E shtune, 26.07.2025, 12:01 AM (GMT+1)

Speciale

Paulin Z. Zefi: Lezha gjatë Mesjetës së Hershme

E enjte, 24.07.2025, 06:59 PM


Lezha gjatë Mesjetës së Hershme (shek.V-X), një periudhë e cilësuar deri në shek. XIX si Mesjeta e Errët

Nga Paulin Z. Zefi

Jemi në shekullin V, kur Lezha (Lissus), ashtu sikurse qytetet e tjera të rajonit, përjetoi rënien e strukturave romake dhe kalimin nga Antikiteti i Vonë drejt Mesjetës së Hershme. Si pjesë e provincës së Prevalit nën Perandorinë Romake të Lindjes ose Bizantine, qyteti u prek nga sulmet e përsëritura barbare, si ato të Hunëve dhe Ostrogotëve, që sollën dobësim të mbrojtjes dhe braktisje të pjesëshme urbane. Sidoqoftë, në këtë periudhë, Lezha konsolidohet si qendër e rëndësishme peshkopale, duke u përfshirë në rrjetin kishtar të kohës. Jetesa qytetare fillon të tkurret, ndërsa u forcua karakteri mbrojtës i qytetit dhe u rrit rëndësia e strukturave kishtare. Shek. V përfaqëson pikërisht fazën e tretë kur fortifikimi mbi Akropolin e vjetër ilir merr formën e një kështjelle të mirëfilltë dhe faza e katërt lidhet me ndërtimet përforcuese të bëra në shek. VI. Gjatë shek. VI, Lisi ishte një ndër tre qytetet kryesore të Provincës së Prevalit me qendër Shkodrën [1]. Këtë të dhënë e ndeshim në veprën "Synecdemus ose Synekdemos" të gjeografit bizantin, Hierokliu [2]. Pavarësisht trazirava të mëdha të kohës, Lisi na paraqitet si një qytet ende i populluar dendur, qendër e rëndësishme administrative, seli peshkopate dhe nga pikëpamja ekonomike, një qendër aktive zejtare-tregtare [3]. Mirëpo, në vitin 592 [4], gjatë “Dyndjes së popujve”, Lezha pëson një goditje dërrmuese, sepse pushtohet nga barbarët sllavë [5]. Kjo e dhënë pasqyrohet në një dokument kishtar, në të cilin thuhet se Papa Gregori I ngarkon me detyrën e kryepriftit në Kishën e Skillaçit (Ecclesiae Scyllacinae) (pranë Catanzaro), Gjonin, ipeshkvin e arratisur lezhjan (Lissitan), meqë Lezha mbahej e pushtuar nga armiqtë [6]. Pushtimi sllav duket se ka zgjatur së paku deri në vitin 599 [7] ose deri në fillim të shek. VII [8], sepse pushteti bizantin u rivendos në Prevalis në vitet 599-600 dhe ipeshkvi i Lisit ishte në selinë e tij në vitin 602 [9]. Pavarësisht se periudha e pushtimit sllav ishte shumë e shkurtër, ajo i shkaktoi qytetit humbjen e shkëlqimit të tij, të rëndësisë dhe të dendësisë që kishte pasur në Antikitet [10]. Ka disa të dhëna, qoftë edhe të tërthorta, që flasin për një tkurrje të ndjeshme të qytetit në shek. VII — VIII dhe për përqendrimin e hapësirës së tij të banuar kryesisht në lagjet e poshtme buzë Drinit, një zonë, që në këtë kohë del e rrethuar me mure të përforcuar me kontraforte dhe kulla katërkëndëshe, gjurmët e të cilave ruhen edhe në ditët e sotme [11]. Pikërisht në fund të shek. VII ose në fillim të shek. VIII, periudhë në të cilën burimet historike janë shumë të pakta, Anonimi i Ravenës, në veprën e tij me titull, "Cosmographia", vë në dukje qytetin "Lisson" midis qyteteve të Ilirikut, në bregun e Adriatikut, në veri të Dyrrahut [12]. Me fuqizimin ekonomik të qytetit [13] dhe riorganizimin administrativ të Perandorisë Romake të Lindjes, që u bë në shek. VIII [14], krahas fortifikimit të qytetit me mure të fuqishme rrethuese, pikërisht sipër kodrës, ku më parë kishte qenë Akropoli i Lisit antik, u ndërtua kështjella e Lezhës [15]. Në pjesën më të madhe të saj, muret rrethuese të kështjellës që shohim sot i përkasin pikërisht kohës së rindërtimit të bërë nga Perandoria Romake e Lindjes në fund të shek. VIII [16]. Të gjithë muret e kësaj faze të pestë ngrihen mbi substruksione më të hershme, që u përmendën më lart. Kështjella e Lezhës njihet si një nga fortesat kryesore të Themës së Durrësit dhe duke qenë se mbronte kufirin e saj verior, kujdesi nga ana e Perandorisë Romake të Lindjes për mirëmbajtjen e fortifikimeve të këtij qyteti në Mesjetën e Hershme, por edhe atë të Mesme, ka qenë i vazhdueshëm [17]. Burimet historike dhe rezultatet e shumta arkeologjike dëshmojnë në mënyrë të qartë dhe të argumentuar jo vetëm vijimësinë etno-kulturore të qytetit të Lisit nga Antikiteti i Vonë ilir në Mesjetën e Hershme, por edhe karakterin qytetar të ekonomisë së tij [18]. Vijimësia etno-kulturore e qytetit të Lisit, nga ilirët te arbërit, dëshmohet qartë nga varret dhe objektet e shumta të zbuluara në “Qafën e Kalasë” në vitet 70 të shek. XX [19], por sidomos gjatë ekspeditave të fundit arkeologjike, që janë zhvilluar po në të njëjtin lokalitet, i njohur si “Nekropoli mesjetar i Lezhës”, i cili është një nga varrezat më të rëndësishme që përfaqësojnë “Kulturën e Komanit [20].” Me pak fjalë, Lezha bënte pjesë në të ashtuquajturën “Epiqendra e ngjizjes së kombësisë shqiptare” së bashku me Durrësin, Krujën, Shkodrën, Vlorën dhe më pas Beratin [21]. Gjatë Mesjetës së Hershme Lezha ishte pjesë e Perandorisë Romake të Lindjes dhe qyteti funksiononte si një qendër rajonale, shumë e fortifikuar dhe e angazhuar në tregtinë dhe zejtarinë e rajonit. Vlen për t’u theksuar se është pikërisht periudha e shek. VIII-IX, që konsiderohet si faza më kulminante e rritjes së zhvillimit të qytetit, periudhë në të cilën popullsia vendase bëri përpjekjet e para për konsolidimin e vetëqeverisjes dhe të vetëmbrojtjes së qytetit [22]. Po ashtu, shek. IX shënon ringjalljen ekonomike dhe administrative, por sidomos kontrollin e kështjellës së Lezhës nga arbërit dhe rigjallërimin e kulturës arbërore në qytet, çka dëshmohet qartë edhe nga Nekropoli mesjetar [23]. Nga ana tjetër, pikërisht gjatë shek. IX, jo vetëm Lezha, por i gjithë rajoni ishte nën kërcënim të shpeshtë nga forcat e jashtme. Piratët myslimanë të njohur kryesisht si saraçenë (arabo-berberë), që vepronin nga bazat e tyre në Afrikën Veriore dhe më vonë nga bazat e tyre në Siçili, filluan të shënjestronin shumë shpesh territoret përgjatë Adriatikut [24]. Pasi pushtuan qytetin Taranto në vitin 839 dhe më pas Barin më 841, arabët e kërcënuan nga themelet pushtetin e Perandorisë Romake të Lindjes në detin Adriatik [25]. Pavarësisht se Lezha, në ndryshim nga Budva dhe Kotorri [26], nuk ishte një objektiv kryesor i tyre, këto bastisje periodike ndikuan ndjeshëm në sigurinë e qytetit dhe në tregtinë me zonat përreth. Kjo, sepse në shek. IX, në buzë të detit afër Shëngjinit besohet se ndodhej një kështjellë, që shërbente si bazë për piratët arabë, prej së cilës më vonë mori emrin fshati “Saraçinopoli [27]." Në "Regjistrin e Kadastrës Veneciane dhe Koncesioneve për Rrethin e Shkodrës të viteve 1416-1417”, si kryetar i fshatit të sipërthënë “Saraçinopoli në Mede" përmendet Benko Saraçinopoli, i madhi, dhe si banor, Benko Saraçinopoli, i vogli [28]. Fjala “Saraçen” dhe mbrapashtesa e saj “polis (greqisht = qytet)”, lë për të kuptuar se në kulmin e zhvillimit të tij, Saraçinopoli ka qenë një vendbanim mjaft i populluar. Z.Shkodra e ka identifikuar fshatin Saraçinopoli me vendin e quajtur “Saraxhin”, rrënojat e të cilit sipas tij, duken akoma nën Fushën Dushkaj në breg të Kënetës së Kakarriqit (sot, Fusha e Torovicës, pjesa pranë Malecaj – P.Z.) dhe emri i këtij fshati i kujton fiset arabe saraçene, të cilët në shek. IX, pasi kaluan nga pjesa jugore e Italisë, zbarkuan në bregdetin tonë në dy pika: rrethet e lumit Bunë dhe në afërsi të Sarandës, ku qëndruan për një kohë të shkurtër [29]. Ndërsa, K.Luka e ka lokalizuar këtë vendbanim dhe pikën detare plaçkitëse të saraçenëve te "Kodra e Saraxhinit” ose "Kodra Saraxhin", në Malin Kolaj, midis Shëngjinit dhe Velipojës [30]. Me siguri gjatë shek. IX, Lezha, e bashkë me të, Shkodra dhe Ulqini, do të kenë pësuar dëme të mëdha nga inkursionet plaçlitëse të piratëve saraçenë, që niseshin me anije nga baza e tyre detare. Vetëm falë këmbënguljes së perandorit Bazili I, i cili angazhoi në Adriatik flotën e fuqishme të Perandorisë Romake të Lindjes, saraçenët u shpartalluan gjatë rrethimit që kishin ngritur në Raguzë (866-868) dhe pak më vonë, pasi Bazili I organizoi një mësymje të kombiuar me perandorin Ludvig II, saraçenët do të dëbohen nga brigjet e detit Adriatik [31]. Në shek. IX-X, qyteti i Lezhës fillon të përmendet në burimet historike me një emër të ri, Elis, dhe hyn në një etapë të re të zhvillimit të tij të pandërprerë historik [32]. Kjo është periudha e fuqizimit të tij ekonomiko-social dhe periudha kur marrëdhëniet feudale zgjerohen shkallë-shkallë si rrjedhojë e krijimit të shtresave feudale vendase [33]. Në këtë kohë qyteti zgjerohet dhe riforcohet me një sistem të fuqishëm muresh rrethimi, ndërsa sipër kodrës mbizotëruese te tij, mbi rrënojat e mureve të Akropolit antik u ngritën të larta dhe të pamposhtura muret e kështjellës arbërore te Lisit, që F.Prendi dhe K.Zheku e cilësojnë si bërthama më e fortë e qëndresës së tij gjatë shekujve të Mesjetës [34]. Me pak fjalë, që në shek. IX-X, Lisi merr pamjen e një qyteti tipik arbëror, me një sistem të dyfishtë fortifikues: “Qyteti-kështjellë [35]" dhe këtë sistem madhështor mbrojtës ai do ta ruajë dhe mirëmbajë, siç del nga burimet arkivore veneciane, deri në pushtimin osman [36]. Emri i Lezhës del i shënuar në një burim kishtar të fillim shek. X dhe bëhet fjalë për listën e peshkopatave të formuluar në kohën e perandorit Leoni VI (886-912) midis viteve 902 - 907 dhe prandaj nuk është një rastësi aspak e çuditshme që një monedhë e këtij perandori është gjetur gjatë punimeve restauruese në muret e Akropolit antik të qytetit [37]. Pikërisht në fillim të shek. X, ishte koha kur Perandoria Bullgare nën Car Simeonin I (893–927) përbënte një sfidë të rrezikshme për autoritetin bizantin në Ballkan [38]. Fushatat ushtarake të Simeonit, i cili vlerësohet si sundimtari më i lavdishëm i shtetit të parë bullgar [39], zgjeruan dhe forcuan ndikimin e tij në pjesë të ndryshme të Ballkanit të kontrolluar deri atëherë nga Perandoria Romake e Lindjes, duke vënë nën rrethim edhe vetë kryeqytetin e saj, Kostandinopojën [40]. Pavarësisht se Lezha nuk u pushtua drejtpërdrejt nga bullgarët, edhe ajo u ndikua nga kjo luftë rajonale për pushtet. Qyteti me rrethina vijuan të ishin nën autoritetin e Perandorisë Romake të Lindjes, pasi ajo kërkonte të stabilizonte dhe të mbronte territoret e saj perëndimore. Perandorët bizantinë e menaxhuan Lezhën dhe qytetet e tjera bregdetare nëpërmjet një rrjeti zyrtarësh ushtarakë dhe administrativë për të siguruar kontrollin e plotë mbi vendet strategjike përgjatë Adriatikut. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, Lezha ka të ngjarë të ketë përjetuar një ndikim të madh nga fiset dhe udhëheqësit vendas arbër, të cilët arritën të ruajnë një farë autonomie brenda Perandorisë Romake të Lindjes. Ndërkohë që administrata bizantine qeveriste zyrtarisht rajonin, udhëheqësit dhe familjet arbëre vendase kishin pushtet të konsiderueshëm në çështjet praktike, veçanërisht në zonat më malore dhe të largëta përreth Lezhës. Në gjysmën e parë të shek. X, qyteti bashkë me kështjellën të emëruar “Elison”, përmenden nga vetë Kostandini VII Porfirogjeniti (905-959), perandor i Perandorisë Romake të Lindjes dhe shkrimtar [41]. Në fund të shek. X, pas një periudhe relativisht të qetë, autoriteti bizantin në Lezhë kërcënohet sërish nga rreziku bullgar. Në vitin 998, cari i Perandorisë së Parë Bullgare, Samueli, udhëhoqi personalisht një fushatë të madhe ushtarake kundër Dioklesë (Duklja) dhe Kroacisë, me qëllim për të parandaluar një aleancë midis tyre dhe Perandorisë Romake të Lindjes [42]. Në përpjekjet e tij për të zgjeruar dhe konsoliduar pushtetin e tij, Samueli mori nën kontroll territore të ndryshme, që ishin nën ndikimin ose kontrollin bizantin, dhe Lezha ishte një prej tyre. Pushtimi i tij i qytetit në vitin 998 ishte pjesë e një fushate më të madhe ushtarake, që nuk synonte vetëm dobësimin e sundimit bizantin në rajon, por edhe vendosjen e një pranie të fortë bullgare. Asokohe, Perandoria e Parë Bullgare, e cila kishte pushtuar pjesën më të madhe të Europës Juglindore, shtrihej nga Deti i Zi në lindje dhe deri në detin Adriatik në perëndim, nga lumi Danub në veri dhe deri në Detin Egje në jug [43]. Sidoqoftë, Perandoria Romake e Lindjes nuk hoqi dorë nga Lezha dhe as nga rajonet e tjera të pushtuara nga car Samueli. Në fillim të shek. XI është vetë perandori Bazili II, i cili vjen në Lezhë [44]. Ky i fundit, ishte armiku më i tmerrshëm i car Samuelit dhe si pasojë e akteve barbare që kreu në luftën e tij kundër bullgarëve, ai u bë i njohur me apelativin "?????????????? (Vrasësi i Bullgarëve)." Në konfliktin e përgjakshëm midis dy perandorëve të fuqishëm, Samuelit të Bullgarisë dhe Bazilit II të Bizantit, burimet historike nuk ofrojnë të dhëna të qarta mbi qëndrimin e popullsisë së Lezhës. Kjo mungesë njoftimesh lidhet me faktin se Samueli, në fushatat e tij, nuk ndërhyri drejtpërdrejt në strukturat e brendshme të administrimit të qytetit, duke respektuar në thelb format bizantine të qeverisjes. Në këtë kontekst, për banorët e Lezhës dhe rrethinave të saj, të dy perandorët mund të jenë perceptuar si pushtues të huaj. Për aq kohë sa nuk cenohej autonomia lokale dhe ruhej njëfarë vetëqeverisjeje, rëndësia e përkatësisë ndaj një kurore perandorake apo tjetrës ishte, ndoshta, më shumë çështje formale sesa reale. Thelbësore për ta ishte ruajtja e rendit të brendshëm dhe vazhdimësia e jetës së përditshme...

BIBLIOGRAFIA:

1- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 9.

2- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 78-79.

3- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 203-204.

4- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 53.

5- A.Meksi, Të dhëna për historinë e hershme mesjetare të Shqipërisë (fundi i shek. VI — fillimi i shek. XI), në: Iliria, Nr. 19-1, Tiranë: 1989, f. 114; S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 31-33; M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 56.

6- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 64; E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për Mesjetën, f. 189.

7- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 120.

8- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 8.

9- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 120.

10- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 11.

11- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 204.

12- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 67.

13- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 9-12.

14- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.

15- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

16- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 97.

17- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, f. 124.

18- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 12.

19- F.Prendi, Një varrezë e kulturës arbërore në Lezhë / Une nécropole Haute-Médiévale albanaise à Lezha, në: Iliria, vol. 9-10, 1979, f. 123-170.

20- E.Nallbani & L.Buchet, Lezha (Lissus), de l’Antiquité tardive au haut Moyen Âge : topographie du site et espace des morts, në: Mélanges de l'École française de Rome. Moyen-Age, Tome 120, n°2. 2008. Les destinées de l’Illyricum méridional pendant le haut Moyen Âge, f. 239-261; G.Hoxha, Lissus dans la basse Antiquité, në: Épire Illyrie, Macédonie..., f. 86-87.

21- N.Ceka, Ilirët: deri te shqiptarët, f. 467.

22- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 95.

23- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 131.

24- P.Cabanes, O.Chaline, B.Doumerc, A.Ducellier & M.Sivignon, Historia e Adriatikut, f. 142-143.

25- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 45.

26- P.Cabanes, O.Chaline, B.Doumerc, A.Ducellier & M.Sivignon, Historia e Adriatikut, f. 143.

27- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 48.

28- Regjistri i Kadastrës dhe i Koncesioneve për Rrethin e Shkodrës 1416-1417, Përgatitur për botim nga Injac Zamputi, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH (Instituti i Historisë), Tiranë, 1977, f. 102, fl. 94/a.

29- Z.Shkodra, Mbi emrin e Shëngjinit në kohën e vjetër e të mesme, në: Lissus, 2, Tiranë: “8 Nëntori”, 1969, f. 108, Shënimi nr. 2.

30- K.Luka, Gjeografia toponomastike në dy Kadastrat e Shkodrës në shek XV, në: Studime filologjike, Tiranë: 1976, nr. 1, f. 137-188; nr. 2. f. 129-178.

31- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 165.

32- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f.12.

33- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

34- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 207.

35- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kulturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 13.

36- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 207.

37- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 67.

38- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 175-181.

39- F.Schevill, Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, f. 95.

40- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 151-164.

41- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 96.

42- I.Ivanov, Tsar Samuel Against Emperor Basil II: Why Did Bulgaria Loose the Battle With the Byzantine Empire at the Beginning of the 11th century, në: Studia Ceranea, Vol. 1, 2011, f. 205-212.

43- J.V.A.Fine, The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century, f. 195.

44- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, f. 124.

Paulin Zefi.

Lezhë: 24.07.2025.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lutfi Alia: Elemente të ligjeve të Gortyna helene të Kretës, të pranishme në Kanunin e Lekë Dukagjinit (II) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (12) Sabile Basha: Kërkesë për inicimin e ngritjes së obeliskut përkujtimor në nder të të burgosurve politikë në Kosovë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (11) Sabile Basha: Obelisku i qëndresës për kujtesën e të burgosurve politikë shqiptarë Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (10) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (9) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (8) Lutfi Alia: Elemente të drejtës antike helene dhe romake në Kanunin e Lekë Dukagjinit (I) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (7) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (6) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (5) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (4) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (3) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (2) Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (1) Sabile Basha: Gruaja shqiptare në dritën e historisë dhe vlerësimi i të huajve për të Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Misteret e Kokës së prerë të «Skënderbeut» Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Falënderim Sabile Basha: Jeta mes largësisë dhe përkatësisë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx