Kerko: a
Llesh Ndoj: A vlejnë ushtrimet demokratike përballë mendësive diktatoriale?
E marte, 24.06.2025, 04:50 PM
A VLEJNË USHTRIMET DEMOKRATIKE, PËRBALLË MENDËSIVE DIKTATORIALE?
Nga
Llesh NDOJ
1.
Demokracia,
pa as më të voglin dyshim, është sistemi më i mirë, i provuar për
qëndrueshmërinë e tij dhe i pazëvendësueshmëm, deri më sot të paktën, nga asnjë
sistem tjetër. Kjo, jo se plotëson pritshmëritë e çdo individi, për më tepër
tekat e secilit, por se është i pranuar nga shumica, rregullave të të cilit
duhet t’i nënshtrohen të gjithë dhe kjo e bën mekanizmin “50 përqind plus një”
një mekanizëm funksional e jetëgjatë. Edhe pse ky mekanizëm, apo parim,
ndërkohë ka pësuar transformime që e shmangin nga thelbi, apo e largojnë nga
demokracia e vërtetë, siç ishte ajo e “poliseve” të famshme të dikurshme, e ku
çdokush në moshë shprehej me votë, prap ai mbetet mekanizmi më i gjithëpranuar.
Realisht transformimet nga “50 përqind plus një” e së tërës, në “50 përqind
plus një” e pjesmarrësve, në shumë aspekte si në votime, në parlament, në
mbledhjet e forumeve vendimmarrëse, në referendume etj, nuk është mënyra më e
mirë për t’a mbajtur lart peshën e gjithëpranueshmërisë së këtij mekanizmi,
pasi dukshëm “është katandisur kokoshi në një thelë”, por prap ky mekanizëm
zbatohet kudo dhe “justifikohet” me faktin se pjesmarrja ose jo është vullnet i
patjetërsueshëm i individit, ndërsa nënshtrimi ndaj vullnetit të shumicës është
detyrim i secilit.
Ç’ndodh
praktikisht? Marrin pjesë në votime më pak se 50 përqind e zgjedhësve, fiton të
drejtën e qeverisjes partia që merr 50 përqind plus një të përfaqësuesve (jo të
pjesmarrësve në votime!), e kjo shumicë qeverisëse si më lart, i merr vendimet
edhe me 50 përqind plus një të votave të përfaqësuesve të saj! Thela vërtetë
katandiset keq, por… Më mirë do të ishte një pjesmarrje e detyrueshme e të
gjithë atyre që nesër do të kërkojnë shërbimet e qeveritarëve të zgjedhur nga
vota, që këta të kishin minimumi 50 përqind plus një vota në favor të tyre, por
ky është një ushtrim demokracie që kalon nëpër “litarin e ekulibrit”, që e lidh
atë me qeverisjet autoritare, apo diktaturat.
2.
Edhe
në komunizmin e pretenduar 50 - të vjeçar shqiptar, një sistem i njohur tashmë
gjërësisht për ushtimin e një diktature të gjithanëshme, zhvilloheshin disa
ushtrime gjasëm demokratike, por qëllimi i tyre ishte krejt tjetër, kryesisht
njohja e diferencimi i mëtejshëm i njerëzve e “pastrimi i radhëve” nga elementi
kundra apo armiqësor, siç quheshin atëhere, pa asnjë hezitim. Ligjërisht, nuk
ishe i detyruar të merrje pjesë në zgjedhje (në fakt në votime se për zgjedhje
as që bëhej fjalë!), por në se e bëje këtë, d.m.th nuk votoje, çdo mënyrë do të
sajohej që të të priste burgu. Kishte nga ata njerëz që në pragzgjedhjesh
“humbnin gjurmët” për disa ditë dhe e gjithë shoqëria, përfshirë edhe Sigurimin
e Shtetit, do të alarmoheshin derisa t’a gjenin atë ndërsa ai, si një rafinat i
vërtetë, nuk shprehej kundër pjesmarrjes, por nxirrte herë një nevojë për leje
pune për t’u larguar nga koperativa në ndërmarrjet shtetërore ku pagesa ishte
shumëfish më e lartë, herë nevojën për ndonjë bursë studimi, herë për t’ia
afruar djalin ushtar në ndonjë repart më të afërt, e të tjera kërkesa që do të
plotësoheshin nga pushtetarët e vegjël vetëm që fjala mos të shkonte tek
udhëheqësi se “s’bënte që ai të shqetësohej” për të tilla gjëra të vogla. 99,99
përqind ishte rezultati i pjesmarrjes në zgjedhje gjithnjë, e 99,99 përqind e
tyre kishin votuar pë …!
