Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (39)
E enjte, 11.09.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (39)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
MUKADEZE LIKA MUHAXHERI
(2.4.1960-9.4.1999)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Trimen
e madhe Mukadeze Lika-Muhaxheri më ka rënë rasti ta takoj në vitet e vështira
të para luftës, kur për një punë kishte ardhur në shtëpinë time në lagjen
Arbëri, në Prishtinë. Deri atëherë nuk e njihja personalisht – ajo ishte një
emër i njohur në rrethin e saj, por për mua ishte një figurë ende e panjohur.
Megjithatë, ai takim i parë dhe i paplanifikuar më mjaftoi për ta njohur më
mirë dhe për të më lënë mbresa të thella e të paharrueshme.
Në
atë bisedë të thjeshtë, shoqëruar me një kafe të përzemërt, ajo dëshmoi një
qëndrim të jashtëzakonshëm që rrallë e has. Ishte një qëndrim burrëror në
kuptimin më të mirë të fjalës – një përzierje dinjiteti, vendosmërie dhe
qartësie që tregonte një karakter të fortë dhe të sigurt. Por ajo që e
plotësonte dhe e bënte të veçantë personalitetin e saj ishte ngrohtësia e
natyrshme, ajo dashamirësi e butë që të bënte të ndiheshe menjëherë e afërt dhe
e mirëpritur.
Si
zonjë dhe nënë e mrekullueshme, Mukadezeja rrezatonte një kujdes dhe një
dashuri që vinte nga thellësia e shpirtit të saj të pasur. Nga ajo bisedë nuk
mbaj mend vetëm fjalët që ndërruam, por më shumë ndjenjën e fortë të respektit
dhe besimit që ajo dinte të përcillte tek tjetri. Ajo ishte një nga ato
personalitete të rralla që, edhe me një takim të vetëm, të bëjnë për vete, të
frymëzojnë dhe të lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesë.
Në
sytë e saj të ndritshëm ruhej një ngrohtësi e pastër, pothuajse fëmijërore, që
të afronte pa mundim dhe krijonte një ndjesi të menjëhershme besimi. Por,
përtej kësaj butësie të lindur, vërehej qartazi edhe një vendosmëri e patundur
dhe një karakter i prerë, ajo fliste hapur, me një sinqeritet të admirueshëm,
sikur të mos kishim qenë fare të huaja, por shoqe të vjetra që ndanim të
njëjtat shqetësime dhe ideale.
Gjatë
bisedës sonë më tregoi me një shqetësim të madh për gjendjen politike në
Kaçanik. Më shpjegoi pa e zbukuruar aspak realitetin se atje situata ishte
shumë e rënduar, dhe se përballja me okupuesin po bëhej gjithnjë e më e afërt
dhe më e vështirë. Në zërin e saj nuk kishte frikë e as ankth të zbrazët, por
një analizë të kthjellët dhe të ndershme të sfidave që i prisnin.
Kur
u ndamë, më kujtohet qartë mënyra si e përmbylli takimin – me një vendosmëri të
thellë që la mbresa të pashlyeshme. Më tha me një ton të qetë, por të ngarkuar
me vendosmëri dhe besim të patundur: “Megjithatë, ne do ta bëjmë atë që duhet
bërë. Do të dalim e do ta mbrojmë atdheun tonë, cep më cep.” Ishin fjalë që nuk
ishin thjesht një premtim i zakonshëm, por një betim i heshtur dhe solemn që
dëshmonte shpirtin e saj luftarak dhe dashurinë e palëkundur për vendin.
Pastaj shumë
muaj kaluan, shpërtheu lufta, duke ndryshuar përgjithmonë jetët dhe horizontet
tona. Nëpërmjet disa grave nga Kaçaniku mora vesh një lajm që më lumturoi me
forcën e një lajmi të thellë- Mukadezeja i ishte bashkuar radhëve të
luftëtarëve të lirisë. Ky lajm më befasoi jo pak, jo pse vlerësoja më pak
vendosmërinë e saj – të cilën e kisha njohur që në takimin tonë të parë – por
sepse e dija mirë se ajo ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël.
Ishte e
pamundur të mos ndalesha dhe të mos reflektoja mbi madhështinë e këtij vendimi.
Ajo nuk kishte zgjedhur rrugën e sigurisë personale dhe të ngushëllimit
familjar në një kohë kur çdo nënë do të kishte përqafuar fort fëmijët e saj për
t’i mbrojtur. Përkundrazi, ajo kishte zgjedhur të ngrihej kundër pushtuesit,
duke lënë prapa gjithçka të shtrenjtë, për t’u bërë pjesë e përpjekjes së madhe
për liri.
Vendimi i
saj ishte një akt i rrallë guximi dhe sakrifice – një shprehje e pastër e
dashurisë së pakufishme për atdheun. Në thelb, ajo kishte zgjedhur të luftonte
jo vetëm që fëmijët e saj të rriteshin të lirë, por që çdo fëmijë i Kosovës të
kishte të drejtën të rritej i lirë në token-nënë, pa frikë dhe pa dhunën e
pushtuesit mbi supe. Ishte një zgjedhje që tregonte qartësisht madhështinë
morale të Mukadezes – një nënë që nuk kufizoi dashurinë vetëm te familja e vet,
por e shtriu atë në përqafimin e gjithë vendit dhe të brezave të ardhshëm, duke
u bërë simbol i përhershëm i sakrificës dhe i përgjegjësisë së lartë qytetare e
kombëtare.
Mukadeze
Lika kishte lindur më 4 prill të vitit 1960 në qytetin e njohur për tradita
atdhetare dhe shpirt rezistence – Kaçanik. Ajo ishte bija e Bafti Likës dhe
Hazbije Likës, një çift që ndërtoi një familje të madhe dhe të bashkuar, duke
sjellë në jetë dhjetë fëmijë: tetë vajza dhe dy djem.
Në këtë
familje të madhe, e mbushur me jetë dhe zëra fëmijësh, mbizotëronte një
atmosferë e ngrohtë dhe përkujdese. Prindërit e Mukadezes ishin shembull i
përkushtimit dhe i dashurisë prindërore, duke bërë çmos që secili prej fëmijëve
të tyre të rritej me vlera, edukatë dhe përgjegjësi. Ata ndanin çdo ditë me ta
gëzimet dhe vështirësitë, duke u përpjekur t’i mësonin virtytet e nderit dhe të
dashurisë për vendin.
Kur
Mukadezja mbushi moshën shtatë vjeçare, si çdo fëmijë i etur për dije, ajo u ul
në bankat e klasës së parë në shkollën fillore të Kaçanikut. Në atë mjedis të
ri, ku sfida e parë ishte përshtatja me rregullat dhe ritmin e mësimeve,
Mukadezja u adaptua me një lehtësi të admirueshme. Ajo tregoi menjëherë zell
dhe seriozitet, duke u dalluar për rezultate të shkëlqyera që e bënin të lumtur
jo vetëm mësuesit, por mbi të gjitha prindërit e saj.
Çdo arritje
e saj ishte një burim gëzimi dhe krenarie për familjen. Prindërit e ndiqnin me
sy të ndritshëm dhe me zemër të ngrohtë rrugëtimin e saj të parë në botën e
dijes, duke i qëndruar pranë dhe duke i dhënë mbështetje të vazhdueshme.
Kështu, që në hapat e parë të jetës, Mukadeze Lika formoi themelet e një
karakteri të fortë, të përkushtuar dhe të ndritur – vlera që do ta shoqëronin
gjatë gjithë jetës dhe që do të mishëroheshin më vonë në aktet e saj të mëdha
të dashurisë për atdheun.
Fëmijët
e familjes Lika u rritën dhe u edukuan në një mjedis ku dashuria për atdheun
nuk ishte thjesht një fjalë e zbrazët, por pjesë e pandashme e jetës së
përditshme. Prindërit e tyre, me kujdes dhe ndjeshmëri të veçantë, kultivuan
tek ta ndjenjën e thellë të përkatësisë kombëtare dhe krenarinë për historinë e
popullit të tyre.
Në
netët e gjata të dimrit, kur familja mblidhej pranë oxhakut, ata nuk kursenin
rrëfime për historinë e lavdishme të trevës së tyre. Fëmijët dëgjonin me
kureshtje dhe admirim histori të betejave të shumta që ishin zhvilluar në
Grykën e Kaçanikut – një vend simbolik i rezistencës dhe heroizmit shqiptar. Në
ato orë të vona, fjalët e prindërve nuk ishin vetëm tregime për të kaluarën,
por mësime të gjalla mbi përgjegjësinë dhe nderin që duhej ruajtur dhe
trashëguar.
Mukadezeja
e vogël, me shpirtin e saj të ndjeshëm dhe kureshtar, përthithte çdo fjalë. Ajo
nuk ishte thjesht dëgjuesja e heshtur e këtyre rrëfimeve – qysh në moshë të
vogël, i kishte mësuar përmendësh dhe i këndonte me pasion vargjet kushtuar
heroit Idriz Seferi, duke u bërë zëri i asaj kujtese kolektive që gjallëronte
në çdo shqiptar të ndërgjegjshëm.
E
rritur me këngët e trimërisë dhe me frymën e krenarisë për qëndresën shqiptare,
Mukadezeja formoi qysh herët një ndërgjegje të mprehtë për historinë dhe të
drejtat e popullit të saj. Si nxënëse, ajo nuk e kufizoi kureshtjen e saj tek
librat e detyrueshme shkollore. Përkundrazi, shpesh merrte në duar literaturë
të ndaluar nga pushteti, duke kërkuar të mësonte më shumë për të vërtetën e
fshehur dhe të mohuar. Këto lexime nuk ishin thjesht arratisje intelektuale,
por akte të vogla rezistence dhe formësimi personal që patën ndikim të thellë
në botëkuptimin dhe karakterin e saj. Kështu, ajo u formua jo vetëm si një
vajzë e dashur dhe e edukuar, por si një qytetare e ndërgjegjshme dhe e
përkushtuar ndaj atdheut, e gatshme që një ditë të ndërmerrte rrugën më të
vështirë e më të lavdishme, rrugën e sakrificës për lirinë e popullit të vet.
Me kalimin e
viteve, Mukadezeja nuk rritej vetëm fizikisht, duke lëshuar shtat e duke marrë
formën e një vajze të hijshme dhe të sigurt në vete, por zhvillohej po aq edhe
intelektualisht. Ajo shquhej për një etje të veçantë për dije dhe një
përkushtim të rrallë ndaj mësimit, që e bënte të veçohej ndër moshatarët e saj.
E vetëdijshme për rëndësinë e arsimimit, Mukadezja vendosi të ndiqte shkollën e
mesme ekonomike, duke u regjistruar në shkollën ekonomike të Kaçanikut – një
zgjedhje që fliste për largpamësinë dhe seriozitetin e saj. Ajo nuk ishte
thjesht një nxënëse e zakonshme që kalonte klasat pa shumë mundim, përkundrazi,
e kreu shkollën e mesme me një ritëm të shpejtë dhe me rezultate të shkëlqyera,
duke e përfunduar në një afat rekord.
Ky
përkushtim nuk ishte i rastësishëm. Brenda saj jetonte një ëndërr e qartë dhe e
ndershme, të mos ndalej aty, por të vazhdonte më tej, të hynte në fakultet dhe
të bëhej një ekonomiste e mirë, e zonja dhe e përkushtuar. Ishte një aspiratë
që nuk shprehte thjesht ambicie personale, por dëshmonte një vetëdije të thellë
për nevojën e popullit shqiptar për kuadro të përgatitura dhe të ndershme, të
gatshme për t’i shërbyer zhvillimit dhe mirëqenies së vendit.
Kështu, në
vitet e rinisë, Mukadezeja e ndërtoi veten jo vetëm si një vajzë e edukuar dhe
e vendosur, por edhe si një qytetare me vizion dhe përgjegjësi – një grua e re
që nuk donte thjesht të jetonte për vete, por të përgatiste veten për të dhënë
kontributin e saj më të mirë për të ardhmen e vendit dhe të popullit të saj. Viti 1981, një vit
historik për lëvizjen kombëtare shqiptare në Kosovë, e gjeti Mukadeze Likën dhe
motrën e saj, Xhevahiren, në ballë të demonstratave studentore që përfshinë
Kaçanikun, Ferizajn dhe Prishtinën. Ato nuk ishin pjesëmarrëse të zakonshme,
por zëra të fuqishëm dhe të vendosur, që së bashku me shokët dhe shoqet e tyre
formuan një brez të pandalshëm e të papërkulur përballë dhunës dhe shtypjes.
Në
ato ditë të zjarrta dhe të mbushura me tension, Mukadezeja dhe motra e saj nuk
u trembën nga kërcënimet e pushtuesit, nga prangat apo dhuna policore.
