Speciale » Basha
Sabile Basha: Një thirrje e hapur për deputetët e Parlamentit të Kosovës
E hene, 26.05.2025, 07:00 PM
Një thirrje e hapur për deputetët e Parlamentit të Kosovës
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
(ish-deputete në legjislaturën e parë)
Në
diskursin politik dhe historik, shpesh ndodh që figurat e mëdha – heronjtë dhe
intelektualët – të instrumentalizohen nga forca të ndryshme politike.
Megjithatë, një parim i qenësishëm i mendimit qytetar dhe etikës publike është
se këta individë, me veprën dhe sakrificën e tyre, nuk i përkasin asnjë partie
apo grupimi të caktuar politik. Ata i përkasin popullit. Është vetë historia
ajo që dëshmon se kontributi i tyre nuk ka qenë kurrë i kushtëzuar nga ngjyrat
politike, por nga ideali i përbashkët për liri, drejtësi dhe përparim shoqëror.
Duke
u nisur nga ky postulat thelbësor – që heronjtë dhe intelektualët janë pasuri
kombëtare dhe jo partiake – synoj që edhe në këtë reflektim të qëndroj besnike
ndaj tij. Ky shkrim nuk ka për qëllim të ngrejë gishtin ndaj askujt, të fyejë,
të akuzojë apo të kërcënojë. Kjo nuk është as natyra ime personale, as qëllimi
i angazhimit tim publik.
Ajo
që më shtyn të shkruaj është një ndjenjë e thellë shqetësimi qytetar: vonesa në
konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një shoqëri që aspiron demokracinë
funksionale dhe stabilitet institucional, zvarritja e proceseve kushtetuese nuk
mund të shihet si një çështje dytësore apo teknike. Ajo prek vetë themelin e
besimit qytetar dhe ndikon në cilësinë e jetës publike.
Si
qytetare dhe si intelektuale e përkushtuar ndaj të vërtetës dhe përgjegjësisë
kolektive, ndihem e thirrur të jap zërin tim në këtë çast të rëndësishëm. Ky
nuk është një apel ndaj partive, por një thirrje për vetëdije kombëtare.
Proceset demokratike nuk mund të mbahen peng i kalkulimeve politike. Populli
meriton institucione funksionale, përfaqësim dinjitoz dhe vendimmarrje në kohë.
Në këtë drejtim, heshtja nuk është më neutralitet, por pasivitet që dëmton të
ardhmen.
Prandaj,
shkrimi im është një dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të përgjithshëm. Ai
nuk ka për qëllim të ndëshkojë, por të nxisë reflektim; jo të krijojë ndasi,
por të kërkojë përgjegjësi. Duke u nisur nga parimi se përfaqësimi politik
është detyrë dhe jo privilegj, është e domosdoshme që secili akter
institucional të reflektojë për barrën që mban mbi supe – barrën e besimit
qytetar dhe të së ardhmes që po ndërtojmë së bashku.
Kosova,
në vetë qenien e saj, nuk është thjesht një emër gjeografik apo një njësi
politike në hartën e botës. Ajo është shprehje e gjallë e historisë, sakrificës
dhe identitetit të një populli që ka ditur të qëndrojë me dinjitet përballë
sfidave më të ashpra. Institucionet e saj, të ngritura me mund dhe gjak, nuk
janë struktura të ftohta burokratike, por mishërim i vullnetit dhe përkushtimit
të popullit të saj trim dhe të pathyeshëm.
Pikërisht
për këtë arsye, mbrojtja e Kosovës dhe e institucioneve të saj duhet të jetë
një obligim i përbashkët, një mision i përjetshëm i çdo qytetari të ndershëm.
Ajo nuk i përket një grupi të caktuar, një partie politike apo një elite
momentale – ajo i përket të gjithëve: atyre që kanë dhënë jetën për të, atyre
që jetojnë dhe punojnë për të, dhe brezave që do të vijnë.
Ruajtja
e kësaj toke të shenjtë dhe të shtrenjtë nuk nënkupton vetëm mbrojtjen fizike
të kufijve të saj, por mbi të gjitha, nënkupton mbrojtjen e vlerave mbi të
cilat ajo është ndërtuar: liria, barazia, drejtësia dhe solidariteti. Të jesh
qytetar i Kosovës do të thotë të ndjesh përgjegjësi për fatin e saj, të
angazhohesh për mirëqenien e saj dhe të reagosh kur ajo kërcënohet – qoftë nga
jashtë, qoftë nga brenda.
Në
këtë kuptim, thirrja për ta ruajtur dhe mbrojtur Kosovën deri në fund nuk është
një deklaratë patetike, por një angazhim qytetar dhe moral. Është një thirrje
për vigjilencë, për reflektim dhe për veprim të përgjegjshëm. Sepse vetëm duke
e mbrojtur Kosovën me mendje të kthjellët dhe zemër të përkushtuar, mund të
ndërtojmë një të ardhme të denjë për emrin dhe historinë e saj.
Në
çdo demokraci funksionale, barra e përfaqësimit publik nuk është thjesht një
rol formal, por një përgjegjësi madhore ndaj qytetarëve dhe së ardhmes së
përbashkët. Sot, më shumë se kurrë, kjo përgjegjësi bie mbi supe të gjithë neve
si pjesë e shoqërisë, por në mënyrë të veçantë mbi ju – deputetët, si zëri i
drejtpërdrejtë i popullit në institucionin më të lartë përfaqësues.
Nuk
ka rëndësi se cilës parti politike i përkisni, sepse mandati që mbani nuk është
thjesht reflektim i ngjyrave partiake, por një kontratë morale dhe kushtetuese
me qytetarët që kanë besuar se do të përfaqësoni interesin e tyre më të mirë.
Në këtë kuptim, përkatësia partiake duhet të zërë vend dytësor përballë nevojës
për të gjetur zgjidhje të arsyeshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për
krizën që po rëndon sistemin tonë politik.
Nuk
është e udhës më të zvarriten proceset vendimmarrëse, të relativizohen
përgjegjësitë apo të justifikohet pasiviteti me retorikë të stërpërdorur. Është
momenti kur duhen kapërcyer ndarjet artificiale dhe të vihet përpara interesi
kombëtar dhe dinjiteti institucional. Sepse, me plot të drejtë, qytetari i
zakonshëm pyet: “A nuk mjaftoi më?” Dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje është një
thirrje që s’mund të anashkalohet: po, boll më!
Ky
“boll më” nuk është një shprehje e zemërimit të çastit, por një akumulim i
zhgënjimit, i pritjeve të parealizuara dhe i mungesës së stabilitetit. Ai
përfaqëson pragun kritik të durimit qytetar dhe sinjalin se koha e
justifikimeve ka përfunduar. Tani është koha e veprimeve konkrete, e vendimeve
të guximshme dhe e kapërcimit të egoizmave partiakë.
Deputetët,
në thelb, nuk janë thjesht ligjvënës – janë ndërtues të shpresës kolektive.
Prandaj, është detyrë e tyre të dëshmojnë maturi politike dhe përkushtim
institucional në momente kyçe për vendin. Sepse historia nuk do të gjykojë mbi
bazën e flamujve partiakë, por mbi bazën e kontributeve të vërteta ndaj së
mirës së përbashkët.
Kanë
kaluar katër muaj të gjatë që ne, qytetarët e këtij vendi – ata që përfaqësojmë
zërin dhe shpresën e demokracisë – presim me një durim që po i afrohet kufijve
të tij. Siç thotë fjala popullore, “me vesh në krah”, qëndrojmë në një pritje
të zgjatur, të mundimshme dhe shpesh të zhgënjyer, për një lajm të mirë që do
të sinjalizonte fundin e bllokadës institucionale: zgjedhjen e organeve
legjislative dhe nisjen e punës për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.
Kjo
pritje nuk është e zakonshme. Ajo është shprehje e besimit të dhënë përmes
votës, e shpresës se përfaqësuesit tanë do ta vënë përgjegjësinë mbi interesin,
dhe maturinë politike mbi kalkulimet afatshkurtra. Katër muaj pa Kuvend
funksional nuk janë thjesht një statistikë kalendarike, por një boshllëk
funksional në vetë zemrën e sistemit demokratik. Në këtë boshllëk mungojnë
vendimet, mungon drejtimi, dhe mbi të gjitha, mungon sinjali që qytetari ka
nevojë ta dëgjojë: se institucionet janë të gatshme të punojnë për të, e jo
kundër pritjeve të tij.
Në
një shtet që synon zhvillim dhe integrim, funksionimi i organeve legjislative
nuk është luks, por themel. Dhe çdo ditë që kalon në pritje, është një ditë e
humbur për reforma, për përmirësimin e jetës publike, për avancimin e agjendave
shtetformuese dhe për ringjalljen e besimit në sistem.
