Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (31)
E hene, 25.08.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (31)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
HYRË QAZIM EMINI
(21.7.1973
– 29.7.2001)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Hyrë Qazim Eminin pata rastin ta njoh pak pas
përfundimit të luftës, më saktësisht në marsin e vitit 2001, në një periudhë
kur Kosova sapo kishte nisur të merrte frymë lirshëm dhe të ringjallej pas
traumës së gjatë. Ishte koha kur përpjekjet tona për të ndërtuar jo vetëm institucionet,
por edhe kujtesën historike, kishin marrë një hov të veçantë. Në atë muaj, në
Prishtinë organizuam një konferencë shkencore me rëndësi të madhe për vetëdijen
tonë kombëtare dhe historike, e cila i kushtohej demonstratave gjithëpopullore
të vitit 1981 – atij kapitulli të paharruar të rezistencës dhe të kërkesës së
artikuluar për liri dhe barazi. Konferenca u mbajt me rastin e 20-vjetorit të
atyre ngjarjeve madhore, të cilat ishin përpjekur për dekada të tëra të
shtypeshin dhe të fshiheshin nga historiografia zyrtare.
Ishte në këtë kontekst solemn dhe kuptimplotë që njoha
nga afër Hyrë Qazim Eminin, një personalitet me përvojë dhe bagazh të çmuar në
fushën e historisë dhe të çështjes kombëtare. Bashkë me të, pjesë e asaj
veprimtarie të rëndësishme ishte edhe profesoresha e nderuar Fatmira Musai, e
ardhur posaçërisht nga Tirana për të dhënë kontributin e saj profesional dhe
për të treguar njëherazi përkujdesjen dhe solidaritetin e Shqipërisë me Kosovën
në këtë proces të rigjallërimit të kujtesës sonë kolektive. Pas përfundimit të
punimeve të konferencës, profesoresha Fatmira Musai shprehu me shumë përzemërsi
dëshirën për të pasur një takim të veçantë me Hyrë Qazim Eminin. Kërkesa e saj
nuk ishte e rastësishme, as thjesht një formalitet miqësor i një aktiviteti
shkencor. Përkundrazi, ajo buronte nga një lidhje e hershme dhe e sinqertë
miqësore që të dyja e kishin ndërtuar dhe ruajtur me kujdes qysh para luftës në
Tiranën e bukur.
Ishte pikërisht periudha kur Hyrë Emini ishte studente
në Universitetin e Tiranës që i kishte afruar dhe lidhur ato. Ato kishin ndarë
jo vetëm auditorët dhe librat, por edhe bisedat e thella për gjuhën, historinë,
kulturën dhe çështjen kombëtare, duke krijuar një marrëdhënie të bazuar në
respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe përkushtim të përbashkët për dijen dhe
atdheun. Në ato vite të vështira, kur komunikimi dhe bashkëpunimi ndërshqiptar
ishte i kufizuar nga rrethanat politike dhe barrierat e vendosura nga regjimet
përkatëse, miqësi të tilla kishin një domethënie të veçantë. Ato ishin urë
lidhëse shpirtërore mes shqiptarëve të ndarë administrativisht dhe politikisht,
por të bashkuar në ndjenja dhe aspirata të përbashkëta kombëtare. Prandaj,
dëshira e Fatmirës për ta takuar Hyrën pas konferencës ishte diçka shumë e
natyrshme dhe tepër miqësore.
Hyra na mirëpriti me zemër të hapur dhe krahë të
shtrirë në zyrat e atëhershme të TMK-së, duke na treguar menjëherë ngrohtësinë
dhe mikpritjen e saj të natyrshme. Gëzimi i saj ishte i sinqertë dhe i dukshëm,
një emocion i pastër që buronte nga një ndjesi e fortë miqësie dhe respekti të
ndërsjellë. Edhe pse unë personalisht nuk e kisha takuar më parë dhe nuk e
njihja nga afër, emri i saj nuk më ishte i huaj. Kisha dëgjuar shpesh për të,
për angazhimin e saj, për personalitetin e fortë dhe për kontributin e çmuar që
kishte dhënë. Ndaj, takimi ynë i parë nuk ishte një prezantim formal dhe i
ftohtë, por një përqafim i ngrohtë dhe i përzemërt, si mes miqsh të vjetër që
më në fund kishin mundur të takoheshin ballë për ballë.
Në atë zyrë, biseduam gjatë dhe me pasion, duke ndarë
kujtime, ide dhe reflektime. Atmosfera ishte miqësore, plot ngrohtësi njerëzore
dhe respekt reciprok, duke treguar se lidhjet e vërteta shpirtërore dhe
kombëtare nuk i zbehin as vitet dhe as rrethanat. Me zemër të madhe dhe bujari
të sinqertë, Hyra na ftoi të shkonim tek ajo për drekë, duke dashur ta zgjaste
atë çast të këndshëm dhe ta bënte edhe më të paharrueshëm. Por, për fat të keq,
mundësitë tona nuk përputheshin. Fatmirës i kishte ardhur fundi i ditëve të
qëndrimit në Kosovë dhe të nesërmen duhej të kthehej për në Tiranë. Kështu,
ndonëse nuk mundëm ta pranonim atë ftesë të ngrohtë, mbeti në kujtesën tonë
sinqeriteti dhe mikpritja e saj, si dhe ndjenja se kishim ndarë një moment të
veçantë dhe të çmuar miqësie e respekti.
Me Hyrë Eminin pata rastin dhe kënaqësinë të takohem
edhe disa herë të tjera më vonë, falë afërsisë së madhe që kishte Instituti i
Historisë me ndërtesën e atëhershme të TMK-së. Çdo herë që përfundonim punën
dhe dilnim për të shkuar në shtëpi, ndodhte që të përballeshim në oborr ose në
rrugë, dhe ato çaste spontane shndërroheshin në biseda të gjata, të ngrohta dhe
plot kuptim. Bisedat tona nuk ishin thjesht muhabet i përditshëm. Me Hyrën, çdo
fjalë merrte peshë, çdo kujtim kthehej në reflektim mbi të kaluarën, mbi
dhimbjet dhe krenarinë e atyre viteve të zjarrit e të sakrificës. Ajo ishte një
bashkëbiseduese që të frymëzonte dhe të nxiste të mendoheshe më thellë për
përgjegjësitë që kemi si dëshmitarë dhe studiues të historisë sonë. Në çdo
takim, Hyra nuk harronte kurrë të më jepte të njëjtën porosi, një lloj amaneti
të përzemërt e të përsëritur me një seriozitet plot dashuri: Të lutem,
shkruaj! Shkruaj për të gjitha ato gra dhe ata burra që ranë në altarin e
lirisë. Ishte një lutje dhe një urdhër moral njëkohësisht, një kujtesë e
fortë se detyra jonë nuk ishte vetëm të kujtojmë në heshtje, por të
dokumentojmë dhe të përjetësojmë kujtimin e tyre me fjalë të shkruara.
Unë buzëqeshja gjithmonë kur e dëgjoja këtë porosi të
saj kaq të ngulitur në zemër. Dhe ajo, si gjithmonë, mbyllte bisedën me atë të
qeshurën e saj karakteristike dhe të veçantë, duke më shtrënguar fort dorën –
një shtrëngim që nuk ishte thjesht përshëndetje, por një dëshmi e sinqertë
miqësie dhe mirëkuptimi. Pastaj largohej me nxitim, por gjithnjë duke hedhur
prapa shpinës një premtim të thjeshtë dhe të ngrohtë: Nesër do të shihemi
prapë, në të njëjtën kohë. Ishte një ritual i heshtur i përditshmërisë
sonë, një mënyrë e bukur për të ruajtur lidhjen njerëzore dhe për të forcuar
përkushtimin tonë të përbashkët për të mos e harruar kurrë atë që kishte
ndodhur dhe për të mos lejuar që heroizmi i atyre grave e burrave të mbetej pa
zë dhe pa kujtesë. Kishte kaluar tashmë një periudhë e gjatë që nuk e kisha
takuar Hyrë Eminin në vendin tonë të zakonshëm të takimeve. Ato biseda të
përditshme, që kishin qenë një lloj rituali të heshtur dhe të dashur, ishin
ndërprerë papritur nga ritmi i vrullshëm i jetës dhe detyrimeve tona të shumta.
Megjithatë, gjithmonë e kisha në mendje, dhe në një farë mënyre e prisja që një
ditë të ndesheshim sërish aty, ashtu si dikur, për të shkëmbyer një
përshëndetje të ngrohtë dhe ndonjë bisedë të gjatë e të mbushur me mendime.
Por pastaj ndodhi ajo që nuk e kisha imagjinuar dhe që
nuk do të doja kurrë ta besoja. Një ditë të zakonshme, pa asnjë shenjë
paralajmëruese, në fund të korrikut, lajmi i zi për vrasjen e saj u përhap
rrufeshëm nëpër qytet, duke shkundur ndërgjegjen dhe zemrat tona. Ai lajm ishte
si një goditje e rëndë, që më zuri të papërgatitur dhe më la të ngrirë në vend.
Ndjeva një shtangie të thellë, një tronditje që nuk mund ta përshkruaj
plotësisht me fjalë. M’u duk sikur koha u ndal për një çast dhe gjithçka tjetër
humbi rëndësinë e vet. Por, edhe pse lajmi më shokoi dhe më lëndoi, e dija
brenda vetes – me atë ndjesinë e dhimbshme por të qartë – se Hyra nuk kishte
vdekur thjesht, por kishte rënë drejt, me nder, ashtu siç kishte jetuar.
Ajo kishte rënë vertikalisht, duke mbajtur lart
idealet e saj, në fshatin Tanushë të Gostivarit – një emër që nga ai moment do
të mbetej i gdhendur përgjithmonë në kujtesën time si vendi i fundit i
qëndresës së saj. E dija se ajo nuk do të ishte kurrë më një zë i gjallë në
bisedat tona të zakonshme, por do të mbetej një zë i brendshëm, i paharrueshëm,
një kujtesë dhe një amanet për të vazhduar të shkruajmë dhe të ruajmë historinë
e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Dhe ja ku jam tani, me zemrën e
rënduar dhe shpirtin të lënduar nga mungesa e saj, duke u zhytur me kujdes dhe
përkushtim nëpër literaturën dhe dosjet e shumta që ruajnë dëshmi për ata që u
flijuan në luftën e fundit. Me durim dhe ndjenja të përziera, shfletoj faqe pas
faqeje, duke mbledhur copëza jete dhe veprimtarie që ndriçojnë figurën e mikes
sime të dashur, Hyrë Eminit.
Nuk është një punë e lehtë dhe as e zakonshme – është
një proces i mbushur me dhimbje dhe reflektim të thellë. Çdo dokument, çdo
shënim apo dëshmi më ngjall kujtime të gjalla të saj, më risjell në mendje
zërin e saj, fjalët e saj të ngrohta, por edhe premtimin e saj të përsëritur me
këmbëngulje: Shkruaj! Shkruaj për ata që ranë në altarin e lirisë. Ndërsa
mbledh të dhëna, nuk jam thjesht një studiuese e ftohtë që kërkon fakte. Jam
një mikeshë që përpiqet të ruajë nderin dhe kujtimin e saj, ta përjetësojë atë
në fjalë të shkruara që nuk do t’i fshijë kurrë koha. Dua të mos mbetet vetëm
një emër në një listë dëshmorësh, por të ngrihet si një figurë e plotë dhe e
gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare, me tërë madhështinë e saj njerëzore dhe
heroizmin e saj të heshtur.
Në këtë kërkim të mundimshëm, e ndiej gjithnjë praninë
e saj si një shtysë morale, një frymëzim i heshtur që më kujton se ky nuk është
thjesht një borxh profesional, por një amanet i shenjtë i miqësisë sonë. Dhe
kështu, përmes këtij procesi të dhimbshëm, por të domosdoshëm, përpiqem të
ndërtoj një monument të qëndrueshëm kujtese për Hyrën – që brezat e ardhshëm ta
njohin jo vetëm si një heroin të luftës, por si një trimëreshë që jetoi dhe
vdiq me dinjitet, duke mishëruar idealet më të larta të atdheut të saj.
Gjatë këtij hulumtimi të kujdesshëm dhe të
përkushtuar, arrita të mbledh një numër të konsiderueshëm shkrimesh dhe
dokumentesh që më japin një pasqyrë mjaft të qartë dhe të pasur për jetën dhe
veprimtarinë e Hyrë Eminit. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të ndërtuar
një biografi solide, madje edhe për të hartuar një tekst prej tetë apo nëndë
faqesh që do të mund të shërbente si një përmbledhje e denjë dhe e
respektueshme për figurën e saj. Megjithatë, kur i shikoj të gjitha këto fakte,
rrëfime dhe kujtime të mbledhura, më lind menjëherë një pyetje e thellë dhe e
ndershme, a mjafton vallë një tekst kaq i kufizuar në faqe për ta përshkruar plotësisht
dhe drejtësisht jetën e saj? A mund të përmblidhet në disa faqe gjithë ajo
madhështi karakteri, gjithë ai përkushtim ndaj atdheut, gjithë ajo sakrificë e
heshtur dhe e plotë?
Në vetëdijen time, përgjigjja është e qartë- Jo, nuk
mjafton. Hyra Emini nuk mund dhe nuk duhet të përkufizohet thjesht brenda
kufijve të ngushtë të një biografie të shkurtër. Ajo meriton shumë më tepër –
një trajtesë të gjerë, të thellë dhe të gjithanshme që të zbërthejë jetën e saj
në të gjithë dimensionet si vajzë dhe motër, si intelektuale dhe atdhetare, si
bashkëluftëtare dhe dëshmore.
Ajo meriton një vepër që të mos jetë vetëm kujtesë për
të, por edhe udhërrëfyes për brezat që do të vijnë – një testament i shkruar që
të tregojë se çfarë do të thotë të jetosh me përkushtim të plotë dhe të japësh
gjithçka për idealin e lirisë. Një vepër që ta vendosë emrin e saj aty ku e ka
vendin – në panteonin e figurave që nuk i përkasin vetëm një familjeje apo një
kohe, por të gjithë kombit dhe përjetësisë. Prandaj, çdo faqe që i kushtohet
asaj nuk është thjesht shkrim, por detyrim moral, një mënyrë për të kthyer një
pjesë të vogël të borxhit që kemi ndaj saj dhe ndaj të gjithë atyre që dhanë
gjithçka për ne.
Megjithatë, ndër të gjitha burimet dhe dëshmitë që
pata mundësi të konsultoja gjatë këtij hulumtimi, më të çmueshmet dhe më të
besueshmet më dolën ato që i kishte dhënë vetë vëllai i saj. Fjalët e tij, të
thjeshta por të ndjera, nuk ishin thjesht informacione të thata apo të largëta,
por dëshmi të drejtpërdrejta, të ngarkuara me ndjenja dhe me kujtime të gjalla
që vetëm një familjar i afërt mund t’i tregojë me aq saktësi dhe sinqeritet.
