Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (12)
E marte, 22.07.2025, 06:59 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (12)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
AFËRDITË SEZAIR UKSHINI
(25. 2. 1976-12. 4. 1999)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kur shikoj
fotografinë e atdhetares Afërdita Ukshini, një ndjesi e pazakontë më pushton
thellë në kraharor. Është një ndjenjë e pashpjegueshme, e brendshme, si një
dhimbje e heshtur që ngrihet si hije mbi shpirt. Duart më dridhen dhe më
ftohen, sikur trupi im po reagon ndaj një përkujtimi të dhimbshëm që s’e ka
përjetuar drejtpërdrejt, por që e njeh nga diku tjetër, nga vetë rrënjët e
shpirtit.
Unë nuk pata fatin ta
njoh personalisht Afërditën. Por tani, pas më shumë se një çerek shekulli,
ndjej sikur ajo është bijë e imja, një mike e zemrës, një pjesë intime e
kujtesës sime emocionale. Figura e saj më paraqitet si një reflektim i
përvuajtjes dhe krenarisë së përbashkët, një përfaqësuese e asaj gruaje
shqiptare që mbart mbi supe historinë e plagosur, por kurrë të dorëzuar, të
këtij populli.
Në atë portret ka më
shumë se një imazh: ka një rrëfim të pathënë, një betim të heshtur, një dashuri
të thellë për lirinë dhe një dhimbje që nuk ka nevojë për fjalë. Është
pikërisht ky komunikim i heshtur, ky kumt i pashprehur, që më bën ta ndjej
praninë e saj kaq thellë – si një zë që më flet nga kujtesa kolektive, nga dhimbja
e përbashkët dhe nga një histori që është edhe personale, edhe kombëtare.
Mendimet më enden pa
ndalim dhe nuk arrij ta largoj nga vetja ndjesinë se, po të ishte gjallë sot,
vallë ku do të ndodhej ajo vajzë trime, aq e mençur dhe plot jetë? Imagjinata
më çon në rrugë që nuk u hapën kurrë për të – në një të ardhme që iu
mohua me dhunë, para kohe. Jo, ajo nuk duhej të ishte thjesht një emër i
skalitur mbi një pllakë përkujtimore, i heshtur dhe i ngurtësuar në mermerin e
kujtesës. Ajo duhej të ishte mes nesh, në gjallërinë e përditshmërisë, duke
udhëhequr me urtësi e vendosmëri ndonjë institucion shtetëror, aty ku vendosen
fatet e brezave. Duhej të ishte një nënë e përkushtuar, një grua që e ndërton
familjen me dashurinë që dikur ia dha atdheut.
Në një botë më të
drejtë, ajo do të ishte një prijëse e denjë, një zë i mençur dhe i fortë në
jetën publike, duke mishëruar atë që humbëm bashkë me të – mundësinë për ta parë në lulëzimin e plotë të jetës së saj. Por sot ajo na
flet nga përjetësia, nga ajo hapësirë që i përket të pavdekshmëve – atyre që jetën e lanë për ideal, dhe që do të jetojnë përgjithmonë në
ndërgjegjen tonë kolektive.
Kjo është ajo që
ndodh kur njeriu, i shtyrë nga vetëdija e lartë dhe ndjenja e thellë e
përkatësisë, zgjedh me vetëdije rrugën e lirisë – një rrugë që nuk
premton rehati, por mbart në vetvete dinjitetin më të lartë njerëzor. Në atë
çast të madh shpirtëror, vdekja nuk shihet më si fund, por si një lindje e re – si një hyrje në përjetësi përmes sakrificës.
Ata që japin jetën
për lirinë nuk zhduken me kohën, thoshin të moçmit. Përkundrazi, ata rrojnë
gjatë në kujtesën e popullit, të skalitur në historinë kombëtare si dritë
udhërrëfyese për brezat që do të vijnë. Emrat e tyre nuk janë më vetëm shenja
identiteti, por simbole të një ideali që nuk shuhet, të një dashurie të pakusht
që njerëzit kanë për atdheun e tyre. Prandaj, kur njeriu bie për liri, ai nuk
bie për të vdekur – ai lind për të mos u harruar kurrë. Dhe historia, në thellësinë
e saj më fisnike, e ngre në piedestal të pavdekshmërisë.
Kjo vajzë e
devotshme, Afërdita Ukshini lindi më 25 shkurt të vitit 1976, nga babai Sezairi
dhe nëna Sheqerie në qytetin e Rahovecit, në një familje modeste për nga
kushtet materiale, por të pasur në ndjenja atdhedashurie dhe ideale të larta
kombëtare. Që në moshë të vogël, nga përdhelja familjarët i lanë nofkën “Dita”,
ndërsa në ditët e luftës u bë e njohur me emrin e saj të rezistencës, Blertë
Ukgjini.
Afërdita Ukshini e
kreu shkollën fillore në qytetin e saj të lindjes, Rahovec, në një kohë kur
zëri i historisë jehonte fuqishëm në muret e shtëpive dhe rrugicat e qytetit.
Që në fëmijëri, ajo u rrit duke dëgjuar me adhurim rrëfimet për qëndresën e
rahovecianëve nëpër etapat më të ndritura të historisë shqiptare, dhe me një
ndjenjë të hershme alarmi për rrezikun që përfaqësonin çerdhet e nacionalizmit
serb në fshatrat e Anadrinit si Hoça e Madhe, Zaçishti, Apterrusha dhe
Bardhati. Këto rrëfime nuk ishin vetëm kujtime për të – ishin frymëzim, thirrje e heshtur për ndërgjegjësim dhe angazhim.
Megjithëse etja për
dije dhe dëshira për të ndjekur gjimnazin ishin të forta, rrjedha e jetës së
saj mori një tjetër drejtim sapo zëri i atdheut filloi të kumbonte me forcë në
ndërgjegjen e brezit të ri. Por, pavarësisht kësaj ndërprerjeje të dhimbshme,
ajo nuk u largua kurrë nga rruga e dijes shpirtërore dhe idealeve të larta. Në
vend të librave dhe orëve të mësimit, ajo zgjodhi të mësojë nga realiteti i
ashpër, të rritet me ndjenjën e përgjegjësisë dhe të forcohet me dashurinë për
lirinë. Ëndrra për drejtësi dhe për një atdhe të lirë nuk u shua asnjëherë – përkundrazi, ajo u shndërrua në udhërrëfyesin e heshtur, por të fuqishëm,
që do ta orientojë në angazhimet e mëvonshme të jetës, në shërbim të çështjes
kombëtare dhe të përpjekjeve për emancipim kolektiv.
Personaliteti i saj i
formuar nën ndikimin e një ambienti të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare,
reflektonte guxim, mençuri dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj idealeve
të lirisë. Familja Ukshini nga Rahoveci nuk ishte thjesht një vatër shqiptare
me vetëdije të thellë kombëtare, por një trung që dërgoi bijtë e vet më të mirë
në rrugën e çlirimit: Remziun, Sabitin, Mahmutin, Fatmirin dhe Sylejmanin – të gjithë të shquar si veprimtarë të përkushtuar dhe luftëtarë të
devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë klimë atdhetarie dhe
sakrifice u rrit edhe Afërdita, duke u bërë pjesë e gjeneratës që lirinë nuk e
pa si privilegj, por si detyrim ndaj kombit.
Pas janarit të vitit
1990, peizazhi politik dhe ritmi i zhvillimit të ngjarjeve marrin një drejtim
të ri, veçanërisht në zonën e Anadrinit, ku ilegalja fillon një periudhë më
dinamike e më të rrezikshme të veprimit. Në këtë periudhë të trazuar, kur
tensioni kombëtar arrin kulmin dhe përplasjet me forcat represive serbe bëhen
gjithnjë e më të përgjakshme, bien dëshmorët e parë të Anadrinit – të cilët përballen trimërisht me zjarrin e armikut në afërsi të fshatit
Brestos, duke u bërë gurthemeli i qëndresës së armatosur në këtë trevë.
Në këtë kontekst të
ndezur, Afërdita Ukshini, me rrënjë familjare nga Hoça e Vogël, fillon të
spikasë si një figurë e veçantë. Prania e saj e shpeshtë në fshatrat e Lugut të
Brestosit nuk ishte rastësi – ajo lidh ngushtësisht rrugën
e saj jetësore me rrethin e strukturave ilegale të Anadrinit. Me një
temperament më të guximshëm e shpirt më të trazuar se bashkëmoshatarët e saj,
ajo fitoi epitetin e një vajze “rebele”, të patrembur dhe të vendosur në rrugën
e rezistencës. Pikërisht për këtë arsye, bëhet objekt i ndjekjeve të
vazhdueshme nga ana e policisë serbe dhe, për të shmangur kapjen apo ndonjë
edhe diçka më të rëndë, Afërdita detyrohet të qëndrojë më shumë në Hoçë të
Vogël, duke u shkëputur gjithnjë e më tepër nga vendlindja e saj. Kështu, ajo
përjetësohet si një ndër figurat e para femërore që i dha zë dhe kurajë një
lëvizjeje të heshtur, por të vendosur për ndryshim.
Me formimin dhe
daljen publike të Batalionit të Rahovecit në zonën e njohur si “Kërshi i Keq”,
përplot entuziazëm dhe ndjenjë përgjegjësie kombëtare, edhe Afërdita Ukshini
nisi të interesohej seriozisht për t’u rreshtuar përkrah shokëve të lagjes dhe
kushërinjve të saj në rrugën e lavdishme të rezistencës së armatosur. Kjo
dëshirë e saj për t’u bërë pjesë e Luftës Çlirimtare nuk ishte një rastësi, por
shprehje e vetëdijes së një brezi të tërë që e ndiente se liria duhej të
fitohej me sakrificë. Dhe ky zë i femrës së Anadrinit nuk ishte më pak i
fuqishëm se ai i grave të trevave të tjera shqiptare që ishin zgjuar nga gjumi
i robërisë.
Në fakt, një tipar i
veçantë i kësaj përfshirjeje ishte se vajzat si Afërdita, por edhe shoqet e
saj, nuk ngurronin të kërkonin detyra që tejkalonin kufijtë tradicionalë të
rolit të femrës në luftë. Edhe pse shpesh u ofrohej angazhimi në logjistikë,
shumë prej tyre refuzonin me vendosmëri – jo nga përbuzja ndaj atyre
detyrave, por sepse ndiheshin më të përmbushura nëse luftonin përkrah djemve në
vijat e para të frontit. Krenaria e tyre ngrihej kur ishin në zjarrin e
betejës, kur merrnin pjesë në aksione guerile, dhe kur dëshmonin se liria është
një ideal që nuk njeh dallim gjinie. “Duam të jemi aty ku ka zjarr dhe flakë” – ishte refreni i pathyeshëm i këtyre vajzave, të cilat e shndërruan guximin
në armën më të fortë.
Me një sens të thellë
përgjegjësie dhe me vetëdije të qartë për misionin kombëtar, femrat e
Rahovecit, njësoj si në viset e tjera, bënin gjithçka për t’u radhitur në
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mungonin as përpjekjet e tyre për të bindur
komandantin legjendar Xhelal Hajda – Toni, që t’i pranonte në
formacione. Megjithatë, në fillimet e organizimit, pengesat nuk ishin të pakta – infrastrukturë e dobët, mungesë e objekteve të përshtatshme dhe kushte të
improvizuara për strehim e stërvitje ushtarake. Por pavarësisht këtyre
vështirësive, dëshira e zjarrtë për t’u përfshirë në rezistencë nuk shuhej,
duke e bërë femrën shqiptare një bashkëluftëtare të denjë përkrah burrave në
rrugën e gjatë drejt lirisë.
Në javën e parë të
qershorit të vitit 1998, realiteti i luftës në terren përballej me mungesa të
mëdha – jo vetëm të armëve dhe municioneve, por edhe të kushteve
më bazike të jetesës. Nuk ekzistonin as mundësitë minimale për të ngritur një
dhomë të fjetjes për luftëtaret e reja që dëshironin të rreshtoheshin në radhët
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak të këtyre rrethanave, emra të tillë
si Gëzim Hamza – Piktori dhe
Selajdin Mullabazi – Mici, që kishin përgjegjësi në organizimin e radhëve luftarake në zonën e
Rahovecit, u detyruan të prolongojnë përkohësisht kyçjen e drejtpërdrejtë të
grave luftëtare, pavarësisht vullnetit të tyre të palëkundur për të kontribuar.
Një nga të parat që u
kthye në qytet për shkak të mungesës së kushteve elementare për qëndrim ishte
Emsale Ilaz Shala. Ajo nuk kishte vetëm guximin, por edhe lidhje të
drejtpërdrejta me strukturat e Shtabit të Batalionit të Rahovecit. Pikërisht
për këtë arsye, ishte e shënjestruar nga strukturat paramilitare serbe, të
cilat e ekzekutuan të parën gjatë ofensivës barbare që u zhvillua në disa
drejtime kyçe të qytetit, si “Lagjja Ali Sokoli”, “Udha e Bllatës”, “Tumba e
Hamzagës” dhe “Kroni i Kajës”. Rënia e saj shënoi një plagë të rëndë për
qytetin, por edhe një thirrje të heshtur për rezistencë dhe qëndresë.
Megjithatë, Emsalja
nuk ishte e vetme. Pas saj, në skenën e luftës u radhitën edhe shumë femra të
tjera të Rahovecit – emra si Dritë Rexha, Fatime Bugari, Sanie Alirifa e të tjera – që dëshmuan me jetën dhe gjakun e tyre se nuk ka atdhedashuri më të madhe
sesa flijimi për liri. Kur filluan përpjekjet e komandantit Xhelal Hajda për të
depërtuar drejt qytetit nga zona e Hoçës së Vogël, duke kaluar përmes Luqes,
Arninës, Hamocëve dhe rrugëve të lashta të Rahovecit, rifilloi kontakti edhe me
femrat që më parë kishin kërkuar të bëhen pjesë e formacioneve luftarake.
Në këtë kontekst,
Afërdita Ukshini – tashmë e vendosur në fshatin Hoçë e Vogël – u aktivizua me një detyrë të veçantë në fushën e informimit dhe komunikimit strategjik,
me qëllim që të vepronte në qytetin e Rahovecit. Ajo nuk ishte më thjesht një
vajzë që bartte në zemër ëndrra për shkollim e jetë të qetë; ajo kishte
zgjedhur që në vend të një nusërie të zakonshme, të bëhej nuse e lirisë, e
kombit dhe e bashkimit të trojeve etnike. Vendimi i saj, si i shumë vajzave të
asaj kohe, ishte një manifestim i përkushtimit sublim për t’i dhënë Kosovës jo vetëm
një ditë më të mirë, por një të ardhme të lirë dhe të pavarur.
Në fazën e
konsolidimit të rezistencës në Anadrin dhe më gjerë, Afërdita Ukshini shfaqet
jo vetëm si një figurë e vendosur në radhët e luftës çlirimtare, por edhe si
një bijë e përkushtuar ndaj familjes, kombit dhe të vërtetës. Ajo, si pjesëtare
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në radhë të parë fillon të interesohet për
fatin e kushëririt të saj, Remzi Sadri Ukshini, i cili ishte zhdukur gjatë
luftimeve të ashpra në zonën e Rahovecit. Ky shqetësim i thellë e shtyn të
marrë përgjegjësi konkrete në terren: të depërtojë në qytetin e rrënuar, të
marrë informacione mbi vendndodhjen e mundshme të trupave të pajetë të Remziut,
si dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë si Agim Çelaj e Afrim Fazli Krasniqi. Ajo
kërkonte, po ashtu, të kuptonte gjendjen e banorëve që kishin mbetur në atë që
tashmë njihej si “Qyteti i Djegur”.
Pas humbjes së
luftëtarit Asllan Kleçka, në shtator të vitit 1998, batalioni i Rahovecit
riorganizohet dhe riarmatoset, duke u kthyer në fshatrat e Anadrinit. Lëvizja
nga Vlana përmes Qafë-Mullarit dhe Kushninit drejt fshatrave Piranë, Krushë e
Madhe, Krushë e Vogël, Celinë, Hoçë e Vogël, Nagac dhe Brestos shënon një etapë
të re të fuqizimit të rezistencës lokale. Pikërisht në këtë rrjedhë, Afërdita
Ukshini gjendet e angazhuar në mënyrë aktive në terren, duke vepruar përkrah
Batalionit të Rahovecit, tashmë në bashkëpunim të ngushtë edhe me Hadije
Spahiun, një tjetër figurë madhore që do të shkruhej me nder në historinë e
luftës çlirimtare.
Këto janë ditët e
rritjes dhe përforcimit të strukturave luftarake, kur bashkë me kushërinjtë e
saj – Sulejmanin, Mahmutin dhe Fatmir
Ukshinin – Afërdita kontribuon me
përkushtim të pashoq, ndonëse ende pa mundur të gjejë ndonjë gjurmë të Remziut,
kushëririt të saj të dashur, i cili kishte humbur kontaktet qysh në ditët e
para të përleshjeve në Rahovec.
Me kalimin e kohës
dhe me riorganizimin e Zonës Operative të Pashtrikut, Afërdita fillon të lëvizë
më shpesh në drejtime strategjike – Reti, Samadraxhë, Dabërdelan,
Pagarushë, Breshanc dhe Kasterc – aty ku ndodhej edhe Shtabi i Zonës. Ajo depërtonte në Kasterc si nga drejtimi i Hoçës së Vogël dhe
Retisë, ashtu edhe nga ana e Rahovecit përmes Dragobilit. Në çdo pikë ku
mbërrinte, prania e saj ishte e pritshme dhe e respektuar, por në shpirtin e
saj gjithmonë pulsonte një brengë e heshtur, ajo për familjen që e kishte lënë
në Rahovec, në një lagje të rrethuar nga çerdhe të spiunazhit dhe
bashkëpunëtorë të armikut. Me një ndjenjë përgjegjësie të thellë, ajo përpiqej
të gjente mënyrën për ta zhvendosur familjen, qoftë edhe përkohësisht, në një
vend më të sigurt – së paku në fshatin Hoçë e Vogël – me një kujdes të veçantë për vëllezërit e saj, Agronin dhe Xhemushin.
Kështu, jeta e saj u
shndërrua në një urë të fuqishme midis dashurisë për familjen dhe përkushtimit
për çështjen kombëtare – një jetë në shërbim të lirisë, ku secila ditë e saj
ishte një akt heroizmi i heshtur.
Më 22 shkurt të vitit
1999, në një moment kyç të organizimit të brendshëm të luftës, me urdhër të
komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, Ekrem Rexha – i njohur si komandant Drini – u mor vendimi që të gjitha gratë që ndodheshin në bazën e
Kastercit të largoheshin dhe të sistemoheshin nëpër fshatrat e Anadrinit.
Qëllimi ishte që ato të vazhdonin kontributin e tyre në sektorin civil, duke
ndihmuar luftën për liri në një formë tjetër, po aq të rëndësishme dhe
vendimtare.
Afërdita Ukshini, si
pjesë aktive e kësaj lufte, u tërhoq nga Kasterci dhe u vendos sërish në
fshatin Hoçë e Vogël, ku nisi një etapë të re të angazhimit të saj, tashmë më
të përqendruar në bashkëpunim me gratë e rrethisës. Ajo u lidh ngushtë me
motrat Gashi nga Krusha e Madhe, me gratë e Nagacit dhe të Brestosit, me qëllim
që të aktivizonte edhe më shumë gratë e Rahovecit në përkrahje të luftës
çlirimtare.
Duke ndjerë nevojën
për të rikthyer ndikimin në qytetin e saj të lindjes, ajo tentoi disa herë të
depërtonte në Rahavec. Këto përpjekje nuk ishin të lehta – ajo u ndihmua dhe u shoqërua nga tre vëllezër të devotshëm, Malësori,
Afrimi dhe Gazmendi, të cilët kujdeseshin për sigurinë e saj dhe e shoqëronin
deri në “Rrahjet e Rahavecit”, një zonë kyçe për hyrjen në qytet.
Misioni i Afërditës
në Rahovec ishte i qartë dhe i domosdoshëm: ajo duhej të rivendoste lidhjet me
bashkëluftëtaret Hadije Spahiu – tashmë dëshmore e kombit – si dhe me Ajshe Sadën e Makbule Sylkën. Këto gra ishin figura të
rëndësishme të rezistencës në qytet; njëra prej tyre, Makbulja, ishte
bashkëshortja e luftëtarit Albert Spahiu nga fshati Apterush, ndërsa tjetra
mbante lidhje familjare me Selajdin Mullabazin – Micin, një nga figurat kyçe të
luftës.
Pikërisht në këtë
kontekst, Afërdita nisi të zgjerojë rrjetin e saj të bashkëpunimit dhe të
formojë një bërthamë të fuqishme veprimi në zemër të qytetit – një çerdhe rezistence e organizuar me kujdes për të strehuar dhe
mbështetur veprimtarinë e guerilëve të UÇK-së, të cilët përpiqeshin të
depërtonin brenda në Rahovec, për të destabilizuar pozicionet e armikut nga
brenda.
Pas fillimit të
fushatës ajrore të NATO-s, dinamika e luftës në Anadrin mori një kthesë të re.
Aktiviteti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë u intensifikua dhe
fitoi një dimension të ri strategjik. Më shumë se kurrë, kontributi i grave si
Afërdita Ukshini u bë thelbësor – jo vetëm si pjesë e
logjistikës dhe informimit, por edhe si arkitekte të rrjeteve të rezistencës
urbane që mbajtën gjallë shpirtin e lirisë në ditët më të errëta të pushtimit.
Objektivi strategjik
i asaj faze të luftës bëhet depërtimi në qytetin e Rahovecit – një vend i ngarkuar me simbolikë, por edhe me rëndësi të veçantë për
rrjedhën e qëndresës në Anadrin. Më 1 prill 1999, luftëtarët e lirisë të
Batalionit të Rahovecit, nën komandën e Ismet Tarës, largohen nga fshatrat e
Anadrinit për t’u bashkuar me forcat e udhëhequra nga Tahir Sinani në fshatin
Kleçkë. Ky veprim ishte pjesë e një ristrukturimi të domosdoshëm taktik, që
synonte rigrupimin dhe përgatitjen për fazat e ardhshme të ofensivës.
Megjithatë, më 4
prill, batalioni rikthehet në zona të njohura dhe të njoma nga përvoja:
vendoset në Karvasari, Breshanc dhe Kasterc, duke e përdorur këtë trekëndësh si
trampolinë për një tjetër përpjekje drejt Rahovecit. Prej Pagarushës e deri
nëpërmjet fshatit Shkozë, luftëtarët nisin të lëvizin në mënyrë të organizuar
drejt Anadrinit, me bazën e konsoliduar sërish në Hoçën e Vogël – një vend që tashmë ishte kthyer në truallin e shpirtit të rezistencës
lokale.
Afërdita Ukshini
vazhdonte të ishte e pranishme në këtë qendër të veprimit. Me përkushtim të
pandërprerë, ajo lëvizte mes fshatrave Celinë, Hoçë e Vogël, Nagac dhe Brestos,
duke mbajtur lidhjet me rrjetet e rezistencës dhe duke koordinuar detyra të
shumta të karakterit logjistik dhe informativ. Në një moment kur të tjerët mund
të trembeshin apo të tërhiqeshin, ajo guxoi të kalojë në Rahavec, duke
depërtuar deri në lagjen e njohur si “Ambulanca”, për të vizituar familjen e
saj. Ky gjest, në dukje i thjeshtë, mbante në vete një peshë të madhe
emocionale dhe një trimëri të jashtëzakonshme, sepse Rahaveci ishte tashmë i
mbushur me rreziqe të çdo natyre.
Ndërkohë, forcat
paramilitare serbe kishin ndryshuar taktikat e terrorit. Nuk vepronin më me
pushkatime masive, siç kishin vepruar në të kaluarën. Ata tani përdornin një
metodë më të sofistikuar, më të frikshme – eliminimin selektiv. Kishin të dhëna të qarta dhe të sakta për personat kyç në lëvizjen e qëndresës,
për bazat e fshehta dhe për rrjetet e ndërlidhjes. Prandaj, goditnin saktë dhe
me qëllim të qartë shuarjeje të zërit të organizimit.
Kështu, ata kapën dhe
ekzekutuan tri prej grave më të guximshme të asaj epoke. Magbule Spahiun, e
lindur Sylka, Hadije Spahiun dhe Afërditë Ukshinin – të njohur edhe me nofkën Dita apo Blerta Ukgjini. Çdo njërën e zunë pranë
familjes së vet – aty ku zemra ishte
më e pambrojtur, por edhe më e fortë – dhe i ekzekutuan me mizori.
Hadije Spahiu u
pushkatua në fshatin Fortesë, në
një bazë të njohur të paramilitarëve. Ndërsa Afërdita Ukshini dhe Magbule
Spahiu u ekzekutuan së bashku në varrezat “Lugjet e Verdha” në Rahovec – vendi ku sakrifica e tyre mori përjetësinë dhe u skalit në kujtesën historike të
popullit si një ndër aktet më të ndritura të flijimit për liri.
Këto gra nuk u ndanë
nga jeta në mënyrë të zakonshme; ato ranë si heroinat më të mira që i dhanë
Kosovës shembullin e qëndresës pa kthim, duke e bërë emrin e tyre gur themeli
të pavdekësisë shqiptare.
Pas aktit mizor të
ekzekutimit, lajmi për vrasjen e Afërditës nuk vonoi të përhapej. Ishte
pikërisht polici Agim Isaku që, jo vetëm e bëri publik ngjarjen, por edhe
informoi familjen për mënyrën dhe procedurat për tërheqjen e trupit të saj. Një
lajm që përshkoi si rrufe zemrën e nënës, Sheqerisë, e cila me zemër të
copëtuar merr të birin, Xhemushin, për të kërkuar trupin e pajetë të së bijës.
Pamja që i priti ishte tronditëse, e pamëshirshme për çdo shpirt njerëzor.
Trupi i Afërditës,
edhe pse i masakruar, mbante ende vulën e krenarisë dhe bukurisë së saj, një
fytyrë e zeshkët, tashmë e verdhë nga vdekja, balli i lartë që fliste për
mendim dhe dritë, vetullat e holla që përqafonin një palë sy shqiponje – të cilët, ndonëse të fikur, dukeshin sikur ruanin ngulmimin e saj për
liri. Flokët e gjatë, të lëshuar për shpine, e bënin të dukej më shumë si një
heroinë mitologjike sesa një e re e njomë që kishte rënë pre e një mizorie të
pashoqe. Por trupi i saj ishte shënjuar nga dhuna më barbare: dy plumba kishin
mbyllur frymën e saj të fundit, ndërsa gjoksi i saj – simboli i mëmësisë dhe jetës – ishte prerë me egërsi të tmerrshme, dëshmi kjo e dhunës
çnjerëzore që vetëm hordhitë e egra, të dalë nga thellësitë e errëta të
historisë, mund të kryenin.
Kur UÇK-ja çliroi
zonën, dhe tokën filloi ta mbulonte një dritë e re e shpresës, luftëtari
Fahredin Hajda, vëllai i dëshmorëve të njohur Sadedin e Xhelal Hajda, niset për
të kërkuar miqtë dhe vëllezërit e tij të rënë. Në këtë kërkim, bashkë me
Samirin dhe Xhafer Nurkasën – edhe ata dëshmorë të kombit – zbulon edhe vendin ku ishin varrosur dy nga bijat
më të guximshme të Rahovecit: Afërdita Ukshini dhe
Magbule Spahiu. Ato pushonin në heshtje pranë varrit të Bekim Sylkës dhe Selim
Berishës, në një copëz dheu që fshehte shumë më tepër se sa një vdekje – fshehte një histori të tërë të dhimbjes dhe qëndresës.
Me ndjeshmëri të
thellë dhe respekt të pakufishëm, Fahredin Hajda vendos të zhvarrosë trupat e
tyre, jo për t’i shqetësuar, por për t’i vendosur aty ku i takonte, në
“Kopshtin e Dëshmorëve”. Ishte një akt nderimi dhe përmbushjeje – një përpjekje për t’i bashkuar të gjithë ata që ranë për një ëndërr të
përbashkët, që të preheshin së bashku në një tokë të lirë, e cila ishte vaditur
me gjakun e tyre.
