Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (3)
E hene, 30.06.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (3)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Hyasint Hecquard gruan
shqiptare e ngrit në piedestalin më të lartë të qëndresës
Më
tronditëse akoma janë rastet që ai përmend, të nënave që nuk i lejonin fëmijët
e tyre të strehonin veten në shtëpi nëse kishin braktisur fushën e betejës nga
frika. Madje, ato vetë i rikthenin në vijën e zjarrit, duke i turpëruar dhe
njëkohësisht i shtyrë të rikthenin dinjitetin e humbur. Apo rastet e nuseve që
ndaheshin nga burrat e tyre nëse këta të fundit e kishin lënë armën në çastin e
rrezikut. Këto nuk janë vetëm fakte të rralla të trimërisë, por dëshmi të një
kulture të tërësishme të qëndresës, ku gruaja nuk ishte përkrah luftës si
ndihmëse, por përballë saj si ndërgjegje dhe matëse e nderit.
Pikërisht
këta shembuj – të dhënë jo për të zbukuruar të kaluarën, por për të ndriçuar të
vërtetën e saj – e forcojnë bindjen se trimëria e gruas shqiptare nuk ishte
përjashtim, por pjesë e natyrshme e profilit të saj historik. Ajo nuk e kërkoi
hapësirën e vet në shoqëri me lutje, por e fitoi me aktin e vet, me guximin, me
sakrificën dhe me integritetin. Dhe është ky dimension që e vendos figurën e
gruas shqiptare në qendër të narrativës historike të lirisë, ku ajo nuk është
thjesht aktere e dytë, por protagoniste me forcë formësuese.
Gratë e Kosovës në
historinë e qëndresës shqiptare- Shotë Galica
Në
historinë e qëndresës shqiptare, gratë e Kosovës zënë një vend të veçantë dhe
të merituar, duke u radhitur krahas motrave të tyre nga të gjitha viset etnike
shqiptare që u përfshinë nga flakët e luftës për liri dhe bashkim kombëtar. Ato
nuk qëndruan pasivisht në prapavijë, as nuk u kufizuan në rolin tradicional të
përkrahjes, por dolën në vijën e parë të përballjes, shpeshherë me armë në dorë
dhe me vendosmërinë që vetëm një shpirt i trazuar nga padrejtësia dhe i mbushur
me dashuri për atdheun mund të bartë.
Gratë
kosovare kishin një arsye të thellë dhe të shumëfishtë për të luftuar me ngulm:
përpos pushtimit dhe shtypjes, ato përballeshin me një realitet të dyfishtë të
dhunës – atë të armikut të jashtëm dhe të strukturave patriarkale që,
shpeshherë në emër të fesë apo të kanunit, i përjashtonin nga pjesëmarrja
aktive në jetën publike e politike. E megjithatë, në çastet kur liria e vendit
ishte në rrezik, këto gra kapërcyen çdo kufizim dhe u radhitën përkrah burrave
në male, në çeta, në përpjekje të pareshtura për mbijetesë dhe çlirim.
Figura
më e shquar e kësaj epoke mbetet pa dyshim Qerime Galica, e njohur më së shumti
si Shotë Galica (1895–1927), një emër që tashmë është shndërruar në simbol të
guximit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj idealit kombëtar. Ajo nuk ishte
thjesht bashkëshorte e luftëtarit legjendar Azem Galica, por një luftëtare e
mëvetësishme, një udhëheqëse dhe një frymëzim për brezat që e pasuan. Me një
qëndrim të palëkundur dhe një shpirt të pathyeshëm, Shote Galica sfidoi jo
vetëm pushtuesit serbë, por edhe ato struktura shoqërore që përpiqeshin ta
ndalnin fjalën dhe veprimin e gruas shqiptare.
Për
dymbëdhjetë vite me radhë, ajo luftoi pa u lodhur në mbrojtje të atdheut, pa e
përfillur as terrorin e ushtruar nga armiqtë, as ndalimet që i vinte shoqëria
në emër të zakoneve apo besimit. Lufta e saj nuk ishte vetëm kundër serbëve,
por edhe kundër trupave austro-hungareze dhe bullgare, duke dëshmuar se idealet
e saj i tejkalonin kufijtë lokalë dhe ishin të lidhura ngushtë me kauzën kombëtare
shqiptare në tërësi. Ajo mori pjesë në mbi 40 aksione të armatosura, një shifër
që nuk flet vetëm për sasinë e angazhimit të saj, por për shkallën e
organizimit, kurajës dhe besimit të palëkundur në fitoren e lirisë.
Nëpërmjet
veprës dhe jetës së saj, Shote Galica bëhet shembull i përkryer i rezistencës
femërore në kohë lufte, duke treguar se atdhedashuria nuk njeh gjini, dhe se
gruaja shqiptare, kur është thirrur nga nevoja e kombit, ka ditur jo vetëm të
japë, por edhe të udhëheqë, të luftojë dhe të sakrifikojë me dinjitet. Ky është
një kapitull që meriton të njihet, të studiohet dhe të nderohet, jo si pjesë
anësore e historisë sonë, por si shtyllë themelore e saj.
Figura
e Shote Galicës përfaqëson një nga rastet më të ndritura të qëndresës së
organizuar dhe të vetëdijshme të gruas shqiptare ndaj dhunës shtetërore dhe
padrejtësive historike që rëndonin mbi popullin shqiptar të Kosovës në
fillimshekullin XX. Me guximin e saj të rrallë dhe me një vetëdije të lartë
kombëtare e sociale, ajo u bë zë i fuqishëm i kundërshtimit ndaj politikës së
represionit, dhunës dhe terrorit të ushtruar nga regjimi shovinist i Beogradit,
i cili përpiqej të zhbënte praninë shqiptare përmes mjeteve sistematike të
shtypjes, shpërnguljes dhe asimilimit.
Shote
Galica nuk heshti përballë këtyre përpjekjeve çrrënjoseshe. Ajo i kundërshtoi
me forcë dhe vendosmëri, jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra konkrete.
Veçanërisht e përkushtuar ishte në mbrojtjen e së drejtës së shqiptarëve për të
jetuar në trojet e veta, duke u bërë zëdhënëse e një qëndrimi kolektiv që
refuzonte nënshtrimin. Ajo mori pjesë aktive në një sërë lëvizjesh të
armatosura që synonin mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe të së drejtës
historike. Në vitin 1919, ajo u përfshi drejtpërdrejt në kryengritjen e
Rrafshit të Dukagjinit, një ndër valët më të fuqishme të rezistencës kundër
regjimit serb, duke dëshmuar se gruaja shqiptare nuk qëndronte më në prapavijë,
por merrte rolin e luftëtares së ndërgjegjshme.
Lufta
e saj u shtri në mënyrë të vazhdueshme në vitet pasuese. Në periudhën
1922–1923, ajo ishte pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur “Zonën Neutrale” të
Junikut, një hapësirë që kishte fituar rëndësi strategjike si bazë për
organizimin e kryengritjeve të reja në Kosovë dhe Malësi. Ajo e shihte këtë
zonë jo thjesht si një territor gjeografik, por si një hapësirë lirie, ku mund
të ndërtohej një frymë e re e qëndresës kolektive.
Edhe
më e lavdishme ishte pjesëmarrja e saj në korrik 1924 në mbrojtjen e zonës së
lirë të Drenicës, e njohur edhe si “Arbania e Vogël”, një emërtim që vetvetiu
evokonte idealin e bashkimit kombëtar. Në atë kohë, pas vdekjes së
bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit të saj, Azem Galicës, Shote Galica mori
komandën e çetës së tij dhe vazhdoi pa u lëkundur rezistencën, duke u
shndërruar kështu jo vetëm në një ikonë të luftës, por edhe në një udhëheqëse
me peshë reale në terren.
Në
përballjet e njëpasnjëshme me ushtrinë serbe, forcat bjellogardiste dhe
mercenarët e regjimit të Ahmet Zogut, ajo humbi 22 anëtarë të familjes – një
çmim i tmerrshëm që e zhvesh çdo përpjekje të saj nga çdo interes vetjak dhe e
bën sakrificën e saj të pastër, të plotë dhe të shenjtë. E vetmuar në fundin e
saj, Shotë Galica do të gjejë strehim në Shqipëri, por jo mikpritje
institucionale. E harruar nga pushteti zogist dhe e përjashtuar nga kujtesa
zyrtare, ajo vdiq në varfëri në Fushë-Krujë në vitin 1927, me dinjitetin e saj
të paprekur dhe me idealin e saj të papërmbysur.
Jeta
dhe vepra e Shotë Galicës janë një testament i jashtëzakonshëm i fuqisë morale
dhe shpirtërore të gruas shqiptare. Ajo nuk ishte vetëm luftëtare, por një
simbol i qëndresës kombëtare, një figurë që e tejkaloi kohën e vet dhe që sot
përfaqëson kujtesën e gjallë të sakrificës për liri, drejtësi dhe bashkim. Në
një botë që shpesh e ka përjashtuar gruan nga rrëfimi historik, Shotë Galica
qëndron si një emër që nuk mund të fshihet, një dritë që ndriçon rrugën e së
vërtetës historike dhe të kujtesës kolektive.
Formimi
i shtetit shqiptar brenda kufijve të tij etnikë nuk ishte thjesht një aspiratë
idealiste, por një domosdoshmëri historike që buronte nga logjika e kohës dhe
nga nevoja për drejtësi kombëtare. Kjo nuk ishte vetëm një çështje e vendosjes
së kufijve territorialë, por një betejë për identitet, për dinjitet dhe për të
drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në trojet e veta. Dhe kjo
betejë, siç e përçonte porosia e shumë luftëtarëve të kohës, duhej fituar me
çdo kusht – jo vetëm me armë, por edhe me përkushtim, me vullnet dhe, nëse
ishte nevoja, me sakrificën më të lartë: jetën.
Ganimete Tërbeshi heroinë e kohës
Në
këtë kontekst historik, frymëzues dhe dramatik, lind dhe vepron figura e
Ganimete Tërbeshit (1927–1944), një vajzë e re nga Gjakova, e cila, e përfshirë
nga ndjenja e thellë e atdhedashurisë dhe e ndikuar fuqishëm nga shembulli i të
vëllait, patriotit Abedin Tërbeshi, vendosi të mos qëndrojë jashtë rrjedhave të
historisë, por të jetë pjesë aktive e saj. Edhe pse në moshë të re, Ganimetja
kishte një vetëdije të lartë për rëndësinë e asaj kohe, dhe angazhimi i saj në
Lëvizjen Nacionalçlirimtare nuk ishte rastësor, por rrjedhojë e një procesi të
brendshëm të formimit ideor dhe politik.
Fillimisht
si pioniere dhe më pas, që nga viti 1942, si komuniste e re, ajo iu përkushtua
me vendosmëri punës organizative e propagandistike, duke përhapur idetë e
çlirimit dhe barazisë, jo vetëm si ideale të larta, por si domosdoshmëri për
mbijetesën dhe dinjitetin e popullit shqiptar në Kosovë. Pas rënies së të
vëllait, në vend që të tërhiqej, Ganimetja e vazhdoi punën edhe më me shumë
vendosmëri, si për të ruajtur gjallë kujtimin e tij, por edhe për ta përmbushur
amanetin e tij të heshtur: luftën për liri nuk e ndal as humbja personale.
Aktiviteti i saj nuk mbeti i padiktuar nga pushteti okupator. E zbuluar nga armiku, u arrestua bashkë me hallën e saj, Shefkije Tërbeshin, dhe u internua në kampin e Prishtinës – një vend i njohur për dhunë sistematike dhe tortura ndaj veprimtarëve shqiptarë. Edhe aty, nën rrethana çnjerëzore, Ganimetja dëshmoi një guxim të jashtëzakonshëm. Në vend që të thyhej, ajo i qëndroi besnike idealeve të saj, duke deklaruar me qartësi: "Liria nuk fitohet pa gjak. Për këtë, nuk më dhimbset fare jeta." Këto fjalë nuk ishin thjesht shprehje e guximit personal, por manifestim i një ndërgjegjeje të pjekur, që e vendoste lirinë e popullit mbi ekzistencën individuale.
Më
1944, Ganimetja u ekzekutua me varje – një akt që shënon jo vetëm fundin e
jetës së saj të shkurtër, por edhe kulmin e barbarisë së një pushteti që e
ndjente rrezikun që vinte nga idealizmi dhe përkushtimi i një vajze të re.
Vdekja e saj tronditi thellë opinionin liridashës në Kosovë dhe më gjerë, sepse
nuk ishte vetëm një humbje fizike, por një plagë morale për një shoqëri që
kishte filluar të besonte në emancipimin dhe barazinë gjinore përmes
kontributit të grave në luftë.
Ganimete
Tërbeshi mbetet sot një figurë e paharrueshme e rezistencës shqiptare, jo vetëm
për aktin e saj të fundit, por për të gjithë jetën që ia kushtoi lirisë. Ajo
përfaqëson frymën e një brezi të ri që nuk pranoi të jetonte në robëri, që e
sfidoi pushtetin jo vetëm me armë, por me dinjitet, dhe që tregoi se edhe një
vajzë e re mund të bëhet simbol i sakrificës dhe i qëndresës kombëtare.
Edhe pas viti 1945,
Kosova përsëri e okupuar
Pas
vitit 1945, Kosova dhe viset e tjera shqiptare përreth, pa pëlqimin dhe
vullnetin e tyre të lirë, mbetën nën sundimin e egër të pushtetit sllav, i cili
shënoi jo vetëm vazhdimin e robërisë politike, por edhe shtypjen sistematike të
identitetit kombëtar shqiptar. Ky realitet i hidhur, larg çdo ideali të
vetëvendosjes, e bëri të domosdoshëm mobilizimin e shtresave të ndryshme të
shoqërisë shqiptare në një përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur ndjenjën e përkatësisë
kombëtare dhe për të mbrojtur dinjitetin kolektiv përballë një politike
asimiluese dhe represive.
Pikërisht
në këtë periudhë, kur kombi ishte i kërcënuar në vetë bazamentin e tij, gruaja
shqiptare nuk pranoi të qëndrojë në heshtje dhe në margjinat e zhvillimeve
historike. Ajo nuk u vetëpërkufizua më si vështruese pasive apo si një qenie e
varur nga figura mashkullore, e aq më pak si objekt i mëshirës së burrit apo i
shoqërisë. Përkundrazi, e ndërgjegjshme për kapacitetin dhe rolin e saj në
ruajtjen e identitetit kolektiv, ajo filloi të përfshihej aktivisht në
orientimin dhe zhvillimin e proceseve politike e shoqërore, fillimisht brenda
familjes, më pas në rrethin më të gjerë shoqëror, e së fundmi në format më të
organizuara të rezistencës.
Aftësitë
organizative dhe besimi i thellë në të drejtën e kauzës kombëtare e çuan gruan
shqiptare të pasluftës drejt pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, ndonëse të
fshehtë, në organizatat ilegale shqiptare, të cilat kishin si objektiv themelor
çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Brenda këtyre strukturave
ilegale, ndër burrat që mbanin armë dhe shpërndanin trakte, vepronin edhe grat
– në mënyrë të heshtur, në hije, por me të njëjtën vendosmëri dhe përkushtim.
Ato ishin informatore, strehuese, shpërndarëse e organizatore, duke marrë mbi
vete rrezikun ekstrem të zbulimit dhe ndëshkimit.
Disa prej tyre u zbuluan nga organet represive të pushtetit jugosllav dhe u pushkatuan pa mëshirë, duke u bërë dëshmi tragjike e vendosmërisë së tyre. Të tjera, me një stoicizëm të rrallë dhe një besnikëri të palëkundur ndaj idealit të lirisë, vijuan aktivitetin e tyre në heshtje, duke strehuar ilegalistët, duke mbrojtur dokumente, duke organizuar lidhjet dhe duke ruajtur fshehtësinë e lëvizjes. Ato nuk kërkuan lavdi, as nuk pretenduan shpërblim – veprimi i tyre ishte akt i ndërgjegjes dhe i dashurisë së pakushtë për vendin dhe popullin.
Duhet
kujtuar me nderim të veçantë figura e ndritur e Marije Shllakut, një ndër gratë
më të shquara të çështjes kombëtare, e cila u bë simbol i dashurisë së
palëkundur për atdheun dhe i përkushtimit të pakompromis ndaj idealeve të
lirisë. Me zemrën e saj të mbushur me mall për një Kosovë të lirë dhe të
bashkuar me Shqipërinë, ajo u hodh në rrjedhat e historisë si një atdhetare e palodhur,
duke dhënë kontributin e saj të çmuar në kohët më të vështira për kombin
shqiptar. Lufta e saj nuk ishte vetëm politike apo ideologjike, por një akt i
lartë i ndërgjegjes kombëtare dhe i përkushtimit ndaj së drejtës për
vetëvendosje. Emri i Marije Shllakut është dhe do të mbetet një fanar ndriçues
në kujtesën kolektive të popullit shqiptar, një grua që me guxim e dinjitet i
doli përballë sfidave të kohës dhe mbrojti me pasion idealin e bashkimit
kombëtar.
Po
ashtu, me nderim dhe vlerësim të thellë, duhet përmendur figura e Fetije
Kelmendit – një grua e guximshme dhe e përkushtuar, e cila qëndroi krah për
krah me bashkëshortin e saj, ushtarakun e njohur Smajl Dragusha, në rrugën e
vështirë të qëndresës kombëtare. Ajo nuk ishte vetëm bashkëshorte e një
luftëtari, por edhe një luftëtare në shpirt, që i dha forcë dhe qëndrueshmëri
betejave të atdheut për liri dhe dinjitet. Në një kohë kur gratë jo rrallë
mbeteshin në hije, Fetija u bë shembull i një qëndrese të heshtur, por të
palëkundur. Ajo përfaqësonte atë lloj heroizmi të përditshëm, që nuk përmendet
gjithmonë në faqet e para të historisë, por që është themeli mbi të cilin
ndërtohen epokat. Figura e saj është një dëshmi e gjallë e rolit të
pazëvendësueshëm të gruas shqiptare në ruajtjen e frymës së lirisë dhe në
ushqimin e qëndresës kombëtare.
Në
këtë mënyrë, historia e pasluftës nuk mund të shkruhet pa praninë e gruas
shqiptare, e cila, në kushte të jashtëzakonshme dhe përballë rrezikut të
vazhdueshëm, e deshi lirinë jo më pak se burri, dhe e mbrojti atë me gjithçka
që kishte – me fjalë, me vepra, me jetë. Roli i saj nuk është vetëm një shtojcë
e historisë, por një bosht i rëndësishëm mbi të cilin u mbajt gjallë ideali i
bashkimit dhe çlirimit kombëtar.
Gruaja shqiptare në
kohën e Rankoviqit
Gjatë
periudhës së errët të sundimit rankoviqian (1945–1966), Kosova përjetoi një nga
fazat më të rënda të shtypjes politike, sidomos ndaj shqiptarëve që shfaqnin
ndonjë shkallë të vetëdijes kombëtare apo kërkonin të afirmonin identitetin dhe
të drejtat e tyre. Në këtë kohë, përndjekja nuk u kufizua vetëm ndaj burrave
dhe figurave publike të angazhuara, por përfshiu me të njëjtën ashpërsi edhe
gratë, sidomos ato të arsimuara, aktiviste dhe me mendim të pavarur.
Intelektualet dhe nxënëset shqiptare u bënë objekt i një represioni të
përmasave sistematike: u hetuan, u burgosën, u përjashtuan nga institucionet
arsimore dhe u ekspozuan ndaj dhunës
psikologjike e fizike për shkak të bindjeve dhe aktivitetit të tyre.
Në mesin e shumë grave që pësuan në këtë kontekst represiv, shquhet emri i Hyrije Hanës – një grua që përfaqësonte jo vetëm frymën e rezistencës kombëtare, por edhe dinjitetin e palëkundur të gruas shqiptare përballë padrejtësisë. Ajo ishte motër e patriotit të njohur Xheladin Hana, por mbi të gjitha, ishte vetë një veprimtare e dalluar dhe një simbol i vendosmërisë që tejkalonte kufijtë e lidhjes familjare. E lindur më 10 mars 1929 në qytetin e Gjakovës, Hyrije Hana nuk e përjetoi jetën si një rrjedhë të qetë brenda kufijve të përcaktuar nga regjimet shtypëse, por si një betejë të përhershme për të drejtën, për barazi dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Gjatë
jetës së saj, ajo u dënua jo një herë, por tri herë nga regjimi jugosllav – një
dëshmi e qartë se angazhimi i saj nuk ishte i rastësishëm, por i vazhdueshëm
dhe i ndërgjegjshëm. Më 1958 ajo u dënua me dy vjet e gjysmë burg, një ndëshkim
që synonte të thyenin rezistencën e saj morale dhe fizike. Vetëm tre vjet më
vonë, në vitin 1961, ajo përballet sërish me dënim edhe më të rëndë – pesë vjet
burgim, një akt që reflekton frikën e sistemit ndaj zërit të saj të lirë.
Ndërsa në vitin 1969, ajo dënohet për të tretën herë, kësaj here me një muaj
burgim, si për të vulosur përndjekjen e vazhdueshme që e ndiqte gjatë gjithë
jetës.
Këto
dënime nuk ishin vetëm akte të një regjimi autoritar ndaj një individi, por
simbole të një përpjekjeje për të shtypur një brez të tërë grash që refuzonin
të pajtoheshin me heshtjen dhe të pranonin rolin e caktuar për to. Hyrije Hana
përfaqësonte atë frymë të pakompromis që nuk i nënshtrohej urdhrave pa
drejtësi, që nuk e tradhtonte bindjen as përballë dhunës, dhe që besonte se
fjala, dija dhe qëndrimi janë armët më të fuqishme të një gruaje.
Figura
e saj është pjesë e pandashme e atij mozaiku të rezistencës shqiptare në
periudhën komuniste jugosllave, ku gratë jo vetëm që përjetuan dhunë, por edhe
e sfiduan atë, duke ndërtuar themelet e një vetëdije të re kombëtare dhe
gjinore. Jeta e Hyrije Hanës nuk është thjesht histori e vuajtjes, por
testament i kurajës, i qëndresës dhe i një trashëgimie që nuk duhet të
harrohet. Ajo na kujton se në çdo regjim, përballë çdo padrejtësie, do të ketë
gjithmonë zëra që ngrihen – dhe shpeshherë, këta zëra kanë qenë zërat e grave.
(Vijon)