Përkundrazi, me guxim të jashtëzakonshëm dhe me një përkushtim të pashoq, ato u
vunë në shërbim të lirisë, duke u bërë pjesë aktive e organizimit dhe e
përhapjes së mesazhit çlirimtar. Ato shkruanin parulla në mure, në letra e në
çarçafë të bardhë, duke e kthyer çdo cep të qytetit në një tribunë të lirë ku
shpallej zëri i popullit të shtypur. Çdo fjalë e shkruar nuk ishte vetëm
protestë, por një akt i vetëdijshëm sfide, një përpjekje e drejtpërdrejtë për
t’i bërë të qartë pushtuesit se ky popull nuk ishte i përkulur, se kërkesat e
tij për liri nuk ishin thjesht thirrje boshe, por një vendim i pathyeshëm dhe i
palëkundur dhe nuk kishte kthim mbrapa.
Në
ato momente vendimtare, Mukadezeja dhe motra e saj u formësuan si protagoniste
të vërteta të rezistencës kombëtare. Ato dëshmuan jo vetëm dashurinë për
atdheun, por edhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj brezit të tyre dhe
ndaj historisë – duke e ditur se çdo akt guximi dhe çdo parullë e shkruar ishte
një hap drejt lirisë dhe një borxh i shlyer përballë sakrificave të brezave të
mëparshëm. Kështu, viti 1981 nuk ishte vetëm një kapitull i trazuar në
historinë e Kosovës, por një pikë kthese që e gjeti Mukadezen dhe Xhevahiren të
rreshtuara në ballë të luftës për dinjitet dhe liri, duke u bërë shembuj të
gjallë të një brezi që refuzoi të heshtte dhe që zgjodhi të kërkonte të drejtën
me zë të lartë dhe me zemër të palëkundur.
Mukadeze
Lika lidhi jetën e saj me gazetarin Agim Muhaxheri, duke ndërtuar së bashku një
familje të bazuar mbi dashurinë, respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Jeta
e tyre bashkëshortore ishte një shembull i qetësisë dhe harmonisë familjare, ku
mbizotëronte përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe përkujdesja për rritjen dhe
edukimin e fëmijëve. Në këtë vatër të ngrohtë familjare, ata sollën në jetë dhe
rritën katër fëmijë – Lirikën, Donikën, Albanën dhe Albanin. Çdo emër mbartte
një kuptim dhe një shpresë, një pasqyrim të ëndrrave dhe idealeve që i
frymëzonin prindërit e tyre. Të rritur në një mjedis ku dashuria për atdheun
dhe vlerat e larta njerëzore ishin pjesë e pandashme e edukatës, këta fëmijë
nuk trashëguan vetëm kujtime përkujdesjeje prindërore, por edhe një trashëgimi
morale të pasur.
Sot,
ata janë krenarë për jetën dhe veprën e nënës së tyre, Mukadeze Likës – jo
vetëm si nëna që u përkujdes me dashuri dhe përkushtim, por edhe si dëshmore e
kombit, që dha jetën për lirinë dhe dinjitetin e popullit të vet. Kujtimi i saj
nuk është thjesht një plagë e dhimbshme në historinë personale të familjes, por
një burim i pashtershëm frymëzimi dhe nderimi.
Në
sytë e tyre, Mukadezeja nuk mbetet vetëm një figurë prindërore, por një simbol
i gjallë i sakrificës dhe idealizmit, një shembull i gruas dhe nënës shqiptare
që nuk e kurseu veten për të ardhmen më të mirë të brezave që do të vinin. Ajo
u bë kështu pjesë e përjetshme e kujtesës familjare dhe kombëtare, duke e lënë
emrin e saj të skalitur me nder në historinë e popullit shqiptar. Që nga vitet
e zjarrta të 1981-shit e deri në momentin kur iu bashkua me armë në dorë
radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mukadeze Lika nuk mungoi kurrë aty
ku e thërriste zëri i atdheut. Ajo ishte gjithmonë aty ku nevoja kombëtare
ishte më e madhe – në çdo tubim, në çdo organizim popullor, në çdo akt të
kundërshtimit ndaj pushtimit dhe padrejtësisë.
Mukadezja
nuk e pranoi kurrë heshtjen si mënyrë mbijetese. Ajo e kishte kuptuar mirë se
nënshtrimi fillon kur njeriu mbyll gojën dhe shmang sytë nga padrejtësia.
