Speciale » Basha
Sabile Basha: Kërkesë për inicimin e ngritjes së obeliskut përkujtimor në nder të të burgosurve politikë në Kosovë
E diele, 20.07.2025, 07:00 PM
KËRKESË ZYRTARE PËR INICIMIN E NGRITJES SË OBELISKUT PËRKUJTIMOR NË NDER TË TË BURGOSURVE POLITIKË NË KOSOVË (1945–1999)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
(ish-deputete e legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës)
Ditë
më parë, i drejtova një kërkesë Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës,
me qëllimin për të iniciuar ngritjen e një obelisku përkujtimor, në nder të të
gjithë atyre që kanë vuajtur burg politik në Kosovë, që nga viti 1945 deri më
1999.
Kjo
ide më lindi si një nevojë e thellë shpirtërore dhe qytetare, duke parë se
kontributi dhe sakrifica e të burgosurve politikë shpeshherë po anashkalohet
ose harrohet, megjithëse ata ishin ndër shtyllat e qëndresës kombëtare dhe të
lëvizjes për liri.
Besoj
se një obelisk i tillë do të ishte një akt dinjitoz kujtese, një shenjë
respekti dhe mirënjohjeje publike, si dhe një mësim i gjallë për brezat e rinj,
për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
E
shoh si një domosdoshmëri morale dhe historike që Shoqata e të Burgosurve
Politikë të Kosovës ta trajtojë me seriozitet të plotë këtë nismë, e cila nuk
është thjesht një propozim simbolik, por një thirrje e ndërgjegjes kombëtare
për t’u përkulur me nderim para atyre që vuajtën dhe sakrifikuan për idealin e
lirisë. Angazhimi i saj në realizimin e këtij projekti, në bashkërendim me
institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, do të përfaqësonte një akt të
lartë përgjegjësie kolektive dhe një gjest përkujtimor që tejkalon çdo formë
ceremoniale.
Ky
akt do të ishte një shenjë e fuqishme respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë
ata që, qoftë edhe për një ditë të vetme, kanë kaluar nëpër dhunën dhe
errësirën e burgjeve serbe për shkak të bindjeve të tyre politike dhe idealeve
kombëtare. Një përkushtim i tillë do të shërbente jo vetëm si akt kujtese, por
edhe si vlerësim i drejtë dhe i vonuar për sakrificën e atyre që kontribuan në
themelet e lirisë dhe shtetformimit të Kosovës shtet.
Harresa,
në çdo shoqëri, është ndër plagët më të dhimbshme dhe më të rrezikshme për
kujtesën kolektive. Ajo shfaqet në mënyrë të heshtur, por me pasoja të thella,
duke lënë në harresë individë, ngjarje dhe sakrifica që kanë ndërtuar themelet
e identitetit dhe lirisë së një kombi. Në kontekstin tonë historik, kur vitet
kalojnë me shpejtësi dhe brezat ndryshojnë, lind domosdoshmëria urgjente që si
shoqëri dhe si komb, të reflektojmë thellë për përgjegjësinë tonë ndaj ruajtjes
së kujtesës historike.
Figurat e shquara të Kosovës – ata që u burgosën, u
sakrifikuan, dhe hoqën dorë nga çdo e mirë personale për idealin e lirisë dhe
pavarësisë – nuk duhet të mbulohen nga pluhuri i harresës. Është detyrë morale,
qytetare dhe kombëtare që këtyre individëve t’u rikthehet vendi i merituar në
historinë e përbashkët. Vetëm duke u kujtuar dhe nderuar ata që dhanë gjithçka
për lirinë, mund të ndërtojmë një të ardhme të drejtë dhe të vetëdijshme për
rrugën e mundimshme që kemi përshkuar si popull.
Duke
qenë dëshmitare e rrjedhës së pandalshme të kohës dhe të harresës që shpesh e
shoqëron atë, ndjeva një thirrje të brendshme dhe një detyrim moral që të mos
mbetem në heshtje përballë mungesës së memorializimit të vuajtjeve të të
burgosurve politikë të Kosovës. Si studiuese e përkushtuar ndaj kësaj fushe, me
vite të tëra kërkimi e dokumentimi mbi përjetimet e atyre që sakrifikuan lirinë
e tyre personale për idealin kombëtar, e ndjeva këtë iniciativë si një
përgjegjësi profesionale dhe njerëzore.
Në
këtë frymë, formulova një kërkesë drejtuar Shoqatës së të Burgosurve Politikë
të Kosovës, që ajo të marrë nismën për ngritjen e një obelisku përkujtimor –
simbol të ndërgjegjes kombëtare. Ky obelisk nuk do të ishte vetëm një strukturë
fizike, por një akt i thellë reflektimi shoqëror dhe përuljeje ndaj historisë
sonë të dhimbshme, i cili do t’i jepte zë dhe formë të prekshme kujtesës
kolektive. Do të ishte një vend ku gjeneratat e reja do të mund të ndalen për
të medituar mbi çmimin e lirisë dhe për të kuptuar se ajo nuk ishte dhuratë,
por fryt i qëndresës dhe flijimit të atyre që kaluan nëpër errësirën e burgjeve
politike, pa u thyer asnjëherë në idealin e tyre për një Kosovë të lirë dhe
sovrane.
