E hene, 28.07.2025, 12:04 AM (GMT+1)

Kerko: a

Ilir Muharremi: Tregim horor

E diele, 27.07.2025, 06:50 PM


Tregim horor

Nga Ilir Muharremi

D. ndjente pak dashuri dhe ndjenjë, edhe pse shpirtin e tij nuk e njihte. Ai e njihte vetëm mishin dhe pamjen e njeriut, jo shpirtin por kush e njeh shpirtin, përveç gënjeshtarëve? Ishte natë, qetësi; ca drita picërronin në syrin e tij, qerpikët lëviznin, dhe melodia e heshtjes sikur i thoshte: “Je i qetë.” Por ajo frazë gënjeshtre e bënte më dinamik; e kundërta pëlqehej gjithmonë. D. e pa atë në skaj të rrugës, duke pritur autobusin. Ishte një e natës; ndjente zhurmën e motorit në makinën e tij dhe radion që çdo pesë minuta ndërronte muzikën. Ajo mbante një minifund, flokët e zeza i mbulonin fytyrën, dhe këmbët i dilnin të gjata si ngjalë nën qiellin plot yje. Ai bastisi se ajo do të hipte në makinën e tij dhe do të lidheshin me pasion, por nuk e ndjente vërtet këtë bast. Megjithatë, D. afroi makinën dhe, me mirësjellje, hapi dritaren. “Ku po shkon?” e pyeti ai. Ajo iu përgjigj me një ftohtësi të ngrirë, si pa djall në fytyrën e tij. Insistimi i tij ishte human, jo djallëzor, por ajo ndjeu frikë femrat natën e vetmuar e duan jetën, megjithëse jeta i përpin si dallga e detit. Deti i bukur në pafundësi, por edhe shqetësimi i tij përpin shkëmbinjtë e pafajshëm, dhe kripa i ha çdo ditë e natë.

Ajo ishte shkëmbi i D.-së, ndërsa ai deti i tërbuar që dëshironte ta ngushtonte me valën e vet dhe ta puthte përjetësisht. Fytyra e tij u transformua në një pamje të ëmbël, imagjinata zbukuroi mendjen e tij me fëmijëri engjëllore. Ajo hipi në makinën e tij. Vazhdoi heshtja në makinë; djersitja përvëloi lëkurën e tij. Pas disa kilometrash, D. ndaloi në një parking të zbrazët, ku nuk kishte asnjë makinë tjetër. Yjet ende ndriçonin mbi ta. Ajo tha: “Jam prostitutë bëj ç’të dua, çmimi 50 euro.” Filloi ta ledhatonte atë, ndërsa ai ndjeu dorën e saj te barku. “Miku” i tij zgjatej ngadalë. Gjatë kësaj, D. thurte  vargje: “Zoti është një, askush tjetër përveç tij; Ai dënon dhe fal jetë.” Ajo ndaloi dhe e pyeti: “Çfarë ke?” Ai iu përgjigj: “Sot varrosa mamanë.” Ajo pëshpëriti: “Më vjen keq, ke nevojë për një relaksim”. D. vazhdoi të përsëriste vargjet. Nën sedilje kishte fshehur një çekiç e nxori papritmas dhe e goditi atë në kokë. Ai ndjeu një kërcitje të rëndë… si një copë druri që thyhet, vetëm se ishte kërcitja e kockës. Stërlakët e gjakut shpërthyen si ujëvarë brenda makinës. Ai goditi pa ndalim, dëgjoi klithmat e saj, por ndjeu një qetësi të frikshme, një kënaqësi që nuk mund ta shpjegonte. Sikur epshi i botës të ishte nën këmbët e tij; jeta e saj në duart e tij. D. ndjeu fuqinë e momentit, pushtetin e heshtur që bënte gjithçka të ndalonte; tingujt e rrëmbyer të frymëmarrjes së viktimës dhe rrjedhën e çuditshme të gjakut që rridhte ngadalë, si lot, poshtë faqes së saj të ngrirë. Goditjet ishin aq të forta sa theu kafkën dhe i shpërtheu syrin. Ai kënaqej me vuajtjen e saj. Klithma e saj u shua shpejt; D. u shqetësua pak, por jo shumë. Më pas, nxitoi me makinën drejt varrezave masive. E groposi me duar të dridhura; djersët i vërshonin; lodhja e përfshiu trupin e tij për një orë. Kur gropa u mbush, D. u largua i qetë lidhur përgjithmonë me heshtjen e hidhur që la pas.

“Kjo qe viktima e tridhjetë”, tha i qetë D.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx