Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (4)
E merkure, 02.07.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (4)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Gratë në
demonstratat e vitit 1968
Edhe në vitin
1968, në një nga momentet më të rëndësishme të zgjimit politik në Kosovën e
pasluftës, gruaja shqiptare, sidomos ajo e re – nxënësja dhe studentja – nuk
mungoi në skenën e rezistencës. Përkundrazi, ajo u shfaq jo vetëm si
pjesëmarrëse, por si udhëheqëse aktive e protestës, duke sfiduar sistemin me
vendosmëri dhe guxim. Në bankat e shkollës dhe në rrugët e demonstratave, ajo
nuk ishte thjesht një figurë dytësore, por një aktere e vetëdijshme e proceseve
shoqërore e politike që po ndodhnin në Kosovë. Kjo prani ishte një dëshmi e
fortë e emancipimit të gruas shqiptare dhe e ndërgjegjësimit të saj kombëtar në
rritje, e cila nuk pranonte më të mbetej në hije.
Demonstratat e
vitit 1968, të udhëhequra kryesisht nga studentët dhe nxënësit shqiptarë, ishin
shprehje e një zemërimi të akumuluar ndaj padrejtësive politike, kulturore dhe
kombëtare që iu bëheshin shqiptarëve në Kosovë. Në këto protesta, krahas shumë
të rinjve të plagosur apo të ndaluar, u përfshinë në mënyrë të drejtpërdrejtë
edhe shumë vajza – të cilat jo vetëm që sfiduan dhunën e pushtetit me trupin
dhe zërin e tyre, por edhe bartën me vete një ideal të qartë politik. Ato nuk
ishin aty vetëm si qytetare të indinjuara, por si anëtare të organizatave
ilegale shqiptare, në radhë të parë të “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e
Tokave Shqiptare” – një strukturë e formuar në mënyrë të fshehtë për të
artikuluar një projekt politik të qartë: çlirimin e Kosovës dhe të gjitha
trojeve shqiptare, deri në realizimin e së drejtës së vetëvendosjes.
Kjo organizatë, e
cila vepronte në kushte të ashpra ilegaliteti dhe përndjekjeje, kishte në
gjirin e saj një numër të konsiderueshëm vajzash të reja që nuk u përkulën
përballë rreziqeve që u kanoseshin. Midis tyre, duhet përmendur me respekt
emrat e Adile Muçollit, Emine Rakovicës, Eshrefe Halimit, Elhame Shalës, Nefise
Qerimit, Shazije Gërgurit, Mejreme Berishës e të tjera – vajza që, me guximin e
tyre, dëshmuan se qëndresa nuk është e ndarë sipas gjinisë, dhe se ideali i
lirisë nuk ka kufij moshe apo gjinie.
Angazhimi i tyre
nuk përfaqëson vetëm një moment të rrallë në historinë e lëvizjeve politike
shqiptare, por edhe një dëshmi të fuqishme për rolin themelor të grave në
proceset e emancipimit politik dhe kombëtar. Ato u përfshinë jo si ndihmëse të
burrave, por si subjekt i barabartë i ndryshimit. Qëndrimi i tyre i pathyeshëm
përballë represionit është dëshmi e një vetëdijeje të lartë politike dhe
morale, që rrallëherë është vlerësuar në masën që e meriton.
Prandaj,
pjesëmarrja e vajzave në demonstratat e vitit 1968 dhe në organizatat ilegale
të kohës nuk duhet parë si episod i jashtëm në historinë e qëndresës shqiptare,
por si pjesë integrale e një lëvizjeje që kërkonte lirinë, barazinë dhe
drejtësinë – jo vetëm për Kosovën, por për gjithë popullin shqiptar. Dhe në
këtë rrugëtim, vajza shqiptare nuk e zgjodhi rolin e heshtjes, por atë të zërit
që sfidon dhe të hapave që udhëheqin.