Në to ndjeva jo vetëm rrëfimin e një vëllai për motrën
e tij të dashur, por edhe një akt të thellë kujtese dhe respekti, një përpjekje
për të ruajtur gjallë figurën e saj ashtu siç ishte – pa zbukurime të kota, por
edhe pa i humbur asnjë prej vlerave të saj njerëzore dhe atdhetare. Ishin të
dhëna që nuk buronin nga thashethemet apo nga ndërmjetësime të largëta, por nga
zemra e dikujt që e kishte njohur Hyrën në çdo hap të jetës, që kishte ndarë me
të jo vetëm të përditshmen, por edhe frikën, shpresën dhe vendosmërinë në kohë
të vështira. Prandaj, për të qenë e drejtë dhe e ndershëm ndaj kujtimit të saj,
zgjodha që të mbështetem fort në këto dëshmi të afërta dhe autentike. Sepse
vetëm ato mund të japin një pasqyrë të vërtetë dhe të thellë mbi personalitetin
e saj kompleks dhe të guximshëm. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme për të
shmangur çdo interpretim të ftohtë dhe të huaj dhe për të ndërtuar mbi themelin
më të sigurt – mbi kujtesën e një familjari që ruante si relikt të shenjta
kujtimet për motrën e tij të rënë në altarin e lirisë.
Sipas shënimeve që i lë vëllai i Hyrës, ai thotë se Hyrë
Emini erdhi në jetë në qytetin e Ferizajt, në gjirin e një familjeje të njohur
për traditat e saj të pasura atdhetare dhe përkushtimin ndaj çështjes
kombëtare. Kjo familje kishte rrënjët në fshatin Maçitevë të Therandës, vend
prej nga ishte shpërngulur më herët si shumë familje të tjera shqiptare të asaj
kohe. Në vitin 1958, familja e saj u bë pjesë e atij eksodi të dhunshëm dhe të
planifikuar me kujdes nga politika asimiluese e regjimit të atëhershëm
jugosllav, që kishte për qëllim dobësimin e elementit shqiptar përmes
shpërnguljes në Turqi. Ishte një strategji e ligë dhe e dhimbshme, që i detyroi
mijëra familje shqiptare të braktisnin atdheun e tyre, duke marrë me vete vetëm
mallin dhe kujtimet për vendlindjen.
Mirëpo, udhëtimi i familjes së Hyrës nuk mori atë rrjedhë
që ishte parashikuar. Pasi mbërritën në Maqedoni, për arsye të ndryshme, nuk
arritën të vazhdojnë më tej drejt Turqisë. Në vend të kësaj, ata u detyruan të
ndaleshin dhe të qëndronin aty për një periudhë të pacaktuar, duke e ndërtuar
jetën në një mjedis të huaj dhe të vështirë. Vetëm pas rënies nga pushteti të
Aleksandër Rankoviqit – figurës famëkeqe të politikës antishqiptare serbe, e
cila ishte simbol i dhunës, represionit dhe politikave të spastrimit etnik –
familja e Hyrës pa një dritë shprese për t’u kthyer në vendin e vet. Me zemrën
plot mall dhe me një qëndresë të admirueshme, ata morën rrugën e kthimit në
Kosovë, duke u vendosur fillimisht në fshatin Neredime të Ferizajt.
Më vonë, duke kërkuar mundësi më të mira jetese dhe
shkollimi për fëmijët, familja e Hyrës vendosi të zhvendosej në vetë qytetin e
Ferizajt. Kështu, historia e saj familjare është dëshmi e gjallë e përpjekjes
shqiptare për të mbijetuar, për të ruajtur identitetin dhe për të mbetur i
lidhur me tokën amtare, pavarësisht dhunës, shpërnguljeve dhe politikave të
asimilimit që synonin të zhbënin një popull të tërë.
Në formimin dhe ndërgjegjësimin atdhetar të Hyrë
Eminit pati një ndikim të veçantë dhe të thellë një ngjarje e dhimbshme
familjare, burgosja dhe dënimi politik i vëllait të saj të madh, Ramadan
Eminit, i cili në vitin 1986 u dënua me pesë vjet burg nga regjimi jugosllav
për veprimtari politike. Ky akt represiv, që synonte të frikësonte dhe
nënshtronte familjet shqiptare, kishte efekt të kundërt tek Hyra. Ky rast i
burgosjes së vëllait, e zgjoi dhe e forcoi vetëdijen e saj kombëtare, duke i
dhënë një drejtim të qartë jetës së saj të re. Në formimin dhe ndërgjegjësimin
kombëtar të Hyrë Eminit kishte lënë gjurmë të pashlyeshme edhe shembulli i
ndritshëm i rezistencës së dajës së saj, Shaban Biba-Jezerci. Ky burrë i
pathyeshëm ishte një figurë emblemë e qëndresës shqiptare kundër pushtuesve të
huaj, i cili kishte luftuar pa u trembur kundër ushtrisë jugosllave të Titos në
vitet e pasluftës së Dytë Botërore.
Bashkëluftëtar i ngushtë i Hysen Tërpezës, Shaban Biba
kishte mbajtur armën në dorë për dy vjet rresht, duke u bërë pengesë e fortë
për planet e pushtuesit jugosllav për të nënshtruar dhe shuar çdo lëvizje
liridashëse shqiptare. Pushteti jugosllav, i njohur për metodat e tij të
pamëshirshme, arriti deri atje sa t’ia merrte familjen peng, në një përpjekje
çnjerëzore për ta detyruar të dorëzohej dhe të shkatërronte moralin e tij
luftarak. Megjithatë, as ky presion barbar nuk e theu shpirtin e tij luftarak.
Për këtë guxim dhe këmbëngulje, më 1947 ai u dënua me 14 vjet burg – një çmim i
rëndë personal, por edhe një vulë nderi në historinë e rezistencës kombëtare.
Kjo trashëgimi morale dhe heroike nuk u shua me
kalimin e kohës. Përkundrazi, ajo u bë pjesë e ndërgjegjes dhe frymëzimit të
brezave të rinj të familjes, duke përfshirë edhe mbesën e tij, Hyrë Eminin. Ajo
e pa te daja i saj jo vetëm një figurë të afërt familjare, por një shembull të
gjallë se si duhet të luftohet për të drejtën dhe për lirinë, edhe kur çmimi
është më i larti i mundshëm. Në këtë mënyrë, Hyra trashëgoi jo vetëm gjakun,
por edhe idealin dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Duke e ndjekur
gjurmën e këtij trimi të rezistencës sonë kombëtare, ajo mori armët dhe u
përfshi vetë në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke mos kursyer as
jetën e saj.
Pa mbaruar ende gjimnazin, ajo nisi të angazhohej
aktivisht në grupe të rinjsh që kishin për qëllim ngritjen e ndërgjegjes
kombëtare dhe përpjekjen për çështjen shqiptare. Nuk ishin grupe të zakonshme
apo formale, ata zhvillonin një punë të kujdesshme dhe të guximshme, duke
përdorur edhe forma alternative të aktivitetit kulturor dhe edukativ për të
mbjellë dhe forcuar ndjenjat atdhetare, për të ruajtur gjuhën, historinë dhe
identitetin në kushte të represionit të egër politik. Me fillimin e viteve ’90,
një periudhë vendimtare dhe tejet e trazuar për shqiptarët e Kosovës, Hyra nuk
qëndroi indiferente. Përkundrazi, ajo u rreshtua në radhët e Këshillit për të
Drejtat e Njeriut – një organizatë që vepronte hapur për mbrojtjen e të
drejtave themelore të shqiptarëve të shtypur. Por veprimtaria e saj dhe e
shokëve të saj nuk kufizohej vetëm në protestën dhe mbrojtjen publike të të
drejtave civile. Nën këtë mbulesë ligjore dhe qytetare, një pjesë e anëtarëve
të Këshillit, përfshirë edhe Hyrën, merreshin me organizimin e punës ilegale
për përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur, duke ushqyer dhe
ndërtuar frymën e rezistencës aktive.
Duhet theksuar se në atë kohë, në krye të këtij
Këshilli ishte Adem Demaçi – figura legjendare e rezistencës paqësore dhe
simboli i ndërgjegjes shqiptare. Fryma dhe vizioni i tij për organizim,
vendosmëri dhe përgatitje të gjithanshme për përballje me regjimin ndikuan
thellë mbi të gjithë anëtarët e rinj, përfshirë edhe Hyrën. Ajo u formua kështu
si pjesë e një brezi që e kuptoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me
sakrificë, me përkushtim dhe me organizim të palëkundur.
Por Hyra nuk ishte vetëm një luftëtare e maleve dhe e
armës. Ajo ishte edhe një nxënëse dhe studente e shkëlqyer. Shkollimin fillor e
kreu në qytetin e saj të lindjes, Ferizaj, ku më pas ndoqi edhe gjimnazin.
Gjatë viteve të shkollës së mesme, ajo u dallua për përkushtimin dhe
inteligjencën e saj të jashtëzakonshme, duke fituar titullin e nxënëses më të
mirë të Ferizajt – një dëshmi e hershme e seriozitetit dhe talentit të saj. Pas
përfundimit të gjimnazit në qytetin e saj të lindjes, Hyrë Emini vazhdoi rrugën
e dijes duke u regjistruar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në
Universitetin e Prishtinës. Në auditorët e këtij fakulteti, ajo e përfundoi me
sukses të dalluar dy vitet e para të studimeve, duke dëshmuar sërish zellin dhe
pasionin e saj për gjuhën, letërsinë dhe kulturën kombëtare.
Po në atë kohë, në funksion të qëllimeve
kombëtare, Hyra merrej edhe me aktivitete kulturore, me ç’rast kishte arritur
ta organizojë grupin e recituesve të rinj në Ferizaj, si dhe manifestimin
multikulturor kushtuar dëshmorëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvala, Nuhi
Berisha e Rexhep Mala, “Flaka e Janarit”. Edhe vetë kishte talent të recitonte,
por edhe të shkruante poezi. Si organizatore e manifestimit të fundit, në
fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe
dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në
shtëpinë ndëshkuese në Lipjan, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në
Serbi.
Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar
edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me
kohë ishte tërhequr nga kjo parti. Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e
sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në
Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Ndërkohë, në
Tiranë ishin vendosur edhe dy vëllezërit e saj, Ramadani dhe Enveri, të cilit
atje merreshin me punë ndërtimtarie. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte
vënë studimet në planë të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të
mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saja, sepse
ajo ishte e vetëdijshme se para lirisë së vendit nuk mund të kishte detyrë më
të ngutshme. Ndërkohë, në Tiranë, Hyra kishte vënë lidhjet me udhëheqës të
UÇK-së, ndër të cilët edhe me luftëtarin e njohur tash dëshmor, Adrian
Krasniqi.
Me shpërthimin e luftës në Kosovë, Hyre Emini mori një
vendim të qartë dhe të vendosur, t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës. Ky vendim nuk ishte i rastësishëm apo i nxitur nga emocione të
momentit, por një shprehje e qartë e përkushtimit të saj të hershëm ndaj lirisë
dhe çështjes kombëtare. Në maj të vitit 1998, ajo kthehet në vendlindje, në
Ferizaj, pranë familjes së saj, për t’u përgatitur për këtë angazhim të madh
dhe të rrezikshëm.
Një muaj më vonë, Hyra u inkuadrua zyrtarisht në
radhët e UÇK-së. U pozicionua në pikën ushtarake të Jezercit, një bazë e
sapoformuar që shpejt do të bëhej një nga qendrat kryesore të rezistencës në
atë zonë. Pika ushtarake e Jezercit ishte nën komandën e Imri Ilazit, i njohur
për të gjithë si Komandant “Ferri”, i cili ishte një ndër figurat më të
respektuara dhe më të vendosura të luftës. Me kalimin e kohës dhe me
konsolidimin e strukturave të UÇK-së, u bë riorganizimi i saj në zona ushtarake
operative dhe brigada. Në këtë kuadër, Hyra veproi si pjesëtare e Brigadës 161,
duke marrë emrin e saj të luftës “Mira” – një nofkë që për bashkëluftëtarët do
të bëhej sinonim i përkushtimit dhe i guximit.
Në këtë brigadë ajo nuk ishte një ushtare e zakonshme.
Mori pjesë aktive në të gjitha betejat më të ashpra dhe vendimtare që u
zhvilluan në Zonën Operative të Nerodimës, duke qenë gjithnjë në vijën e parë
të zjarrit dhe të përballjes. Ishte e njohur ndër bashkëluftëtarët e saj për
devotshmërinë dhe disiplinën e lartë, për ndjenjën e thellë të përgjegjësisë që
tregonte jo vetëm ndaj detyrave të saj, por edhe ndaj jetës dhe moralit të
shokëve me të cilët ndante çdo rrezik.
Armatimi i saj i përhershëm përbëhej nga automatikë,
revolverë dhe bomba dore, të cilat i mbante gjithmonë gati, si shenjë e
gatishmërisë për çdo përballje. Por përveç armës, ajo mbante me vete edhe një
kamerë filmike. Nëpërmjet saj, Hyra dokumentonte me kujdes shumë nga momentet
më të rëndësishme dhe më të vështira të luftimeve, duke ruajtur për brezat e
ardhshëm një pjesë të së vërtetës së asaj lufte të përgjakshme.
Pas krijimit të institucioneve informative të UÇK-së,
siç ishin Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress, Hyrë Emini u
bë një nga bashkëpunëtoret më aktive dhe më të përkushtuara. Së bashku me emra
të njohur si Ruzhdi Jashari, Ali Uka dhe të tjerë, ajo raportonte rregullisht
nga fronti për zhvillimet më të fundit të luftimeve në zonën e saj. Ky angazhim
i saj nuk ishte vetëm një kontribut informativ, por edhe një formë tjetër e
luftës – lufta për të vërtetën dhe për ndërgjegjësimin e opinionit vendas dhe
ndërkombëtar për sakrificat dhe heroizmin e popullit të saj. Në këtë mënyrë,
Hyra Emini nuk mbeti vetëm një luftëtare e armës, por u shndërrua edhe në një
kronikane të gjallë të epopeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dëshmuar
me të gjitha mjetet për idealin e shenjtë të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe çlirimit të
vendit nga pushtimi serb, Hyre Emini nuk e pa veten të tërhiqej në qetësinë e
jetës private. Përkundrazi, ajo vazhdoi rrugën e saj të përkushtimit ushtarak
duke u inkuadruar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), formacioni i ri i
sigurisë që trashëgonte frymën e Ushtrisë Çlirimtare dhe kishte misionin të
mbronte dhe konsolidonte lirinë e fituar. Gjatë shërbimit në TMK, Hyra pati
rastin të njohë nga afër shumë figura të shquara të rezistencës shqiptare. Midis
tyre spikaste Tahir Sinani, luftëtari i palodhur dhe i paepur i lirisë nga
Tropoja, me të cilin krijoi një respekt të ndërsjellë dhe një lidhje të veçantë
të formuar në terrenin e përbashkët të idealeve. Po ashtu, ajo njohu e lidhi
miqësi dhe aleanca me shumë bashkëluftëtarë të tjerë që, ashtu si ajo, nuk e
shihnin misionin e tyre të përmbushur përderisa kishte ende troje shqiptare nën
pushtimin e huaj – serb e maqedonas.
Në fillim të vitit 2000, kur shpërtheu kryengritja
çlirimtare në trevat e Kosovës Lindore, jehona e atyre luftimeve nuk mund të
mos e prekë shpirtin liridashës të Hyrës. Ajo nuk mbeti indiferente ndaj
vuajtjes dhe përpjekjes së shqiptarëve përtej kufirit administrativ të Kosovës.
Së bashku me Tahir Sinanin dhe të tjerë, Hyra kishte vendosur kontakte të
ngushta me luftëtarët e atyre anëve dhe ndiqte me vëmendje çdo zhvillim, duke u
interesuar thellësisht për ecurinë e betejës dhe për mundësitë për ta ndihmuar
atë.
Ky sensibilitet i lartë dhe ndjenja e përgjegjësisë
kombëtare nuk mund të zbehej, por vetëm shtohej, veçanërisht kur në pranverën e
vitit 2001 shpërtheu kryengritja e armatosur në trevat shqiptare nën Maqedoni.
Hyra e ndjeu si detyrë të shenjtë t’i përgjigjej atij kushtrimi. Së bashku me
shokët e saj të afërt të luftës – si Tahir Sinani, Brahim Ademi, Vjollca Hamiti
dhe të tjerë – ajo filloi të punonte me përkushtim për të përgatitur terrenin
dhe organizimin për t’u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Për këtë arsye madhore, në maj të vitit 2001, Hyra
mori një vendim të qartë dhe të guximshëm, dha dorëheqjen nga shërbimi në
radhët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Nuk ishte një hap i lehtë, por ishte një
akt i vetëdijshëm sakrifice, që tregonte qartësinë e vizionit dhe përkushtimin
e saj të pakompromis për lirinë e të gjithë trojeve shqiptare. Sapo mbërriti në
Maqedoni, Hyra nuk humbi kohë. Bashkë me shokët e saj, ajo u angazhua menjëherë
në shtrirjen dhe konsolidimin e frontit të luftës edhe më në jug, duke
përqendruar përpjekjet në rrethinat strategjike të Dibrës dhe Gostivarit. Ajo
tregoi aftësi organizative dhe guxim të pashoq, duke e kthyer idealin e
bashkimit kombëtar në veprim të drejtpërdrejtë dhe të guximshëm, me vetëdijen
se çlirimi dhe dinjiteti i popullit shqiptar nuk mund të ndaheshin kurrë sipas
kufijve të imponuar politikisht.
Dy muaj pas angazhimit të saj në frontet e luftës në
Maqedoni, Hyrë Emini – e njohur me emrin e luftës “Mira” – dha jetën në krye të
detyrës, duke u bërë shembull i sakrificës së plotë dhe të ndërgjegjshme. Ishte
në një aksion ushtarak në Kuk Zabel të Gostivarit që ajo ra dëshmore, duke mos
u ndarë as në çastin e fundit nga shokët e saj më të afërt dhe besnikë të
idealit.
Në atë betejë të ashpër dhe të pabarabartë, ranë edhe
bashkëluftëtarët e saj të pandashëm: Tahir Sinani, simboli i pathyeshëm i
luftës nga Tropoja; Brahim Ademi, i njohur për trimërinë e tij që nga Kosharja
e Ferizajt; si dhe Naser Ademi e Hisa Fazliu, të dy bij të Gostivarit, që e
njihnin çdo pëllëmbë të atyre maleve. Ato çaste lufte nuk lanë vetëm të vrarë,
plagë të rënda morën edhe Vjollca Hamiti nga Prelezi i Ferizajt dhe Hajrullah
Fejzulli nga Gostivari – dëshmi të gjalla të çmimit të lartë që pagoi kjo
gjeneratë për lirinë.
Pas përfundimit të betejës, bashkëluftëtarët e mbetur,
të pikëlluar dhe të ndjerë thellësisht për humbjen, morën mbi vete detyrën e
dhimbshme për t’i varrosur trupat e tyre. Ata i varrosën në afërsi të vendit të
rënies – një akt që nuk ishte vetëm domosdoshmëri praktike, por edhe një mënyrë
për të respektuar vullnetin e fundit të “Mirës”. Sepse ajo, në momentin e
ndarjes me të vëllain Enver, në Kukës, ndërsa nisej drejt frontit të ri, kishte
lënë amanet të qartë, nëse do të binte, të varrosej aty ku do të derdhej gjaku
i saj. Ishte një shenjë e thellë e lidhjes me tokën ku luftonte, një simbol i
përkushtimit të plotë dhe të pakthyeshëm.
