E enjte, 24.07.2025, 10:45 PM (GMT+1)

Kerko: a

Vilhelme Vrana Haxhiraj: Në kujtim të bijës së Vlorës, Drita Kripa Pelinku

E merkure, 25.06.2025, 06:56 PM


Në kujtim të bijës së Vlorës, Drita Kripa Pelinku

Pelinku vlerësohet me titullin “Qytetare Nderi e Vlorës” më 29.4.2010

Urimet më të mira e më të sinqerta dhe jetë të gjatë Znj. Drita Pelinku Kripa!

Kujtesë nga Vivra

Drita Kripa (Pelinku) artistja, regjisorja, pedagoge e artit skenik, mësuesja fisnike, vullnetare për talentet e reja, mikja e palodhur e skenës dhe ekranit është vlerësuar me disa çmime. Por guri rëndon në vendin tënd, aty ku fjala të zë vend. Ajo lindi në Vlorë. Është ndryshe nga çdo vlerësim. Sot atë e vlerëson vendlindja e saj, Vlora e historisë dhe e kulturës, Vlora e dy deteve,Vlora e Flamurit, krahina e Labërisë bujare, që di të bëjë nder. Vlora nderon bijën e vetë, paksa vonë, gjithsesi kurrë nuk është vonë për të thënë dhe bërë gjënë e duhur. Ky vlerësim, ky nderim për zonjën Drita, më çoi larg si në kohë dhe në hapësirë.

Isha vajzë e vogël atëherë, nxënëse e klasës së gjashtë, me fustanin mbi gjunjë, kur Teatri kombëtar erdhi në një turne në Vlorë.

Ishte një ditë e praruar maji, mbasdite. Vlora shndrit edhe në dimër, jo më në pranverë që bëhet rrëzëllitëse, si njé vajzë në moshë dashurie. Aktorët e ardhur nga Tirana, mua, fëmijës, më dukeshin si jashtëtokësor, apo të ardhur nga një planet tjetër.

Nëpër stolat apo mbi murin rrethues prej betoni ishin ulur artistët e Teatrit Kombëtar, të cilët me sjelljen e shkujdesur, shakat, veshjet ndryshe, ndonjë melodi nën zë, na kishin bërë për vete. Zakonisht aty luanin fëmijët e lagjes Muradie, ku unë banoja prej një viti. Familja ime sapo ishte kthyer nga internimi. I kishim rrethuar sikur para nesh po shfaqej një cirk. Papritur para meje, si një vegim, u shfaq një nuse e bukur, brune. Më kujtohet si tani. Ajo ishte shtatlartë, elegante, në fytyrën e bardhë spikatnin tiparet e zeza dhe korniza e flokëve, me pak onde. Edhe sot pas 53-54 vitesh më ka ngelur në kujtesë ngjyra tejet e zezë e flokëve, si pendët e korbit. Fustani i bardhë, me qemer të zi, puthitur pas trupi,kurse nga fundi klosh, sandalet e bardha me rripa e me pak takë, e tregonin shumë elegante. Atë çast e krahasova me zanat e përrallave. Nuk di përse qysh atëherë më ishte krijuar bindja se artistët, qëndronin shumë më lart nga të tjerët, nga njerëzit e zakonshëm. Ndaj e zhbiroja me shikimin tim të pafajshëm dhe me imagjinatën e fëmijës mendoja se kush e di se çfarë jete prej zonjash bënte.

Atë çast një vajzë e re, më e rritur nga unë, belbëzoi: “Kjo artistja është nga Vlora. E quajnë Drita Kripa. Prindërit e saj e kanë shtëpinë atje sipër, përbri Komitetit Ekzekutiv, prej të cilit shtëpinë e tyre e ndanë vetëm rruga. Pikërisht aty, ku është fabrika e miellit. Më parë ka qenë pronë e tyre. Eshtë motra e atyre dy djemve që i kanë burgosur për politikë. Janë reaksionarë ose armiq populli.” E pashë me vërejtje dhe u habita se fjalët e asaj vajze të re, shprehnin urrejtje për të dhe familjen e saj. Këto fjalë më tronditën dhe ma prishën gjithë gëzimin e ditës. Edhe unë, e vogla isha si ajo artiste.“Ajo së paku u bë artiste, kurse unë, nuk besoj të mbaroj as shkollën. Megjithëse edhe më parë e kam ndierë një kufi ndarës mes meje dhe shoqeve të moshës sime. Por fjalët e saj më kujtojnë se unë dhe Drita i përkasim një bote tjetër, botës së mohimit.Kur të rritem, edhe mua kështu do të më quajnë...”- mendoja dhe një hije trishtimi zëvendësoi buzëqeshjen e atyre çasteve të lumtura. Kështu e njoha, atë që do të bëhej ylli i skenës, që kurrë nuk do ta shprehnin këtë, por do ta linin në harresë artisten Drita Kripa.

Drita, kjo bijë e palodhur, kur duhej të ishte ylli i artit, diti ta sfidojë kohën e egër dhe regjimin diktatorial. Mbijetesa e saj dhe e gjithë shtresës së mohuar, ishte virtyt i fisnikërisë. Edhe në këtë moshë, kjo femër ideale, kjo zonjë e nderuar, kjo nënë e dhembshur, kjo bijë dhe motër e dashur, si dhe gjyshe e drithëruar ka sfiduar dhe po sfidon kohën dhe moshën. Inteligjenca, shpirti artistik i lindur, sepse si bija e denjë e familjes fisnike “Kripa” që e kishte në gene teatrin apo aktrimin, e vendosi Dritën në panteonin e njerëzve të mëdhenj, mes njerëzve të shquar të Shqipërisë. Puna e saj e palodhur si artiste, njëkohësisht bashkëshorte dhe nënë apo pjesë e shoqërisë, kërkonte prej saj një sakrificë sublime. Ajo ishte e detyruar të pranonte çdo rol, madje edha ato role, ku diskriminohej, përbuzej dhe mohohej me urrejtje shtresa e saj. Isha e re kur kam parë Drita Pelinkun në rolin e Budes. Sa e sa role që i përkisnin asaj shtrese të përmbysur, të mohuar, sikur nuk ka ekzistuar kurrë, për Dritën aktore ishin plagë të hapura. E megjithatë ajo doli mbi veten, mbi klasën e saj, së cilës i përkiste, duke dhënë maksimumin në vërtetësinë e rolit. Ashtu e donte Partia, personazh të urryer, që shikuesit, adhurusit e artit dhe sidomos rinia, të edukohej me bindjen se këta ishin armiqtë e popullit që meritonin vuajtjen, burgimin, mosarsimimin, mohimin e profesionit deri në mohimin e jetës. Ndërsa luante rolin, nuk ishin pak por 120 role, Dritës i qante shpirti për dy vëllezërit e saj Besnik e Reshat Kripën, të cilët u arrestuan qysh në bangat e Gjimnazit “Ali Demi”. Po mbushen 50 vite dhe ende bashkëkohësit kujtojnë me dhembje dhe me lot né sy, tronditjen që kaloi Vlora kur u burgosën një grup gjimnazistësh 17-18 vjeçar, të cilët e kaluan rininë duke u dergjur kënetave , kanaleve dhe minierave të Spaçit, Burrelit, Bulqizës dhe Maliqit.

Nëse Drita Kripa do të kishte si mburojë hijen e ndonjë lisi “madhështor”, sot emri i saj do të ishte skalitur me shkronja të arta, mes emrave të artit skenik botëror. I vetmi strehë, ku ajo u mbrojt nga stuhitë e kohës së mbrapsht, ku vlera shndërrohej në antivlerë, ishte bashkëshorti i saj tenori Hysen Pelinku. Aso kohe vlera matej me partishmërinë. Për fatin e saj të keq, ajo si mijëra të tjerë, që i përkisnin borgjezisë dhe çifligarëve, ishin të përbuzur dhe të harruar. Edhe pse ia kishin nevojën zërit të saj brilant dhe melodioz në përputhje me rolin, aktrimit të përsosur, aftësisë së saj si pedagoge, si regjisore, por ishte regjim kurrnac për t'i dhënë Dritës vlerat e duhura në kohën e duhur. Madje me rolet e saj i kujtonin: “Ja kjo je ti. Kjo është shtresa jote. Këta janë vëllezërit e tu burgaxhi, armiq të Atdheut. As ti nuk je më e mirë se ata.” Pastaj ajo meditonte: “Një dorë që s'kafshohet, puthet. Ne e dimë se ti qesh, nga që nuk qan dot... Mos harro se ne të shpërfillim, edhe pse je më e mira. Je e mohuar, e harruar...e harruar...e harruar si origjina jote që u shfaros nëpër varreza pa identitet. Do të vdesësh e shpërfillur.”Artistes së madhe këto mendime që i gëlonin në mendje, e shndërruan në një grua të heshtur,por artiste të madhe,që duhej të fliste vetëm kur niste rolin e saj...

Dritës i fliste shpirti i plagosur, dëshirat e pathëna, ëndrrat e shuara...Gjithsesi edhe pse s'mori rolin që i pëlqente, ajo shkëlqeu. Ajo ishte krenari për aktorët me të cilët realizonte dramën. Ishte nder për ata breza artistësh që mësuan prej saj artin e skenës. Sa e sa aktorë e regjisorë të brezave të më vonët i janë mirënjohës pedagoges së tyre, regjisores, Drita Pelinku.

Ai që kurrë nuk e pa me syrin klasor ishte spektatori artdashës. Sepse ajo diti ta shndërrojë realitetin në art. Mes kënaqësisë dikush pëshpëriste: “Është e madhe, por ç'e do ka një...”

Edhe pse ka shumë mosrealizime, ajo përsëri hesht. Kur shkoi në ShhBA pas viteve 90, në aeroport e pyetën: Si ndihet artistja e madhe sot në shtetin më demokratik të botës?

-Vonë, shumë vonë...?!”

Kurse unë, adhuruesja e saj, i them:

-Zonjë e dashur, kurrë nuk është vonë për të thënë e bërë gjënë e duhur. Kjo thënie na përket neve, brezit tonë të mohuar. Kurse ju, e dashur Dritë, e thatë fjalën tuaj aq bukur dhe vetëm shqip, sepse kjo ishte gjuha që të mësoi mëma.

Unë dhe familja Haxhiraj i jemi mirënjohëse përgjithë jetën artistes “NDER I VLORËS, DRITA PELINKU KRIPA. Para tre vitesh 6 maj 2007, në 10 vjetorin e krijimatrisë sime, Zonja Drita Kripa, tashmë Artistja e Popullit edhe pse në moshë disi të thyer, mes personaliteteve të artit dhe letërsisë, ajo erdhi. E pranoi ftesën time vetëm me një telefonatë. Ishte kënaqësi për mua, familjen time, shkrimtarët dhe qytetarët e Vlorës. Për vitalitetin që ka, ajo vlen si shembull për të rinjtë. Kurrë nuk mund t'i harrojë fjalët e saj:

“Të dashur bashkëqytetar! Unë jam bijë e këtij qyteti.Sot kam ardhur për të nderuar një femër, për një nënë, për një qytetare. Jam sot këtu për Vilhelme Vranarin që edhe pse koha ia mohoi talentin ajo i dha vlerat e saj në Letërsi. Madje është vlerësuar. Por cilido nga ju të kishte qenë, unë do të vrapoja drejt këtij qyteti gjithë dritë, se është qyteti im për të cilin kam mall”,- dhe pa përtuar citoi vargje nga poema “Bagëti e Bujqësia” e Naim Frashërit “Kur e le qengji kopenë”, që u prit me duartrokitje të stuhishme. Pastaj për autoren ajo citoi poezinë “Drejtësia”. Vargje që përputheshin me jetën e saj personale dhe të autores. Ndaj sot në këtë gëzim, zonjën Drita Pelinku (Kripa) e përqafoj dhe i uroj suksese, jetë të gjatë Yllit që lindi në Vlorë dhe ndriçoi gjithë Shqipërinë dhe trevat ku ka shqiptarë.

Zonja Drita, mos kujtoni se Bashkia Vlorë ju ka bërë nder vetëm juve. Jo. Eshtë Vlora ajo që nderohet me një artiste si ju. Mirësinë që ju dhuroi Vlora, ju ia keni shpërblyer me artin tuaj të patjetërsueshëm dhe të përjetshëm.

Me respekt dhe dashuri !

Vilhelme, Fitim & familja Haxhiraj

Itali, 29.04.2010



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx