Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (10)
E merkure, 16.07.2025, 04:59 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE 10)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
AFIJE ADEMI – JASHARI
(06. 10. 1937 – 07. 03. 1998)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Të shkruarit për luftën e fundit në Kosovë, padyshim
se përfaqëson një sfidë të madhe historike, politike dhe njerëzore. Është e
pamundur të ndërtosh një rrëfim të plotë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa
ndalur vëmendjen edhe tek një dimension thelbësor dhe shpeshherë i anashkaluar:
roli i gruas në këtë luftë. Dashur apo padashur, çdo trajtim serioz i këtij
konflikti na shtyn drejt kësaj teme që kërkon ndriçim të thelluar dhe respekt
të veçantë.
Lufta e fundit në
Kosovë nuk ishte thjesht një përballje mes forcash ushtarake, ajo ishte një
përplasje e madhe që preku çdo qelizë të shoqërisë dhe përfshiu të gjitha
shtresat, duke i dhënë luftës një karakter të gjithëmbarshëm popullor. Brenda
këtij realiteti, gratë dhe vajzat nuk qenë vetëm spektatore të vuajtjeve apo
bartëse të dhimbjeve të përditshme që sjell lufta – ato u bënë aktere të drejtpërdrejta të rezistencës, të përkushtuara ndaj
idealit të lirisë, në mënyra të ndryshme dhe shpeshherë heroike.
Numri i grave dhe
vajzave që u përfshinë në luftë – qoftë si luftëtare në
rreshtat e UÇK-së, qoftë si ndihmëse në prapavijë, apo si mbështetëse morale
dhe organizative – është dëshmi e qartë e asaj se rezistenca nuk ishte
asnjëherë thjesht çështje burrash. Ato mbartën armët, bartën plagët, mbajtën
gjallë shpresën, por edhe duruan mbi trupin dhe shpirtin e tyre një pjesë të
dhembjes më të thellë që solli kjo luftë.
Kësisoj, përpjekja
për të shkruar një histori të ndershme dhe gjithëpërfshirëse të luftës për
çlirim të Kosovës do të ishte e paplotë pa vendosur gruan në piedestalin që e
meriton. Roli i saj nuk ishte margjinal, por thelbësor – si një shtyllë që mbajti peshën e përballjes dhe qëndresës kolektive. Kjo
luftë, në shumë forma, ishte edhe lufta e saj. Dhe historia do të duhej të bëjë
drejtësi për këtë kontribut të pashlyeshëm.
Në rrjedhën e
historisë shqiptare, gruaja ka qenë vazhdimisht pjesëmarrëse aktive në momentet
kyçe të fatit kombëtar. Ajo kurrë nuk e ka perceptuar veten si të ndarë nga
përpjekjet e popullit për liri, dinjitet dhe drejtësi. Në vend që të qëndrojë
në margjinat e historisë, gruaja shqiptare është pozicionuar shpesh në zemër të
ngjarjeve, duke dëshmuar se përkatësia gjinore nuk ka qenë pengesë, por një
dimension shtesë i forcës dhe sakrificës.
Kjo përfshirje bëhet
veçanërisht e dukshme në momentet më dramatike dhe vendimtare të historisë sonë
të afërt, siç është Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit
1998. Kjo betejë, që do të ngulitej thellë në ndërgjegjen kolektive të
shqiptarëve, përfaqëson jo vetëm një ndër aktet më të dhimbshme të rezistencës
sonë kombëtare, por edhe një ndër kulmet më të lavdishme të saj.
Prekazi nuk ishte
thjesht një vend ku u derdh gjak për liri; ai u shndërrua në simbolin më të
fuqishëm të qëndresës, të flijimit dhe të sakrificës familjare. Brenda këtij
episodi tragjik, gratë nuk ishin thjesht dëshmitare të dhimbjes, por bartëse të
qëndresës, të vendosmërisë dhe të stoicizmit që e karakterizon ndërgjegjen
kolektive shqiptare. Aty, në zemrën e zjarrit, u provua edhe një herë se gruaja
shqiptare nuk qëndron në prapaskenë kur kombi thërret, por ngrihet krahas
burrit për të mbrojtur atdheun, familjen dhe dinjitetin.
