Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (19)
E merkure, 06.08.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (19)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
FATIME HAMZË JASHARI
(27.
04. 1989- 07. 03. 1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Që
prej vitit 2017, më kishte lindur dhe ishte kristalizuar në ndërgjegjen time
një vendim i qartë dhe i palëkundur që të shkruaja dhe të lija një dëshmi të
qëndrueshme për heroinat e luftës së UÇK-së—për gratë dhe vajzat që sakrifikuan
gjithçka në altarin e lirisë, duke e gdhendur përgjithmonë emrin e tyre në
historinë dhe kujtesën e kombit.
Ky
vendim nuk ishte një impuls i momentit, por një detyrim moral, një amanet i
heshtur për të plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në narrativën tonë kombëtare,
ku shpesh herë sakrifica e grave ka mbetur në hije, e nënvlerësuar apo e
harruar. Me këtë motivim të thellë, nisa të angazhohesha seriozisht në
mbledhjen e materialeve, të dhënave dhe dëshmive që dokumentonin jetën dhe
veprimtarinë e atyre grave e vajzave të jashtëzakonshme, të cilat dhanë jetën
për lirinë e Kosovës.
Mirëpo
që në fillimet e këtij hulumtimi—dhe madje edhe sot, pas viteve të tëra
përpjekjeje—vërej me dhembje dhe shqetësim mungesën e theksuar të të dhënave të
sakta, të dokumentuara dhe të pasura mbi jetën, biografitë dhe veprën e këtyre
heroinave. Kjo mungesë është një plagë e hapur në kulturën tonë historike dhe
në kujtesën tonë kolektive, që dëshmon për një neglizhencë të pajustifikueshme
ndaj rolit të grave në luftën çlirimtare.
Ndaj,
angazhimi për të mbledhur këto copëza kujtese, për t'i sistemuar dhe për t'i kthyer
në një vepër të shkruar, nuk është vetëm një përpjekje personale e imja, por
një akt përgjegjësie shoqërore dhe kombëtare. Është një përpjekje për të dhënë
zë atyre që nuk patën mundësi të flasin më, për t’i dhënë nderin që u takon,
dhe për të siguruar që brezave të ardhshëm të mos u mungojë njohja e plotë dhe
e vërtetë e historisë sonë të përbashkët.
Që
prej atyre viteve të para kur mora vendimin për të mbledhur dhe shkruar mbi
jetën dhe veprën e grave dhe vajzave heroina të luftës së UÇK-së, e deri më
sot—kur jam duke shkruar këto rreshta në korrikun e vitit 2025—duhet të pohoj
me keqardhje se pak gjë ka ndryshuar në këtë drejtim.
Edhe
sot, pas gjithë këtij harku kohor, vijoj të përballem me të njëjtën mungesë të
dhimbshme dhe të papranueshme të të dhënave të plota dhe të strukturuara mbi
jetën, biografitë dhe kontributin e këtyre grave. Historia e tyre mbetet ende e
shpërndarë në fragmente të rralla, e shpesh e zhytur në harresë ose në rrëfime
të paqarta që nuk i bëjnë drejtësi madhështisë së sakrificës së tyre.
Ky
stagnim, kjo mungesë e dokumentimit të denjë dhe sistematik, është një tregues
i një problemi më të thellë shoqëror dhe kulturor, mungesës së kujdesit dhe
respektit të duhur ndaj rolit të grave në luftën për liri. Ajo dëshmon se,
pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme dhe të fragmentuara, nuk është
krijuar ende një angazhim i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm për të përjetësuar
kujtesën e këtyre heroinave në mënyrë dinjitoze dhe të plotë.
Prandaj,
edhe sot, ndërsa përpiqem të përmbledh ato pak të dhëna që kam mundur të
mbledh, ndiej të njëjtën përgjegjësi të rëndë dhe të njëjtën dhimbje për këtë
harresë kolektive që vijon. Ky realitet na obligon të gjithë neve që merremi me
historinë dhe me kujtesën kombëtare, të mos ndalemi, të mos kënaqemi me pak,
por të vazhdojmë me këmbëngulje e përkushtim për të nxjerrë në dritë, për të
dokumentuar dhe për të nderuar siç e meriton jeta dhe vepra e grave e vazave që
ranë për lirinë tonë.
Në
përpjekjen time për të mbledhur materiale dhe dëshmi mbi jetën dhe veprimtarinë
e grave dhe vajzave heroina të luftës së UÇK-së, hasa mbi burime të shpërndara
dhe të pakta—atë që populli ynë do ta quante me të drejtë “kokrra-kokrra”, të
mbledhura këtu e atje, pa një strukturë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Ishte
një sfidë e vazhdueshme të gjeje të dhëna të sakta dhe të detajuara, pasi ato
ishin të fragmentuara në vepra dhe shkrime të ndryshme, shpesh të vështira për
t’u gjetur dhe për t’u sistemuar në një narrativë koherente.
Megjithatë,
mes këtyre copëzave të shpërndara, më ra në sy kontributi i vyer dhe i palodhur
i disa autorëve, të cilët me mund dhe përkushtim të veçantë kishin hedhur dritë
mbi këtë temë të ndjeshme dhe kaq të rëndësishme. Pa dyshim, punën më të madhe
dhe më të strukturuar në këtë drejtim e kishte bërë profesori i nderuar Ahmet
Qeriqi, i cili me seriozitet akademik dhe ndjeshmëri të thellë njerëzore kishte
arritur të pasqyronte aspekte thelbësore të jetës dhe të veprës së këtyre grave.
Në
përpjekjen e vazhdueshme për të dokumentuar dhe përjetësuar kujtimin e fëmijëve
martirë të Kosovës gjatë periudhës së zymtë 1981–1999, vlen të veçohet
kontributi i vyer i disa studiuesve dhe veprimtarëve që me përkushtim e
ndershmëri kanë hedhur dritë mbi këtë kapitull të dhimbshëm të historisë sonë
kombëtare. Profesorja Hanumshahe Ilazi dhe Prof. Dr. Nusret Pllana kanë dhënë
një kontribut të veçantë e të qëndrueshëm përmes botimit të dy veprave që
trajtojnë në mënyrë të hollësishme fatin tragjik të fëmijëve martirë. Këto
libra nuk janë thjesht grumbullime faktesh, por monumente të kujtesës sonë
kolektive që e sfidojnë harresën dhe heshtjen, duke i dhënë zë viktimave të
vogla që u shuan para kohe nga dhuna e organizuar dhe shtetërore. Përmes këtyre
botimeve, ata kanë krijuar një platformë të rëndësishme për edukimin historik,
reflektimin etik dhe ndërgjegjësimin shoqëror mbi të kaluarën e afërt.
Një
rol po aq të çmuar ka luajtur edhe Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë,
zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, i cili ka
ofruar dëshmi të dorës së parë dhe reflektime të bazuara në përvojën e tij të
drejtpërdrejtë në terren. Njohja e thellë e realitetit të luftës e ka bërë
kontributin e tij të pazëvendësueshëm për studiuesit, historianët dhe publikun
e gjerë. Përveç vlerës dokumentare, dëshmitë e tij kanë edhe një dimension
moral, ato na sfidojnë të mos harrojmë, të mos relativizojmë, por të kuptojmë
dhe të ndërgjegjësohemi mbi peshën e tragjedisë që përjetoi populli i Kosovës.
Gjithashtu,
Profesor Hamdi Thaçi ka bërë një punë tejet të rëndësishme duke rikthyer në
vëmendje segmente të historisë që për shumë kohë kishin mbetur në hije ose të
anashkaluara. Përmes kërkimeve dhe publikimeve të tij, ai ka ndihmuar në
rivendosjen e këtyre përvojave në kujtesën tonë kolektive, duke kontribuar në
ndërtimin e një narrative më gjithëpërfshirëse dhe më të ndershme për të
kaluarën. Ai ka theksuar nevojën për të njohur dhe respektuar sakrificat e
grave dhe të fëmijëve që u bënë pjesë e këtij çmimi të lartë për lirinë.
Në
tërësi, këto përpjekje përfaqësojnë më shumë se thjesht punë akademike ose
historiografike. Ato janë një akt i domosdoshëm i drejtësisë simbolike dhe
morale. Duke dokumentuar vuajtjet dhe sakrificat e fëmijëve martirë, këta
autorë dhe dëshmitarë kontribuojnë në formësimin e një kulture kujtese që është
themel për paqen, pajtimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më humane dhe më të
ndërgjegjshme.
Ndonjë
tjetër autor kishte kontribuar gjithashtu në këtë fushë, por, në përgjithësi,
mbledhja e të dhënave vazhdonte të mbetej një proces i vështirë dhe i copëzuar.
Puna e këtyre individëve është për t’u çmuar dhe për t’u përmendur me respekt
të veçantë, sepse ata kanë bërë të mundur ruajtjen e një pjese të rëndësishme
të historisë sonë, duke e shpëtuar nga harresa atë që është pjesë e identitetit
dhe dinjitetit tonë kombëtar.
E
kisha marrë një vendim të qartë dhe të palëkundur: të shkruaja për to—për
gratë, vajzat dhe fëmijët femra që, me vetëdije, ishin përfshirë në vorbullën e
luftës dhe kishin ndarë me të tjerët barrën e rëndë të asaj kohe. Ishte një
shtysë e thellë, e brendshme, diçka që nuk mund ta shpjegoja lehtë, por që më
digjte në ndërgjegje dhe më thërriste me ngulm të veçantë: të mos i lija në
harresë, të mos i lija pa zë.
Ndjeja
se ishte një detyrë e domosdoshme të mbledhja dhe të lija të dokumentuara
sadopak të dhëna për secilën prej tyre—për ato gra të guximshme, për ato vajza
të reja që mbajtën mbi supe barrën e rëndë të kohës, për ato fëmijë femra që,
edhe pse të vogla, u gjendën mes zjarrit e plumbave, pranë prindërve të tyre
luftëtarë.
Doja
të jepja dëshmi për ato që morën pjesë në aksione të armatosura apo që ndihmuan
me çfarë mundën, por edhe për ato që thjesht ishin aty—pranë nënave dhe etërve
të tyre luftëtarë—duke përjetuar frikën, tmerrin dhe heroizmin e heshtur të
mbijetesës. E ndjeja se secila prej tyre meritonte të përmendej, të njihej dhe
të nderohej, jo vetëm si pjesë e historisë së përgjithshme të luftës, por si
individ me një histori dhe një sakrificë të vetën.
Ky
vendim nuk ishte thjesht një dëshirë personale, por një angazhim moral për ta
shpëtuar nga harresa këtë dimension që shpesh të anashkaluar të luftës sonë—atë
të grave dhe vajzave që u bënë pjesë e pandashme të Epopesë së Lirisë.
Jam
plotësisht e vetëdijshme se çdo jetë e humbur gjatë luftës është e shenjtë dhe
meriton të përmendet e të dokumentohet me respektin më të madh. Çdo viktimë
bart në vetvete një histori dhimbjeje, sakrifice dhe dinjiteti njerëzor që nuk
duhet harruar kurrë. E megjithatë, në këtë rast të veçantë, kam zgjedhur të
ndalem dhe të përqendrohem vetëm te një kategori specifike: tek ato gra që nuk
u kufizuan vetëm në mbështetje logjistike apo morale, por u rreshtuan krah për
krah me burrat në vijën e parë të frontit të luftës.
Këto
gra përfaqësojnë një dimension të veçantë dhe shpesh të nënvlerësuar të
historisë sonë të rezistencës, ato nuk pranuan të qëndronin në prapavijë apo të
largoheshin nga rreziku, por morën armët dhe ndanë të njëjtin fat me
bashkëluftëtarët meshkuj. Vendosmëria e tyre për të marrë pjesë drejtpërdrejt
në beteja, për të sfiduar frikën dhe për të vënë në rrezik jetën në emër të
lirisë, është një dëshmi e rrallë e guximit dhe e përkushtimit të tyre të
jashtëzakonshëm.
Prandaj,
edhe pse e di mirë se nuk mund të përjashtohet rëndësia e çdo jete të humbur në
atë periudhë tragjike, e ndjeva të domosdoshme t’i kushtoja një vëmendje të
veçantë pikërisht këtyre grave. Ishte një përpjekje për të hedhur dritë mbi
historitë e tyre të pazëshme, për t’u dhënë vendin e merituar në kujtesën tonë
kombëtare dhe për të njohur pa asnjë rezervë kontributin e tyre të
drejtpërdrejtë në luftën për liri.
Gratë
shqiptare, në të gjitha periudhat historike, kanë qenë dëshmi e gjallë e
trimërisë së rrallë dhe e një dashurie të pakufishme për atdheun dhe familjen.
Në çdo kohë, pavarësisht sfidave, pushtimeve apo ndryshimeve shoqërore, ato
kanë mbetur të palëkundura në rolin e tyre si mbrojtëse të vlerave kombëtare
dhe si bartëse të traditave më fisnike të popullit tonë. Ato nuk janë mjaftuar
kurrë me qëndrimin pas mureve të shtëpisë, por kanë dalë përpara çdo rreziku
kur është thirrur nevoja e mbrojtjes së nderit, jetës dhe lirisë. Nëpër shekuj,
historia jonë është mbushur me shembuj të grave që me guxim të pashoq kanë
marrë mbi vete barrën e vështirësive, që kanë rritur breza në frymën e
dashurisë për tokën dhe për flamurin, dhe që kanë ditur të sakrifikojnë
gjithçka për të mos lënë të shuhet zjarri i lirisë.
Ky
virtyt i grave shqiptare nuk është vetëm një cilësi individuale, por një
trashëgimi e përbashkët, një testament i gjallë që është ruajtur e përcjellë me
fanatizëm nga brezi në brez. Atdhedashuria e tyre nuk ka njohur kufij dhe nuk
është shterur kurrë, duke u bërë shtyllë e pathyeshme e mbijetesës sonë
kombëtare dhe një nga burimet më të fuqishme të qëndresës sonë historike.
Le
të ndalemi tek një shembull që përmbledh në mënyrë prekëse dhe të thellë
dimensionin tragjik dhe madhështor të kësaj sakrifice- Fatime Hamzë Jashari, e
cila, kur ra dëshmore në altarin e lirisë, numëronte vetëm nëntë pranvera të jetës
së saj të njomë. Ajo ishte ende një fëmijë, në moshën kur duhej të gëzonte
lojërat dhe ëndrrat e pafajshme të fëmijërisë, jo të përballej me barbarinë dhe
frikën e luftës.
Duhet
ta themi qartë dhe me ndjeshmëri të thellë: Fatimja nuk u largua nga shtëpia,
nuk kërkoi të shpëtonte veten, edhe pse krismat dhe shpërthimet që përfshinë
Prekazin ishin të tmerrshme dhe e frikësonin. Por ajo nuk kishte frikë për
veten—ishte ende e vogël për të menduar për vdekjen e saj—frika e saj ishte për
njerëzit e zemrës, për të dashurit që i donte me një përkushtim të pastër e të
pafajshëm.
Në
këtë qëndrim që duket i thjeshtë dhe fëmijëror, fshihet madhështia e vërtetë e
sakrificës shqiptare: një vajzë kaq e re që nuk ikën, nuk braktis, por qëndron
pranë të vetëve deri në fundin më të dhimbshëm. Ky akt i heshtur dhe i
madhërishëm i Fatimes na kujton se Epopeja e Prekazit nuk ishte vetëm histori
burrash me armë në dorë, por edhe një testament i dashurisë sublime familjare,
i lidhjes së pathyeshme me shtëpinë dhe tokën, i gatishmërisë për të dhënë
jetën për ata që i do.
Prandaj,
kujtimi i saj nuk duhet të mbetet një shifër në listën e të rënëve, por një
thirrje e fuqishme për të kuptuar çmimin e lirisë dhe thellësinë e dhimbjes që
populli ynë përjetoi për ta fituar atë.
Fatime
Hamzë Jashari lindi më 27 prill të vitit 1989, në Prekaz të Ulët, një vend që
më vonë do të bëhej simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe i sakrificës për
lirinë. Ajo ishte bija e Hamzë dhe Feride Jasharit, pjesë e një familjeje të
njohur jo vetëm për traditën e saj të thellë atdhetare, por edhe për
vendosmërinë e pathyeshme për të mos u përkulur kurrë përballë padrejtësisë.
Fatimja
u rrit në një mjedis të veçantë, ku këngët e trimërisë dhe zhurmat e armëve nuk
ishin thjesht kujtime të së shkuarës, por pjesë e përditshmërisë së saj. Ajo e
njohu jetën duke dëgjuar krismat e pushkëve dhe rrëfimet e gjalla të qëndresës,
duke u edukuar që liria nuk ishte një e drejtë e falur, por një ideal që
kërkonte gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka.
Që
në vogëli, ajo e kuptoi se jeta, përveçse mund të ishte e bukur dhe plot
ëndrra, mbartte brenda saj edhe një dimension të shenjtë të flijimit. Për të,
ky ishte një mësim i natyrshëm dhe i pashmangshëm, se dashuria për familjen,
për vendin dhe për lirinë nuk matet me rehati dhe frikë, por me gatishmërinë
për të dhënë edhe jetën nëse këtë e kërkon historia.
Në
këtë mënyrë, Fatime Hamzë Jashari përfaqëson një brez të tërë fëmijësh dhe të
rinjsh që u rritën në hijen e luftës, të përgatitur shpirtërisht për sakrificë
dhe të vendosur për të mbrojtur me çdo kusht nderin dhe dinjitetin e popullit
të tyre.
Prindërit
e Fatimes, Hamzë dhe Feride Jashari, ishin bekuar me tetë fëmijë, një familje e
madhe që mishëronte shpresën, gjallërinë dhe vazhdimësinë e jetës në një vend
të trazuar nga pushtimi dhe padrejtësia. Emrat e tyre janë të njohur dhe të
gdhendur në kujtesën kolektive si pjesë e pandashme e tragjedisë, por edhe e
heroizmit të pashoq të familjes Jashari në Prekaz, që përjetësoi betejën më të
lavdishme të qëndresës shqiptare.
Në
atë epope të përgjakshme dhe madhështore, ranë dëshmorë bijtë dhe bijat e kësaj
familjeje që kishin vetëm pranvera të pakta mbi supe, por zemra të mbushura me
trimëri. Ishin: Selvete Hamëz Jashari (20 vjeçe), e re dhe në kulmin e rinisë
së saj, Afete Hamëz Jashari (17), që mezi kishte lënë pas fëmijërinë, Lirie
Hamëz Jashari (15), e rritur me këngë trimërie dhe ndjenja të pastra
atdhedashurie, Besim Hamëz Jashari (16), djali që po formohej për të marrë mbi
vete barrën e burrërisë, Blerim Hamëz Jashari (12), i cili ende nuk i kishte
jetuar mirë ëndrrat e djalërisë, Fatime Hamëz Jashari (9), me pafajësinë dhe
ëmbëlsinë e një fëmije, dhe Blerinë Hamëz Jashari (7 vjeçe), më e vogla, që nuk
e kuptonte ende plotësisht as kuptimin e fjalës luftë.
Këta
fëmijë nuk ishin thjesht numra në listën e viktimave të një krimi shtetëror,
por dëshmi të gjalla të sakrificës së familjes shqiptare që u detyrua të
zgjedhë nderin përpara jetës, qëndresën përpara nënshtrimit. Në këtë rreshtim
të lavdishëm dhe tragjik, ata përfaqësojnë fytyrën më të dhimbshme të luftës,
por njëkohësisht edhe më të ndriturën: gatishmërinë për të vdekur së bashku,
për të mos e tradhtuar pragun e shtëpisë dhe idealin e lirisë.
Emrat
e tyre përmenden sot me respekt të thellë dhe me një dhimbje të paharrueshme,
sepse ata nuk ishin vetëm fëmijët e Hamzë dhe Feride Jasharit, por u bënë bij
dhe bija të të gjithë Kosovës—dëshmitarë të përjetshëm të çmimit të lirisë dhe
të forcës së pashoqe të shpirtit shqiptar.
Në
tragjedinë e përgjakshme të marsit 1998, e njohur sot si Epopeja e Prekazit,
nuk ishin vetëm fëmijët e pafajshëm që u flijuan në altarin e lirisë. Përkrah
tyre, duke ndarë të njëjtin fat të dhimbshëm dhe heroik, ranë edhe Hamzë Shaban
Jashari, një nga figurat më të shquara të rezistencës shqiptare, dhe bashkëshortja
e tij, Feride Mecini Jashari.
Hamza,
i njohur për vendosmërinë dhe guximin e tij të jashtëzakonshëm, ishte një ndër
shtyllat kryesore të mbrojtjes së Prekazit e të Kosovës, njeri që nuk hoqi dorë
kurrë nga ideali i lirisë dhe nga përgjegjësia për të mbrojtur familjen dhe
pragun e shtëpisë. Ai ra me armë në dorë, duke mishëruar shembullin e trimërisë
së pastër dhe të pathyeshme shqiptare.
Në
krah të tij ishte Feridja, gruaja e Hamzës, një nënë dhe bashkëshorte e
jashtëzakonshme, e cila nuk pranoi të largohej nga familja as përballë kërcënimit
të sigurt të vdekjes. Ajo zgjodhi të qëndronte pranë burrit dhe fëmijëve të saj
deri në fundin më tragjik, duke dëshmuar forcën dhe madhështinë morale të gruas
shqiptare, që nuk e braktis kurrë shtëpinë, as njerëzit e saj më të dashur.
Vdekja
e tyre në atë masakër nuk është vetëm një faqe e lavdishme në historinë e
Kosovës, por edhe një testament i shkruar me gjak mbi vlerat më të larta të
njerëzimit: dashurinë, sakrificën dhe qëndresën. Ata lanë pas jo vetëm një
dhimbje të thellë për familjen e tyre dhe për gjithë popullin shqiptar, por
edhe një amanet të shenjtë: që liria të mos merret kurrë si e dhënë dhe që
kujtesa për ata që dhanë gjithçka për të, të mos shuhet kurrë. Mjafton vetëm
t’i lexosh këta emra një nga një, për të ndier peshën e jashtëzakonshme të një
liste që duket e pafund. Por kur mendon thellë e kupton se të gjithë këta
njerëz—burra, gra, vajza dhe fëmijë—u flijuan brenda vetëm tri ditësh, ndjenja
e dhembjes dhe e tmerrit bëhet e padurueshme.
Nuk
është thjesht një shifër tragjike që shënon numrin e të rënëve. Është një
dëshmi rrëqethëse e egërsisë së papërmbajtur dhe të pamëshirshme të një
pushtuesi që e shndërroi vdekjen masive në mjet të frikës dhe të nënshtrimit.
Dhuna e ushtruar nuk ishte vetëm kundër trupave të pambrojtur, por edhe një
sfidë brutale ndaj vetë natyrës njerëzore, duke shkelur çdo normë morale,
ligjore dhe humane.
Në
të vërtetë, ajo që ndodhi në ato tri ditë në Prekaz nuk ishte thjesht një akt
lufte, por një manifestim i egërsisë së zhveshur nga çdo vlerë civilizimi—një
egërsi që edhe vetë natyra, me ligjet e saj të pashkruara, do ta përçmonte si
të tepërt dhe të padenjë. Masakra e Prekazit shënon një pikë kthese në
historinë tonë jo vetëm si simbol i sakrificës sublime, por edhe si akt që
përjetësisht do të dëshmojë se çfarë janë të afta të bëjnë forcat e errësirës
kur përballen me një popull që nuk pranon të dorëzohet.
Leximi
i këtyre emrave është, në fund të fundit, një akt nderimi dhe kujtese, por edhe
një kujtesë e dhimbshme për detyrimin tonë për të mos harruar kurrë çmimin e
lirisë dhe për të mos lejuar kurrë që kjo histori të përsëritet. Teksa syri më
ndalet mbi fotografinë e vogëlushes Fatime, një ndjesi therëse e përshkon
trupin – një të dridhur që nuk është veçse pasqyrë e një tronditjeje të thellë
shpirtërore. Në mendje ngrihet pyetja, aq e thjeshtë sa edhe e tmerrshme në
përmbajtje: Çfarë lloj njerëzish mund të arrijnë deri aty sa të vrasin fëmijë?
Ky
reflektim i heshtur na fton të shqyrtojmë kufijtë e barbarisë njerëzore, duke
na kujtuar se vrasja e një fëmije nuk është thjesht një akt kriminal, por
shenjë e shthurjes së plotë morale dhe shoqërore. Në logjikën e qytetërimeve që
mbajnë si themel humanizmin, fëmija përfaqëson pafajësinë, shpresën dhe
vazhdimësinë e jetës. Prandaj, plumbi ndaj një fëmije është edhe atentat kundër
vetë ideve më të larta të humanitetit.
Vrasja
e fëmijëve nuk është një akt që lind në boshllëk, ajo është prodhim i një
mjedisi ku urrejtja, dhuna dhe çnjerëzimi kultivohen sistematikisht. Një
shoqëri që e humb ndjeshmërinë ndaj fateve të më të pambrojturve e komprometon
çdo pretendim për civilizim. Dhe kështu, ata që guxojnë të ngrenë dorë mbi
fëmijë nuk janë veçse dëshmi e gjallë e asaj që filozofia politike e ka quajtur
degjenerim i skajshëm etik. Ata nuk janë thjesht vrasës – janë figura
monstruoze që e mohojnë të përbashkëtën njerëzore.
Këta
janë barbarë në kuptimin më të thellë të fjalës – jo thjesht njerëz të
dhunshëm, por përfaqësues të një bote mendësish ku dashuria për fëmijët mungon,
dhe me të mungon edhe ndjenja e përgjegjësisë për brezat që vijnë. Ata janë, në
këtë kuptim, “monstra të veçanta të njerëzimit”, sepse tek ta shembet çdo
pritshmëri minimale e moralit universal.
Shikimi
i një fotografie të tillë – një fëmije të pafajshëm, të vrarë apo të kërcënuar
nga dhuna – nuk mund të mos trazojë ndërgjegjen. Ai bëhet një lloj dokumenti i
gjallë i krimit dhe një apel për t’u përballur me pyetjet më të vështira për
natyrën njerëzore. Si është e mundur një akt kaq i tmerrshëm? Çfarë na bën të
devijojmë kaq larg nga ideali i mbrojtjes dhe dashurisë për jetën? Dhe më e
rëndësishmja – çfarë duhet të bëjmë për të mos e lejuar kurrë më një gjë të
tillë?
Ky
meditimi i thellë nuk është thjesht një pasqyrë e dhimbjes individuale. Është
një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror dhe për angazhim etik, sepse matja e
vërtetë e qytetërimit nuk bëhet me arritje materiale, por me aftësinë për të
mbrojtur më të pafajshmit ndër ne.
Është
e vërtetë që dora vrastare mundi ta ndalte frymën e vogëlushes Fatime, por ajo
nuk arriti kurrë të shuante pastërtinë shpirtërore të fëmijërisë kosovare, të
atij ideali të kristaltë që simbolizon liria dhe dinjiteti i një populli të
tërë. Vrasësit mund të godasin trupin e një fëmije, por janë të pafuqishëm
përballë fuqisë së pamort të kujtesës dhe të shpresës që rritet nga brezi në
brez.
Fatimja
e vogël, me buzëqeshjen e saj të dëlirë, mbolli një dritë që nuk u shua me
vdekjen e saj. Ajo buzëqeshje vazhdon të jetojë në sytë dhe fytyrat e brezave
të rinj, në gëzimin e fëmijëve që u lindën dhe u rritën në një Kosovë më të
lirë, më të vetëdijshme për çmimin e lirisë. Ajo u bë një simbol i dashurisë
dhe i sakrificës, një dëshmi se edhe më e dhimbshmja ndër humbje mund të
kthehet në një mbështjellës të pathyeshëm vlerash morale.
Sot,
emri dhe kujtimi i saj mbijetojnë në mënyrë konkrete e të prekshme në
Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz. Aty, ku historia e Kosovës e ka
gdhendur me gjak dhe sakrificë themelet e shtetësisë së saj, Fatimja qëndron si
një engjëll simbolik në roje të ndërgjegjes kombëtare. Ajo nuk është vetëm një
figurë e së kaluarës – është pjesë e një etike të gjallë të përkujtimit, një
thirrje e heshtur për të mos harruar se liria kërkon jo vetëm flijim, por edhe
kujdes për ta ruajtur atë të pacënuar.
Në
këtë kontekst, martirizimi i Fatimes dhe i të gjithë fëmijëve e familjarëve të
tjerë që u flijuan në altarin e lirisë nuk është vetëm një akt tragjik – është
themel i një kulture përkujtimore që shërben për edukim, ndërgjegjësim dhe
mobilizim moral. Lavdia që u kushtohet atyre nuk është vetëm një ceremoni formale,
por një borxh i përhershëm që na fton të reflektojmë mbi të kaluarën për të
ndërtuar një të ardhme më humane, më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Prandaj,
emri i Fatime Hamzë Jasharit mbetet i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Një
dritë e vogël që bën të ndriçojë rruga jonë e përbashkët drejt paqes, lirisë
dhe dinjitetit kombëtar. Kujtimi i saj dhe i të gjithë engjëjve të rënë është
një testament moral për shoqërinë – një kujtesë se fëmijët janë thesari më i
çmuar i një kombi dhe se mbrojtja e tyre është imperativi më i lartë i
qytetërimit.
Literatura:
Hanumshahe Ilazi, A
vriten engjëjt?! (Vrasjet e fëmijëve në Kosovë) (1981-2000), Prishtinë 2021
https://www.epokaere.com/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1998/
Fehmi Ajvazi, Figura e
Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
Bardh Hamza & Faik
Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
Bedri Tahiri, Adem
Jashari Jashari legjend e legjendave, Prishtinë 2008
Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
Bedri Tahiri, Drenica
djep i trimërisë, Prishtinë 2008
Jakup Krasniqi, Flijimi
për lirinë, Prishtinë, 2011
https://www.radiokosovaelire.com/mehmet-bislimi-prekazi-dhe-flaket-e-lirise/
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10159996081794104&id=133307854103&set=a.10153478970579104
https://www.radiokosovaelire.com/zahide-shaban-geci-jashari-1924-7-3-1998/
https://www.facebook.com/100064316756685/posts/zahide-jashari-n%C3%ABna-e-t%C3%AB-gjith%C3%AB-shqiptar%C3%ABve/995353995951816/
https://www.syri.net/kosova/797366/zbulohet-shtatorja-e-zahide-jasharit-nenes-se-heronjve-adem-e-hamez-jashari-simbol-i-dashurise-dhe-lirise-ne-skenderaj/
https://www.facebook.com/FaleminderitZotQeJamShqiptar/photos/zahide-jashari-nena-e-adem-jasharit-faliminderit-qe-na-dhurove-djem-trima-y/348567328579040/?locale=sq_AL
https://www.kosovarja-ks.com/tag/zahide-jashari/
https://www.visarkryeziu.com/product-page/zahide-jashari-n%C3%ABna-zahide
https://gazetademos.com/nena-zahide-jashari/