Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (35)
E shtune, 06.09.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (35)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
LULJETË JAHIR SHALA
(2.10.1977
– 14.12.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Krajkova
është një vendbanim i njohur në komunën e Drenasit, ku pas vitit 1999, ky fshat
është njohur gjithashtu edhe me emrin Gurras, një emërtim që ruan në vetvete
jehonën e identitetit lokal dhe ndryshimeve që solli periudha e pasluftës.
Fshati është i vendosur në një peizazh të pasur natyror, që shtrihet në këmbët
e Malit Kosmaç, duke gëzuar një pozitë të favorshme gjeografike që e ka lidhur
ngushtë me jetën malore dhe traditat e vjetra të zonës. Kjo vendosje rrëzë
malit i ka dhënë fshatit një karakter të veçantë, me reliev të dallueshëm dhe
me mundësi të shumta për bujqësi, blegtori dhe jetë tradicionale rurale.
Kufijtë
e Krajkovës janë të përshkruar qartë në raport me fshatrat përreth. Ajo
kufizohet me Llapushnikun, një vend që ka historinë e vet të lavdishme dhe të
njohur për rezistencë, me Domanekun e qetë dhe të mbushur me tradita, me
Shtrubullovën që ruan lidhje të ngushta familjare dhe shoqërore me fshatrat
fqinj, si dhe me Zabelin e Poshtëm, që formon një hallkë tjetër të rëndësishme
në rrjetin e vendbanimeve të kësaj zone.
Kështu,
Krajkova – apo Gurrasi – nuk është thjesht një pikë në hartë, por një hapësirë
e gjallë ku ndërthuren natyra, historia dhe jeta e përditshme e banorëve që,
ndër breza, kanë ndërtuar dhe ruajtur identitetin e tyre me punë, kulturë dhe
qëndresë. Krajkova është një vendbanim që mbart në kujtesën e saj historike një
traditë të spikatur të rezistencës dhe të përkushtimit ndaj lirisë. E njohur
ndër breza si një vatër e qëndresës, kjo trevë ka dëshmuar vlera të mëdha
atdhedashurie dhe sakrifice në momente vendimtare të historisë sonë kombëtare.
Kjo
trashëgimi e krenarisë dhe e guximit popullor u shfaq në mënyrë veçanërisht të
qartë dhe të ndritur gjatë luftës së fundit çlirimtare në Kosovë. Në ato vite
të zymta dhe të përgjakshme, kur vendi përballej me një agresion të egër dhe
populli me rrezikun e shfarosjes dhe të shkatërrimit. Shumë të rinj dhe të reja
nga Krajkova nuk ngurruan të linin familjet, punët dhe ëndrrat e tyre për t’u
bashkuar me radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u radhitën me
vendosmëri në frontin e lirisë, duke u bërë pjesë e një ushtrie popullore që
nuk përfaqësonte vetëm armën dhe forcën, por edhe idealin dhe aspiratën për një
të ardhme të lirë dhe të denjë. Këta bij dhe bija e lidhën fatin e tyre me fatin
e Kosovës, duke e dëshmuar me gjakun dhe mundin e tyre se ky fshat ishte dhe
mbetet një simbol i gjallë i rezistencës kombëtare dhe i dinjitetit njerëzor.
Kështu, fshati jo vetëm që e ruajti traditën e saj të lavdishme, por e pasuroi
atë me emra dhe histori të reja heroizmi, duke i lënë brezave që vijnë një
trashëgimi të çmuar të dashurisë për atdheun dhe të gatishmërisë për ta
mbrojtur atë në çdo kohë dhe me çdo çmim.
Luljeta
Jahir Shala, kjo bijë e guximshme e Kosovës, është një prej figurave më të ndritura
që e lidh emrin e saj me historinë heroike të këtij fshati. Ky fshat, i njohur
për traditën e qëndresës dhe për njerëz të pathyeshëm në ideale, e lindi këtë
trimëreshë më 2 tetor 1977, duke i dhënë vendit një tjetër emër që do të
kujtohet me nder. Luljeta erdhi në jetë në gjirin e një familjeje të njohur dhe
të respektuar në Krajkovë, si bija e Jahirit dhe e Nazës, të cilët përveç që i
falën jetën, i dhanë edhe një trashëgimi të çmuar vlerash dhe edukate. Në këtë
familje të madhe, të njohur për harmoninë dhe dashurinë mes anëtarëve, ajo u
rrit dhe u formua si njeri dhe si atdhetare.
Fëmijëria
dhe rinia e saj kaluan mes vlerash të forta familjare, në një mjedis ku
respekti, ndihma reciproke dhe dashuria për njëri-tjetrin ishin themel i jetës
së përditshme. Ajo ishte njëra prej njëmbëdhjetë fëmijëve të kësaj familjeje të
madhe dhe të bashkuar. Bashkë me të rriteshin Sebahati, Sedati, Shpendi,
Muhameti, Besa, Merita, Esati, Liridona, Arta dhe Flamuri – një brez i tërë që
ishte edukuar në shpirtin e dashurisë familjare dhe të përkushtimit ndaj
atdheut. Kjo harmoni dhe ky edukim i thellë familjar i dhanë Luljetës jo vetëm
forcë shpirtërore, por edhe një ndërgjegje të formuar dhe të vendosur për të
kuptuar dhe mbrojtur vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare. Në këtë
mjedis, ajo u bë jo vetëm pjesë e një familjeje të madhe gjaku, por edhe pjesë
e pandashme e familjes së madhe të Kosovës, për të cilën nuk do të kursente as
jetën.
E
lindur dhe e rritur në një familje me tradita të thella atdhetarie dhe me një
histori të gjatë përkushtimi ndaj çështjes kombëtare, rruga e Luljeta Jahir
Shalës drejt luftës për liri nuk ishte rastësi, por një vazhdimësi logjike dhe
e natyrshme e edukimit dhe e frymës që ajo kishte marrë që në fëmijëri. Babai i
saj, Jahiri, ishte vetë shembull i gjallë i rezistencës dhe i sakrificës për
atdheun. Atë nuk e përkulën as kërcënimet dhe as burgjet, për herë të parë u
arrestua gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe kaloi dy muaj prapa grilave,
duke dëshmuar se asnjë masë represive nuk mund të mposhte vullnetin e tij për
liri. Edhe në vitin 1990, në një tjetër valë protestash kundër regjimit
okupator serb, Jahiri u arrestua sërish dhe u dënua me dy muaj të tjerë burg,
duke mbetur në mënyrë të pandërprerë nën syrin përndjekës të pushtetit serb.
Përndjekja
nuk u ndal me burgosjet. Presioni dhe kërcënimet ndaj tij u bënë aq të rënda
dhe të organizuara, saqë në korrik të vitit 1992, për t’i shpëtuar një vrasjeje
të kurdisur nga bashkëpunëtorë të regjimit serb, Jahiri u detyrua të largohej
nga Kosova dhe të kërkonte azil politik në Gjermani. Megjithatë, edhe pse u
vendos në Gjermani, Jahiri nuk pranoi që me vete të merrte asnjë nga fëmijët e
tij. Qëndrimi i tij ishte i qartë dhe i palëkundur, ai besonte se fëmijët duhej
të rriteshin në vendin e tyre, në Kosovë, duke u formuar me frymën, gjuhën dhe
dashurinë për atdheun. Sipas tij, Kosova nuk ishte thjesht vendlindja fizike,
por trualli shpirtëror që formonte karakterin dhe ndërgjegjen kombëtare të
fëmijëve.
Por
trashëgimia e qëndresës në këtë familje nuk kufizohej vetëm te babai i
Luljetës. Edhe axha i saj, Hafir Shala, me profesion mjek, ishte viktimë e
represionit të egër. Ai kishte vuajtur një dënim prej pesë vjetësh në disa nga
burgjet më famëkeqe, si ai i Prizrenit, Lepogllavës dhe Stara Gradishkës. Për
më tepër, Hafiri konsiderohet i zhdukur që nga 10 prilli i vitit 1998, një
plagë e hapur në kujtesën familjare dhe kombëtare.
Dhimbja
dhe krenaria e kësaj familjeje shënohen edhe nga martirizimi i djalit të axhës,
Sahitit, i cili ra në demonstratat e vitit 1990 në Drenas (ish-Gllogoc). Ai
ishte pjesë e atij brezi të të rinjve që nuk hezituan të përballeshin me dhunën
e regjimit për të kërkuar lirinë dhe dinjitetin e popullit të vet. Në këtë
mjedis të mbushur me shembuj sakrifice, rezistence dhe përkushtimi, Luljeta nuk
mund të mbetej e painteresuar apo indiferente. Ajo u formua si një bijë e denjë
e kësaj trashëgimie, duke e parë luftën për liri jo si zgjedhje, por si një
detyrë të shenjtë që duhej çuar përpara me nder dhe vendosmëri.
Luljeta
Shala e nisi udhëtimin e saj fillor në vendlindje, ku kreu me sukses katër
klasë me sukses të shkëlqyeshëm. Më pas, që nga klasa e pestë, ajo e vijoi
arsimin në Drenas, duke u përshtatur me një mjedis më të madh dhe më të
ndryshëm, por gjithmonë me të njëjtën përkushtim dhe etje për dije. Arsimin e
mesëm e vazhdoi në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit, ku ndoqi drejtimin
matematiko-natyror – një zgjedhje që tregonte prirjen e saj për të hulumtuar
dhe kuptuar botën përmes logjikës dhe natyrës, duke reflektuar mendjehapur dhe
ambicie të qarta për të ardhmen.
Por
Luljeta nuk ishte vetëm një nxënëse e zellshme dhe e përkushtuar në lëndët
shkollore. Ajo tregoi gjithashtu shpirt të ndjeshëm dhe krijues, duke u bërë
pjesë aktive e jetës kulturore të shkollës së saj. Si anëtare e grupit muzikor
të gjimnazit, ajo kontribuoi në pasurimin artistik të mjedisit shkollor, duke
marrë pjesë me entuziazëm në koncerte dhe aktivitete të shumta. Performancat e
saj nuk u kufizuan vetëm brenda mureve të shkollës. Ajo mori pjesë në disa
koncerte të organizuara në nivel komune, si në Drenas ashtu edhe në Komoran,
duke përfaqësuar jo vetëm talentin dhe pasionin e saj personal, por edhe
gjimnazin e saj me dinjitet dhe krenari. Në këtë mënyrë, Luljeta Shala nuk u
formua vetëm si një nxënëse e dalluar, por edhe si një vajzë e angazhuar, me
shpirt të pasur kulturor dhe me aftësi për të ndërtuar ura komunikimi e
dashurie me bashkëmoshatarët dhe shoqërinë në tërësi.
