Mendime
Idriz Zeqiraj: Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë "me hu në krahë"
E diele, 11.05.2025, 06:56 PM
TRUMP U RIKTHYE NË SHTËPINË E BARDHË "ME HU NË KRAHË"!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Mijëra falenderime SHBA-së, Qendrave të
Vendosjes dhe Evropës, përfshi botën tjetër demokratike, të cilët, thënë troç,
na çliruan, duke e bërë shtetin më të ri botëror, Kosovën tonë. Të gjithë ata
që thonë se "na ndihmuan", "na mbështetën ndërkombëtarët",
dashje apo pa dashje, tregohen mosmirënjohës, ndaj të gjithë atyre shteteve, të
cilët u dakorduan për dërgimin e avionëve -Apaç- të NATO-paktit, në bombardimin
e Serbisë, Malit të Zi, e deri ambasadën kineze në Beograd. Kjo nuk mohon dhe
as nuk cenon gjakun e dëshmorëve, mijëra viktimave, luftëtarëve dhe eksodin e
dhunshëm dhe të përgjakshëm masiv. Gjenerali freng, Napoleon Bonaparti thoshte
se "më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët!"
Presidenti Trump u rikthye në Shtëpinë
e Bardhë "me hu në krahë", siç shprehet populli. Sipas tij,
"Amerika nuk është lopë vetëm për ta mjelë", deri në pakufi.
"Amerikanët duhet të punojnë për vete, për mirëqenien e tyre". Dhe,
filloi vënien e tarifave të ashpra, pothuaj se, për të gjithë. Në veçanti
goditi Kinën dhe Evropën. Megjithatë, Kosova ishte në kategorinë e
privilegjuar, vetëm 10 %. Edhe Kosova u përcaktua për të njëjtën masë tarifore.
Presidentja Vjosë Osmani i propozoi
Qeverisë ta heqë fare tarifën për SHBA, madje menjëherë, duke e bërë publik
propozimin e saj. Ndërkohë, ministri i Financave, Hakuran Murati, u përgjegjë
se "do ta shqyrtojmë propozimin dhe do ta mësoni vendimin tonë".
Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina
dhe këshilltarja politike, Donikë Kadaj, reaguan shpejt e thekshëm. Më vonë
reagoi edhe Presidentja Vjosë, duke sqaruar dhe motivuar propozim-kërkesën në
fjalë: "Donim që Kosova të ishte e parë në heqjen e tarifës ndaj SHBA-së.
Sepse donim të tregonim mirënjohjen dhe miqësinë tonë të pacenuar dhe të pa
lënduar për Amerikën mike". Aq më parë sepse dashakëqijtë, të cytur nga
Beogradi e Moska, vazhdojnë të trumbetojnë, kinse, thyerjen ndërmjet Kosovës
dhe SHBA-së.
Madje bëhet edhe krahasimi habitor, si
ka mundësi të favorizohet Serbia me zëro (o) tarifë, ndërsa Amerika, si aleati
kryesor, ngarkohet me tarifën 10 %?! Dikur Kosova paguante tarifë të majme në
tregtinë me Serbinë. Pastaj Kosova u kundër përgjegjë, deri sa në kuadrin e
reciprocitetit, u shuan tarifat dy paleshe. Realisht, Serbia është
përfituese në shkëmbimet tregtare në raport me Kosovën. Por edhe partneriteti
me Serbinë është i leverdishëm për Kosovën, për arsye të afërsisë gjeografike
dhe çmimeve të volitshme. Veç kësaj, vënia e tarifës ngritë çmimin në këmbimin
e mallrave.
Sidoqoftë, i gjithë ky zhurmim i
panevojshëm, vjen për mungesë të koordinimit Presidencë-Qeveri, të paktën, për
çështjen në fjalë.
"Mos bërja dert", ngatërron
Presidencën me Qeverinë!
Mospajtimet Presidente-Qeveri, për
çfarëdo arsye qofshin, janë shenjë e përçarjes së brendshme politike dhe,
gjithësesi, dëmtojnë interesin kombëtar. Dhe, në veçanti, kur mospajtimet
manifestohen për çështje të rëndësishme shtetërore, siç është rasti për të
cilin flasim, pra, tarifa për Amerikën, shpëtimtaren tonë, lirinë tonë.
