Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (33)
E hene, 01.09.2025, 06:59 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (33)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
JEHONA (Sabit) RAKA
(6.11.1976
– 9.4.1999)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kaçaniku,
qyteti më jugor i Kosovës, nuk është thjesht një pikë gjeografike në hartë, por
një simbol i fortë i identitetit dhe i qëndresës së palëkundur të popullit
shqiptar. Gryka e Kaçanikut, me relievin e saj të ashpër e imponues, nuk mund
të përshkruhet vetëm si një formacion natyror, pasi ajo mbart një kuptim shumë
më të thellë dhe më të ndërlikuar, është një monument i gjallë i historisë dhe
i krenarisë kombëtare. Nëpër shekuj, kjo grykë ka qenë dëshmitare dhe skenë e
betejave vendimtare, ku shqiptarët kanë mbrojtur me vendosmëri trojet, nderin
dhe të drejtën për të jetuar të lirë. Këtu janë përballur ushtri dhe janë
testuar vullnetet, është derdhur gjak dhe janë bërë betime për liri. Ajo ka
shërbyer jo vetëm si barrierë natyrore kundër pushtuesve, por edhe si simbol
frymëzimi për brezat që janë rritur me rrëfimet e qëndresës së pamposhtur.
Për
shqiptarët, Gryka e Kaçanikut nuk është vetëm një vendkalim mes maleve – ajo
është një shenjë e thellë e identitetit kolektiv, një dëshmi e ashpërsisë së
historisë, por edhe e qëndrueshmërisë së karakterit kombëtar. Në të gërshetohen
natyra e egër dhe shpirtërorja, duke krijuar një hapësirë të shenjtë ku kujtesa
historike jeton dhe përcillet brez pas brezi. Në vitin 1910, në kohën e
Kryengritjes Shqiptare, Gryka e Kaçanikut u bë arenë e një përballjeje të
ashpër dhe historike, kur forcat shqiptare të udhëhequra nga Idriz Seferi
ngritën një rezistencë të vendosur kundër ushtrisë osmane. Në atë terren të
ngushtë dhe strategjik, shqiptarët jo vetëm që e ndalën avancimin e një force
të madhe dhe të mirëpajisur, por e shndërruan atë hapësirë në një simbol të
pathyeshëm të qëndresës kombëtare. Kjo përballje heroike, e njohur në histori
si Beteja e Grykës së Kaçanikut, mbetet edhe sot një gur themeli i kujtesës
sonë historike, një shembull i vendosmërisë për të mbrojtur atdheun me çdo
çmim.
Po
kjo grykë, me relievin e saj imponues dhe me historinë e ngarkuar me legjenda
të trimërisë, nuk e humbi kurrë rolin e saj simbolik dhe strategjik. Edhe gjatë
luftës së fundit për çlirimin e Kosovës, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u
përball me rrebeshe dhe furtuna të egra ushtarake, Gryka e Kaçanikut dëshmoi
sërish vlerën e saj. Ajo u bë një pengesë natyrore dhe morale kundër
pushtuesit, një fortesë ku forcat e UÇK-së qëndruan me stoicizëm dhe vendosmëri
të patundur. Kështu, Gryka e Kaçanikut nuk është thjesht një vendkalim
gjeografik apo një element i peizazhit të Kosovës, por një hapësirë e shenjtë e
historisë sonë kombëtare – një dëshmi e përhershme e rezistencës, e sakrificës
dhe e idealit të palëkundur për liri.
Në
këtë vend me histori të lavdishme qëndrese dhe në këtë qytet që është vetë
simbol i krenarisë kombëtare, lindi dhe u formua edhe vasha trime Jehona Sabit
Raka. E lindur më 16 nëntor të vitit 1976, nga babai Sabiti dhe nëna Hamdije,
ajo e mori frymën e parë dhe hapat e parë në Kaçanik, në një mjedis ku kujtesa
e betejave dhe e sakrificës për liri ishte pjesë e përditshme e edukimit dhe e
vetëdijes kolektive.
Shkollimin
fillor Jehona e kreu në vendlindjen e saj, në Shkollën “Emin Duraku” të
Kaçanikut, ku përveç njohurive bazë, u formua edhe në ndjenja të forta
atdhedashurie dhe respekti për traditën. Ecuria e saj në mësime dhe përkushtimi
për dijen ishin tregues të hershëm të karakterit të saj të vendosur dhe të
vullnetit për të kontribuar për kombin.
