Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (1)
E premte, 27.06.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (1)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Heroizmi i gruas
shqiptare, i skalitur në kujtesën historike ndër shekuj, ka qenë një dëshmi e
vazhdueshme e qëndresës, guximit dhe përkushtimit të saj ndaj fateve të kombit.
Megjithatë, roli i saj në jetën shoqërore të Kosovës ka kaluar nëpër një proces
të ndërlikuar e të shumëfishtë të angazhimit, shpeshherë të papërfillur ose të
heshtur në diskursin zyrtar. E megjithatë, sidomos në kohët më të vështira për
popullin shqiptar, gruaja nuk u qëndroi pas zhvillimeve politike, shoqërore e
kombëtare. Ajo ishte prezente dhe aktive jo vetëm në jetën e përditshme dhe në
strukturat popullore të vendit, por edhe në frontet e luftës për çlirim
kombëtar, në lëvizjet për emancipim, në kërkesat për pavarësi dhe në përpjekjet
për të realizuar barazinë nacionale. Pjesëmarrja e saj në këto procese nuk
ishte vetëm simbolike, por thelbësore dhe shumëdimensionale — një pjesëmarrje
që përfshinte veprimtari politike, përballje fizike, rezistencë ideologjike dhe
sakrifica sublime. Kjo përfshirje e plotë dhe e gjithanshme dëshmon për
kapacitetin e saj jo vetëm për t’u përballur me sfida strukturore dhe
sistemore, por edhe për ta rimodeluar vetë konceptin e protagonizmit shoqëror e
kombëtar në kontekstin kosovar.
Nga vështrimi
historik dhe nga dëshmitë e dokumentuara del qartë se numri i grave që kanë
marrë pjesë në përpjekjet çlirimtare dhe rezistuese të popullit shqiptar
përgjatë shekujve është tejet i madh dhe domethënës. Lufta për liri dhe
dinjitet kombëtar, që përfshin një hark kohor shumëshekullor, nuk do të kishte
kuptim të plotë pa kontributin thelbësor të grave, të cilat shpesh janë
anashkaluar në rrëfimin historik dominues. Kosova, si një hapësirë e ngarkuar
me përplasje dhe qëndresë, ka prodhuar figura emblematike të femrës luftëtare
dhe atdhetare, siç janë Shotë Galica – simboli i gruas që e mori armën në dorë
përkrah burrit dhe popullit të saj; Marie Shllaku – intelektuale e përkushtuar
dhe dëshmore; Xhevë Lladrovci – heroinë e kohës moderne dhe pjesëmarrëse aktive
në luftën e fundit; apo Hanumshahe Avdullahu – një tjetër figurë që mishëron
rezistencën dhe sakrificën.
Megjithatë, këto emra përfaqësojnë vetëm majën e një ajsbergu të gjatë dhe të thellë të kontributit të grave, që përfshin qindra e mijëra të tjera, të njohura dhe të panjohura, që dhanë gjithçka për çështjen kombëtare. Statistikat zyrtare e dëshmojnë se gjysma e popullsisë së Kosovës përbëhej nga gra, dhe si të tilla, ato nuk mund të shihen thjesht si përkrahëse pasive, por si pjesëmarrëse aktive dhe të barabarta në fatin e përbashkët të popullit. Ky masivitet dhe përfshirje e grave kërkon një analizë të veçantë, të thellë dhe të dokumentuar, të cilës i detyrohemi si studiues, në mënyrë që në një monografi të ardhshme të mund të përmenden dhe nderohen të gjitha ato gra që me guxim, bindje dhe përkushtim lanë gjurmë në historinë tonë kolektive.
Gruaja shqiptare,
në të gjitha periudhat historike, ka dëshmuar një atdhetarizëm të qëndrueshëm
dhe një vetëdije të lartë kombëtare për realitetin e dhimbshëm të robërisë së
atdheut të saj. Kjo vetëdije nuk ishte thjesht një ndjeshmëri emocionale, por
një ndërgjegje aktive, e cila shndërrohej në veprim, në sakrificë dhe në
përfshirje të vazhdueshme në përpjekjet për çlirim, që nga fazat më të hershme
të historisë deri te lëvizjet më të fundit çlirimtare. Pavarësisht barrierave
strukturore dhe kufizimeve që i janë imponuar në shoqëri patriarkale, gruaja
shqiptare nuk reshti së përballuri me sfidat e kohës, duke u bërë zëri dhe
ndërgjegjja e një kombi të shtypur.
Kontributi i saj
në luftërat për liri dhe dinjitet nuk mund të matet vetëm me praninë fizike në
fushëbetejë apo me armën në dorë. Ajo duhet parë në tërësinë e përkushtimit të
saj – si mbështetëse morale, si mbartëse e kulturës së qëndresës, si nënë që
rrit breza luftëtarësh, si edukatore e vlerave të qëndresës, si organizatore,
shëruese, strehuese, por edhe si bartëse e informacionit dhe lidhëse mes
strukturave rezistuese. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e gruas shqiptare në
përpjekjet çlirimtare ka qenë shumë më e gjerë dhe më e thellë sesa thjesht
roli i saj në përleshjet ushtarake. Ajo është një pjesë e pandashme e historisë
sonë kolektive të rezistencës dhe, si e tillë, kërkon të njihet dhe vlerësohet
në mënyrë të barabartë në kujtesën historike dhe në narrativat kombëtare.
Në analizën dhe
vlerësimin e kontributit të gruas shqiptare në proceset historike të çlirimit
dhe të shtetformimit, është e domosdoshme të merret në konsideratë konteksti
shoqëror dhe strukturor në të cilin ajo ka vepruar ndër shekuj. Lufta për
çlirimin e atdheut dhe për ndërtimin e një shteti të pavarur shqiptar, e cila nisi
me epopenë madhështore të shekullit XV dhe vazhdoi ndër breza, u zhvillua nën
rrethana thellësisht të pabarabarta gjinore dhe në kushte të një rendi shoqëror
feudal, ku pozita e gruas ishte e margjinalizuar dhe e nënshtruar.
Në këtë rend
tradicional, gruaja trajtohej si një pjesë e pandashme e strukturës prodhuese
dhe riprodhuese të familjes, por jo si subjekt i pavarur me identitet dhe
vullnet politik të njohur. Roli i saj përcaktohej sipas pozitës që zinte në
raport me figurat mashkullore të familjes – si vajzë në varësi të prindit, si
nuse nën autoritetin e burrit, dhe si nënë e ndikuar nga autoriteti i të birit.
Ky pozicion i përjashtuar nga sfera publike dhe nga vendimmarrja formale e
bënte edhe më të vështirë që kontributi i saj të pranohej dhe të regjistrohej
në mënyrë të barabartë me atë të burrave.
Megjithatë, pavarësisht këtyre kufizimeve të mëdha strukturore dhe ideologjike, gruaja shqiptare arriti të ndërtojë forma të veçanta të rezistencës dhe pjesëmarrjes – qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aksionet çlirimtare, qoftë në formën e ruajtjes së kulturës kombëtare, të edukimit të brezave, të organizimit të qëndresës në hapësirat e brendshme të familjes dhe shoqërisë. Ky kontribut i saj, edhe pse shpesh i heshtur dhe i panjohur nga historiografia zyrtare, përbën një shtyllë të rëndësishme të rezistencës kombëtare, që meriton të rikthehet në vëmendje jo vetëm për arsye etike e morale, por edhe për ta kuptuar më mirë natyrën e rezistencës shqiptare në tërësinë e saj.
Statusi i gruas
shqiptare nuk ka qenë një kategori statike në rrjedhat e historisë, por një realitet
në ndryshim të vazhdueshëm, i kushtëzuar nga zhvillimet politike, shoqërore dhe
kulturore të kohëve të ndryshme. Në periudha të caktuara, pozita e saj në
familje, në komunitet dhe në shoqëri ka reflektuar jo vetëm normat e kohës, por
edhe mundësitë që ofronte vetë struktura historike. Gruaja, në këtë kuptim, nuk
ka qenë thjesht një viktimë pasive e rrethanave, por një aktere që, sa herë që
konteksti historik e lejonte apo e kërkonte, ka ditur të përshtatet dhe të
inkuadrohet në mënyrë aktive në proceset shoqërore që formësonin jetën
kolektive.
Veçanërisht në
kohët kur sistemi edukativo-arsimor në trevat shqiptare ishte ende i
paorganizuar ose i përjashtuar nga funksioni institucional shtetëror, për shkak
të robërisë ose mungesës së shtetësisë, ambienti familjar mbeti struktura
themelore për formimin shpirtëror, moral dhe intelektual të brezave të rinj.
Brenda këtij ambienti, figura e nënës dhe e gjyshes zinte një vend qendror dhe
vendimtar. Edukimi i fëmijës nuk ishte vetëm një detyrë e përditshme, por një
akt i përhershëm i bartjes së vlerave kombëtare, gjuhës, traditës dhe ndjenjës
së përkatësisë. Në mungesë të shkollave, librave dhe institucioneve publike,
ishte goja e nënës dhe urtësia e gjyshes që shërbyen si mjetet kryesore të
edukimit.
Ky funksion
edukues i gruas, i fshehur brenda mureve të shtëpisë, përbënte një nga format
më të qëndrueshme të rezistencës kulturore, përmes të cilit u trashëguan jo
vetëm njohuritë e jetës, por edhe ideali i lirisë dhe përkatësisë kombëtare.
Kështu, roli i gruas në historinë e shoqërisë shqiptare nuk mund të kuptohet pa
njohjen e këtij misioni të heshtur por të fuqishëm, që ajo ka ushtruar përmes
fjalës, përkujdesjes dhe përkushtimit.
Burrat trima
lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha
Populli ynë me mençurinë e tij shekullore ka nxjerrë sentenca që përmbledhin thelbin e filozofisë jetësore shqiptare, dhe njëra ndër më të goditurat është ajo që thotë: “Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha.” Kjo thënie nuk është thjesht një pohim metaforik, por një konstatim i thellë mbi rolin themelor të gruas në formësimin e karakterit dhe të dinjitetit të burrit shqiptar. Gruaja, në veçanti nëna, është jo vetëm bartëse e jetës, por edhe edukatore morale dhe shpirtërore, e cila përmes fjalës, shembullit dhe qëndrimit, ngulit vlerat e guximit, nderit dhe përkushtimit në shpirtin e fëmijës që rrit.
Për gruan
shqiptare, frika nuk është cilësi e pranueshme, dhe ajo ka pasur një raport të prerë
e të vendosur ndaj çdo shfaqjeje të plogështisë apo pashpirtësisë përballë
sfidave të jetës, sidomos kur ato lidheshin me mbrojtjen e nderit dhe të
atdheut. Jo rrallë, në historinë e familjes shqiptare, gruaja ka qenë ajo që ka
nxitur, shtyrë, madje edhe qortuar djemtë e saj që të mos dorëzohen përballë
vdekjes apo nënshtrimit. Ajo e ka përbuzur frikacakun, qoftë ai burrë i huaj
apo biri i saj vetë, sepse për të, nderi dhe qëndresa janë vlera më të mëdha se
vetë jeta.
Ky qëndrim i
ashpër, por i ndërtuar mbi kodin moral të shoqërisë tradicionale shqiptare,
dëshmon për një dimension të thellë të ndërgjegjes kombëtare që i është
ngulitur gruas shqiptare ndër shekuj. Për të, trimëria nuk ishte virtyt
ekskluziv i burrave, por një virtyt që ajo vetë duhej ta mishëronte për të qenë
në gjendje ta kultivonte. Në këtë mënyrë, figura e gruas shqiptare ngrihet
përtej rolit të saj konvencional, duke u bërë arkitekte e karakterit burrëror
dhe mbajtëse e primeve kombëtar të qëndresës.
Roli i Gruas në Kohën e Skënderbeut
Duke u zhytur në
thellësitë e historisë shqiptare, zbulojmë me admirim praninë aktive dhe të
guximshme të grave shqiptare në faqet më të ndritura të rezistencës kombëtare.
Ato nuk ishin vetëm dëshmitare të zhvillimeve të mëdha, por pjesëmarrëse të
drejtpërdrejta në proceset e qëndresës dhe të mbrojtjes së tokës amtare. Që në
epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, figura e gruas shqiptare
dallohet si pjesë përbërëse e frymës kolektive që lindi dhe ushqeu idealin e
lirisë.
Gjatë rrethimit të
parë të Krujës më 1450, një ngjarje që përbën një ndër momentet më dramatike
dhe vendimtare të qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane, përballë një
ushtrie të fuqishme që udhëhiqej nga vetë sulltan Murati II, Skënderbeu
urdhëroi largimin e grave, fëmijëve dhe pleqve nga qyteti, për të lehtësuar mbrojtjen
dhe për të fokusuar rezistencën në një forcë të përqendruar burrash të
armatosur. Ky vendim strategjik, i diktuar nga rrethanat ushtarake të kohës,
nuk duhet interpretuar si përjashtim i grave nga lufta, por si një akt i
pashmangshëm për mbrojtjen e jetës dhe për ruajtjen e forcës së luftëtarëve në
kushte ekstreme.