Megjithatë, ky amanet i saj i fundit nuk do të
respektohej përfundimisht. Më vonë, bashkëluftëtarët dhe familjarët vendosën që
trupin e dëshmores Hyrë Emini ta bartnin në atdheun e saj të lindjes, për ta
rivarrosur me nderime në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj – qyteti që e kishte
rritur dhe e kishte dhënë për lirinë e kombit. Ishte një vendim i ngarkuar me
emocione dhe me ndjenja komplekse, nga njëra anë, dëshira për t’ia respektuar
amanetin, dhe nga ana tjetër, domosdoshmëria që ajo të prehej mes të vetëve,
aty ku kujtimi i saj do të nderohej përherë.
Bartja e trupave të dëshmorëve- Hyrë Emini, të Tahir
Sinanit dhe të Brahim Ademit deri në kufirin me Kosovën, më 20 maj të vitit
2002, ishte një akt solemn dhe i kujdesshëm, i organizuar me përkushtim nga
bashkëluftëtari i tyre i njohur si komandant “Baci” dhe nga shumë të tjerë që
nuk e harruan kurrë betimin e dhënë për t’i nderuar dhe për t’ua ruajtur
kujtimin si heronj të vërtetë të lirisë shqiptare.
Si dëshmi të gjalla dhe të çmuara të rrugëtimit të saj
të lavdishëm në dy luftëra, edhe sot ruhen me kujdes të veçantë dhe me
përkushtim të thellë uniformat ushtarake të “Mirës” – emri i saj i luftës. Ato
uniforma mbajnë mbi supe jo vetëm pëlhurën e vjetër të një kohe të përgjakshme,
por edhe emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atë të
Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Secila prej tyre është një dëshmi e heshtur por
e fuqishme e rrugës së saj të gjatë e të përkushtuar për çlirimin dhe bashkimin
kombëtar.
Këto relikte nuk janë thjesht simbole ushtarake. Janë
amanete të historisë, që mbajnë mbi vete peshën e betejave të përjetuara,
sakrificën e ndërgjegjshme dhe idealin e pathyeshëm të një gruaje që nuk pranoi
asnjëherë të jetonte e nënshtruar. Ato uniforma ruajnë kujtimin e Mirës si
luftëtare, por edhe si shembull të gjallë të guximit dhe të devotshmërisë që
frymëzon edhe sot breza të tërë.
Në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë çlirimtare,
Hyra nuk ishte e vetme. Ajo pati përkrahjen e pandarë të vëllezërve të saj,
Ramadanit dhe Enverit, të cilët jo vetëm që e mbështetën, por e ndihmuan të
ndërtojë bindjet dhe idealet e saj kombëtare. Ata nuk ishin vetëm vëllezërit e
saj, por ishin edhe modele frymëzimi – një dëshmi e gjallë se liria kërkon
sakrificë, qëndresë dhe një përkushtim të patundur ndaj idealeve. Prandaj,
rruga e Hyrës nuk ishte vetëm e saj personale, por edhe vazhdim i një tradite
familjare të përkushtuar me mish e me shpirt ndaj çështjes kombëtare.
Në historinë më të re të luftës sonë për çlirim,
figura e Hyrës shndrit si një nga shembujt më të pastër dhe më të ndritshëm të
guximit dhe flijimit të femrës shqiptare. Heroizmi i saj është më shumë se një
akt personal – është një testament për brezat që vijnë, një simbol i pavdekshëm
i dashurisë për atdheun dhe i gatishmërisë për t’u flijuar për lirinë e tij.
Literatura:
1. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të
trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015
2. Fatmira Musaj, Hyrë Emini - një jetë në
shërbim të çështjes kombëtare. Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës,
Aspekte sociale, kulturore dhe politike nga viti 1980 deri në ditët e sotme,
(Materiale nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, 5 maj 2023), Prishtinë, 2024
3. https://www.radiokosovaelire.com/deshmorja-e-tri-lufterave-clirimtare-hyre-qazim-emini-21-7-1973-29-7-2001/
4. https://amkmk.rks-gov.net/acadp_listings/shtatorja-e-deshmores-hyre-emini/
5. https://www.facebook.com/HyreEmini/posts/biografi-e-shkurter-e-heroines-hyr%C3%AB-emini-mira/919135638193098/
6. https://www.youtube.com/watch?v=YlO68dMBtJQ
7. https://www.kultplus.com/trashegimia/hyre-emini-mira-vajza-nga-kosova-e-cila-luftoi-ne-dy-luftera/
8. https://www.facebook.com/fitim.salihu1/posts/10220232139013421?ref=embed_post
9. https://www.botasot.info/ferizaj-kosova/927914/perkujtohen-deshmoret-e-kombit-hyre-emini-dhe-brahim-ademi/
10. https://konferenca.al/index.php/ih-rks/article/view/46
11. https://www.epokaere.com/historia-e-hyre-eminit-deshmores-nga-ferizaj/
12. https://sq.wikipedia.org/wiki/Ushtria_%C3%87lirimtare_Komb%C3%ABtare
13. https://www.reporter.al/2021/03/22/kosova-pa-statuja-kushtuar-heroinave-te-saj/
14. https://sq.wikipedia.org/wiki/Tahir_Sinani
15. https://www.radiokosovaelire.com/tahir-male-sinani-25-5-1964-29-7-2001/