Realisht, më parë se refuzim, në rastin
e shkëmbim akuzave, Presidencë-Qeveri, vënien apo heqjen e tarifës për SHBA,
kemi të bëjmë për "mos bërje dert", mospërfillje dhe mungesë respekti
për Presidenten. Sot Kosova ka një Presidente për
lakmi. Ajo është njëra nga
protagonistet, e cila u bë pjesë e ndryshimit të madh, shporrjen nga pushteti
të bandës PAN-iste vrasëse dhe hajnore të Kosovës. Sepse pa larguar nga
politika njerëzit toksikë, nuk ka ecje përpara, ngaqë ata janë kanceri i
Kosovës. Dje kanë vrarë luftëtarët e lirisë dhe kanë sabotuar luftën për
çlirim. Sot duan ta vazhdojnë pushtetin e tyre kriminal, pa i vrarë fare
ndërgjegjja!
Administrata amerikane, vitin e shkuar,
ka deklaruar hapur, se i vetmi komunikim me Kosovën, është Presidentja Vjosë
Osmani, e cila, pa mëdyshje, është aset kombëtar. Ajo po e bënë detyrën e
Presidentes, më mirë si askush tjetër. Andaj, të gjitha shpifjet tjera janë sa
armiqësore, aq edhe rrugaçerore. Ministri Hekuran Murati dhe shefat e tij,
duhet të jenë të përgjegjshëm, të kenë mirëkuptim në arsyetimin e mençur dhe
bindës të Presidentes. Dhe, ta pezullojnë tarifën 10 për qindëshe, të vënë
SHBA-së.
Pas një hatërimi të mëhershëm të Presidentes
Vjosë, me kryeministrin Kurti dhe zëvendës-kryeministren dhe ministren e
Jashtme, Donikë Gërvalla, për përzieje kompetencash, ajo çështje është
tejkaluar dhe vetëm intriguesit mund ta ri sjellin në kujtesën tonë. Koordinimi
dhe bashkëpunimi i institucioneve shtetërore dhe pushtetare, është më i
nevojshëm se kurrë.
Tarifa duhet parë jo si "çështje
fiskale, por si aleancë strategjike"
Tarifa zëro (o) për qind me tregtinë e
mallrave për Serbinë dhe 10 për qind për SHBA, e vë Kosovën në pozicion të
vështirë, sepse të trajtosh Serbinë më mirë se sa Amerikën në aspektin tregtar,
sigurisht se do të interpretohet si "një rrëshqitje nga prioritetet
strategjike, drejt një politike të brendshme të mbyllur dhe
kontradiktore". Dhe, kjo marrë parasysh raportet e Kosovës me këto dy
shtete: Serbinë armike dhe Amerikën mike. Prandaj është imperativ, urdhëresë e
kohës, që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin e duhur, aq më parë se
Presidentja e vendit e ka quajtur të turpshme, që armiqtë të jenë të privilegjuar,
në raport me miqtë, duke konkretizuar rastin e Serbisë me atë të SHBA-ve.
Është thënë se tarifa e SHBA-së nuk ka
ndonjë ndikim domethënës në Kosovë, pasi shkëmbimi i mallrave është i pakët.
Megjithatë, ndikimi është i pashmangshëm, sepse eksportet e prodhimeve kosovare
shtrenjtohen dhe kërkesa e blerjes së tyre bie. Andaj, Presidentja ka të drejtë
pse kërkon pezullimin e tarifës për SHBA, gjë që mund të pritet një veprim edhe
nga pala amerikane. Ndikimi është zinxhir edhe tarifa për Evropën 20 për qind,
sepse ne importojmë mallra nga BE-ja, të cilat, disa syresh, i marrin nga
Amerika. Prandaj, është detyrë e Qeverisë të analizojë situatën e krijuar dhe
të veprojë mençurisht, ashtu siç sugjeron edhe Presidentja e vendit.
Presidentja Vjosë Osmani, nuk mohon
çështjen ligjore e profesionale të Qeverisë, në vendimin e saj për tarifat.
Çështjen e sheh në prizmin politik të aleancës strategjike, duke u shprehur
qartazi: "Kjo s`ka të bëjë me çështje fiskale, kjo ka të bëjë me aleancën
strategjike".