Pas
përfundimit të shkollës fillore, ajo e vazhdoi rrugëtimin e saj arsimor në
Prishtinë, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”. Kjo zgjedhje nuk
ishte e rastësishme, se tregonte prirjen e saj për t’u shërbyer të tjerëve, për
të qenë në anën e jetës dhe të humanizmit, dhe njëkohësisht shprehte maturinë e
një vajze që e kuptonte se mjekësia nuk është thjesht profesion, por mision.
Jehona
Sabit Raka, që u rrit mes maleve të Kaçanikut dhe ndërmjet rrëfimeve për
betejat e lavdishme të Grykës, formoi një karakter të fortë dhe një ndërgjegje
të lartë kombëtare, duke u përgatitur për sfidat që do ta prisnin në një kohë
të trazuar për atdheun. Në vitin 1995, Jehona Sabit Raka e vazhdoi rrugën e saj
të dijes dhe formimit intelektual duke u regjistruar në Universitetin e
Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Përzgjedhja e kësaj dege nuk ishte e rastësishme, por tregonte dashurinë e saj
për gjuhën dhe letërsinë kombëtare, si dhe një ndjenjë të thellë për të ruajtur
dhe kultivuar trashëgiminë shpirtërore të popullit të saj.
Gjatë
viteve të studimeve, ajo u shqua jo vetëm për zellin dhe seriozitetin në
mësime, por edhe për nivelin e lartë akademik, duke u dalluar si një studente e
shkëlqyeshme. Përkushtimi i saj i pandërprerë dhe dashuria për dijen u
shpërblyen me sukses të merituar, kur ajo përfundoi me rezultate të larta vitin
e tretë të studimeve. Por Jehona nuk ishte vetëm studente e dalluar. Në vitin
1998, në një periudhë të vështirë dhe vendimtare për Kosovën, ajo u angazhua
vullnetarisht në Shtëpinë e Shëndetit “Nëna Terezë” në Kaçanik. Ky angazhim nuk
ishte thjesht një aktivitet humanitar, por një shprehje e qartë e shpirtit të
saj të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj njerëzve dhe komunitetit. Ishte një
dëshmi e gatishmërisë për të ndihmuar të tjerët në kohët më të vështira, duke
treguar karakterin e saj të fortë dhe të dhembshur njëkohësisht.
Jehona
kishte një shoqe të ngushtë e të veçantë- Lumnije Rakën, e cila ishte edhe
kushërira e saj. Marrëdhënia e tyre kishte rrënjë të thella që nga rinia e
hershme. Ato i lidhte mosha e afërt, shkolla që e kishin ndarë së bashku dhe
një jetë familjare e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Por me kalimin e
viteve, lidhja e tyre u forcua edhe më shumë, duke u bërë bashkë jo vetëm në
përditshmëri, por edhe në idealet e mëdha kombëtare. Të ndara nga shumëçka
tjetër, ato u bashkuan fort në aspiratën për liri dhe dinjitet kombëtar, duke e
kthyer shoqërinë e tyre në një motërzim të vërtetë dhe atdhetarë.
Jeta
studentore në atë kohë nuk ishte thjesht një periudhë mësimesh dhe provimesh
për Jehonën dhe shoqet e saj, por një fazë vendimtare e ndërgjegjësimit dhe
angazhimit të tyre shoqëror dhe kombëtar. Rrethanat historike dhe politike të
asaj periudhe i lidhën ato ngushtë me zhvillimet dramatike që përjetonte
Kosova, duke e kthyer universitetin në një vatër të zjarrtë diskutimesh dhe
organizimesh kundër pushtuesit.
Në
mjediset studentore të asaj kohe, mbizotëronte një atmosferë tensioni dhe
vendosmërie. Bisedat e përditshme shpesh përqendroheshin rreth organizatave
ilegale atdhetare dhe strategjive për t’i bërë ballë regjimit shtypës serb.
Universiteti nuk ishte vetëm hapësirë për dije, por edhe një terren i gjallë
për përhapjen e ideve të rezistencës dhe të lirisë.
Në
këto ambiente, shumë studentë nuk u mjaftuan me fjalë apo mendime, por morën
vendimin e guximshëm për t’u radhitur në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës. Ata u bënë pjesë aktive e lëvizjes çlirimtare, duke kryer detyra të
shumta e të ndryshme, si në zonat e luftës së drejtpërdrejtë ashtu edhe në ato
ku zhvillohej përgatitja e heshtur dhe e pandërprerë.
Në
prapavijë, studentët luanin një rol vendimtar në sigurimin e furnizimeve, në
mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve mbi lëvizjet e forcave armike, si
dhe në strukturimin e rrjeteve të ndihmës dhe të logjistikës. Aktivitetet e
tyre përfshinin gjithashtu fushatën e rekrutimit të vullnetarëve të rinj, propagandën
për çështjen e drejtë të luftës çlirimtare dhe organizimin e mbështetjes së
gjerë popullore.
Ishte
një kohë kur ideali për liri nuk mbetej i mbyllur në librat universitare, por
zbërthehej në veprim konkret, duke i kthyer studentët në pararojë të rezistencës
kombëtare dhe në shembull të përkushtimit për një të ardhme më të denjë e më të
drejtë për popullin e tyre. Përkushtimi dhe angazhimi atdhetar i dy
bashkëluftëtareve, Jehona Sabit Raka dhe Lumnije Raka, nuk ishte diçka që lindi
papritur në kohë lufte – rrënjët e tij shtriheshin që në periudhën e studimeve
të tyre universitare e edhe më herët. Ishte pikërisht në këtë mjedis ku ato
filluan të ndërtojnë lidhje dhe të bashkëpunojnë me figura të njohura të
rezistencës studentore si Xheladin Kurtaj, Nehat Mustafa dhe Bashkim Fazliu.
Në
atë kohë të mbushur me tension e vendosmëri, Jehona dhe Lumnija nuk u mjaftuan
me vetëm me mbështetje morale apo me diskutime teorike. Ato morën përsipër
detyra konkrete dhe me rëndësi të madhe për lëvizjen çlirimtare. Detyra e tyre
e parë ishte veçanërisht delikate, vëzhgimi i lëvizjeve të armikut përgjatë
rrugës kryesore të Kaçanikut, duke mbajtur nën kontroll hyrjet dhe daljet e
forcave serbe, si dhe evidentimin e lëvizjeve të bashkëpunëtorëve lokalë të
pushtuesit.
Ky
aktivitet kërkonte guxim, vëmendje të jashtëzakonshme dhe një aftësi të lartë
për të vepruar në fshehtësi. Jehona dhe Lumnija e kryen këtë detyrë me një
përkushtim të rrallë dhe me sukses të plotë, duke mbledhur informacione të
vlefshme që përbënin një armë të rëndësishme në duart e strukturave të
organizuara të rezistencës. Për një periudhë të caktuar, ato raportonin
rregullisht te përgjegjësi i tyre, Fadil Qaka, i cili ishte caktuar për këtë
detyrë nga komanda e luftës.
Ky
aktivitet nuk ishte thjesht një fazë përgatitore, por një dëshmi e pjekurisë
dhe seriozitetit të tyre si veprimtare të përkushtuara të çështjes kombëtare.
Ky përkushtim u konkretizua edhe më qartë më 20 tetor të vitit 1998, kur Jehona
dhe Lumnije Raka paraqiten në komandën e Brigadës për të ndjekur stërvitjet e
nevojshme ushtarake dhe luftarake. Ishte një hap vendimtar që shënonte kalimin
e tyre nga aktiviteti informativ dhe organizativ në angazhimin e drejtpërdrejtë
si pjesëtare të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një zgjedhje që
tregonte qartazi gatishmërinë për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut.
Gjatë
muajve tetor dhe nëntor të vitit 1998, Jehona Sabit Raka kreu me përkushtim të
plotë stërvitjet ushtarake, të cilat i zhvilloi individualisht nën mbikëqyrjen
dhe udhëzimet e drejtpërdrejta të komandës. Ky proces përgatitor nuk ishte
thjesht formalitet, por një fazë themelore për të fituar aftësi dhe disiplinë
ushtarake që do t’i duheshin në misionet e vështira që e prisnin përpara.
Përgatitjet
specifike për detyrat e vëzhgimit, që kërkonin vëmendje të madhe, vlerësim të
saktë të situatës dhe aftësi për të vepruar në fshehtësi, i zhvilloi nën
udhëheqjen e eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Qaka. Në këto
stërvitje nuk ishte e vetme, krahas saj mori pjesë edhe Lumnije Raka, shoqja e
saj e ngushtë dhe bashkëluftëtare e palodhur, si dhe një grup ushtarësh e
ushtaresh të tjerë nga Kaçaniku.
Ky
trajnim nuk ishte vetëm një përgatitje teknike, por edhe një mënyrë për të
ndërtuar frymën e bashkëpunimit dhe të besimit reciprok midis pjesëtarëve të
ardhshëm të njësive luftarake. Pas përfundimit me sukses të këtyre stërvitjeve
ushtarake, Jehona, së bashku me shokët dhe shoqet e saj, u sistemua në njësitin
e vëzhgimit, një strukturë e specializuar e UÇK-së që kishte si zonë veprimi
vetë qytetin e Kaçanikut.
Kjo
njësi kishte një rëndësi strategjike të veçantë, ai merrej me mbikëqyrjen e
lëvizjeve të forcave armike, sigurimin e informacioneve për hyrjet dhe daljet,
si dhe identifikimin e rrjeteve të bashkëpunëtorëve të armikut. Jehona, tashmë
e përgatitur mirë dhe e vendosur, u bë pjesë e pandashme e kësaj strukture, e
cila përbëhej nga luftëtarë të vendosur si Fadil Qaka, Muhamet Zeneli, Nehat
Qaka, Lumnije Raka, Rrustem Dema e të tjerë.
Kjo
ishte një fazë e rëndësishme dhe e ndershme e kontributit të saj në luftën
çlirimtare – një angazhim i heshtur por vendimtar, ku përkushtimi dhe trimëria
përktheheshin në mbrojtje të popullit dhe përgatitje të terrenit për përballjet
e ardhshme të armatosura.
Në
fillim të vitit 1999, situata në rrethin e Kaçanikut mori një kthesë
vendimtare, duke hyrë në fazën e zhvillimeve të hapura luftarake kundër forcave
pushtuese serbe. Në relievin e ashpër dhe strategjik të maleve të Sharrit, mbi
vetë qytetin, ishin vendosur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të
organizuara në Brigadën 162 “Agim Bajrami”. Ky përqendrim ushtarak dhe
intensifikimi i përballjes i dhanë një dimension krejtësisht të ri rezistencës,
duke e shndërruar Kaçanikun në një vatër të zjarrtë të qëndresës shqiptare.
Këto
zhvillime nuk mbetën pa jehonë tek Jehona Sabit Raka dhe shoqja e saj e ngushtë
dhe bashkëluftëtarja e palëkundur, Lumnije Raka. Deri atëherë, ato kishin
vepruar në mënyrë të fshehtë, duke kryer detyra të ndjeshme të vëzhgimit dhe
informimit. Por përshkallëzimi i luftimeve i afroi edhe më shumë me strukturat
e drejtpërdrejta të luftës. Tani nuk kishte më vend për prapavijë, ato të dyja
morën vendimin të fortë dhe të vetëdijshëm për të hyrë në vijën e parë të
rezistencës.
Jehona
dhe Lumnija u vendosën në një nga pikat më të rëndësishme të luftës urbane në
Kaçanik, në lagjen “Rakoc”. Në këtë pikë strategjike, ato vepruan jo vetëm si
ushtare të armatosura e të përgatitura për ballafaqim të drejtpërdrejtë, por
edhe si profesioniste të shëndetit, duke vënë në shërbim të luftës njohuritë
dhe përvojën e tyre si infermiere. Në kushte të vështira dhe shpesh të
rrezikshme, ato u kujdesën për të plagosurit dhe të sëmurët, duke e bërë luftën
e tyre të plotë, me armë në dorë dhe me përkujdesje humane për shokët.
Jehona
nuk ishte kurrë vetëm në këtë përballje heroike. Ajo veproi krah për krah me
një grup të tërë bashkëluftëtarësh që ndanin të njëjtin ideal dhe të njëjtin
rrezik. Mes tyre ishin Lumnije Raka, Emsale Frangu, Fadil Qaka, Mukadeze Lika,
Ilir Zharku, Nehat Qaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Rrustem Dema, Kadri
Trena, Abdurrahman Shehu, Melihate Shehu, Valdete Shurdhani dhe të tjerë.
Secili
prej këtyre emrave përbënte një hallkë të fortë në zinxhirin e qëndresës së
organizuar. Ata nuk ishin vetëm bashkëluftëtarë të rastësishëm, por një familje
e madhe e krijuar në zjarrin e luftës, të lidhur me një besë të pathyeshme të
qëndronin bashkë deri në fund, për lirinë dhe dinjitetin e popullit të tyre.
Në
mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, fronti i Kaçanikut u përball me një
ofensivë të ashpër dhe të organizuar mirë nga forcat pushtuese serbe. Armiku
kishte mobilizuar një numër të madh trupash dhe kishte angazhuar teknikë të
rëndë ushtarake, duke e bërë sulmin jo vetëm të fuqishëm por edhe të frikshëm
në pamje të parë. Qëllimi i qartë i kësaj goditjeje të përqendruar ishte të
sprapste dhe të mbante jashtë qytetit njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, për të shmangur çdo mundësi që Kaçaniku të binte në duart e tyre.
Në
strategjinë e armikut, mbrojtja e qytetit nën kontrollin e tij ishte një hallkë
kyçe për të siguruar Grykën e Kaçanikut – këtë arterie natyrore historike dhe
strategjike që përshkon jugun e Kosovës dhe që ka qenë gjithmonë rrugë e
domosdoshme për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve. Kontrolli i kësaj gryke nënkuptonte
për ta qarkullim të lirë dhe mundësi për të mbajtur të ndarë dhe të dobësuar
rezistencën shqiptare.
Mirëpo
këto plane dhe synime të pushtuesit nuk ishin të panjohura për komandën e
Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe për luftëtarët e saj. Ata e kishin të qartë
rëndësinë jetike të Grykës së Kaçanikut – jo vetëm si terren strategjik
ushtarak, por edhe si simbol historik i rezistencës shqiptare ndër shekuj.
Pikërisht
për këtë arsye, njësitet e kësaj brigade kishin marrë vendimin e patundur që të
mos tërhiqeshin, duke qenë të gatshëm të mbronin çdo pëllëmbë të asaj toke deri
në sakrificën e jetës. Ishte një përballje jo vetëm e forcave, por edhe e
vullneteve, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi se nuk do të linte kurrë që
Gryka e Kaçanikut – ky prag i nderit dhe i historisë kombëtare – të binte pa
rezistencë dhe pa flijim.
Beteja
e 9 prillit 1999 në Kaçanik qe një përballje e ashpër dhe e vendosur, e
karakterizuar nga një qëndresë e pamëshirshme dhe e pakompromis nga ana e
luftëtarëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ata nuk luftuan vetëm për territor,
por për dinjitetin, lirinë dhe nderin kombëtar, duke e kthyer çdo pozicion
mbrojtjeje në një simbol të vendosmërisë shqiptare.
Në
radhët e para të kësaj beteje qëndronin luftëtarët e njësive të Batalionit të Dytë,
të cilët ishin nën drejtimin e komandantit të tyre të palëkundur, Azem Guri.
Këto forca nuk u ligështuan për asnjë çast, pavarësisht intensitetit të
furishëm të granatimeve të armikut. Ata përballuan me guxim breshëritë e
artilerisë së rëndë serbe, të topave, tankeve dhe autoblindave, si dhe gjithë
arsenalin tjetër ushtarak që armiku përdori në përpjekje për të thyer vijën e
mbrojtjes së UÇK-së.
Njësia
e Policisë Ushtarake ishte po ashtu në vijën e zjarrit, duke treguar të njëjtin
nivel heroizmi dhe përkushtimi. Ata qëndruan krah për krah me shokët e tyre,
duke mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe duke mos lejuar që forcat
pushtuese të depërtonin dhe të merrnin kontrollin e qytetit e të Grykës së
Kaçanikut – rrugës kyçe strategjike që kishte rëndësi jetike për lëvizjen e
trupave dhe mbrojtjen e popullsisë.
Në
këtë përballje të madhe dhe të vështirë, nuk mungoi as pjesëmarrja e
drejtpërdrejtë e vetë komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi.
Me praninë dhe udhëheqjen e tij, ai dha një shembull të qartë të udhëheqjes së
guximshme dhe të solidaritetit me ushtarët e tij. Ai nuk e pa veten si një
komandant të largët, por si pjesë organike të rezistencës, duke qëndruar në
vijën e parë të zjarrit dhe duke frymëzuar luftëtarët e tij që të mos dorëzoheshin
për asnjë çast, pavarësisht furisë së armikut.
Kështu,
beteja e 9 prillit u bë një simbol i sakrificës, qëndresës dhe unitetit të
forcave çlirimtare shqiptare, duke dëshmuar se vendosmëria dhe guximi mund të
qëndrojnë përballë çdo makinerie lufte, kur mbrohet një ideal i madh siç është
liria. Atë ditë të 9 prillit 1999, Jehona Sabit Raka dhe Lumnije Raka ishin në
pozicionet e tyre të frontit, duke kryer me përkushtim detyrat që i takonin çdo
luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato nuk ishin thjesht pjesë e
luftës, por mishërim i qëndresës dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj idealit
të lirisë.
Pas
disa orësh të tëra përleshjesh të ashpra në kodrat përreth Kaçanikut, situata
në qytet u rëndua deri në atë pikë sa u bë e domosdoshme që popullsia civile të
largohej dhe të strehohej në zonat më të sigurta të maleve mbi qytet, për t’i
shpëtuar granatimeve të pamëshirshme të forcave serbe. Në atë moment kritik dhe
të mbushur me ankth, Jehona dhe Lumnija nuk hezituan asnjë çast të merrnin
përsipër një nga detyrat më të rrezikshme dhe më njerëzore- ndihmën dhe
shoqërimin e popullatës civile gjatë tërheqjes.
Ato
ishin në ballë të kolonës që kalonte nëpër shtratin e ngushtë dhe të vështirë
të Përroit të Rakocit, duke udhëhequr dhe përkrahur njerëzit e trembur e të
rraskapitur, bashkë me disa shokë dhe shoqe të tjerë ushtarë e ushtare. Në çdo
hap të tyre, ato treguan guxim, përgjegjësi dhe ndjenja të thella humane –
ishin luftëtare, por mbi të gjitha bija të popullit që nuk e braktisën as në
orët më të errëta.
Por,
para se të arrinin në lartësitë e sigurta të Përroit, forcat serbe kishin
ngritur një pritë të befasishme, duke krijuar një situatë të menjëhershme dhe
të pashmangshme përleshjeje. Aty, në atë përballje të drejtpërdrejtë, Jehona
dhe Lumnija qëndruan krah për krah, siç kishin qenë gjithmonë – të pandara në
jetën civile, në idealet e tyre kombëtare dhe në betejën për liri.
Në
atë çast tragjik dhe heroik, ato ranë bashkë, pranë njëra-tjetrës, duke e
dëshmuar me jetën e tyre se përkushtimi ndaj çlirimit kombëtar nuk ishte për to
thjesht një fjalë, por një betim i shenjtë dhe një ideal që ia vlente të
paguhej edhe me jetën. Rënia e tyre nuk ishte fundi i miqësisë së tyre të
shenjtë, por kurorëzimi i saj në pavdekësi – një shembull i paharrueshëm i sakrificës
dhe i dashurisë për atdheun që do të frymëzojë brezat që vijnë.
Duhet
përmendur se në librin e tij Flakë e pashuar, ushtaraku dhe studiuesi Hajrush
Kurtaj, sjell një dëshmi të rëndësishme dhe prekëse për sakrificën e madhe të
bërë më 9 prill 1999 në Rakoc dhe në Lagjen e Re të Kaçanikut. Ai shkruan se
pikërisht atë ditë të zjarrit dhe të vendosmërisë, shumë bij dhe bija të këtij
vendi ranë në altarin e lirisë – jo për të vdekur, por për të jetuar
përjetësisht në kujtesën e kombit.
Në
mesin e këtyre dëshmorëve, të cilët përjetësuan me gjakun e tyre idealin më të
lartë të lirisë, renditen emrat e Izahir G. Troni, Fadil I. Qaka, Nehat I.
Qaka, Muhamet N. Zeneli dhe Ilir E. Zharku – të gjithë luftëtarë të pathyeshëm
që qëndruan të palëkundur përballë armikut. Po ashtu, bien për të mos u harruar
kurrë Ejup Dushkaja, Faruk V. Dogani, Kjani M. Bela, Nexhmush Q. Elezi dhe
Nexhmush Fera, të cilët e lidhën fatin e tyre personal me fatin e popullit të
tyre.
Në
këtë listë nderi janë edhe Shefket N. Fera, Lumnije Sh. Raka – shoqja dhe
bashkëluftëtarja e pandarë e Jehonës, Emsale Z. Frangu, Mukadeze Lika
Muhaxheri, Nevzat M. Qallaku dhe Minir B. Thaqi – të gjitha figura të guximshme
që dëshmuan me jetën e tyre vlerat më të larta të përkushtimit kombëtar.
Po
kështu, përkujtohen me respekt të thellë edhe Fatmir A. Horuni, Blerim R. Raka,
Habit R. Dullovi, Avdurrahim D. Shehu, Remzi Sh. Zharku dhe Reshat Sh. Shehu –
dëshmorë që e kurorëzuan me flijimin e tyre betimin për liri.
Lista
e sakrificës përmbyllet me emrat e Daut dhe Adem Sh. Rakoci, Raif A.
Krivanjeva, Sylejman R. Kuka dhe Burim S. Rexha – të gjithë pjesë e pandashme e
asaj gjenerate të artë që vendosi ta shkruajë me gjak kapitullin e lirisë së
Kosovës.
Këta
emra nuk janë vetëm fjalë në një libër historie. Ata janë testament i gjallë i
qëndresës dhe i idealit të papërkulur për atdheun. Ata janë drita që nuk shuhet
kurrë dhe që do të ndriçojë përherë rrugën e brezave që do të vijnë, duke u
kujtuar se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë dhe me gjakun e të
mirëve.
Një
kapitull i veçantë i dhimbjes dhe i krenarisë së asaj dite tragjike në
historinë e Kaçanikut i përket edhe popullsisë civile, e cila u bë pjesë e
pashmangshme e sakrificës kombëtare. Në atë 9 prill të përgjakshëm, shumë burra
e gra të pafajshëm u martirizuan, duke dëshmuar me jetën e tyre se lufta për
liri nuk kursen askënd dhe se çmimi i saj paguhet rëndë nga i gjithë populli.
Midis
këtyre martirëve që u ngritën në altarin e lirisë renditen emrat e Nebih H.
Topojani, Izahir T. Qaka dhe Irfete B. Qaka – dëshmi e dhembjes familjare që
goditi pa dallim. Po ashtu, Jonuz B. Bajra, Murat S. Raka dhe Menduh S.
Nallbani ranë si viktima të një dhune të pamëshirshme, duke u shndërruar në
simbole të qëndresës së heshtur të civilëve që nuk patën armë në dorë, por
paguan me jetë.
Në
këtë listë martirësh që mbush me pikëllim çdo faqe historie përmenden edhe
Tefik M. Nallbani, Maksut N. Nallbani, Gjili B. Rexha dhe Hamide Z. Rexha –
familje të tëra që u goditën në zemër. Po ashtu, kujtohen me nder dhe dhimbje
Mine A. Gashi, Mezrike B. Dogani dhe Hamid H. Shehu, të cilët nuk mundën të
mbroheshin nga urrejtja e armikut, por mbeten përgjithmonë në kujtesën e gjallë
të popullit.
Kjo
listë e gjatë e martirizimit civil përfshin edhe Haki H. Livoreka, Gyli B.
Raka, Ekrem I. Raka, Xhemajl A. Haziri, Bajrush Q. Axhami, Izjadin R. Frangu
dhe Ilaz B. Rakoci – emra që janë bërë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe
të ndërgjegjes sonë kombëtare. Martirizimi i Osman N. Livorekës, Arif S. Rakës,
Nebih A. Livorekës dhe Avdullah Sh. Burrnikut flet për mizorinë e pushtuesit,
që nuk kurseu asnjë jetë të pafajshme. Po ashtu, Adnan I. Gula, Riza H. Koraqi,
Bedri A. Zharku dhe Aziz I. Agjani mbeten shembuj të dhembjes së përbashkët dhe
të përjetshme.
Në
këtë galeri të dhimbjes dhe të krenarisë përfshihen edhe Rufki B. Mulaki,
Ramadan S. Spahiu, Afet R. Bushi dhe Maliq H. Zharku – martirë që me gjakun e
tyre vunë një gur themeli në ndërgjegjen kombëtare, duke e dëshmuar se liria u
arrit mbi sakrificën e të gjithëve: ushtarëve dhe civilëve, të rinjve dhe të
moshuarve, burrave dhe grave. Ata nuk ishin vetëm viktima të një agresioni të
verbër, por martirë të një populli që pranoi të paguante çmimin më të lartë për
të fituar të drejtën për të jetuar të lirë dhe me dinjitet në tokën e vet.
Pas
përfundimit të luftimeve, trupi i dëshmores Jehona Sabit Raka dhe i
bashkëluftëtarëve të saj u zbulua në një varrezë masive në fshatin Kaçanik i
Vjetër – një dëshmi e dhimbshme dhe e rëndë e mizorisë së pushtuesit serb. Ky
zbulim i tronditi të gjithë, por njëkohësisht shërbeu si një kujtesë e gjallë e
çmimit të lartë që pagoi ky vend për lirinë.
Në
korrik të vitit 1999, pas çlirimit, populli, bashkëluftëtarët dhe familjarët
organizuan me nderime ushtarake rivarrimin e Jehonës dhe të dëshmorëve të
tjerë. Ceremonia u zhvillua në Varrezat e Dëshmorëve, në vendin e njohur si “Te
Dardha” në Kaçanik. Ky akt solemn dhe i dhimbshëm nuk ishte vetëm një
përmbushje e detyrës ndaj të rënëve, por edhe një akt nderimi dhe falënderimi
të thellë për sakrificën sublime që ata dhanë për lirinë e atdheut.
Për
të përjetësuar kujtimin e tyre dhe për t’u shërbyer brezave të ardhshëm si
dëshmi e sakrificës dhe e lavdisë, në vendin e rënies – në altarin e atdheut në
Rakoc të Kaçanikut – u ngrit një lapidar i përbashkët. Ky monument përkujton
Jehonën, 18 dëshmorë të tjerë dhe 22 martirë, të gjithë bij dhe bija të këtij
vendi që ranë për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar. Ky lapidar nuk
është thjesht gur, por një testament i historisë, një kujtesë e gjallë e
dhimbjes dhe krenarisë.
Jehona
Sabit Raka nuk ishte vetëm një luftëtare e armës dhe e sakrificës, por edhe një
shpirt i ndjeshëm dhe krijues. Që nga fëmijëria e hershme ajo ishte marrë me
shkrime, duke mbajtur edhe një ditar personal, në të cilin rrëfente ndjenja,
ëndrra dhe reflektime për jetën dhe atdheun – një pasuri shpirtërore që, për
fat të keq, humbi gjatë vorbullës së luftës.
Jehona
la pas vetes një boshllëk të thellë në familjen e saj, duke i ndarë
përjetësisht nga prania e saj të ngrohtë babain, Sabitin, nënën Hamdie, motrat
Violetën dhe Lenditën, si dhe vëllezërit Diamantin, Kadriun dhe Fisnikun. Por
njëkohësisht, ajo u bë pjesë e pavdekësisë kombëtare, duke hyrë në histori si
simbol i qëndresës, i guximit dhe i dashurisë së pakufishme për atdheun.
Literatura:
Hajrush Kurtaj,
Kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe Han të
Elezit (1998–1999), Prishtinë, 2022
Hajrush Kurtaj, Flak e
pashuar, Prishtinë, 2016
https://www.radiokosovaelire.com/jehona-sabit-rakajehona-sabit-raka-6-11-1976-9-4-1999/
https://telegrafi.com/tag/jehona-raka/
https://deshmoretelirise.com/faqja/jehona-s-raka/
https://www.facebook.com/Sjekacaniklinese/posts/lavdi-d%C3%ABshmoreve-t%C3%AB-kombit-mukadeze-lika-muhaxheri-jehona-dhe-lumnije-raka-dhe-e/945022524473570/
https://www.instagram.com/p/Cq1KaeEL03s/
https://indeksonline.net/memorial-per-heroinat-e-kacanikut/
https://www.facebook.com/GrykaKacanikut/photos/d%C3%ABshmoret-e-ka%C3%A7anikut-mukadeze-lika-muhaxheri-jehona-raka-emsale-frangu-lumnije-/1188175045487228/?_rdr
https://www.instagram.com/sjekacaniklinese1/p/C4PnsTWr_m4/
https://fax.al/news/3337641/sot-ne-kacanik-perkujtohen-deshmoret
https://telegrafi.com/po-marrin-vendin-qe-u-takon-ne-histori-presidentja-osmani-per-te-pare-ndan-urdhrin-heroina-te-kosoves/
https://www.dukagjini.com/osmani-ndan-urdhrin-heroina-te-kosoves-edhe-per-vajzat-dhe-grate-qe-luftuan-ne-radhet-e-uck-se/
https://www.arbresh.info/lajmet/perkujtohen-deshmoret-e-rakocit/
https://ferizajpress.com/perkujtohen-kater-deshmoret-e-kacanikut/