aktrimit dhe sportin e vrapimit, duke e ushtruar veten jo vetëm fizikisht, por
edhe shpirtërisht në funksion të idealeve të lirisë.
Në
grupin dramatik “Luigj Gurakuqi” të fshatit të saj, ku performonte së bashku me
bashkëluftëtarin Nazmi Muzliaj, Mervetja kultivonte artin dhe ndjeshmërinë,
duke nxitur te vetja dhe te të tjerët frymën e bashkësisë dhe të përkatësisë.
Nga këto dy pasione – aktrimi dhe vrapimi – ajo kalitej dhe përgatitej në çdo
aspekt për shërbimin më të madh: çështjen e shenjtë të atdheut. Kështu, jeta e
saj ishte një përzierje e rrallë dhe frymëzuese e bukurisë shpirtërore dhe e
forcës fizike, e artit dhe e luftës, e dashurisë për jetën dhe e gatishmërisë
për të vdekur për lirinë.
Literatura:
1. https://www.radiokosovaelire.com/mervete-salih-maksutaj-10-4-1978-4-12-1998/
2. https://nacionale.com/politike/rrefimi-i-ish-ushtarit-te-uc-kse-myrvete-maksutaj-u-vra-me-plumbe-ne-koke-nga-serbet-ishte-heroine-e-vertete-1563
3. https://www.facebook.com/VrellaJone/photos/mervete-salih-maksutaj4101978-4121998mervete-maksutaj-me-trim%C3%ABrin%C3%AB-guximin-dhe-h/982330621829355/
4. https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/videos/heroina-mervete-maksutaj-shembull-i-p%C3%ABrjetsh%C3%ABm-i-veprimit-guximtar-p%C3%ABr-lirifjali/944024956574652/
5. https://www.tiktok.com/@gazetademos/video/7515159476257836293
6. https://fax.al/news/32021851/n-euml-spitalin-e-pej-euml-s-zbulohet-shtatorja-e-heroin-euml-s-myrvete-maksutaj
7. https://gazetaora.tumblr.com/post/79550050108/mervete-salih-maksutaj-heroizmi-i-nj%C3%AB-tim%C3%ABreshe/amp
8. http://limit.al/2019/12/04/sot-tek-busti-i-deshmores-se-kombit-myrvete-maksutaj-bust-ky-qe-zbukuron-oborrin-e-spitalit-te-pergjithshem-ne-peje-u-bene-homazhe-dhe-nderim-per-deshmoren/
9. https://infopresspeja.wordpress.com/2013/12/05/u-perkujtua-deshmorja-e-kombit-mervete-maksutaj-me-rastin-e-15-vjetorit-te-renies-heroike/
10. https://www.fjalaelire.com/post/jehu-i-krismave-t%C3%AB-liris%C3%AB
11. Qazim H. Berisha: ,,PUSHKA E MOTRËS”,
roman, botoi ,,Lena Graphic Desing” - Prishtinë, 2023
12. https://www.facebook.com/NeDemos/videos/eprori-i-u%C3%A7k-s%C3%AB-qan%C3%AB-n%C3%AB-studion-e-ndemos-teksa-rr%C3%ABfen-r%C3%ABnien-e-ushtarit-16-vje%C3%A7a/1244476490567869/
13. https://www.botasot.info/zvicra-diaspora/2308143/nje-ekspozite-e-vecante-fotografike-eshte-hapur-ne-gjeneve-grate-ne-luften-e-kosoves/
14. https://www.tumblr.com/gazetaora/79551683922/naser-brahimaj-shqiponja-e-liris%C3%AB-fshati-ish
15. https://pashtriku.org/wp-content/uploads/2014/02/deshmoret-e-UCK-monografi.pdf
16. https://www.scribd.com/doc/294829142/Deshmoret-e-Uck
17. Fetnete Ramosaj KRIMET SERBE NË KOSOVË PA
APOLOGJI ME FAKTE KUNDËR SHPIFJEVE, Prishtinë, 2005
18. https://www.youtube.com/watch?v=tUgOQ0pLwPk
19. https://kosovare.albanianforum.net/t2647-deshmoret-qe-moren-pjese-ne-uck
20. https://hogoshti.blogspot.com/2012/06/