E merkure, 30.07.2025, 12:18 PM (GMT+1)

Kerko: a

Lekë Mrijaj: Një rrëfim kronologjik nëpër udhët e meshtarisë së meshtarit, don Anton Kçira

E marte, 29.07.2025, 06:58 PM


Një rrëfim kronologjik nëpër udhët e meshtarisë së meshtarit, don Anton Kçira

Shkruan Lekë Mrijaj

Ishte vera e vitit 1967. Dita e shenjtë e festës së dy Pajtoreve të Kishës Katolike – Shën Palit dhe Shën Pjetrit – në Gjakovë, kur ky qytet me rrënjë të thella shpirtërore u kthye në një kremtim madhështor, jo vetëm për qytetin, por për mbarë Dioqezën Shkup-Prizren.

Në atë mëngjes të artë korriku, stinës së pjekurisë e begatisë, një djalosh i përvujtë e i devotshëm i fisit të Kçirajve, me shpirtin e ndezur nga flaka e thirrjes hyjnore, po i thoshte “PO” Zotit të Gjithëpushtetshëm. Don Anton Kçira shugurohej meshtar. Ky akt i shenjtë nuk ishte vetëm gëzim i një familjeje të nderuar, por u bë ngjarje kombëtare e shpirtërore në një kohë kur meshtarët shqiptarë ishin të paktë, ndërsa nevoja për barinj të fjalës së Zotit, jetike.

Qyteti i Gjakovës atë ditë u shndërrua në një qendër pelegrinazhi dhe lutjeje. Turmat vinin nga të gjitha anët e Kosovës – nga famulli të largëta, nga fshatra të thellë e qytete të mëdha – me zemra të mbushura gëzim dhe sy të përlotur. Dëshironin të ishin dëshmitarë të një shugurimi që ngjante me një “vdekje të bekuar”  një flijim që lind jetë, një “po” që ringjallte shpresën në tokën shqiptare të përvuajtur.

Në këtë kremtim të paharruar, kishin ardhur edhe motra e tij nga Amerika me gjithëp familjen, si dhe dajat e tij nga Zara, Rijeka, Pula, Zagrebi, Koprivnica e Shtipi i Maqedonisë. Gjakova e Kosovës u kthye në një kongres monumental të shpirtit shqiptar.

Mesha e parë e don Antonit u kremtua më 2 korrik 1967, në Kishën e Shën Pjetrit – dita e dytë e këtij kremtimi qiellor. Oborri i kësaj Kishë, ishte përplot me njerëz të etur për hirin dhe bekimin e Zotit. Kori i Kishës së Prizrenit e madhështoi meshën me këngë engjëllore, ndërsa predikimi i famshëm i Monsinjor Nikollë Minis, famullitar i Prizrenit, kumboi si kambanë profetike. Fjalët e tij guximtare, të përshkruara nga urtësia kishtare dhe dashuria për popullin, sfidonin frikën që mbillte UDB-ja e kohës. Ishin fjalë që nuk i ndalonte dot as errësira, as shtypja.

Pas shugurimit, don Antoni vazhdoi përkohësisht studimet universitare teologjike, dhe në vitin 1968 diplomoi në Universitetin për Teologji. Më 31 korrik të po atij viti, pas një pushimi të shkurtër, u emërua ndihmës famullitar i don Miles në Bistazhin të Gjakovës. Ishin vitet e para të shërbesës së tij, të shënjuara nga përvujtëria dhe sakrifica. Jetonin në një dhomë të thjeshtë të ofruar nga një besimtar. Aty, mes varfërisë, u ndërtua edhe një shtëpizë e vogël, me tri dhoma dhe një kuzhinë të përulur. Don Mila, famullitar i moshuar dhe i durueshëm, dinte të përgatiste vetëm një supë të thjeshtë, por dashuria që mbillnin bashkë, ngrohte gjithçka. Më vonë, mbërritën edhe motrat murgesha, që sollën dritë dhe jetë. Nisi ndërtimi i Kishës së re. Udhtonin deri në Vijenë të Austrisë, për të kërkuar ndihma – sepse besimi është ndërtim që kërkon lëmoshë, bekim dhe shumë mund e sakrificë...

Më 14 dhjetor 1969, don Antoni u transferua në Gusi të Malit të Zi, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1970. Por sprovën më të madhe e përjetoi më 11 nëntor 1970, kur u dërgua në Gllogjan të Lugut të Baranit – një famulli e rrënuar shpirtërisht, ku njerëzit kishin humbur gjurmët e fesë apo e luanin rolin e llojit të laramanizmit. Fëmijët nuk i afroheshin Kishës, pleqtë ndiheshin të harruar. Kishin pasur një meshtar slloven që nuk fliste gjuhën e zemrës së tyre. Nga mbi 2 mijë banorë, vetëm rreth njëqind merrnin pjesë në meshë. Nuk dallonin dot më ditën e festës së shënjtërve nga dita e pazarit nëpër qytete. Ishte një popull që donte të rizgjohej nga gjumi apo agonia.

Don Antoni nisi nga e para. Jetoi në një ahër kali për nëntë muaj. Në vend që të ndërtonte shtëpi për vete, ndërtoi Kishën. Banorët e Gllogjanit e panë përkushtimin e tij, e panë se nuk kishte ardhur për komoditet, por për shërbesë siq thotë Krishti: “Nuk erdha për të më sherbyer”. Ai, foli me gjuhën e dashurisë dhe të përkushtimit. Gllogjani dhe e tërë famullia me ardhjen e tij u ringjall. Besimi u rikthye në shpirtin e përgjumur të njerëzve.

Në këtë rrugëtim, ai nuk harroi as vëllezërit myslimanë. Bashkëpunimi me Hoxhën e Baranit, imam Muhamet Lipën, u bë shembull frymëzues i dialogut ndërfetar. Ata e ndihmuan njëri tjetrin në pajtimin e shumë familjeve dhe në ndërtimin e paqes në zemrat e dy komuniteteve shqiptare.

Don Antoni ishte ndër të parët që foli pranë varrit të hapur për vdekjen. Ky akt i guximshëm, që në fillim tronditi, më pas u kthye në praktikë që e çonte njeriun më afër përjetësisë. Fjalët e tij përtej jetës, ishin dritë për të gjallët. Por jeta nuk u bë më e lehtë. Në vitin 1989, nën trysninë e regjimit komunist jugosllav, përballë zgjedhjes midis burgut dhe mërgimit, ai zgjodhi mërgimin. E la atdheun me mall dhe lot. Me bekimin e ipeshkvit Shkup-Prizren, msgr. Joakim Herbut, u transferua në dioqezën e Detroitit në SHBA. Në aeroport e pritën shqiptarët me lot gëzimi: Nikollë Junçaj, Martin Lulgjuraj, Nosh Gjolaj e të tjerë. E mirëpritën si bariun që u kishte munguar.

Në vitin 1991, ai mori drejtimin e famullisë së Shën Palit në Detroit. Me ndihmën e shqiptarëve të Amerikës dhe këshillit të ndërtimit, ndërtoi një bashkësi që shndriste me dritën e fesë: Gjek Gjoku Sinishtaj, Toni Junçaj, Gjon Gojçaj, Prek Gjokaj, Vasel Nicaj, Fran Ivezaj, Gjok Dedvukaj e Ndue Ivezaj – ishin shtyllat e këtij misioni.

Don Antoni mbeti besnik ndaj fjalëve të Zef Camës: “Fishta u bë i madh me malësorë – edhe ti, nëse di me i prijë, ke me u bë i madh.”Dhe ai u bë. Jo për lavdi personale, por për dashuri, përkushtim dhe sakrificë.

Zoti i Madh le ta shpërblejë me hiret e uratës hyjnore. Ai që nuk harron, le t’i japë dritë të pasosur këtij shërbëtori të tij, që qëndroi me popullin, për popullin dhe për Hyjin – nga viti 1967 e deri më sot.

Don Antoni, Bariu i Mirë dhe i përvujtë me shpirt të madh, mbetet ndër ata meshtarë që ua mbolli shpresën që të mos shuhej, dritën që të mos fikej dhe besimin që të mos rrëzohej. Mirënjohje për vlerat shumëdimensionale shpirtërore, kombëtare dhe njerëzore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx