E hene, 28.07.2025, 12:11 AM (GMT+1)

Kerko: a

Albert Habazaj: Sulejman Kapo Abazaj – Atdhetari që s’mund të harrohet

E diele, 27.07.2025, 06:56 PM


Sulejman Kapo Abazaj, 12.01.1913

SULEJMAN KAPO ABAZAJ - ATDHETARI BUJAR I TËRBAÇIT DHE VLORËS, QË S’MUND TË HARROHET

Nga Albert HABAZAJ

Mirënjohje fisnikja Monda Lleshi

Qysh në fillim të këtyre radhëve nderimtarie për  atdhetarin bujar Sulejman Kapo Abazaj (1913-1994), dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmesën e dhënë dhe besimin e shfaqur nga zonja Rajmonda Lleshi për të shkruar dy radhë për atdhetarin bujar Sulejman Kapo, i cili meriton jo një shkrim, por një monografi të vëmendshme, se ka qenë burrë me vlera dhe me një jetë të pasur në virtyte. Le ta kujtojmë me një shkrim të vogël, por shkruar me dashuri të madhe, siç ka këshillonte dhe Shën Tereza. Jo me autolëvdata apo me histori të stisura e shtampa për çdokënd që shkruhen monografia, të cilat të shkaktojnë përzierje...

Monda është e bija e Sulos nga Tërbaçi dhe Dudisë nga Dukati. Banon me familjen e saj fisnike dhe intelektuale në Tiranë, është në pension dhe shumë e nderuar si veterane e arsimit dhe edukimit shqiptar. Pa burimin e bollshëm shkrimor, pa mbresat dhe besimin e Mondës ky shkrim do të ishte i çalë dhe i padobishëm për faqet e paplotësuara të historisë.

Monda ka lënë gjurmë me dritë si mësuese me emër të vlertë në Vlorë, Dibër (është nuse në Lleshajt e historisë); veçanërisht në Tiranë, ku ka qenë pedagoge e anglishtes dhe ka merituar admirimin në sa e sa breza nxënësish e studentësh, sikur të ishte një nënë shembullore e tyre.

Është një fjalë e urtë e popullit shqiptar, që sjell traditën e lartë të të parëve tanë: “Ku ka rrjedhë do pikojë, do vejë soja në sojë”. I shkon për shtat ky proverb edhe profilit të këtij shkrimi. Vlej ta shpreh qysh në fillim mirënjohjen time për përkushtimin, vëmendjen dhe përgjegjshmërinë e bijës së xha Sulos, mësueses veterane me banim në Tiranë, e cila më dhuroi mesazhin e lartë që të mos harrohen apo më keq të grisen nga historia dhe kujtesa kolektive  njerëz, vepra e të cilëve ka qenë në dobi përtej familjes e në shërbim të Atdheut. Zonjës së nderuar Rajmonda Lleshi, qytetare dhe atdhetare e devotshme, i jam mirënjohës, sepse (maksimalisht brenda mundësive që i lejon mosha) është një pishtar i ndezur për mua për të bërë vepra të mira, të bukura, humane, të dobishme, së pari vepra të vërteta. Bijë Vlore, labe, me baba nga Tërbaçi e nënë nga Dukati, e nuse Dibre ajo njeh mirë përveç jetës qytetare, edhe normat, doket, traditat e zakonet e trevave shqiptare, patjetër dhe të malësisë së Labërisë apo të malësisë së Dibrës. Me një thjeshtësi, sa njerëzore aq hyjnore, Monda më rrëfen se e ëma, Dudia është e bija e Muhamet Mazes, njërit nga komandantët e çetës së madhe të Dukatit në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, për të cilin, me ndihmën e pakursyer të Mondës, në ciklin e shkrimeve për 100-vjetorin e Njëzetës botova shkrimin: “Dukatasit në Epopenë e Luftës së Vlorës: Faqe të ndritura, të panjohura nga Lufta e Vlorës: Muhamet Mazja me dukatasit në Epopenë e Njëzetës”, më 24.06.2020 (shih linkun: https://telegraf.al/speciale/albert-habazaj-dukatasit-ne-epopene-e-luftes-se-vlores/

Raimonda Sulejman Kapo Abazaj Lleshi, e dinjitetshme dhe shembullore në rrëfimtarinë e saj të kulluar, na kujton se stërgjyshi i mamasë së saj nga e ëma është Hamit Selmani (1844-1923), atdhetar e bir atdhetari, figura më e spikatur në fshatin e madh të Dukatit në vitet 1900, mik i Ismail Qemalit, me kapital të madh, i nderuar në krahinat e Vlorës dhe burrë me merita, anëtar i Komitetit “Mbrojtes Kombëtare” të Luftës së Vlorës, një ndër 12 Apostujt e Shqiptarizmës, krahas Osman Haxhiut, Halim Xhelos, Murat Tërbaçit, etj.

“Stërgjyshi i mamasë nga babai - vijon rrëfimin Monda - është Dervish Ali Ajani” (1794-1851). Ai është quajtur Legjenda e Dukatit, ka qenë një nga prijësit më të njohur në krah të Zenel Gjolekës, Rrapo Hekalit, Tafil Buzit, Cane Miftarit, Lulo Abazit dhe udhëheqësve të tjerë popullorë të kuvendeve të mëdha të kohës dhe kryengritjeve antiosmane kundër Tanzimatit që shpërthyen në Shqipërinë e Jugut, 1847. Kullat e Dervish Aliut në Dukat kanë marrë statusin monument kulture në vitin 1979.

...Vijmë tëhu në kohë, para rreth 3 vjetësh. Ishte data 12 dhjetor 2022. Rajmonda Lleshi  më shkruante nga Tirana: “Babai ynë në 11 Janar 2023 ka 110 vjetorin e lindjes... Ne jemi nga 71-81 vjeçarë...”.

E kuptova që kishte një merak, një shqetësim…

“Po sikur të bëj një shkrim, sipas një vështrimi tim, më tepër si  nderim për atë bujar të fisit deri tej Vlorës për vlerat humane që mbartte?! Si mendon?”

“Ke bekimin tonë” - më thotë Monda - . Autoritet dhe mirësi shfaq qysh në pamje. Bashkëbisedimi ynë ishte i dëlirë, si bora e Çikës dhe e Korabit: - Mirënjohja te unë nuk është stoli. Korrektesa është normë, - thotë Monda. - Mirënjohje shpirti për Besimin. Besimi është Bekim.  Ata prindër, që lanë gjurmë në edukimin atdhetar dhe në historinë kombëtare janë të paharrueshëm në kujtesën e ndritshme e ne kujtimtarë të bekuar nga urata e tyre e bardhë! Dudi dhe Sulejmën Kapo Abazaj janë jo thjeshtë imazh, janë Kujtesë Dinjiteti.

Unë jam në mes të udhëtimit e më tutje sa të mundem në misionin që kam ndërmarrë për të shkruar historinë e pashkruar; të rrëfej dhe të nderoj historibërësit me të vërtetat e ndodhura, të dokumentuara, por jo të dëshiruara të atyre personave dritërues që u kthyen në personazhe historikë (që nga ata lokalë, në qelizë, por me gjurmë të dukshme qytetare dhe kombëtare), apo për të hequr pluhurin sa e sa vjeçar ndoshta dhe shekullor të harresës historike ndaj tyre për një arsye apo një tjetër.

Disa historishkrues lënë për të dëshiruar me ç’ka harxhojnë kohë, letër e lekë kot a dëmshëm.

Një pishtar shkrimor për xha Sulon

Si për çdo ndërmarrje timen, ndjej se vlen një përkushtim serioz e dinjitoz për gjithçka shkruaj dhe, sa mundem, e realizoj, veçanërisht ç’ka lidhet me Tërbaçin dhe familjen Habazaj. Më duket vetja se jam para një sprove, një provimi moral përpara të parëve tanë, gjakut të derdhur, eshtrave të tyre, jetës që bënë e veprës që na lanë. Nuk e kemi natyrë të mburremi, por jemi krenarë dhe të ndërgjegjshëm për të parët tanë, për të afërmit tanë, që u treguan tepër modestë ...

“Ata dinin histori, ata bënë histori” - shpreh Monda një të vërtetë. Ne kemi nderin ta ruajmë, ta pasurojmë  atë dhe t’jua përçojmë brezave të pa bërë pis...

Ndër më të mirat e vlerave që u rezistuan kohërave, që meritojnë lartësim dhe jetësim janë edhe profili, jeta, udhëtimi i bujarit të urtë e të matur të Tërbaçit, Sulejman Kapo Abazaj, te i cili, ndër shumë virtyte, spikasnin dy cilësi: idealizmi atdhetar dhe humanizmi qytetar.

Tradita dhe rrënjët

Është dhe një fjalë e moçme, që m’u kujtua duke shkruar këto radhë për xha Sulon, është urtësi që vjen nga shekujt e materializuar dhe shkon stafetë bardhësisht e bukur brezave: “Rigoni nuk bëhet lis/ Fisi do vejë në fis”.

Pse po e përmend? Po, ja, a nuk ia vlen të njihemi sadopak me rrënjët e personazhit të shkrimit?!

Më 12 janar 1913, të urtit tonë Kapo Miftari (vëllait të Murat Miftar Tërbaçit me emër) i lindi fëmija i parë. Djalë! Dy të shtëna mauzeri u dëgjuan nga dera e madhe e Habazajve, që, sipas zakonit, lajmëruan vëllazërinë, mëhallën, miqësinë, fshatin e krahinën për këtë gëzim të madh tradicional.

“Lindi guri i themelit”, u shpreh për djalin e madh të Kapos - i madhi i shtëpisë Myftar Agai, (që ishte dhe djali i madh i kapedanit të Tërbaçit Lulo Abaz Mehmetit me histori të madhe dhe 400 këngë). Djalin e quajtën Sulejmën, në nderim të mikut të ngushtë të Familjes Abazaj, Sulejmën Kapos nga fshati Vajzë (i ndarë nga jeta, baba i Rexhep Sulejmënit dhe gjysh i Perlat Rexhepit - Hero i Popullit.)

Sulejmëni, dhe bashkë me të dhe 12 vëllezër e motra, u rritën me kujdesin për të njohur dhe më vonë për të ecur në udhën atdhetare të familjes së tyre. Babë Myftari, që ishte gjysh i djemve të Kapos, tregohej i kujdesshëm që nipërit të edukoheshin “si ua hiq Dera”, jo vetëm me krenarinë, por edhe me traditat për të pritur dhe nderuar miqtë e familjes. Abazajt kanë histori nderi në luftën për liri me të gjithë pushtuesve: osmanë, grekë, italianë e gjerman.

Tërbaçi është fshat kapedanësh, vetëm ne Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dolën 290 partizan dhe 60 ranë për Atdhe.

Pesha e fjalës vlerësohej jo vetëm në kuvende por edhe në familje, i madhi i shtëpisë, nderohej jo vetëm për moshën por veçanërisht për urtësinë e mendimit dhe për “shpatën” e vendimit...

Pak fjalë për babain e Sulos - Kapo Miftar Abazin (nipin e Lulo Abazit)

Kapua lindi në Tërbaç në vitin 1886 dhe vdiq në 30 Dhjetor 1938. Nëna e tij Vezikua ishte nga fshati Sinanaj i Tepelenës nga një familje e dëgjuar. Kapua lindi dhe u rrit në kushte kur familja e tij kish një pozitë ekonomike dhe shoqërore të mirë. Në vitin 1909, në moshën 22 vjeç, martohet me Meze Mustafa Laçen (Hoxhën një familje me tradita patriotike) nga Tërbaçi, lindur në vitin 1893 (nëna e saj Bejlerja ishte bijë e Dalanit nga Bolena [Dalan Shaipit]). Nga kjo martesë lindën 13 fëmijë; Zilua, Sulejmëni, Hysniu, Vezikua, Afërdita, Erveheja, Rexhia, Karafili, Myrveti, Enveri, Inxhia, Ilmiu, Lumturia. Kapua ka qenë anëtar i shoqërisë Bashkimi, Ka marrë pjesë në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, po ashtu me forcat vullnetare që shkuan deri në Lushnjë si mbështetës të Revolucionit të Qershorit, së bashku me Mihal Peçon, Gani Iljazin etj.

