Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (38)
E merkure, 10.09.2025, 07:10 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (38)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
MIHRIJE FERIZ JASHARI
05.12.1942-
05. 03. 1998
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Çlirimi
i Kosovës nuk është një ngjarje e shkëputur apo e rastësishme në historinë
tonë, por rezultat i një përpjekjeje të gjatë, të ndërthurur dhe të pandërprerë
të disa brezave shqiptarë të përkushtuar ndaj idealit të shenjtë të lirisë dhe
bashkimit kombëtar. Kjo vepër madhore është fryt i një rezistence të palëkundur
që ka marrë forma të ndryshme përgjatë dekadave, por që gjithnjë ka pasur një
qëllim të njëjtë, të çlirojë tokat shqiptare nga pushtimi dhe të realizojë
aspiratën e bashkimit kombëtar.
Rrënjët
e kësaj lëvizjeje nuk gjenden vetëm në kohët e fundit, por shtrihen thellë në
historinë moderne të kombit tonë. Ato fillojnë me padrejtësinë e madhe të vitit
1913, kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër, nën ndikimin e interesave të fuqive
të mëdha, vendosi të përgjysmonte Shqipërinë etnike, duke e copëtuar dhe duke
lënë jashtë kufijve të saj më shumë se gjysmën e popullit shqiptar. Ky vendim
arbitrar, i diktuar nga logjika e balancave ndërkombëtare dhe jo nga e drejta
natyrore e popujve për vetëvendosje, mbolli farën e dhimbjes, por edhe të
rezistencës në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Që
nga ajo kohë, lëvizja kombëtare shqiptare për çlirim dhe bashkim nuk ka
reshtur. Ajo ka kaluar nëpër etapa të ndryshme, herë të armatosura e herë politike,
herë të hapura e herë të fshehta, gjithnjë e udhëhequr nga bindja e palëkundur
se padrejtësia historike duhet ndrequr dhe se një komb i ndarë padrejtësisht
nuk mund të jetë kurrë i lirë plotësisht. Në veçanti, rezistenca kundër
pushtuesit serb ka qenë një nga përmasat më të ashpra dhe më të dhimbshme të
kësaj lëvizjeje. Ajo nuk ishte thjesht luftë për territor, por betejë për
identitet, për gjuhën, për kulturën dhe për të drejtën themelore për të jetuar
të lirë dhe të barabartë në trojet e veta.
Çlirimi
i Kosovës në fund të shekullit XX u bë kulmi i kësaj përpjekjeje të gjatë
historike. Ai ishte rezultati i gjakut dhe sakrificës së panumërt të brezave që
e mbajtën gjallë shpirtin e qëndresës edhe në kohët më të vështira. Çdo betejë
e vogël apo e madhe, çdo kryengritje, çdo akt rebelimi, çdo pushkë e ngritur
për liri ishte gurthemel i lirisë që më në fund u arrit. Prandaj, çlirimi i
Kosovës nuk mund të shihet si meritë e një brezi të vetëm apo si fryt i një
rasti të favorshëm historik. Ajo është trashëgimi e gjallë e një ideali të
trashëguar brez pas brezi, testament i një përkushtimi shekullor për dinjitet
dhe drejtësi. Në këtë kuptim, çdo shqiptar ka detyrimin moral që ta njohë, ta
nderojë dhe ta vazhdojë këtë amanet të shenjtë kombëtar.
Duhet
theksuar me forcë se kjo luftë dhe rezistencë e pandërprerë për liri nuk ishte
vetëm vepër e burrave trima që morën armët dhe dolën në ballë të përballjes.
Krah tyre, me të njëjtin guxim dhe vendosmëri të palëkundur, luftuan edhe gratë
shqiptare – ato trimëresha të heshtura dhe të pathyeshme që mbartën mbi supe jo
vetëm barrën e shtëpisë, por edhe peshën e shenjtë të mbrojtjes së atdheut.
Në
të gjitha etapat e kësaj qëndrese heroike, gratë shqiptare nuk mbetën pasive,
as spektatore të fatit të tyre. Përkundrazi, ato u shndërruan në shtylla të
qëndrueshme të rezistencës morale dhe fizike. Ato ndihmuan në organizimin e
jetës në kushte lufte, strehuan dhe ushqyen luftëtarët, shëruan të plagosurit,
mbajtën gjallë frymën e besës dhe të shpresës në mesin e popullit. Madje, jo
rrallë, ato morën vetë armët në dorë, duke u bërë pjesë e drejtpërdrejtë e
përleshjeve dhe e betejave vendimtare. Ato treguan se mbrojtja e atdheut nuk
është privilegj apo barrë vetëm për burrat, por një detyrë e përbashkët që
kërkon sakrificë të barabartë nga të gjithë. Figura e gruas shqiptare në këtë
rezistencë të vazhdueshme është po aq madhështore dhe e denjë për t’u nderuar
sa ajo e burrit luftëtar. Ato ishin zemra dhe shpirti i shtëpisë dhe i kombit,
garantet e vazhdimësisë, kultivueset e dashurisë për lirinë dhe mbrojtëset e
identitetit kombëtar.
