Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (7)
E marte, 08.07.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (7)
QËNDRESA
E GRAVE TË FAMILJES JASHARI, 1998 (II)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kjo betejë nuk
ishte vetëm për mbrojtjen e një shtëpie apo të një fisi, por për mbrojtjen e
një ideali – të lirisë, të të drejtës për ekzistencë dhe të së ardhmes së një
populli të tërë. Në këtë kuptim, Prekazi dhe fjala e dhënë në atë shtëpi të
rrethuar nga dhuna u shndërruan në kodin etik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
dhe në pikëmbështetjen morale të gjithë lëvizjes për çlirim.
Në marsin tragjik
të vitit 1998, gjatë betejës së lavdishme në Prekaz, në kullat e familjes
Jashari – që tashmë përfaqësojnë një nga simbolet më të ndritura të qëndresës
shqiptare – u flijuan 48 anëtarë të kësaj familjeje, të të gjitha moshave dhe
gjinive. Vetëm nga familja e ngushtë e komandantit legjendar Adem Jashari, u
vranë 20 anëtarë, ndër ta 12 gra e vajza, përfshirë edhe tri të mitura. Kjo
masakër, e kryer nga forcat serbe, nuk ishte thjesht një akt dhune i verbër,
por një përpjekje për të shuar një vatër rezistence, për të zhdukur nga rrënjët
një familje që mishëronte vetë idealin e lirisë.
Sakrifica e grave
të familjes Jashari zbulon përmasat më të thella të qëndresës kombëtare, sepse
ato nuk ishin vetëm nëna, bashkëshorte apo motra të luftëtarëve – ato vetë u
bënë pjesë e betejës, me praninë, guximin dhe vendosmërinë e tyre. Emrat e tyre
nuk janë thjesht pjesë e një liste të dhimbshme, por dëshmi të pavdekshme të
një përkushtimi që tejkalon çdo koncept të zakonshëm të sakrificës.
Midis tyre
përmendim: Zahide Geci – Jashari, nëna 74-vjeçare e Adem Jasharit, e cila
qëndroi në shtëpi dhe u vra si nënë që nuk braktis tokën e vet; Zarife Jashari
(49), gruaja e Rifat Jasharit; tri vajzat e tij: Hidajete (18), Valdete (15),
dhe Igballe (11), të cilat u vranë pa e njohur ende botën, por me emrin e
Jasharajve mbi supe. Po ashtu, Feride Meçini – Jashari (43), gruaja e Hamëz
Jasharit, së bashku me pesë vajzat e tyre: Selvete (20), Afete (17), Lirie
(15), Fatime (9), dhe Blerinë (7), u bënë pjesë e një sakrifice që s’ka të
krahasuar në historinë tonë kombëtare. Në fund, Adile Rama – Jashari (40),
gruaja e Adem Jasharit, u vra ndër të parat, teksa – siç dëshmon Besarta
Jashari, e vetmja e mbijetuar – përpiqej të dërgonte municion në katin e tretë
të shtëpisë, aty ku luftonin bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, Hamza.
Kjo dëshmi
rrëqethëse nuk është vetëm një kronikë lufte, por një pasqyrim i dimensionit të
shenjtë të flijimit. Gratë e familjes Jashari nuk u larguan, nuk u fshehën, nuk
u nënshtruan. Ato qëndruan, duke e bërë shtëpinë e tyre jo thjesht vendbanim,
por kala të qëndresës, duke e kthyer jetën e tyre në mburojë për idealin e lirisë.
Në këtë kuptim,
sakrifica e tyre shënon jo vetëm një plagë në ndërgjegjen njerëzore për
brutalitetin e pushtuesit, por edhe një majë të lartë morale në historinë e
rezistencës kombëtare. Ato u bënë dëshmi e heshtur, por e pavdekshme, se liria
e një populli ngrihet mbi flijimin e të gjithë brezave, pa dallim moshe a
gjinie. Dhe pikërisht për këtë, emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë.
