Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (9)
E diele, 13.07.2025, 11:59 AM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (9)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË (9)
AFETE
HAMZË JASHARI
(16.
8. 1980 – 5. 3. 1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sa delikate në pamje,
e sa e vogël përballë madhështisë së dhimbjes që na la; sa e butë në
buzëqeshjen e saj të pafajshme, e sa e ngrohtë në përqafimet që u dhuronte me
mall prindërve dhe të afërmve – një shpirt i pastër që ngjante
më shumë me një dritë e cila s’kishte ardhur për të qëndruar gjatë, por për të
lënë pas një gjurmë të pashlyeshme. Ajo fytyrë e ndritur, që ndriçonte çdo
dhomë ku hynte, tashmë është kujtim – një kujtim që ther si
thikë në zemër, një kujtim që nuk shërohet dot.
E si të mos të dhembë
kjo pamje? Si të mos të copëtojë ky imazh i një engjëlli, i një qenieje që
kishte gjithë jetën përpara, por që u nda prej saj aq herët, aq padrejtësisht?
Një shikim i pafund në horizont, i ngjashëm me pyetjen e heshtur që s’gjen
përgjigje: pse? Ky shikim s’është më i një fëmije që kërkon ngrohtësi, por i
një shpirti që ka parë më shumë se ç ‘duhej të shihte, që ka përjetuar peshën e
një kohe të pamëshirshme.
Plaga është e thellë,
jo vetëm në trupin e saj të ndjeshëm, por në ndërgjegjen tonë kolektive. Është
një plagë që s’ka zë, por që britmën e saj e ndien secili që e ka parë këtë
fytyrë. Dhemb ky kujtim, vret ky imazh, sepse përballë tij, çdo fjalë është e
vogël, e çdo ngushëllim, i pamjaftueshëm. Kjo nuk është vetëm një fytyrë e një
vajze të re. Është simboli i gjithë një gjenerate të sakrifikuar, i gjithë një
dashurie të pathënë, i një jete që s’arriti të bëhej jetë.
Afetë Hamzë Jashari
erdhi në jetë më 16 gusht të vitit 1980 në fshatin Prekaz i Ulët të Skënderajt,
në një ambient familjar që ndërthurte vlerat e traditës shqiptare me idealet e
lirisë dhe dinjitetit. Ajo u lind në një strehë ku atdhedashuria nuk ishte
vetëm ndjenjë, por mënyrë jetese, në një familje që mishëronte më së miri
idealin kombëtar. Ajo u lind në gjirin e një prej familjeve më emblematike të
rezistencës shqiptare – bija e luftëtarit të paepur Hamzë Jashari, figurës së lartë që
me trimëri e përkushtim u shndërrua në simbol të pathyeshmërisë kombëtare, dhe
e nënës së saj të fortë, Feride Mecini-Jashari, e cila, po ashtu, dha jetën në
epopenë e lavdishme të Prekazit, duke u shndërruar në dëshmore të lirisë.
Afetja nuk ishte
thjesht një vajzë e lindur në një shtëpi të zakonshme, por një filiz i rritur
në tokën e shenjtë të qëndresës, në kullën që do të bëhej emblemë e sakrificës
kolektive për çlirimin e Kosovës. Në venat e saj rridhte gjaku i atyre që nuk
pranuan të përkulen para dhunës e padrejtësisë, por që i dolën zot atdheut me
jetën e tyre. Që në djep, ajo u rrethua me zëra lirie, me rrëfime për qëndresën,
me përqafime që bartnin guxim dhe përkushtim. E rritur në këtë mjedis të
ngarkuar me peshën e historisë, Afetja do të bëhej një ndër dëshmitaret dhe,
për fat të keq, edhe një ndër viktimat e tragjedisë më të madhe që përjetoi
familja Jashari dhe mbarë kombi shqiptar – Epopeja e Prekazit, që e shkroi me gjak rrugën drejt lirisë.
Andaj, nuk kishte si
të ishte ndryshe: një rrugë e lavdishme, e përgjakur por fisnike, e priste edhe
bijën e tyre – Afetën e hijshme e të brishtë, por të lindur me forcën
e gjakut të rezistencës. Ishte krejt e natyrshme që në një shtëpi ku çdo hap
kumbonte me emrin e lirisë dhe çdo mur mbante gjurmët e përkushtimit atdhetar,
edhe Afetja të bëhej pjesë e kësaj historie të shenjtë. Bukuria e saj e jashtme
nuk fshihej nga drita e brendshme që ajo mbartte – një dritë që vinte nga idealet e mëdha, nga përkatësia ndaj një familjeje
që nuk dinte të dorëzohej.
Në një kohë kur hija
e luftës rëndonte mbi çdo prag, Afetja nuk ishte thjesht një vajzë e re, por
një trashëgimtare e nderit, që do të ecte në gjurmët e babait dhe nënës së saj,
në rrugën ku ndalesa e vetme ishte sakrifica për atdheun. Prandaj, rruga drejt
përjetësisë nuk e befasoi – ajo ishte e shkruar në fatin e saj që nga çasti kur lindi në kullën e qëndresës.
Duhet thënë me plotë
krenari se në mozaikun e figurave të familjes Jashari, qëndron edhe emri i
Afete Hamzë Jasharit – një ndër bijat e lindura në zemrën e një familjeje që
do të bëhej simbol i qëndresës kombëtare. Prindërit e saj, Hamzë Jashari dhe
Feride Mecini-Jashari, u përkushtuan edukimit të tetë fëmijëve të tyre, duke i
rritur në frymën e dashurisë për atdheun dhe respektit për dinjitetin njerëzor.
Në këtë kontekst edukativ dhe shpirtëror, Afetja mori hapat e parë të jetës dhe
shkollimit. Si pjesë e një gjenerate që do të përballonte një kohë të
jashtëzakonshme, ajo e kreu arsimin fillor në qytetin e Skënderajt – një qendër që gjithnjë kishte qenë zemra e rezistencës dhe përkushtimit
patriotik.
Mirëpo, fëmijëria e
saj e brishtë do të ndërpritej në mënyrë brutale dhe të dhunshme. Më 30 dhjetor
të vitit 1991, kur ende ishte vetëm një njëmbëdhjetëvjeçare, shtëpia e tyre – Kulla e Jasharëve në Prekaz – u bë objekt rrethimi nga forcat e pushtuesit serb. Të
organizuar si makineri shtypjeje, milicia dhe ushtria serbe kishin vënë në
shënjestër jo vetëm një familje, por vetë frymën e rezistencës shqiptare.
Rrethimi i kullës nuk ishte një ngjarje e izoluar, por një akt i paramenduar
shtetëror për të shtypur me dhunë zërat e parë të organizuar të çlirimit.
Ky moment, i ngulitur
thellë në kujtesën historike të Kosovës, shënon edhe hyrjen e një gjenerate të
tërë – përfshirë edhe Afeten – në realitetin e dhimbshëm të një lufte të pashpallur, por gjithnjë të
pranishme. Në sytë e një vajze të mitur si ajo, dhuna e shtetit serb do të shndërrohej
në përvojë jetike, që më vonë do të artikulohej në sakrificë, heroizëm dhe
përfshirje familjare në luftën për liri.
Figura e Afetes nuk
mund të kuptohet jashtë kontekstit të kësaj historie kolektive të rezistencës.
Ajo nuk ishte vetëm një vajzë e rritur në hijen e dy figurave emblemë si Hamzë
dhe Adem Jashari, por pjesë e një brezi që fëmijërinë e pati të shënuar nga
zhurmat e armëve, rrethimi i kullave, dhe pashmangshmërisht, thirrja e lirisë.