Megjithatë, prania
e grave në këtë periudhë nuk u kufizua thjesht në pasivitet apo në rolin e të
evokuarave. Ato ishin bartëse të qëndresës morale, të përkushtimit ndaj
atdheut, të kujdesit për familjen dhe të kultivimit të një gjenerate të re të
përgatitur për sakrificë. Janë të shumta dëshmitë që tregojnë se gratë
shqiptare, edhe pse të larguara nga zonat e përballjes së drejtpërdrejtë, kanë
mbajtur gjallë shpirtin e rezistencës, kanë shërbyer si mbështetje logjistike,
si ruajtëse të vlerave kombëtare dhe si edukatore të fëmijëve me ndjenjën e
lirisë.
Prandaj,
pjesëmarrja e grave shqiptare në epokën e Skënderbeut nuk mund të reduktohet në
një prani simbolike. Ajo ishte konkrete, substanciale dhe shpeshherë
vendimtare, qoftë në frontin e betejës, qoftë në mbrojtjen e strukturës së
brendshme të popullit që rrezikohej të zhdukej jo vetëm ushtarakisht, por edhe
shpirtërisht. Gratë ishin rrënja e padukshme e qëndresës, shtylla që mbante të
gjallë kujtesën dhe identitetin kombëtar, edhe në kohët më të errëta të
pushtimeve dhe përndjekjeve.
Kujtesa historike
e ngulitur në penën e dijetarëve të kohës na ofron pamje të jashtëzakonshme për
rolin dhe ndjenjën e lartë morale të gruas shqiptare në kohët e vështira të
përballjes me pushtimet e huaja. Humanisti i njohur Marin Barleti, dëshmitar i
afërt i epopesë së Skënderbeut, na sjell një fragment prekës e domethënës të
kësaj rezistence shpirtërore dhe emocionale. Ai shkruan se, “sapo dhimbja u
qetësua për pak çaste e lotët u thanë mbi faqet e nënave, ato u kthyen nga
bijtë e tyre dhe, me fjalë të përsëritura, u dhanë porosi krenarie – një gjest
që nuk përfaqëson vetëm dhimbjen e një nëne për të birin, por edhe sublimimin e
saj në një akt të lartë edukimi patriotik. Ishin fjalë që nuk ushqenin më
frikë, por guxim; nuk përçonin dëshpërim, por forcë dhe përkushtim ndaj një
ideali që e tejkalonte jetën vetjake”.
Në të njëjtën
frymë, edhe kronisti venedikas A. Sabellico, në një rrëfim të vitit 1478, hedh
dritë mbi një tjetër aspekt të thellë të rezistencës kulturore dhe shpirtërore
që mbeti gjallë edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Ai përshkruan me ndjeshmëri
sesi, “në qytetet ku dikur mbretëronte prijësi legjendar, në kulmin e dhunës
dhe të zhurmës së armëve osmane, grupe vajzash, të mbledhura çdo tetë ditë,
këndonin himnet dhe lavditë për Skënderbeun – një rit simbolik që kujtonte
praktikat e lashta të nderimit të heronjve mitikë”. Ky akt nuk ishte vetëm një
shprehje e kujtimit sentimental, por një mënyrë e qëndrueshme për të ruajtur
identitetin kombëtar, për të transmetuar kujtesën historike dhe për të ushqyer
shpresën në mes të errësirës së pushtimit.
Këto dëshmi, të
ruajtura nga pena e humanistëve e kronistëve të kohës, na tregojnë se gruaja
shqiptare nuk ishte thjesht një figurë e pranishme në prapavijë, por një aktere
e ndjeshme dhe aktive në mbrojtjen e vlerave, në përcjelljen e lavdisë, dhe në
formësimin e një vetëdije kolektive që i mbijetoi pushtimeve, por edhe
harresës. Ajo ishte kujtim i gjallë, zë që këndonte në errësirë, dhe shpirt që
frymëzonte brezat e ardhshëm për të mos harruar kush ishin dhe përse luftonin.