Sulmi i egër dhe i
koordinuar mbi familjen Jashari nuk ishte një akt i rastësishëm i dhunës
shtetërore serbe, as thjesht një goditje e verbër mbi një familje shqiptare për
shkak të përkatësisë së saj etnike. Ky sulm ishte i mirëmenduar, i planifikuar
dhe me objektiva të shumëfishtë – politikë, ushtarakë dhe psikologjikë. Ai u
ndërmor sepse familja Jashari nuk ishte një familje e zakonshme: ajo
përfaqësonte zemrën ideologjike dhe strukturore të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, ishte bërthama organizative dhe morale e rezistencës së armatosur
shqiptare kundër regjimit serb.
Pjesëtarët e saj
ishin më shumë sesa luftëtarë – ata ishin simboli i gjallë i përkushtimit ndaj
lirisë, mishërimi i qëndresës kombëtare dhe modeli i një familjeje që nuk e
ndante jetën nga atdheu. Shembulli i tyre ishte bërë frymëzim për qindra të rinj,
ishte kthyer në një pikë referimi për një popull të tërë që kërkonte çlirim dhe
dinjitet.
Prandaj, Serbia e
kishte të qartë se për të thyer rezistencën shqiptare, duhej të godiste
pikërisht aty ku ishte më e fortë: në zemrën e saj – në familjen Jashari.
Synimi nuk ishte vetëm eliminimi fizik i një grupi luftëtarësh, por edhe
zhdukja simbolike e një ideali. Duke e shënjestruar këtë familje, pushteti serb
synonte të përhapte frikë dhe tmerr në çdo vatër shqiptare, të dërgonte një
mesazh paralizues për të gjithë ata që guxonin të ëndërronin lirinë.
Por ajo që ndodhi
në Prekaz pati efektin e kundërt: në vend të dorëzimit, erdhi ngritja; në vend
të frikës, erdhi mobilizimi kombëtar. Prekazi nuk u shua, por u përjetësua. Dhe
familja Jashari, në vend që të zhdukej, u kthye në ikonë të lirisë shqiptare,
në një testament të gjallë se ideali nuk mund të vritet me zjarr e plumba,
sepse ai jeton në shpirtin e një populli që nuk pranon të jetojë pa dinjitet.
Sulmi brutal ndaj
familjes Jashari nuk ishte një akt i izoluar i dhunës së verbër apo një
përpjekje e thjeshtë për të eliminuar një strukturë të caktuar familjare
shqiptare. Ai përfaqësonte një strategji të mirëmenduar të aparatit shtetëror
serb, me qëllime që shkonin përtej asgjësimit fizik të komandantit të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe anëtarëve të familjes së tij. Në
thelb, qëllimi i këtij sulmi ishte shumë më i thellë, më simbolik dhe më
ogurzi: shuarja e guximit kolektiv të shqiptarëve për të luftuar për liri, për
çlirim dhe për bashkim kombëtar.
Duke sulmuar një familje që kishte shndërruar shtëpinë në kala rezistence dhe jetën në simbol të përkushtimit të pakushtëzuar ndaj atdheut, regjimi serb synonte të dërgonte një mesazh paralizues për gjithë popullin shqiptar: se çmimi i aspiratës për liri do të ishte shkatërrimi i plotë. Aty ku vriteshin burra, gra dhe fëmijë, synohej të vritej edhe shpresa. Aty ku digjej një vatër, synohej të digjej vetë ideali. E vërteta e këtij sulmi shtrihet pikërisht në këtë përpjekje për të goditur në rrënjë ndjenjën e guximit, të vendosmërisë dhe të vetëdijes kolektive shqiptare për drejtësinë e kauzës së saj.
Megjithatë, në
përpjekjen për të vrarë guximin, Serbia prodhoi të kundërtën e asaj që kishte
synuar. Prekazi nuk u bë varr i shpresës, por vendlindja e një ideali që mori
jetë të re në zemrat e mijëra shqiptarëve. Guximi nuk u shua – përkundrazi, ai
u përjetësua, u shndërrua në frymë mobilizuese që i dha lëvizjes çlirimtare një
dimension të pandalshëm dhe një drejtim të pakthyeshëm. Prandaj, sulmi ndaj
familjes Jashari, në vend që të shërbente si akt frikësimi, u shndërrua në
ngjarje themeluese të vetëdijes së re kombëtare shqiptare – një vetëdije e
mbështetur mbi guximin që nuk u vra dot, sepse ishte më i fortë se vetë vdekja.