Ngjarjet e dhimbshme
dhe dramatike të përjetuara gjatë fëmijërisë së hershme u skalitën thellë në
kujtesën e Afete Hamzë Jasharit, duke u shndërruar në gurë themeltarë të
përvojës së saj jetësore. Ato nuk ishin thjesht episode të dhunës shtetërore,
por përjetime të drejtpërdrejta të një realiteti të përgjakshëm, ku lufta për
mbijetesë dhe dinjitet u zhvillonte në oborrin e shtëpisë dhe përpara syve të
saj të pafajshëm.
Një ndër ditët më
tronditëse në kujtesën e saj ishte ajo kur babai i saj, Hamza Jashari, së
bashku me vëllezërit – ndër ta edhe Adem Jasharin – qëndruan heroikisht në mbrojtje të kullës familjare. Pa asnjë hezitim dhe
pa u dorëzuar përballë një force të organizuar dhe të pamëshirshme, ata
zhvilluan një qëndresë të pashembullt gjatë gjithë ditës. Ky akt i guximit të
rrallë, përjetuar në kohë reale nga një fëmijë, la gjurmë të pashlyeshme në
ndërgjegjen e Afetes, duke i dhuruar asaj jo vetëm traumën e një kohe të egër,
por edhe krenarinë e pashoqe për qëndresën e gjakut të saj.
Megjithatë,
përjetimet e saja nuk u kufizuan vetëm në atë episod të dhunës së parë. Më 22
janar të vitit 1998, Afetja do të përballej sërish me tmerrin e rrethimit – herën e dytë, edhe më të ashpër dhe paralajmërues për tragjeditë që do të
vinin. Atë ditë dimri, me acar që dukej sikur vetë natyra i përgjigjej egërsisë
së pushtuesit, forcat serbe rrethuan sërish kullën e Jasharëve. Aty, Afetja pa
me sytë e saj luftën e pashoqe të gjyshit të saj, të xhaxhallarëve dhe të
kushërinjve që nuk pranonin nënshtrim, por qëndronin në mbrojtje të tokës,
nderit dhe historisë.
Rrethimi i dytë nuk
kaloi pa pasoja të rënda për familjen. Në atë ditë të ngjeshur me dhembje dhe
zjarr, motra e saj, Selvete Jashari, bashkë me kushërirën Iliriana, u plagosën
nga predhat e armikut – një akt që vërtetoi edhe një herë se fëmijët e kësaj
familjeje nuk po rriteshin me lodra në duar, por me plagë në trup e kujtime të
përgjakura në shpirt.
Këto përjetime, të
akumuluara që në një moshë të njomë, i dhanë Afetes një pjekuri të parakohshme,
duke e përfshirë në mënyrë të heshtur, por të pandalshme, në epopenë e përbashkët
të qëndresës dhe lirisë që po ndërtohej në të gjitha shtëpitë shqiptare – por që në Prekaz, kishte marrë përmasat e një legjende të gjallë.
Në historinë e
popujve që kanë njohur shtypjen dhe kanë luftuar për ekzistencën, janë të
rralla familjet që përfaqësojnë një vetëdije kolektive të tillë për liri, sa ç
‘përfaqëson familja Jashari për popullin shqiptar të Kosovës. Brenda kësaj
familjeje, edukimi nuk ishte vetëm proces arsimor apo ndërtim karakteri – ishte një akt i vazhdueshëm përgatitjeje për flijim. Edhe Afete Hamzë Jashari,
ashtu si çdo bir dhe bijë e kësaj familjeje, ishte rritur në këtë frymë të
thellë atdhetarie, ku ndërgjegjja për lirinë e atdheut nuk ishte vetëm ideal,
por një detyrë e trashëguar dhe e pranuar me vetëdije të plotë.
Qysh në moshë të
njomë, fëmijët e familjes Jashari ishin të përfshirë në një proces edukimi të
veçantë, ku frika kishte humbur çdo kuptim. Ata nuk e kishin njohur fëmijërinë
në kuptimin tradicional, por ishin rritur nën hijen e një rezistence të
përhershme, ku nocioni i sakrificës për kombin ishte pjesë e pandashme e jetës
së përditshme. Në shtëpinë e tyre, armët nuk ishin tabu, por mjete të
mbijetesës kombëtare. Rojet e natës të mbajtura nga prindërit nuk ishin shfaqje
frike, por shprehje e vetëdijes për rrezikun dhe gatishmërisë për përballje.
Kjo gjendje e
jashtëzakonshme e jetesës formoi një brez të kalitur në zjarrin e
përgjegjësisë. Për Afeten dhe vëllezërit e saj, të rritesh në një ambient ku
dinjiteti ishte më i rëndësishëm se jeta, do të thoshte të mos kesh më frikë
nga vdekja, por nga padrejtësia. Ishte pikërisht kjo ndërgjegje që i bëri ata
të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qëndresë, por edhe në gatishmërinë për flijim
të plotë.
Përmes këtij edukimi
të rrallë dhe të qëndrueshëm, familja Jashari u shndërrua në simbolin më të
fuqishëm të përkushtimit për lirinë e Kosovës. Në këtë frymë u rrit edhe Afetja
– jo thjesht si vajzë e një familjeje të njohur, por si pjesë e një trashëgimie të gjallë që
e kishte mësuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak, guxim dhe
vetësakrificë.
Më 5 mars të vitit
1998, Kulla e Jasharëve në Prekaz u shndërrua në një simbol të gjallë të
betejës së fundit për nder dhe liri, në një arenë ku fjalët nuk kishin më vlerë
përveç atyre që përforcoheshin me veprim dhe qëndresë. Të rrethuar nga forcat e
shumta policore dhe ushtarake serbe, familja Jashari nuk u tërhoq e as nuk
kërkoi shpëtim. Përkundrazi, ata u pozicionuan me vendosmëri në Kullën e tyre – tashmë e pagëzuar me emrin "Kulla e Rezistencës" – duke e shndërruar atë në një kështjellë të vullnetit njerëzor, të krenarisë
shqiptare dhe të sakrificës supreme.
Deklarata e tyre nuk
u bë me fjalë formale, por me qëndrimin e pathyeshëm të trupit dhe shpirtit: se
pushtuesi serb nuk do të mund të kalonte as mbi trupat e tyre të gjallë, dhe se
përderisa kishin jetë në trup, asnjë serb nuk do të guxonte të shkelte pragun e
shtëpive shqiptare. Kjo nuk ishte një sfidë emocionale e momentit, por një
qëndrim i ndërtuar me vite të tëra përballjeje, edukimi patriotik dhe
përgatitjeje për vetëflijim.
Me këtë akt, Jasharët
jo vetëm që hodhën poshtë idenë e nënshtrimit, por e ngritën qëndresën në një
nivel simbolik dhe historik, duke e bërë të qartë se për ta, liria nuk ishte
negociatë, por vlerë që mbrohej me jetën. Barrikadimi i tyre në kullë nuk ishte
vetëm një masë mbrojtëse fizike, por një akt i qartë politik dhe moral, që
shënjoi fillimin e një epoke të re në historinë e Kosovës – epokës së UÇK-së si ushtri popullore dhe si zë kolektiv i popullit të
nëpërkëmbur.
Pikërisht për këtë
arsye, 5 marsi nuk është thjesht një datë kalendarike, por një ditë që u skalit
në kujtesën kombëtare si çasti kur refuzimi për të jetuar nën pushtim u bë akt
i pavdekshëm. Në Kullën e Jasharëve, u dëshmua se heroizmi nuk është frymëzim i
çastit, por përkushtim i gjatë, i heshtur dhe i ndërgjegjshëm për atë që është
më e shtrenjtë – liria dhe dinjiteti
i popullit.
Më 5 mars të vitit 1998, ndërsa luftime të ashpra
dhe të pandërprera zhvilloheshin në Prekaz, në zemër të kësaj përplasjeje
ndodhej vetë Afete Hamzë Jashari – jo si një dëshmitare e
rastësishme, por si pjesë e një qëndrese familjare që sfidonte me guxim një
pushtet ushtarak të pamëshirshëm. E rrethuar nga zjarri, tymi dhe britmat e
historisë që po shkruhej me gjak, Afetja gjendej në Kullën e Rezistencës, së
bashku me babain e saj, Hamzë Jasharin – një ndër figurat
qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – me nënën, Feride
Mecini-Jashari, dhe me gjithë anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë.
Në atë hapësirë
tashmë të shndërruar në një fortesë të sakrificës, ajo ndante çastet e fundit
me motrat e saj – Selveten, Lirinë, Fatimen dhe Blerinën – si dhe me vëllezërit, Besimin e Blerimin. Kulla, që për dekada kishte qenë strehë e
përditshmërisë dhe jetës së qetë familjare, atë ditë u shndërrua në arenën e
përplasjes mes jetës dhe vdekjes, ndërmjet pushtimit dhe dinjitetit, ndërmjet
asgjësimit dhe qëndresës.
Mizoria e ofensivës
serbe nuk kurseu askënd. Shumica e anëtarëve të familjes së Hamzë Jasharit u
flijuan, duke u shndërruar në dëshmorë të kombit dhe në gurë themeltarë të
shtetformimit të Kosovës. Nga kjo familje e ngushtë, vetëm dy mbijetuan: Bekimi
dhe Besarta Jashari – fëmijë që bartën mbi shpatullat e njoma jo vetëm
traumën e një masakre, por edhe amanetin për të jetuar për ata që ranë.
Ky fragment i
dhembshëm i historisë sonë përfaqëson jo vetëm tragjedinë e një familjeje, por
edhe heroizmin e një brezi që u rrit me vetëdijen e përballjes me vdekjen për
të jetuar lirinë. Qëndresa e Afetes dhe familjarëve të saj në Kullën e
Rezistencës nuk ishte një episod i shkëputur, por një kapitull madhështor në
epopenë e çlirimit të Kosovës, që dëshmoi se aty ku rënia është e përbashkët,
edhe pavdekësia bëhet kolektive.
Në historinë moderne
të shqiptarëve, familja Jashari nga Prekazi është shndërruar në simbolin më të
fuqishëm të sakrificës kolektive, të vetëdijes së përkushtuar për liri dhe të
qëndresës së palëkundur përballë shtypjes. Heroizmi i saj, i mishëruar në
betejën epike të marsit 1998, nuk mbeti i harruar apo thjesht i ruajtur në
kujtesën popullore, përkundrazi, ai u kurorëzua me një sërë aktesh zyrtare
nderimi dhe respekti nga institucionet më të larta të shtetit të Kosovës dhe të
Shqipërisë.
Dekoratat,
mirënjohjet dhe falënderimet e shumta që kjo familje ka marrë nga autoritetet
shtetërore nuk janë thjesht shenja formale vlerësimi, por akte të domosdoshme
simbolike për të përkujtuar dhe legjitimuar, në nivel institucional, atë që
populli shqiptar e kishte vendosur tashmë në panteonin e vet historik: se
familja Jashari është themel i lirisë së Kosovës.
Një nga deklaratat më
domethënëse për të kuptuar përmasat e kësaj sakrifice është ajo e
kryeadministratorit të parë ndërkombëtar të Kosovës, Bernard Kouchner, i cili
me një ndjeshmëri të thellë njerëzore dhe politike u shpreh se, po të
ekzistonte një Çmim Nobel për Rezistencën, ai pa asnjë mëdyshje do t’i takonte
familjes Jashari. Kjo thënie, më shumë se një vlerësim personal, shpreh një të
vërtetë universale përmes gjuhës së diplomacisë: se qëndresa e Jasharëve
tejkalon kufijtë e historisë kombëtare dhe bëhet pjesë e ndërgjegjes
ndërkombëtare për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Në një kohë kur bota
shpesh harron të dëgjojë zërat e atyre që sakrifikojnë gjithçka për liri,
Jasharët janë zëri që nuk mund të heshtet. Ata nuk kërkuan famë, por drejtësi;
nuk luftuan për lavdi, por për të drejtën e të jetuarit të lirë. Dhe pikërisht
për këtë, mirënjohja ndaj tyre nuk është vetëm e merituar, por edhe një detyrim
moral i përhershëm i shtetit dhe i shoqërisë.
Në historinë e
lavdishme të rezistencës shqiptare, Beteja e Prekazit zë një vend të veçantë si
simbol i sakrificës sublime dhe qëndresës së pamposhtur për liri dhe dinjitet.
E zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kjo betejë u shndërrua në një akt
kulmor të vetëdijes kombëtare, ku ideali i lirisë u mishërua në veprën dhe
gjakun e një familjeje – familjes
Jashari – e cila qëndroi e pathyeshme
përballë një makinerie ushtarake të një shteti shtypës.
Në zemër të kësaj
epopeje qëndron figura e Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, i cili, së bashku me vëllain Hamzën, babanë Shabanin dhe
anëtarët e tjerë të familjes, u rreshtuan pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të
atdheut, dinjitetit njerëzor dhe trashëgimisë së brezave. Kulla e Jasharëve në
Prekaz nuk ishte më thjesht një banesë familjare; ajo u shndërrua në fortesën e
krenarisë shqiptare, në simbolin e një vendosmërie që nuk njeh dorëzim.
Për tre ditë me
radhë, forcat serbe sulmuan me mjete të rënda luftarake, por Jasharët nuk u
tërhoqën. Ata luftuan me vetëdijen se po shkruanin me gjak një kapitull të ri
të historisë sonë. Në këtë betejë heroike, ranë 59 dëshmorë nga lagjja Jashari
dhe nga miqtë që ndodheshin atë ditë në rrethim. Ishte një çmim i lartë për
lirinë, por edhe një akt i pashoq i sakrificës kolektive.
Prekës është numri i
anëtarëve të rënë nga familja e kryefamiljarit Shaban Jashari – gra, burra e fëmijë – emrat e të cilëve nuk janë më thjesht pjesë e një liste, por
udhërrëfyes të ndërgjegjes sonë kombëtare: Shaban Murat Jashari, Zahide Shaban
Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Feride Ramadan Jashari,
Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari, Hidajete Rifat Jashari, Valdete
Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamzë
Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari, Lirie Hamzë Jashari, Blerim
Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë Jashari, Fitim Adem Jashari,
Kushtrim Adem Jashari – të gjithë dëshmi e gjallë e një qëndrese të rrallë.
Nga familja e ngushtë e Hamëz Jasharit mbijetuan vetëm Bekimi dhe Besarta,
dëshmi të gjalla të një tragjedie që u kthye në thirrje për liri.
Beteja e Prekazit nuk
është vetëm një ngjarje historike; ajo është gurthemel i shtetndërtimit të
Kosovës, mësim i përhershëm për gjeneratat që vijnë dhe një ndër aktet më të
larta të sakrificës në historinë e popullit shqiptar. Në kujtesën kolektive,
ajo do të mbetet përgjithmonë si momenti ku përballja me vdekjen u bë akt i
jetës për liri.
Literatura:
https://www.radiokosovaelire.com/afete-hamze-jashari-16-8-1980-5-3-1998/
https://vendlindjaimeshqiperi.wordpress.com/2020/12/20/afete-hamze-jashari-16-8-1980/
https://sq.wikipedia.org/wiki/Ham%C3%ABz_Jashari
https://www.botasot.info/aktuale-lajme/664547/keta-jane-emrat-e-familjareve-te-jasharajve-qe-dhane-jeten-per-liri/
https://fjala.info/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1980/
https://www.linkedin.com/posts/eglantina-bilalli-0113b01a2_lufta-heroike-e-familjes-jashari-u-zhvillua-activity-7170740657421029377-htr5