Rrugës për te rrënjët. Një nga bujarët e Tërbaçit, Sulejman Kapo Abazi (stërnipi i Lulos)

Në vitin 1919 Sulejmani (S.K), në moshën 6 vjeçare, nipi i parë i Myftar agait, i biri i Kapos dhe Mezesë, filloi mësimet e para në shkollën e fshatit që ishte te “vështi i Sinane” ku mësues ishte Gani Iljazi (Abazi) kushëri i parë i Kapos, një mësues italian, etj. Me mbarimin e fillores në fshat, në vitin 1922 xhaxhai i tij, Murat Tërbaçi (mësuesi i parë nga Tërbaçi, Anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, 1920, një personalitet i shquar në Historikun e lëvizjeve demokratike në Vlorë dhe më gjerë), vendosi që Sulejmënin dhe më pas Hysniun (dy djemtë e mëdhenj të Kapos - vëllait të tij) t’i marrë në shtëpinë e tij në Vlorë për t’u shkolluar. Sulejmëni, prej moshës 9-30 vjeç, është nxënës në qytetin e Vlorës falë kujdesit të drejtpërdrejtë të xhaxhait, interesimit të prindërve dhe këmbënguljes së tij për shkollim. Pra Murati nuk ka vetëm 3 vajza (Faton, Jetën e Hairijen) por edhe dy djemtë e vëllait (Sulejmënin dhe Hysniun), edhe Kapua kishte jo vetëm 13 fëmijë, por edhe 3 vajzat e Muratit. Kjo ishte vëllazëria.

Sulejmëni fillon mësimet në Shkollën e Muradijes (Plotoren 6 vjet). Drejtori i shkollës së Muradijes, z. Gani Dizdari përcillte konsiderata dhe vlerësime  shumë të mira te familja. Ka pasur si mësues Halim Shpuzën nga Shkodra, patriot i cili e donte dhe vlerësonte shumë (në familje ruhet një letër e tij), Musa Muhon, Jorgji Cekon, Llazar Eftimjadhin, Qazim Ismailin, Qazim Imamin etj. Mësimet në shkollë bëheshin para dhe pasdite. Sulua, në moshën 9 vjeç në vitet (1922-1925), për të shkuar në shkollë bënte 7 km rrugë  çdo ditë nga Bestrova (ku jetonte xhaxhai) në Muradije në këmbë, në shi e në erë, ditën dhe natën dhe nuk “harronte” paraqitjen e rregullt, të pastër dhe mësimet e përvetësuara. Ishte fëmijë sedërli, trim dhe i zgjuar... Familja ishin krenare për të. Me përfundimin e Plotores në shkollën e Muradijes (shkollë ku pas çlirimit, mësuan te 5 fëmijët e tij  Vladimiri, Flora, Aladini, Fatosi, Raimonda dhe bashkëshortja e tij e nderuara, Mësuese Dudia, që punoi aty si arsimtare në fillore dhe nxënësit i shikonte njësoj, i donte dhe i edukonte si t’i kishte fëmijët e saj)...

Në shtatorin e vitit 1928, Sulejmëni merr pjesë në konkursin e pranimit në Shkollën Tregtare (në lagjen e Ujit të Ftohtë), fiton konkursin dhe të drejtën për të studiuar, fiton gjithashtu edhe të drejtën e një burse me miratim të komisionit me drejtor, z. Zihni Hamzaraj. Vitet 1928-1933 janë palca e formimit intelektual, qytetar profesional të tij. Për Sulejmënin, vitet e Shkollës Tregtare janë jo vetëm shkollimi por edhe njohje me idetë e reja përparimtare. Aty pati fatin të njihej me drejtorin e Institutit Tregtar, Naum Stralla dhe me profesorë si Skënder Luarasi, të birin e rilindasit të arsimit kombëtar Petro Nini Luarasi. Profesor Skënderi e inkurajonte në prirjet për letërsi dhe i jepte literaturë të zgjedhur, sepse vlerësonte inteligjencën, karakterin dhe edukatën e studentit të tij. Miqësia e tyre jetoi bashke me ta. Me shokët e tij, Shefqet Musaraj, Petro Marko, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Rebi Alikaj etj.,lexonin dhe propagandonin vepra dhe revista përparimtare. Sulejmani krenohej se, me kalimin e kohës, Tregtarja u bë flamur mobilizimi për rininë e rrethit të Vlorës, që kulmon në LANÇ me heronjtë dhe dëshmorët e saj.

Në qershor të vitit 1933 përfundon studimet në Shkollën Tregtare me rezultate shumë të mira dhe sjellje shembullore, por alternativa e vetme në vitet 1933-1937 për të, ishte i papunë, sepse xhaxhai i tij Murat Tërbaçi në vitin 1932, me 6 shokë të tij u burgos dhe u dënua “Me Vdekje” nga regjimi i Zogut, për rrjedhoje edhe Kapua “s’mbetej prapa”; arrestohej, internohej, kërcënohej...

Sulejmëni merr pjesë në rezistencën kundër forcave fashiste italiane që zbarkuan në Vlorë më 7 Prill 1939. Në Gusht1939, aplikon dhe merr pjesë në konkursin e Bankës Kombëtare në Tiranë, u shpall njëri nga dy fituesit dhe filloi punë në Bankën e Tiranës, ku punoi maksimalisht, që me paraqitjen e rregullt, me gjuhët që zotëronte (frëngjisht dhe italisht), me seriozitet, shpejtësi dhe saktësi në veprime. Me këto cilësi, u ra në sy autoriteteve drejtuese dhe, nuk munguan konsideratat edhe nga ata. Në Korrik 1940 kërkon transferim në Bankën e Vlorës. Drejtori i Vlorës, pasi pa rekomandimin me vlerësimet e shkëlqyera nga Drejtoria e Bankës Kombëtare në Tiranë, shprehu kënaqësinë dhe mbështetjen e tij por...Kohë Lufte... Sulejmëni ishte shok ideali dhe mik besnik me Teli Ndinin e Mitat Sallatën. Sa shumë u dëshpërua kur mori vesh lajmin e hidhur, se Teli, ai djalë trim, ra dëshmor, i pari dëshmor i qytetit, atë mbrëmje të 7 Gushtit 1942. Edhe Mitaqi ra dëshmor më vonë..

Më 7 Prill 1943 arrestohet pa pritur në bankë me motivacionin “antifashist”, duke provuar burgun e Vlorës dhe pastaj internimin në kampin e përqendrimit në Porto-Romano në Durrës. Si përsëritet historia... Si të parët e tij. Në internim kishte marrë bronkopneumoni dhe, më 7 Gusht 1943 u kthye në vendlindje kockë e lëkurë, pasi kishte kapitulluar fashizmi në Itali qysh më 27 Korrik dhe Musolini ishte arrestuar. Dudia solli në jetë fëmijën e dytë në Buzujk më 9 Gusht 1943. Doktori në Vlorë nuk mori përsipër lindjen: “Kam frikë - ishte shprehur - jeni ilegalë”.

Shtëpitë e tij në Tërbaç u dogjën dy herë nga fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, se ishin një nga bazat e luftës. Nga 15.09-04.10.1943 u zhvillua Lufta e Drashovicës, e cila shënohet si beteja e parë ballore e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuese gjermanë. Drashovica qe betejë e ashpër, që na dha fitoren dhe na mori dëshmorët e saj. Hysniu u plagos rëndë (fjala u hap që është vrarë)...

Shtabi i Zonës I Operative, vetë Komandanti Islam Radovicka e caktoi Sulejmanin të qëndrojë në komandën e Frontit në Brataj në shtëpi te Kadri Avdulit, duke pasur si ndihmës Banush Goxhon dhe dy të tjerë. Kryen me devotshmëri detyrën e lartë për mobilizimin e popullin të krahinës së Mesaplikut, duke nisur luftëtarët vullnetarë  në Hysoverdh për luftë kundër forcave naziste të pushtimit.

Në Dimrin e 1944 ushtria gjermane me bashkëpunëtoret e tyre filluan një operacion të egër ndaj forcave partizane,  fshatrave dhe familjeve që ishin mbështetje për LANÇ. Në Shkurt 1944, Sulejmëni i sëmurë rrezikon të kapej prej forcave reaksionare që kërkonin me çdo kusht eliminimin e tij si antifashist dhe vëllain e një prej drejtuesve kryesorë të LANÇ. Detyrohet të shpërngulet nga Vlora ne Tiranë te familja e Haxhi Merkos (kunati i tij ) e më tej në Prizren duke shfrytëzuar kontaktet e tij në Bankë si dhe qarqet antifashiste në to. Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe me rritjen e presionit të forcave naziste dhe kolaboracionistëve për arrestimin e tij i bashkohet, në fund të majit,  Çetës së Lumës e më tej me batalionin e dytë të Brigadës së Parë.Më 17 Nëntor 1944 përfundon odisenë në luftën për çlirimin e Tiranës si togë/komandant në Batalionin II të Brigadës I Sulmuese me komandant Brigade Mehmet Shehun. Në luftën për çlirimin e Tiranës ka qenë në njësitet e para që u futen për çlirimin e qytetit, ku ka luftuar trimërisht. Si i plagosur që ishte, qëndroi në spital duke kryer edhe detyrën e Shefit të Administratës në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak. Mehmet Shehu në librin e tij “Lufta për çlirimin e Tiranës” e përmend me emër të dalluar për trimëri togë/komandantin Sulejmën Abazaj... Ai u vlerësua me stimujt moral të kohës: “Medalje e Çlirimit”, “Medalje e Trimërisë”.