Në periudhat më të
errëta historike, kur në trojet shqiptare mungonte thuajse krejtësisht një
sistem i institucionalizuar edukativo-arsimor, i organizuar dhe i garantuar nga
shteti, procesi i edukimit nuk u ndërpre. Përkundrazi, ai u zhvendos dhe u
përqendrua në një hapësirë tjetër: në mjedisin familjar, ku roli i nënës dhe i
gjyshes u bë themelor, madje vendimtar, në formimin moral, shpirtëror dhe
kombëtar të fëmijës. Familja, në këtë kontekst, nuk ishte vetëm një njësi
sociale, por një shkollë e gjallë e vetëdijes kombëtare dhe e qëndresës.
Figura e nënës
shqiptare, në veçanti, ngrihet në këtë kontekst si bartëse e trashëgimisë
morale dhe e edukimit të brezave në frymën e nderit, të sakrificës dhe të
përkushtimit ndaj atdheut. Ajo nuk e përcillte vetëm gjuhën dhe zakonet, por
edhe idealin e lirisë dhe të qëndresës. Siç e thotë edhe urtia popullore,
“burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha” – një thënie që,
përtej dimensionit poetik, ngërthen në vetvete një të vërtetë të thellë
kulturore: se karakteri dhe guximi i burrit kanë rrënjë në edukimin dhe në
shpirtin e gruas që e lind dhe e rrit.
Gruaja shqiptare,
në të gjitha periudhat e historisë sonë, ka dëshmuar se trimëria nuk është
virtyt i kufizuar, por i kultivuar. Ajo nuk ka qenë vetëm përkrahëse e
luftëtarëve, por edhe edukatore e burrave të së nesërmes. Me ndjenjë të lartë
të përgjegjësisë morale, ajo ka përbuzur frikacakun, e ka refuzuar nënshtrimin
dhe ka mallkuar edhe vetë birin e saj nëse ai ishte i gatshëm të ulej përpara
rrezikut apo të zbrapsej para vdekjes.
Ky qëndrim nuk
buronte nga ashpërsia, por nga një ndjenjë e thellë e drejtësisë dhe e detyrës
historike: të rrisë jo vetëm djem, por burra që dinë të mbrojnë nderin,
shtëpinë dhe atdheun. Kësisoj, edukimi që ndodhte në heshtjen e odës, në
përkëdheljen e mençur të nënës apo në këshillën e gjyshes, ishte një edukim i
heshtur, por i fuqishëm – një shkollë e ndërtuar mbi themelet e sakrificës dhe
të përkushtimit që i ka dhënë kombit shqiptar figurat më të ndritura të
qëndresës.
E tillë ishte edhe "shkolla" e edukimit atdhetar në familjen Jashari të Prekazit të Drenicës – një shkollë e pazëshme, por e fuqishme, ndërtuar mbi themelet e sakrificës, dashurisë për atdheun dhe qëndresës pa kompromis. Kjo nuk ishte një shkollë me banka e tabela, por një hapësirë jetësore ku çdo ditë fëmijët mësonin virtytin e guximit, krenarinë për përkatësinë kombëtare, dhe përgjegjësinë për lirinë. Mësueset e kësaj shkolle të pazëvendësueshme ishin gratë e familjes Jashari – nënat, gjyshet, motrat – të cilat edukonin jo me fjalë të shumta, por me jetën dhe qëndrimin e tyre. Ky model edukimi do të mbetet një nga testamentet më të fuqishme morale të historisë sonë kombëtare, që do t’i tejkalojë kufijtë e kohës dhe do të ruhet në kujtesën e brezave, përjetësisht.
Nga kjo betejë
epike, që tashmë e ka tejkaluar dimensionin historik për të hyrë në atë të
legjendës, mbijetuan vetëm dy fëmijë – dy figura që bartin në vete jo vetëm
dhimbjen e të shkuarës, por edhe peshën e kujtesës kolektive. Bashkimi, djali i
Rifat Jasharit, arriti të largohej nga rrethimi gjatë ditëve të tmerrit – më 5
dhe 6 mars – duke i shpëtuar kështu një masakre që kishte për synim zhdukjen e
tërësishme të një familjeje dhe të një simboli të qëndresës.
Por mbijetesa që
do të merrte vlerë të dyfishtë ishte ajo e një vajze të vogël me shpirt të butë
dhe me një emër që do të bëhej emblemë e një epoke: Besarta – bija e Hamëz
Jasharit. Ajo nuk mbijetoi rastësisht. Mbijetesa e saj u bë domosdoshmëri simbolike,
një testament i gjallë i dy misioneve të mëdha që ajo do të bartë përjetësisht
në historinë tonë kombëtare:
– Për të qenë
dëshmitare e një ngjarjeje legjendare-mitike, e cila nuk është vetëm një episod
lufte, por një akt themelor i sakrificës dhe i ndërtimit të identitetit tonë
kombëtar;
– Dhe për të qenë
dëshmitare e misionit dhe e sakrificës për liri, për të treguar me zë të qetë,
por me fuqi të thellë, se liria ka çmim dhe se ajo nuk vjen pa gjak, pa dhimbje
dhe pa vendosmëri.
Besarta mbetet kështu
një figurë kyçe jo vetëm në rrëfimin e ngjarjes së Prekazit, por edhe në
ndërgjegjen morale të kombit shqiptar – një dëshmi e gjallë se, edhe kur
pushtuesi përpiqet të fshijë një histori, vetë jeta ngrihet në mbrojtje të
kujtesës, për ta mbajtur gjallë atë që s’mund të vritet: idealin e lirisë.
Ajo që ndodhi në
fillim të marsit të vitit 1998 në Prekaz nuk ishte vetëm një ngjarje e
dhimbshme në historinë e një populli të shtypur, por një akt që do të
përvijohej si dëshmi e gjallë për ndërgjegjen ndërkombëtare – për botën e
qytetëruar dhe për instancat e saja politike dhe diplomatike. Në thelbin e saj,
kjo ngjarje – për nga përmasat e flijimit, qëndresës dhe masakrimit të një
familjeje të tërë – ishte aq e thellë dhe tronditëse, saqë kapërceu kufijtë e tragjedisë
lokale dhe u shndërrua në një pikë kthese historike me rezonancë globale.
Sakrifica e
komandantit legjendar Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe Jasharët e
tjerë, nuk përfaqësonte thjesht një përballje të armatosur, por një akt i
pastër i vetëflijimit për lirinë. Kjo ngjarje u bë katalizator për
ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e vendosur atë në ballë të
agjendës politike botërore. Nuk ishte më e mundur të injorohej drama e një
populli që, përmes qëndresës së familjes Jashari, shprehu me gjak dhe dinjitet
kërkesën legjitime për liri dhe vetëvendosje.
Ky akt –
njëkohësisht tragjik dhe heroik – shënoi fundin e epokës së frikës dhe fillimin
e një etape të re për Kosovën. Me rënien e Ademit dhe të familjes së tij,
Kosova nuk u thye, por u ngrit më e fortë. Në vend të nënshtrimit, ajo zgjodhi
guximin; në vend të heshtjes, zgjodhi zërin e pushkës që kërkonte drejtësi. Dhe
pikërisht për këtë, ngjarja e Prekazit do të mbetet një gur themeli i historisë
moderne shqiptare – momenti kur një komb, përmes një sakrifice të
jashtëzakonshme, çau rrugën drejt lirisë dhe shpresës për të ardhmen.
Vrasja e familjes
Jashari nuk ishte thjesht një akt i pamëshirshëm i një regjimi shtypës, por një
ngjarje me simbolikë të thellë historike dhe politike – një kumt i prerë se
iluzioni i bashkëjetesës së detyruar mes Kosovës shqiptare dhe Serbisë
kolonialiste kishte marrë fund njëherë e mirë. Ky akt tragjik, por njëkohësisht
epokal, artikuloi me gjak një të vërtetë që kishte qëndruar e nënshtruar për
shumë kohë: se populli shqiptar i Kosovës nuk mund të jetojë nën robëri, se
realiteti kosovar nuk mund të vazhdojë të ekzistojë si hapësirë e përbashkët
mes pushtuesit dhe të pushtuarit.
Me sakrificën e saj sublime, familja Jashari i dha përmbajtje identitetit politik dhe moral të Kosovës. Nëpërmjet flijimit të plotë, ajo e artikuloi në mënyrën më të fuqishme të mundshme të drejtën e Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Në një kohë kur retorika politike ndonjëherë fshihej pas kalkulimeve diplomatike, Prekazi u bë fjala e prerë që nuk kërkonte përkthim: Kosova është e pamundur të kuptohet pa liri.
Familja Jashari,
në këtë mënyrë, i dha emër dhe drejtim çlirimit të Kosovës. Ajo nuk përfaqësoi
vetëm një viktimë të terrorit shtetëror, por u shndërrua në themel të një realiteti
të ri, që do të formësonte ndërgjegjen kolektive të popullit dhe do të
udhëhiqte procesin çlirimtar në muajt dhe vitet që pasuan. Në këtë kuptim,
Prekazi nuk ishte fundi, por fillimi i një epoke të re për Kosovën – një epokë
që do të ndërtohej mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi identitetin e rikthyer të
një populli që zgjodhi të mos jetojë më i përkulur.
Qëndresa e
pathyeshme e grave të familjes Jashari përbën një prej figuracioneve më
madhështore të heroizmit të heshtur që historia shqiptare njeh. Ato nuk mbajtën
vetëm barrën e një përditshmërie të rëndë brenda mureve të shtëpisë, por u bënë
frymëzim i gjallë për breza të tërë grash shqiptare – si në kohën e luftës,
ashtu edhe në paqen e brishtë që pasoi.
Edhe pse në dukje
roli i tyre shtrihej brenda hapësirës së shtëpisë, në realitet ato zinin një
vend të çmuar dhe të nderuar në strukturën shpirtërore dhe morale të familjes.
Rrënjët e rezistencës nuk ishin vetëm në pushkë, por edhe në përkushtimin, në
sakrificën e heshtur dhe në ndjenjën sublime të përgjegjësisë që mbartnin si
gra, si bashkëshorte dhe mbi të gjitha – si nëna.
Jeta e grave të
Jasharajve fisnikërohej jo vetëm nga vështirësitë që përballonin, por nga vetë
kuptimi që ato i jepnin nënësisë: një nënë që rrit trim, që nuk përkulët
përballë frikës, që nuk e pranon dorëzimin si alternativë. Ky është modeli që
ato trashëguan dhe lanë pas: një shembull i gruas shqiptare që, edhe në skaj të
dhimbjes dhe tragjedisë, e ruan dinjitetin dhe bëhet shtyllë e fortë e kujtesës
kolektive dhe e vetëdijes kombëtare.
Pa dyshim, për
gratë e familjes Jashari – dhe në mënyrë të gjerë për shumë gra shqiptare të
kohës – të qenit nënë dhe bashkëshorte nuk ishin thjesht role shoqërore, por
themelet mbi të cilat ndërtohej identiteti i tyre moral dhe ekzistencial. Ato i
shihnin këto detyra jo si kufizime, por si privilegje që mbartnin përgjegjësi
të larta, të ushtruara me përkushtim të thellë dhe dinjitet të heshtur.
Megjithatë,
historia na mëson se kur liria e atdheut dhe e familjes u vu në rrezik, këto
gra nuk hezituan të dalin përtej këtyre roleve tradicionale. Ato e vendosën në
peshore dashurinë për fëmijët dhe bashkëshortët me dashurinë për tokën, për
dinjitetin kolektiv dhe për të ardhmen. Dhe vendimi i tyre – i heshtur, por i
pathyeshëm – ishte sakrifica.
Duke braktisur
rehatinë e përditshmërisë, ato u ngritën në piedestalin e historisë, jo më
thjesht si nëna e bashkëshorte, por si bashkëluftëtare në betejën për liri. Ky
akt sublim i sakrificës e vuri gruan shqiptare në një pozicion të barabartë me
burrin në luftën për çlirim, duke e shpallur njëherë e mirë se heroizmi nuk
njeh gjini – ai është virtyt i shpirtit të lirë dhe i vendosmërisë për të mos
jetuar nën robëri.
Sakrifica e bërë
në Prekaz përfaqëson një nga momentet më kulmore dhe gjithëpërfshirëse në
historinë moderne të popullit shqiptar, me jehonë që tejkaloi kufijtë kombëtarë
dhe përfshiu të gjithë spektrin ndërkombëtar – qoftë në Lindje apo në Perëndim.
Ajo nuk ishte thjesht një ngjarje tragjike apo një akt rezistence; ishte një
thirrje e fuqishme morale dhe historike që tronditi ndërgjegjen kolektive të
njerëzimit.
Prekazi nuk u bë
simbol vetëm i qëndresës, por u kthye në pikë referimi për kuptimin e
sakrificës sublime dhe të përballjes mes të drejtës dhe dhunës. Intensiteti i
ngjarjes, mënyra e organizimit të saj, qëndresa e palëkundur dhe flijimi i të
gjithë familjes Jashari, tronditën jo vetëm opinionin shqiptar, por çdo
vëzhgues ndërkombëtar që u përball me realitetin e asaj që ndodhi.
Pesha historike e
kësaj sakrifice nuk u ndal vetëm në kufijtë e Kosovës. Ajo lëvizi ndërgjegjen e
qendrave vendimmarrëse politike në botë, shtyu agjendat diplomatike të mbajnë
në fokus Kosovën dhe e bëri të pamohueshëm faktin se një popull që flijon jetën
për liri, nuk mund të injorohet. Kësisoj, Prekazi u kthye në një kod moral dhe
politik, i cili e vendosi çështjen shqiptare në plan të parë – si në zemrat e
njerëzve të thjeshtë, ashtu edhe në zyrat e fuqive ndërkombëtare.
Nuk është aspak e
rastësishme që Familja Jashari zë një vend të veçantë dhe polidimensional në
historinë e përpjekjeve për liri dhe dinjitet kombëtar. Roli i saj nuk
kufizohet vetëm në një akt të vetëm heroik apo në një periudhë të caktuar
historike; përkundrazi, ai shtrihet në një gamë të gjerë veprimi që nis nga
angazhimi në themelin politik të kauzës shqiptare, për të kaluar më tej në një
angazhim praktik, konkret dhe të pakthyeshëm në organizimin dhe nisjen e
rezistencës së armatosur në Kosovë.
Familja Jashari
nuk ishte thjesht bartëse e ideve për liri; ajo u bë shndërruesja e tyre në
veprim. Në një kohë kur shumëkush hezitonte, ata e kthyen bindjen në mision dhe
misionin në rezistencë të gjallë. Nëpërmjet këtij angazhimi të gjithanshëm, ajo
u kthye në simbol të ndërlidhjes midis aspiratës për shtetësi dhe vullnetit për
vetëflijim, duke e përforcuar legjitimitetin e përpjekjes shqiptare për çlirim
në sytë e opinionit vendas dhe ndërkombëtar.
Prandaj,
kontributi i kësaj familjeje nuk mund të kuptohet thjesht si një akt i izoluar
brenda një ngjarjeje të madhe; ai duhet parë si një hallkë e fuqishme në zinxhirin
historik të lëvizjes për liri, që përmban në vetvete vlera politike, historike,
morale dhe kombëtare. Kështu, figura e Familjes Jashari mbetet një udhërrëfyes
i fuqishëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm në kuptimin e sakrificës,
organizimit dhe domethënies së vërtetë të lirisë së fituar me gjak.
Qëndresa e
familjes Jashari ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm në rrafshin akademik,
publicistik dhe shoqëror, duke u trajtuar në një sërë shkrimesh, analizash dhe
reflektimesh të thelluara. Kjo ngjarje, që ndërthur heroizmin me flijimin, nuk
është vetëm një çast historik, por një fenomen që ka krijuar rezonancë të
vazhdueshme në ndërgjegjen kolektive të popullit shqiptar.
Ndër zërat më të
ndjeshëm dhe të sinqertë që i janë qasur kësaj teme është ai i Sadete Zhitisë,
motrës së dëshmorit Afrim Zhitia – një figurë e njohur për angazhimin atdhetar
dhe përkushtimin intelektual. Ajo, në një reflektim prekës, nënvizon se
madhështia e familjes Jashari nuk qëndron vetëm në numrin e jetëve të flijuara,
por në thelbin e vlerave që ajo mishëronte: “Vetëm një familje e tillë emblemë,
ku mbizotëronte harmonia dhe dashuria e pafund, mund të japë një mesazh kaq të
fuqishëm.”
Pikërisht përmes
këtij përshkrimi, ajo shtjellon një aspekt thelbësor: edukimi, kultura dhe
ndjenja e thellë patriotike, të rrënjosura brenda kësaj familjeje, ishin
shtyllat që bënë të mundur një akt të tillë të pashoq të vetësakrificës.
Sadetja vëren me të drejtë se Jasharajt nuk u bënë legjendë sepse koha i
mitizoi, por sepse ata e tejkaluan kohën me veprën e tyre. Ajo e vendos këtë
akt në një kontekst të pakrahasueshëm duke theksuar se: “Janë të panumërta
rastet kur heronjtë dhe dëshmorët kanë dhënë jetën për atdhe, por sakrifica që
bënë Jasharajt është unike. Ata luftuan bashkë me fëmijët e tyre.”
Në këtë mënyrë,
qëndresa e familjes Jashari nuk është thjesht një dëshmi tronditëse e vuajtjes
dhe flijimit, por një burim i fuqishëm i kuptimit të identitetit kombëtar dhe
një pikë e pashtershme referimi për vlerat që duhet të mbajnë të gjallë një
komb. Kjo është ajo që e ngre këtë ngjarje në një nivel të përtejshëm – jo
vetëm të historisë shqiptare, por edhe të vetë kuptimit të lirisë në përmasat e
saj më të thella njerëzore dhe shpirtërore.
Në përmbyllje të
kësaj trajtese që i kushtohet figurës dhe veprës madhore të grave të familjes
Jashari, është e domosdoshme të nënvizohet disa nga tiparet e tyre më të
ndritshme dhe përmasat e jashtëzakonshme që i karakterizuan ato – cilësi këto
që i japin kuptim të ri rolit të gruas në historinë kombëtare dhe e bëjnë këtë
rast unik në përmasat e tij simbolike, morale dhe politike.
Së pari, gratë e
Jasharajve, përmes qëndresës së tyre të palëkundur, mishërojnë një rol historik
që e tejkalon kornizën familjare dhe gjinore. Ato bëhen bartëse të identitetit
kombëtar, duke dëshmuar përmes aktit të tyre se liria nuk është thjesht një
aspiratë politike, por një gjendje shpirtërore që kërkon sakrificë të
përhershme. Kontributi i tyre nuk është thjesht pjesëmarrje, por pjesëmarrje me
vetëdije të lartë historike dhe me një qëllim të përbashkët kombëtar: ruajtjen
e dinjitetit dhe të trashëgimisë sonë.
Së dyti, këto gra
u përfshinë në mënyrë të organizuar dhe të vetëdijshme në përpjekjet për liri,
përkrah burrave të familjes. Ato nuk ishin spektatore të historisë, por aktere
të saj, duke e bartur barrën e luftës jo vetëm si nënë, bashkëshorte apo bijë,
por si pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në betejën për të drejtat kolektive dhe
identitetin e nëpërkëmbur.
Së treti, përmes
sakrificës së tyre të përbashkët, ato krijuan një model të organizimit kolektiv
që tejkalon edhe përpjekjet e mëhershme të historisë sonë. Në një shoqëri që
shpesh është përballur me fragmentarizim dhe ndasi, qëndresa e grave të
Jasharajve ofron një shembull unik të bashkimit rreth një ideali të vetëm:
lirisë.
Së katërti, gratë
e kësaj familjeje, me qëndrimin e tyre, sfiduan përfundimisht mitin e
pathyeshmërisë së pushtuesit. Ato treguan se as dhuna sistematike, as forca
ushtarake nuk mund ta mposhtin vendosmërinë e një populli kur gratë e tij
ngrihen në mbrojtje të shtëpisë dhe atdheut me të njëjtën guxim dhe bindje
sikurse burrat.
Dhe, së fundmi,
gratë e Jasharajve përfaqësojnë një fenomen unik në historinë kombëtare – një
rast i vetëm i organizimit dhe sakrificës së përbashkët që tejkalon rastin
individual apo familjar dhe shndërrohet në një simbol të rezistencës kolektive.
Në këtë kuptim, ky kontribut nuk është thjesht një kapitull në histori, por një
gur themeli i kujtesës kombëtare, një frymëzim për brezat e ardhshëm dhe një
thirrje e përhershme për guxim, dinjitet dhe sakrificë në emër të lirisë.
Literatura e
përdorur:
Konferencë shkencore “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”,
Instituti i Historisë-Prishtinë, Instituti i Historisë-Tiranë dhe Instituti për Trashigimi shpirtërore e
kulturore të Shqiptarëve- Shkup, 6 mars 2018, Prishtinë; Sabile
Keçmezi-Basha, “Qëndresa e grave të Familjes
Jashari, 1998”, Epoka e Re, dy vazhdime
8-9 mars 2018.
Krah
për krah me burrat, Kosovarja e Re,
nr. 1. 1982, f, 2.
Sevëme
Fetiqi, Gratë
janë shtylla të një kombi e jo dekor për standard, 15 mars, 2014, Tubim me gratë në Heidelberg, Manifestim
për nder të 8 Marsit, në organizimin e përbashkët të tri shoqatave, që veprojnë
dhe punojnë në Heidelberg dhe atë shoqatave të Gruas „Nënë Tereza“, „Nermin
Vlora- Falaschi“ si dhe shoqatës kulturore „ Iliria“.
Sabile
Keçmezi-Basha, Kosova, vështrim historiko-politik, 1945-1990, Prishtinë, 2017, 369
Agim
Sylejmani, Në rrugë drejtë lirisë
(Intervist me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare- Mehmet Hajrizi, Prishtinë, Nëntor 2016, 189-190
Më
gjerësisht, Bardh Hamzaj dhe Faik Hoti, Jasharët
(Historia e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari),
Prishtinë, 2003
Fehmi
Ajvazi, Kush ishte Adem Jashari (studim në dorëshkrim), 103
Sabile
Keçmezi-Basha, Kontributi
atdhetar i Hyrije Hanës, Prishtinë, 2011, f. 19-20; Mediha Shuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirim
kombëtar, (Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968), Prishtinë 1969, f, 405-406
www.alsat-m.tv/19-vjet-nga-beteja-e-jashareve, 3 prill 2017, Drenicë, 19 vjet nga beteja e Jasharëve, 9.02.2018
www.kosovapress.com/sq/opinione/dilaver-goxhaj-189/adem-jashari...3
prill 2017-04-03, Historia e
familjes Jashari, 6.02.2018
Rrëfimet
e Besarta dhe Bashkim Jasharit... Bardh
Hamzaj dhe Faik Hoti, Jasharët (Historia
e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari),
Prishtinë, 2003, 94-95
Zenepe
Dibra, Fjalor
enciklopedik i Gruas shqiptare, Shkodër, 2009, 193-194
Rrëfimimet
e Besarta dhe Bashkim Jasharit... Bardh
Hamzaj dhe Faik Hoti, Jasharët (Historia
e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari),
Prishtinë, 2003, 92
Sabile
Keçmezi-Basha, “Gruaja
shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare” (fejton 5 vazhdime),”Bujku” 24-28 janar 1996
www.albaniapress.com/lajme/15991/Adem-Jashari-lufta-dhe-rendesia-e..., 12. 02.2018
Bardh
Hamzaj dhe Faik Hoti, Jasharët (Historia
e rrëfyer nga Rifat, Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari),
Prishtinë, 2003, 91-95
Fehmi
Ajvazi, Vepër e cituar, 163
pashtriku.beepworld.de/.../dilavergoxhaj_ademjashariiii_2.12.07.htm, Adem
Jashari i tha popullit : Mos dëgjo moral nga imoralët
dhe, mos beso të pabesët!
Blerim Shala, Njeriu që diti sa vlen liria e Kosovës, Bardh Hamzaj dhe Faik Hoti, Jasharët (Historia e rrëfyer nga Rifat,
Besarata, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari), Prishtinë, 2003, 107
Sabile
Keçmezi-Basha, Heroizmi i gruas shqiptare
parë nga të huajt, Epoka e Re, 3
gusht 2015
Fehmi
Ajvazi, Kush ishte Adem Jashari (studim në dorëshkrim), 175
Sadete
Zhitia, Jasharajt - Madhështia e një
qëndrese kombëtare, Analizë
7.3.2008.