Prandaj,
kjo pritje nuk është vetëm e qytetarëve të thjeshtë, por është një provë për të
gjithë sistemin demokratik: a është i aftë të përgjigjet me seriozitet ndaj
mandatit që i është dhënë? Ne kemi votuar me bindjen se zëri ynë do të
përkthehet në veprim. Tani është radha e përfaqësuesve tanë që të dëshmojnë se
janë të denjë për atë votë, duke e thyer heshtjen institucionale dhe duke i
hapur rrugë punëve të mira që vendi ynë aq shumë i ka nevojë.
Nuk
është qëllimi im të hyj në analizë se kush ka të drejtë dhe kush jo në këtë
situatë të tensionuar politike. As të bëj gjyqin e radhës për akterët
institucionalë apo t’i jap përparësi njërës palë ndaj tjetrës. Jo se kjo nuk ka
rëndësi në rendin juridik apo etik, por sepse në këtë moment, për qytetarin e
zakonshëm – për atë fshatar në Gollak, në Karadak, apo në cilëndo anë të vendit
– këto debate janë të largëta, abstrakte dhe shpesh të pakuptimta.
Ajo
që e shqetëson qytetarin nuk është retorika politike, por mungesa e rezultateve
konkrete. Ai nuk kërkon të dijë se kush ka interpretuar më mirë rregulloren
parlamentare apo ka ndjekur me përpikëri procedurat; ai kërkon që vendi të ketë
një Kuvend funksional, një Kryeministër që drejton qeverinë, ministra që merren
me problemet reale të përditshmërisë së tij – me shkollimin e fëmijëve, me
sigurimin shëndetësor, me zhvillimin ekonomik, me rrugën që e lidh me qytetin,
me subvencionin që i është premtuar dhe nuk është realizuar.
Për
të, shteti nuk është një nocion abstrakt apo një shfaqje për ekranet
televizive. Shteti është konkret: është prania ose mungesa e tij në jetën e
përditshme. Kur institucionet nuk funksionojnë, ai e ndien këtë drejtpërdrejt –
në vonesat, në mungesën e shërbimeve, në papunësinë e të rinjve, në mungesën e
perspektivës. Prandaj, çdo vonesë në formimin e institucioneve përkthehet për
të si një tjetër ditë e humbur në përpjekjen për një jetë më të mirë.
Në
këtë kuptim, debatet politike e humbin peshën përballë domosdoshmërisë së
veprimit. Populli nuk pret më analiza – ai pret përgjegjësi. Dhe është
pikërisht kjo pritje që duhet të jetë udhërrëfyes për çdo përfaqësues politik:
jo kush ka të drejtë në teori, por kush do të veprojë në praktikë për të mirën
e vendit dhe të qytetarëve të tij.
Pozita
që mbani nuk është privilegj, por përgjegjësi e lartë dhe e pakthyeshme ndaj
qytetarëve dhe shtetit që përfaqësoni. Ju jeni aty, në zemër të institucionit
ligjvënës, jo për të zgjatur krizën, as për të mbrojtur interesat e ngushta
partiake, por për të ofruar zgjidhje. Roli juaj është të gjeni rrugën për të
ecur përpara, për të dalë nga ngërçi institucional dhe për të kthyer besimin e
qytetarëve në funksionalitet konkret.
Sepse
koha nuk është thjesht një kalim i orëve në një kalendar – ajo është faktori më
i rëndësishëm që përcakton fatet individuale dhe kolektive. Në duart e
mençurisë dhe vendimmarrjes së drejtë, koha bëhet aleate e progresit,
përparimit dhe stabilitetit. Por në mungesë të vullnetit dhe guximit për të
vepruar, ajo kthehet në një armik të heshtur, që gërryen themelet e shtetit dhe
shpresën e qytetarit.
Pikërisht
për këtë arsye, nevojitet urgjencë në veprim, vizion në vendimmarrje dhe
përgjegjësi në angazhim. Nuk ka më vend për vonesa, sepse çdo ditë që kalon pa
institucione funksionale është një ditë e humbur për reformë, për mirëqenie,
për drejtësi. Qytetarët nuk presin më fjalë të bukura, por zgjidhje konkrete.
Ju
jeni aty për të bartur peshën e kësaj përgjegjësie dhe për ta kthyer atë në
mundësi – jo vetëm për të zgjidhur problemet e momentit, por për të ndërtuar
një të ardhme që nuk do të jetojë peng i së shkuarës. Dhe për këtë, koha është
gjithmonë një provë: ajo shpërblen veprimin dhe dënon neglizhencën. Zgjedhja
është në duart tuaja.
Përballë
një momenti të ndjeshëm për fatin institucional të vendit, nuk është as
moralisht e drejtë, e as qytetarisht e pranueshme që një përfaqësues i zgjedhur
të qëndrojë në margjinë, i mbyllur në heshtjen e vet, dhe të largohet nga
përgjegjësia me një qetësi të ftohtë, thuajse ajo që po ndodh nuk ka asnjë
lidhje me të. Indiferenca në momente vendimtare nuk është neutralitet – ajo
është mospërfillje, dhe si e tillë bëhet bashkëfajtore e stagnimit politik dhe
krizës së përfaqësimit.
Pjesëmarrja
në jetën institucionale nuk është vetëm çështje protokolli apo pranie fizike në
sallat e Kuvendit. Ajo nënkupton përkushtim të thellë ndaj misionit të
përfaqësimit, gatishmëri për të kontribuar, dhe mbi të gjitha, ndjenjë
përgjegjësie për t’i dhënë drejtim proceseve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën
e qytetarëve. Çdo akt neglizhence apo shmangie nga përballja me realitetin
përbën një cenim të etikës publike dhe një zhgënjim për qytetarin që ka votuar
me besimin se zëri i tij do të dëgjohet.
Të
largohesh nga një situatë e tillë me duart në xhepa dhe me heshtjen si mburojë,
nuk është as akt dinjitoz e as qëndrim i drejtë politik. Përkundrazi, është një
dëshmi e asaj që i mungon më së shumti jetës publike sot, ndjeshmëria ndaj
përgjegjësisë. Të thuash "kjo nuk ka të bëjë me mua", në një kohë kur
vendi kërkon zgjidhje dhe drejtim, është ta mohosh vetë qenien si përfaqësues.
Në
fund të fundit, politika nuk është strehë për të shmangur barrën e sfidave, por
është arenë ku provohet përkushtimi ndaj interesit të përbashkët. Dhe është
pikërisht në kohë të vështira që bëhet dallimi mes atyre që janë thjesht të
pranishëm dhe atyre që janë realisht të përkushtuar. Heshtja dhe indiferenca,
në këtë kontekst, nuk janë opsione – janë dështime.
Në
këtë udhëkryq institucional ku ndodhemi, qytetarët janë shndërruar në
spektatorë të pafuqishëm, të ngulitur para ekraneve të televizorëve apo
telefonave, në pritje të një lëvizjeje shprese, të një gjesti të matur e të
përgjegjshëm që do të vinte nga ju, përfaqësuesit tanë të zgjedhur. Jo një
herë, por njëzet e një herë kemi pritur me shpresë, gati në lutje, që nga salla
e Kuvendit të burojnë lajme të mira, sinjale për unitet, vendime që na afrojnë
me normalitetin institucional dhe jo me krizën e pafundme.
Por
ajo që vjen, vazhdimisht e mërzitshme dhe zhgënjyese, është një pamje tjetër,
përfaqësues që dalin para kamerave jo për të folur me përgjegjësi, por për të
fyer njëri-tjetrin, për të akuzuar, për të përdorur fjalor që nuk i shkon për
shtat asnjë qytetari të zakonshëm, e aq më pak një deputeti të një parlamenti
demokratik. Kjo sjellje, përveçse minon besimin e publikut në institucione,
zbeh edhe dinjitetin e pozitës që mbani.
Parlamenti
nuk është një skenë për përplasje personale, por një tempull i fjalës së matur,
i debatit të argumentuar dhe i vendimmarrjes në emër të të gjithë qytetarëve.
Kur ai shndërrohet në një teatër të replikave boshe dhe të gjuhës denigruese,
ai humb qëllimin e vet dhe rrezikon të kthehet në një arenë që nuk prodhon
zgjidhje, por thellon ndarjet.
Është
koha që të kuptoni se qytetari nuk pret më retorikë. Ai kërkon veprim,
zgjidhje, vizion dhe mbi të gjitha, dinjitet në përfaqësim. Sepse mrekullitë
nuk ndodhin rastësisht. Ato ndërtohen me vullnet politik, me përgjegjësi morale
dhe me angazhim të sinqertë për të mirën e përbashkët. Dhe në këtë betejë për
shpresë, ju jeni të thirrur të jepni shembullin.
Është
e nevojshme të rikujtohet një e vërtetë themelore në çdo rend demokratik,
legjitimiteti i pushtetit buron nga qytetari. Ju nuk jeni rastësisht aty ku
jeni – jeni të vendosur me vullnetin dhe besimin e votuesve, të atyre që ju
kanë mandatuar me shpresën se do të udhëhiqni me përgjegjësi, urtësi dhe maturi
institucionale. Ne jemi ata që ju votuam – dhe për këtë arsye, ju jeni ata që
duhet të gjeni zgjidhjen për ngërçin politik që ka paralizuar institucionet dhe
ka zhgënjyer opinionin publik.
Mund
të tentohet shpërndarja e përgjegjësisë nëpër faktorë të shumtë, mund të
fajësohen kundërshtarët politikë apo rrethanat e jashtme, por në fund të çdo
rruge, barra bie mbi ju – mbi ata që janë të thirrur të marrin vendime në emër
të qytetarëve dhe të shtetit. Përgjegjësia nuk është koncept i shpërndarë në
mjegull, ajo është konkrete, e identifikueshme dhe e matshme. Dhe pikërisht për
këtë, nuk është një përgjegjësi që mbaron me përfundimin e një mandati – ajo
mbetet dhe do të gjykohet në dritën e historisë.
Sepse
historia nuk harron. Ajo ruan kujtesën kolektive të një populli dhe vlerëson me
drejtësi kontributin e atyre që, në çaste kyçe, zgjodhën të veprojnë për të
mirën e përgjithshme, po aq sa dënon harresën, ngurrimin dhe kalkulimet e
ngushta politike. Historia nuk mat me retorikë, por me ndikim real. E nëse sot
jeni përballë një ngërçi, nesër do të jeni përballë gjykimit historik- a ishit
udhëheqës të denjë për momentin që u besua në duart tuaja?
Kjo
është thirrje për ndërgjegje dhe veprim, jo për retorikë. Sepse llogaridhënia
përballë qytetarëve është detyrim kushtetues, ndërsa llogaridhënia përballë
historisë është detyrim moral që askush nuk mund ta shmangë.
Sot,
nga zemra politike dhe institucionale e Kosovës, nga ky kryeqytet që është
simbol i sakrificës dhe i aspiratave të një populli të tërë për liri dhe
drejtësi, ndjej detyrimin moral dhe qytetar të drejtoj një thirrje të hapur:
ndaluni për një çast, vini gishtin në tamth dhe reflektoni thellë mbi atë që po
ndodh në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
A
është kjo që po ndodh aty – ky ngërç, kjo përçarje, kjo bllokadë institucionale
– në përputhje me besimin që qytetarët ju kanë dhënë? A i shërben kjo situatë
demokracisë, funksionalitetit shtetëror dhe interesit të përbashkët? A është ky
përfaqësim i dinjitetshëm i një shteti që synon konsolidim të brendshëm dhe
respekt ndërkombëtar?
Është
koha për të kaluar nga konfrontimi në bashkëpunim, nga retorika në reflektim,
nga paraliza në veprim. Sepse asgjë nuk është e përjetshme. Çdo gjendje ka një pikë
kulmore, dhe më pas – një epilog. Çdo veprim, por edhe çdo mosveprim, e shkruan
fillin e fundit të një kapitulli politik. Dhe kur ky epilog të vijë, ai do të
jetë i pashmangshëm dhe i qartë: do të tregojë se kush qëndroi në anën e
përgjegjësisë dhe kush u mbështoll me heshtjen e rehatshme të indiferencës.
Mos
harroni: institucionet nuk janë thjesht vende pune, por janë pjesë e ndërtimit
të fatit të një vendi. Dhe nëse Kuvendi i Kosovës është sot i bllokuar, nuk
është vetëm demokracia që lëndohet – është vetë shpresa qytetare që goditet.
Prandaj, më shumë se kurrë, kërkohet pjekuri politike dhe vetëdije historike
për të kthyer drejtimin, për të hapur rrugën dhe për të mos e lejuar që ky
kapitull të përfundojë me zhgënjim. Sepse populli sheh, pret dhe një ditë –
gjykon.
Prishtinë, 26 maj, 2025