Simboli i Bankës së shtetit shqiptar

Pas çlirimit punoi ne sektorin Bankar (si drejtor për 26 vjet). Kontribuoi bashkë me shumë kolegë me të gjithë energjitë për të ngritur ekonominë, pas pasojave shkatërrimtare qe solli Lufta e Dyte Botërore. Sulejmëni, me një përvoje të gjatë mbi 30 vjeçare punoi me bashkëpunëtorët e tij për realizimin e reformës bankare, me profesionalizëm, kulture  dhe përkushtim...

Përmbledhtas, jetëshkrimi profesional i intelektualit dhe partizanit me plagë lirie në trup Sulejmën Kapo Abazaj është:

Gusht 1939-Prill1943 - ndihmës llogaritar në Bankën Kombëtare

30 Mars 1945-Korrik 1945 - Zv/shef i thesarit ne Ministrinë e Financave; (sëmuret dhe mjekët i rekomandojnë të ndërroj klimë), vendos të shkoj në Vlorë.

Korrik 1945-Mars 1946 - Komisar në “Distilerinë Skënderbe” në Ujin e Ftohtë, Vlorë.

1946 - N/drejtor dhe Drejtor në Bankën Kombëtare Vlorë.

1946-1962 - Drejtor banke ne Vlore:

prej 1962 në Tiranë, drejtor ne Bankën e Shtetit

Në vitin 1972 doli në pension si Drejtor i Thesarit.

I përkushtuar dhe shumë i vlerësuar për punën plotëson dokumentet për daljen në pension pleqërie, por me kërkesë te institucionit, qëndroi edhe 12 vjet duke ndihmuar. Gjatë kësaj kohe nuk pranoi shpërblim financiar, vazhdoi edhe në këtë periudhë njësoj; korrekt në paraqitje, në orarin e punës, në profesion.

Familja ka dhe ruan materiale të para dhe pas Çlirimit që tregojnë për kredi te dhëna fshatareve në mbështetje të ekonomive të vogla të shkatërruara nga lufta etj... Puna në Bankë ishte për të jo vetëm detyrë, ishte kthyer në pasion. Në biseda të lira shoqërore apo dhe familjare të karakterit ekonomik dhe financiar dallohej logjika e shoqëruar me argumentin. Një përvojë prej 3 dekadash është e pamundur të pasqyrohet në një shkrim, me gjithë dëshirën.

Ai, si të parët e tij, i la familjes dashurinë për vendin, kapitalin intelektual të investuar te vetja ku dallojnë idealizmi, profesionalizmi, serioziteti. Ndërtoi një familje te respektuar ku shoqja e tij e jetës znj. Dudi Kapo (Merko) ishte një shtyllë e fortë, një zonjë trime e thjeshtë, me kontribute të mëdha. Ajo punoi kundër analfabetizmit para dhe pas çlirimit  Në dyert e shtëpive në Tërbaç me gurë gëlqereje u mësoi alfabetin disa grave të Tërbaçit. (Kishte studiuar në 3 nga shkollat më të mira të kohës: Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, “Shkollën Amerikane të Kavajës” dhe, mbas çlirimit, shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë në vitin 1960 etj). Sulejman Kapo mbaroi Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik (Financë) gjithashtu në vitet 1960. Në moshën e pensionit, deri edhe nipërit e kujtojnë gjithnjë me libra në duar, shpesh citonte autorë shqiptarë të preferuar, por edhe enciklopeditë Italiane dhe Franceze i kishte për zemër...

Sulejmën Kapo ishte shumëdimensional në mirësitë e tij

Në familjen e tyre dera për këdo që trokiste ishte e hapur, herë si hotel, herë si restorant  human (pa diskutim që fjetja, shërbimi dhe ushqimi ishin pa para, se ashtu ia kërkonte tradita e Derës së Madhe së Habazeje, siç fliteshin me nderim në ato kohë). Nuk mbajnë mend të ishin në shtëpi pa miq (sidomos  në Vlorë.) Ai prekej shpejt, kur dëgjonte hallet e të tjerëve dhe jepte shumë nga vetja, deri të pamundurën, që t’u bënte mirë atyre. Në familjen e Sulejmën Kapos nuk dëgjova një herë të mburreshin, por të krenoheshin - po.

Nga kujtimet e shkruara, (që përfshijnë vitet 1830 dhe mbrapa) shikon që Abazajt kanë një traditë si familje në përpjekjet për liri, pavarësi e përarim. Në sagën e ngjarjeve të mëdha lokale dhe kombëtare janë të pranishëm me kontributin e tyre. Shëtitorja përgjatë buzëdetit të Vlorës për në Ujë të ftohtë mban emrin e mësuesit atdhetar Murat Tërbaçi, xhaxhait të Sulos

Kujtuam në këto pak rreshta një të Habazaj, Sulejmën Kapo i thonë. Ishte burrë i paraqitshëm. Ishte idealist si shumë të tjerë. Ishte profesionist i mirë si shumë të tjerë. Qytetar i nderuar si shumë të tjerë. Me karakter të forte si shumë të tjerë. Ai jetoi shumë me hallet e te tjerëve...Për familjen është një personalitet që i bën nder rrënjëve nga vjen. Ai ishte simbol i mirësisë dhe bujarisë, shembullor në mikpritjen e tij, që e bënte me shpirt, por po me aq dëlirësi nuk donte ta shfaqte, të dukej. Në fakt, nëse do të shpreheshim me gjuhën e tij, nuk do ta përdornim togfjalëshin mikpritje, për vëllapritje, sepse të gjithë ata që i vinin nga mëhalla, nga fshati, krahina për të bujtur në shtëpinë e tij në Vlorë, ai i quante vëllezër dhe i priste siç dinte Sulejmani me Dudinë hanedane, nikoqire shtëpie, zonjë bujare zemërqeshur e dinjitoze. Ata përbënin një plotmëri shembullore dhe ndërtuan një familje të shkëlqyer me 5 fëmijë, 3 djem e 2 vajza. Po i shënoj emrat sipas moshës: Vladimiri (1942-2024), Flora Fuga (1943 -), Aladini (1947 -), Fatosi (1950 -) dhe Raimonda Lleshi (1952 -), që janë një pemë e shëndetshme me rrënjë të thella e të forta, me gjethe të gjelbra lulëzimplote. Monda me thjeshtësi të ndritshme thotë: “Që kur erdhën në jetë, i rritëm fëmijët me historitë e Dibrës dhe të Vlorës...”. Ç’motivm edukimi!

“Nuk kishte bankë e thesar të vlerësonte peshën e hapit, të fjalës dhe urtësisë së tij” - shprehet Sokol Fuga, nipi i Sulos, djali i madh i vajzës së madhe Flora Kapo Fuga.

Sulejmën Kapo iku tek yjet e paharrimit më 30 dhjetor 1994. Iku i trishtuar për padrejtësitë që iu bënë Aladinit, por nuk u lëndua nga ikja e Vladit më 26 korrik 2024. Këto ditë po mbush një vit, që ende nuk është tharë loti i dhembjes nga lajmi i hidhur që përjetuam nga helmi i ikjes së djalit të madh të Sulejman e Dudi Kapo Abazaj, pianistit të talentuar Vladimir Kapo, pedagogut të shumë muzikantëve të rinj, njërit ndër muzikantët më të mirë të vendit arsimuar në Hungari me brezin e parë të studentëve shqiptarë, që studiuan jashtë vendit. Ai është në faqen e identitetit artistik shqiptar në fushën muzikore.

Dukati i Dudisë fisnike

Sa shumë i shkon çiftit Sulo - Dudi thënia e kulluar “Pas çdo burri të suksesshëm është një grua e mençur e fisnike”. Le të kthejmë një çast sytë nga Dukati i Dudisë, se të nderuar ndihemi për këtë lidhje të lartë të Sulejmënit. Dudia ishte bija e komandantit të Çetës së Dukatit në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920 - Muhamet Maze Merkos, kur thonë, që fekste që përtej...

Dera e parë shkon në derë të parë. Kujtesa jonë troket nëpër emrat e burrave me nam si:

1. Hamit Selmani me kapital e bujari, anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombetare të Njëzetës është (babai i stërgjyshit të Mondës nga  nëna e Dudisë)...

2. Dervish Aliu, dhëndër në Haxhiaj të Tërbaçit, kapedan i Dukatit në kohën e Tanzimatit, sivëllam me Lulo Abazin, kapedanin e Tërbaçit në luftë kundër hordhive osmane të kohës, i cili ishte stërgjyshi i Sulejmënit. (Dervish Aliu ishte babai i stërgjyshit të Dudisë nga i ati).

3. Muhamet Maze (babai i Dudisë, gjyshi i Mondës, vjehërri i Sulos, të cilit i kemi kushtuar një shkrim të merituar në faqet e gazetës “Telegraf” me rastin e 100-vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920. Me emocion, mirënjohje dhe krenari, Monda kujton, se pikërisht më Datën e shenjtë të Mësuesit, më 7 Mars 2023, iu dorëzua Çertifikata “Dëshmor i Atdheut” për komandantin e Çetës së Dukatit, babain e saj Muhamet Maze Merkon.

Kujtesa historike e Sulejmanit

Sulejmani njihej dhe për kujtesën e tij fenomenale. Ai na ka lënë dëshmi shkrimore shumë të rëndësishme për stëgjyshin e tij, Lulo Abaz Mehmeti, kapedanin e Tërbaçit, që u mor me hallet e popullit në kohën me kollë të keqe të Tanzimatit. Dokumentet e S.Kapos nuk i kanë shfrytëzuar (apo nuk kanë dashur?!) as historianët që janë marrë me trimat e kryengritjeve popullore dhe bijtë e shpatës shqiptare, në shek. XIX, në fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare. Në përshkrimin  e portretit të Lulo Abazit nuk  thuhet as vitlindja, as vitvdekja. Sipas dorëshkrimeve, shkruar nga vetë S. Kapo, të cilat ruhen nga pasardhësit në arkivin e familjes, kapedan Lulo Abazi lindi në vitin 1805 apo 1806 dhe vdiq në vitin 1872 në Tërbaç në moshën  65 vjeç. Kur vdiq Lulo Abazi, iu bë një përcjellje madhështore. Ai u varros pranë portës së sipërme të ish - shtëpisë muze të krahinës së Mesaplikut në Tërbaç (te hunda e Sinane. Sinan Abazi ishte vëllai i madh i Lulos, kryeplak i fshatit, i cili me parinë e Tërbaçit priti me besë burri e fshati Bilbilenjtë në shpellën e tij në Soma, mbi Somitkë, e cila më pas, për nder të trimave të Kurveleshit, mori emrin Shpella e Bilbilenjve. Ashtu quhet dhe sot e kësasj dite). Sinani ishte vëllam (byrazer) me kapedan Bilbil Shakon, me të 13 bilbilenjtë...

Varri madhështor i Lulos në Tërbaç u prish nga ushtria pushtuese italiane në vitet 1940-1941, kur e bënë pozicion për artilerinë e tyre...! Figura e tij është e pa eksploruar, ka vend për studim. Tregime rreth tij ruhen ende në kujtime të familjes dhe mund të bëhen objekt i një tjetër shkrimi.

Këto të dhëna dhe shumë të tjera të S. Kapos mbështeten në kujtimet e gjyshit të tij - Miftarit, babait - Kapos dhe xhaxhait - Muratit).

Është në natyrën time të shkruaj me vëmendje e dashuri, me fakte e data, pa sajesa të tepërta, që na largojnë nga e vërteta, se gënjeshtra të turpëron para historisë.

Të parët tanë vinin nga historia, dinin histori dhe bënë histori. Ata e bënë detyrën. Shpresoj që ne ta vijojmë stafetën e tyre të nderit, ta ruajmë, ta pasurojmë, ta shkruajmë të saktë dhe t'ua transmetojmë brezave.

Është mision i ynë fisnik, që përfundon me frymën tonë, për t’u treguar brezave dhe kohës historinë e pashkruar, të harruar apo të mbuluar për sa e sa arsye...

Pjesëtarë të familjes Abazi, mbiemri i hershëm i familjes

Sulejman Kapo Abazaj me familjen në Vlorë, 1957

Në Tërbaç para Shtëpisë Muze Hysni Kapo të krahinës së Mesaplikut

Sulo Kapo me nipërit, Eno Kapo, djali i madh i djalit të madh - Vladit dhe Sokol Fuga, djali i madh i vajzës së madhe - Florës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx