E premte, 25.07.2025, 02:24 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (11)

E shtune, 19.07.2025, 02:59 PM


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (11)

GRATË  E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

ANTIGONA FAZLIU

(11 mars 1981- 30 prill 1999)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Të shkruash për gratë dhe vajzat e reja që morën pjesë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është thjesht një akt rrëfimi historik – është një përballje me ndjenja të dyfishta: krenarinë e thellë dhe dhimbjen e pazëshme, të cilat shpesh nuk mund të përshkruhen me fjalë. Kjo është një detyrë që shkon përtej të shkruarit si proces teknik; ajo është një akt kujtese, një akt nderimi dhe një borxh moral ndaj atyre që guxuan të përballen me armikun në mënyrën më të lartë të mundshme – me jetën e tyre.

Këto gra ishin pjesëmarrëse aktive në një proces historik; ato ishin bartëse të guximit dhe të vetëdijes kombëtare, të cilat në rrethana jashtëzakonisht të vështira u shndërruan në simbol të qëndresës, përkushtimit dhe flijimit. Të heshtet për to, do të ishte një padrejtësi e dytë – një heshtje që do të fshinte nga kujtesa kolektive një nga faqet më të ndritura të historisë sonë të afërt.

Megjithëse dhembja për humbjen e tyre është aq e madhe sa shpesh paralizon edhe fjalën, shkrimi për to është i domosdoshëm, sepse përmes tij ruajmë gjallë kujtimin dhe transmetojmë te brezat e ardhshëm mesazhin e sakrificës dhe të qëndresës. Krenaria që ndjejmë për to është forca që na shtyn të mbajmë gjallë rrëfimin e tyre, të pasqyrojmë madhështinë e shpirtit të tyre luftarak dhe të nderojmë me dinjitet rrugën që ato përshkuan për lirinë tonë të përbashkët. Prandaj, të shkruash për gratë e UÇK-së është më shumë se një përpjekje për dokumentim historik – është një akt i ndërgjegjshëm kujtese, një homazh i përhershëm ndaj vlerave sublime të atdhedashurisë, dhe një mjet për të ruajtur të paprekur krenarinë tonë kolektive.

Prej një kohe të gjatë jam thelluar me përkushtim në studimin e jetës dhe veprës së tyre, dhe shpeshherë, net të tëra më zënë pa gjumë – jo nga lodhja, por nga pesha e mendimeve për to, nga përpjekja e pandërprerë për ta përmbushur me dinjitet misionin që i kam vënë vetes. Të jem në lartësinë që meritojnë këto gra të jashtëzakonshme dhe të vërtetat që mbartin ato. Kjo përpjekje nuk është vetëm shkencore apo historike, por mbi të gjitha është një thirrje e brendshme morale, një dialog i vazhdueshëm me ndërgjegjen time dhe me historinë.

E ndjej si një detyrë të shenjtë që t’ia kushtoj gjithë përgatitjen time profesionale, gjithë përvojën dhe mundin tim, pa kursyer as përpjekjen më të vogël, për të shndërruar çdo fakt, çdo kujtim e çdo rrëfim në një dëshmi të gjallë e dinjitoze të lavdisë së tyre. Të jem e ndershme me veten dhe me historinë, për mua do të thotë ta trajtoj këtë punë si një mision që më obligon përjetësisht – për t’i dhënë zë atyre që nuk mund të flasin më, për të shlyer një borxh që nuk mund të paguhet me fjalë, por vetëm me përkushtim dhe ndershmëri absolute.

Në këtë përkushtim, kërkoj vetëm që e vërteta për këto figura të ndritura të kombit të mos shuhet kurrë, që emrat e tyre të mos mbeten në margjinat e historisë, por të ndriçojnë ballin e saj – aty ku e kanë vendin me plot meritë.

Ka ende shumë për të bërë për të përmbushur amanetin e madh që na kanë lënë gratë dhe vajzat atdhetare, me veprimtarinë e tyre të lavdishme dhe sakrificat që i dhanë jetë lirisë së Kosovës. Kjo trashëgimi nuk është vetëm një kujtim historik apo një shenjë respekti ndaj së kaluarës, por një obligim i gjallë dhe i përhershëm që kërkon veprim, angazhim dhe reflektim të vazhdueshëm.

Veprat e tyre nuk mund të mbesin të përmbyllura vetëm në rrëfime private apo nën pluhurin e harresës institucionale. Ato meritojnë të përkthehen në narrativa të fuqishme publike, në tekste shkollore, në kërkime shkencore, në përmendore e simbole të vetëdijes kombëtare. Sepse liria që gëzojmë sot nuk është dhuratë – është rezultat i një rruge të përgjakshme, ku këto gra lanë gjurmë të pashlyeshme me guximin, përkushtimin dhe vetmohimin e tyre.

Të kujdesemi për këtë amanet do të thotë të mos lejojmë që historia të shkruhet pa to, të mos lejojmë që heshtja t’i zëvendësojë emrat e tyre, dhe të mos i lëmë jashtë kujtesës sonë kolektive ato që dhanë gjithçka për një të nesërme më të drejtë. Ky është borxhi ynë, jo vetëm si individë, por si shoqëri që synon të ndërtojë një të ardhme të ndritur mbi themelet e së vërtetës dhe të drejtës.

Prandaj, duhet bërë shumë – me mendje, me zemër dhe me vepra – që ky amanet të mos mbetet fjalë bosh, por të shndërrohet në një shtyllë të qëndrueshme të identitetit dhe vetëdijes sonë kombëtare.

Ka çaste kur njeriu ndjen se gjuha e humb fuqinë e saj. Fjalët veniten përballë dhimbjes që sjell një fotografi e ruajtur– një imazh i ngrirë në kohë që flet më shumë se miliona fjalë, që ther më thellë se çdo varg e që zgjon më shumë dhimbje se çdo rrëfim. Në ato momente, heshtja bëhet gjuhë e dhimbjes, dhe mendja kërkon një rrugë për të çliruar revoltën e brendshme që grumbullohet në shpirt.

Shpesh, kur ndalem para këtyre imazheve që flasin me gjuhën e gjakut dhe sakrificës, më lind një dëshirë e fortë – një nevojë e thellë ekzistenciale – për të bërtitur me gjithë fuqinë që ka shpirti: “Pse i vratë këto vajza, këto gra? Pse këta burra? Çfarë faji kishin fëmijët që në vend të lodrave, ju u dhatë plumba?”

Ky nuk është një reagim emocional i çastit, por një shpërthim i vetëdijes kolektive që ngrihet kundër padrejtësisë, kundër dhunës së pakuptimtë dhe kundër një historie që u shkrua me gjak të pafajshëm. Është një thirrje që vjen nga thellësitë e ndërgjegjes njerëzore, që nuk pranon të heshtë përballë krimeve që cenojnë vetë themelin e njerëzimit – jetën e të pafajshmëve, ëndrrat e fëmijëve, dinjitetin e grave dhe burrave që luftuan jo për pushtet, por për të drejtën për të jetuar të lirë.

Në fund të ditës, mbetet një plagë e hapur, një pyetje që endet në ajër dhe s’gjen qetësi: si është e mundur që jeta u mohua kaq pashpirt për kaq shumë njerëz, që dhimbja u bë fat dhe viktimat (mos dhashë zoti) të harrohen nga historia? Dhe pikërisht për këtë, duhet të kujtojmë, të shkruajmë, të flasim – jo vetëm për të mbajtur gjallë kujtimin, por për të mos lejuar që padrejtësia të bëhet normë dhe krimi të kalojë pa gjykim në ndërgjegjen e një kombi.

Brenda kësaj gjenerate të ndritur grash dhe vajzash që u rreshtuan në vijën e parë të luftës për liri, që sfiduan frikën dhe përballuan dhunën me dinjitet e vendosmëri, një vend të veçantë e të paharrueshëm zë Antigona Fazliu – vajza e re dhe e bukur, e cila, me guximin dhe idealin e saj, u bë pjesë e historisë sonë më të lavdishme.

Ajo nuk ishte thjesht një figurë e hijshme në pamje, por mbi të gjitha një shpirt i madh, një ndër ato heroinat e reja që me të gjithë qenien e tyre besuan në lirinë e popullit të vet, në të drejtën për të jetuar në paqe e dinjitet, dhe që këtë ideal e vunë mbi çdo interes personal, mbi çdo ëndërr rinore. Antigona përfaqësonte një brez që nuk hoqi dorë nga jeta, por e vuri atë në shërbim të një ideali më të madh – lirisë së Kosovës.

Emri i saj, përkrah shumë grave të tjera të pathyeshme, është pjesë përbërëse e mozaikut të qëndresës dhe sakrificës femërore në luftën çlirimtare. Prandaj, kur flasim për këtë brez të artë të grave shqiptare, Antigona Fazliu është dhe duhet të mbetet ndër figurat qendrore – një simbol i rinisë që nuk u përkul, i bukurisë që u shndërrua në forcë, dhe i jetës që mori kuptim përmes flijimit.

Antigona Fazliu u lind më 11 mars të vitit 1981, në fshatin Gradicë të Drenasit, në një familje me rrënjë të thella atdhetarie dhe me një histori të lavdishme angazhimi kombëtar. E bija e Agushit dhe Hyrës, ajo lindi në një shtëpi ku fryma e lirisë nuk ishte vetëm ideal, por mënyrë jetese; ku përkushtimi ndaj çështjes kombëtare nuk ishte rastësi, por trashëgimi që përcillej me krenari nga brezi në brez.

Rruga e fatit shpesh është e mbështjellë me mister dhe çuditë e tij na bëjnë të ndalemi e të mendojmë, vallë ishte thjesht një rastësi, apo një shenjë e paracaktuar nga vetë historia, që Antigona Fazliu – një nga heroinat më të ndritura të popullit shqiptar – erdhi në jetë pikërisht më 11 mars të vitit 1981, në ditën kur Kosova tronditej nga demonstratat gjithëpopullore, që do të shënonin kthesën e madhe në historinë e rezistencës shqiptare?

Ishte ajo ditë kur rinia studentore, e ndjekur nga masa të gjera të popullit, ngriti zërin kundër padrejtësisë, barazisë së mohuar dhe dhunës institucionale që për dekada rëndonte mbi shqiptarët. Ato demonstrata nuk ishin thjesht shpërthim i mllefit, por fillimi i një lëvizjeje që do të përshkonte një rrugë të gjatë, të përgjakshme dhe të mundimshme deri në vitin 1999 – vit kur Kosova do të fitonte lirinë dhe kur Antigona, me veprën dhe gjakun e saj, do të shndërrohej në pjesë të pashlyeshme të asaj fitoreje.

Lindur në ditën e një kryengritjeje, dhe rënë në ditën e triumfit të një ideali, jeta e saj duket se është shkruar paralel me historinë e Kosovës. Ajo nuk ishte thjesht dëshmitare e një epoke, por u bë vetë epoka – një kapitull i gjallë dhe i përjetshëm i saj. Rruga e saj, nga lindja në stuhinë e 1981-shit deri te flijimi në prag të çlirimit, është dëshmi e fuqishme e një përkatësie ndërmjet fatit individual dhe fatit të kombit. Në këtë prizëm, Antigona nuk është vetëm një emër në listën e dëshmoreve, por një simbol i lidhjes së shenjtë ndërmjet lindjes dhe flijimit, ndërmjet idealit dhe veprës, ndërmjet dhimbjes së një populli dhe shpresës së tij. Dhe kështu, ajo bëhet jo vetëm pjesë e historisë – ajo bëhet vet historia.

Prindërit e saj, të njohur për aktivitetin e pandalshëm patriotik, ishin ndër ata që nuk e njohën lodhjen në përpjekjet e tyre për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe dhe për realizimin e ëndrrës së madhe të pavarësisë. Në një kohë kur përkushtimi ndaj çështjes kombëtare kërkonte guxim, sakrificë dhe një qëndresë të pathyeshme, familja Fazliu diti ta mbajë lart flamurin e qëndresës dhe të mos ndalet për asnjë çast përballë sfidave të kohës. Në këtë mjedis të ngarkuar me ndjenja të thella atdhedashurie, u rrit Antigona – jo vetëm si një vajzë e re e një familjeje të zakonshme, por si një bijë e formuar në shpirtin e qëndresës dhe e edukuar me virtytet më të larta të dashurisë për atdheun. Prandaj, rruga që ajo më pas do të ndiqte nuk ishte thjesht një zgjedhje individuale, por vazhdim i natyrshëm i një trashëgimie të ndritur që e frymëzonte dhe e udhëhiqte drejt lirisë.

Nëna e Antigonës, Hyra, me prejardhje nga fshati Hade i Kastriotit, bart në gjenealogjinë e saj lidhjen e drejtpërdrejtë me një figurë të ndritur të arsimit dhe letërsisë shqiptare – poetin dhe mësuesin martir Fazli Grajqevci, një emër i paharruar në kujtesën kolektive të Kosovës. Ndërkohë, i ati, Agushi, ishte nip i patriotit dhe mësuesit të shquar Halit Geci nga Llausha e Skënderajt, një emër i njohur për përkushtimin e tij në edukimin kombëtar dhe për idealet që i shërbyen çështjes së lirimit të Kosovës.

Fati tragjik i Halit Gecit është dëshmi e asaj kohe të egër, ku dija dhe patriotizmi paguheshin me jetë. Ai u vra më 26 nëntor të vitit 1997, brenda objektit të shkollës së fshatit, pa asnjë faj – një akt i rëndë që preku thellë jo vetëm familjen, por gjithë opinionin publik. Plagët e marra ia morën jetën në spital, ndërsa më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, u varros me nderime, në një ceremoni që u kthye në manifestim të fuqishëm të solidaritetit dhe vetëdijes kombëtare, ku morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës. Antigona ishte më e vogla ndër fëmijët e familjes, por pavarësisht moshës, brenda saj pulsonte herët një ndjeshmëri e veçantë ndaj padrejtësive dhe realitetit të hidhur që e rrethonte. Me kalimin e viteve, ndërsa ajo rritej fizikisht dhe intelektualisht, filloi të artikulonte gjithnjë e më hapur pakënaqësinë dhe revoltën e saj ndaj sistemit shtypës serb, duke mos e fshehur asnjëherë mospajtimin me padrejtësinë që i bëhej popullit të saj.

Në të gjitha sjelljet, qëndrimet dhe fjalët e saj, Antigona dëshmonte se ishte më shumë se një bijë e një familjeje patriotike – ajo ishte mishërimi i një brezi që nuk pranoi të heshtë, që e kuptoi se heshtja përballë padrejtësisë është bashkëfajësi, dhe që vendosi ta sfidojë botën me të drejtën në krah. Dhe pikërisht për këtë, ajo nuk ishte vetëm më e vogla në moshë, por e madhe në shpirt, në ndërgjegje dhe në përkushtim.

Pas përfundimit të shkollës fillore me sukses të shkëlqyer, Antigona Fazliu, me një ndjenjë të thellë përkushtimi dhe një shpirt të brumosur me idealin e shërbimit ndaj të tjerëve, vendosi të ndjekë rrugën e mjekësisë – një ëndërr fisnike që ajo e kishte ushqyer që herët. Ajo u regjistrua në shkollën e mesme të mjekësisë, duke parë në këtë profesion jo vetëm një karrierë, por një mision njerëzor, një mënyrë për të qenë pranë atyre që vuajnë dhe për të kontribuar në mirëqenien e komunitetit të saj të vuajtur. Por jeta e saj, si ajo e shumë bashkëmoshatarëve të saj në Kosovën e asaj kohe, nuk zhvillohej në qetësinë e një realiteti të zakonshëm. Periudha nga viti 1981 deri më 1998 ishte një epokë e mbushur me tension, dhunë shtetërore, represion politik dhe sakrifica të panumërta për popullin shqiptar të Kosovës. Ajo përjetonte përditë kufizimet, padrejtësitë dhe poshtërimin që sistemi shtypës serb i impononte shoqërisë shqiptare në çdo sferë të jetës – në shkollim, punësim, liri shprehjeje e deri te vetë ekzistenca kombëtare.

Pavarësisht këtyre kushteve të rënda, Antigona nuk hoqi dorë nga ëndrrat e saja. Ajo qëndroi e palëkundur në përpjekjen për të ecur përpara, duke ndërtuar veten si një e re me ideale, e vetëdijshme se jeta e saj nuk i përkiste vetëm asaj, por ishte pjesë e një rrëfimi më të madh – rrëfimi i një populli që kërkonte lirinë dhe dinjitetin e mohuar.

Në këtë rrugëtim të vështirë, ajo mishëroi qëndresën e heshtur, por të fuqishme, të brezit të saj, që nuk u dorëzua përballë vështirësive, por u formësua prej tyre, duke i kthyer pengesat në motiv për përparim. E ardhmja e saj si mjeke mund të mos jetë realizuar kurrë në mënyrë të plotë, por përkushtimi i saj për jetën dhe për të tjerët do të shndërrohej, në mënyrë tragjike por madhështore, në një flijim të plotë për lirinë e popullit të saj, duke e shndërruar kështu ëndrrën e saj të jetës në një ideal të përjetshëm. Pas sulmit brutal mbi familjen Jashari në mars të vitit 1998 – një ngjarje që tronditi ndërgjegjen e mbarë popullit shqiptar dhe shënoi një pikë kthese të pakthyeshme në historinë e rezistencës kosovare – Antigona Fazliu, vetëm 17 vjeçe, mori një vendim të madh, një vendim që përtej moshës së saj tregonte pjekurinë e një shpirti të përkushtuar ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

E ndërpreu shkollimin, duke lënë pas bankat e shkollës së mjekësisë, aty ku kishte ushqyer ëndrrën për të shëruar plagët e trupit, për të përqafuar jetën përmes profesionit të një mjekeje. Por realiteti përreth ishte shumë më i ashpër dhe kërkonte shërim tjetër – shërimin e plagës kolektive të një populli të shtypur, që kërkonte lirinë si ajrin për të mbijetuar. E ndikuar nga dhimbja, por e udhëhequr nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie, Antigona u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht duke ushtruar rolin e infermieres – në përputhje me formimin e saj dhe me ndjeshmërinë njerëzore që e karakterizonte. Por lufta nuk njihte kufij mes profesionit dhe përkushtimit, në ballë të saj qëndronin ata që guxonin të përballeshin me vdekjen për të mbrojtur jetën.

Kështu, nga infermiere u shndërrua në luftëtare të denjë të Brigadës 114 të UÇK-së, duke përfaqësuar jo vetëm forcën fizike, por edhe atë morale të rinisë shqiptare, e cila, e sfiduar nga historia, vendosi të jetë pjesë aktive e saj. Antigona nuk u bë thjesht pjesëmarrëse në luftë – ajo mishëroi përpjekjen për liri në të gjitha dimensionet, duke kaluar nga shërbimi human në përballje të drejtpërdrejtë me armikun, me të njëjtën vendosmëri, me të njëjtin ideal.

Zgjedhja e saj nuk ishte një braktisje e ëndrrës për të shëruar, por një shndërrim i saj në një mision më të madh – për të shëruar plagën më të madhe të një populli- robërinë. Dhe për këtë, emri i Antigonës do të mbetet përherë i gdhendur jo vetëm në historinë e luftës, por edhe në ndërgjegjen e një kombi që e gjen në të simbolin e sakrificës dhe të idealizmit më të lartë

Pas epopesë madhështore dhe sakrificës heroike të familjes Jashari në mars të vitit 1998, Kosova hyri në një etapë të re të luftës çlirimtare – një fazë vendimtare ku dilema nuk ishte më ndërmjet kompromisit dhe përballjes, por mes vdekjes dhe lirisë. Ky moment historik shënoi jo vetëm një kthesë në rrjedhën e ngjarjeve, por edhe një ngritje të vetëdijes kolektive, ku populli shqiptar, i bashkuar rreth idealit të lirisë, i dha luftës fytyrën e vendosmërisë së palëkundur.

Në këtë atmosferë të ngarkuar me dhimbje dhe krenari, kur gjaku i derdhur në Prekaz ishte kthyer në flamur të rezistencës mbarëkombëtare, Antigona Fazliu u bë pjesë e një simbolike të fuqishme, duke u përzgjedhur, në Ditën e Flamurit – më 28 Nëntor 1998, për të ngritur Flamurin Kombëtar në një ceremoni që nuk ishte vetëm akt solemn, por një deklaratë politike dhe shpirtërore e një populli që nuk pranonte më nënshtrim. Ky ishte 28 Nëntori i parë pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, dhe si i tillë, mbante një peshë të jashtëzakonshme emocionale dhe historike. Flamuri që dikur u ngrit në Kuvendin e Vlorës, tani valëvitej në tokën e Kosovës nga duart e një vajze të re luftëtare, në mes të një populli që tashmë kishte vendosur ta shkruante vetë fatin e tij, me armë në dorë dhe me flamur në zemër.

Përzgjedhja e Antigonës për këtë akt nuk ishte rastësore – ajo përfaqësonte më shumë sesa një luftëtare. Ishte mishërimi i brezit të ri, që me dinjitet dhe guxim po e trashëgonte betejën për liri dhe identitet kombëtar. Ajo ngriti në një shtizë –  simbolin e bashkimit, të gjakut të derdhur dhe të shpresës së madhe për një të ardhme të lirë.

Kështu, përmes këtij gjesti të fuqishëm, Antigona u bë pjesë jo vetëm e luftës me armë, por edhe e luftës me simbole – ajo luftë që i jep kuptim sakrificës, që ndërton memorien kolektive dhe që ngulitet në ndërgjegjen e një populli si amanet i përjetshëm për lirinë.

Pas sulmit tragjik mbi familjen Jashari në Prekaz, Kosova u zhyt përfundimisht në një fazë të re të luftës çlirimtare, e cila nga dita në ditë po bëhej më e ashpër, më e organizuar dhe më gjithëpërfshirëse. Populli shqiptar, i tronditur thellësisht nga masakra në Prekaz, por edhe më e vendosur se kurrë, u mobilizua në mënyrë të gjerë përballë agresionit serb, duke i dhënë rezistencës një karakter të hapur ushtarak. Lufta nuk ishte më një përballje sporadike; ajo kishte marrë dimensione të plota të një lufte për jetë a vdekje – për të ardhmen dhe dinjitetin kombëtar. Në atë periudhë vendimtare për fatin e Kosovës, familja Fazliu ishte tërësisht e angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e kthyer përkushtimin ndaj atdheut në mënyrë jetese dhe në vlerë trashëgimore të përditshme. Vëllai i madh, Hajriz Fazliu, kishte marrë përsipër detyrat logjistike – një hallkë thelbësore për funksionimin e zinxhirit ushtarak, ndërsa vëllai i vogël, Avniu, ndodhej në një prej zonave më të rrezikshme dhe më të gjalla të luftës – në brezin e kufirit shqiptaro-shqiptar, ku përballja me forcat pushtuese serbe ishte e përditshme dhe pa kompromis. Gjatë këtyre luftimeve të ashpra, edhe Avniu do të plagosej, duke e vërtetuar edhe një herë se liria nuk fitohet pa gjak e pa flijim.

Në këtë sfond të përvëluar nga lufta, më 8 nëntor të vitit 1998, në fshatin Shkabë të Drenasit – Ilaz Kodra, pas rënies së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, më 22 shtator të vitit 1998, u caktua komandant i kësaj brigade, e njohur më vonë si Brigada 114, “Fehmi Lladrovci”, Zona Operative e Drenicës, pra sipas emrit të komandantit të saj të parë.

Pas marrjes së komandës së Brigadës 114 nga Ilaz Kodra, do të organizohej një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme: betimi solemn i ushtarëve të brigadës. Ky akt ceremonial nuk ishte thjesht një ritual ushtarak, por një moment solemn i përkushtimit të plotë ndaj lirisë, një kontratë morale me atdheun dhe me shokët e armës, që nënkuptonte gatishmërinë për të dhënë gjithçka – madje edhe jetën. Në mesin e të betuarve, me një qëndrim dinjitoz dhe një shkëlqim të veçantë që e dallonte në mesin e të tjerëve, spikaste Antigona Fazliu, tashmë pjesë zyrtare e UÇK-së si ushtarja më e re e brigadës. Ajo nuk ishte më vetëm një vajzë që kishte lënë shkollën për të ndjekur idealin e lirisë, por një luftëtare e përkushtuar, që në vazhdim do të ishte pjesë aktive e betejave të drejtpërdrejta kundër pushtuesit.

Ky moment shënonte një kthesë të re në rrugëtimin e saj: nga një ëndërrimtare e së ardhmes në shërbim të jetës, në një heroine të gjallë të të tashmes, në shërbim të lirisë. Në fytyrën e saj, në betimin e saj, pasqyrohej jo vetëm vendosmëria individuale, por vetë guximi kolektiv i një brezi që zgjodhi të mos dorëzohej. Prandaj, betimi i saj nuk ishte vetëm një akt formal, por fillimi i një kapitulli të ri të rezistencës së armatosur, ku emri i Antigonës do të shkruhej me krenari në mesin e atyre që përballën vdekjen për të sjellë jetën e re të Kosovës së lirë.

Veprimtaria luftarake e Antigona Fazliut u zhvillua kryesisht në kuadër të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një njësi luftarake që tashmë drejtohej nga komandanti Ilaz Kodra, i njohur për organizimin dhe udhëheqjen e guximshme të forcave në terren. Në këtë brigadë, e cila përbënte një nga shtyllat e qëndresës në zonën e Drenicës, Antigona jo vetëm që mori pjesë në luftimet e drejtpërdrejta, por edhe u dallua si një figurë e veçantë në radhët e saj – si simbol i trimërisë femërore dhe përkushtimit të pakushtëzuar ndaj lirisë.

Ajo nuk qëndroi asnjëherë në prapavijë, por ishte gjithmonë aty ku lufta ishte më e ashpër, ku duhej guxim për të ecur përpara dhe vendosmëri për të mos u tërhequr. Me çdo veprim të saj, ajo dëshmonte se roli i gruas në luftë ishte qendror dhe i barabartë me atë të çdo luftëtari tjetër, në sakrificë, përkushtim dhe përgjegjësi.

Në mesin e shokëve të armës, Antigona u identifikua shpejt si një figurë e fuqishme morale dhe shpirtërore – dikush që përçonte guxim edhe kur rrethanat ishin dëshpëruese, që mbante dinjitetin në fytyrë edhe përballë rrezikut, dhe që frymëzonte të tjerët vetëm me prezencën e saj. Nuk ishte thjesht pjesëmarrja e saj që e bënte të veçantë, por cilësia e asaj pjesëmarrjeje – mënyra si ajo e mishëroi qëllimin e luftës dhe si qëndroi me nder në çdo sfidë.

Prandaj, kontributi i saj në Brigadën 114 nuk ishte thjesht ushtarak – ishte edhe moral, edhe simbolik, një shembull i gjallë i guximit që nuk lidhej me gjininë apo moshën, por me ndërgjegjen e lartë kombëtare dhe dashurinë e pakufishme për lirinë. Ajo u bë një emër që i dha kuptim veprimit të heshtur, sakrificës pa bujë dhe heroizmit të vërtetë që shkruhet me gjak, jo vetëm me fjalë.

Brigada 114 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga njësitë më aktive dhe më të përkushtuara në betejën për çlirimin e vendit, ka lënë një trashëgimi të paharrueshme në historinë e luftës sonë çlirimtare, duke dhënë jo më pak se 167 dëshmorë – emra që u gdhendën përgjithmonë në kujtesën e kombit si dëshmi e sakrificës më të lartë. Në mesin e këtyre bijve dhe bijave të atdheut, që me jetët e tyre e skalitën lirinë e Kosovës, më 30 prill të vitit 1999, radhëve të përjetësisë iu shtuan edhe dy figura emblematike të kësaj brigade: komandanti trim Ilaz Kodra, dhe ushtarja më e re, Antigona Fazliu. Në atë ditë të zymtë, por njëherësh të lavdishme, të dy ranë heroikisht në fshatin Vërbovc të Drenasit, duke mos kursyer as jetën për të mbrojtur një vlerë më të madhe – jetën e popullsisë civile të pambrojtur, e cila në atë moment ishte nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të forcave pushtuese serbe.

Flijimi i tyre  ishte përkufizimi i pastër i qëllimit të luftës çlirimtare. Të mbrohet populli me çdo çmim, të ruhet nderi dhe dinjiteti njerëzor, edhe në çastin më të rrezikshëm. Ilaz Kodra, si udhëheqës i brigadës, dha shembullin e fundit të komandimit me trup e me zemër, duke mos lënë askënd pas. Antigona, ende e re në moshë por e pjekur në vetëdije dhe guxim, u bë simbol i trimërisë femërore dhe i rinisë që zgjodhi të vdesë për të tjerët.

Kështu, më 30 prill, Kosova humbi dy bij të shquar, por historia fitoi dy gurë themeli të përjetshëm, mbi të cilët do të ngrihej kujtesa kolektive për luftën, dinjitetin dhe lirinë. Ata  ranë për të jetuar përherë në ndërgjegjen e kombit, si shembuj të pastër të sakrificës që nuk kërkon shpërblim, por lë gjurmë në vetë qenien e një populli që e fitoi lirinë me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë. Pas rënies heroike të Antogona Fazlit, për të janë thurur vargje të shumta, janë kënduar këngë plot ndjenjë e mall, dhe janë krijuar portrete artistike që përpiqen të përshkruajnë dinjitetin, bukurinë shpirtërore dhe madhështinë e saj si luftëtare. Ajo nuk mbeti vetëm një emër në listat e dëshmoreve, por u shndërrua në një simbol të gjallë të rezistencës femërore dhe të përkushtimit të rinisë shqiptare ndaj lirisë. Çdo varg, çdo këngë dhe çdo përfytyrim artistik mbi të është një përpjekje për të ruajtur gjallë frymën e saj – një frymë që frymëzoi dhe vazhdon të frymëzojë breza të tërë.

Antigona u bë më shumë sesa një figurë heroike e luftës çlirimtare – ajo u kthye në një emër që e kalon kohën dhe kufijtë, një emër që barti dhe përmbushi amanetin e brezave të mëparshëm, që për dekada kishin ëndërruar për një Kosovë të lirë, republikë e të pavarur. Në flijimin e saj nuk kishte vetëm guxim personal, por edhe një bashkim ideal me përpjekjet historike të popullit shqiptar, që nisën shumë kohë më parë, në shtigjet e sakrificës e të vetëdijes kombëtare.

Me jetën dhe rënien e saj, Antigona Fazliu u bë ura e gjallë ndërmjet të kaluarës së lavdishme dhe të ardhmes së shumëpritur. Ajo përmbushi në mënyrën më të lartë dëshirën e gjyshërve dhe prindërve të saj, por edhe të gjithë atyre brezave që luftuan e punuan për një atdhe të lirë. Emri i saj mbetet sot frymëzim për vajzat dhe gratë e reja, për të rinjtë që kërkojnë dinjitet në përkushtim dhe forcë në dashurinë për vendin, sepse Antigona nuk është thjesht e shkuara – ajo është vetë zemra e lirisë së Kosovës, e kthyer në kujtim, në himn, në shëmbëlltyrë të sakrificës që ndërtoi një shtet. Më vonë, në një akt të merituar nderimi, Antigona Fazliut iu dha titulli i lartë “Dëshmore e Kombit” – një vlerësim solemn që tejkalon një dekoratë formale dhe përfaqëson një mirënjohje institucionale dhe shoqërore për flijimin e saj sublim. Ky titull nuk është thjesht një shprehje nderimi për një jetë të humbur në betejë, por një vulë historike që e vendos emrin e saj përjetësisht në panteonin e figurave më të ndritura të kombit shqiptar.

Përmes këtij titulli, shteti dhe kombi shqiptar njohën dhe e përjetësuan në mënyrë të denjë kontributin e saj – jo vetëm si luftëtare që mori armën për të mbrojtur tokën dhe popullin e vet, por edhe si figurë që mishëroi idealet më të larta të lirisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Në këtë mënyrë, Antigona nuk mbeti vetëm në kujtesën e bashkëluftëtarëve apo të familjes së saj, por u gdhend në ndërgjegjen kombëtare si një emër që i përket të gjithë shqiptarëve, si simbol i guximit të rinisë dhe i pathyeshmërisë së shpirtit shqiptar përballë padrejtësisë.

Titulli “Dëshmore e Kombit” që iu akordua Antigonës është një akt nderimi i të gjallëve ndaj të rënëve, një përkujtim i fuqishëm se liria nuk erdhi rastësisht, por u fitua me gjakun e bijave dhe bijve më të mirë të këtij vendi. Ai është, gjithashtu, një ftesë për reflektim dhe një obligim për brezat që vijnë, që ta ruajnë dhe ta nderojnë lirinë me të njëjtin përkushtim me të cilin ajo dhe të tjerët si ajo, e fituan. Në këtë mënyrë, Antigona nuk është më vetëm një emër i lavdishëm i së kaluarës, por një shtyllë e së ardhmes që po ndërtohet mbi sakrificën e saj.

Literatura:

1.       Ajet Shala, Antologji për çlirimtaret Ilaz Kodra e Antigona  Fazliu, Prishtinë, 2014

2.       https://president-ksgov.net/fjalimi-i-presidentit-thaci-ne-akademine-perkujtimore-per-komandantin-ilaz-kodra/

3.       Hamdi Thaçi, “Drenica djep i UÇK-së dhe Batalioni I i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Prishtinë, 2017

4.       https://www.radiokosovaelire.com/heroina-antigona-fazliu-apo-bukuroshja-e-lirise-1981-1999/

5.       https://shota.al/ure/antigona-deshmorja-18-vjecare-e-kosoves/

6.       https://www.facebook.com/photo.php?fbid=932219442031470&id=100057302685902&set=a.307307107856043&locale=hu_HU

7.       https://www.sa-kra.ch/antigonafazliu.htm

8.       https://www.facebook.com/100064707635254/posts/26-vite-nga-r%C3%ABnja-heroike-e-trim%C3%ABresh%C3%ABs-antigona-fazliuedhe-pse-n%C3%AB-mosh%C3%AB-t%C3%AB-re-a/1098643848969193/

9.       https://fjala.info/antigona-fazliu-shqipja-e-flamurit/

10.     https://www.epokaere.com/antigona-e-nenes/

11.      https://www.facebook.com/reel/4031434630459846

12.     https://teksteshqip.com/shaqir-cervadiku/teksti/1996868

13.     https://letersishqip.com/besa-januzi-rexhepi/krijime-letrare/antigona-fazliu

14.     https://www.tumblr.com/gazetaora/104577006922/antigona-fazliu-heroina-e-u%C3%A7k-s%C3%AB-d%C3%ABshmore-e

15.     https://veriu.info/24-vjetori-i-renjes-se-heroines-antigona-fazliu/

16.     https://diplomacia.dk/antigona-bukuroshja-e-lirise/

17.     https://www.instagram.com/p/DHTREdmt_PE/

18.     https://gazetadestinacioni.al/antigona-fazliu-besa-januzi-rexhepi/

19.     https://www.youtube.com/watch?v=YmIMplPCc_s

20.     Sheremet Prokshi, Libër me poezi për dëshmoren Antigona Fazliu “Bukuroshja e lirisë”, Prishtinë, 2019



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx