Kerko: a
Thanas L. Gjika: Metoda dhe stili shkencor i Ilir Ikonomit
E enjte, 12.06.2025, 06:56 PM
METODA DHE STILI SHKENCOR I ILIR IKONOMIT
Vlerësime për biografinë FAN NOLI - REBELI
(1920-1924)
Nga Thanas
L. Gjika
Ilir Ikonomi, me veprat e tij botuar këto dy dhjetvjeçarët e fundit është bërë
historiani që lexohet me më shumë ëndje se autorët e tjerë shqiptarë, që
botojnë studime historike dhe biografi personalitetesh të së kaluarës. Disa
muaj më parë ai botoi vëllimin e dytë të biografisë kushtuar Fan Nolit,
"Fan Noli – Rebeli (1920-1924)". Ky libër është një sukses i ri e shumë i
rëndësishëm i krijimtarisë së tij shkencore. Aty përshkruhen ngjarjet intensive
të viteve më aktive të jetës së Nolit. Arritjet e këtij libri i ka përshëndetur
në PARATHËNIE profesori i mirënjohur Nicolas C. Pano dhe shumë lexues nëpër
promovime të shumta. Mund të them se me këtë libër Ikonomi ka shënuar apogjeun
e punës së tij deri sot si historian.
Për të zbuluar se ku qëndron sekreti i
suksesit të Ikonomit si autor biografish do të përpiqem të sjell tiparet e
veçanta të këtij studiuesi lidhur me metodën shkencore objektive dhe me stilin
individual si e parashtron ai lëndën e bollshme.
Veprat historike, ku bëjnë pjesë dhe biografitë, që u kushtohen jetës
e bëmave të personaliteteve historike, janë vepra me karakter ideologjik. Në
këto vepra zbatimi i metodës historike kërkon që autorët ta shprehin vlerësimin
e tyre ideor ndaj ngjarjeve që përshkruajnë në mënyrë objektive, në përputhje
me ligjet e zhvillimit politik shoqëror dhe ekonomik dhe larg politizimit.
Përjashtim bëjnë vetëm ato vepra historike ku përmblidhen dokumente mbi jetën e
një personaliti historik, mbi një ngjarje ose periudhë historike, si dhe veprat
bibliografike, ku renditen tituj shkrimesh, veprash e ngjarjesh. Në këto dy
lloj veprash autori e shpreh vlerësimin e vet ideor jo brenda në tekst, por në
shënimet sqaruese në fund të faqeve, ose në fund të krejt tekstit. Këtë lloj
metode kanë zbatuar dhe zbatojnë historianët që kanë jetuar e jetojnë në vende
të lira demokratike.
Kurse në historiografinë shqiptare, që u
zhvillua gjatë diktaturës komuniste, autorët e veprave historike ishin të
detyruar ta zbatonin metodën shkencore në mënyrë të shtrembëruar . Ata duhej ta
shprehnin sa më qartë e sa më gjerë vlerësimin e tyre ideor ndaj ngjarjeve dhe
bëmave të heronjve që trajtonin, në përputhje me "mësimet e diktatorit e
të partisë shtet". Zbatimi i shtrembëruar i metodës historike shpinte në
krijimin e veprave të politizuara, ku shkeleshin me të dy këmbët ligjet e
zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik të shoqërisë. Politizimi i metodës
historike zbatohej me detyrim nga lart për të injektuar tek lexuesit
ideologjinë komuniste.
Për më keq akoma historianët shqiptarë të
asaj kohe nuk lejoheshin të kryenin kërkime dokumentash në arkivat e huaja dhe
në shtypin e huaj.
Mbas ndërrimit të regjimit kjo metodë u
konsiderua me të drejtë e vjetëruar bashkë me veprat ku ajo ishte zbatuar.
Studiuesit u përpoqën, kush më shumë e kush më pak, të evoluonin, të
çliroheshin nga politizimi dhe të jepnin në studimet e tyre vlerësime të lira
ideore, sipas formimit të tyre botëkuptimor. Koha solli, si në gjithë fushat e
tjera edhe në studimet historike, studiues të rinj, të cilët po ndjekin metodën
objektive, larg politizimit.
