Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (16)
E merkure, 30.07.2025, 07:28 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (16)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
ELFIJE SADIK JASHARI
(28.2.1963
– 7.3.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Duke
bërë një kërkim të kujdesshëm për të ndriçuar historitë e grave luftëtare që
morën pjesë në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës, sidomos në përkujtim të
27-vjetorit të sulmit të egër mbi familjen Jashari, hasa në një burim të çmuar:
një shkrim të atdhetarit të njohur Sheradin Berisha.
Ky
autor, i njohur për përkushtimin e tij ndaj dokumentimit të së vërtetës
historike dhe ruajtjes së kujtesës kombëtare, i kishte bërë hyrje shkrimit të
tij me fjalë domethënëse dhe të ngarkuara me peshë historike e emocionale. Ai
nuk e trajtonte këtë temë vetëm si një rrëfim faktik, por si një akt nderimi,
kujtese dhe ndërgjegjësimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Shkrimi
i Sheradin Berishës nuk ishte vetëm një dëshmi për gratë që morën pjesë në
luftë, por një përpjekje për të nxjerrë në pah dimensionin shpesh të heshtur
dhe të anashkaluar të sakrificës femërore në kontekstin e luftës çlirimtare –
një zë që duhej të dëgjohej dhe një histori që duhej të shkruhej me respektin
dhe kujdesin që meritonte.
Duke
e lexuar atë, kuptova se secila fjalë ishte një thirrje për ta mbajtur gjallë
kujtesën, për të nderuar jo vetëm armët, por edhe shpirtin, guximin dhe
njerëzillëkun e grave që u radhitën krah burrave në atë përpjekje madhore për
liri dhe dinjitet.
Në
shkrim thuhej se Prekazi i Poshtëm ndodhet rreth dy kilometra në lindje të
qytetit të Skenderajt, i pozicionuar në një terren të gjerë kodrinor dhe në
lugina pjellore që i japin vendbanimit një shtrirje karakteristike dhe të bukur
natyrore. Ky fshat ka një strukturë të ndarë në lagje, duke pasqyruar
organizimin tradicional dhe lidhjet e ngushta familjare të banorëve të tij.
Para
shpërthimit të luftës, Prekazi ishte një fshat i madh dhe i gjallë, me rreth
220 shtëpi të banuara nga 1630 shqiptarë. Jeta e tyre ishte e ndërthurur
ngushtë me bujqësinë dhe aktivitetet e tjera ekonomike vendore. Megjithatë,
gjatë luftës, fshati u përball me një tragjedi të madhe: 178 shtëpi dhe objekte
të shumta ekonomike, ndihmëse e infrastrukturore u dogjën dhe u shkatërruan nga
forcat pushtuese, duke i lënë banorët pa strehë dhe pa burime jetese.
Për
të mbërritur në Prekaz nuk është aspak e vështirë. Sapo kalon Skenderajn dhe
merr kthesën e parë në rrugën e asfaltuar, në krah të djathtë të saj të shfaqet
një mbishkrim i thjeshtë por i ngarkuar me domethënie të thellë historike dhe
emocionale: “Bac, u kry!”. Ky shkrim nuk është vetëm një shenjë orientimi
gjeografik, por një simbol triumfi dhe përmbushjeje të idealit për liri – një
shprehje që përmbledh sakrificën dhe fitoren e popullit që u ngrit për të
mbrojtur dinjitetin e vet.
Ky
informacion është i veçantë dhe i rëndësishëm sepse rrallë herë hasim në
biografitë e dëshmorëve të shkruara deri më sot që të përfshijnë me këtë kujdes
dhe detaj edhe përshkrime për fshatrat apo qytetet nga të cilët ata vinin.
Përfshirja e një tabloje të tillë nuk është thjesht një sfond gjeografik, por
një mënyrë për të rrënjosur kujtimin e tyre në vendin konkret, në peizazhin dhe
historinë e gjallë të atdheut të tyre, duke e bërë edhe më të prekshme lidhjen
e tyre me tokën, njerëzit dhe kulturën që i formoi dhe për të cilën ata dhanë
jetën.
Njëzet
e shtatë vite më parë, më 5 mars të vitit 1998, ngjarjet në Kosovë morën një
kthesë të errët dhe dramatike, të pasqyruar qartë edhe në raportimet zyrtare të
kohës. Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë – Agjencia
Telegrafike Shqiptare (ATSH) – përmes korrespondentit të saj në Kosovë, Behlul
Jashari, transmetonte lajme shqetësuese dhe të ngarkuara me ankth.
Në
mes tjerash, ishte edhe kjo e dhënë që po e parafrazoi se “Që në orët e para të
mëngjesit, forcat serbe, të mbështetura nga trupa të blinduara dhe makineri të
rënda luftarake, kishin nisur një sulm frontal dhe të egër kundër popullsisë
shqiptare në Drenicë – një rajon që përfaqësonte jo vetëm një bastion të
qëndresës, por edhe zemrën simbolike të identitetit dhe krenarisë kombëtare
shqiptare”.
Ky
raportim, i dokumentuar nga një burim zyrtar e i besueshëm si ATSH, nuk ishte
vetëm një kronikë e ngjarjes së ditës, por një paralajmërim dramatik për dhunën
dhe tragjedinë që do të pasonin. Ai bënte të qartë për publikun shqiptar dhe
ndërkombëtar se përballja në Drenicë nuk ishte një konflikt i rastësishëm apo
lokal, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar të shtetit serb për të shtypur
me forcë të pamëshirshme çdo zë rezistence dhe çdo aspiratë për liri.
Në
këtë mënyrë, raportimi i asaj dite mbetet edhe sot një dokument historik me
vlerë të madhe, që dëshmon jo vetëm për ashpërsinë e sulmit, por edhe për
përpjekjet për të informuar dhe mobilizuar opinionin publik përballë një
agresioni që synonte shfarosjen dhe nënshtrimin e një populli të tërë.
Forcat
serbe kishin vendosur një rrethim të plotë dhe të mirëorganizuar përreth
Prekazit, duke zënë pozicione të fortifikuara dhe duke u përgatitur për një
ofensivë të ashpër dhe shkatërrimtare. Nga ato pozicione, ata qëllonin
pandërprerë mbi vendbanimet shqiptare, duke përdorur armë të kalibrave të
ndryshëm që përhapnin terror dhe shkatërrim mbi popullsinë civile të
pambrojtur.
Burime
të drejtpërdrejta nga vendi i ngjarjes, që raportonin për Agjencinë Telegrafike
Shqiptare (ATSH), dëshmonin për intensitetin e jashtëzakonshëm të sulmit:
Prekazi bombardohej edhe me artileri të rëndë, duke e shndërruar në një
objektiv të një shkatërrimi sistematik dhe të pamëshirshëm.
Në
këtë ofensivë të planifikuar mirë, forcat serbe përdorën jo vetëm armatim të
rëndë tokësor, por edhe helikopterë, duke e bërë sulmin edhe më të rrezikshëm
dhe më të pakapërcyeshëm për mbrojtësit dhe banorët e zonës. Ndërkohë, nga
veriu vinin raporte shqetësuese se forca të reja ushtarake dhe policore serbe
po hynin në Kosovë në mënyrë të vazhdueshme – përmes luginës së lumit Ibër në
drejtim të Mitrovicës dhe përmes pikës kufitare në Merdare drejt Podujevës –
duke dëshmuar për përmasën dhe koordinimin e këtij operacioni agresiv.
Këto
të dhëna të dokumentuara nuk ishin vetëm përshkrim i një sulmi lokal, por provë
e qartë e një strategjie të gjerë të shtetit serb për të shtypur me çdo mjet rezistencën
shqiptare, për të terrorizuar popullsinë civile dhe për të imponuar nënshtrimin
përmes frikës dhe shkatërrimit total.
Në
ngjarjet e përgjakshme dhe madhështore të njohura si Epopeja e Prekazit,
familja Jashari shkroi me gjakun e saj një kapitull të pavdekshëm të historisë
sonë kombëtare, duke mbrojtur me vendosmëri pragun e shtëpisë dhe nderin e
Kosovës. Gjatë atyre tri ditëve dhe dy netëve të tmerrshme, më 5, 6 dhe 7 mars
1998, u zhvillua një rezistencë heroike përballë forcave serbe që kishin rrethuar
fshatin me synimin për të shuar me dhunë çdo vatër të lirisë dhe çdo zë të
kundërshtimit.
Nga
22 anëtarët e familjes Jashari që gjendeshin nën rrethim, 20 ranë heroikisht në
altarin e lirisë, duke u bërë simbol i sakrificës sublime dhe të pakrahasueshme.
Në mesin e tyre ishte edhe figura qendrore dhe e pavdekshme e rezistencës
shqiptare, Komandanti Legjendar Adem Jashari, i cili me qëndresën e tij të
pathyeshme mishëroi frymën e papërkulur të popullit shqiptar për liri dhe
pavarësi.
Nga
kjo kasaphanë e tmerrshme, mbijetuan vetëm djali i dytë i Rifatit, Bashkimi,
dhe vajza e Hamzës, Besarta, duke mbartur mbi supe kujtimin e gjallë të asaj
tragjedie dhe të heroizmit të familjes së tyre.
Por
sakrifica e familjes Jashari nuk u kufizua vetëm në këtë rrethim. Në tërë
trungun e gjerë familjar ranë gjithsej 56 dëshmorë, duke përfshirë nëntë fëmijë
të pafajshëm dhe disa të moshuar që arrinin deri në moshën 93-vjeçare. Ata u
vranë në mënyrë çnjerëzore nga sulmet e egra dhe të planifikuara mirë të
forcave serbe, nën urdhrat e “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç –
njeriut që më vonë do të përfundonte në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte
në Hagë, si simbol i së keqes dhe i dhunës shtetërore kundër popujve të
pambrojtur.
Duhet
përkujtuar me nderim dhe respekt të thellë se brenda tragjedisë dhe heroizmit
të Epopesë së Prekazit, një pjesë e veçantë dhe tejet e dhimbshme të sakrificës
e përbëjnë edhe familjet e tjera të mëdha të kësaj treve të lavdishme. Në këtë
betejë vendimtare për lirinë e Kosovës, ranë 12 pjesëtarë të familjeve të
Sadik, Hamit dhe Qerim Jasharit, si dhe 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer
dhe Zejnë Jasharit. Përveç këtyre, u flijuan edhe dhjetëra anëtarë të tjerë të
kësaj lagjeje të Prekazit, duke dëshmuar se kjo ngjarje nuk ishte vetëm
tragjedia e një familjeje, por e tërë një bashkësie që ngriti zërin dhe armët
përballë pushtuesit.
Të
rënët dhe të martirizuarit e këtyre ditëve të zjarrit dhe gjakut vinin nga të
gjitha moshat e jetës: fëmijë të vegjël dhe vajza të mitura që nuk kishin
njohur ende botën, gra dhe nëna që mbartnin mbi supe barrën e familjes dhe
vazhdimësisë, si dhe pleq e plaka që kishin kaluar dekada me dinjitet dhe punë,
duke ruajtur traditën dhe nderin e kësaj toke.
Në
mesin e tyre ishin ata që nuk pranuan asnjë çast të ligështoheshin përballë
rrethimit dhe terrorit, që nuk iu trembën granatimeve dhe pushkëve, dhe që nuk
u dorëzuan kurrë. Ata qëndruan të pathyeshëm me armët që kishin në duar, sado
të pakta dhe modeste, duke zgjedhur të vdisnin në këmbë si njerëz të lirë sesa
të jetonin të nënshtruar.
Në
mesin e atyre që ranë heroikisht në Epopenë e lavdishme dhe tragjike të
Prekazit, nderim të veçantë meriton edhe figura e trimëreshës së heshtur,
Elfije Jashari, bija e Sadik dhe Afije Jasharit. E lindur më 28 shkurt 1963 në
Prekaz, në atë truall që do të bëhej simbol i rezistencës dhe i sakrificës për
liri, ajo ishte bijë e një familjeje me rrënjë të thella atdhetarie dhe me
tradita të forta të nderit dhe besës.
Ashtu
si shumë bashkëmoshatare të saj, Elfija ishte pjesë e rrethanave të vështira
dhe të padrejta të kohës. Situata politike e rënduar dhe kushtet e varfra
sociale nuk ia mundësuan asaj të ndjekë shkollimin formal, duke ia prerë rrugën
drejt arsimit që shumëkush e merr si të mirëqenë. Megjithatë, ajo nuk mbeti kurrë
e privuar nga edukata më e çmuar: ajo atdhetare, që buronte nga prindërit e saj
dhe nga fryma e shtëpisë ku ishte rritur.
Prindërit
e saj, Sadiku dhe Afija, ia ushqyen shpirtin me dashuri për tokën dhe popullin
e vet, me ndjenjën e thellë të drejtësisë dhe me përkushtimin për të mbrojtur
të drejtën për të qenë e lirë dhe e pa nëpërkëmbur. Në këtë mënyrë, edhe pse pa
diploma shkollore, Elfija ishte e shkolluar në shkollën më të vjetër dhe më të
ndershme të këtij populli: edukatën e atdhedashurisë, të sakrificës dhe të
dinjitetit.
Ajo
u bë pjesë e pandashme e qëndresës së familjes dhe e historisë së përgjakshme
të Prekazit, duke dëshmuar se sakrifica nuk njeh moshë, gjini apo shkollim, por
buron nga një ndërgjegje e thellë dhe nga dashuria e pakushtëzuar për atdheun
dhe njerëzit e vet. Në këtë mënyrë, emri i Elfijes është gdhendur në kujtesën
kolektive si simbol i thjeshtësisë së përvuajtur, por edhe i heroizmit të
pastër dhe të heshtur, që e ngriti Prekazin në altarin më të lartë të lirisë
kombëtare.
Si
bijë e devotshme e familjes Jashari dhe trashëgimtare e një tradite të gjatë
atdhedashurie, Elfija nuk mund të qëndronte larg në çastet më të rënda për
familjen e saj. Sapo mori vesh se lagjja dhe njerëzit e saj ishin në rrezik të
afërt nga rrethimi i forcave serbe, ajo nuk ngurroi asnjë moment dhe u nis
drejt Prekazit, për t’u bashkuar me prindërit dhe për të ndarë fatin me ta.
Ishte
agimi i 5 marsit 1998 kur forcat policore dhe ushtarake serbe ndërmorën sulmin
më brutal dhe më të pamëshirshëm kundër lagjes Jashari në Prekaz. Ata e
shndërruan të gjithë territorin në një fushë të zjarrit dhe shkatërrimit, duke
goditur pa dallim çdo shtëpi dhe çdo objekt me artileri të rëndë, me tanke,
topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve që kishin në
arsenalin e tyre.
Rrethimi
ishte i plotë dhe i mirëmenduar: lagjja u bllokua nga tri drejtime, duke lënë
të vetmen mundësi – qëndresën deri në fund. Nuk lejohej asnjë depërtim i
jashtëm, as për të sjellë një copë bukë apo një ilaç të domosdoshëm për të
plagosurit. Ky izolim i dhunshëm dhe i mirëorganizuar kishte një qëllim të
qartë: shfarosjen sistematike të një familjeje dhe të një simboli të tërë të
rezistencës shqiptare.
Përballë
këtij rrethimi çnjerëzor, Elfija, si shumë të tjerë nga familja e saj, nuk
zgjodhi rrugën e tërheqjes apo të sigurisë personale. Ajo zgjodhi të qëndronte
në mesin e të vetëve, të përballonte fatin me ta, dhe të dëshmonte me jetën e
saj se besa, nderi dhe dashuria për atdheun janë vlera që nuk shiten dhe nuk
braktisen as në orët më të errëta të historisë.
Sulmi
i forcave serbe mbi lagjen Jashari në Prekaz ishte i planifikuar me kujdes dhe
i realizuar me një ashpërsi të pamëshirshme. Në përgatitje të ofensivës, forcat
serbe kishin vendosur paraprakisht një njësi tankiste në anën lindore të
lagjes, duke siguruar kështu një pozitë strategjike për të goditur
drejtpërdrejt në zemër të qëndresës. Nga një distancë prej vetëm 200 metrash,
ata nisën të granatonin pa ndërprerje shtëpitë ku ishin strehuar e rrethuar me
hekur e tërë lagjja: burrat, gratë dhe fëmijët e të gjitha familjeve të lagjes
Jashari.
Epiqendra
e këtij sulmi të egër u përqendrua mbi shtëpinë e Shaban Jasharit, që
përfaqësonte jo vetëm një vatër familjare, por simbolin e rezistencës heroike,
si dhe mbi shtëpitë e Sadik, Hamdi dhe Qerim Jasharit, të cilat ndodheshin fare
pranë pozicioneve të armikut. Nuk shpëtoi as shtëpia e Halit Jasharit, e cila gjithashtu
u shndërrua në objektiv të drejtpërdrejtë të artilerisë së rëndë.
Pas
këtyre goditjeve të përqendruara, ofensiva nuk u ndal: u granatuan dhe u
bombarduan sistematikisht të gjitha shtëpitë e lagjes. Brenda mureve të këtyre
banesave ishin ngujuar dhjetëra familjarë – nga dhjetë deri në njëzet anëtarë
në çdo shtëpi – që për tri ditë rresht u mbajtën nën zjarrin e pamëshirshëm të
granatave, tankeve dhe armëve të kalibrave të ndryshëm.
Ky
sulm i koordinuar dhe i pandërprerë nuk ishte thjesht një operacion ushtarak:
ishte një akt i mirëplanifikuar i shfarosjes dhe terrorit, që synonte jo vetëm
të mposhtte rezistencën e armatosur, por të shkatërronte moralin dhe jetën e
tërë një lagjeje që kishte guxuar të qëndronte në këmbë përballë pushtuesit. Ai
mbetet një nga dëshmitë më të qarta të dhunës shtetërore të ushtruar kundër një
populli të pambrojtur, por të vendosur për të mos u dorëzuar.
Fati
e deshi që Elfija, kur pa me sytë e saj përmasat tragjike të gjendjes që po
mbretëronte në lagjen Jashari, të mos qëndronte larg dhe të rezistonte bashkë
me të tjerët. Për të nuk kishte zgjedhje tjetër përveç asaj të nderit dhe të
besës familjare: të ndante fatin me ta deri në fund. Ajo zgjodhi të qëndronte
pranë njerëzve të saj në ato çaste të errëta dhe të mbushura me tmerr, kur
bombardimet dhe granatimet e pandërprera godisnin pa mëshirë çdo shtëpi dhe çdo
jetë.
Për
dy ditë me radhë, Elfija qëndroi e pathyeshme në mesin e familjes së saj, duke
ndarë me ta ankthin, frikën dhe dhimbjen e çdo granate që binte pranë. Ajo nuk
zgjodhi sigurinë e ikjes apo të fshehjes, por e jetoi të gjithë dramën e
rrethimit si një pjesë e pandashme e saj, duke u bërë mishërim i atij qëndrimi
stoik dhe të pathyeshëm që e karakterizoi tërë familjen Jashari.
Në
fund, edhe ajo ra për të mos vdekur kurrë, së bashku me babanë, nënën, motrën
dhe dy vëllezërit, nën zjarrin shkatërrimtar të forcave serbe që për tri ditë
rresht bombarduan me mizori të gjitha shtëpitë e lagjes së rezistencës në
Prekaz. Sidomos të shënjestruara ishin shtëpitë e familjes së legjendarit Adem
Jashari dhe të familjeve të tjera që ishin bërë simbol i kundërshtimit të hapur
dhe të vendosur kundër pushtuesit.
Rënia
e Elfijes nuk ishte vetëm një humbje familjare, por një sakrificë e madhe
kolektive që e bën atë pjesë të përjetshme të kujtesës sonë kombëtare. Ajo e
dëshmoi me jetën e saj se ndershmëria, besa dhe dashuria për familjen dhe
atdheun janë vlera që nuk thyhen as nën terrorin më të egër, duke e bërë
figurën e saj një simbol të qëndresës dhe të flijimit pa kushte për lirinë.
E
tillë është jeta në ligjësitë e saj të pashkruara dhe të pamëshirshme: shpesh
ajo kërkon flijime të mëdha dhe të dhimbshme për të realizuar idealet më të
larta. Elfija, së bashku me familjarët e saj të dashur, ra në altarin e shenjtë
të lirisë, duke dhënë më të shtrenjtën që kishte – jetën – për të mundësuar
lirinë e merituar të Kosovës.
Ata
nuk zgjodhën një jetë të sigurt apo të qetë, por u bënë pjesë e pandashme e një
sakrifice të përbashkët, të një qëndrimi të vendosur që i tregoi botës se liria
nuk dhurohet, por fitohet me gjak dhe me përkushtim të palëkundur. Me rënien e
tyre, ata i dhanë kuptim dhe peshë lirisë që ne e gëzojmë sot, duke e bërë atë
jo një dhuratë të rastësishme, por një amanet të shenjtë që duhet ruajtur me
dinjitet dhe përgjegjësi.
Në
këtë mënyrë, jeta dhe vdekja e Elfijes dhe e familjes së saj nuk u shuan
thjesht si një histori tragjike personale, por u shndërrua në një dëshmi të
pavdekshme të dashurisë për atdheun, në një kapitull të ndritur të historisë
sonë kolektive që do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje brez pas brezi.
Për
kontributin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e dëshmuar në çastet më vendimtare
të luftës për çlirim, Familja e Sadik Jasharit, së bashku me familje të tjera
të nderuara të kësaj treve heroike, është vlerësuar dhe nderuar me mirënjohje
të larta nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto
mirënjohje zyrtare janë dhënë gjithashtu nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë
së Përkohshme të Kosovës, nga Komanda e Zonës Operative të Drenicës – e njohur
si zemra e qëndresës së armatosur – si dhe nga shoqatat e luftës të dala nga
UÇK-ja.
Kjo
sakrificë masive dhe kjo vendosmëri e pathyeshme janë dëshmi e një fryme të
rrallë atdhetarie dhe humanizmi, që i dha kuptim dhe forcë Epopesë së Prekazit
dhe që mbetet themel i pashlyeshëm i kujtesës sonë kombëtare. Ata ishin
dëshmorë të vetëdijshëm të një ideali, që zgjodhën me dinjitet rrugën e
flijimit për lirinë e brezave që do të vinin.
Epopeja
e Prekazit mbetet kështu jo vetëm një ngjarje tragjike, por një monument i
gjallë i qëndresës dhe i sakrificës së skajshme për lirinë, që ka hyrë në
ndërgjegjen kombëtare si shembulli më i pastër i vendosmërisë për të mos u
nënshtruar përballë asnjë pushtuesi.
Në
shenjë nderimi të veçantë për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në
kujtim të përjetshëm të Komandantit Legjendar Adem Jashari, të Familjes heroike
Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që dhanë jetën për lirinë dhe
pavarësinë e atdheut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr vendim që për çdo
5, 6 dhe 7 mars të organizojë një manifestim madhështor të përvjetshëm dhe
gjithëpopullor.
Ky
aktivitet nuk është vetëm një ngjarje ceremonial apo kalendarike, por një akt i
rëndësishëm i kujtesës kombëtare, që synon të përjetësojë në ndërgjegjen e
brezave sakrificën sublime të atyre që nuk kursyen as jetën për të garantuar
një të ardhme të lirë dhe të pavarur për Kosovën.
Manifestimi
shërben si një mundësi e çmuar për të bashkuar qytetarët në respekt dhe
mirënjohje ndaj atyre që ngritën flamurin e rezistencës dhe qëndresës në kohë
të errëta, duke dëshmuar me gjakun e tyre se liria nuk është e dhënë, por e
fituar me mund dhe sakrificë. Në këto data, vendi ndalet për të reflektuar mbi
rrugën e mundimshme drejt shtetësisë, për të kujtuar me pietet ata që nuk u
kthyen më kurrë në shtëpitë e tyre dhe për të ripërtërirë angazhimin për të
ndërtuar një shtet të denjë për sakrificën e tyre. Përmes këtij manifestimi,
ruhet dhe forcohet memoria kolektive, duke e bërë të qartë se heroizmi dhe
vetëmohimi i Adem Jasharit, i Familjes Jashari dhe i gjithë dëshmorëve të
kombit janë themeli mbi të cilin qëndron Republika e Kosovës.
Këto
nderime nuk janë thjesht simbolike, ato përfaqësojnë një njohje të thellë
institucionale dhe shoqërore për sakrificën e madhe dhe rolin vendimtar që kjo
familje dhe bijtë e bijat e saj patën në rrugën e vështirë drejt lirisë. Ato
dëshmojnë për respektin dhe mirënjohjen kolektive që Kosova e lirë dhe shteti i
saj i kanë përjetësisht këtij kontributi të çmuar.
Emrat
e dëshmorëve të kësaj familjeje janë gdhendur përjetësisht në gurët e varrezave
të tyre, të vendosura me nderim të madh në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
në Prekaz. Ky kompleks nuk është vetëm një vend pushimi i përjetshëm për
heronjtë, por një monument i gjallë i kujtesës dhe i identitetit kombëtar. Ai
ruan dhe përcjell brezave pasardhës amanetin e tyre për liri, dinjitet dhe
besnikëri ndaj atdheut, duke e bërë sakrificën e tyre një udhërrëfyes moral për
të gjithë.
Literatura:
1. https://gazetadielli.com/ne-prekaz-ne-5-6-e-7-mars-1998-epopeja-e-ushtrise-clirimtare-te-kosoves-liri-e-perjetshme/
2. https://www.drini.us/epopeja-e-uck-se-axhende-shteterore-veprimtarishe-treditore-ne-24-vjetorin-e-heroizmit-ne-prekaz/
3. https://albanianpost.com/23-vite-nga-epopeja-e-uck-se/
4. https://abcnews.al/epopeja-e-uck-se-26-vjet-nga-renia-heroike-e-familjes-jashari/
5. https://www.radiokosovaelire.com/elfije-sadik-jashari-28-2-1963-7-3-1998/
6. https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB
7. https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/
8. https://www.facebook.com/TROPOJA.TEK.JU/posts/epopeja-e-prekazit-567-mars-lavdi-t%C3%AB-p%C3%ABrjetshme-familjes-jashari-per-sakrificen-/634434606001010/
9. https://president-ksgov.net/fjalimi-i-presidentes-osmani-ne-ceremonine-e-manifestimit-epopeja-e-uck-se-dhe-dites-se-kazermes-adem-jashari-ne-prishtine/