Mendime
Idriz Zeqiraj: Vota e fshehtë - barometër i demokracisë
E premte, 09.05.2025, 06:56 PM
VOTA E FSHEHTË - BAROMETËR I DEMOKRACISË
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Shumë zhurmë për gjithçka. Sepse më
mirë zhurmë sot, se sa vajë për mot. Keni vëmendjen e duhur dhe ngulmoni për
një të drejtë unike, absolute: Praktikoni votën e fshehtë, si barometër të
demokracisë.
Harrojeni për jetë e mot
-aklamacionin-, votimin fiktiv, të hapur, me ngritje dore! Është një metodë
tipike komuniste, për ta mbrojtur mashtrimin, gënjeshtrën, falsifikimin,
hipokrizinë, servilizmin!
1) Po të ishte praktikuar vota e
fshehtë, krimineli rus-sovjetik, Stalin, nuk do të arrinte ta sundonte, me
dajak e plumb, për tej tri dekadave, Bashkimin Sovjetik.
2) Po të praktikohej votimi i fshehtë,
Hitleri nuk do të arrinte të vihej në krye të Gjermanisë Federale dhe ta
sundonte dhe përdhoste atdheun e Getës dhe t`i shkaktonte Evropës dhe botës
miliona viktima dhe rrënime të qytetërimit evropian dhe botëror.
3) Po të ishte votimi i fshehtë,
kriminelët rusë Putin dhe Medvedev, nuk do të vazhdonin sundimin e tyre
kriminal, duke i ndërruar pozitat president-kryeministër, njësoj siç e kishin
planifikuar të bënin në Kosovë tandemi Hashimi-Isa, me aklamacionin zgjedhor
fiktiv të imponuar. Matematikat ua prishën Amerika, Gjermania...
4) Po të praktikohej vota e fshehtë e
shqiptarëve, që zakonisht e garanton çdo Kushtetutë e Kontinentit Evropian,
filosllavi, por edhe kryetradhtari i deritashëm shqiptar, Enver Hoxha, nuk do
ta zgjidhnin kolonët malazezë dhe serbë, për të parë të Shqipërisë, në
Vitomiricë të Pejës! Dhe, kurrë nuk do të arrinte ta sundonte e
"sakatonte" Shqipërinë londineze, për afro gjysmë-shekulli!
5) Po të praktikohej vota e fshehtë, edhe
pse Isa Mustafën e katapultoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij kriminal, në krye
të LDK-së, për ta bërë -bisht e patericë- të PDK-së, të paktën, nuk do t`i
vazhdohej mandati i dytë dhe i tretë i kryetarit të LDK-së, pa qenë kurrë
anëtar i saj, falë votimit aklamativ, fiktiv, të rrejshëm!
Si delegatë në 4 (katër) Kuvendet në
Zgjedhjet Qendrore të LDK-së, në Prishtinë, më shumë se zgjedhje, ishin një
-Maskaradë- zgjedhore. Në sallën zgjedhore kuvendore ishin 359 delegatë.
Turpshëm e kriminalisht shkermoçej demokracia dhe partia - njëherësh! Votimi
aklamativ, i tufëzuar, blegtoral vazhdonte. Asnjë zë, asnjë debat, asnjë
propozim, përveç ata që kishte listuar Shefi Isë me klanin e tij! Delegatëve të
Mërgatës u kishin lënë vendin në radhën e fundit të karrikeve kuvendore, edhe
pse kishin bërë mijëra km rrugëtim, ardhje-kthim, me shpenzimet e tyre, për të
qenë pjesë e Kuvendit Zgjedhor!
Reagova me zë të lartë. Një gazetar
trimosh, (më vjen keq që nuk ia mësova emrin, pres të lajmërohet), më ofroi mikrofonin.
Në mes tjerash, shfryva: "O skllevër të shekullit digjital, si nuk keni
turp ta vrisni demokracinë, me aklamacionin tuaj të poshtër dhe heshtjen tuaj
qyqare e kriminale?! Çfarë fytyre keni të dilni para anëtarësisë dhe
elektoratit të LDK-së, për të kërkua sërishmi votën?!" Në sallë pati
duartrokitje, por duart zgjedhore u ngritën për Isa Mustafën! Dhe, LDK-ja e
pësoi me 10.5 % dhe jo 12.5 %, sepse kishte hisedarë në koalicion.
6) Po të ishte votimi i fshehtë,
shqiptarët londinezë nuk do ta riciklonin karagjozin Ramë, me atë zhargonin
pezhoartiv dhe provokimin e shqiptarëve të përbotshëm, i cili me mbështetjen e
turpshme të ndërkombëtarëve, rrënoi pluralizmin në Shqipëri, të krijuar me
sakrifica e gjak, për gjysmë-shekulli radhazi!
7) Po të bëhej votimi i fshehtë, Hashim
Thaçi, duke qenë agjent i trefishtë: i Sigurimit të përgjakshëm sekret të
Enver Hoxhës; i Shërbimit Informativ DGSE francez; përmes Arnaud Danjear,
agjent i Serbisë, nuk do të arrinte kurrë të bëhej president i Kosovës! (Për
rekrutimin e Hashimit agjent, lexoni në -Jou Tube- rrëfimin e kreut të
Shërbimit francez, Pierre Siramy).
Shtetarë, pushtetarë, parlamentarë,
kuadro partiakë dhe kushdo tjetër, që ka frikë të provohet me votën e fshehtë,
ata janë frikacakë, kanë arritur të ngritën në poste me bërryla dhe janë,
thjeshtë, brrylaxhi, të cilët duhet të futën sa më parë në testimin e votës së
fshehtë. Sepse ajo do t`i skarconte llumhanen ndotëse të institucioneve
të Kosovës, subjektet e kriminalizuara politike dhe Parlamentin e ngulfatur,
nga mujsharë e zuzarë të neveritshëm. Për të tillët Akademik Mark Krasniqi
thoshte: "Kur të qethën ogiçët, do të shihni çfarë morracakësh janë!"
Kolapsi kuvendor është sa artificial,
aq edhe hiç ligjor. Demokracia e përjashton kushtëzimin, duke i dhënë parësi e
hapësirë debatit. Kuvendi nuk guxon të bëhet viktimë e Kadri Veselit, të
Vetting-ut, të Byrosë për Verifikimin e Pasurive të pa mbulesë financiare. E
gjithë e thëna dhe e bëra e ministres dhe e deputetes luftarake dhe atdhetare,
Albulenë Haxhiu, tashmë, të dëshmuar me tej 150 mijë vota të fshehta të
qytetarëve të Kosovës, qëndron dhe është super meritore për postin e lartë,
kryetare e Kuvendit të Kosovës. Çfarëdo propozimi të dytë, në vend të
Albulenës, qoftë edhe ideal, do të përbënte precedent të rrezikshëm, sepse
imponohet vullneti i humbësve, për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkohë
që këtë të drejtë e gëzon vetëm partia fituese.
Zakonisht, shqiptarët nuk shquhen për
sinqeritet. Ndërkohë që hipokrizia është bollshëm e pranishme. Robëria e gjatë,
nga pushtues të egër e mizorë, ka ndikuar dukshëm. Andaj, hipokrizia është me
tepri e pranishme. Sistemi komunist e ka normë hipokrizinë, servilizmin,
gënjeshtrën dhe veset tjera turpëruese. Raporti në mes votës aklamative me atë
të fshehtë, e para dominon me negativitet, e shprehur në shifra dhe përqindje:
8 me 2 ose 8 % dhe 2 %! Pra, nga përvoja e votimeve në demokraci, për gjatë
këtij çerek-shekulli, bilanci është fatal. Prandaj, harrimi i aklamacionit, votimi
fiktiv, i hapur, duhet harruar, për t`i dhënë qytetarinë votimit të fshehtë, si
e vetmja votë demokratike, e cila pastron Parlamentin dhe institucionet tjera
nga krimi dhe kriminelët.
Kushtetuta e pranon votimin e fshehtë
dhe kjo i demanton belbëzimet e disa ish-kuadrove të Gjykatës Kushtetuese, të
emëruar, enkas, nga Hashimi, për t`i shërbyer atij dhe Serbisë, në përpjekjen
për t`i shpëtuar penalizimit të bazuar. Disa thonë se kjo duhej propozuar ende
pa filluar konstituimi i organeve kuvendore dhe jo në mes, pasi ka filluar
prova e konstituimit me aklamacion.
Por, janë dy argumente bazike, që e
hedhin poshtë këtë "argumentim" me porosi:
a) Opozita e bashkuar, duke shtuar edhe
Listen Serbe, bëri koalicionin -PLAS-, pas zgjedhor, gjë që e përjashton
Kushtetuta. Pra, Kushtetuta njehë vetëm koalicionet parazgjedhore dhe assesi
ato pas zgjedhore. Megjithatë, lë të vazhdojë koalicioni -PLAS-, por, pa e
penguar votimin e fshehtë kushtetutorë, meqë votimi fiktiv aklamativ, i hapur,
ka dështuar në zhbllokimin e punës kuvendore;
b) Sepse kanë ndodhur gjëra sa të
jashtëligjshme, aq edhe të jashtëzakonshme, në pozicionimin bojkotues gruporë
të opozitës destruktive dhe koordinuese e drejtpërdrejtë me presidentin serb
Vuçiq, për të larguar Albin Kurtin dhe LVV të tij nga pushteti, i fituar me
votën e fshehtë të qytetarëve të Kosovë! Dhe, për t`i kthyer në pushtet
komandantët e kriminalizuar, në koalicion me Listen Serbe, me njëmijë e një
mëkate karshi shtetit të pavarur të Kosovës!
Thënë troç, qytetarët e Kosovës kanë
humbur, tërësisht, besimin në opozitën, kryesisht, PAN-in, kur janë të gatshëm
ta pranojnë Asociacionin me çfarëdo përmbajtje qoftë; të pranojnë krijimin e
komunave si ajo e Dudës sot e, ndoshta, nesër edhe të Vetushit dhe Hoxhushit,
në përpjekjen e mundimshme, për t`u zvarritur në politikën dështake partizat
minore! PAN-istët mbijetojnë nga klientela elektorale, duke pasur të garantuar
votat: pjesës më të madhe të armatës të nëpunësve shtetërorë, të stazhionuar për
dy dekada radhazi; anëtarësia e organizatave kriminale SHIK me simotra;
të dhjetra-mijëra veteranëve të rrejshëm, të abuzuar me buxhetin e shtetit.
Opinioni shqiptar është i befasuar me
Lidershipin e LDK-së, me bojkotin e shpërfaqur në mënyrë sa të vrazhdë, aq edhe
të panatyrshëm, përkrah partive-banda, të koalicionura kundërligjshëm, pas
zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025?! Opinioni i përbotshëm shqiptar pret reflektimin
e partisë Institucionale, LDK, braktisjen e bojkotit dhe ndërprerjen e bashkëpunimit
me PAN dhe Lista Serbe, për ta zhbllokuar Kuvendin dhe bërjen e koalicionit
qeverisës LVV-LDK.
Populli i Kosovës është i lodhur dhe i
dërrmuar me pehlivanllëqet e politikanëve të papërgjegjshëm. Është shansi i
fundit, për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga fytyra e tyre.
Përndryshe, e gjithë kjo lojë e ndyrë,
e PAN-it, duke ndërhyrë edhe në drejtësinë e shumëpritur ndërkombëtare, si
shpresë e fundit e shqiptarëve, për të vënë dhe bërë drejtësi të pavarur, do të
jetë e kushtueshme, për kodoshët dhe zuzarët e politikës kriminale e
rrugaçërore, e kufizuar në përfitimet personale e grupore, por gjithnjë kundër
dhe në dëm të Kosovës.