Dita e djeshme (17 korrik, 2025), ishte për mua dhe
bashkëshortin tim, Prof. Dr. Tefik Basha, një moment reflektimi dhe përkushtimi
të thellë ndaj kujtesës sonë kolektive. Së bashku vizituam ambientet e Shoqatës
së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ku na priti me ngrohtësi dhe respekt të
veçantë kryetari i saj, z. Shefik Sadiku – një figurë e njohur e qëndresës
shqiptare, ish i burgosur politik, njeri i urtë dhe me një mençuri të thellë,
që e ndien dhe mishëron ende peshën e vuajtjes dhe dinjitetit të asaj gjenerate
që nuk u përkul.
Me një ndjenjë të veçantë mirënjohjeje dhe simbolike,
gjatë vizitës në ambientet e Shoqatës patëm fatin të takohemi edhe me një nga
figurat më emblematike të qëndresës shqiptare – z. Selatin Novosella, një
veteran i çmuar i kauzës kombëtare dhe i vuajtjeve të burgut politik, i cili i
ka kushtuar jetën tërësisht shërbimit ndaj lirisë dhe dinjitetit të Kosovës.
Takimi me të ishte një përjetim i thellë dhe
frymëzues. Në një atmosferë të përzemërt dhe reflektive, zhvilluam një bisedë
të hapur e të ndershme, në të cilën z. Novosella, me përvojën, urtësinë dhe
përkushtimin që e karakterizon, shprehu menjëherë mbështetje të palëkundur për
iniciativën tonë. Si gjithmonë kur bëhet fjalë për çështje që prekin drejtësinë
historike dhe nderimin e të burgosurve politikë, ai u shfaq i pakompromis në
vullnetin e tij për të dhënë kontribut konkret.
Në
këtë takim simbolik e përplot përmbajtje, pata kënaqësinë t’i dhuroj kryetarit
të shoqatës z. Sadikut dy nga veprat e mia më të fundit: “Ekzekutimi i
shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave (1944–1990)” si dhe “TOP
Sekret – Dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e shërbimit të sigurimit
shtetëror jugosllav në Kosovë (1945–1966)”, një kopje për të personalisht
dhe dy të tjera për fondin bibliotekar të shoqatës, me shpresën se këto botime
do të shërbejnë si dëshmi të vlefshme për studiuesit dhe brezat që duan të
kuptojnë më thellë historinë e shtypjes dhe rezistencës sonë.
Megjithatë, biseda jonë rreth librave nuk u mbyll me
aktin e dhurimit të botimeve të fundit. Duke e shtyrë më tej diskutimin, e
pyeta nëse në bibliotekën e Shoqatës gjendeshin edhe veprat e tjera që kam
botuar ndër vite, të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar dhe dokumentare
historinë e të burgosurve politikë shqiptarë në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
Me një ton të qetë dhe të sinqertë, ai më konfirmoi se ato mungonin.
Në atë moment, e ndjeva si një përgjegjësi personale
dhe një detyrim intelektual që t’i premtoja se në një ditë të afërt do të sjell
të gjitha ato libra për fondin e bibliotekës së Shoqatës. Ndër to do të jetë
edhe botimi im më voluminoz dhe më gjithëpërfshirës: “Të burgosurit politik
shqiptarë në ish-Jugosllavi 1945–1990”, një vepër që me të dhëna arkivore
dhe analiza të dokumentuara, dëshmon përmasat dramatike të represionit: 666
shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim që shqiptarët i përjetuan nëpër qelitë e
sistemit shtypës jugosllav, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare
dhe qëndrimeve të tyre politike.
Ky akt, përtej dhurimit simbolik, është një përpjekje
për të rikthyer dhe përforcuar kujtesën kolektive, duke vendosur dijen dhe
dokumentimin në shërbim të së vërtetës historike dhe të ndërgjegjes shoqërore.
Pas
një bisede të këndshme dhe mjaft përmbajtësore, ku u prekën shumë çështje që
lidhen me të kaluarën tonë të përbashkët dhe nevojën për ruajtjen e saj nga
harresa, e paraqita qëllimin e vizitës sonë, dorëzimin e kërkesës zyrtare për
inicimin e ndërtimit të një obelisku përkujtimor në qendër të Prishtinës – një
monument që do të përfaqësonte ndërgjegjen tonë historike, nderimin për të
burgosurit politik dhe kujtesën kolektive të një epoke të dhimbshme, por të
lavdishme të popullit tonë.
Në
shprehjen e fytyrës së z. Shefik Sadikut, (kryetar) u dallua qartë një ndjenjë
e sinqertë gëzimi dhe miratimi për iniciativën e propozuar – një emocion që
buronte jo vetëm nga përvoja personale, por edhe nga vetëdija për rëndësinë që
mbart kujtesa historike në ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare. Ai e pranoi
kërkesën me një ndjenjë përkushtimi, e hapi dhe e lexoi me zë të lartë, duke i
dhënë asaj vëmendjen që i takon një akti simbolik me peshë kombëtare e shoqërore.
Pas
leximit, më përgëzoi për nismën, duke e cilësuar atë si një hap të guximshëm
dhe të nevojshëm drejt përjetësimit të sakrificës së të burgosurve politikë. Ai
shprehu optimizëm të matur se me bashkëpunimin dhe përkrahjen e të gjithë
akterëve—si institucioneve shtetërore, ashtu edhe individëve të ndërgjegjshëm e
dashamirës të çështjes kombëtare—do të mund ta çojmë këtë nismë deri në
realizim të plotë. Ky besim i tij, i artikuluar me përulësi dhe vendosmëri,
përforcoi bindjen se kauza jonë ka gjetur jehonë dhe mbështetje aty ku duhet,
në zemrat dhe ndërgjegjen e atyre që bartin kujtimin e sakrificës dhe të
përpjekjes për liri.
Pas shqyrtimit të kujdesshëm, kërkesa jonë u protokollua
zyrtarisht në evidencat e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, duke marrë kështu
trajtë institucionale dhe peshë procedurale në kuadër të veprimtarisë së saj.
Kryetari i Shoqatës, z. Shefik Sadiku, na siguroi me përkushtim se ajo do të
përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes së parë të ardhshme të kryesisë, duke
u dhënë mundësinë të gjithë anëtarëve të forumit drejtues të diskutojnë dhe ta
trajtojnë me seriozitet këtë iniciativë.
Qëndrimi i tij ishte i mbushur me optimizëm dhe besim
të sinqertë se kjo nismë e propozuar do të gjejë përkrahje dhe do të
konkretizohet me sukses. Ky qëndrim pozitiv jo vetëm që na inkurajoi, por edhe
na përforcoi bindjen se kemi ndërmarrë një hap të domosdoshëm dhe të drejtë. Ne
e përgëzuam këtë frymë bashkëpunuese dhe vullnetin e mirë, duke besuar se
bashkimi i energjive intelektuale, morale dhe institucionale do të mundësojë
realizimin e një projekti që i shërben jo vetëm kujtesës historike, por edhe
ndërgjegjes kolektive të kombit.
Kërkesa e dorëzuar përmbante këtë përmbajtje:
KËRKESË
Për ngritjen e një obelisku për të burgosurit politikë shqiptarë gjatë okupimit
jugosllav
Drejtuar:
Shoqatës
së të Burgosurve Politikë në Kosovë
I
nderuari kryetar i Sh.B.P.K, z. Shefik Sadiku
Të
nderuar përfaqësues të Shoqatës,
Me
këtë kërkesë, dëshiroj të shpreh respektin më të thellë për kontributin
historik të të gjithë atyre që, në periudhat më të vështira të historisë sonë,
sakrifikuan lirinë dhe jetën e tyre për idealin e madh të çlirimit dhe
pavarësisë së Kosovës.
Sot,
më shumë se kurrë, kemi nevojë të ruajmë dhe të nderojmë kujtesën kolektive të
popullit tonë – sidomos të atyre burrave dhe grave që u burgosën, u përndoqën,
e u sakrifikuan nga regjimi jugosllav vetëm sepse donin të ishin të lirë në
tokën e tyre.
Në
këtë frymë, propozoj dhe kërkoj që Shoqata Juaj, në bashkëpunim me
institucionet shtetërore dhe komunale, të ndërmarrë nismën për ngritjen e një OBELISKU PËRKUJTIMOR në një
vend simbolik në qendër të Prishtinës ose në një hapësirë publike me vlerë
historike, në nderim të të burgosurve politikë shqiptarë gjatë okupimit
jugosllav.
Ky
obelisk do të shërbente jo vetëm si një akt simbolik nderimi dhe mirënjohjeje
për qëndresën dhe sakrificën, por edhe si një dëshmi publike e historisë së
dhimbshme të popullit shqiptar në Kosovë — për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Duke
e ditur rolin e rëndësishëm që Shoqata Juaj ka luajtur në ruajtjen dhe
dokumentimin e kujtesës sonë historike, besoj se do ta mirëprisni këtë
iniciativë dhe do të angazhoheni për realizimin e saj, me përkushtimin dhe
seriozitetin që ju karakterizon.
Me respekt dhe
mirënjohje të thellë,
Prof. Dr. Sabile
Keçmezi-Basha
tel : +38349 135 201
17 qershor, 2025
Prishtinë