Nga këto dëshmi të
fuqishme historike del në pah një e vërtetë thelbësore: gruaja shqiptare ka
qenë pjesëmarrëse aktive në përpjekjet për liri edhe atëherë kur nuk e mbante
armën në dorë dhe nuk shfaqej në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushën e betejës.
Lufta e saj merrte trajta të tjera – më të heshtura, por aspak më pak të
fuqishme. Ajo luftonte me forcën morale, me kurajën që ushqente te luftëtarët,
me qëndrimin e saj të pathyeshëm përballë dhimbjes dhe me aftësinë për të
shndërruar vuajtjen në motivim. Ishte gruaja ajo që përmes fjalës, lutjes,
këngës, porosisë dhe pranisë së saj të qëndrueshme, injektonte shpirtin e
rezistencës te ata që qëndronin përballë armikut me armë në dorë.
Shekulli XV, i
njohur për kulmin e përpjekjeve çlirimtare nën udhëheqjen e Skënderbeut, nuk
përfaqëson vetëm një epokë të kthesës ushtarake apo politike në historinë
shqiptare, por gjithashtu një moment të veçantë në historinë e pozitës dhe
vetëdijes së gruas. Në këtë periudhë, ndonëse norma morale, juridike dhe shoqërore
e Mesjetës i impononin gruas një rol të kufizuar brenda strukturave
patriarkale, ajo arriti ta tejkalojë këtë kufizim përmes një forme të lartë të
përfshirjes shpirtërore dhe simbolike në jetën kombëtare. Në heshtje, ajo
ndërtonte qëndresën morale të shoqërisë, ruante dhe kultivonte kujtesën
historike, përforconte ndjenjën e përkatësisë dhe i jepte kuptim sakrificës.
Prandaj, në
analizën e historisë sonë, nuk mund të mos e njohim rolin shumëdimensional të
gruas shqiptare, e cila, edhe në kushtet më të vështira dhe të padrejta për të,
gjeti mënyra për të qenë pjesë e pandarë e qëndresës dhe e historisë së kombit.
Ky realitet e bën shekullin XV jo vetëm një epokë heroike burrash me shpata në
dorë, por edhe një kohë të lavdishme të grave që luftuan në mënyrën e tyre – me
guxim, urtësi dhe përkushtim.
Edhe pse për një
kohë të gjatë gruaja shqiptare u detyrua të jetojë e përjashtuar nga
vendimmarrja politike dhe e shkëputur në dukje nga rrjedhat zyrtare të fatit
kombëtar, ajo nuk rreshti kurrë së qenëri një shtyllë themelore e ruajtjes dhe
bartjes së identitetit kolektiv. Në mjedisin e brendshëm familjar, ajo mbajti
gjallë gjuhën shqipe në kohë ndalese dhe shtypjeje, kultivoi virtytet themelore
të nderit, besës e krenarisë, dhe trashëgoi traditat kombëtare me përkushtim të
palëkundur. Si edukatore e brezave të rinj, nëna shqiptare kishte një mision
historik: të përgatiste fëmijë që jo vetëm të jetonin, por të ishin të
vetëdijshëm për rrënjët, për gjuhën, për historinë dhe për të drejtën e tyre
për të qenë të lirë.
Por ndikimi i saj
nuk u shter vetëm brenda mureve të shtëpisë. Në shumë raste, gruaja shqiptare,
e nxitur nga ndjenja të thella atdhetarie dhe dashurie për lirinë, ka marrë
pjesë aktive në jetën e përbashkët, duke u përfshirë në kuvende e mbledhje
popullore, ku, ndonëse rrallë, i jepej fjala, ajo dinte të shprehte mendime të
mençura e të guximshme për çështjet madhore të vendit. Fjala e saj ishte e
ngjeshur me përvojë, ndjenjë dhe intuitë të hollë politike, duke reflektuar një
vetëdije të formuar për drejtësinë, për lirinë dhe për të ardhmen e kombit.
Kësisoj, figura e
gruas shqiptare del nga hije e rolit tradicional si një figurë e shumëfishtë:
edukatore, ruajtëse e gjuhës dhe identitetit, këshilltare në kohë krize, dhe
mbi të gjitha, një ndërgjegje e heshtur, por e fuqishme, që e mbajti të gjallë
shpirtin kombëtar edhe në periudhat më të errëta të historisë sonë.
(Vijon)