Formalisht
pranimi në koperativat bujqësore, si organizatë ekonomike kolektive, bëhej me
vullnetarizëm, por kush guxoi të kundërshtoje atë, u damkos keqas si kulak dhe
disa i priti edhe burgu. Formalisht këto organizime ekonomike ishin
demokratike, ku për gjithshka vendoste anëtarësia, por plani vinte nga lart dhe
… guxo e ndrysho po deshe, qoftë edhe një zë prej tij! Ligjet e vendimet e
mëdha, përfshirë edhe Kushtetutën e kohës, para se të merrnin duartrokitjet e
kukullave – deputetë në Kuvendin Popullor, diskutoheshin në mbledhjet e hapura
të popullit, por në se aty shprehje qoftë edhe dyshimin më të vogël ndaj
projektit e drejtësisë së programuar nga mendjet e ndritura lart, punën e
mëtejshme me ty e merrte në dorë Sigurimi i Shtetit. Rëndësi kishte të ruhej
fasada, sepse “themelet” i ruante tjetërkush.
3.
Sistemi
demokratik pluralist, është sistemi i gjithëpranuar, por edhe ky s’mund të
mbajë parasyshë plotësimin e çdo teke ndaj çdokujt. Le të ndalemi tek zgjedhjet
e administrimi i tyre, si shfaqja më e lehtë për t’u kuptuar pa hyrë në analiza
të thella. Njerëzit ftohen të votojnë, formalisht të lirë, si shfaqja më e
plotë e lirisë së shprehjes, por praktikisht nuk votojnë plotësisht të lirë.
Pse? Sepse diku mungon alternativa ose e mira e pëlqyer prej votuesit dhe
detyrohesh të zgjedhësh më të mirën e mundshme brenda “një menuje”, që shpesh
nuk është demokratike, apo detyrohesh të marrësh pjesë e të zgjedhësh për hatër
të një shoku, të një miku, shpesh edhe të partisë. Nuk përjashtohet as detyrimi
për të marr pjesë e zgjedhur atë që nuk e do, sepse je nëpunës shteti, apo
synon të integrohesh në ingranazhet e tij. Por ndryshimi, sidoqoftë, mbetet i
madh. Dje kishim ushtrime demokratike përballë diktaturës, sot kemi shfaqje
autoritare që vijnë përmes ushtrimeve demokratike. Megjithatë, edhe në
demokraci nuk eleminohen plotësisht diktatorët, këta njerëz të sëmurë që kapen
pas çdo lloji pushteti partiak e shtetëror dhe maskohen me ushtrime
demokratike. Tipiku prej tyre është Sali Berisha. Ai nuk ka patur as nuk ka
kurrë një mendësi demokratike, përveçse është mjeshtër t’i shesë idetë e
veprimet e tij si ushtrime demokracie duke i përdorur ato si maskë ndaj
qëllimeve të vërteta, kurdoherë të mbrapshta të tij. Ai nuk ka asnjë faj për
këtë, sepse “s’mund të ishte ndryshe”, por fajet i kemi ne, shoqëria shqiptare,
Partia Demokratike, shteti shqiptar, drejtësia shqiptare që nuk “i çjerrin”
këto maska shpejt për t’a çliruar atë, veten dhe shoqërinë prej mendësive të
tij përfundimisht, si mbetja më e plotë diktatoriale, ndoshta e vetmja akoma në
pushtet, aktualisht në Shqipëri. Historia e kësaj mendësie apo shfaqjeje maskë
është sa historia e tij politike, por s’ia vlen ndoshta t’a analizojmë atë në
të gjithë rrugëtimin e tij rreth 35 vjeçar.
Shkurt
vetëm dy momente:
-
qëndrimi ndaj zgjedhjeve,
-
qëndrimi ndaj drejtësisë.
Ndaj
zgjedhjeve ai është shumë i lexueshëm, sepse kur ka forcë u imponohet
zgjedhësve me çdo mënyrë, i manipulon rezultatet dhe manipulimin e tyre e
paraqet si vullnet të popullit, duke mos pranuar asnjë ushtrim demokratik për
verifikimin e këtij vullneti, ndërsa kur humb zgjedhjet, ai nuk i pranon ato,
anatemon këdo, kërcënon edhe të vetët dhe kërkon herë rinumërimin në të gjithë
Shqipërinë, e herë rivotimin, thjesht se ashtu do ai për të përmbushur orekset
e tij jodemokratike.
Por
a mund të mbetet Shqipëria, edhe pas 35 viteve, peng i tij? Rihapja e kutive të
votimit dhe rinumërimi, s’kam asnjë mëdyshje personalisht, është një ushtrim
demokratik në vetvete, por a vlejnë të tilla ushtrime përballë një mendësie
diktatoriale, siç është rasti i Berishës? Sipas meje, ato vlejnë aq sa vlente
diskutimi popullor i ligjeve, planeve e programeve në sistemin diktatorial
komunist. A duhen bërë të tilla ushtrime demokratike? Sigurisht që po, por jo
deri në shkallën e plotësimit të tekave të tij prej komunisti të pandreqshëm.
Organet kompetente duhet të shqyrtojnë me kujdes pretendimet dhe të vendosin
pro vetëm kur jemi përballë dyshimit të arësyeshëm, dyshim që duhet verifikuar
për t’a kthyer ose jo në fakt, dhe jo përballë çdo teke e çdo mekanizmi që ai
përdor duke e paraqitur apriori si fakt. Ai s’ka për t’i pranuar zgjedhjet
kurrë, veçse nëse rinumërimi e shpall atë “mbret” e sundimtar absolut të këtij
vendi, që i duket si “feudi” i trashëguar nga babai politik Ramiz Alia, të
cilit, i ngjanë fort, sidomos përsa i përket maskimit të qëllimeve të tij të
vërteta.
E
njejtë është edhe sjellja e tij përballë drejtësisë. E lëvdon asistemin e
organet e tij të pavarura dhe i pranon vendimet e tyre vetëm kur drejtësia i
gjenë “armiq” kundërshtarët e Berishës, i bullizon, ushtron presion të hapur e
të fshehur ndaj tyre, nuk i pranon vendimet, shpik mekanizma ekstra, duke
përdor paratë e vjedhura përmes pushtetit për t’i zvarritur e ndryshuar
vendimet, sa herë që ato, apo segmente të tyre “guxojnë” vetëm të mendojnë se
ndonjë gabim (faj jo e jo!) i përket Berishës. Por ndërsa kjo nuk përbën risi
të madhe dhe vjen plotësisht në përputhje me atë çfarë ai është, shqetësues
është qëndrimi i organeve të drejtësisë ndaj tij. Askush tjetër nuk do të ishte
jashtë qelive të burgut, thjesht nisur nga ato që vetë Berisha i ka pohuar, e
vazhdon t’i pohojë me fodullëk krenarie në çdo studio televizive, në takime e
mitingje, në Kuvendin e Shqipërisë e kudo, pa patur nevojë për asnjë hetim të
mëtejshëm. Ai vret e damkos të vrarët hapur, ai dhunon e bën fajtor të
dhunuarin (…fajin e kam unë, zoti gjyqtar! Polici vetëm sa e mbante shkopin e
gomës në dorë, e unë i bija atij me krye - kush mund t’a kujtoje këtë pjesë të
perifrazuar nga humori shqiptar!), ai kërcënon kundërshtarët e tij politikë
hapur dhe prokurorët e gjyqtarët po ashtu, deri me shpifje të ndyra, dhe thotë
se vetë ndjehet i kërcënuar për motive që s’i përkasin atij. Ai dhe enturazhi i
tij vjedhin hapur e me procedura e thonë “kapeni hajdutin”, duke drejtuar
gishtin nga të tjerët, ai dhunon institucionet, i djeg e shkatërron ato, hedh
bomba molotov, bën thirrje për armë e zjarr e (pa)drejtësia jonë e shtynë
gjykimin e tij në pafundësi drejt kalendave greke, përmes avokatëve më
politikanë se politikanët.
Natyrshëm
shtrohet pyetja: A vlejnë gjithë këto ushtrime demokratike përballë një njeriu
dictator, në gjithë qënien e tij?
4.
Është
tashmë e njohur sentenca, sipas së cilës, “drejtësia e vonuar është drejtësi e
munguar”. Kaluan plot 35 vite që mbajnë, në të shumtën e tyre, vulën e
mendësive e veprimeve diktatoriale të Berishës dhe ne akoma mundohemi t’i
dëshmojmë botës ushtrime demokracie, që s’kanë asnjë vlerë. Ndoshta një ditë ai
do të gjykohet e dënohet (ose të shpallet i pafajshëm), një ditë ai do t’na
“hiqet qafe” edhe nga Zoti, i cili nuk bën përjashtim as për diktatorë, as për
demokratë, por kush na e rikthen vonesën historike, humbjet në njerëz dhe
ekonomi që ai me veprimet e tij plotësisht të qëllimshme e dashakeqe i ka
shkaktuar e vazhdon t’i shkaktojë çdo ditë këtij vendi?
Organet
kompetente shtetërore, ato të administrimit zgjedhor dhe sidomos organet e
drejtësisë, duhet t’ia kursejnë vendit kohën e vlefshme e të mos bëjnë “lojëra
demokratike” vetëm për t’i bërë qefin një diktatori të llastuar nga jeta.
Askush nuk i thotë vetes diktator! Nuk e bëri këtë as Stalini, as Enver Hoxha.
Ramizi jo e jo! Nuk e bën sot as Putini, që pretendon se nuk ulet me
Presidentin Zelensky se ai “nuk ka mandat demokratik”, ndërsa sulmon me çdo
mjet për t’a pushtuar e aneksuar Ukrainën. Nuk e bën këtë as Khamenei në Iran,
që i trumbeton botës, se më do populli im dhe fsheh prej saj prodhimin e armëve
të shfarosjes në masë. Natyrisht që edhe veprimet e Natanyahu - t dhe Trump -
it në Iran e Palestinë nuk janë “ushtrime demokratike”, por përballë
diktatorëve dhe diktaturave edhe veprime jo shumë demokratike janë të
justifikuara, ndërsa e anasjellta kurrsesi jo!
Lezhë, më 23 qershor
2025