Kerko: a
Visar Zhiti: Njerëz të bukur dhe një libër në Katedrale
E marte, 10.06.2025, 06:56 PM
NJERËZ TË BUKUR
DHE
NJË LIBËR NË KATEDRALE…
Nga
Visar Zhiti
E
lexoj sërish mesazhin: “…të shtunën e
kaluar isha në Shqipëri dhe… mora romanin Tuaj në Shkodër. Mezi pres ta lexoj.
Bëra edhe një foto në katedrale enkas për Ju…”
Mbaroi
Panairi i Librit në Katedralen e Shkodrës, i pari dhe i veçantë, ndërkaq më
vjen mirë që ishin dhe libra të mi dhe që më shkruajnë, më duket si një ndodhi
e dalë nga fletët e romanit tim a do të futet në ndonjë libër të ardhshëm, mund
të mos jetë imi…
Njeri
i letrave është ai që më shkruante, Albert Bikaj, kam dëshirë ta takoj, i kam
lexuar shkrime, ka vëmendje dhe mendim dhe mirësi apostolike, do të thosha.
-
Lexoje këtë djalë, - më kishte Eda ime dikur, - është nga Mali i Zi, ka moshën
e djalit tonë.
Edhe
në romanin tim “Në kohën e britmës” ka një personazh nga Mali i Zi, është poeti
i njohur në Ballkan, Jevrem Bërkoviq, karakter, kam nje ngjarje interesante me
atë, më saktë me librat e tij në Shqipërinë diktatoriale, një udhëtim
haluçinant nëpër natë për nê shtëpinë e Lazër Radit në internin, që të na i
përkthente ato libra si prizrenas qe ishte dhe i dinte ato gjuhë andej,
pastaj
une do te shkoja dhe në Podgoricë më pas, do ta takoja poetin hijerëndë, me madhështi
ballkanasi, do të mê tregonte dhe vendin para shtëpisë së tij, ku i kishin bërë
atentat
dhe
vranë shoferin, etj, etj.
Nga
Podgirica kishte ardhur dhe Albert Bikaj në Shkodër, për të parë dhe Panairin e
Librit dhe kishte gjetur dhe romanin tim.
Doja
ta lexonte edhe për atë veçanti. Unë e dija tashmë kush ishte ai, Edës time i
kishte folur një mikja e saj, Merita, Alberti kishte moshën e djalit tonë,
Atjonit dhe unë e lexoja tashmë atë me ëndje, një nga zërat e rinj dhe aktivë
të krahut konservator dhe akademik në rajonin e Malit të Zi, i edukuar mes
universiteteve kroate dhe malazeze, me themele të forta intelektuale të
figurave me rëndësi si Scruton, Chesterton dhe Ratzinger. Tradita, identiteti
kombëtar dhe kritika ndaj liberalizmit ekonomik janë në qendër të veprimtarisë
së tij. Më është dukur i angazhuar mes akademisë dhe politikës praktike.
Përkthimet e tij filozofike, teologjike kanë një shqipe të kultivuar,
dinjitoze, do të thosha.
Dhe
ai më dërgon mua imazhin e romanit “Në kohën e britmës” në Katedralen e
Shkodrës. Më prek domethënia dhe edhe tronditem. Kujtoj kur isha student në
Shkodër dhe ajo Katedrale, - më e madhja në Ballkan, na thoshin, - ishte
shndërruar në pallat sporti. Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë si vendi i
parê ateist në botë, tempujt e fesë ishin shembur, i kishin bërë magazina, depo
armësh për ushtrinë, kinema, pallat sporti, etj, qenë dënuar klerikë dhe me pushkatim, kurse në burg më
pas unë do të njihesha me priftërinj të Katedrales, do të miqësohesha, do të
mësoja të adhuroja Krishtin si të ishte dhe ai në burg me ne, shpresë e ndaluar
dhe dritë e ndaluar…
Në
Katedralen/pallat sporti na çonin ne, studentëve, të zhvillonim orën e
fizkulturës atje, diçka ndjenim, i ngjante dhunës, blasfemisë, mëkatit, pa e
patur fort të qarte, mbase e harronim shpejt si revolucionarë të paditur në një
atdhe të mbyllur si burg.
Kujtoj
që nuk guxonim të shihnim gjatë andej në largësi të liqenit se ishte Mali i Zi,
pas maleve vinte Jugosllavia titiste, armiq të Shqipërisë socialiste, mos shiko
andej, se konsideroget si tentativë për arratisje dhe në burg kishim vërtet
bashkëvuajtës që i kishin kapur në kufi,
donin të kalonin lumin Buna, u kishin zbrazur automatikun ushtaret e kufirit,
kishin përgjakur ujërat. Më shumë se sa hënën netëve, kujtoj prozhektorin që
hidhte fasho dritash mbi liqen për të kontrolluar se po arratiseshin me varka a
not dhe vërtet kam takuar në SHBA që ashtu e kishin kaluar kufirin, përmes
vdekjes…
Por
mjaftojnë mesazhet e të riut Albert Bikaj nga Mali i Zi që të sfidohet dhe
brenda meje e gjithë ajo e kaluar e pabesueshme, infernale, me traumat që
kalojnë dhe në librat tanë…
Alberti
është bërë baba, ka një vogëlushe të bukur si kukull, si engjëll. Të shoqen e
tij, më duket se dhe para Albertit vetë, Eda ime ndodhi që u njoh me atë në
Tiranë, prej Kristales në Prishtinë, eh, bota është e vogël, më thirri dhe mua
në atë takim për ca fotografi artistike, që ende i ruajmë, bashkë me mbresën e
së bukurës, që la pas…
Kam
ngazëllimin e besimit se gjeneratar e reja që kanë ardhur, janë gjithnjë e më
të mira, me të rinj e të reja te mrekullueshëm, që shkëlqejnë prej mirësisë dhe
dijes dhe dashurisë.
Ja,
familja e re e Albertit…
Dhe
më duket se më shumë ndodhi e befasira dhe estetikë drithërimash gjejmë jashtë
romaneve se sa brenda fletëve të tyre.
Për
të gjitha këto që e ndjeva t’i thosha, shkak u bë ai libër në Katedrale!