Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (31)

| E hene, 25.08.2025, 07:00 PM |


GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (31)

GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË

HYRË QAZIM EMINI

(21.7.1973 – 29.7.2001)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Hyrë Qazim Eminin pata rastin ta njoh pak pas përfundimit të luftës, më saktësisht në marsin e vitit 2001, në një periudhë kur Kosova sapo kishte nisur të merrte frymë lirshëm dhe të ringjallej pas traumës së gjatë. Ishte koha kur përpjekjet tona për të ndërtuar jo vetëm institucionet, por edhe kujtesën historike, kishin marrë një hov të veçantë. Në atë muaj, në Prishtinë organizuam një konferencë shkencore me rëndësi të madhe për vetëdijen tonë kombëtare dhe historike, e cila i kushtohej demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981 – atij kapitulli të paharruar të rezistencës dhe të kërkesës së artikuluar për liri dhe barazi. Konferenca u mbajt me rastin e 20-vjetorit të atyre ngjarjeve madhore, të cilat ishin përpjekur për dekada të tëra të shtypeshin dhe të fshiheshin nga historiografia zyrtare.

Ishte në këtë kontekst solemn dhe kuptimplotë që njoha nga afër Hyrë Qazim Eminin, një personalitet me përvojë dhe bagazh të çmuar në fushën e historisë dhe të çështjes kombëtare. Bashkë me të, pjesë e asaj veprimtarie të rëndësishme ishte edhe profesoresha e nderuar Fatmira Musai, e ardhur posaçërisht nga Tirana për të dhënë kontributin e saj profesional dhe për të treguar njëherazi përkujdesjen dhe solidaritetin e Shqipërisë me Kosovën në këtë proces të rigjallërimit të kujtesës sonë kolektive. Pas përfundimit të punimeve të konferencës, profesoresha Fatmira Musai shprehu me shumë përzemërsi dëshirën për të pasur një takim të veçantë me Hyrë Qazim Eminin. Kërkesa e saj nuk ishte e rastësishme, as thjesht një formalitet miqësor i një aktiviteti shkencor. Përkundrazi, ajo buronte nga një lidhje e hershme dhe e sinqertë miqësore që të dyja e kishin ndërtuar dhe ruajtur me kujdes qysh para luftës në Tiranën e bukur.

Ishte pikërisht periudha kur Hyrë Emini ishte studente në Universitetin e Tiranës që i kishte afruar dhe lidhur ato. Ato kishin ndarë jo vetëm auditorët dhe librat, por edhe bisedat e thella për gjuhën, historinë, kulturën dhe çështjen kombëtare, duke krijuar një marrëdhënie të bazuar në respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe përkushtim të përbashkët për dijen dhe atdheun. Në ato vite të vështira, kur komunikimi dhe bashkëpunimi ndërshqiptar ishte i kufizuar nga rrethanat politike dhe barrierat e vendosura nga regjimet përkatëse, miqësi të tilla kishin një domethënie të veçantë. Ato ishin urë lidhëse shpirtërore mes shqiptarëve të ndarë administrativisht dhe politikisht, por të bashkuar në ndjenja dhe aspirata të përbashkëta kombëtare. Prandaj, dëshira e Fatmirës për ta takuar Hyrën pas konferencës ishte diçka shumë e natyrshme dhe tepër miqësore.

Hyra na mirëpriti me zemër të hapur dhe krahë të shtrirë në zyrat e atëhershme të TMK-së, duke na treguar menjëherë ngrohtësinë dhe mikpritjen e saj të natyrshme. Gëzimi i saj ishte i sinqertë dhe i dukshëm, një emocion i pastër që buronte nga një ndjesi e fortë miqësie dhe respekti të ndërsjellë. Edhe pse unë personalisht nuk e kisha takuar më parë dhe nuk e njihja nga afër, emri i saj nuk më ishte i huaj. Kisha dëgjuar shpesh për të, për angazhimin e saj, për personalitetin e fortë dhe për kontributin e çmuar që kishte dhënë. Ndaj, takimi ynë i parë nuk ishte një prezantim formal dhe i ftohtë, por një përqafim i ngrohtë dhe i përzemërt, si mes miqsh të vjetër që më në fund kishin mundur të takoheshin ballë për ballë.

Në atë zyrë, biseduam gjatë dhe me pasion, duke ndarë kujtime, ide dhe reflektime. Atmosfera ishte miqësore, plot ngrohtësi njerëzore dhe respekt reciprok, duke treguar se lidhjet e vërteta shpirtërore dhe kombëtare nuk i zbehin as vitet dhe as rrethanat. Me zemër të madhe dhe bujari të sinqertë, Hyra na ftoi të shkonim tek ajo për drekë, duke dashur ta zgjaste atë çast të këndshëm dhe ta bënte edhe më të paharrueshëm. Por, për fat të keq, mundësitë tona nuk përputheshin. Fatmirës i kishte ardhur fundi i ditëve të qëndrimit në Kosovë dhe të nesërmen duhej të kthehej për në Tiranë. Kështu, ndonëse nuk mundëm ta pranonim atë ftesë të ngrohtë, mbeti në kujtesën tonë sinqeriteti dhe mikpritja e saj, si dhe ndjenja se kishim ndarë një moment të veçantë dhe të çmuar miqësie e respekti.

Me Hyrë Eminin pata rastin dhe kënaqësinë të takohem edhe disa herë të tjera më vonë, falë afërsisë së madhe që kishte Instituti i Historisë me ndërtesën e atëhershme të TMK-së. Çdo herë që përfundonim punën dhe dilnim për të shkuar në shtëpi, ndodhte që të përballeshim në oborr ose në rrugë, dhe ato çaste spontane shndërroheshin në biseda të gjata, të ngrohta dhe plot kuptim. Bisedat tona nuk ishin thjesht muhabet i përditshëm. Me Hyrën, çdo fjalë merrte peshë, çdo kujtim kthehej në reflektim mbi të kaluarën, mbi dhimbjet dhe krenarinë e atyre viteve të zjarrit e të sakrificës. Ajo ishte një bashkëbiseduese që të frymëzonte dhe të nxiste të mendoheshe më thellë për përgjegjësitë që kemi si dëshmitarë dhe studiues të historisë sonë. Në çdo takim, Hyra nuk harronte kurrë të më jepte të njëjtën porosi, një lloj amaneti të përzemërt e të përsëritur me një seriozitet plot dashuri: Të lutem, shkruaj! Shkruaj për të gjitha ato gra dhe ata burra që ranë në altarin e lirisë. Ishte një lutje dhe një urdhër moral njëkohësisht, një kujtesë e fortë se detyra jonë nuk ishte vetëm të kujtojmë në heshtje, por të dokumentojmë dhe të përjetësojmë kujtimin e tyre me fjalë të shkruara.

Unë buzëqeshja gjithmonë kur e dëgjoja këtë porosi të saj kaq të ngulitur në zemër. Dhe ajo, si gjithmonë, mbyllte bisedën me atë të qeshurën e saj karakteristike dhe të veçantë, duke më shtrënguar fort dorën – një shtrëngim që nuk ishte thjesht përshëndetje, por një dëshmi e sinqertë miqësie dhe mirëkuptimi. Pastaj largohej me nxitim, por gjithnjë duke hedhur prapa shpinës një premtim të thjeshtë dhe të ngrohtë: Nesër do të shihemi prapë, në të njëjtën kohë. Ishte një ritual i heshtur i përditshmërisë sonë, një mënyrë e bukur për të ruajtur lidhjen njerëzore dhe për të forcuar përkushtimin tonë të përbashkët për të mos e harruar kurrë atë që kishte ndodhur dhe për të mos lejuar që heroizmi i atyre grave e burrave të mbetej pa zë dhe pa kujtesë. Kishte kaluar tashmë një periudhë e gjatë që nuk e kisha takuar Hyrë Eminin në vendin tonë të zakonshëm të takimeve. Ato biseda të përditshme, që kishin qenë një lloj rituali të heshtur dhe të dashur, ishin ndërprerë papritur nga ritmi i vrullshëm i jetës dhe detyrimeve tona të shumta. Megjithatë, gjithmonë e kisha në mendje, dhe në një farë mënyre e prisja që një ditë të ndesheshim sërish aty, ashtu si dikur, për të shkëmbyer një përshëndetje të ngrohtë dhe ndonjë bisedë të gjatë e të mbushur me mendime.

Por pastaj ndodhi ajo që nuk e kisha imagjinuar dhe që nuk do të doja kurrë ta besoja. Një ditë të zakonshme, pa asnjë shenjë paralajmëruese, në fund të korrikut, lajmi i zi për vrasjen e saj u përhap rrufeshëm nëpër qytet, duke shkundur ndërgjegjen dhe zemrat tona. Ai lajm ishte si një goditje e rëndë, që më zuri të papërgatitur dhe më la të ngrirë në vend. Ndjeva një shtangie të thellë, një tronditje që nuk mund ta përshkruaj plotësisht me fjalë. M’u duk sikur koha u ndal për një çast dhe gjithçka tjetër humbi rëndësinë e vet. Por, edhe pse lajmi më shokoi dhe më lëndoi, e dija brenda vetes – me atë ndjesinë e dhimbshme por të qartë – se Hyra nuk kishte vdekur thjesht, por kishte rënë drejt, me nder, ashtu siç kishte jetuar.

Ajo kishte rënë vertikalisht, duke mbajtur lart idealet e saj, në fshatin Tanushë të Gostivarit – një emër që nga ai moment do të mbetej i gdhendur përgjithmonë në kujtesën time si vendi i fundit i qëndresës së saj. E dija se ajo nuk do të ishte kurrë më një zë i gjallë në bisedat tona të zakonshme, por do të mbetej një zë i brendshëm, i paharrueshëm, një kujtesë dhe një amanet për të vazhduar të shkruajmë dhe të ruajmë historinë e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Dhe ja ku jam tani, me zemrën e rënduar dhe shpirtin të lënduar nga mungesa e saj, duke u zhytur me kujdes dhe përkushtim nëpër literaturën dhe dosjet e shumta që ruajnë dëshmi për ata që u flijuan në luftën e fundit. Me durim dhe ndjenja të përziera, shfletoj faqe pas faqeje, duke mbledhur copëza jete dhe veprimtarie që ndriçojnë figurën e mikes sime të dashur, Hyrë Eminit.

Nuk është një punë e lehtë dhe as e zakonshme – është një proces i mbushur me dhimbje dhe reflektim të thellë. Çdo dokument, çdo shënim apo dëshmi më ngjall kujtime të gjalla të saj, më risjell në mendje zërin e saj, fjalët e saj të ngrohta, por edhe premtimin e saj të përsëritur me këmbëngulje: Shkruaj! Shkruaj për ata që ranë në altarin e lirisë. Ndërsa mbledh të dhëna, nuk jam thjesht një studiuese e ftohtë që kërkon fakte. Jam një mikeshë që përpiqet të ruajë nderin dhe kujtimin e saj, ta përjetësojë atë në fjalë të shkruara që nuk do t’i fshijë kurrë koha. Dua të mos mbetet vetëm një emër në një listë dëshmorësh, por të ngrihet si një figurë e plotë dhe e gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare, me tërë madhështinë e saj njerëzore dhe heroizmin e saj të heshtur.

Në këtë kërkim të mundimshëm, e ndiej gjithnjë praninë e saj si një shtysë morale, një frymëzim i heshtur që më kujton se ky nuk është thjesht një borxh profesional, por një amanet i shenjtë i miqësisë sonë. Dhe kështu, përmes këtij procesi të dhimbshëm, por të domosdoshëm, përpiqem të ndërtoj një monument të qëndrueshëm kujtese për Hyrën – që brezat e ardhshëm ta njohin jo vetëm si një heroin të luftës, por si një trimëreshë që jetoi dhe vdiq me dinjitet, duke mishëruar idealet më të larta të atdheut të saj.

Gjatë këtij hulumtimi të kujdesshëm dhe të përkushtuar, arrita të mbledh një numër të konsiderueshëm shkrimesh dhe dokumentesh që më japin një pasqyrë mjaft të qartë dhe të pasur për jetën dhe veprimtarinë e Hyrë Eminit. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të ndërtuar një biografi solide, madje edhe për të hartuar një tekst prej tetë apo nëndë faqesh që do të mund të shërbente si një përmbledhje e denjë dhe e respektueshme për figurën e saj. Megjithatë, kur i shikoj të gjitha këto fakte, rrëfime dhe kujtime të mbledhura, më lind menjëherë një pyetje e thellë dhe e ndershme, a mjafton vallë një tekst kaq i kufizuar në faqe për ta përshkruar plotësisht dhe drejtësisht jetën e saj? A mund të përmblidhet në disa faqe gjithë ajo madhështi karakteri, gjithë ai përkushtim ndaj atdheut, gjithë ajo sakrificë e heshtur dhe e plotë?

Në vetëdijen time, përgjigjja është e qartë- Jo, nuk mjafton. Hyra Emini nuk mund dhe nuk duhet të përkufizohet thjesht brenda kufijve të ngushtë të një biografie të shkurtër. Ajo meriton shumë më tepër – një trajtesë të gjerë, të thellë dhe të gjithanshme që të zbërthejë jetën e saj në të gjithë dimensionet si vajzë dhe motër, si intelektuale dhe atdhetare, si bashkëluftëtare dhe dëshmore.

Ajo meriton një vepër që të mos jetë vetëm kujtesë për të, por edhe udhërrëfyes për brezat që do të vijnë – një testament i shkruar që të tregojë se çfarë do të thotë të jetosh me përkushtim të plotë dhe të japësh gjithçka për idealin e lirisë. Një vepër që ta vendosë emrin e saj aty ku e ka vendin – në panteonin e figurave që nuk i përkasin vetëm një familjeje apo një kohe, por të gjithë kombit dhe përjetësisë. Prandaj, çdo faqe që i kushtohet asaj nuk është thjesht shkrim, por detyrim moral, një mënyrë për të kthyer një pjesë të vogël të borxhit që kemi ndaj saj dhe ndaj të gjithë atyre që dhanë gjithçka për ne.

Megjithatë, ndër të gjitha burimet dhe dëshmitë që pata mundësi të konsultoja gjatë këtij hulumtimi, më të çmueshmet dhe më të besueshmet më dolën ato që i kishte dhënë vetë vëllai i saj. Fjalët e tij, të thjeshta por të ndjera, nuk ishin thjesht informacione të thata apo të largëta, por dëshmi të drejtpërdrejta, të ngarkuara me ndjenja dhe me kujtime të gjalla që vetëm një familjar i afërt mund t’i tregojë me aq saktësi dhe sinqeritet.

Në to ndjeva jo vetëm rrëfimin e një vëllai për motrën e tij të dashur, por edhe një akt të thellë kujtese dhe respekti, një përpjekje për të ruajtur gjallë figurën e saj ashtu siç ishte – pa zbukurime të kota, por edhe pa i humbur asnjë prej vlerave të saj njerëzore dhe atdhetare. Ishin të dhëna që nuk buronin nga thashethemet apo nga ndërmjetësime të largëta, por nga zemra e dikujt që e kishte njohur Hyrën në çdo hap të jetës, që kishte ndarë me të jo vetëm të përditshmen, por edhe frikën, shpresën dhe vendosmërinë në kohë të vështira. Prandaj, për të qenë e drejtë dhe e ndershëm ndaj kujtimit të saj, zgjodha që të mbështetem fort në këto dëshmi të afërta dhe autentike. Sepse vetëm ato mund të japin një pasqyrë të vërtetë dhe të thellë mbi personalitetin e saj kompleks dhe të guximshëm. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme për të shmangur çdo interpretim të ftohtë dhe të huaj dhe për të ndërtuar mbi themelin më të sigurt – mbi kujtesën e një familjari që ruante si relikt të shenjta kujtimet për motrën e tij të rënë në altarin e lirisë.

Sipas shënimeve që i lë vëllai i Hyrës, ai thotë se Hyrë Emini erdhi në jetë në qytetin e Ferizajt, në gjirin e një familjeje të njohur për traditat e saj të pasura atdhetare dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Kjo familje kishte rrënjët në fshatin Maçitevë të Therandës, vend prej nga ishte shpërngulur më herët si shumë familje të tjera shqiptare të asaj kohe. Në vitin 1958, familja e saj u bë pjesë e atij eksodi të dhunshëm dhe të planifikuar me kujdes nga politika asimiluese e regjimit të atëhershëm jugosllav, që kishte për qëllim dobësimin e elementit shqiptar përmes shpërnguljes në Turqi. Ishte një strategji e ligë dhe e dhimbshme, që i detyroi mijëra familje shqiptare të braktisnin atdheun e tyre, duke marrë me vete vetëm mallin dhe kujtimet për vendlindjen.

Mirëpo, udhëtimi i familjes së Hyrës nuk mori atë rrjedhë që ishte parashikuar. Pasi mbërritën në Maqedoni, për arsye të ndryshme, nuk arritën të vazhdojnë më tej drejt Turqisë. Në vend të kësaj, ata u detyruan të ndaleshin dhe të qëndronin aty për një periudhë të pacaktuar, duke e ndërtuar jetën në një mjedis të huaj dhe të vështirë. Vetëm pas rënies nga pushteti të Aleksandër Rankoviqit – figurës famëkeqe të politikës antishqiptare serbe, e cila ishte simbol i dhunës, represionit dhe politikave të spastrimit etnik – familja e Hyrës pa një dritë shprese për t’u kthyer në vendin e vet. Me zemrën plot mall dhe me një qëndresë të admirueshme, ata morën rrugën e kthimit në Kosovë, duke u vendosur fillimisht në fshatin Neredime të Ferizajt.

Më vonë, duke kërkuar mundësi më të mira jetese dhe shkollimi për fëmijët, familja e Hyrës vendosi të zhvendosej në vetë qytetin e Ferizajt. Kështu, historia e saj familjare është dëshmi e gjallë e përpjekjes shqiptare për të mbijetuar, për të ruajtur identitetin dhe për të mbetur i lidhur me tokën amtare, pavarësisht dhunës, shpërnguljeve dhe politikave të asimilimit që synonin të zhbënin një popull të tërë.

Në formimin dhe ndërgjegjësimin atdhetar të Hyrë Eminit pati një ndikim të veçantë dhe të thellë një ngjarje e dhimbshme familjare, burgosja dhe dënimi politik i vëllait të saj të madh, Ramadan Eminit, i cili në vitin 1986 u dënua me pesë vjet burg nga regjimi jugosllav për veprimtari politike. Ky akt represiv, që synonte të frikësonte dhe nënshtronte familjet shqiptare, kishte efekt të kundërt tek Hyra. Ky rast i burgosjes së vëllait, e zgjoi dhe e forcoi vetëdijen e saj kombëtare, duke i dhënë një drejtim të qartë jetës së saj të re. Në formimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar të Hyrë Eminit kishte lënë gjurmë të pashlyeshme edhe shembulli i ndritshëm i rezistencës së dajës së saj, Shaban Biba-Jezerci. Ky burrë i pathyeshëm ishte një figurë emblemë e qëndresës shqiptare kundër pushtuesve të huaj, i cili kishte luftuar pa u trembur kundër ushtrisë jugosllave të Titos në vitet e pasluftës së Dytë Botërore.

Bashkëluftëtar i ngushtë i Hysen Tërpezës, Shaban Biba kishte mbajtur armën në dorë për dy vjet rresht, duke u bërë pengesë e fortë për planet e pushtuesit jugosllav për të nënshtruar dhe shuar çdo lëvizje liridashëse shqiptare. Pushteti jugosllav, i njohur për metodat e tij të pamëshirshme, arriti deri atje sa t’ia merrte familjen peng, në një përpjekje çnjerëzore për ta detyruar të dorëzohej dhe të shkatërronte moralin e tij luftarak. Megjithatë, as ky presion barbar nuk e theu shpirtin e tij luftarak. Për këtë guxim dhe këmbëngulje, më 1947 ai u dënua me 14 vjet burg – një çmim i rëndë personal, por edhe një vulë nderi në historinë e rezistencës kombëtare.

Kjo trashëgimi morale dhe heroike nuk u shua me kalimin e kohës. Përkundrazi, ajo u bë pjesë e ndërgjegjes dhe frymëzimit të brezave të rinj të familjes, duke përfshirë edhe mbesën e tij, Hyrë Eminin. Ajo e pa te daja i saj jo vetëm një figurë të afërt familjare, por një shembull të gjallë se si duhet të luftohet për të drejtën dhe për lirinë, edhe kur çmimi është më i larti i mundshëm. Në këtë mënyrë, Hyra trashëgoi jo vetëm gjakun, por edhe idealin dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Duke e ndjekur gjurmën e këtij trimi të rezistencës sonë kombëtare, ajo mori armët dhe u përfshi vetë në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke mos kursyer as jetën e saj.

Pa mbaruar ende gjimnazin, ajo nisi të angazhohej aktivisht në grupe të rinjsh që kishin për qëllim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen për çështjen shqiptare. Nuk ishin grupe të zakonshme apo formale, ata zhvillonin një punë të kujdesshme dhe të guximshme, duke përdorur edhe forma alternative të aktivitetit kulturor dhe edukativ për të mbjellë dhe forcuar ndjenjat atdhetare, për të ruajtur gjuhën, historinë dhe identitetin në kushte të represionit të egër politik. Me fillimin e viteve ’90, një periudhë vendimtare dhe tejet e trazuar për shqiptarët e Kosovës, Hyra nuk qëndroi indiferente. Përkundrazi, ajo u rreshtua në radhët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut – një organizatë që vepronte hapur për mbrojtjen e të drejtave themelore të shqiptarëve të shtypur. Por veprimtaria e saj dhe e shokëve të saj nuk kufizohej vetëm në protestën dhe mbrojtjen publike të të drejtave civile. Nën këtë mbulesë ligjore dhe qytetare, një pjesë e anëtarëve të Këshillit, përfshirë edhe Hyrën, merreshin me organizimin e punës ilegale për përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur, duke ushqyer dhe ndërtuar frymën e rezistencës aktive.

Duhet theksuar se në atë kohë, në krye të këtij Këshilli ishte Adem Demaçi – figura legjendare e rezistencës paqësore dhe simboli i ndërgjegjes shqiptare. Fryma dhe vizioni i tij për organizim, vendosmëri dhe përgatitje të gjithanshme për përballje me regjimin ndikuan thellë mbi të gjithë anëtarët e rinj, përfshirë edhe Hyrën. Ajo u formua kështu si pjesë e një brezi që e kuptoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me përkushtim dhe me organizim të palëkundur.

Por Hyra nuk ishte vetëm një luftëtare e maleve dhe e armës. Ajo ishte edhe një nxënëse dhe studente e shkëlqyer. Shkollimin fillor e kreu në qytetin e saj të lindjes, Ferizaj, ku më pas ndoqi edhe gjimnazin. Gjatë viteve të shkollës së mesme, ajo u dallua për përkushtimin dhe inteligjencën e saj të jashtëzakonshme, duke fituar titullin e nxënëses më të mirë të Ferizajt – një dëshmi e hershme e seriozitetit dhe talentit të saj. Pas përfundimit të gjimnazit në qytetin e saj të lindjes, Hyrë Emini vazhdoi rrugën e dijes duke u regjistruar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në auditorët e këtij fakulteti, ajo e përfundoi me sukses të dalluar dy vitet e para të studimeve, duke dëshmuar sërish zellin dhe pasionin e saj për gjuhën, letërsinë dhe kulturën kombëtare.

Po në atë kohë, në funksion të qëllimeve kombëtare, Hyra merrej edhe me aktivitete kulturore, me ç’rast kishte arritur ta organizojë grupin e recituesve të rinj në Ferizaj, si dhe manifestimin multikulturor kushtuar dëshmorëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvala, Nuhi Berisha e Rexhep Mala, “Flaka e Janarit”. Edhe vetë kishte talent të recitonte, por edhe të shkruante poezi. Si organizatore e manifestimit të fundit, në fillim të vitit 1994, ajo arrestohet nga sigurimi shtetëror serb i Ferizajt dhe dënohet për kundërvajtje, me dy muaj burg. Një pjesë të këtij dënimi e vuan në shtëpinë ndëshkuese në Lipjan, kurse pjesën tjetër, në burgun e Pozharecit, në Serbi.

Në fillim të viteve ’90, Hyra ishte angazhuar edhe në kuadrin e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mirëpo me kohë ishte tërhequr nga kjo parti. Duke qenë tashmë vazhdimisht nën vëzhgimin e sigurimit shtetëror serbe, Hyra detyrohet t’i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’i vazhduar në atë të Tiranës. Ndërkohë, në Tiranë ishin vendosur edhe dy vëllezërit e saj, Ramadani dhe Enveri, të cilit atje merreshin me punë ndërtimtarie. Mirëpo, edhe në Tiranë Hyra nuk i kishte vënë studimet në planë të parë. Këto studime ajo do t’i përfundoj vetëm pasi të mbaronte lufta e armatosur në Kosovë, ku mori pjesë në frontet e saja, sepse ajo ishte e vetëdijshme se para lirisë së vendit nuk mund të kishte detyrë më të ngutshme. Ndërkohë, në Tiranë, Hyra kishte vënë lidhjet me udhëheqës të UÇK-së, ndër të cilët edhe me luftëtarin e njohur tash dëshmor, Adrian Krasniqi.

Me shpërthimin e luftës në Kosovë, Hyre Emini mori një vendim të qartë dhe të vendosur, t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky vendim nuk ishte i rastësishëm apo i nxitur nga emocione të momentit, por një shprehje e qartë e përkushtimit të saj të hershëm ndaj lirisë dhe çështjes kombëtare. Në maj të vitit 1998, ajo kthehet në vendlindje, në Ferizaj, pranë familjes së saj, për t’u përgatitur për këtë angazhim të madh dhe të rrezikshëm.

Një muaj më vonë, Hyra u inkuadrua zyrtarisht në radhët e UÇK-së. U pozicionua në pikën ushtarake të Jezercit, një bazë e sapoformuar që shpejt do të bëhej një nga qendrat kryesore të rezistencës në atë zonë. Pika ushtarake e Jezercit ishte nën komandën e Imri Ilazit, i njohur për të gjithë si Komandant “Ferri”, i cili ishte një ndër figurat më të respektuara dhe më të vendosura të luftës. Me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e strukturave të UÇK-së, u bë riorganizimi i saj në zona ushtarake operative dhe brigada. Në këtë kuadër, Hyra veproi si pjesëtare e Brigadës 161, duke marrë emrin e saj të luftës “Mira” – një nofkë që për bashkëluftëtarët do të bëhej sinonim i përkushtimit dhe i guximit.

Në këtë brigadë ajo nuk ishte një ushtare e zakonshme. Mori pjesë aktive në të gjitha betejat më të ashpra dhe vendimtare që u zhvilluan në Zonën Operative të Nerodimës, duke qenë gjithnjë në vijën e parë të zjarrit dhe të përballjes. Ishte e njohur ndër bashkëluftëtarët e saj për devotshmërinë dhe disiplinën e lartë, për ndjenjën e thellë të përgjegjësisë që tregonte jo vetëm ndaj detyrave të saj, por edhe ndaj jetës dhe moralit të shokëve me të cilët ndante çdo rrezik.

Armatimi i saj i përhershëm përbëhej nga automatikë, revolverë dhe bomba dore, të cilat i mbante gjithmonë gati, si shenjë e gatishmërisë për çdo përballje. Por përveç armës, ajo mbante me vete edhe një kamerë filmike. Nëpërmjet saj, Hyra dokumentonte me kujdes shumë nga momentet më të rëndësishme dhe më të vështira të luftimeve, duke ruajtur për brezat e ardhshëm një pjesë të së vërtetës së asaj lufte të përgjakshme.

Pas krijimit të institucioneve informative të UÇK-së, siç ishin Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress, Hyrë Emini u bë një nga bashkëpunëtoret më aktive dhe më të përkushtuara. Së bashku me emra të njohur si Ruzhdi Jashari, Ali Uka dhe të tjerë, ajo raportonte rregullisht nga fronti për zhvillimet më të fundit të luftimeve në zonën e saj. Ky angazhim i saj nuk ishte vetëm një kontribut informativ, por edhe një formë tjetër e luftës – lufta për të vërtetën dhe për ndërgjegjësimin e opinionit vendas dhe ndërkombëtar për sakrificat dhe heroizmin e popullit të saj. Në këtë mënyrë, Hyra Emini nuk mbeti vetëm një luftëtare e armës, por u shndërrua edhe në një kronikane të gjallë të epopeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dëshmuar me të gjitha mjetet për idealin e shenjtë të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe çlirimit të vendit nga pushtimi serb, Hyre Emini nuk e pa veten të tërhiqej në qetësinë e jetës private. Përkundrazi, ajo vazhdoi rrugën e saj të përkushtimit ushtarak duke u inkuadruar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), formacioni i ri i sigurisë që trashëgonte frymën e Ushtrisë Çlirimtare dhe kishte misionin të mbronte dhe konsolidonte lirinë e fituar. Gjatë shërbimit në TMK, Hyra pati rastin të njohë nga afër shumë figura të shquara të rezistencës shqiptare. Midis tyre spikaste Tahir Sinani, luftëtari i palodhur dhe i paepur i lirisë nga Tropoja, me të cilin krijoi një respekt të ndërsjellë dhe një lidhje të veçantë të formuar në terrenin e përbashkët të idealeve. Po ashtu, ajo njohu e lidhi miqësi dhe aleanca me shumë bashkëluftëtarë të tjerë që, ashtu si ajo, nuk e shihnin misionin e tyre të përmbushur përderisa kishte ende troje shqiptare nën pushtimin e huaj – serb e maqedonas.

Në fillim të vitit 2000, kur shpërtheu kryengritja çlirimtare në trevat e Kosovës Lindore, jehona e atyre luftimeve nuk mund të mos e prekë shpirtin liridashës të Hyrës. Ajo nuk mbeti indiferente ndaj vuajtjes dhe përpjekjes së shqiptarëve përtej kufirit administrativ të Kosovës. Së bashku me Tahir Sinanin dhe të tjerë, Hyra kishte vendosur kontakte të ngushta me luftëtarët e atyre anëve dhe ndiqte me vëmendje çdo zhvillim, duke u interesuar thellësisht për ecurinë e betejës dhe për mundësitë për ta ndihmuar atë.

Ky sensibilitet i lartë dhe ndjenja e përgjegjësisë kombëtare nuk mund të zbehej, por vetëm shtohej, veçanërisht kur në pranverën e vitit 2001 shpërtheu kryengritja e armatosur në trevat shqiptare nën Maqedoni. Hyra e ndjeu si detyrë të shenjtë t’i përgjigjej atij kushtrimi. Së bashku me shokët e saj të afërt të luftës – si Tahir Sinani, Brahim Ademi, Vjollca Hamiti dhe të tjerë – ajo filloi të punonte me përkushtim për të përgatitur terrenin dhe organizimin për t’u inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Për këtë arsye madhore, në maj të vitit 2001, Hyra mori një vendim të qartë dhe të guximshëm, dha dorëheqjen nga shërbimi në radhët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Nuk ishte një hap i lehtë, por ishte një akt i vetëdijshëm sakrifice, që tregonte qartësinë e vizionit dhe përkushtimin e saj të pakompromis për lirinë e të gjithë trojeve shqiptare. Sapo mbërriti në Maqedoni, Hyra nuk humbi kohë. Bashkë me shokët e saj, ajo u angazhua menjëherë në shtrirjen dhe konsolidimin e frontit të luftës edhe më në jug, duke përqendruar përpjekjet në rrethinat strategjike të Dibrës dhe Gostivarit. Ajo tregoi aftësi organizative dhe guxim të pashoq, duke e kthyer idealin e bashkimit kombëtar në veprim të drejtpërdrejtë dhe të guximshëm, me vetëdijen se çlirimi dhe dinjiteti i popullit shqiptar nuk mund të ndaheshin kurrë sipas kufijve të imponuar politikisht.

Dy muaj pas angazhimit të saj në frontet e luftës në Maqedoni, Hyrë Emini – e njohur me emrin e luftës “Mira” – dha jetën në krye të detyrës, duke u bërë shembull i sakrificës së plotë dhe të ndërgjegjshme. Ishte në një aksion ushtarak në Kuk Zabel të Gostivarit që ajo ra dëshmore, duke mos u ndarë as në çastin e fundit nga shokët e saj më të afërt dhe besnikë të idealit.

Në atë betejë të ashpër dhe të pabarabartë, ranë edhe bashkëluftëtarët e saj të pandashëm: Tahir Sinani, simboli i pathyeshëm i luftës nga Tropoja; Brahim Ademi, i njohur për trimërinë e tij që nga Kosharja e Ferizajt; si dhe Naser Ademi e Hisa Fazliu, të dy bij të Gostivarit, që e njihnin çdo pëllëmbë të atyre maleve. Ato çaste lufte nuk lanë vetëm të vrarë, plagë të rënda morën edhe Vjollca Hamiti nga Prelezi i Ferizajt dhe Hajrullah Fejzulli nga Gostivari – dëshmi të gjalla të çmimit të lartë që pagoi kjo gjeneratë për lirinë.

Pas përfundimit të betejës, bashkëluftëtarët e mbetur, të pikëlluar dhe të ndjerë thellësisht për humbjen, morën mbi vete detyrën e dhimbshme për t’i varrosur trupat e tyre. Ata i varrosën në afërsi të vendit të rënies – një akt që nuk ishte vetëm domosdoshmëri praktike, por edhe një mënyrë për të respektuar vullnetin e fundit të “Mirës”. Sepse ajo, në momentin e ndarjes me të vëllain Enver, në Kukës, ndërsa nisej drejt frontit të ri, kishte lënë amanet të qartë, nëse do të binte, të varrosej aty ku do të derdhej gjaku i saj. Ishte një shenjë e thellë e lidhjes me tokën ku luftonte, një simbol i përkushtimit të plotë dhe të pakthyeshëm.

Megjithatë, ky amanet i saj i fundit nuk do të respektohej përfundimisht. Më vonë, bashkëluftëtarët dhe familjarët vendosën që trupin e dëshmores Hyrë Emini ta bartnin në atdheun e saj të lindjes, për ta rivarrosur me nderime në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj – qyteti që e kishte rritur dhe e kishte dhënë për lirinë e kombit. Ishte një vendim i ngarkuar me emocione dhe me ndjenja komplekse, nga njëra anë, dëshira për t’ia respektuar amanetin, dhe nga ana tjetër, domosdoshmëria që ajo të prehej mes të vetëve, aty ku kujtimi i saj do të nderohej përherë.

Bartja e trupave të dëshmorëve- Hyrë Emini, të Tahir Sinanit dhe të Brahim Ademit deri në kufirin me Kosovën, më 20 maj të vitit 2002, ishte një akt solemn dhe i kujdesshëm, i organizuar me përkushtim nga bashkëluftëtari i tyre i njohur si komandant “Baci” dhe nga shumë të tjerë që nuk e harruan kurrë betimin e dhënë për t’i nderuar dhe për t’ua ruajtur kujtimin si heronj të vërtetë të lirisë shqiptare.

Si dëshmi të gjalla dhe të çmuara të rrugëtimit të saj të lavdishëm në dy luftëra, edhe sot ruhen me kujdes të veçantë dhe me përkushtim të thellë uniformat ushtarake të “Mirës” – emri i saj i luftës. Ato uniforma mbajnë mbi supe jo vetëm pëlhurën e vjetër të një kohe të përgjakshme, por edhe emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Secila prej tyre është një dëshmi e heshtur por e fuqishme e rrugës së saj të gjatë e të përkushtuar për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Këto relikte nuk janë thjesht simbole ushtarake. Janë amanete të historisë, që mbajnë mbi vete peshën e betejave të përjetuara, sakrificën e ndërgjegjshme dhe idealin e pathyeshëm të një gruaje që nuk pranoi asnjëherë të jetonte e nënshtruar. Ato uniforma ruajnë kujtimin e Mirës si luftëtare, por edhe si shembull të gjallë të guximit dhe të devotshmërisë që frymëzon edhe sot breza të tërë.

Në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë çlirimtare, Hyra nuk ishte e vetme. Ajo pati përkrahjen e pandarë të vëllezërve të saj, Ramadanit dhe Enverit, të cilët jo vetëm që e mbështetën, por e ndihmuan të ndërtojë bindjet dhe idealet e saj kombëtare. Ata nuk ishin vetëm vëllezërit e saj, por ishin edhe modele frymëzimi – një dëshmi e gjallë se liria kërkon sakrificë, qëndresë dhe një përkushtim të patundur ndaj idealeve. Prandaj, rruga e Hyrës nuk ishte vetëm e saj personale, por edhe vazhdim i një tradite familjare të përkushtuar me mish e me shpirt ndaj çështjes kombëtare.

Në historinë më të re të luftës sonë për çlirim, figura e Hyrës shndrit si një nga shembujt më të pastër dhe më të ndritshëm të guximit dhe flijimit të femrës shqiptare. Heroizmi i saj është më shumë se një akt personal – është një testament për brezat që vijnë, një simbol i pavdekshëm i dashurisë për atdheun dhe i gatishmërisë për t’u flijuar për lirinë e tij.

Literatura:

1.       Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015

2.       Fatmira Musaj, Hyrë Emini - një jetë në shërbim të çështjes kombëtare. Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës, Aspekte sociale, kulturore dhe politike nga viti 1980 deri në ditët e sotme, (Materiale nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, 5 maj 2023), Prishtinë, 2024

3.       https://www.radiokosovaelire.com/deshmorja-e-tri-lufterave-clirimtare-hyre-qazim-emini-21-7-1973-29-7-2001/

4.       https://amkmk.rks-gov.net/acadp_listings/shtatorja-e-deshmores-hyre-emini/

5.       https://www.facebook.com/HyreEmini/posts/biografi-e-shkurter-e-heroines-hyr%C3%AB-emini-mira/919135638193098/

6.       https://www.youtube.com/watch?v=YlO68dMBtJQ

7.       https://www.kultplus.com/trashegimia/hyre-emini-mira-vajza-nga-kosova-e-cila-luftoi-ne-dy-luftera/

8.          https://www.facebook.com/fitim.salihu1/posts/10220232139013421?ref=embed_post

9.       https://www.botasot.info/ferizaj-kosova/927914/perkujtohen-deshmoret-e-kombit-hyre-emini-dhe-brahim-ademi/

10.     https://konferenca.al/index.php/ih-rks/article/view/46

11.      https://www.epokaere.com/historia-e-hyre-eminit-deshmores-nga-ferizaj/

12.     https://sq.wikipedia.org/wiki/Ushtria_%C3%87lirimtare_Komb%C3%ABtare

13.     https://www.reporter.al/2021/03/22/kosova-pa-statuja-kushtuar-heroinave-te-saj/

14.     https://sq.wikipedia.org/wiki/Tahir_Sinani

15.     https://www.radiokosovaelire.com/tahir-male-sinani-25-5-1964-29-7-2001/