Prandaj, ishte e pranishme kudo ku shqiptarët mblidheshin për të artikuluar me
zë të lartë dhimbjen, indinjatën dhe revoltën e tyre kundër robërisë. Në mesin
e shumë protestave ku ajo mori pjesë, veçohet edhe ajo që u njoh si protesta e
grave shqiptare me moton “Bukë për Drenicën” që u organizua me 16 mars 1998.
Ishte një akt i pastër solidariteti dhe humanizmi, një përpjekje për të çarë
bllokadën dhe për të ndihmuar popullsinë e uritur dhe të rrethuar të Drenicës,
e cila po vuante nën ofensivën barbare të forcave serbe.
Mukadezja
ishte aty, krah për krah me gra të tjera të vendosura, duke bartur jo vetëm
bukë e ushqime, por edhe një mesazh të fuqishëm dinjiteti dhe qëndrese. Edhe
pse marshimi i tyre u ndalua brutalisht në Fushë Kosovë – ku kordonët e policisë
dhe të ushtrisë famëkeqe serbe ishin vendosur për të bllokuar përparimin e tyre
– vendosmëria e tyre mbeti e palëkundur. Ata kordonë të armatosur mund të
ndalonin fizikisht marshimin, por nuk mund të shuanin frymën e revoltës dhe
solidaritetit që përfaqësonin këto gra. Mukadezeja, edhe atëherë, dëshmoi se
nuk do të reshte kurrë së qëndruari përkrah popullit të saj – në çdo përpjekje,
në çdo protestë, në çdo akt human dhe të drejtë – deri në momentin kur vendosi
të marrë armën dhe të rreshtohet në vijën e parë të luftës për liri.
Mukadeze
Lika ishte e pranishme dhe e pandashme nga çdo tubim dhe demonstratë që u
zhvillua gjatë muajve të zjarrtë të marsit dhe prillit 1998 – periudhë kur në
zemrën e Kosovës kishte shpërthyer hapur lufta çlirimtare, duke përfshirë
veçanërisht Drenicën dhe Dukagjinin. Ajo nuk ishte thjesht një pjesëmarrëse
pasive në këto ngjarje, përkundrazi, ishte një zë i vendosur dhe i qartë në
përkrahje të luftës së drejtë të popullit të saj. Çdo thirrje për protestë e
gjente të gatshme, krah për krah me bashkëqytetarë të tjerë, duke shprehur me
forcë solidaritetin dhe vendosmërinë për të mos lënë vetëm ata që kishin marrë
armët kundër pushtuesit. Mukadezja e kuptonte se beteja për liri nuk zhvillohej
vetëm nëpër male me pushkë në dorë, por edhe në sheshe dhe rrugë qytetesh ku
populli dëshmonte vullnetin e tij të pathyeshëm. Në ato demonstrata, ajo ishte
shprehje e gjallë e ndërgjegjes kombëtare, duke treguar se lufta e Drenicës dhe
e Dukagjinit ishte lufta e mbarë Kosovës.
Në
çdo tubim, në çdo parullë të ngritur dhe në çdo brohoritje për liri, Mukadezeja
mishëronte shpirtin e përbashkët të rezistencës. Ajo u bë zëdhënëse e aspiratës
popullore për çlirim, duke dëshmuar se idealet e lirisë dhe pavarësisë nuk
ishin thjesht fjalë të mëdha, por një betim i përditshëm dhe një obligim moral
ndaj gjakut që derdhej nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Kur
Gryka e Kaçanikut gjëmoi nga zjarri i sulmeve barbare serbe, duke jehuar nga
predhat dhe britmat e armikut, ajo u bë jo vetëm një simbol i plagës së hapur
të Kosovës, por edhe një thirrje e fortë për qëndresë dhe dinjitet. Nga çdo anë
e vendit jehonte kushtrimi për liri – një thirrje që depërtonte në zemrat e
burrave e grave, të rinjve e të moshuarve, duke i nxitur të ngriheshin kundër
pushtuesit. Në këtë kohë të rëndë e vendimtare për fatin e Kosovës, Mukadeze
Lika- Muhaxheri – grua e ndjeshme dhe e dashur, por me zemër të fortë si çeliku
– nuk hezitoi për asnjë çast. Me një vendosmëri të palëkundur dhe një
ndërgjegje të thellë për përgjegjësinë historike, ajo iu bashkua radhëve të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar në Zonën Operative të
Kaçanikut – një vatër e vërtetë e rezistencës ku kishin shkuar shumë burra dhe
gra trima për të mbrojtur tokën e tyre.
Ishte
një akt jo vetëm i guximit, por edhe i sakrificës sublime, sepse Mukadezeja nuk
ishte një luftëtare e zakonshme – ajo ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël.
Pesha e përgjegjësisë për ata shpirtra të pafajshëm nuk e ndaloi, por e bëri
edhe më të vetëdijshme për domosdoshmërinë e luftës. Me një marrëveshje të
heshtur dhe të ndershme familjare, përkujdesjen për fëmijët ia la bashkëshortit
të saj të dashur, Agim Muhaxherit, duke e ditur se ata do të rriteshin me
kujtimin e një nëne që zgjodhi të mos jetonte e nënshtruar. Vetë ajo u hodh në
radhët e UÇK-së, ku luftoi me vendosmëri dhe dinjitet, përkrah shokëve dhe
shoqeve të armës, duke u bërë shembull i një gruaje që e shndërroi dashurinë
për jetën dhe për fëmijët e saj në një dashuri edhe më të madhe për atdheun.
Ajo nuk kërkoi siguri personale, por e shndërroi veten në mburojë të kombit,
duke qëndruar në vijën e parë të përballjes deri në ditën e fundit, kur ra në
altarin e atdheut – si një dëshmi e pavdekshme e guximit, sakrificës dhe
dashurisë për liri.
Ishte
një zhvillim krejtësisht i pritshëm dhe i natyrshëm që, me zgjerimin e radhëve
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Kaçanikut, të ngjallte edhe te
Mukadeze Lika një interesim të ri dhe një përkushtim të palëkundur për t’u bërë
pjesë e kësaj lëvizjeje çlirimtare. Nënë e katër fëmijëve të mitur, ajo nuk u
mjaftua me rolin tradicional që shoqëria zakonisht i caktonte grave në kohë
lufte, por vendosi të kontribuojë në mënyrë aktive e të drejtpërdrejtë në
kauzën kombëtare. Fillimisht, ajo mori përsipër detyra logjistike, duke
mbështetur përpjekjet e strukturave të organizuara të UÇK-së. Por në marsin e
vitit 1999, vendosmëria e saj u konkretizua në mënyrë të plotë, ajo veshi
uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar krahas luftëtarëve
të lirisë në front.
Mukadeze
Lika nuk ishte vetëm bashkëluftëtare e trimave që kishin marrë armët për
çlirimin e vendit, por shfaqej edhe si një motër kujdestare dhe ngushëlluese.
Ajo merrej me sigurimin e ushqimit për luftëtarët dhe kujdesej për plagët e
tyre, duke mishëruar në këtë mënyrë idealin e solidaritetit dhe përkujdesjes që
e karakterizonte ndërgjegjen shoqërore shqiptare në ato çaste tragjike dhe
heroike njëkohësisht. Situata në terren u bë edhe më dramatike me fillimin e
ndërhyrjes ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, ndërhyrje që përshpejtoi
hakmarrjen e verbër të regjimit të Millosheviqit përmes një fushate të
organizuar spastrimi etnik. Filloi dëbimi masiv i popullsisë shqiptare drejt
territorit të atëhershëm të Maqedonisë dhe drejt Shqipërisë, duke u përpjekur ta
shthurte rezistencën popullore përmes shpërnguljes dhe terrorit.
Në
këtë kontekst tragjik, vendosmëria e Mukadezes arrin një moment kulmor. Ajo
konsultohet me bashkëshortin e saj, Agim Muhaxheri, dhe merr një vendim të
jashtëzakonshëm, që dëshmon për thellësinë e idealit të saj. Me një ndjenjë të
dhimbshme por të patundur detyre, ajo i thotë atij: “Merri fëmijët dhe shko
në Shkup, ndërsa unë nuk do të ndahem nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës derisa të ndjekim okupuesin dhe
të sjellim lirinë.” Kjo nuk ishte thjesht një ndarje fizike nga familja,
por një sakrificë ekzistenciale e ndërgjegjshme. Ajo zgjodhi të qëndronte në
vijën e parë të frontit, atje ku zhvillohej lufta ballë për ballë me
okupatorin, ku rreziku ishte i përhershëm dhe ku ideali i lirisë merrte
kuptimin më të vërtetë dhe më sublim. Mukadeze Lika u shkëput nga bashkëshorti
dhe nga katër fëmijët e saj të dashur jo për mungesë dashurie ndaj tyre, por
pikërisht për shkak të dashurisë më të madhe për të ardhmen e tyre dhe të
kombit – një liri që ajo e kishte brumosur thellë në qenien e saj.
Kështu,
figura e saj shndërrohet në një simbol të gruas shqiptare që nuk u mjaftua me
vuajtjen pasive, por u bë aktere e historisë, duke vënë mbi gjithçka idealin e
lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Në prillin dramatik të vitit 1999, forcat serbe
ndërmorën një ofensivë të egër dhe shkatërrimtare kundër pozicioneve të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën strategjike të Kaçanikut. Këto sulme
nuk ishin thjesht manovra ushtarake, por pjesë e një strategjie të
përshkallëzuar për ta shtypur me çdo kusht rezistencën e armatosur shqiptare
dhe për ta frikësuar popullsinë civile. Përballë kësaj furie shkatërruese,
luftëtarët e UÇK-së – ndonëse me armë të pakta dhe mjete të kufizuara – shfaqën
një qëndresë të jashtëzakonshme, duke mbrojtur me vendosmëri pozicionet e tyre
dhe duke dëshmuar një heroizëm që do të mbetet i skalitur në ndërgjegjen
kombëtare.
Në
vijën e zjarrtë të frontit, në një vend të njohur si Përroi i Rakocit,
zhvilloheshin përleshje të ashpra dhe të pandërprera. Mukadeze Lika, e njohur
për vendosmërinë dhe sakrificën e saj, nuk e kishte lënë asnjëherë frontin e
luftës. Ajo ishte atje, në mesin e bashkëluftëtarëve të saj, duke mbajtur
pozicion në shtëpinë e Xhemajl Sopës së bashku me luftëtarin Besnik Bajra. Ky
vend ishte shndërruar në një pikë strategjike mbrojtjeje dhe rezistence, por
edhe në një objektiv të vazhdueshëm të artilerisë serbe.
Predhat
e armikut goditën pa mëshirë shtëpinë ku luftonin luftëtarët. Lufta u shndërrua
në një betejë për jetë a vdekje. Gjatë dy orëve të përgjakshme, predha dhe
breshëritë e mitralozave serbë nuk pushuan së vjelli zjarr. Në këtë përballje
të pabarabartë dhe dramatike, disa prej luftëtarëve shqiptarë ranë dëshmorë në
fushën e nderit, duke u bërë simbol i rezistencës dhe i sakrificës sublime për
lirinë. Të tjerë, ndërkohë, mbetën të plagosur rëndë, duke bartur në trupin e
tyre gjurmët e pashlyeshme të luftës për çlirim.
Mukadeze
Lika ishte një prej atyre që mbajtën barrën më të rëndë të kësaj përleshjeje. E
goditur rëndë nga predhat armike, ajo fillimisht qëndroi e fortë dhe nuk tregoi
shenja ligështie – dëshmi e karakterit të saj të pathyeshëm dhe e vendosmërisë
që e kish formuar gjithë jetën. Por plagët e saj ishin të rënda dhe të
pashërueshme në ato rrethana lufte. Rreth orës 18:00 të datës 9 prill 1999 – në
po atë muaj kur ajo mbushte plot 39 vite jetë – Mukadeze Lika dha frymën e
fundit. Ajo e thithi për herë të fundit ajrin e mbushur me barut dhe tym zjarri
të maleve të Kaçanikut, duke u shkrirë njëherë e përgjithmonë me dheun që
kishte mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut të saj.
Vdekja
e saj nuk ishte thjesht një humbje individuale, por një akt i lartë martirizimi
që mishëronte sakrificën e grave shqiptare në luftën për liri. Jeta dhe vdekja
e Mukadeze Likës ngelen një dëshmi e pavdekshme e idealizmit, e trimërisë dhe e
dashurisë së pakufishme për atdheun dhe lirinë. Ajo u bë simbol i qëndresës
kolektive, duke i dhënë kuptim të ri dhe më të thellë nocionit të sakrificës
sublime për lirinë e një populli të shtypur.
Sot,
kujtimi për dëshmoren e kombit Mukadeze Lika-Muhaxheri jeton me peshën dhe
dritën e një trashëgimie të çmuar që ajo ua la familjes së saj dhe gjithë
shoqërisë shqiptare. Bashkëshorti i saj, Agim Muhaxheri, dhe fëmijët që ajo la
pas, nuk janë vetëm dëshmitarë të një dhimbjeje të thellë personale, por edhe
bartës të një krenarie të madhe kombëtare. Ata e ndiejnë në thellësi të
shpirtit se nuk kanë trashëguar vetëm kujtimin e një nëne dhe bashkëshorteje të
dashur, por edhe testamentin e saj të shenjtë për dashurinë ndaj atdheut, për
përkushtimin ndaj lirisë dhe për sakrificën sublime që kërkon kauza kombëtare.
Trashëgimia
e Mukadezes nuk kufizohet në një rrëfim familjar, ajo përfaqëson një kapitull
të ndritshëm të historisë sonë kolektive. Ajo është dëshmi e gjallë se liria
nuk është dhuratë e rastësishme, por fitore e mbarsur me gjakun dhe sakrificën
e bijave dhe bijve më të mirë të këtij populli. Nëpërmjet jetës dhe rënies së
saj, ajo u mëson brezave të ardhshëm rëndësinë e idealit, të qëndresës dhe të
gatishmërisë për të sakrifikuar gjithçka për dinjitetin dhe të ardhmen e
kombit.
Për
familjen e saj, trashëgimia që la pas është edhe një mision- ta mbajnë gjallë
kujtimin dhe vlerat për të cilat ajo jetoi dhe ra. Ata janë të ndërgjegjshëm se
kujtesa për të nuk është thjesht një obligim sentimental, por një detyrë morale
dhe atdhetare, një borxh ndaj të shkuarës dhe një premtim për të ardhmen. Në
këtë kontekst të shenjtë të përkujtimit, nuk mund të mos shprehet respekti dhe
mirënjohja më e thellë për të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë. Lavdia e
tyre nuk është thjesht një fjalë ceremonial, por një vlerësim i thellë për
heroizmin dhe sakrificën e tyre, që na e mundësuan frymën e lirë që sot e gëzojmë.
Ata janë themeli moral i shtetit dhe shoqërisë sonë, dhe kujtimi i tyre duhet
të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për rrugën që kemi përpara si komb.
Literatura:
1. Hajrush Kurtaj, Shungullon Gryka e
Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik 2000
2. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të
trojeve shqiptare, Prishtinë 2015
3. Musli Vërbani, Dëshmorët e 9 prillit; “Në
Rakoc dhe Lagje të Re”, Kaçanik 2004
4. Afrim Mustafa, Bardhësitë e
Atdheut-Dëshmorët e tri Luftërave Çlirimtare, 2006
5. Grup autorësh Feniksët e Lirisë 4 –
dëshmorët e UÇK-së, botoi SHVLUÇK, Prishtinë 2004,
6. Sadik Krasniqi, Lufta për çlirimin e
Kosovës 1997-1999, Prishtinë, 2009;
7. Hajrush Kurtaj- Lufta e UÇK-së në ZON,
Prishtinë, 2012,
8. Hajrush Kurtaj, Në Rrugën e Lirisë (Ditar
lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë 2012;
9. Naser Kuka, Nga Lëvizja Ilegale te UÇK,
kujtime e dëshmi, Prishtinë, 2012 .
10. https://www.radiokosovaelire.com/mukadeze-lika-muhaxheri-2-4-1960-9-4-1999/
11. https://klankosova.tv/kur-deshmorja-e-lirise-mukadezja-ishte-ne-balle-te-protestave-ne-kacanik-ne-vitin-1998/
12. https://deshmoretelirise.com/faqja/mukadeze-b-lika-muhaxheri/
13. https://gazetablic.com/presidentja-osmani-nderon-deshmoren-mukadeze-lika-muhaxheri/
14. https://raporto24.com/kryetari-i-vushtrrise-ndan-mirenjohje-per-deshmoren-mukadeze-lika-muhaxheri/
15. https://telegrafi.com/ne-20-vjetorin-e-vrasjes-familjaret-kujtojne-ish-luftetaren-mukadeze-lika-muhaxheri/
16. https://fax.al/news/3337641/sot-ne-kacanik-perkujtohen-deshmoret
17. https://www.syri.net/kosova/678897/kurti-ne-kacanik-serbia-gjenocidale-nuk-kursente-asnje-shtrese-te-shoqerise/
18. https://www.radiokosovaelire.com/me-9-prill-1999-kane-rene-heroikisht-luftetaret-e-lirise-mukadeze-lika-jehona-raka-lumnije-raka-dhe-emsale-frangu-dhe-25-deshmore-te-tjere/