Mendime
Florim Zeqa: Avni Dehari drejt librit të Gines-it!
E shtune, 17.05.2025, 02:06 PM
Avni Dehari drejt librit të Gines-it!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pavarësisht
faktit, se kur dhe si do të zgjidhet ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës,
kryesuesi i 16 seancave të deritanishme, z. Avni Dehari mbetet personazhi
kryesor i këtij dështimi të madh! Jo pse ai është shkaktari, por pse është
protagonisti kryesor i hapjes dhe mbylljes së të gjitha seancave të
deritanishme!
Rregulla e konstituimit të Kuvendit
Zgjedhjet
e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në
Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Mirëpo, lideret partiak i baltosën
zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Siq
dihet, sipas ligjit seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në
moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.
Ligjet
nuk parashohin që gjatë seancës nuk mund të ketë debat.
Partia
e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të
Kuvendit, kurse nënkryetarët propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga
komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.
Seanca
konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit
dhe nënkryetarëve.
Injorimi i trashëgimtares së familjes Jashari
Pra,
sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe të aktit më lartë ligjor në vend,
kryesues të seancës së parë konstituive janë deputeti më i vjetër dhe më i riu
në moshë, por deri më tani është injoruar deputetja më e re!
Të
gjithë jemi dëshmitarë për vështirësitë e drejtimit të seancës së parë nga
deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, dhe po ashtu të gjithë jemi
dëshmitarë se edhe përkundër drejtimit të 16 seancave, Avni Dehari nuk e ka
arritur përvojën në drejtimin e seancave!
Ka
mbetur që ta drejtojë deputeti më i vjetër, në shenjë respekti dhe për faktin
se askush nuk e ka imagjinuar bllokimin e punës së Kuvendit në fazën
fillestare. Prandaj edhe e kemi këtë paradoks të drejtimit 16 radhazi të
seancës konstituive nga i njëjti person!
Por,
do të ishte e udhës, që së paku një nga 16 seancat e deritanishme t'i ipej
rasti edhe deputetes më të re, Sala Jashari që të drejtojë Kuvendin, në shenjë
respekti për familjen e saj emblematike!
Sala
Jashari është një prej më të votuarve në listën e 110 kandidatëve për deputetë
nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës!
Numri
i votave të Sales nuk paraqet kurrfarë relevance sa i përket drejtimit të
seancës.
Janë
tri çështje më të rëndësishme që duhej të preknin ndërgjegjën e Avni Deharit
dhe të drejtuesve të LVV-së; mosha, aspekti gjinor dhe trashëgimia familjare,
për t'ia lënë pak hapësirë edhe deputetes më të re që të bëjë pak përvojë në
drejtimin e seancave të Kuvendit!
Kjo,
përveqse mungesë respekti ndaj familjes Jashari, paraqet edhe mungesë besimi
ndaj kandidates së rivalit politik, e cila nuk mund të bënte diçka më shumë apo
më pak se Avni Dehari në drejtimin e seancave të Kuvendit.
Sala
Jashari nga Prekazi është trashëgimtare e familjes Jashari. Ajo trashëgon emrin
e gjyshes së saj, Salë Jasharit, Sala e cila kishte mbetur e vdekur bashkë me
58 anëtarët tjerë të Familjes së Adem Jasharit!
Drejtim
i 16 seancave nga i Avni Dehari, pa i dhënë rastin së paku një herë shoqërueses
së tij, e dëshmon mentalitetin primitiv të shqiptarëve, kur një herë hypin në
'fron' e kanë të vështirë të heqin dorë derisa t'u skadoj afati ligjor!
Si
do që të jetë, deputeti Avni Dehari, apo babai i dështimeve të Kuvendit, tashmë
ka hyrë në historinë e jetës parlamentare në Kosovë, si drejtuesi provizor që
ka qëndruar më së gjati në karrigën e kryesuesit të Kuvendit! Mbase mund ta
ketë rast edhe për të hyrë në Librin e Rekordeve Botërore-Gines! Nuk i dihet,
pasi 'telenovela' e seancave të Kuvendit po vazhdon në pambarim!
Florim Zeqa, 16 Maj 2025