Ilir Ikonomi ka pasur fatin të punonte mbas
ndërrimit të regjimit për shumë vjet si gazetar në VOA (Zëri i Amerikës), ku
parimi kryesor ka qenë dhe është: gazetari të informojë dëgjuesit / shikuesit
me lajme mbi ngjarje të vërteta që ndodhin dhe që kanë rëndësi për jetën shoqërore,
pa bërë shtrembërime dhe pa dhënë vlerësime të politizuara.
Pikërisht ky parim i përvetësuar mirë prej
Ikonomit e ndihmoi atë, që kur debutoi në fushën e historisë, të renditë
ngjarje e fakte të vërteta duke dhënë sa më shkurt vlerësimet e veta personale
në përputhje me botëkuptimin e tij të lirë e demokratik. Këtij tipari të
rëndësishëm metodik më duhet t'i shtoj dhe këmbënguljen për shfrytëzimin e
shtypit shqiptar e të huaj, për shfrytëzimin e arkivave shqiptare dhe të huaja,
si dhe të kujtimeve të bashkëpunëtorëve të heronjve. Në këtë drejtim atë e ka
ndihmuar shumë njohja e gjuhëve të huaja, në të cilat janë shkruar dokumentat,
artikujt, etj.
Pra metoda historike që zbaton Ikonomi në
veprat e tij është metoda shkencore objektive, sipas së cilës autori i paraqit
ngjarjet, faktet, mendimet, bisedat dhe bëmat e heroit të veprës e të
bashkëkohësve të tij me objektivitet, në përputhje me ligjet e zhvillimit
politik, shoqëror dhe ekonomik, larg ideologjizimit dhe politizimit të tyre.
Që në parathënien e vet ai sqaron:
"Nuk
ka qenë detyra ime të ngre njërën pjesë [palë - Th. Gj.] e të e ul tjetrën, por
t'i përshkruaj të gjithë me drejtpeshim dhe realizëm" (f. XIII)". Pra me objektivitet,
larg politizimit.
Autori nuk nguron të vërë në dukje si
trimëritë dhe gabimet e heroit, por dhe vlerat e kundërshtarëve të tij. I
përmend si fakte pa shprehur vlerësimin e vet ideor ndaj vendimeve të
Kryeministrit Sulejman Delvina e të Regjentit Sotir Paci, të cilët ngulën këmbë
që të mos lejohej Noli të hynte në Shqipëri në korrik 1920, meqenëse ishte një
peshkop i shpallur në rrugë rebele e jo kanonike.
Po kështu, kur kundër tyre u shpreh Ahmet
Zogu, ministër i Brendshëm, i cili ia vlerësonte aftësitë Nolit dhe kërkoi që
Noli të zgjidhej ministër i Jashtëm më 1921, Ikonomi vetëm e vë në dukje këtë
fakt pa shprehur vlerësimin e tij për të. Në vitet 1923-1924, kur Noli e
shpalli dhe e luftoi Ahmet Zogun armik të përbetuar, dhe nguli këmbë që ai të
largohej patjetër nga atdheu; Ikonomi e kritikon indirekt heroin e tij duke ia
kujtuar se Ahmet beu kishte qenë politikani që e kishte vlerësuar më shumë se
të tjerët, por nuk ndalet për të dhënë vlerësimin e tij ndaj këtij qëndrimi të
Nolit.
Edhe në rastin kur Luigj Gurakuqi doli kundër
propozimit për ta zgjedhur Nolin kryeministër më 16 qershor 1924, çështje që u
zgjidh me lotari, Ikonomi nuk jep mendimet e veta për ta kritikuar qëndrimin e
Gurakuqit, bashkëpunëtorit të afërt të Nolit.
Në fillim të qershorit 1924, kur gjithë
anëtarët e qeverisë të trembur nga marshimi i forcave revolucionare drejt
Tiranës ikën jashtë atdheut më 7- 8 qershor, vetëm Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë
deri më 10 qershor me 200 trimat e tij. Autori nuk komenton, por nuk rri pa e
quajtur këtë akt të kundërshtarit të Nolit, "akt trimërie".