Kështu, në heshtjen
madhështore të varrezave të dëshmorëve, pushojnë bashkë: luftëtarë dhe
luftëtare, djem dhe vajza, që lanë gjithçka pas për të na dhënë gjithçka – lirinë. Dhe aty, mbi barin që lulëzon përmes dhimbjes, historia sheh me
respekt dhe përkulje përballë sakrificës që nuk shuhet kurrë.
Në përvjetorin e
25-të të rënies së dëshmores së lavdishme Afërdita Ukshini, kryetari i komunës
së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të
Organizatës së Veteranëve të Luftës, i bëri homazhe kësaj figure të paharruar
në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Ky gjest përkujtues nuk ishte vetëm një
akt nderimi institucional, por një dëshmi e gjallë se kujtesa kolektive për
heroinat e lirisë është ende e gjallë dhe mbart një peshë të madhe në
ndërgjegjen tonë historike.
Afërdita Ukshini, në
moshën e njomë prej 22 vjetësh, la pas jo vetëm jetën e saj, por edhe një
shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm, duke u rreshtuar me guxim në frontin
e luftës për çlirim dhe pavarësi. Sakrifica e saj nuk është thjesht një emër në
pllakë përkujtimore, por një zë i fuqishëm i atyre që besuan në idealin e një
Kosove të lirë dhe sovrane. Ajo mbetet përherë në kujtesën e popullit, jo vetëm
si dëshmore, por si një simbol i gjallë i pathyeshmërisë, përkushtimit dhe
ëndrrës së realizuar për liri.
Literatura:
1. https://www.radiokosovaelire.com/me-12-prill-te-vitit-1999-ne-frontet-e-luftes-se-ushtrise-clirimtare-te-kosoves-kane-rene-deshmoret/
2. https://www.radiokosovaelire.com/afedite-sezair-ukshini-25-2-1976-12-4-1999/
3. https://gazetapapirus.com/deshmore-afedite-sezair-ukshini-25-2-1976-12-4-1999/
4. https://www.radiokosovaelire.com/kryetari-latifi-ne-25-vjetorin-e-renies-ka-perkujtuar-deshmoren-aferdita-ukshini/
5. https://www.cartogiraffe.com/kosova+++kosovo/rajoni+i+gjakov%C3%ABs+++%C4%91akovi%C4%8Dki+okrug/komuna+e+rahovecit+++op%C5%A1tina+orahovac/af%C3%ABrdita+ukshini/
6. https://pashtriku.org/aferdita-dervishi-phdc-sakrifica-e-femres-shqiptare-per-liri/
7. https://www.radiokosovaelire.com/remzi-sadri-ukshini-17-1-1977-22-7-1998/
8. Kryetari Latifi, në 25-vjetorin e rënies
ka përkujtuar dëshmoren Aferdita Ukshini 12/04/2023
9. Afërdita Dervishi, phd(c): Sakrifica e
femrës shqiptare për liri, 25 GUSHT, 2015
10. Feniksit e lirisë- 8
11. Myftar Memia, Nga lufta çlirimtare e
Kosovës: Një luftëtare e UÇK-së, Revista “Mbrojtja”, 10/1999, Tiranë.
12. Hanëmshahe Ilazi, A vriten engjëjt?!
(Vrasjet e fëmijëve në Kosovë) (1981-2000), Prishtinë 2021
13. Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë. Fehmiu
dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme, Tiranë, 2008,
14. Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare
për çlirim, Shemsi Syla, Portret i dëshmores Hanumshahe Abdullahu-Zymberi
“Nushja”, Prishtinë, 2010.
15. Aurela Elmasllari, Femra shqiptare të
spikatura…”Shote Galica”, postuar më 14 shkurt 2012 në:
http://unitedstatesofalbania.net/ ?p =5797).
16. Myftar Memia, Nga lufta çlirimtare e
Kosovës: Një luftëtare e UÇK-së, Revista “Mbrojtja”, 10/1999, Tiranë.
17. Sanije Gashi, Histori të tmerrit
1998-1999, Prishtinë, 2009.