Gruaja
shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme dhe thelbësore në çdo luftë, në
çdo betejë dhe në çdo etapë të historisë sonë kombëtare. Ajo nuk ka qëndruar
kurrë në hijen e burrit, por ka qenë gjithmonë përkrah tij – e gatshme të ndajë
jo vetëm gëzimet dhe vuajtjet, por edhe sakrificat më të mëdha që kërkonte
mbrojtja e atdheut. Por ndër të gjitha faqet e ndritura të kësaj historie të
gjatë dhe të dhimbshme, një vend të veçantë dhe të paharrueshëm zë epopeja e
lavdishme e Prekazit. Këtu, në ato ditë të zjarrit dhe të sakrificës më të
madhe, u pa me sytë më të qartë se kurrë roli vendimtar i gruas shqiptare.
Në
mbrojtje të kullës dhe të pragut të shenjtë, krah për krah me burrat, qëndruan
dhe luftuan edhe gratë e Prekazit me një trimëri të rrallë dhe të admirueshme.
Ato nuk u ligështuan përballë barbarisë dhe tmerrit të rrethimit, nuk zgjodhën
të largoheshin për të shpëtuar jetën, por mbetën aty ku ndodhej nderi dhe
përgjegjësia – në vatrën e tyre, të vendosura të ndanin të njëjtin fat me
burrat dhe fëmijët. Me armë në dorë, me zemër të patrembur dhe me vendosmëri të
hekurt, ato mbrojtën jo vetëm gurët dhe muret e kullës, por kuptimin më të
thellë të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar.
Epopeja
e Prekazit nuk do të mund të kuptohej në madhështinë e saj të vërtetë pa
praninë e këtyre grave trimëresha, të cilat, duke sfiduar frikën dhe vdekjen,
shkruan me gjakun dhe qëndresën e tyre një nga faqet më të ndritura të
historisë sonë kombëtare. Kujtimi dhe nderimi për to është pjesë e pandashme e
kujtesës sonë kolektive dhe një shembull i përjetshëm për brezat që vijnë.
Në
mesin e shumë grave të jashtëzakonshme që qëndruan heroikisht në ato ditë të
zjarrit dhe flijimit, spikat pa dyshim figura e Mihrije Feriz Jasharit – një grua e fortë dhe
trimëreshë në kuptimin më të thellë të fjalës. Ajo nuk ishte vetëm pjesë e një
familjeje të madhe e të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën nga gjaku dhe ideali,
por një shtyllë morale dhe shpirtërore që mbante mbi supe barrën e rëndë të
asaj rezistence të shenjtë.
Mihrija
nuk u përkul përballë frikës, nuk kërkoi shpëtim për vete dhe nuk u tërhoq nga
përgjegjësia e saj. Përkundrazi, ajo qëndroi aty ku kërkohej guxim dhe
vendosmëri, përkrah familjes së saj të gjerë, duke u bërë shembull i rrallë i
dashurisë për shtëpinë dhe atdheun. Me të njëjtën trimëri që e karakterizonte,
ajo nuk e braktisi as për një çast as kullën dhe as të afërmit, por ndau me ta
fatin dhe sakrificën deri në fund. Veçanërisht prekëse është prania e dy vajzave
të saj, Sabrijes dhe Hanifes, që u rritën në frymën e këtij ideali dhe që
ndoqën shembullin e nënës me të njëjtën vendosmëri dhe krenari. Ato nuk ishin
thjesht fëmijë të pafajshëm të zënë në rrjetën e luftës, por pjesëmarrëse të
vetëdijshme në një akt të madh mbrojtjeje dhe qëndrese, duke dëshmuar se
dashuria për familjen dhe vendin nuk njeh moshë dhe nuk pranon kompromis.
Bashkë
me familjen e gjerë Jashari, Mihrija dhe dy vajzat e saj u bënë pjesë e
pandashme e asaj epopeje të pavdekshme që Prekazi i dhuroi kombit shqiptar. Ato
nuk lanë pas vetëm një histori dhimbjeje, por një trashëgimi të shenjtë të
guximit dhe sakrificës, një testament moral që na kujton se liria fitohet vetëm
atëherë kur edhe gratë, bashkë me burrat, qëndrojnë të pathyeshme përballë çdo
rreziku. Për këtë arsye, emri i Mihrije Feriz Jasharit dhe i bijave dhe bijve
të saj duhet të përmendet me nder dhe respekt të veçantë, si pjesë e atij
panteoni të shenjtë të rezistencës shqiptare, që frymëzon e edukon brezat e
ardhshëm për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë dhe nderit kombëtar.