Në
pranverën e vitit 1993, pas një ngjarjeje që tronditi Drenasin – vrasjes së disa
policëve serbë – situata në këtë trevë u rëndua ndjeshëm. Përgjigjja e
autoriteteve serbe ishte tipike për logjikën e dhunës kolektive. Vendosja e
postblloqeve të përhershme policore në nyjat më të rëndësishme të qarkullimit,
si në udhëkryqin strategjik të rrugës Drenas–Prishtinë.
Kjo
prani e rritur policore nuk synonte vetëm kontrollin e territorit, por mbi të
gjitha frikësimin dhe nënshtrimin e popullatës shqiptare. Në këtë klimë të
rëndë represioni, viktima të pafajshme u bënë edhe Luljeta Shala dhe kushërira
e saj, Zyrafetja, të cilat në atë kohë ishin ende nxënëse që përpiqeshin të
vijonin normalisht rrugën e tyre drejt shkollës.
Gjatë
një prej atyre mëngjeseve të zakonshme, ndërsa po shkonin drejt dijes, ato u
ndaluan nga forcat policore serbe në një prej postblloqeve të ngritura për
“siguri”. Mirëpo, nën pretekstin e kontrollit, ato përjetuan jo thjesht ndalim,
por edhe tortura fizike – një akt brutal dhe çnjerëzor që synonte t’i
poshtëronte dhe t’i frikësonte, si pjesë e politikës së sistemuar të shtypjes
dhe dhunës mbi shqiptarët. Ky incident nuk mbeti i padokumentuar. Ai u
evidentua dhe u denoncua në mënyrë të qartë nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive
dhe të Drejtave të Njeriut në Drenas, një prej zërave më të rëndësishëm të
kohës në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut. Rasti u pasqyrua në
kronologjinë e rregullt javore të të përjavshmes “Zëri”, duke u bërë dëshmi e
shkruar e padrejtësive dhe dhunës së sistemuar që regjimi serb ushtronte ndaj
popullsisë shqiptare.
Ky
akt i turpshëm i dhunës policore ndaj dy vajzave të reja nuk ishte thjesht një
histori personale e dhimbjes, por një pjesë e mozaikut të gjerë të përvojës
kolektive të shqiptarëve të Kosovës, që e paguanin çdo ditë çmimin e rëndë të
rezistencës dhe të mbijetesës nën okupim.
Pas
28 nëntorit të vitit 1997, një datë historike kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës
shpalli publikisht angazhimin e saj për luftë të armatosur kundër pushtuesit
serb, shumëçka ndryshoi në mendjet dhe zemrat e të rinjve shqiptarë. Ky akt
simbolik dhe vendimtar i dha një drejtim të ri dhe të qartë rezistencës, duke
frymëzuar një brez të tërë me idealin e çlirimit të plotë kombëtar. Edhe për
Luljeta Shalën, kjo ditë shënoi një kthesë të thellë dhe të pakthyeshme në
jetën dhe ëndrrat e saja. Dashuria dhe përkushtimi për studimet, të cilat deri
atëherë kishin qenë qendra e jetës së saj të përditshme, u zbehën para peshës
së një ideali më të madh dhe më të ngutshëm. Në mendjen dhe në zemrën e saj
filloi të digjej vetëm një dëshirë e vetme, të lidhej me çlirimtarët dhe të
bëhej pjesë e kësaj lëvizjeje të drejtë dhe jetike për fatin e popullit të saj.
Ky
vendim nuk ishte i pamatur, por një akt i ndërgjegjshëm dhe i frymëzuar nga
rrethanat historike dhe nga bindja se liria nuk fitohej pa flijime. Në
pranverën e vitit 1998, Luljeta, bashkë me shoqet e saj të palodhura dhe të
guximshme – Selvete Elshanin, Melihate Hoxhën, Mexhide Thaçin, Makfire Thaçin
dhe të tjera trimëresha – morën hapin vendimtar. Ato paraqiten vullnetare në
Shtabin ushtarak të Drenicës në Likoc, duke shprehur gatishmërinë për të kryer
stërvitje ushtarake dhe për t'u bërë ushtare të vërteta të çlirimit. Ky
angazhim i tyre nuk ishte simbolik. Luljeta, Selvetja, Mexhidja, Makfirja dhe
shoqet e tjera vendosën me bindje të plotë që roli i tyre të mos mbetej në
prapavijë. Ato u përcaktuan të vepronin në operativë, në vijat e para të
fronteve të luftës çlirimtare. Ishin të gatshme të përballeshin me rreziqet më
të mëdha dhe të ndanin fatin me shokët e armës, duke e dëshmuar me jetën e tyre
se dashuria për atdheun dhe vendosmëria për liri nuk kishin gjini, por vetëm
shpirt të madh dhe guxim të pashoq.
Ky
vendim i Luljeta Shalës dhe i shoqeve të saj për të lënë gjithçka pas –
studimet, jetën e qetë familjare, ëndrrat personale – dhe për të hyrë në radhët
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetet një nga dëshmitë më të forta të asaj
gjenerate që vendosi të shkruante historinë me gjak dhe sakrificë për të
ardhmen e lirë të Kosovës. Pas përfundimit të fazës së stërvitjes ushtarake,
Luljeta Shala, së bashku me bashkëluftëtaret e saj, u sistemua në kuadër të
Njësitit Vëzhgues të quajtur “Guri III”. Kjo njësi, me një karakter të theksuar
gueril dhe vëzhgues, operonte në një hapësirë gjeografike mjaft sfiduese,
përfshirë malet e Kozmaqit dhe disa prej fshatrave me rëndësi strategjike si
Baica e Elshanit, Domaneku, Krajkova dhe Llapushniku.
Kjo
përzgjedhje e vendndodhjes shpreh qartësisht rolin e tyre si pjesë e një
strategjie më të gjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që synonte të
siguronte jo vetëm mbrojtje të popullatës lokale, por edhe ruajtjen e qasjeve
malore dhe rrugëve lidhëse që mund të shfrytëzoheshin për furnizime dhe manovra
të befasishme. Në këtë mënyrë, përfshirja e grave luftëtare në struktura të
tilla nuk ishte vetëm një akt i guximit individual, por një kontribut i
ndërgjegjshëm dhe i organizuar në kuadër të përpjekjeve kolektive për liri dhe
vetëvendosje.
Në
një klimë të ngarkuar me tension politik e shoqëror dhe në një periudhë kur
përplasjet kishin marrë formë të hapur të rezistencës së armatosur, Luljeta
Shala zhvilloi kontaktet e para të drejtpërdrejta me pjesëtarë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës gjatë muajit prill të vitit 1998. Këto takime nuk ishin
të rastësishme, por fryt i një procesi të kujdesshëm komunikimi, njohjeje dhe
vlerësimi të ndërsjellë. Në konsultimet e zhvilluara me anëtarët e UÇK-së, u
trajtuan çështje që kishin të bënin me përkushtimin personal, qëllimet e saj,
dhe kapacitetin për t’u përshtatur me kërkesat e një lufte të organizuar.
Pas
këtij procesi seleksionues dhe të menduar mirë, Luljeta mori miratimin për t’u
inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 15 maj 1998. Ky akt
formal i pranimit nuk përfaqësonte thjesht një aderim simbolik, por shënonte
kalimin e saj në një dimension të ri të angazhimit politik dhe ushtarak, ku
idealet e lirisë dhe çlirimit kombëtar merrnin formë konkrete përmes disiplinës
dhe sakrificës. Pas pranimit, ajo u dërgua për të ndjekur një kurs të
strukturuar trajnimi ushtarak në Likoc të Skënderajt – një qendër e njohur e
organizimit dhe mobilizimit të UÇK-së. Aty, bashkë me një grup të përzgjedhur
të grave ushtare, Luljeta iu nënshtrua një programi të përqendruar stërvitor që
zgjati deri më 9 qershor 1998. Ky kurs nuk kishte vetëm qëllim teknik dhe
ushtarak, por edhe një dimension formues ideologjik e moral, ku solidariteti,
përkushtimi dhe disiplina shndërroheshin në vlera thelbësore të një lufte
çlirimtare të strukturuar dhe të ndërgjegjshme.
Gjatë
periudhës së formimit dhe stërvitjes ushtarake, Luljeta Shala dëshmoi një nivel
të lartë aftësish dhe shkathtësie luftarake, duke spikatur veçanërisht në
përdorimin e armës dhe në saktësinë e gjuajtjes në distanca të ndryshme. Ky
progres nuk ishte thjesht rezultat i një talenti të natyrshëm, por edhe i një
metodologjie të strukturuar dhe rigorozisht të zbatuar nga trajnueset e saja.
Mes këtyre figurave udhëheqëse të përkushtuara spikasnin Xhevë
Krasniqi-Lladrovci, një personalitet emblematik i luftës çlirimtare.
Falë
kësaj përgatitjeje të shkëlqyer dhe vlerësimeve të larta nga drejtuesit, ajo u
sistemua në Grykën e Llapushnikut, në kuadër të njësisë vëzhguese “Guri 3” të
Brigadës 113. Kjo brigadë, që do të mbante më pas emrin e dëshmorit Mujë
Krasniqi, përfaqësonte një nga formacionet më të strukturuara dhe të
disiplinuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur një rëndësi
strategjike për mbrojtjen e korridoreve malore dhe kontrollin e rrugëve lidhëse
në atë zonë. Në këtë njësi, Luljeta fillimisht shërbeu në rolin e policisë
ushtarake, ku aftësitë e saj organizative dhe ndjenja e përgjegjësisë u vunë në
funksion të ruajtjes së rendit dhe disiplinës brenda formacionit. Më pas, ajo u
angazhua drejtpërdrejt në vijat e para të frontit, duke dëshmuar jo vetëm
guximin personal, por edhe gatishmërinë për të përmbushur misionin e saj në
mbrojtje të atdheut dhe idealeve të lirisë.
Në
pozicionet e barrikadave të ngritura në Grykën strategjike të Llapushnikut,
Luljeta Shala shërbeu për një periudhë prej dy muajsh, duke u angazhuar në
mënyrë të pandërprerë në mbrojtjen e vijave të frontit dhe në ruajtjen e këtij
korridori jetik për lëvizjen dhe furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky terren i thyer dhe i vështirë, i mbushur me përrenj dhe gryka të ngushta,
përbënte një sfidë të veçantë taktike, ku aftësitë e luftëtarëve viheshin në
provë çdo ditë. Në mesin e shumë përballjeve të rënda, ajo u shqua sidomos në
betejat e ashpra të datave 25 dhe 26 korrik 1998 – ditë të cilat janë gdhendur
në kujtesën kolektive si një prej kulmeve të rezistencës së armatosur në atë
zonë. Luftimet e zhvilluara në këto data u karakterizuan nga intensitet i lartë
dhe nga një vendosmëri e jashtëzakonshme e forcave çlirimtare për të mbrojtur
pozicionet, përballë ofensivës së organizuar dhe të pajisur mirë të forcave
armike.
Pjesëmarrja
e Luljetës nuk ishte një akt i izoluar individual, por një manifestim i thellë
i lidhjeve të saj familjare dhe shoqërore, pasi ajo luftonte krah për krah me
vëllain e saj Shpendin, një djalosh 18-vjeçar që asokohe sapo po e linte pas
fëmijërinë dhe po hynte në historinë e qëndresës kombëtare. Në këtë front të
nxehtë të rezistencës, ajo ndante gjithashtu barrën dhe rrezikun me të dashurin
e saj, Hysen Bujupin – luftëtarin e njohur me emrin e luftës “Luani”. Ai,
simbol i guximit dhe vendosmërisë, do të mbetej i plagosur gjatë kësaj
ofensive, duke ilustruar me plagët e tij sakrificat e thella njerëzore që
shoqëruan idealin e çlirimit. Këto episode të jetës së Luljetës dëshmojnë jo
vetëm angazhimin e saj ushtarak dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, por
edhe dimensionin thellësisht njerëzor të luftës – ku bashkëluftëtarët nuk ishin
vetëm shokë arme, por pjesëtarë të një familjeje të madhe dhe të një ideali të
përbashkët. Ato ilustrojnë gjithashtu rolin e gruas shqiptare jo thjesht si
mbështetëse pas linjave të frontit, por si pjesëmarrëse aktive, e barabartë dhe
e vendosur në vijën e parë të rezistencës për liri dhe dinjitet kombëtar.
Gjatë
periudhës së angazhimit të saj në këtë njësi ushtarake, Luljeta Shala fitoi jo
vetëm respektin e bashkëluftëtarëve për aftësitë e saj luftarake, por edhe
besimin e komandës për të marrë përsipër përgjegjësi të veçanta. Një nga këto
përgjegjësi ishte mbikëqyrja dhe udhëheqja e grupit të grave ushtare të
vendosura në të njëjtën pikë strategjike të frontit. Ky rol mbikëqyrës nuk
ishte thjesht formal, por një detyrë komplekse që kërkonte organizim, motivim
dhe kujdes të vazhdueshëm për mbarëvajtjen e disiplinës dhe moralit në radhët e
një kontingjenti të përzgjedhur të grave luftëtare.
Fakti
që një detyrë e tillë iu besua Luljetës dëshmonte njohjen e pjekurisë së saj,
autoritetit natyror dhe aftësisë për të frymëzuar besim tek të tjerët – një
shembull i qartë i mënyrës se si UÇK-ja, pavarësisht kushteve të ashpra dhe
urgjencës së luftës, përpiqej të ndërtonte struktura të mirëfillta organizative
dhe të siguronte një drejtim të përgjegjshëm brenda njësive të saj. Por sfidat
nuk përfunduan me kaq. Lufta vazhdoi të përshkallëzohej dhe Gryka e
Llapushnikut, si një nyje jetike strategjike, u bë përsëri arenë e përplasjeve
të dhunshme. Luljeta mori pjesë aktivisht edhe në betejat e tjera vendimtare,
ndër të cilat spikasin ofensivat e 25 dhe 27 shtatorit të vitit 1998. Ky
angazhim i pandalshëm i grave në strukturat luftarake, në rolet drejtuese dhe
në përballjet më të vështira, i dha luftës çlirimtare një dimension të ri
shoqëror e etik, duke rrëzuar stereotipe të vjetra dhe duke afirmuar vlerat e
barazisë, solidaritetit dhe sakrificës së përbashkët për kauzën kombëtare.
Në
periudhën e thellimit të konfliktit dhe të intensifikimit të përpjekjeve për
një organizim më të mirë të qëndresës së armatosur, Ushtria Çlirimtare e
Kosovës ndërmori një proces të kujdesshëm riorganizimi dhe ristrukturimi të
formacioneve të saj. Në këtë kontekst, Luljeta Shala dhe bashkëluftëtaret e saj
u sistemuan në Kompaninë e Tretë të Batalionit të Dytë të “Brigadës 113”, një
njësi me rëndësi strategjike që operonte në zonën e fshatit Krajkovë dhe që
komandohej nga Ramadan Qerim Elshani. Për Luljetën, kjo fazë e re e angazhimit
përkonte me një pjekuri të konsoliduar luftarake. Ajo ishte tashmë e kalitur
nga përballjet e drejtpërdrejta, betejat e vështira dhe eksperienca e
barrikadave në Grykën e Llapushnikut. Kjo përvojë e kishte shndërruar në një
luftëtare të gatshme për sfida edhe më të mëdha dhe më komplekse. Për këtë
arsye, ajo iu bashkua me vendosmëri radhëve të luftëtarëve të komandant Mujë
Krasniqit, një prej figurave më të njohura dhe të respektuara të UÇK-së.
Në
nëntor të vitit 1998, përballë një situate të rënduar logjistike ku rezerva e
pakët e armëve dhe municionit ishte shpenzuar gjatë ofensivave të përgjakshme
të verës dhe të vjeshtës, u ndërmor një mision strategjik për të depërtuar në
territorin shqiptar me qëllim furnizimi. Ky veprim nuk ishte thjesht një operacion
teknik i mbështetjes me armatim, por një akt i guximshëm dhe i domosdoshëm për
të siguruar vazhdimësinë e rezistencës së armatosur. Në këtë mision të
rrezikshëm dhe vendimtar, nga njësiti “Guri III” u përzgjodhën dhe u nisën një
grup luftëtarësh të dalluar për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj kauzës
çlirimtare. Përveç Luljetës, në këtë grup bënin pjesë figura me profile të
ndryshme që pasqyronin diversitetin shpirtëror dhe intelektual të luftës:
poeti, piktori dhe profesori Gani Elshani, bashkëvendësi i saj, Emin Thaçi,
Xhevat Thaçi, Agron Mehmeti dhe Fehmi Hoti, të gjithë pjesë e asaj elite të
heshtur të rezistencës që nuk kurseu asgjë për lirinë, si dhe i dashuri i saj,
Hysen Bujupi, simbol i trimërisë dhe i përkushtimit personal të Luljetës në
këtë rrugëtim të përbashkët për çlirim.
Në
fillim të nëntorit 1998, formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën
komandën e Mujë Krasniqit u vendosën në Shqipëri, ku qëndruan deri më 14
dhjetor të po atij viti. Kjo periudhë e tërheqjes dhe organizimit në Shqipëri
nuk ishte një pushim i thjeshtë, por pjesë e domosdoshme e një strategjie
furnizimi dhe rigrupimi, me synimin për të siguruar armatim dhe pajisje të
nevojshme për të vazhduar luftën e ashpër në Kosovë. Megjithatë, natyra e
pamëshirshme e dimrit shqiptar, me dëborë të dendur dhe acar të mprehtë, i
shndërroi këto përpjekje në një provë të jashtëzakonshme qëndrueshmërie dhe
sakrifice. Ushtarët e UÇK-së, mes tyre edhe gratë luftëtare, bënë disa herë
përpjekje të guximshme për të kaluar alpet shqiptare dhe për të depërtuar në
Kosovë, por u detyruan të kthehen për shkak të kushteve ekstreme atmosferike
dhe pranisë së forcave serbe, të cilat kishin zënë pikat kyçe dhe korridoret e
kalimit me trupa ushtarake e policore. Ky bllokim i organizuar dhe i mbështetur
nga dimri i ashpër, e bënte çdo tentativë të ngjashme me një akt të
jashtëzakonshëm heroizmi dhe sakrifice njerëzore.
Në
këtë kontekst të vështirësive të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike,
Luljeta Shala spikati për karakteristikat e saj të veçanta trupore dhe mendore.
Ajo njihej për kondicion të shkëlqyer fizik, shtat të gjatë dhe të fuqishëm,
duke e bërë të aftë për të përballuar marshimet e lodhshme dhe kushtet e egra
të terrenit malor në dimër. Përveç aftësive të saj fizike, ajo ishte veçanërisht
e talentuar në përdorimin e armëve, duke e zotëruar me shpejtësi dhe mjeshtëri
qitjen dhe manovrat ushtarake, çka e bënte një element të çmuar në çdo
formacion ku shërbente.
Ky
episod i qëndrimit në Shqipëri nuk përfaqëson vetëm një kapitull të rëndësishëm
logjistik në luftën çlirimtare, por edhe një dëshmi të thellë të përgatitjes
morale dhe fizike të grave shqiptare për të përballuar sfida ekstreme, duke u
shndërruar në shembuj të gjallë të vendosmërisë, sakrificës dhe dashurisë për
atdheun. Më 13 dhjetor 1998, në një atmosferë të mbushur me tension dhe
vendosmëri, komandant Mujë Krasniqi mblodhi bashkëluftëtarët e tij për t’u
drejtuar me një fjalim të ngarkuar me ndershmëri. Ai e dinte fare mirë
vështirësinë e rrugës që i priste, acari i pamëshirshëm i dimrit dhe dëbora e
thellë që shtronte malet shqiptare ishin po aq të rrezikshme sa edhe forcat e
pushtuesit që ruanin me vëmendje çdo kalim. Në këtë fjalë të thjeshtë por të
fuqishme, ai bëri thirrje për përgatitje të plotë morale dhe fizike. U kërkoi
të gjithëve të vlerësonin me ndershmëri mundësitë e tyre për të përballuar
rrugëtimin e vështirë – sepse kjo nuk ishte një detyrë rutinë, por një marshim
lufte, ku në çdo hap mund të ndodhte përballja me armikun dhe ku vetëm më të
përgatiturit do të mbërrinin në vijën e frontit. Ata që nuk mund t’ia dilnin në
kushte ekstreme, do të duhej të qëndronin mënjanë dhe të prisnin radhën e tyre.
Kjo
thirrje, në vend që të demoralizonte, ndezi një frymë edhe më të zjarrtë
vendosmërie. Asnjëri prej 143 luftëtarëve të pranishëm nuk hoqi dorë, duke
treguar se ideali i çlirimit kishte rrënjë të thella në ndërgjegjen e tyre dhe
se për ta nuk kishte kthim prapa. Ishte një akt kolektiv guximi, një manifestim
i qartë i frymës së sakrificës që karakterizonte Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës. Të nesërmen, më 14 dhjetor, formacioni i përbërë nga luftëtarë të
ardhur nga të gjitha anët e Kosovës nisi marshimin e tij të gjatë dhe të
rrezikshëm përmes maleve të Pashtrikut. Ky masiv i ashpër dhe i vjetër –
Pashtriku plak, siç e quanin me respekt – shtrihej para tyre si një provë e
fundit e karakterit dhe vendosmërisë. Ata e përshkonin “pash më pash” këtë
terren të mbuluar nga dëbora e trashë dhe i skuqur nga acari, me vendosmërinë
për të çarë çdo pengesë drejt atdheut të robëruar.
Në
ballë të kësaj kolone simbolike të lirisë printe vetë komandant Mujë Krasniqi,
i shoqëruar nga vëllai i tij Aliu, luftëtari dhe rapsodi i njohur Beqir Gashi,
Gani Elshani, Rifat Mëziu dhe shumë të tjerë – secili duke mishëruar një pjesë
të shpirtit kolektiv të Kosovës që luftonte. Mes tyre qëndronte edhe figura e
veçantë e Luljetë Shalës – e quajtur nga shokët e saj “lulja çlirimtare” për
dritën e shpresës dhe vendosmërisë që përçonte. Për të, ky marshim nuk ishte
thjesht një kalim gjeografik, por një udhëtim i ndërgjegjshëm në emër të
lirisë, i mbushur me barrën e përgjegjësisë dhe me armët e gatshme për të
përballuar çdo sulm. Me fizikun e saj të fuqishëm dhe të përgatitur, ajo mbante
jo vetëm armën personale, por edhe municionin rezervë – një shenjë e qartë e
rolit aktiv dhe të barabartë që kishte në këtë operacion ushtarak. Në këtë
rrugëtim të vështirë dhe heroik, ajo ishte e shoqëruar nga i zgjedhuri i saj i
zemrës, Hysen Bujupaj – një bashkim i dashurisë dhe betejës, që ilustronte
dimensionin thellësisht njerëzor të kësaj lufte.
Ky
episod i paharrueshëm nuk është vetëm një kapitull i historisë ushtarake, por
edhe një dëshmi e fuqishme e unitetit, sakrificës dhe shpirtit të pamposhtur të
atyre që u betuan të sillnin lirinë – pavarësisht të ftohtit, dëborës dhe
vdekjes që i priste në çdo hap. Në mëngjesin e ashpër dhe të akullt të 14
dhjetorit 1998, kur dimri shfaqte tërë fuqinë e tij të pamëshirshme, kolonat e
luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vunë në lëvizje, të udhëhequra
me vendosmëri dhe autoritet nga komandant Mujë Krasniqi. Ishte një marshim që
nuk përfaqësonte thjesht një zhvendosje taktike, por një akt sublim besnikërie
ndaj kauzës së lirisë, një betejë me natyrën, urinë, lodhjen dhe armikun e
përbetuar.
Teksa
përparonin hap pas hapi nëpër rrëpirat e mbuluara me dëborë të trashë, ata
mbërritën në një pikë të njohur si “Liqenet e Hasit” – një vend që do të
shndërrohej në skenën e një tragjedie të përgjakshme dhe të paharrueshme. Në
atë vend, forcat serbe – të përgatitura mirë dhe të pozicionuara në pritë –
ekzekutuan një plan të hollësishëm sulmi. Duke shfrytëzuar terrenin dhe duke
pritur momentin kur pjesa më e madhe e kolonës të hynte në rrezen efektive të
armëve të tyre, ato lëshuan breshëri vdekjeprurëse mbi radhët e para. Ky sulm i
befasishëm dhe i pamëshirshëm nuk ishte një rastësi, por një akt i planifikuar
me kujdes strategjik, që synonte shkatërrimin e moralit dhe eliminimin fizik të
forcave më të përgatitura të UÇK-së. U ndezën përleshje të drejtpërdrejta, fyt
për fyt, mes mbulesës së bardhë të dëborës dhe gjakut që shndriste mbi të.
Luftimet u shtrinë në orë të tëra, të egra dhe pa mëshirë, duke përplasur
idealin e lirisë me makinerinë e terrorit të organizuar shtetëror.
Në
këtë betejë epike dhe tragjike njëkohësisht, në “fushën e nderit” dhe “altarin
e atdheut”, ranë përjetësisht komandant Mujë Krasniqi dhe 34 luftëtarë të tjerë
të lirisë, duke e shndërruar atë ditë në një simbol të sakrificës sublime. Mes
tyre, emri i Luljetë Shalës zë një vend të veçantë – trimëresha e Drenicës,
bija krenare e Krajkovës, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës
çlirimtare. Ajo, me gjakun e saj të pastër, përskuqi bardhësinë e ftohtë të
Pashtrikut, duke e kthyer dëborën në një dëshmi të përjetshme të sakrificës dhe
nderit.
Pranë
saj, i bashkuar jo vetëm nga ideali i lirisë, por edhe nga lidhja e zemrës, ra
edhe Hysen Bujupaj – “Luani” nga Burimi (ish-Istog). Rënia e tyre së bashku nuk
ishte vetëm një humbje e madhe për radhët e UÇK-së, por një rrëfim i thellë
njerëzor mbi dimensionin e dashurisë dhe përkushtimit që i lidhi në jetë dhe në
vdekje. Ata ilustruan me aktin e tyre të fundit se liria nuk fitohet pa gjakun
më të mirë të bijve dhe bijave të atdheut, dhe se lufta nuk ishte thjesht një
përballje politike, por një dramë e madhe njerëzore e mbushur me dhimbje,
heroizëm dhe pavdekësi.
Pas
betejës tragjike dhe sakrificës së pashoqe të bërë në malet e mbuluara me
dëborë të Pashtrikut, trupat e rënë të dëshmorëve u tërhoqën dhe u dërguan në
Morgun e Prizrenit – një hap i domosdoshëm dhe i dhimbshëm, i cili shënonte
kufirin mes jetës dhe pavdekësisë së tyre simbolike. Ky proces i kthimit të
trupave nuk ishte vetëm një veprim logjistik, por një akt solemn dhe i ngarkuar
me dhimbje e nderim, që pasqyronte përgjegjësinë morale të shokëve të armës për
të nderuar ata që ranë për lirinë e atdheut.
Këto
përgatitje kulmuan më 21 dhjetor 1998, kur trupat e 35 dëshmorëve, mes tyre
edhe ai i komandant Mujë Krasniqit, u përcollën për në banesën e fundit me
nderime të plota ushtarake. Ceremonia e varrimit në “Varrezat e Dëshmorëve” në
fshatin Polac të Drenicës nuk ishte thjesht një akt mortor, por një shfaqje
publike e vlerave të luftës çlirimtare dhe një dëshmi e gjallë e dashurisë së
popullit për bijtë e vet më të mirë.
Në
atë tokë të shenjtë prehen sot ata që idealin për liri e ngritën mbi gjithçka,
të pavdekshëm në kujtesën kombëtare. Mes tyre gjendet edhe Luljetë Shala – e
njohur si “lulja e bajrakut të lirisë”, një metaforë që përmbledh në mënyrë
poetike dhe të fuqishme thelbin e jetës dhe veprës së saj. Për breza të tërë,
ajo do të mbetet një simbol i gjallë i trimërisë, i shpirtit të pastër të
sakrificës dhe i idealizmit të vërtetë atdhetar.
Tri
vite pas rënies së saj heroike në altarin e atdheut, kujtimi i Luljetë Shalës
dhe i të dashurit të saj, Hysen Bujupaj, u përjetësua në mënyrë të veçantë dhe
të denjë për sakrificën e tyre. Në qytetin e Burimit, u ngrit një lapidar i
përbashkët, i cili nuk është thjesht një monument guri apo metali, por një
simbol i prekshëm i dashurisë së bashkuar me idealin, i betimit të përbashkët
dhe i jetës së flijuar për liri. Ky lapidar i jep dëshmi publike dhe të
përhershme lidhjes së tyre të shenjtë, të shndërruar në testament për brezat e
ardhshëm.
Literatura:
1. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të
trojeve shqiptare, Prishtinë , 2015
2. https://www.radiokosovaelire.com/luljete-jahir-shala-2-10-1977-14-12-1998/
3. Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit
politik shqiptar në Kosovë 194501990, Prishtinë 2010
4. Sabile Keçmezi-Basha, Ekzekutimi i
shqiptarëve në Kosovë nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990, Prishtinë, 2024
5. Hamdi V. Thaçi, Drenica djep i UÇK-së dhe
Batalioni I i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Prishtinë 2017
6. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1628226/ministri-i-ushtrise-viziton-familjen-e-mjekut-te-pare-te-uck-se-dhe-deshmores-luljeta-shala/
7. https://kallxo.com/lajm/zhdukja-e-mjekut-hafir-shala-deshmitari-rrefen-per-momentin-e-ndalimit-nga-pjesetare-te-policise-dhe-te-sigurimit-shteteror-te-serbise/