Ka raste kur vlerësimin e një atdhetari të
shquar shqiptar, si ka qenë Elez Isufi, që ra heroikisht në luftimet për të
zbrapsur mësymjen e forcave të Ahmet Zogut në Peshkopi gjatë dhjetorit 1924,
autori e le në penën e ambasadorit anglez, Harry Eyers: "Figura më e shquar e Shqipërisë sot"
(f. 382).
Përmenden një nga një vendimet dhe gjykimet
pro dhe kundër ndaj veprimeve e gjykimeve të Nolit, të dhëna prej ambabsadorëve
të huaj britalikë, italianë, amerikanë, etj dhe prej gazetarëve të ndryshëm,
por ndaj tyre autori nuk shpreh vlerësimin e tij, nëse ai i gjykon si të mira,
apo të gabuara.
Ndërkohë autori ka renditur momente e bëma të
shquara të Nolit në Lidhjen e Kombeve më 1920, kur me aftësitë e tij bëri për
vete Lordin anglez Robert Cecil dhe Shqipëria u pranua më 17 dhjetor 1920
anëtare e Lidhjes. Për këtë arsye pranimin e Shqipërisë anëtare në Lidhjen e
Kombeve, autori ia njeh si meritë Nolit, pa e shoqëruar me ndonjë koment. Ka
analizuar fjalimet historike të Nolit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 1923,
fjalimin e tij tek vari i Avni Rustemit, etj; dhe ka përmendur se këto ishin
bëma të guximshme, por nuk është ndalur për t'i vlerësuar me fjali e paragrafë
lavdërues. Vlerësimin e tyre ia ka lënë lexuesit. Në fund të librit ka
riprodhuar të plota tri fjalimet më të rëndësishme të Nolit në mënyrë që
lexuesi të krijojë përshtypjen e vet sa më të plotë për to.
Edhe pasi ka treguar intervistën e Nolit
dhënë gazetës serbe "Vreme", ku heroi shpalos me guxim të vërtetat
historike mbi ndarjen e padrejtë të kufijve të shtetit të ri shqiptar, ku u
përfshinë më pak se gjysma e trojeve historike shqiptare, historiani nuk ndalet
për ta hymnizuar Nolin.
Vlen të përmend se Ikonomi jo rallë është dhe
kritik ndaj veprimeve dhe mendimeve të haroit. Ai e pranon krahasimin që i bëri
Noli dhe shtypi italian marshimit të forcave shqiptare revolucionare nga Vlora
në Tiranë me marshimin e forcave të Musolinit drejt Romës, por nuk la pa thënë
se marshimi i forcave italiane ishte paqësor, në saje të veprimit të Mbretit
Emanuel i III-të, kurse marshimi i forcave shqiptare shkaktoi rreth 200
viktima.
Kur Noli më
17 qershor njoftoi qeveritë e huaja se krijoi një "qeveri
liberale, përfaqësuese të aspiratave të vërteta të popullit shqiptar drejt
demokracisë",
autori shton se qeveria e tij ishte "laramane e përbërë nga demokratë, ushtarakë dhe
bejlerë". Më
tej nënkapitullin pasardhës autori e titullon: NJË
QEVERI LEGJITIME?, ku, duke
vendosur pikëpyetjen, le të nënkuptohet se qeveria e Nolit nuk ishte legjitime.
Këtë mendim ai e shtjellon më tej duke sjellë fakte konkrete, si mosmarrja e
votëbesimit të kabinetit sipas statutit, i cili përcaktonte se çdo qeveri e re
duhej të dilte para Asamblesë brenda tri ditësh mbas formimit të saj; se
përndryshe ajo do të ishte thjesht qeveri e përkohëshme. Legjimilitetin ia
dobësonte qeverisë së Nolit, shton autori, edhe fakti se ajo erdhi në fuqi me
ndihmën e ushtrisë, gjë që e ndërlikonte njohjen e saj prej shteteve të huaja.
Qeveria e Nolit nuk u betua as formalisht para regjentit të vetëm, Sotir Pecit,
shton autori, për ta qartësuar gabimin e Nolit, por gjithnjë pa shtuar sqarime
e komente.
Kur çështja
e reformës agrare, të cilën Noli e pati shpallur në programin ambicioz të
qeverisë së tij, u katandis në reformë që do të ndante vetëm tokat e pronave
shtetërore për tu dhënë tokë vetëm fshatarëve që jetonin në pronat e shtetit,
autori mban qëndrim kritik duke e quajtur: REFORME
AGRARE?, shoqëruar
po me pikëpyetjen e mosbesimit.
Në datat
24-25 dhjetor 1924, kur Noli me pjesëtarët e qeverisë së tij ishte larguar nga
Tirana e ishte vendosur në Vlorë, lëshoi një urdhër drejtuar forcave të
armatosura qeveritare që të organizonin ndaljen e forcave mercenare të Ahmet
Zogut për të mos kaluar poshte lumit Shkumbin. Mirëpo forcat qeveritare nuk
mund t'i bindeshin këtij urdhësi sepse ato ishin shpartalluar e kishin
dezertuar. Ikonomi, për të treguar se qeveria e Nolit kishte marrë fund, dhe se
një vendim i tillë ishte jashtë kohës, e emëron nënkapitullin: NJË QEVERI IMAGJINARE.
Ikonomi nuk
le pa e shtruar dhe problemin se si duhet quajtur lëvizja e armatosur e
qershorit 1924, dhe se mbi kë binte përgjegjësia e dështimit të saj. Ai e jep
konkluzionin e vet shumë shkurt në fund të librit tek PASTHENIA:
"Noli
i ka njohur vetes disa të meta të karakterit, si "pazotësi për
intriga", apo
"besnikëri absurde ndaj njerëzish të pabesë dhe të korruptuar". Ai
është ankuar se një faj të madh patën bashkëpunëtorët e tij. Edhe pse, nga
pikëpamja intelektuale, bashkëpunëtorët e Nolit mund të mos ishin në nivelin e
tij, ai ishte vendimmarrësi kryesor dhe mbante përgjegjësinë më të madhe për
punët e vendit.
Disa priren t'i quajnë
ngjarjet e qershorit revolucion,
ashtu siç i ka përshkruar vetë Noli. Këtë term e përdornin edhe një pjesë e
vëzhguesve dhe diplomatëve të huaj të asaj kohe në Shqipëri, por kryesisht në
kuptimin e rebelimeve që zëvendësonin njërin klan me një tjetër në pushtet. Të
tjerë kanë zgjedhur gjithnjë e më shumë termin më të paanshëm kryengritje.
Preferenca e
historiografisë komuniste ishte ta legjitimonte atë lëvizje si revolucion, një
përcaktim i cili nuk qe rrjedhojë e një përfundimi shkencor, por ideologjik.
Qartazi, dëshira e tyre ishte ta paraqisnin lëvizjen si një luftë klasash, që
duhej të përfundonte me fitoren e njërës dhe zhdukjen përfundimtare të tjetrës,
nën shembullin e bolshevikëve në Rusi.
Pyetja e provës që vlen të
shtrohet është: A sollën ngjarjet e qershorit 1924 ndryshime të tilla që të
linin gjurmë në shoqërinë shqiptare, apo ishin thjesht një rebelim ushtarak, i shoqëruar
me një ndryshim të përkohshëm pushteti? A e zgjidhën ato pronësinë mbi tokën,
problemin më të mprehtë shoqëror me të cilin përballej Shqipëria e varfër e
asaj kohe? A e reformuan ato sistemin gjyqësor dhe atë legjislativ?
Siç mund të kuptohet nga
faktet e paraqitura në këtë libër, fjala revolucion do të ishte e ekzagjeruar
për lëvizjen e qershorit, nëse marrim si pikë referimi përmbysjet që kishin
bërë epokë, si ato në Francë, Amerikë, Rusi ose gjetkë. (f.
385-386)
* * *
Lidhur me stilin e të shkruarit, Ikonomi
shquhet edhe në këtë libër për individualitet të këndshëm e tërheqës me rrëfim
të rrjedhshëm dhe dinamik të ngjarjeve. Shumë ndodhi jepen nga disa kënde
vëzhgimi, si në filma ku përdoren disa kamera për xhirimin e të njëjtit episod.
Për të njëjtat ngjarje jepen radhazi opinionet dhe vlerësimet e pjesëmarrësve
në ngjarje, opinionet e ambasadorëve të huaj, anglez, italian, amerikan, etj
dhe të ambasadorëve shqiptarë në Londër e Romë, dhe të kryetarit të Federatës
Vatra, Faik Konica.
Ikonomi është i pari autor biografish, i cili për ta dhënë
sa më të gjallë atmosferën
emocionale dhe kushtet në të cilat
zhvilloheshin ngjarjet, përdor në mjaft
raste riprodhimin e dialogjeve që janë zhvilluar
midis personave historikë . Pra ai nuk i
përmbledh
me fjalët e
veta mendimet e diskutantëve, por i jep drejtpërdrejt
si janë zhvilluar
bisedat, pa përdorur epitete
fyese a lavderuese, dhe pa dhënë opinionin e tij me fjali të gjata e
paragrafë. Ai ia le lexuesit të gjykojë
për ta bërë atë më aktiv gjatë leximit të veprës.
Në rastet
kur nuk ka gjetur të botuar ose të ruajtur në arkivat e ndryshme dokumentin
përkatës ku duhej të ishte përshkruar kjo ose ajo ngjarje, si ka qenë rastii i
takimit të Nolit me ambasadorin sovjetik në Romë më 11 ose 12 tetor 1924, dhe
nënshkrimi i agrimentit me firmën e Nolit për lidhjen e marrëdhënieve midis
Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, Ikonomi e pranon në mënyrë hipotetike se
mund të jetë kryer ky veprim si shkruanin gazetat e huaja, edhe pse ai nuk ka
mundur ta verifikojë për mungesë dokumentacioni në Arkivin e Shtetit Shqiptar
dhe në kolanën e botimit të dokumenteve ruse.
Për të shuar kureshtjen e lexuesve ndaj
paraqitjes fizike të personave historikë që marrin pjesë në ngjarjet, autori ka
dhënë për disa prej tyre përshkrimin fizik, gjeste veprimi, etj, si ndodh në
veprat letrare. Kështu lexuesi krijon në imagjinatën e tij "trupin
elegant" dhe veshjen korrekte të Ahmet Zogut, ose pamjen prej
"trashaluqi e barkmadhi" të Nolit, i cili kur erdhi në Shqipëri në
vitin 1920 ishte 60 kilogram dhe kur u largua në fund të dhjetorit 1924 ishte
90 kg, nga trajtimi i mirë, sqaron autori, gjatë atyre 4 vjetve si delegat në
Lidhjen e Kombeve, si deputet i parlamentit shqiptar dhe si kryeministër i
Shqipërisë.
Pjesë përbërëse e stilit të një vepre
shkencore, ose letrare, është dhe ndërtimi kompozicional i saj. Lënda e këtij
vëllimi është ndarë në tre kapituj dhe secili prej tyre në shumë nënkapituj.
Kjo ndarje është plotësisht në funksion të rrëfimit dhe zbërthimit të ngjarjeve
të ngjeshura që përshkruhen.
Si përfundim them se metoda historike
objektive dhe stili individual tërheqës të përdorur prej I. Ikonomit në këtë
vëllim, shquhen në krahasim me librat e tjerë të tij. Ky vëllim është model i
një kryevepre, që vlen të ndiqet prej studiuesve dhe biografëve të tjerë gjatë
hartimit të veprave të tyre.
Uroj që vëllimi i tretë, e i fundit i biografisë kushtuar Nolit, ku autori do të shpalosë ngjajret e viteve 1925-1965, të realizohet në nivelin e vëllimit të dytë, në mos në nivel dhe më të lartë!