Pas përfundimit të
periudhës së errët dhe represive të njohur si epoka rankoviqiane (1945–1966),
në Kosovë nisi të ndjehet një lehtësim i përmbajtur në ajrin shoqëror e
politik. Ndonëse aparati shtetëror jugosllav nuk e kishte braktisur logjikën e
kontrollit dhe të nënshtrimit, gjithsesi shoqëria shqiptare në Kosovë rifilloi
të lëvizë më lirshëm në drejtim të artikulimit të kërkesave për barazi,
dinjitet dhe vetëvendosje. Megjithatë, etja për liri të plotë dhe për shtetësi
të barabartë nuk kishte pushuar kurrë – ajo ishte ruajtur si frymë e heshtur
ndër breza, si mall i trashëguar kolektiv.
Viti 1968 do të
shënojë një moment kyç në këtë proces të vetëdijesimit politik, kur u formua
Komisioni për Ndryshime Kushtetuese në Kosovë – një strukturë e cila kishte për
qëllim të drejtojë, koordinojë dhe artikulojë debatet dhe propozimet në
funksion të avancimit të statusit të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave.
Ky komision synonte të reflektonte aspiratat reale të shqiptarëve të Kosovës,
të cilët kërkonin jo thjesht përmirësime formale, por njohje substanciale të
barazisë politike, kulturore dhe juridike me popujt tjerë të federatës.
Ajo që e bën këtë
moment edhe më domethënës është pjesëmarrja aktive dhe e barabartë e grave
shqiptare në të gjitha tubimet politike e partiake të organizuara në qendrat
komunale. Kjo prani nuk ishte as dekorative dhe as e imponuar, por përfaqësonte
një angazhim të ndërgjegjshëm dhe të thellë të gruas shqiptare për të qenë
pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe për ta përkrahur me konsekuencë kërkesën
madhore: që Kosova të fitojë statusin e Republikës. Gratë nuk ishin thjesht
përkrahëse të kësaj ideje, por zëdhënëse të guximshme të një aspirate popullore
që tejkalonte kufijtë e institucioneve dhe që ishte e lidhur pazgjidhshmërisht
me vetë identitetin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë.
Megjithatë, siç
dëshmoi më vonë edhe historia, këto diskutime e propozime, sado të arsyeshme
dhe të fuqishme të ishin, mbetën në sirtarët e burokracisë federale, të
papërmbushura dhe të papranueshme për strukturat e pushtetit që frikësoheshin
nga çdo hap drejt një barazie reale. Kërkesa për Republikë u shty në një të
ardhme të pacaktuar, ndërsa ndjenjat e zhgënjimit, mosbesimit dhe dëshpërimit u
përhapën gjithnjë e më shumë në mesin e popullsisë shqiptare.
Në këtë klimë të
pasigurtë, ndërmjet shpresës dhe zhgënjimit, nisi të piqet bindja se e drejta
kombëtare nuk mund të fitohej vetëm përmes rrugëve institucionale të federatës.
Kështu, u hapën horizonte të reja për mendimin politik shqiptar në Kosovë –
horizonte që do të përfshinin forma të tjera të organizimit, të rezistencës dhe
të veprimit, me synimin për të realizuar atë gjakim të kahershëm për liri,
barazi dhe pavarësi. Dhe sërish, në këto faza të reja të përpjekjes kolektive,
gruaja shqiptare nuk do të mungonte – sepse ajo tashmë e kishte zënë vendin e
saj të merituar në skenën e historisë.
Pjesëmarrja e
grave në demonstratat gjithëpopullore, 1981
Demonstratat e
vitit 1981 në Kosovë përfaqësojnë një nga kulmet më të rëndësishme të
ndërgjegjes politike dhe kombëtare shqiptare në Jugosllavi, dhe në këtë lëvizje
të fuqishme, gruaja shqiptare – veçanërisht studentja dhe nëna – nuk ishte
thjesht pjesëmarrëse, por një shtyllë e fortë morale dhe politike. Ajo qëndroi
në ballë, jo vetëm fizikisht, në rrugët dhe në sheshet e Prishtinës dhe
qyteteve të tjera, por edhe shpirtërisht, si zëri i një gjenerate që nuk e
pranoi më as heshtjen, as nënshtrimin.
Ishte mu në ato
ditë të marsit dhe prillit të vitit 1981, në ato çaste të rënduara nga thirrjet
për liri dhe barazi, kur dhuna e shtetit jugosllav, e personifikuar nga policia
speciale famëkeqe, tregoi fytyrën më brutale ndaj atyre që ishin simbol i
jetës, i diturisë dhe i ardhmërisë – ndaj grave. Më 26 mars dhe më 1 prill, kur
studentët shqiptarë u ngritën për të kërkuar të drejtat themelore dhe barazi me
popujt e tjerë të federatës, forcat policore nuk kursyen askënd, madje as
vajzat e reja, të cilat bartnin në duar librat dhe në zemër idealin. U qëlluan,
u rrahën, u tërhoqën zvarrë në rrugët e universitetit e të qytetit. Ato u
masakruan jo vetëm fizikisht, por edhe simbolikisht – sepse ishin bartëset e
gjuhës shqipe, të krenarisë kombëtare dhe të një vetëdijeje që po e tejkalonte
frikën.
Një nga momentet
më të errëta dhe më të dhimbshme të atyre ditëve ishte edhe deklarata e hapur
dhe çnjerëzore e agjentëve të shtetit, drejtuar pikërisht ndaj këtyre vajzave
që protestonin: “Kjo gjeneratë juaja nuk do të lindte shqiptarë të vegjël…”
– një fjali që përmban thelbin e urrejtjes shtetërore ndaj qenies shqiptare dhe
që ekspozon thellësisht qëllimin e regjimit: jo thjesht shtypjen politike, por
shfarosjen simbolike dhe kulturore të shqiptarëve në Kosovë.
Por kjo deklaratë
nuk i trembi, përkundrazi, e forcoi më tej vendosmërinë e grave shqiptare për
të qëndruar, për të mos u dorëzuar, për të mos heshtur. Ato u bënë simbol i
qëndresës pa kompromis, duke dëshmuar se trupi mund të thyhet, por ideali jo. Prania
dhe sakrifica e tyre në ato demonstrata mbetet një akt i lartë historik e moral
– jo vetëm si dëshmi e guximit, por edhe si shprehje e thellë e përkatësisë dhe
dashurisë për atdheun.
Për këtë arsye,
gruaja shqiptare në vitin 1981 nuk është vetëm figurë e viktimës, por edhe e
heroinës që i dha lëvizjes një dimension të thellë njerëzor dhe kombëtar. Ajo u
shndërrua në ndërgjegje kolektive, në zë që nuk mund të shuhet, në kujtim që
nuk mund të fshihet dhe në shtyllë të një historie që ende kërkon drejtësi dhe
njohje të plotë.
Gjatë dekadës së
trazuar 1981–1991, burgjet jugosllave u mbushën me shqiptare – vajza dhe gra që
nuk kishin kryer krim tjetër përveçse kishin guxuar të ëndërronin për liri, të
artikulonin kërkesa për barazi, ose të mbronin identitetin e tyre kombëtar në
një shtet që i shihte ato si kërcënim. Regjimi i kohës, në përpjekje për të
shuar çdo formë organizimi apo ndërgjegjësimi të shqiptarëve në Kosovë, i
shënjoi këto gra si “kundërrevolucionare”, “nacionaliste”, “separatiste” –
etiketime që synonin t’i përjashtonin jo vetëm nga jeta publike, por edhe nga
vetë historia.
Por gratë
shqiptare nuk u thyen nga këto akuza. Në burgjet më famëkeqe të sistemit
represiv jugosllav, ku dhuna psikologjike dhe fizike synonte të shkatërronte jo
vetëm trupin por edhe shpirtin, ato qëndruan me një stoicizëm të rrallë. Ato
nuk e shihnin veten si viktima, por si pjesë të një misioni të madh dhe të
domosdoshëm: mbrojtjen e idealit të lirisë, të unitetit kombëtar dhe të së
drejtës për të qenë shqiptare në vendin e tyre.
Në rrethana të
pamëshirshme, ku shpesh mungonin kushtet elementare për jetesë, dhe ku gjithçka
ishte e ndërtuar për të thyer rezistencën njerëzore, ato mbetën besnike ndaj
kauzës së tyre. Me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe vetëdije politike, ato
kuptuan se çdo betejë për liri kërkon përpjekje kolektive, solidaritet dhe
guxim. Pa këtë bashkëveprim të ndërgjegjshëm, nuk mund të ketë sukses në asnjë
fushë të jetës – e aq më pak në çështjen madhore të çlirimit kombëtar.
Burgjet u bënë
shkollë e qëndresës për to, vendi ku lindën miqësi të pathyeshme, ku u ruajtën
idealet dhe u kultivua ndjenja e sakrificës si akt i domosdoshëm për një të
ardhme më të drejtë. Ato mbajtën gjallë jo vetëm vullnetin për jetë, por edhe
frymën e një lëvizjeje që nuk do të ndalej, pavarësisht represionit. Gratë e
burgosura nuk ishin vetëm të përndjekura – ato ishin bashkëndërtuese të
projektit për liri dhe pavarësi, gardiane të ndërgjegjes kombëtare në një kohë
të errët.
Prandaj, historia
e atyre viteve nuk mund të shkruhet pa emrat, pa vuajtjet dhe pa guximin e
grave shqiptare. Ato ishin zëri i lirisë nëpër qelitë e errëta, vetë fryma që i
dha forcë një populli për të mos u dorëzuar. Dhe sot, kujtimi i tyre mbetet
dritë udhërrëfyese për brezat që duan ta ndërtojnë lirinë jo vetëm si status
juridik, por si mënyrë e të menduarit dhe të jetuarit me dinjitet.
Vitet pas
demonstratave historike të vitit 1981 nuk përfaqësojnë vetëm një epokë
përballjeje dhe dhune, por gjithashtu shënojnë një periudhë të rëndësishme të
angazhimit të gruas shqiptare në sferën politike dhe kombëtare. Ato nuk ishin
vetëm kohë qëndrese me armë, por edhe kohë e veprimit të pashoq në fushën e
vetëdijes politike, të organizimit dhe të mbrojtjes së çështjes kombëtare në
forma të reja e më të thelluara. Në këto rrethana, gruaja shqiptare nuk qëndroi
në hije – ajo kërkoi dhe e gjeti hapësirën për të ngritur zërin, për të ndikuar
dhe për ta çuar përpara idealin për të cilin mijëra kishin sakrifikuar.
Në këtë kohë të
tensionuar, por edhe të mbushur me energji transformuese, ajo u orvat me të
gjitha mënyrat për ta ngritur çështjen shqiptare në vendin që i takonte – jo si
një kërkesë periferike, por si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme.
Ajo luftoi që kjo çështje të mos mbetej në duart e burokratëve, as të zbehej në
heshtje diplomatike, por të merrte zërin e gjallë të popullit dhe të ngrihej në
fronin që meritonte në ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky afirmim, megjithatë, nuk ishte i lehtë dhe nuk erdhi pa kosto. Gjithë ky përkushtim dhe aktivizëm politik mbartnin me vete një peshë të rëndë – një tagër të dhimbshëm që gruaja shqiptare e pagoi me dinjitet, në çdo kohë dhe në çdo fazë të historisë sonë të trazuar. Nga periudhat e burgimeve dhe përndjekjeve, e deri te sakrificat më të mëdha në fushat e betejës, ajo mbeti e palëkundur, duke e kthyer përkushtimin për atdheun në pjesë të qenies së saj më të thellë.
Motrat e Shotë
Galicës, bijat shpirtërore të saj, e bartën amanetin e luftës për liri dhe e çuan
përpara pa u lëkundur. Ato nuk jetuan në hijen e legjendës, por e ringjallën
atë në forma të reja – në përpjekje konkrete, në sakrifica të jetës, në veprime
që tejkaluan çdo frikë. Disa prej tyre dhanë jetën për atdheun e pushtuar, duke
e shndërruar figurën e gruas shqiptare në një emblemë të lirisë: Ylfete
Humolli, Nurije Zeka, Shukrije Obërtinca – këto nuk janë thjesht emra, por
simbole të qëndresës dhe të guximit, të një gjenerate që nuk e ndali hapin as
përballë vdekjes.
Kështu, historia e
pasvitit 1981 na e paraqet gruan shqiptare jo vetëm si trashëgimtare të një
amaneti historik, por si ndërtuese të re të tij. Ajo nuk qëndroi në krah të
burrit si pasuese, por përballë sfidave si partnere e barabartë në luftë dhe në
vizion. Ajo e pagoi çmimin për këtë barazi me përndjekje, me dhunë, me burg, e
jo rrallë me jetë. Por njëkohësisht, ajo fitoi vendin e saj të pandashëm në
ndërgjegjen historike të kombit. Dhe kjo është trashëgimia më e çmuar që ajo na
ka lënë: që liria nuk arrihet pa përfshirje të gjithanshme, dhe se në çdo etapë
të betejës, gruaja shqiptare ishte, është dhe do të mbetet në radhën e parë të
përpjekjes.
Në historinë e
dhimbjes dhe krenarisë së Kosovës, një nga pamjet më të fuqishme dhe më të
paharrueshme është qëndresa e nënave dhe motrave tona, që, edhe përballë
varreve të të dashurve – burrave, vëllezërve, bijve e bijave – që ia falën
jetën Kosovës Mëmë, mbetën të palëkundura, të përkulura vetëm nga dhimbja, por
kurrë nga frika. Ato nuk u ligështuan, por qëndruan krenare, me zemër të
copëtuar por me shpirt të pathyeshëm, duke u bërë shtylla të një populli që nuk
pranoi të gjunjëzohej.
Që nga vitet pas
1981-shit, kur shpërthyen demonstratat për liri e barazi, e deri në fillim të
viteve '90, mbi gjysmën e popullatës shqiptare në Kosovë kaloi nëpër duart e
policisë – të përndjekur, të ndaluar, të pyetur, të përndjekur. Në këtë
përballje të madhe kolektive, gruaja shqiptare nuk u përjashtua; përkundrazi,
ajo ishte mes më të goditurave. Ajo nuk u kursye nga dora e rëndë e represionit
– as për shkak të gjinisë, as për shkak të moshës, e as për shkak të rolit të
saj tradicional në familje.
Ndjekjet dhe dhuna
sistematike ndaj gruas shqiptare u përshkallëzuan me kalimin e kohës, duke
arritur një intensitet të frikshëm, sidomos në pesëvjeçarin e fundit para
luftës. Në atë periudhë, tabloja që krijohej nga trajtimi i grave shqiptare
ishte e tmerrshme: përmasat e persekutimit u zgjeruan dhe format e dhunës u
bënë më brutale, më të hapura dhe më çnjerëzore. Ato u vranë, u plagosën, u
arrestuan pa të drejtë, u torturuan fizikisht e psikologjikisht, u thirrën në
biseda informative, u përjashtuan nga vendet e punës, u ndoqën nga
institucionet, e shumë prej tyre u detyruan të braktisnin jetën publike.
Megjithatë,
përkundër gjithë kësaj dhune të heshtur dhe të ashpër, gruaja shqiptare nuk u
mposht. Ajo rezistoi me dinjitet, me të njëjtin forcë që mbante mbi supe barrën
e familjes, barrën e dhimbjes dhe barrën e kombit. Në heshtje, në varfëri, në
vuajtje, ajo e mbante të gjallë frymën e lirisë, duke e kultivuar atë në
fëmijët e saj, në shoqëri, në rezistencën e përditshme që nuk kërkonte armë,
por kërkonte guxim.
Ajo që përndiqej
si një “rrezik potencial” nga pushteti, në fakt ishte pikërisht zanafilla e një
epoke të re: gruaja që, edhe në kushte represive, nuk ndaloi së frymëzuari, së
edukuar, së vepruari – duke u bërë gurthemel i qëndresës kombëtare dhe zë i
pandalshëm i ndërgjegjes shqiptare. Dhe për këtë, historia jonë do ta kujtojë
jo vetëm si viktimë, por si heroinë të heshtur të një epoke që kërkonte shpirt
të fortë dhe zemër të madhe.
Gruaja shqiptare,
megjithëse shpesh perceptohet si qenie më e ndjeshme, më e brishtë dhe më e
pambrojtur, në përballjen me dhunën shtetërore nuk u trajtua as me mëshirë e as
me përjashtim. Në mënyrë të barabartë me burrin, ajo u bë objekt i represionit
brutal, u keqtrajtua, u rrah në mënyrë çnjerëzore dhe u përball me armët dhe
shkopinjtë prej gome, me shkelma e fyerje poshtëruese që nuk synonin vetëm
trupin, por edhe identitetin e saj si nënë dhe bartëse e jetës. Në mënyrën më
barbare, dhuna e ushtruar ndaj saj shprehte një shovinizëm të thellë, që
kërkonte ta zhdukte jo vetëm fizikisht, por edhe të ndalte rolin e saj në
vazhdimësinë kombëtare — në mënyrë eksplicite, i thuhej: “Më nuk do të lindësh
shqiptarë të vegjël.”
Në fund të këtij
shekulli plot dhimbje dhe përmbysje, gruaja shqiptare nuk gjeti strehë as në
shtëpinë e vet. U vra dhe u plagos në mjedisin që duhej të ishte i shenjtë për
të – para pragut të shtëpisë, në oborrin e vet, në vendin ku rriten fëmijët dhe
ndërtohet jeta. Dhe pse kërkonte vetëm liri, barazi dhe dinjitet, ajo u
ndëshkua me ashpërsi, si një kërcënim për rendin e padrejtësisë. Ajo u godit në
rrugë dhe në demonstrata, aty ku ngrihej zëri i saj si qytetare, si nënë, si
luftëtare e drejtësisë dhe e të drejtës.
Pjesëmarrja e saj
në protestat qytetare nuk ishte një akt spontan, por shprehje e vetëdijes
politike dhe e nevojës për të qenë aktive në fatin e kombit të saj. Ajo nuk
ishte më thjesht përkrahëse e heshtur, por pjesëmarrëse aktive në lëvizje
shoqërore dhe kombëtare, në kërkim të së drejtës për të jetuar dinjitetshëm në
tokën e vet. Për këtë, ajo e pagoi çmimin më të lartë – me gjak, me plagë dhe
me jetë. Por plagët e saj nuk ishin shenja të dobësisë; ato ishin dëshmi të
qëndresës dhe të krenarisë që nuk shuhej dot as me armë, as me dhunë, as me
frikë.
Kështu, figura e
gruas shqiptare e shekullit XX shfaqet jo vetëm si viktimë e dhunës, por si
simbol i qëndresës dhe i sakrificës, si forca morale e një populli që në çdo
grua, në çdo nënë, gjeti një shtyllë të paepur të rezistencës për liri dhe për
të drejtë.
Një ndër format më
të përdorura dhe të preferuara të pushtetit serb për ushtrimin e presionit ndaj
popullsisë shqiptare, sidomos ndaj grave, ishin të ashtuquajturat "biseda
informative". Këto nuk ishin thjesht intervista administrative apo procedura
zyrtare, por përkundrazi, ato funksiononin si një mekanizëm i
institucionalizuar i terrorit psikologjik dhe dhunës fizike. Në emër të
informimit dhe sqarimit, në realitet këto "biseda" shndërroheshin në
seanca të gjata keqtrajtimi, ku gratë përballeshin me ofendime, kërcënime,
presion të vazhdueshëm dhe në shumë raste me tortura të mirëfillta.
(vijon)