Mihrije
Feriz Jashari u lind më 05.12.1942, në një familje të njohur për traditat e
thella atdhetare dhe ndjenjat e forta patriotike. Ajo erdhi në jetë në një
shtëpi ku përkushtimi ndaj kombit nuk ishte vetëm një fjalë e madhe, por një
vlerë e trashëguar dhe e gjallë që udhëhiqte mendjet dhe zemrat e çdo anëtari
të familjes. E re në moshë, Mihrija u rrit në ato oda të lashta shqiptare që
nuk ishin thjesht vende mikpritjeje, por akademi të vërteta popullore ku ngjizej
ndërgjegjja kombëtare. Ishin ato mure që mbanin jehonën e bisedave të gjata e
të thella për çështjen kombëtare, për historinë e lavdishme të popullit
shqiptar dhe plagët e tij të hapura nga padrejtësitë dhe pushtimet e huaja.
Këto
biseda të përnatshme, të mbushura me rrëfime trimërie, me dhimbje dhe me
shpresë të pashuar, nuk e lanë Mihrijen të mbetej një fëmijë si gjithë të
tjerët. Ato e bënë të piqej më herët se bashkëmoshatarët e saj, duke e ushqyer
me një ndjenjë të thellë përgjegjësie për fatin e vendit dhe të popullit të
vet. Në shpirtin e saj të ri lindi dhe u rrit një dashuri e madhe dhe e pastër
për atdheun – një dashuri që nuk pranonte kompromise dhe që i jepte kuptim çdo
sakrifice. Krahas kësaj dashurie, po aq fuqishëm zuri vend edhe urrejtja e
natyrshme dhe e drejtë kundër okupatorit që e mbante vendin e saj të shtypur
dhe të robëruar.
Kështu,
Mihrija nuk u bë thjesht një pjesëtare e zakonshme e familjes Jashari, por një
ndër ato gra të rralla që e mbartën mbi supe dhe në zemër amanetin e brezave të
shkuar, të përgatitur për të dhënë gjithçka për lirinë, nderin dhe dinjitetin e
atdheut. Në rritjen dhe formimin e saj nuk kishte vend për harresë apo për
pajtim me robërinë – kishte vetëm vend për guxim, përkushtim dhe një vendosmëri
të palëkundur për të parë një ditë vendin e saj të lirë. Mihrije Jashari pati
fatin dhe privilegjin e veçantë që, pasi u rrit në një familje me tradita të
forta atdhetare dhe me rrënjë të thella patriotike, të lidhte jetën e saj me
një familje tjetër po aq të njohur dhe të nderuar për trimëri dhe dashuri ndaj
atdheut. Ajo u martua me Zymer Jasharin nga Prekazi i Ulët – që ishte një
simbol i gjallë i qëndresës dhe i besës shqiptare.
Familja
e Zymerit, si të gjitha degët e trungut të Jasharajve, njihej prej kohësh për
guximin dhe vendosmërinë e saj të jashtëzakonshme në mbrojtje të nderit, të
tokës dhe të lirive kombëtare. Brez pas brezi, ata kishin dëshmuar me vepra
konkrete jo vetëm dashurinë për vendin, por edhe gatishmërinë për të
sakrifikuar gjithçka për të mbrojtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Ky
bashkim nuk ishte thjesht një lidhje martesore midis dy individësh, por një
kurorëzim i natyrshëm i dy traditave të përbashkëta, që mbartnin të njëjtin
ideal dhe të njëjtën trashëgimi shpirtërore. Në këtë mënyrë, Mihrija nuk
ndryshoi vetëm shtëpinë, por u bë pjesë e një familjeje që ndante të njëjtën
filozofi jete dhe të njëjtin amanet brezash, të mos e lëshonin kurrë tokën e të
parëve dhe të mos u gjunjëzoheshin kurrë pushtuesve.
Në
këtë mjedis të përshkuar nga ndjenja të thella atdhedashurie, Mihrija e gjeti
veten të përkrahur dhe të kuptuar, duke forcuar edhe më shumë përkushtimin e
saj ndaj kauzës kombëtare. Ajo u bë jo vetëm nuse e Prekazit, por edhe bijë e
denjë e një familjeje që historia e Kosovës do ta kujtonte përjetë për
sakrificën dhe lavdinë që i dhuroi kombit shqiptar. Mihrija, krahas
përkujdesjes dhe angazhimeve të përditshme në punët e shtëpisë, në familjen e
saj të re nuk ishte thjesht një amvise e përkushtuar. Ajo kishte edhe vesh dhe
sy të mprehtë për gjithçka që ndodhte rreth saj. Me një vëmendje të veçantë,
ajo dëgjonte dhe përthithte bisedat e shumta që zhvilloheshin në shtëpi dhe në
lagje – ato diskutime të ngrohta dhe shpesh të fshehta që sillnin jehonën e një
lëvizjeje atdhetare gjithnjë në rritje.
Në
odat e Jasharajve dhe në kuvendet e burrave të lagjes, ajo nuk ishte vetëm një
dëgjuese pasive. Edhe pse shpesh në heshtje, Mihrija kuptonte qartë se po piqej
diçka e madhe, një ndjenjë e fortë dhe e organizuar kundërshtimi ndaj robërisë,
një përgatitje morale dhe shpirtërore për përballjen e madhe që dukej gjithnjë
e pashmangshme. Këto biseda e formonin dhe e forconin përditë. Ato i mbillnin
në zemër jo vetëm ndjenja të thella krenarie, por edhe një lumturi të veçantë –
lumturinë e njeriut që kupton se nuk është i vetëm, që e di se jeton mes
njerëzve të vendosur dhe të vetëdijshëm për rrugën që duhet ndjekur. Mihrija
ndiente se ishte pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. E një familjeje dhe një
lagjeje që e kishin bërë betimin për të mos u përkulur, për të mos pranuar
poshtërimin e robërisë dhe për të mbrojtur me çdo çmim lirinë dhe nderin.
Kjo
njohuri, kjo vetëdije e brendshme se rreth saj po lëvizte një frymë e madhe dhe
e pathyeshme atdhetarie, nuk e rëndonte, por përkundrazi e mbushte me një forcë
të veçantë dhe e bënte më të qetë dhe më të lumtur. Sepse Mihrija e kuptonte se
nuk kishte mision më të lartë e më fisnik sesa të jetoje dhe të veproje për
lirinë e atdheut dhe të popullit tënd. Ajo ishte përgatitur shpirtërisht dhe
moralisht për atë që e ndiente thellë në zemër se një ditë do të ndodhte. Nuk
ishte e verbër përballë shenjave të kohës, as e pandjeshme ndaj tensionit dhe
kërcënimeve që rëndonin mbi tokën e tyre. Mihrija i kuptonte mirë rrethanat dhe
me një kthjelltësi të rrallë priste ditët e vështira që po afronin.
Për
këtë arsye, shpesh ulej dhe bisedonte gjatë e shtruar me burrin e saj, Zymerin.
Mes tyre nuk kishte vetëm fjalë të zakonshme bashkëshortore, por edhe plane dhe
mendime për të ardhmen e fëmijëve, për mënyrën se si duhej të përballeshin me
rreziqet që po vinin. Ata ndanin jo vetëm hallet e përditshme, por edhe
vizionin e përbashkët për të mbrojtur familjen dhe për të qëndruar të
palëkundur përballë çdo sulmi apo padrejtësie. Po ashtu, Mihrija nuk i linte
jashtë këtyre bisedave as fëmijët e saj, të cilët vinin njëri pas tjetrit në
jetë, duke e mbushur shtëpinë me zëra dhe jetë, por edhe me përgjegjësi të
reja. Ata rriteshin në një frymë atdhetarie të pastër, ku përkushtimi për
familjen dhe vendin nuk ishte vetëm mësim i dhënë me fjalë, por shembull i
jetuar çdo ditë.
Familja
e Zymer dhe Mihrije Jasharit ishte e madhe dhe e begatë në fëmijë – plot 12
shpirtra që e mbushnin shtëpinë me dashuri dhe gjallëri. Por kjo familje e
madhe u bë edhe më e madhe në dhimbje dhe në sakrificë. Në ato ditë të zjarrit
të marsit 1998, në epopenë e lavdishme të Prekazit, ranë dëshmorë Myrtezi,
Sabrija, Hanifja dhe Hajzeri – bij dhe bija të kësaj familjeje që nuk ngurruan
të japin jetën për mbrojtjen e pragut dhe të atdheut.
Ndërsa
të tjerët – Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja
dhe Hamidja – mbetën gjallë, si dëshmitarë dhe trashëgimtarë të një sakrifice
të shenjtë. Ata janë kujtesa e gjallë e asaj që ndodhi, por edhe bartës të
amanetit për të mos harruar kurrë se çmimi i lirisë u pagua me jetën e më të
dashurve të tyre. Kështu, historia e Mihrijes dhe e familjes së saj është një
rrëfim i thellë për dashurinë ndaj vendit, për përgatitjen morale për sakrificë
dhe për dinjitetin e pathyeshëm të një familjeje që u bë simbol i pavdekshëm i
qëndresës shqiptare.
Në
çdo periudhë të historisë, gratë shqiptare kanë dëshmuar se brenda tyre rreh
një zemër e fortë, e palëkundur përballë vështirësive dhe padrejtësive. Ato
kanë ditur jo vetëm të përballojnë sfidat më të rënda me dinjitet, por edhe të
shprehin hapur dhe pa frikë urrejtjen kundër pushtuesit, kundër çdo kujt që ka
dashur t’i nënshtrojë apo t’ua marrë dinjitetin.
