Mendime
Florim Zeqa: A është i mundur rikthimi i filozofisë politike rugoviane në LDK?!
E marte, 13.05.2025, 06:53 PM
A është i mundur rikthimi i filozofisë politike rugoviane në LDK?!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova, për të mos thënë e
paarritshme, është vështirësuar tejë mase mundësia për ta rikthyer LDK-në në
zonjë të parë të skenës politike, me vlera e parime të shëndosha siq ishte në
vitet e '90-ta!
Bashkimi i elektoratit rugovian duhet të fillojë nga
ndarja e parë deri tek kjo e fundit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Sikurse
për çdo materje tjetër fizike e ndarë, bashkimi i pjesëve të së cilës bëhet
pikërisht në pikën e ndarjes me qëllim të ruajtjes së formës dhe përmbajtjës së
saj, edhe bashkimi i LDK-së pas ndarjes fatale të vitit 2006, duhet të ndodhë
nga pika e ndarjes, jo për të kënaqur apo thyer egon dhe epshet karrieriste të
askujt, por, pse rrethanat aktuale politike në Kosovë, dhe sidomos këto brenda
LDK-së na imponojmë të provojmë të bëhemi bashkë edhe një herë si në kohën e
liderit historik Ibrahim Rugova.
LDK-ja
u nda dhe u fragmentizua disa herë nga ajo kohë deri më sot. Secili grupim i
ndarë politik thirret në vahzdimësinë rugoviane, por asnjëri prej tyre nuk e
përfaqëson filozofinë politike rugoviane!
Koalicionet
e panatyrshme dhe pazaret politike për poste ministrore e kanë dëmtuar në
vijimësi LDK-në, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha me kontrabandimin e
vullnetit të lirë të votuesve dhe dhunimin e demokracisë së brendshme partiake.
Në
përgjigjen time titullit të këtij shkrimi, e themë me optimizëm, se elektorati
mund të ribashkohet vetëm duke i lënë mënjanë të gjitha mëritë (inatet) me
njëri-tjetrin, duke i lënë mënjanë interesat personale për hirë të bashkombasve
tonë në Kosovë dhe Diasporë, të cilët s'u ndalen asnjëherë së vepruari për një
Kosovë të lirë dhe sovrane, për një shtet demokratik dhe të barabartë për të
gjithë qytetarët e saj.
Fundja
këtë e kemi për obligim ta bëjmë edhe në emër të përpjekjeve shekullore për
liri, të sakrificave sublime për çlirim, në emër të gjakut të dëshmorëve dhe
veprimtarëve të shumtë të LDK-së, që ranë dëshmorë për kauzën e çlirimit dhe
pavarësimit të vendit nga pushtuesit serb.
Periudha
e vështirë postrugoviane në LDK po na përcjellë edhe 19 vjet pas shkuarjes në
amshim të liderit historik të LDK-së, hyjnorit Rugovë. Ndarja dhe përçarja e
elektoratit rugovian në Kuvendin e VI-të zgjedhor, ishte produkt i investimeve
të gjata jo vetëm për ta ndarë, por edhe për ta dëmtuar të ardhmen e gjatë të
saj.
Tani
është momenti i fundit të ndahemi nga e keqja, nga katandisja e vlerave
rugoviane në LDK, duke u bërë bashkë në partinë-lëvizje për shtetin e Kosovës,
ashtu siq ishim në vitet e '90-ta, duke i larguar nga LDK-ja puçistët,
uzurpatorët dhe mercenarët si dhe për t'i zhbërë një herë e mirë grupet e
interesit dhe matrapazët politikë brenda partisë shtetformuese.
Rugovizmi filozofi dhe ADN politike e
shqiptarëve të Kosovës
I
motivuar nga titulli i shkrimit, u ktheva në kohë 35 vite më parë, në vitet e
krenarisë kombëtare, në aktivitetet atdhetare kur e parapëlqeja të më quanin
'ushtar i lirisë' në vend të postit politik që mbaja asokohe (anëtarë i
kryesisë dhe nënkryetar) në Degën e Forumit Rinor të LDK-së në Klinë.
Asnjëherë
në jetën time nuk kam vrapuar pas posteve dhe privilegjeve. Kam vepruar çdo
herë dhe do të veprojë edhe në të ardhmen për të mirën e popullit dhe atdheut
tim të shenjt.
I
kam shërbyer çështjes kombëtare dhe lirisë së atdheut tim, këtë do ta bëjë deri
në frymën e fundit, varësisht prej rrethanava dhe vullnetit të (qytetarëve)
bashkatdhetarëve.
Me
bashkimin e fuqisë së shëndoshë intelektuale, akademike të themeltarëve të asaj
kohe dhe me idetë kreative dhe fuqinë politike të ditëve të sotme, duke i
larguar një herë përgjithmonë uzurpatorët e vlerave rugoviane, të atyre që
LDK-në nga një parti të besës e kthyen në pabesi dhe zhgënjim të përgjithshëm
shoqëror të vendit tonë.
Jam
ndër të paktët analist dhe gazetarë që ende mendojnë për ta ruajtur
vazhdimësinë rugovine në LDK, por, çdo ditë e më shumë po mbetëm zë i vetmuar,
pasi të tjerët që moti janë larguar prej saj dhe janë rreshtuar nëpër subjekte
të tjera politike.
Edhe
nëse mbetëm i vetëm, do të vazhdoj rrugëtimin tim në mbështetje të ADN-së
politike kosovare, përkatësisht të filozofisë politike rugoviane.
LDK
edhe përkundër deformimeve dhe devijimeve të brendshme, mbetet i vetmi burim i
pastër politik në këto tre dekadat e fundit.
Me
ndihmën e Zotit dhe qytetarëve (bashkatdhetarëve) të vendit tim, do ta gjejë
mënyrën dhe rrugën e veprimit për reformimin e LDK-së, fillimisht në komunën e
Klinës, për ta përhapur mëpastaj formulen e ndryshimit gjithandej Kosovës.