Për këtë arsye, kur
flasim për Prekazin, nuk mund ta ndërlidhim atë vetëm me aktin e rezistencës së
armatosur, por edhe me heroizmin moral e shpirtëror të grave që u bënë pjesë e
kësaj sakrifice. Prekazi është betejë e dhimbjes dhe e krenarisë, betejë që na
mëson se liria nuk vjen pa kosto, dhe se në këtë rrugë, gratë shqiptare kanë
qenë, janë dhe do të mbeten ndër shtyllat kryesore të mbijetesës dhe të
afirmimit kombëtar.
Lufta e Prekazit, e
cila zgjati tri ditë të njëpasnjëshme në marsin e vitit 1998, përfaqëson një
nga kulmet më të ndritura dhe njëherazi më të dhimbshme të rezistencës së
popullit shqiptar në Kosovë. Kjo betejë nuk ishte një përballje e zakonshme
ushtarake, ajo u shndërrua në një akt të jashtëzakonshëm të vetëflijimit
kolektiv, ku nuk u luftua vetëm me armë, por me gjithë qenien, me ndërgjegje
dhe me dinjitetin më të thellë njerëzor e kombëtar.
Në këtë rezistencë të
pashembullt, nuk bënë dallim as mosha e as gjinia. Të gjithë anëtarët e
familjes Jashari – burra, gra, pleq
dhe fëmijë – u ngritën në mbrojtje të atdheut si një trup i vetëm, si një familje që kishte
shndërruar shtëpinë në kala, dhe jetën në simbol të pavdekësisë. Në ballë të
kësaj qëndrese qëndronte kryetrimi Adem Jashari, emblema e luftës për liri, i
cili bashkë me vëllain Hamëzan dhe babain Shaban Jashari, udhëhoqi me trimëri
të pashoqe një betejë që do të përjetësohej në ndërgjegjen historike të kombit.
Por ajo që e bën këtë
akt edhe më të jashtëzakonshëm është pjesëmarrja e të gjithë lagjes Jashari, ku
çdo individ, pavarësisht moshës apo gjinisë, mori pjesë në betejë si pjesë e
një vullneti të përbashkët për të mos lejuar nëpërkëmbjen e lirisë dhe të
dinjitetit kombëtar. Kjo luftë e përgjakshme, por e lavdishme, nuk la pas vetëm
viktima – ajo krijoi heronj e
dëshmorë, krijoi një trashëgimi shpirtërore dhe
morale që do të ushqejë përherë identitetin dhe rezistencën shqiptare.
Në këtë mënyrë,
Prekazi nuk është vetëm emër gjeografik apo skenë e një lufte, ai është kthyer
në metaforë të sakrificës sublime, ku çdo frymë, çdo zë dhe çdo zemër që rrahu
në ato tri ditë, u bë pjesë e përjetshme e historisë sonë kolektive.
Në radhën e gjatë të
atyre që ranë në Betejën e lavdishme të Prekazit, përjetësisht do të kujtohet
edhe emri i Afije Adem Jasharit. E lindur më 6 tetor të vitit 1937, Afija ishte
bijë e Ademit nga fshati Likoshan, e lidhur që nga lindja me tokën dhe
historinë e Drenicës – zemrës së qëndresës shqiptare. Jeta e saj ishte shënuar
nga dhimbja dhe përballja me dhunën shtetërore që kishte përfshirë Kosovën qysh
në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore.
Ende fëmijë, vetëm
tetë vjeçe, Afija kishte qenë dëshmitare e një tjetër kapitulli të errët dhe të
përgjakshëm të historisë – represionit
të egër të forcave partizane të regjimit të Titos
dhe të ministrit famëkeq të Brendshëm, Aleksandar Rankoviq. Gjatë vitit 1945,
pas përplasjes së armatosur midis forcave komuniste dhe rezistencës shqiptare
të udhëhequr nga Shaban Palluzha, të gjitha fshatrat e Drenicës përjetuan një
valë të egër dhune, represioni dhe terrori shtetëror. Afija, edhe pse fëmijë,
nuk i harroi kurrë ato ditë, të cilat i ruajti në kujtesën e saj si plagë të
pashëruara.
Përvoja e hershme e
dhunës, e përjetuar jo vetëm si dëshmitare, por si pjesë e drejtpërdrejtë e
atij realiteti të ashpër, kishte formësuar botëkuptimin dhe ndjenjën e saj për
drejtësinë dhe lirinë. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo nuk kishte reshtur së
treguari me përulësi dhe vendosmëri për tmerret e asaj periudhe, për luftën e
shqiptarëve dhe për heroizmin e Drenicës që nuk u përkul as në ditët më të
vështira.
Vdekja e saj në
Prekaz, në krah të familjes Jashari, nuk ishte thjesht një humbje njerëzore,
por një akt simbolik që rrumbullakësonte një jetë të tërë të përkushtuar në
heshtje për mbijetesën, dinjitetin dhe identitetin kombëtar. Rënia e saj nuk
është veçse një dëshmi e dhimbshme e faktit se historia jonë është e përshkuar
nga sakrifica e brezave që e kanë mbrojtur këtë truall me jetën e tyre. Në
figurën e Afijes përmblidhen dhimbja e një kohe dhe qëndresa e një populli.
Afije Jashari,
përveçse figurë që mishëronte qëndresën dhe kujtesën historike të Drenicës,
ishte edhe simbol i gruas shqiptare që me përkushtim, dashuri dhe sakrificë i
qëndronte përballë sfidave të jetës familjare dhe shoqërore. Në një kohë të
rënduar nga pasiguria politike dhe dhuna e sistematizuar, ajo kishte ndërtuar
një jetë bashkëshortore me Sadik Qerim Jasharin nga Prekazi – një lidhje që do të shndërrohej jo vetëm në themel të një familjeje të
madhe, por edhe të një tradite që do t’i mbijetonte kohës.
Nga kjo martesë e
bekuar, Afija solli në jetë dhjetë fëmijë – pesë djem dhe pesë vajza
– duke përmbushur me devotshmëri misionin e nënës shqiptare: ruajtjen e jetës,
trashëgiminë e vlerave dhe edukimin në frymën e dashurisë për vendin, familjen
dhe punën. Ajo nuk ishte vetëm nëna që jepte ngrohtësi, por edhe edukatorja që
mëkonte ndjenja të thella përgjegjësie dhe atdhedashurie te fëmijët e saj.
Me duar të lodhura
nga puna, por me zemër të pathyeshme, ajo e përballoi jetën me dinjitet dhe
qëndrueshmëri, duke qenë njëherazi bashkëshorte e përkushtuar dhe nënë e
pamposhtur. Brenda mureve të shtëpisë së saj, ajo kultivoi jo vetëm jetën e
përditshme, por edhe ndjenjën e përkatësisë, që u trashëgua më pas te brezat që
u bënë pjesë e historisë heroike të Kosovës. Jeta e saj nuk mund të ndahet nga
historia e familjes Jashari, sepse në heshtjen, punën dhe dashurinë e saj
qëndronte forca e një gjenerate që rriti dëshmorë dhe mbolli rrënjët e lirisë.
Jeta ilegale nuk
ishte një përvojë e panjohur për Afije Jasharin; përkundrazi, ajo ishte pjesë e
realitetit të saj të përditshëm – një realitet i heshtur,
i ngarkuar me ndjenja të përziera frike, përgjegjësie dhe përkushtimi. E
vetëdijshme për rrethanat politike të kohës dhe për përmasat e rezistencës që
po lindte në gjirin e popullit shqiptar të Kosovës, ajo jetoi në një ambient ku
heshtja ishte mburojë dhe durimi një formë qëndrese.
Afija e dinte mirë se
bashkëshorti i saj, Sadik Jashari, sikurse edhe kunetërit dhe më vonë bijtë e
tyre, ishin të angazhuar në mënyrë të organizuar në radhët e lëvizjes
çlirimtare, në atë që më vonë do të shndërrohej në bërthamën e parë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Kjo lëvizje, e cila do të shënjonte një kapitull të ri
të historisë sonë, kishte në krye pikërisht Adem Jasharin, kushëririn e burrit
të saj – figurën emblemë të sakrificës dhe luftës për liri.
Brenda kësaj
atmosfere, Afija luajti një rol të heshtur, por thelbësor. Ajo jo vetëm që e
pranonte me dinjitet peshën e rrezikut që rëndonte mbi familjen e saj, por edhe
dinte ta ruante me përpikëri sekretin që mbante gjallë rrjetin e rezistencës.
Ajo nuk ishte thjesht dëshmitare e lëvizjeve të bashkëshortit dhe të afërmve të
tij – ajo ishte bashkëpunëtore e heshtur, mbështetëse e qëndrueshme dhe
rojtare e kujdesshme e çdo informacioni që mund të vinte në rrezik jetën e
atyre që kishin zgjedhur rrugën e luftës për liri.
Në këtë mënyrë, jeta
e saj merr dimensionin e një qëndrese të heshtur, të përkushtuar dhe të
qëndrueshme. Pa qenë ndoshta në vijën e parë të betejës, Afija ishte pjesë e
pandashme e infrastrukturës morale dhe praktike të luftës, një hallkë e
fuqishme në zinxhirin e rezistencës, ku besnikëria, mençuria dhe durimi ishin
armët e saj më të forta.
Më 31 dhjetor të
vitit 1991, në një periudhë kur tensionet politike dhe represioni shtetëror
kishin arritur një kulm të ri, familja Jashari ndodhej përballë një sfide
ekzistenciale. Në këtë kontekst dramatik, kur forcat serbe ndërmorën një
rrethim dhe më pas një sulm të drejtpërdrejtë kundër shtëpisë së Shaban Jasharit,
shumë hapësira private brenda lagjes Jashari u transformuan në pjesë të
rezistencës aktive. Ndër to, oda e Sadik Qerim Jasharit dhe e bashkëshortes së
tij, Afije Jashari, u shndërrua në një pikë strategjike të rëndësisë së
veçantë.
Kjo hapësirë, që më parë
ishte vend mikpritjeje dhe kuvendimi familjar, mori një funksion të dyfishtë:
nga njëra anë, shërbeu si depo për ruajtjen e armëve që do të përdoreshin në
mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit; nga ana tjetër, u bë vendtakimi për
veprimtarët e organizuar në bërthamën e parë të rezistencës së armatosur,
përfshirë Musën dhe Sahit Jasharin – nipat e Sadikut – të cilët vepronin nën komandën e Adem Jasharit, simbolit të qëndresës
shqiptare.
Ky moment dëshmon
qartë se në zemër të çdo përpjekjeje për liri gjenden edhe hapësirat intime,
familjare, të cilat në rrethana të jashtëzakonshme shndërrohen në vende të
rezistencës kolektive. Brenda këtij kuadri, edhe roli i Sadikut ishte thelbësor
– ai jo vetëm që kontribuonte me hapësirën fizike të shtëpisë së tij, por ishte i
angazhuar drejtpërdrejt edhe me gruan e tij- Afijen në mbikëqyrjen dhe
përcjelljen e lëvizjeve të forcave serbe, të vendosura në afërsi, në Fabrikën e
Municionit përballë lagjes Jashari.
Ky akt i organizimit
dhe i mbështetjes aktive, i zhvilluar brenda një familjeje që kishte zgjedhur
rrugën e rezistencës, tregon se lufta për liri në Kosovë nuk ishte një ngjarje
e jashtme, por një realitet i brendshëm, që prekte çdo shtëpi, çdo individ dhe
çdo odë. Në këtë rrëfim, oda e Sadikut dhe e Afijes nuk përfaqëson më vetëm një
hapësirë arkitekturore tradicionale, por një vatër të gjallë të lirisë në
përgatitje.
Për tri ditë të
pandërprera, qielli i Prekazit u mbulua nga tymi i barutit dhe britmat e
dhembjes, ndërsa mbi shtëpitë e lagjes Jashari dhe mbi trupat e pafajshëm të
anëtarëve të saj u derdh i tërë arsenali i makinerisë ushtarake serbe. Aty nuk
u kursyen as fëmijët, as gratë, as pleqtë – asnjë jetë, asnjë frymë
shqiptare që kishte zgjedhur të qëndronte në truallin e vet me dinjitet.
Përballë këtij tmerri, u shënua një nga kapitujt më të errët dhe më heroikë të
historisë sonë kombëtare.
Në këtë akt të
pashembullt të krimit dhe të qëndresës, 20 anëtarë të familjes së ngushtë të
komandantit legjendar Adem Jashari u flijuan, duke u përjetësuar përtej kufijve
të jetës fizike. Së bashku me ta ranë edhe 12 pjesëtarë të familjeve të
Sadikut, Hamitit dhe Qerimit, 11 të tjerë nga familjet e Halitit, Zymerit dhe
Zejnë Jasharit, si dhe dhjetëra të tjerë nga e gjithë lagjja e Prekazit, e cila
për tri ditë qëndroi si një kështjellë gjaku, dinjiteti dhe qëndrese.
Të gjithë të rënët
ishin të moshave të ndryshme – nga fëmijë të mitur e
vajza të reja, te nëna, gjyshe dhe pleq që, ndonëse të pambrojtur, refuzuan të
dorëzohen. Ata që mbanin armë, qëndruan deri në fund; ata që nuk kishin armë,
rezistuan me guximin e heshtur dhe qëndresën e shpirtit. Askush nuk u
ligështua, askush nuk hoqi dorë nga dinjiteti, sepse për ta, liria kishte më
shumë vlerë se vetë jeta.
Prekazi, në këtë
kontekst, nuk është më vetëm një vend – ai ishte kthyer në një simbol të shumëfishtë: i sakrificës dhe i qëndresës, i dhimbjes
dhe i krenarisë, i vuajtjes njerëzore dhe i heroizmit të përmasave epike. Ai
përfaqëson thelbin më të vërtetë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prekazi është vendlindja, formimi dhe kulmi i betejës së UÇK-së, një vend ku
lufta për liri nuk ishte një akt ushtarak i izoluar, por një përkushtim
familjar, kolektiv dhe historik.
UÇK-ja u mishërua me
Adem Jasharin, por ajo u përjetësua me të gjithë Jasharët që qëndruan krah tij – burra, gra e fëmijë – duke mbrojtur jo
vetëm shtëpitë e tyre, por edhe
dinjitetin e një populli të tërë. Ata ranë, jo për të heshtur, por për të folur
përjetësisht nëpërmes historisë. Ata ranë, jo për të humbur, por për të mos
lejuar që Kosova të vdiste. Dhe kështu, nga rrënojat e Prekazit u ringjall
shpresa, u konsolidua rezistenca dhe u ngjiz rrëfimi më autentik i luftës për
liri.
Pas tërheqjes së
turpshme të forcave serbe nga Prekazi, në dhjetor të vitit 1991, u bë gjithnjë
e më e qartë për Sadik Jasharin dhe për të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari
se strategjia e qëndresës së përbashkët dhe organizimit të brendshëm kishte
filluar të japë rezultatet e para konkrete. Ky moment u përjetua jo vetëm si
një fitore morale, por edhe si një dëshmi e qartë se lidhja e pathyeshme mes
pjesëtarëve të një familjeje të angazhuar dhe reagimi i bashkërenduar ndaj
dhunës shtetërore serbe mund të bënte dallimin në terren.
Pikërisht nga kjo
përvojë, nisi të forcohej edhe besimi i palëkundur në nevojën për një
rezistencë të organizuar, tashmë jo vetëm me përmasa simbolike apo morale, por
të strukturuar si qëndresë e armatosur. Në këtë fazë, përpjekja për liri kaloi
në një dimension të ri – atë të përgatitjes së një lufte të drejtë dhe të
domosdoshme për çlirim.
Adem Jashari, bashkë
me Hamzën, Musën, Sahitin dhe të tjerë veprimtarë të rinj, filluan të jetojnë
dhe veprojnë në kushte të plota fshehtësie, duke ndërtuar bazat e asaj që më
vonë do të njihej si bërthama themelore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo
fazë ilegale e veprimit nuk ishte thjesht mbijetesë apo shmangie nga represioni
– ishte organizim strategjik, ishte përgatitje e vetëdijshme për një përballje të
pashmangshme dhe të drejtë me strukturat pushtuese.
Ky proces shënon një
kthesë të rëndësishme historike: nga reagimi spontan drejt ndërtimit të
rezistencës së qëndrueshme dhe të disiplinuar. Lidhja farefisnore e Jasharëve,
që nga njëra anë përfaqësonte një trashëgimi të fortë morale dhe kulturore,
shndërrohej tanimë në një strukturë vepruese të rezistencës, ku besnikëria,
organizimi dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare bëheshin themele të luftës
për liri.
Pas ngjarjeve të
dhjetorit 1991, forcat policore serbe nuk do të guxonin të hynin më në Prekaz
për gati shtatë vjet, deri në pragun dramatik të pranverës së vitit 1998. Ky
përjashtim i heshtur ishte më shumë një paralajmërim i stuhisë që po
përgatitej, sesa shenjë e ndonjë përmbajtjeje të qëllimshme. Dhe ajo stuhi
shpërtheu më 5 mars 1998, kur, rreth orës 6 të mëngjesit, forcat ushtarake dhe
policore serbe filluan një nga sulmet më brutale dhe të përmasave të mëdha që
kishte njohur ndonjëherë një vendbanim civil në Kosovë.
Në mënyrë të
koordinuar dhe të pamëshirshme, Prekazi – më saktë lagjja
Jashari – u godit me të gjitha llojet e armëve të rënda: me topa të
kalibrave të ndryshëm, me tanke dhe me artileri të sofistikuar, duke u bërë
shënjestër e një agresioni që nuk njihte asnjë dallim ndërmjet luftëtarëve dhe
civilëve. Rrethimi ishte i plotë, i hekurt, duke bllokuar hyrjen dhe daljen nga
të gjitha anët – një izolim i paramenduar që kishte për synim
asgjësimin total të familjes Jashari dhe të simbolikës që ajo përfaqësonte për
lëvizjen çlirimtare.
Epiqendra e këtij
sulmi të përgjakshëm u vendos mbi shtëpitë e Shaban Jasharit – kryefamiljarit të kësaj familjeje historike – dhe mbi shtëpitë e Sadik, Hamdi
dhe Qerim Jasharit, të gjitha të ndodhura fare pranë pozicioneve të ushtrisë
serbe, që kishte instaluar njësi të blinduara në lindje të lagjes. Nga kjo
distancë strategjike prej vetëm 200 metrash, shtëpitë u bënë cak i bombardimeve
të pandërprera, pa u kursyer as gratë, as fëmijët, as të moshuarit.
Të gjitha shtëpitë e
lagjes, njëra pas tjetrës, u vunë në shënjestër. Në secilën prej tyre
ndodheshin nga dhjetë deri në njëzet anëtarë të familjeve që nuk kishin asnjë
mundësi shpëtimi – të ngujuar nën bombardime të përditshme, pa ushqim,
pa ilaçe, por me vendosmërinë për të qëndruar, për të mos u dorëzuar dhe për të
mos lejuar nëpërkëmbjen e nderit dhe të lirisë.
Në këtë betejë të
pashoqe, që sot përbën kulmin e qëndresës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, ranë me nder edhe Sadik Jashari bashkë me bashkëshorten e tij, Afije
Jasharin. Krah tyre u flijuan edhe bijtë e tyre, Hamdiu dhe Ramizi, si dhe
bijat, Elfija dhe Fatimja. Rënia e tyre nuk ishte një akt i zakonshëm tragjik,
por një përpjekje sublime për të ruajtur me jetë atë që kishte mbetur nga nderi
dhe identiteti kolektiv i një populli që po luftonte për mbijetesë.
Kjo betejë e
përgjakshme dhe e lavdishme, e zhvilluar në zemër të Drenicës, i dha Kosovës jo
vetëm një plagë të thellë, por edhe një testament të pashlyeshëm për brezat që
do të vinin – se liria fitohet
vetëm kur nuk mbetet më asgjë për të
humbur, veçse jeta që jepet për një të nesërme më të drejtë.
Nga kjo vëllazëri e
shquar, që përfaqësonte zemrën e qëndresës së armatosur në Prekaz, gjatë atyre
ditëve të përgjakshme dhe heroike të marsit 1998, ranë me nder figura të tjera
të familjes Jashari, duke përforcuar përjetësisht simbolikën e flijimit
kolektiv për lirinë e Kosovës. Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin
Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari dhe Salë Jashari – të gjithë pjesëtarë të kësaj vëllazërie të gjerë – u bënë dëshmitarë të përkushtimit pa kushte dhe të betimit të heshtur për
të mos iu nënshtruar asnjëherë dhunës dhe urrejtjes së pushtuesit.
Në mesin e të rënëve
ishte edhe bashkëshortja e Hamit Jasharit, një grua që jo vetëm qëndroi pranë
bashkëshortit të saj, por mori pjesë aktive në përpjekjen për të ruajtur
nderin, jetën dhe dinjitetin e familjes në kushte ekstreme. Po ashtu, ra edhe
Hajrije Jashari, një tjetër pjesëtare e kësaj familjeje të gjerë që, në ato
momente të rrethimit të hekurt, nuk e zgjodhi shpëtimin individual, por qëndroi
përkrah të vetëve, e gatshme të ndajë fatin me ta, deri në fund.
Rrezja e martirizimit
në këtë betejë nuk u kufizua vetëm në gjakun e familjes biologjike. Nën rrethim
u ndodhën edhe anëtarë të zgjeruar të fisit dhe miq të afërt të familjes
Jashari, të cilët patën të njëjtin fat, sepse qëndruan pranë kur ishte më së vështiri.
Midis tyre ishte Isak Halili, nip i familjes, si dhe miqtë besnikë Fatime Bazaj
dhe Smajl Bazaj, që u gjendën në lagjen e sulmuar, por që nuk zgjodhën të
dorëzohen apo të largohen – përkundrazi, u bënë
pjesë e aktit të qëndresës dhe u përfshinë në rrëfimin e lavdisë së përbashkët.
Ky përkushtim i
rrallë kolektiv, ku familjarë, gra, burra, nipër e miq u bënë bashkë në një
sakrificë të përbashkët, e shndërroi betejën e Prekazit në një monument të
gjallë të ndërgjegjes kombëtare. Secili prej këtyre emrave nuk është thjesht
pjesë e një liste të të rënëve – ata janë gurë themeli të
lirisë që u ndërtua me gjakun e tyre, të vendosur përjetësisht në ndërgjegjen e
një populli që nuk do të lejojë që kjo sakrificë të harrohet apo të
relativizohet. Prekazi, në këtë mënyrë, nuk është vetëm histori – është testament, është udhëzim dhe është betim për liri.
Trashëgimia e Afije
dhe Sadik Jasharit nuk mbaron me sakrificën e tyre sublime në betejën heroike
të Prekazit – ajo vazhdon të jetojë përmes brezave që ata lanë pas. Në mesin e
bijve të tyre janë Avdiu, Xhemajli dhe Arsimi, ndërsa bijat e kësaj familjeje
të lavdishme janë Sanija, Remzija dhe Shehidja – emra që mbajnë me krenari
peshën e një historie që është shkruar me gjak, qëndresë dhe përkushtim ndaj
atdheut. Përmes tyre dhe përmes shumë nipërve e mbesave, historia e kësaj
familjeje nuk është thjesht e ruajtur, por e jetuar dhe e trashëguar me nder.
Familja e Sadik
Jasharit, e cila sot jeton dhe kontribuon në Austri, vazhdon ta mbajë gjallë
kujtimin e të rënëve për liri jo vetëm në zemër, por edhe në përditshmëri. Duke
i përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes në brezin e ri, kjo
familje dëshmon se kujtimi i dëshmorëve nuk është një akt simbolik, por një
përkushtim i vazhdueshëm ndaj vlerave që ata përfaqësonin. Emri i secilit prej
tyre është bërë pjesë e identitetit familjar, pjesë e një trashëgimie që lidhet
ngushtë me historinë e çlirimit të Kosovës.
Në shenjë respekti
dhe nderimi për sakrificën e tyre, familja Jashari ka marrë mirënjohje të shumta
nga strukturat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së
Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Drenicës si dhe nga shoqatat e
luftës të cilat e ruajnë gjallë kujtesën e asaj periudhe historike.
Ky nderim nuk ka
mbetur vetëm në fjalë apo dokumente zyrtare – ai është skalitur
përjetësisht mbi varrezat e dëshmorëve të kësaj familjeje, në Kompleksin
Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Aty, mbi gurët e ftohtë të kujtesës, janë
gdhendur emrat që përfaqësojnë jo vetëm një familje, por një ideal të tërë
kombëtar. Ky kompleks, qëndron sot si një pelegrinazh i ndërgjegjes shqiptare,
ku historia e çdo emri është një gur në themelin e lirisë që gëzojmë sot – dhe emrat e familjes së Sadik e Afije Jasharit janë pjesë e pashlyeshme e
këtij themeli.
Literatura:
https://www.radiokosovaelire.com/afije-ademi-jashari-6-10-1937-7-3-1998/
https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB
https://sq.wikipedia.org/wiki/Adem_Jashari
https://telegrafi.com/keta-jane-59-deshmoret-e-rene-ne-betejen-e-familjes-jashari-dokument/
https://www.radiokosovaelire.com/komuna-e-skenderajt-nderon-sakrificen-e-komandatit-legjendar-adem-jashari-dhe-familjes-jashari-ne-27-vjetorin-e-epopese-se-ushtrise-clirimtare-te-kosoves/
https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/
https://www.rrenjet.iamalbanian.com/index.php?route=%2Ftree%2Falbanian%2Findividual%2FX6743%2FAfije-Ademi