Kështu
ndodhi edhe me Mihrije Jasharin, këtë grua të jashtëzakonshme, e cila në
momentet më të vështira të jetës dhe të historisë nuk u nda asnjëherë nga
fëmijët e saj. Në vend që të lëkundej prej frikës, ajo u bë shtyllë
mbështetjeje për ta – një burim force dhe guximi që i mbante shpirtërisht të
bashkuar dhe i frymëzonte të mos dorëzoheshin. Mihrija ishte pranë fëmijëve të
saj në çdo hap, në çdo cep të shtëpisë ku nevoja e thërriste. Me fjalën dhe
praninë e saj, ajo iu jepte zemër të qëndronin të patrembur përballë tmerrit që
vinte nga jashtë, duke e ditur se vetëm me qëndresë të përbashkët mund të ruhej
nderi i shtëpisë dhe i gjakut.
Edhe
pse shumëkush e këshilloi dhe iu lut që të largohej bashkë me vajzat, që të
shpëtonte jetët dhe të dilnin jashtë rrezikut, Mihrija nuk pranoi. Për të,
vendi i saj i vetëm ishte aty – pranë fëmijëve që kishte lindur dhe rritur me
mund, që i kishte mësuar dashurinë për atdheun dhe fuqinë e qëndresës.
Në
ato orë të errëta dhe të mbushura me kërcënim, ajo nuk u zmbraps asnjëherë, por
vazhdoi të japë ndihmesën e saj të çmuar – herë duke ndarë një fjalë kuraje,
herë duke qëndruar në heshtje të vendosur, e herë duke u përkujdesur për plagët
e zemrës dhe trupit që nuk kishin kohë të shëroheshin. Figura e Mihrijes është
simbol i atij guximi të heshtur, të natyrshëm, që kanë trashëguar gratë
shqiptare brez pas brezi. Ajo është dëshmi e gjallë se nëna shqiptare, edhe në
orët më të errëta, e gjen vendin e saj aty ku është përgjegjësia dhe sakrifica
– pranë fëmijëve, pranë familjes, duke u bërë mburojë e gjallë dhe frymëzim i
pashuar.
Në
çastet kur kishte filluar sulmi i pamëshirshëm mbi familjen Jashari, në
Prekazin tashmë të rrethuar nga forca të armatosura dhe të vendosura për
shkatërrim, brenda kullës së Zymer Jasharit nuk ndodheshin rastësisht ata që
ishin. Në këtë qëndresë të organizuar me kujdes dhe të ndërgjegjshme për
domethënien e saj, përveç nënës Mihrije ndodheshin edhe djali Murtezi, vajzat
Sabrija dhe Hanifja, si dhe djali tjetër i saj Hajzeri. Ky konfigurim familjar
nuk ishte fryt i rastësisë apo i pamundësisë për të shpëtuar, por pasqyrim i
një modeli të thellë dhe të rrënjosur në traditën shqiptare. Sipas këtij
modeli, kulla dhe shtëpia nuk ishin thjesht ndërtesa prej guri dhe druri, por
hapësira të shenjta, simbole të nderit, besës dhe identitetit familjar.
Mbrojtja e tyre nuk ishte një detyrë që i takonte vetëm burrit apo djalit të
madh – ishte një obligim i përbashkët dhe i shenjtë, i ndarë në mënyrë të
barabartë ndërmjet të gjithë anëtarëve të familjes.
Në
ato momente të zymta, kur plumbat dhe predhat nuk kursenin as gurët dhe as
njerëzit, nuk kishte vend për mendime individuale apo për llogari personale.
Çdo anëtar i familjes e ndiente se kishte një vend të caktuar dhe të
pazëvendësueshëm në atë mbrojtje kolektive. Nëna Mihrije nuk ishte aty vetëm si
prind, por si shtylla morale e shtëpisë, si frymëzuese e qëndresës, që i jepte
forcë dhe kurajë të gjithëve. Bijat Sabrija dhe Hanifja nuk qëndronin të
fshehura në një qoshe të errët, por në ballë të përbashkët të asaj sfide, duke
dëshmuar se mbrojtja e kullës nuk njihte dallim gjinie apo moshe. Djali
Hajzeri, bashkë me Murtezin, përbënin forcën e drejtpërdrejtë të përballjes,
por nuk do të mund të qëndronin kaq fort pa mbështetjen dhe praninë e grave dhe
të nënës së tyre.
Ky
bashkim i të gjithëve në të njëjtin vend dhe në të njëjtën betejë ishte
shprehje e qartë e parimit shqiptar se shtëpia është kështjella e shenjtë e
familjes dhe mbrojtja e saj është amaneti më i lartë që trashëgohet brez pas
brezi. Në këtë kuptim, rezistenca e familjes Jashari nuk ishte thjesht një
reagim i dëshpëruar ndaj dhunës, por një akt i thellë dhe i vetëdijshëm për të
mbrojtur me çdo kusht atë që ishte më e shenjtë: dinjitetin, identitetin dhe
lirinë.
Kështu,
më 5 mars nuk nisi thjesht një përleshje e zakonshme ushtarake, por u hap një
kapitull i ri në historinë e rezistencës shqiptare – një epope heroike e cila
do të mbetej përjetë e gdhendur në kujtesën kombëtare. Aty ku predhat dhe
flakët përpinin gjithçka, ku gjaku rridhte dhe dhimbja ngjitej në qiell, lindi
dhe u forcua më shumë krenaria dhe vendosmëria e hekurt për të mos u dorëzuar
kurrë. Sulmi i ndërmarrë nga forcat serbe nuk ishte thjesht një shpërthim i
verbër dhune shtetërore, por një strategji e planifikuar me kujdes dhe me
qëllime të errëta, të fshinte nga faqja e dheut jo vetëm një familje të njohur,
por vetë simbolin e qëndresës kombëtare shqiptare. Ishte një përpjekje për të
vrarë shpresën dhe frymën e rezistencës, për të shuar kujtimin dhe shembullin e
një qëndrimi të pathyeshëm. Por megjithë arsenalin shkatërrues dhe mizorinë e
pashembullt, kjo përpjekje dështoi në qëllimin e saj më të thellë. Mund të
shkatërronin muret dhe çatitë, të merrnin jetë të pafajshme dhe të ndiznin
flakë shtëpitë e shekujve, por nuk arritën kurrë të mposhtnin shpirtin e lirë
dhe krenar të kësaj familjeje dhe të këtij populli.
Në
ato orë të tensionit që paraprinë sulmin, në atë mbrëmje të fundit të asaj
qetësie të brishtë dhe të pasigurt, në shtëpinë e Mihrije Jasharit mbretëronte
një ndjenjë e thellë bashkimi dhe përkushtimi. Aty ishin mbledhur fëmijët e
saj, Myrtezi e Hajzeri, dhe të bijat Sabrija e Hanifja dhe kushërinj të tjerë
që kishin ardhur për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në ato çaste të ngarkuara
me ankth dhe parashikim të së keqes. Nuk ishte një takim i zakonshëm familjar,
por një tubim i heshtur e i vendosur, ku secili e dinte në shpirt se çfarë mund
të sillte nata dhe dita tjetër. Ishte një akt i qartë dhe i ndërgjegjshëm për
të mos braktisur njëri-tjetrin, për të mos lëshuar kullën dhe nderin, për të
përballuar së bashku fatin, sado i rëndë të ishte ai. Në atë shtëpi, në atë
mbrëmje, nuk kishte vend për frikë të verbër, por për një vendosmëri të heshtur
që vetëm dashuria për familjen dhe atdheun mund ta ushqejë.
Ishte
ajo natë e fundit e bashkimit familjar para se të niste stuhia – një dëshmi e
gjallë se shtëpia shqiptare është më shumë se mure dhe çati, është vendi i
besës, i sakrificës dhe i dashurisë që nuk njeh dorëzim. Në ato orë të zeza e
të përgjakshme, kur predhat shpërthenin pa mëshirë muret e shtëpive dhe plumbat
përvëlonin ajrin me zjarr dhe tym të dendur, familja Jashari u bë dëshmitare e
gjallë dhe e përjetshme e vlerave më të larta të shpirtit njerëzor. Burra dhe
gra, djem dhe vajza – të gjithë, pa dallim, dëshmuan me jetën e tyre se ideali
i shenjtë i mbrojtjes së atdheut dhe nderit familjar ishte më i fortë dhe më i
madh se çdo frikë, madje edhe ajo e vdekjes.
Nën
shiun e zjarrtë të armëve të një ushtrie të tërë të vendosur për shkatërrim të
plotë, këta njerëz të thjeshtë por të mëdhenj në guxim nuk u lëkundën. Në atë
betejë të pabarabartë dhe të pamëshirshme, ranë dëshmorë Mihrije Zenun Jashari
me djemtë Murtez Zymer Jasharin dhe Hajzer Zymer Jashari – dy djem të rinj që
nuk e lanë armën nga dora as kur forca e armikut dukej e pakapërcyeshme. Ata
qëndruan deri në fund, duke u përballur ballë për ballë me brutalitetin e një
ushtrie të organizuar dhe të armatosur rëndë.
Së
bashku me ta, ranë edhe Halit Imer Jashari dhe Abdullah Zejnë Jashari. Ata
dëshmuan se kjo rezistencë nuk ishte çështje e një brezi apo e një grupi të
caktuar, por një qëndresë e përbashkët, që bashkonte të gjitha moshat dhe
gjeneratat. Ishte një betejë ku nuk kishte dallim midis të rinjve dhe më të
moshuarve, sepse të gjithë ndanin një të vërtetë të vetme- se atdheu dhe nderi
janë amanete që nuk mund të lihen pas dore apo të shiten për asgjë në botë. Në
atë ferr të vërtetë ku shuheshin jetët, ndizej dhe përjetësohej një dritë e
pashuar, drita e guximit dhe e sakrificës së familjes Jashari, që refuzoi
dorëzimin dhe turpin e robërisë, duke zgjedhur lavdinë e flijimit për lirinë e
brezave që do të vinin.
Ndër
ata që flijuan jetën në atë betejë të pabarabartë e të përgjakshme ishin edhe
gratë e familjes – Elheme Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Jashari dhe Hanife
Jashari – të cilat, me një vendosmëri të rrallë, refuzuan kategorikisht të
largoheshin nga shtëpia e tyre, edhe kur ajo ishte shndërruar në shënjestër të
drejtpërdrejtë të zjarrit të artilerisë armike. Nuk kishte këshillë apo lutje
që mund t’i bindte ato të braktisnin pragun e tyre, sepse për to shtëpia nuk
ishte thjesht një ndërtesë prej guri e druri, por simboli më i shenjtë i
nderit, i historisë familjare dhe i identitetit. Ato e kuptonin se largimi do
të thoshte dorëzim, do të thoshte të lejoje që armiku të shkelte mbi gjithçka
të shenjtë e të trashëguar.
Me
vendimin e tyre, ato dëshmuan qartë dhe fuqishëm se mbrojtja e pragut të
shtëpisë ishte një detyrë e përbashkët dhe e patjetërsueshme, një obligim i
shenjtë që nuk njihte as gjini, as moshë dhe as përjashtim. Ato ishin krah
burrave dhe djemve të familjes jo si mbështetje të heshtura, por si
pjesëmarrëse të barabarta në rezistencë, të gatshme të paguanin çmimin më të
lartë për të mbrojtur nderin dhe lirinë. Sakrifica e Elheme, Mihrije, Bahtije,
Sabrije e Hanife Jasharit nuk është thjesht një episod i dhimbshëm në historinë
e Prekazit, por një testament i gjallë i trimërisë së grave shqiptare ndër
shekuj. Ajo na mëson se qëndresa nuk është privilegj i burrit, por një amanet i
shenjtë për çdo anëtar të familjes shqiptare, dhe se liria dhe dinjiteti
mbrohen vetëm kur të gjithë bashkohen në këtë betejë të përbashkët.
Në
radhën e të rënëve ishin edhe të rinjtë Bujar Zejnë Jashari dhe Blerim Zejnë
Jashari. Edhe pse të njomë në moshë, ata treguan një vendosmëri dhe burrëri që
i kalonte vitet e tyre. Nuk e kursyen as jetën e re dhe të shpresës, duke e
vënë atë në altarin e lirisë dhe duke dhënë një mësim të paharruar se ideali i
mbrojtjes së shtëpisë dhe atdheut nuk njeh moshë. Flijimi i tyre nuk ishte një
akt i zakonshëm humbjeje, por një testament i gjallë i asaj rinie shqiptare që
zgjodhi të jetojë ose të vdesë me dinjitet, duke mos pranuar kurrë t’i
nënshtrohej forcës së armikut. Ata na lanë trashëgim jo vetëm dhimbjen e
humbjes, por edhe krenarinë e një qëndrimi të pastër dhe të pakompromis, që do
të frymëzojë brez pas brezi çdo shqiptar të ndershëm që e di se liria dhe nderi
nuk janë të falura, por të fituara me gjak dhe sakrificë.
Duhet
nënvizuar me veçanti dhe me ndjenjë të thellë dhimbjeje fakti se, mes të rënëve
në atë masakër të tmerrshme që ndodhi në Prekaz, ende mungojnë kufomat e
Mihrije Jasharit dhe të dy bijave të saj të reja, Sabrijes dhe Hanifes. Për
këto tri viktima të pafajshme, mbeten të panjohura jo vetëm rrethanat e sakta
të fundit të jetës së tyre, por edhe vendndodhja e mbetjeve të tyre mortore –
një mister i zymtë që rëndon mbi ndërgjegjen tonë kombëtare dhe që vazhdon të
plagosë shpirtin e familjes Jashari dhe gjithë shqiptarëve.
Kjo
enigmë e dhimbshme nuk është thjesht një fakt i zbrazët kronologjik. Është një
plagë e hapur, një padrejtësi e madhe që nuk ka marrë kurrë drejtësi. Mosgjetja
e trupave të tyre dhe pamundësia për t’i varrosur me nderime të merituara i
mohon familjes dhe kombit një akt të domosdoshëm të dhimbjes njerëzore, ritin e
fundit të përcjelljes, kujtimin dhe nderimin siç i takon sakrificës së tyre.
Megjithatë,
është e dokumentuar dhe e pranuar gjerësisht se shtëpia ku ishin strehuar
anëtarët e familjeve Halit, Zejnë dhe Zymer Jasharit me familjaret e tyre, u
shndërrua në një masë hiri e bloze nga fuqia e tmerrshme shkatërruese e
predhave të artilerisë serbe dhe nga flakët përvëluese që përfshinë çdo kënd të
saj. Granatimet e pandërprera dhe zjarri i ushqyer për orë të tëra nuk kursyen
asgjë – as jetët e brenda mureve, as kujtimet, as vetë gjurmët e atyre që
kërkonin strehë në pragun e shenjtë të shtëpisë.
Ky
shkatërrim total e bën edhe më të vështirë dhe të zymtë përpjekjen për të
rindërtuar me saktësi çastet e fundit të atyre momenteve tragjike. Ai fshiu
gjurmët e drejtpërdrejta të asaj kasaphane dhe i lë pas vetëm dëshmitë e plagës
së pashëruar dhe të kujtesës së rëndë. Megjithatë, edhe pse mungojnë trupat,
mungojnë varret dhe mungon mundësia për të vendosur mbi to një tufë lule,
prania dhe dëshmia e Mihrijes dhe e bijave të saj nuk është shuar. Ajo jeton si
kujtim i shenjtë, si amanet dhe si simbol i sakrificës më të lartë për lirinë
dhe nderin kombëtar.
Duhet
theksuar me respekt dhe ndjeshmëri të veçantë se nëna Mihrije ishte mishërimi i
përkushtimit dhe dashurisë së pakufishme prindërore. Ajo i solli në jetë dhe i
rriti me përkujdesje të jashtëzakonshme dymbëdhjetë fëmijë – duke u dhënë jo
vetëm bukë dhe strehë, por mbi të gjitha vlera, edukatë dhe dashuri të thellë
për familjen, për tokën dhe për atdheun. Jeta e saj nuk ishte e lehtë, por ajo
nuk u ankua kurrë për barrën e rëndë të një nëne me kaq shumë përgjegjësi.
Përkundrazi, ajo e shihte këtë mision si një thirrje të shenjtë dhe e përmbushi
me dinjitet dhe dashuri të pashtershme. Në odat e tyre nuk mungonin kurrë
këshillat e urta, fjalët e ëmbla dhe mësimet për të qëndruar të bashkuar, të
ndershëm dhe të pathyeshëm.
Por
rruga e lirisë – ajo udhë e ashpër dhe e mbushur me gjemba që shpesh kërkon më
shumë se sa mund të japë njeriu – e thirri Mihrijen dhe familjen e saj të
paguanin çmimin më të lartë. Bashkë me katër prej fëmijëve të saj të dashur –
Sabrijen, Hanifen, Hajzerin dhe Murtezin – ajo u flijua në altarin e lirisë,
duke dëshmuar se në këtë botë ka gjëra më të çmuara se jeta vetë. Në atë flijim
nuk kishte as dorëzim, as ligësi, por vetëm vendosmëri për të mos u nënshtruar
kurrë dhe për të mos lënë që robëria të zinte vend në pragun e tyre. Ata u
flijuan që të mos vdiste kurrë ideali i lirisë, që emri i tyre të mos shuhej,
por të mbetej i gdhendur përjetë në ndërgjegjen e kombit si simbol i
pavdekësisë dhe i sakrificës më të lartë.
Në
këtë mënyrë, Mihrija nuk ishte thjesht një nënë e zakonshme. Ajo u bë simbol i
përhershëm i atij guximi të shenjtë që e bën njeriun të ngrihet mbi frikën dhe
dhimbjen, për të mbrojtur me jetën e vet të drejtën për të jetuar i lirë dhe me
dinjitet.
Literatura:
1. Fetnete Ramosaj Krimet serbe në Kosovë pa
apologji me fakte kundër shpifjeve, Prishtinë, 2005
2. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015
3. https://prointegra.ch/nje-cerek-shekulli-nga-gjenocidi-ne-prekaz/
4. https://www.drini.us/epopeja-e-jashareve-nje-heroizem-i-pashembullt-ne-historine-e-njerezimit/
5. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1526894/kush-ishin-grate-e-vajzat-qe-u-vrane-ne-renien-e-familjes-jashari/
6. https://www.radiokosovaelire.com/myrtez-zymer-jashari-5-3-1979-5-3-1998/
7. https://www.radiokosovaelire.com/hajzer-zymer-jashari-15-4-1969-5-3-1998/
8. https://www.radiokosovaelire.com/avdullah-zejne-jashari-27-5-1982-5-3-1998/